Nga Agron Alibali
Pjesa e dytë
Memorie.al / Mbrëmjen e 15 dhjetorit 1942, në ora 19:30, në zyrën e shefit të FBI-së, z. J.Edgar Hoover në Washington DC, mbërriti një telefonatë krejt e papritur. Thirrësi, një individ me shumë tituj, identiteti i të cilit mbahet ende i fshehtë në arkivat amerikane, informonte se Faik Konica atë ditë ishte gjendur i vdekur në banesën e vet në kryeqytetin amerikan. Informatori, më tej deklaronte se “kishte marrë informacion se disa persona të panjohur po largonin sende personale të Konicës nga shtëpia pa kryer formalitetet e duhura”. Ai tha se ishte munduar të kontaktonte Departamentin e Shtetit, por përpjekjet e tij “nuk kishin pasur sukses”. Për këtë arsye, ai kërkonte nga FBI-ja që “të ndërhynte për të ndaluar këto veprime”. Zyrtari që priti telefonatën dhe mbajti shënim kërkesën e veçantë, u përgjigj me mirësjellje se “Byroja nuk kishte juridiksion në çështje të tilla”.
Edhe 18 ditë:
Me të vërtetë, po atë ditë, më 28 nëntor 1942, d.m.th., tetëmbëdhjetë ditë para vdekjes, Konica i shkruajti Earl Brennanit dhe i kërkoi që Shtetet e Bashkuara “të denonconin njohjen e dominimit italian, të pranuar heshturazi (implicitly) me politikën e “qëndrimit të butë” [appeasement], dhe ta njihnin Mbretin Zog si kreun e ligjshëm të vendit”, pasi “si pasojë e rrjedhjes së detyruar të ngjarjeve, [Ahmet Zogu] ishte kthyer në simbol të pavarësisë së Shqipërisë – dhe kësisoj ai duhet ruajtur me çdo kusht nëse e kaluara dhe e tashmja duhen mbajtur të pandërprera”.
Kuptohet se Noli dhe Konica, si dy burra shteti, diplomatë e dijetarë të rrallë, e kishin të qartë se rrethanat e krijuara pas pushtimit nga Italia, kishin cenuar vazhdimësinë e shtetit shqiptar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Gjendja e paqartë në terren dhe mosnjohja e një qeverie në mërgim nga Anglia, vinte në rrezik vetë ekzistencën e Shqipërisë.
Letrën e Konicës për Brennain nuk e kemi të plotë, por me siguri ai do t’i ketë kërkuar edhe një deklarim më të qartë prej Shteteve të Bashkuara për pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë pas lufte, sipas qëndrimit të përbashkët me Nolin të 19 nëntorit 1942.
Sigurisht, në kuadër të nxitjes së qëndresës ndaj pushtuesit italian vetë OSS-s, kishte objektivat e veta strategjike në Shqipëri. Përputhja e tyre me synimet Nolit dhe Konicës mund të ketë qenë faktor që përpjekjet e dy burrave të urtë të mos mbeteshin pa efekt.
Edhe 16 ditë Me të vërtetë, më 30 nëntor 1942, ose gjashtëmbëdhjetë ditë para vdekjes së Faikut, OSS do të vinte në lëvizje vetë Departamentin e Shtetit për të bërë një deklaratë tjetër për Shqipërinë. Ngjarja përshkruhet në një dokument të Adolf. A. Berle. Jr., Ndihmës/Sekretar i Shtetit i Departamentit të Shtetit:
* * *
30 Nëntor 1942
Eu – Z. Atherton
PA M – Z. Murray
Frank Sayre ndaloi këtu dhe shpjegoi se Zyra e Shërbimeve Strategjike po bënte plane për [nxitjen] e lëvizjes së armatosur politike [political warfare] në Shqipëri.
Z. Brannon (siç), i asaj zyre, ka hartuar një projekt letër, të cilën ai shpreson se OSS-s do t’ia përcjellë Sekretarit të Shtetit. Kopja është bashkëngjitur.
Shkurtimisht, thelbi është se ai është gati të kërkojë një deklarate prej Shteteve të Bashkuara që të shpallë se Shqipëria e pavarur do të ri ngrihet pas luftës, çka do të ndihmojë nxitjen e luftës guerilase atje.
Brannon, si dhe Frank Sayre, janë të bindur se, të paktën ekziston një mundësi që Britania e Madhe të jetë përfshirë në bisedime jo-zyrtare edhe me Jugosllavinë, edhe me Greqinë, me qëllim ndarjen e Shqipërisë midis tyre.
Unë do të jem mjaft i lumtur të kem mendimin tuaj sa më sipër.
A.A.B. Jr.
Me të vërtetë Brennan i paraqiti Departamentit të Shtetit një propozimi prej dy pikash, i cili në thelb, përputhej me pikëpamjen e Nolit dhe Konicës. Në pikën e parë ai “kërkonte, shpalljen e një deklarate të hershme të autoritetshme në mbështetje të kauzës së një Shqipërie të pavarur”.
Kjo, vazhdon më tej ai, “do të lehtësojë bashkëpunimin ushtarak me udhëheqësit guerilas që po luftojnë kundër italianëve” dhe do të përbëjë “mbështetje morale 100% për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit”.
Në pikën e dytë, Brennan “shpresonte se Departamenti [i Shtetit] mund ta mendojë të përshtatshme njohjen si entitet simbolik të njëfarë grupi që të përfaqësojë aspiratat e shqiptarëve, qoftë thjesht si komitet përfaqësues shqiptar ose si qeveri në mërgim”.
Brennan theksonte se grupi duhet të jetë “rreptësisht jo-partiak” dhe “të angazhohet se çështja e Qeverisë [legjitime] duhet të presë deri në fund të luftës”. Brennan, më tej, shprehet kundër drejtimit të këtij grupi nga Ahmet Zogu duke kundërshtuar argumentin se Zogu ende mund të “pretendojë ekzistencën e një të drejte mbretërimi të cilës de jure nuk i ka përfunduar afati”.
Edhe 12 ditë:
Më 3 dhjetor 1942, kur Faikut i kishin mbetur më pak se dy javë jetë, Drejtoria e Çështjeve Evropiane në Departamentin e Shtetit i përcillte Sekretarit të Shtetit “sugjerimin” për një deklaratë në mbështetje të Shqipërisë, duke mbështetur kësisoj “rekomandimin e parë dhe kryesor” të OSS-it.
Lidhur me kërkesën e dytë, ajo mendonte se “nuk ishte edhe aq urgjente”, se shqiptarët e diasporës mbeteshin të përçarë dhe se “ne nuk jemi të bindur se njohja e një Komiteti shqiptar do të ishte e dobishme”.
Po atë ditë, Drejtori J. W. Jones do t’i paraqiste Sekretarit të Shtetit propozimin përfundimtar të Drejtorisë së Çështjeve Evropiane për Deklaratën për Shqipërinë, bashkë me projekt-tekstin përkatës.
Edhe 4 ditë:
Më 10 dhjetor 1942, d.m.th. kur Faik Konicës i kishin mbetur edhe katër ditë jetë, Sekretari i Shtetit Cordell Hull lexoi dhe shpërndau para shtypit të akredituar në Departamentin e Shtetit Deklaratën historike në mbështetje të aspiratave të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe integritet territorial. Teksti i përpiluar dhe i propozuar nga Drejtoria e Çështjeve Evropiane sipas ideve të OSS ishte miratuar pa asnjë ndryshim.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk e ka harruar (is not unmindful) qëndresën e vazhdueshme të popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë”, do të deklaronte Z. Hull. “Ne i admirojmë dhe i çmojmë përpjekjet e grupeve të ndryshme guerilase që luftojnë kundër armikut të përbashkët në Shqipëri.
Qeveria dhe populli i Shteteve të Bashkuara e presin me padurim ditën kur këtyre burrave trima të mund t’u japim të gjithë ndihmën efektive ushtarake që të çlirojnë vendin e tyre nga pushtuesi”.
“Në përputhje me politikën e qartë dhe të pandryshuar për mosnjohjen e asnjë pushtimi të arritur me forcë, Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk e ka njohur kurrë aneksimin e Shqipërisë prej kurorës italiane. Deklarata e Përbashkët e Presidentit [Amerikan] dhe Kryeministrit Britanik, e 14 gushtit 1941, e njohur si “Karta e Atlantikut”, thekson sa vijon:
‘E treta, ata respektojnë të drejtën e të gjithë popujve që të zgjedhin formën e qeverisjes nën të cilën duan të jetojnë; dhe ata dëshirojnë që të shikojnë rivendosjen e të drejtave sovrane dhe të vetë-qeverisjes për ata [popuj] të cilëve ato u janë mohuar me forcë”. Edhe rivendosja e një Shqipërie të lirë parashihet në atë deklaratë parimore.
Deklarata u prit jashtëzakonisht ngrohtë nga mbarë populli shqiptar, nën pushtim apo në diasporë. Si rrallëherë ishte kurorëzuar kësisoj me sukses të plotë një ndër veprimtaritë diplomatike më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë.
Mirëpo pesha e moshës, shtrëngesat dhe stresi i jetës së përditshme, dhe sidomos hallet e Shqipërisë po rëndonin si pa ndjerë mbi shëndetin e Faikut të madh. “E takova rrugës rreth një javë para se të ndërronte jetë”, – do të shkruante Harry Gratan Doyle, shoku i tij i kursit në Universitetin e Harvardit. “M’u duk i plakur, i lodhur, dhe jo shumë optimist”, – vazhdon më tej ai. “Zhdukja e përkohshme e vendit të tij si komb i pavarur, qe një goditje shumë e rëndë për të”… Por, vdekja e tij ishte e papritur dhe tronditëse. Ai kishte aq shumë miq këtu” .
Edhe dita e mbrame:
14 dhjetori 1942, ishte ditë e Hënë. Nuk e dimë nëse Faiku qëndroi atë ditë në shtëpi apo u mor me ndonjë punë në qytetin ku kishte shërbyer për aq vjet. Pak para orës 17:00, Konica do të goditej nga një hemorragji cerebrale. Rreth orës 17:30 mbërriti atje sekretarja e tij, Charlotte Graham. Faiku i kërkoi asaj që të thërriste mjekun dhe mikun e tij të ngushtë Dr. Robert Oden, i cili mbërriti pa vonesë. Pasi e vizitoi ai konfirmoi sekretares se; “Konica ishte në gjendje tejet të rëndë”.
Në pritje të ndihmës mjekësore dhe të shtrimit në spital, ai do të ndërronte jetë në orët e para të mëngjesit në apartamentin e tij në Washington, D.C. Si dëshmitarë të heshtur të jetës së Faik Konicës në kryeqytetin amerikan, muret e apartamentit të tij të hijshëm zbukuroheshin nga rafte të mbushura plot me libra të rrallë, si dhe nga piktura e sende të tjera të vyera.
Në atë ditë të mesit të dhjetori biblioteka e çmuar e Faik Konicës, e përbërë prej më se 2.500 blenjsh, do të humbiste zotin e saj përgjithmonë. Dhe më vonë do të humbiste edhe vetë. Në dhomën e pritjes të apartamentit një portreti i mrekullueshëm i Faikut, vepër e piktorit të njohur amerikan me prejardhje polake, Joseph Sigall, do të mbetej për miqtë e tij të shumtë pamja më e gjallë dhe e prekshme e Faikut të madh tashmë të humbur. / Memorie.al













