Nga Ragip Guraziu
Pjesa e dytë
– A kishte dorë Fadil Hoxha në vrasjen e Shaban Polluzhës, në Masakrën e Tivarit, në demonstratat e vitit 1981? –
Memorie.al / Për vrasjen e Shaban Polluzhës i vrarë nga komunistët e udhëhequr prej Fadil Hoxhës. Ky i fundit, sa ishte gjallë, kishte thënë se Shaban Polluzha ishte likuiduar dhe pas kësaj ishte qetësuar edhe Drenica. Madje, komunisti Hoxha kishte thënë se në likuidimin e Polluzhës, kishin marrë pjesë edhe njerëz të Drenicës. E vërteta e demonstratave të vitit 1981 “të vërtetën për atë se kush i ka nxitur ato protesta”, duhet të sqarohet edhe për termin “kundërrevolucion” dhe diferencimet ideo-politike.
Nën administrimin ushtarak u mbajt edhe Sesioni i Dytë i Këshillit “Nacionalçlirimtar” i Kosovës, i njohur si Kuvendi i Prizrenit, korrik 1945 dhe këtu Kosova u aneksua nga Serbia. Në këtë kuvend u përmbysën vendimet e Bujanit. Pro aneksimit, në Prizren votuan shqiptarë e serbë, ata të cilët refuzuan u burgosën dhe u likuiduan. Shtëpia e Shaban Polluzhës disa herë është bërë rrafsh me tokë. Shumçka e vlefshme është djegur dhe shkatërruar.
Bashkë me shumë sende të tjera janë djegur edhe ato pak fotografi të Shaban Polluzhës. Siç thotë Ramadani, djali i tij, “dikush babait ia kishte bërë dy tri fotografi dhe deri para Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë në shtëpi. Nga to ka shpëtuar vetëm një. Meqë shtëpia jonë bastisej nga OZN-a, në atë fotografi e mbështollëm në letër dhe e shtimë në mes dy dërrasave të hambarit për ta ruajtur kujtimin për babain.
Mirëpo, kohëzgjatja në kushte jo klimatike eresioni e kishin dëmtuar. Fotografia e vetme e tij, nga dërrasat e hambarit, u nxor në vitin 1990, atëherë kur unë kërkoja një foto për botim. Nga kjo fotografi e mbetur vështir se mund të fitohet imazhi për babain”, – thotë Ramadani, i cili ishte me të deri sa ra heroikisht në kullat e Dvoranëve në Terstenik, më 21 shkurt 1945 bashkë me një numër luftëtarësh.
Kufomën e Shaban Polluzhës, djali i tij Ramadani me një grup shokësh, e kishte hedhur në lumin Drenica, duke thyer një pjesë të akullit, dhe vetëm pas 6 javësh do të nxirrej dhe varrosej. Në gurin e varrit figuronte viti i lindjes, 15 vjet më i vjetër sesa që kishte pasur. Kjo ishte bërë me qëllim nga familja, në mënyrë që të mendohej për ndonjë person tjetër. Shaban Polluzha për 50 vjet ishte temë tabu.
Më 13 dhjetor 2013, në shënimin e 70-vjetorit të Konferencës së Bujanit (1943-‘44), nën patronatin e kryetarit të atëhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, u mbajt një tryezë shkencore. Më atë rast, Krasniqi deklaroi: “Kuvendi i Bujanit, i organizuar nga udhëheqësit e njësive Nacional-Çlirimtare të Kosovës, e të Shqipërisë, janë historia e lavdishme e historisë sonë moderne dhe janë pararendësit e këtij Kuvendi të Republikës së Kosovës së sotme”! Një prej ideatorëve të Bujanit ishte lideri i dikurshëm komunist i Kosovës, Fadil Hoxha, për të cilin janë dy versione të historisë: një negativ dhe një pozitiv, gjë që ilustrohet edhe me reagimet pro dhe kundër ngritjes së bustit të tij në Gjakovë.
Lidhur me këtë, po ju sjell më poshtë ca fakte që nuk janë shumë të njohura nga masat për këtë figurë, e që shpesh herë edhe mohohen. Më 31 janar 1943, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbahet Konferenca e Bujanit. Më 2 janar 1944, pasi shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit, Konferenca doli me një dokument përfundimtar, ku thuhet: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit, është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë”.
Ditë më parë, ish-kryetari i Komitetit krahinor, Azem Vllasi, në një intervistë për një të përditshme, ka thënë se organizatorët e demonstratave të vitit 1981, nuk kanë kërkuar përmirësimin e kushteve të shqiptarëve të Kosovës, por se kanë synuar që komunizmin jugosllav, ta zëvendësojnë më atë stalinist. Kjo deklaratë ka nxitur reagime të mëdha nga shumë organizatorë të këtyre demonstratave, përfshirë edhe deklaratën e Vllasit, se janë të pabaza arsyetimet se protestat e vitit 1981, e kanë ngritur vetëdijen kombëtare në mesin e shqiptarëve të Kosovës, meqë “vetëdija kombëtare” ka qenë vazhdimisht në ngritje.
Se kjo është e vërtetë, si dëshmi mund ta marrim Kombinatin “Trepça”, e cila që në kohën kur udhëhiqej nga Veli Deva, në vitet ’70-të të shekullit të kaluar, kishte 11 njësi (secila me nga 250-1000 punëtorë) e ku 75 për qind e kuadrove ishin shqiptarë dhe në pozitat udhëheqëse. Për këtë, udhëheqësit shqiptarë të Kosovës ishin nën presion.
Madje, thuhet se Deva në një takim politik kishte thënë: “Ngushtë jemi prej shkieve këtu në ‘Trepçë’”! Ndërkaq, mos të harrojmë se më 1978, për vetëm 24 vite nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Kosova kishte 400 mijë nxënës në shkolla të mesme e fillore. Sipas akademikut Mark Krasniqi, vetëm nga viti 1970-1990, u diplomuan mbi 33 mijë student shqiptarë, 213 doktorë shkencash, 160 magjistra…!
Pra, kishte emancipim dhe ngritje të vetëdijes kombëtare, e kjo dëshmohet edhe me ngritjen e statusit të Kosovës në federatën jugosllave. Hoxha ia hoqi Metohinë emrit të Kosovës, ndërsa kërkoi edhe republikën Vllasi, në intervistën e tij përmend se; “republikën e kemi diskutuar haptas edhe në kohën kur kanë qenë ndryshimet kushtetuese, në vitet ‘68 dhe ‘69”.
Kjo thuhet edhe nga historianët serbë. Sepse, pas Plenumit të Brioneve (1966), pra pas rënies së ministrit të Brendshëm të Jugosllavisë, antishqiptarit Aleksandër Rankoviq, pozita e shqiptarëve në Jugosllavi nis të avancohet, sidomos pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974. Mediat serbe, duke u cituar arkivin e Titos, kanë shkruar se Hoxha më 1966 kishte kërkuar që emrit të Kosovës t’i hiqet Metohija, gjë që edhe ka ndodhur, dhe se Kosova duhet të sjell ligjet e saj, përfshirë Gjykatën Supreme. Pra, të jetë e barabartë me njësitë tjera të Jugosllavisë.
Ndërsa, historiani serb, Millosh Mishoviq, në librin e tij; “ Koje trazio republiku: Kosovo 1945-1985” (Kush e kërkoi Republikën: Kosova 1945-1985), ka shkruar se më 22 prill 1968, në mbledhjen e Kryesisë së Komisionit Ekzekutiv të Kosovës, Fadil Hoxha kërkonte: “Flamuri i Kosovës nuk duhet të jetë një flamur i trilluar…! Në Kosovë shumica janë shqiptarë dhe flamuri duhet të jetë shqiptar”.
“Hoxha, – thuhet po aty, -kërkoi që Kosova të ketë flamurin zyrtar, stemën dhe festën e vetë shtetërore. Këtu është kërkuar Kosova Republikë”. Pozita e shqiptarëve avancohet pas vitit 1974, por gjërat ndryshojnë pas demonstratave të vitit 1981, për të cilat duhet pranuar se askush nuk di të japë një sqarim të qartë, sidomos për organizimin e tyre.
“Parulla kryesore me datën 26 mars, te Qendra e Studentëve, ku kam qenë prezent edhe unë, ka qenë: ‘Lavdi marksizëm-leninizmit”, – thotë Vllasi. Është e vërtetë se parullat e demonstratave shqiptare shpesh binin në kundërshtim me njëra-tjetrën. Kështu, Branko Horvat, në librin e tij “Kosovsko pitanje” (Çështja e Kosovës), ka shkruar se në demonstratat e vitit 1981, parullat dhe grupet ndahen kështu:
- “Duam Republikë, ja me hatër ja me luftë”, “Jemi shqiptarë, jo jugosllovenë”, “Kosova e kosovarëve”; II. “Trepça punon, Beogradi ndërton”; III. “I duam shokët e burgosur”, “Rroftë Adem Demaçi”; IV. “Rroftë vëllazëria e popullit shqiptar”, “Bashkim i trojeve shqiptare”; V. “Rroftë marksizëm-leninizmi”, “Poshtë revizionizmi”; VI. “Dikush në kolltuk, dikush pa bukë”, “Deri kur në podrum”, “S’ka bisedime me borgjezinë e kuqe”, “Rroftë klasa punëtore”, “Kërkojmë kushte më të mira”!
Fadil Hoxha nuk kishte hezituar ta përmendte as bashkimin kombëtar!
Historiani Shaban Braha ka thënë se; “Për tragjedinë e Tivarit, dinin më mirë Koçe Xoxe në Tiranë dhe Aleksandër Rankoviqi në Beograd”. Po ashtu, sipas tij, në shkurt 1945, Fadil Hoxha i tha Titos: “Ju e dini çfarë premtimesh na keni dhënë gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe ato duhet t’i mbani, ndryshe Jugosllavia do të jetë për një kohë të gjatë në luftë me shqiptarët”.
Me rastin e vdekjes së Brahës, ish-kryeministri Hashim Thaçi – i cili e kishte këshilltar politik Azem Vllasin – ka dërguar një telegram ngushëllimi më 2013, me këtë përmbajtje: “Vepra dhe figura e Shaban Brahës, do të mbetet shëmbëlltyrë e paharruar e veprimtarit të palodhshëm dhe patriotit që angazhimin dhe dashurinë për atdheun e kanë të pashterur dhe konstant”.
Në anën tjetër, akademiku Mark Krasniqi, në një intervistë për Kosova-TV, kishte thënë se; pas konflikteve që kishte Fadil Hoxha me Stanoje Aksiçin e Lipjanit, që ishte zyrtar i lartë në Serbi, ai kishte thënë në sy (Krasniqit): “Nuk ka zgjidhje tjetër për Kosovën, përveç bashkimit me Shqipërinë”.
Ndërsa, Milan Vuçiniq, në librin e tij “Zasto Kosovo ne moze da bude republika” (“Pse Kosova nuk mund të jetë republikë”!), thotë se Fadil Hoxha më 1958, kishte thënë: “Meqenëse është shumica e shqiptarëve në Kosovë, gjithsesi se kjo do të shkojë në Shqipëri”. Pra, për dallim nga politikanët e sotëm të Kosovës, Hoxha në një sistem monist megjithatë kishte guxuar ta përmendte bashkimin me Shqipërinë.
Luftëtarë të dy blloqeve: Fadil Hoxha përqafohet me Hysen Tërpezën
Sidoqoftë, kemi shumë versione të historisë, pro e kundër Enver Hoxhës, pro e kundër Fadil Hoxhës, siç kemi pro e kundër shumë figurave tjera, që nga Skënderbeu. Por, askush nuk mund ta mohojë se ka pasur tendenca nga disa personalitetet komuniste që, siç ka thënë Katjusha Jashari për BBC; “në dobi të shqiptarëve të ndërrohet sistemi brenda sistemit ekzistues jugosllav”. Jakup Krasniqi është arrestuar pas demonstratave të vitit 1981. Natyrisht, askush nuk mund të pajtohet me këtë arrestim dhe as vuajtjet nëpër të cilat ka kaluar ai. Megjithatë, ai dhe secili duhet të jetë i hapur për debatet që bëhen për rrethanat e ndryshime historike, siç ishin demonstratat e vitit 1981.
Për këtë duhet të merret model Hysen Tërpeza dhe Fadil Hoxha. Te pjesa dërrmuese e popullatës së Kosovës, të të dy taborëve, në versionin e ri të historisë, i pari ishte dhe mbetet model i rezistencës, i lëvizjes për liri dhe çlirim, ndërsa i dyti model i poltronistit të komunizmit jugosllav. Versioni se Hoxha mund të ketë qenë më vigjilent për pafuqinë e shqiptarëve dhe se të drejtat e tyre është munduar t’i realizojë përmes sistemit që është imponuar, nuk është shumë bindës për bashkëluftëtarët dhe ithtarët e dikurshëm e të tashëm të Tërpezës.
Por, përqafimi i Hoxhës dhe Tërpezës, pas çlirimit të Kosovës dhe pak para vdekjes së të dyve, është shembull që rrënon shumë paragjykime. Ata dëshmuan se rivalët politik në fazat e tranzicionit jo gjithmonë janë rivalë të koncepteve patriotike në njërën anë dhe të koncepteve të tradhtisë në anën tjetër.
Fadil e Sharr Hoxha, që të dy të urryer nga politika serbe!
Fadil Hoxha është akuzuar që nga Konferenca e Bujanit e gjer në vdekje të tij, si armik i serbëve. Ai më 1986 shkarkohet nga të gjitha postet. Ndërsa, më 1991, nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, akuzohet për tradhti. Më lartë u përmendën parullat e thëna nga demonstruesit gjatë vitit 1981. Shumë nga pjesëmarrësit e këtyre demonstratave, të burgosur ose jo, pas luftës kishin poste udhëheqëse në Kosovë.
Mirëpo, nuk duhet të harrohet një fakt: para tyre, parulla kundër sistemit të Jugosllavisë – ka shkruar i biri i Fadil Hoxhës, Sharri. Pikërisht për këtë, gjatë viteve ’80-të, ka shkruar shtypi serb, madje edhe se Sharri në hotelin “Bozhur” në Prishtinë, nga kamerieri kishte kërkuar t’i shërbehet një “kokë serbi”. Përderisa kjo deklaratë mund të jetë pjesë e propagandës, ajo që dihet është kjo: Branko Horvat ka shkruar se më 1963, Sharr Hoxha me një grup ka shkruar parullat: “Poshtë Tito”, “Poshtë Jugosllavia”, “Rroftë Enver Hoxha”, “Rroftë Shqipëria”.
Sipas dokumenteve në Arkivin e Jugosllavisë, UDB-ja mikrofonat i ka instaluar edhe në shtëpitë e Ismet Shaqirit, Ymer Pulës, Mehmet Hoxhës dhe Fadil Hoxhës. Në këtë fushatë është përcjellë puna e intelektualëve shqiptarë, si Mark Krasniqi, Gjon Shiroka dhe Enver Gjergjeku. Dyshimet janë se janë përgjuar edhe Veli Deva, Xhevdet Hamza e Drita Dobroshi. \
Për vrasjen së Shaban Polluzhës i vrarë nga komunistët e udhëhequr prej Fadil Hoxhës. Ky i fundit, sa ishte gjallë, kishte thënë se Shaban Polluzha ishte likuiduar dhe pas kësaj ishte qetësuar edhe Drenica. Madje, komunisti Hoxha kishte thënë se në likuidimin e Polluzhës kishin marrë pjesë edhe njerëz të Drenicës. / Memorie.al













