Nga Thanas L. GJIKA
Memorie.al / Hasan Kostreci, bën pjesë midis krijuesve të përvuajtur, të cilët e fituan të drejtën e përdorimit të penës si shkrimtarë, mbas kapitullimit të diktaturës. Madje rasti i tij, ndryshon disi dhe nga kolegët e këtij grupi, sepse ai e rifilloi krijimtarinë letrare, jo menjëherë pas kapitullimit të diktaturës, por 15-17 vjet mbas shpërnguljes në SHBA-ës, kur i kishte kryer detyrimet e domosdoshme familjare, si përshtatja në atdheun e ri, rritja dhe edukimi i dy vajzave të vogla dhe dalja në pension. Ai filloi të botojë së pari disa tregime, në gazetat shqiptaro amerikane “Illyria” dhe “Dielli”, të cilat i mblodhi më 2009-ën, në vëllimin “Dimër në luginën e Drinit”.
Më 2011, botoi autobiografinë; “Jetë në Diktaturë”, për të cilën dhanë vlerësime e tyre; Astrit Lulushi, Kostaq Xoxa, Reshat Kripa, Iliaz Gogaj, etj. Ne po ndalemi në botimin e dytë (Shtypshkronja KLEAN, Tiranë 2012, 248 fq.), të pajisur me parathënie, nga fizikanti, gazetari, publicisti dhe diplomati i njohur, Skënder Shkupi.
Talenti i lindur i këtij autori, shfaqet në përshkrimet e goditura të ngjarjeve, në riprodhimin e prototipave dhe në krijimin e disa personazheve, dukuri të cilat e ngrenë karakterin e veprës, nga një vepër thjesht me kujtime, në një vepër hibride që qëndron midis veprave memuaristike dhe romanit autobiografik.
Subjekti i veprës “Jetë në diktaturë”, shtjellohet në 33 kapituj në linjë kronologjike, ku janë futur herë pas here dhe disa digresione. Aty tregohet jeta e familjes Kostreci, në vitet e diktaturës komuniste. Kjo familje përbëhej nga pesë persona: dy prindërit, dy djemtë dhe halla, motra e babait e cila, ishte një vajzë miope, e pamartuar. Kryetari i familjes, Fuat Kostrecit, ishte formuar në Stamboll. Ai ishte nip i politikanit, Mehdi Frashëri. Në Shqipëri, kishte punuar drejtor i Zyrës së Doganës.
Pa pasur ndonjë aktivitet politik kundër Partisë Komuniste, u arrestua më 1946 dhe u dënua me burgim të përjetshëm, kur bashkëshortja ishte shumë e re dhe me dy djemtë, 3 dhe 7 vjeç. Që nga kjo ngjarje, familja u fut në listën e “armiqve të pushtetit” dhe si e tillë, e kishte të vështirë të jetonte në Korçë, ku e njihnin punonjësit e Sigurimit e të partisë. Për t’i shpëtuar përndjekjes, nëna u detyrua të ndërronte vend-banimin, nga Korça, në Qafëzes të Kolonjës, ku ajo kishte disa prona e farefis.
Më tej, për të mos i lënë fëmijët vetëm me shkollimin 7-vjeçar të atij fshati, nëna e shpërnguli familjen në Tiranë, por pas një viti sfilitjesh, u detyrua të ri-shpërngulej në Elbasan. Këtu, falë karakterit tolerant të popullit, ndaj politikës së partisë, kjo familje gjeti një ambient jo shumë armiqësor. Kujtimet autori i fillon që në moshën e tij të njomë, me një skenë tronditëse. Pesë muaj mbas arrestimit, pa e nxjerrë ende në gjyq, babain vijonin ta torturonin, në birucat e hetuesisë.
Nëna me djalin e vogël, shkuan ta takonin për t’i dhënë disa ushqime e ndërresa. Lanë të hynte brenda vetëm Hasanin, 3-vjeç e gjysëm. Në qilarët e hetuesisë ai pa një burrë gjysëm të zhveshur, të shtrirë me duar e këmbë të lidhura, që kishte rënë në kllapi e, nuk përmendej. Ky burrë nuk kishte asgjë të ngjashme, me babain biond e simpatik, portretin e të cilit, Hasani e mbante te komodina. Rrëfimi vijon:
–“Babuç, i thirra me zë të ulët, por ai nuk m’u përgjigj. Nga poshtë këmbëve, ndjeva lagështirën e bodrumit, si dhe një erë të keqe, të rëndë, që më bllokoi frymën. Ktheva kokën, por ciklopik (polici) nuk ndodhej më aty. Një rrëqethje ndjeva në shpirt dhe lot të nxehtë, më rrëshqitën faqeve. U orvata t’i flas, por nuk munda, goja m’u pre dhe isha gati të rrëzohesha. Iu ngjita me një frymë shkallëve, dola jashtë dhe iu hodha mamasë në krahë.
Përmes kësaj skene traumatike, u ballafaqua Hasani fëmijë, me tragjedinë e familjes së tij, skenë që e riprodhon plot ngjyra, mbas 63 vjetësh, si t’i kishte ndodhur dje. Prekëse dhe tronditëse, janë dhe shumë ngjarje të tjera, midis të cilave vdekja e nënës, e kësaj heroine që i përballoi me nder gjithë persekutimet: arrestimin e burgimin e burrit, mundimet e rritjes së dy djemve, burgimet e djalit të madh, pleqërimin e kunatës e të burrit, sëmundjet e saj, etj.
Në vepër riprodhohen ngjarje, biseda, emocione, mendime e meditime, për ngjarje që i ndodhën autorit e familjes së tij jashtë burgut, në atë që quhej; “jetë e lirë”. Mirëpo, familjet me biografi të keqe, ku bënin pjesë familje me njerëz të dënuar, si ajo e autorit, jetonin në një gjendje gjysmë skllavërie, me mungesa të mëdha dhe varfëri poshtëruese. Egërsia e pushtetit ndaj kësaj shtrese, jepet duke treguar momente nga përndjekja politike dhe shkatërrimi ekonomik.
Në Tiranë familja u detyrua të mbijetonte, duke ngrënë gjatë gjithë ditës, vetëm një vaft të pamjaftueshëm e, një gotë çaji në darkë, duke u strehuar në një dhomë pa zjarr, pa banjë e, pa ujë brenda. E me gjithë këto kushte të vështira ekonomike e politike, pjesëtarët e kësaj familjeje, nuk u prishën nga morali, qëndruan të gjithë si pasardhës të denjë të klasës së tyre, të asaj klase, që ishte formuar gjatë brezave, përmes punës.
Edhe pse bijtë e kësaj klase të përmbysur, u shtypën keq për gjysëm shekulli, ata moralisht, gjithnjë mbetën superiorë ndaj shtypësve të tyre, të cilët duke punuar me pasion, si vegla qorre të atij sistemi, shkonin çdo ditë e më poshtë, drejt humbjes së vetive morale e humane. Heronjtë kryesorë të veprës, janë treshja heroike: nëna Nuko dhe dy djemtë, Hasani e Urani.
Natyrisht vendin qendror e zë autori, sepse ai shkruan për ato që ka parë e ka jetuar vetë, por nëna dhe vëllai, janë gjithashtu protagonistë kryesorë, jeta e të cilëve, ndihmon në shtjellimin e ngjarjeve. Duke zbërthyer karakterin zemërgjerë, të dhimbsur e shumë të durueshëm të nënës, kuptojmë dhe faktin pse Hasani, që i ngjante asaj, i kaloi gjithë vuajtjet e presionet me durim e, pa rënë në grackat e sistemit, që përpiqej ta burgoste dhe atë si babain e vëllain e vet.
Urani, duke qenë djali i madh, e vuante më thellë dramën e familjes. Jeta e tij jepet ashtu si ishte, jetë e një njeriu impulsiv që revoltohej ndaj shtypjes e padrejtësive, njeriu që e vuajti dy herë burgun dhe pastaj dhe internimin. Për të mbijetuar të dy vëllezërit, që të vegjël filluan të shërbenin si hamenj, te stacioni i trenit në Tiranë. Hasani u ndërgjegjësua që 17 vjeç, për rolin që ai duhej të luante për mbijetesën e familjes.
Pa e mbaruar shkollën e mesme, ai kërkoi të fillonte punë si mësues në fshatrat e largët të Gramshit dhe duke punuar studioi e dha provimet e maturës së gjimnazit dhe të shkollës Pedagogjike. Mbasi kreu shërbimin ushtarak në një brigadë pune, Hasani, për t’u ndodhur pranë prindërve të mplakur, kërkoi të largohej nga arsimi, filloi punë si motorist, ndoqi shkollën Mekanike pa shkëputje nga puna dhe si mekanik, punoi poshtë e lart në një brigadë riparimi automjetesh.
Urtësia e maturia të trashëguara prej prindërve dhe përgjegjësia që ai ndjente për t’ua lehtësuar prindërve sadopak vuajtjet e shkaktuara nga përmbysja politiko- ekonomike dhe shoqërore e familjes, i jepnin forcë këtij djaloshi të duronte mundimet dhe ngacmimet. I jepnin forcë që të ishte gjithnjë një person i shkueshëm me të gjithë. Kitara që ai mësoi gjatë moshës shkollore, bëri që Hasanin ta donin jo vetëm kolegët arsimtarë, por dhe shefat e logjikshëm.
Ky shkrimtar i përvuajtur, shquhet dhe për humanizmin e tij, ashtu si At Zef Pëllumbi, Visar Zhiti, etj. Ai e riprodhon jetën ashtu si e pati jetuar, pa e nxirë atë. Hakmarrja për Kostrecin është e huaj. Me ngjarjet kryesore, shkrimtari zbulon tragjedinë shqiptare: Lufta e PKSH-së – PPSH-së për sundimin dhe ndryshimin e Shqipërisë solli shkatërrimin e moralit të atyre shqiptarëve që iu bindën dhe i shkuan pas. Por krahas veprimeve e sjelljeve të ulta të shërbëtorëve të regjimit, ai tregon dhe mirësinë e drejtorit të ndërmarrjes, i cili i dha autorizimin për një apartament të ri banimi, kurse dhomën ku jetonte Hasani, ia dha Uranit të sapodalë nga burgu.
Në vitet e jetës si arsimtar në fshatra të thella të rrethit të Gramshit, tregohet se arsimtarët, populli dhe nxënësit, përpiqeshin ta jetonin jetën brenda mundësive me ndonjë mbrëmje tematike dëfrimi, me ndonjë darkë pas pune a, ndonjë flirt dashurie. Jetë e cila u keqësua pas vitit 1973, me mbajtjen e Plenumi i IV i PPSH-së, që thelloi luftën kundër shfaqjeve të huaja e liberalizmit borgjez.
Vepra shquhet për pasurinë e prototipave të jetës që sillen nga shumë sfera e shtresa të jetës. Aty përshkruhen marrëdhëniet e ngrohta e njerëzore me shokë, miq, kushërinj, komshinj, punëtorë e fshatarë, të cilët mbi politikën vinin sjelljen njerëzore. Midis këtyre prototipave, ndritin dy femra kurajoze: halla Nurie dhe Flutura Toptani.
Halla jepet në shumë episode, mbasi ajo jetoi me familjen e autorit gjatë atyre viteve. Karakterizimi që ajo u bëri pushtetarëve komunistë që në fillim me epitetin sojsëzë, epitet të cilin ajo e përsërit herë pas here si refren, është një karakterizim i goditur për gjithë ata njerëz që përmes luftës së klasave shkatërruan mijëra familje me synimin që të ngjallnin në popull frikë e tmerr për të sunduar sa më lehtë.
Flutura Toptani, e cila nga ana e nënës ishte mbesa e Abaz Kupit, është vajza e re me të cilën e lidhi jeta autorin. Kjo lidhje nuk u krijua gjatë marrëdhënieve të punës dhe as nga ndonjë dashuri me një të parë. Shkak i njohjes, u bë prezantimi me anën e një shoku të tij, i cili ishte kunati i vajzës, pra një njohës i mirë i dy të rinjve. Lidhja e tyre ndonëse përshkruhet me pak faqe, është një njohje që u forcua natyrshëm midis dy njerëzve të pjekur, që kishin pasur fat të ngjashëm nën regjimin komunist.
Flutura e manifestoi zgjuarsinë, karakterin dhe edukatën e saj fisnike, shumë shpejt. Kur nëna e Hasanit u sëmur me eshemi cerebrale, kjo vajzë diti të përcaktonte se kishte ardhur momenti, kur njohja midis tyre duhej të kalonte në martesë, sepse shërbimi i saj ndaj të nënës se paralizuar, ishte i domosdoshëm. Një vendim i tillë e preku heroin e veprës dhe ndonëse ai nuk e përshkruan, nënkuptohet se në zemrën e tij u ndez zjarri i një dashurie të fuqishme, që nuk u shua më.
Një dashuri që lindte në momente vuajtjesh e sakrificash të përbashkëta i fisnikëronte dhe i shenjtëronte njerëzit e përvuajtur. Këtë lloj dashurie të mbrujtur me sakrifica, që e përjetojnë këta të rinj, nuk e përjetonin dot njerëzit e përkëdhelur të diktaturës, të cilët në lidhjet martesore, si në çdo hap të jetës, vinin mbi të gjitha karrierën politike dhe fitimin material.
Karakterin letrar veprës ia përforcon krijimi i Kudretit, një personazh alterego e autorit. Në kapitujt e fundit të romanit, kur po ndjehej kapitullimi i diktaturës, autori shpreh shpresa se jeta do të ndryshonte pozitivisht, se ish-pushtetarët mund të evoluonin. Kudreti ia kundërshton të tilla mendime autorit, me mosbesim. Mendimet e këtij personazhi, shprehin mendimet e autorit 20 vjet mbas kapitullimit të diktaturës, kur entuziazmi romantik i lëvizjes demokratike ishte shuar, sepse ishte parë qartë së në Shqipëri, e djathta e vërtetë ishte asfiksuar prej politikanëve mashtrues.
Mikhail Gorbachevi gjatë takimit me presidentin e SHBA-ve, George Bush në Maltë, më 2-3 dhjetor 1989, shpalli kapitullimin e sistemit diktatorial komunist. PPSH-ja, partia shtet e Shqipërisë komuniste gjatë vitit 1990, mori masa për ta pastruar Shqipërinë nga familjet e përndjekura, që ato të mos ndodheshin në atdhe kur të shpallej pluralizmi e të formonin një parti vërtet opozitare antikomuniste. Ajo, gjoja se po tregohej zemërgjerë ndaj familjeve Kupi, Gjonmarkaj, Pervizi, Merlika, Kostreci, Korça, etj., u propozoi që të lidheshin me fisin e tyre jashtë shtetit dhe po t’i pranonin, shteti do t’i pajiste me pasaporta e viza, për të shkuar tek të afërmit.
Mbas persekutimit gjysmëshekullor këto familje nuk mund të mos e shfrytëzonin një mundësi të tillë, për të shpëtuar nga ferri ku ishin sfilitur aq gjatë. Kështu dhe familja e autorit, ashtu si familjet e tjera të përndjekura, e pranoi largimin si rrugë shpëtimi. Ky largim nuk dëshmonte braktisje të atdheut, por gjetjen e një zgjidhjeje për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët.
Vlen të theksojmë se familja Kostreci, bashkë me shumicën e familjeve të përndjekura, kur u larguan nga atdheu më 1990, u larguan si fitimtarë ndaj diktaturës së cilës nuk iu nënshtruan kurrë. Ato ishin përtërirë si përbërje, prindërit e vdekur i kishin zëvendësuar me fëmijë të bukur e të zgjuar…! Kapitulli i fundit i veprës, është një sintezë e jetës shqiptare të viteve 1985-1990. Aty bëhet analizë e diktatorit të dytë shqiptar, Ramiz Alisë, i cili hiqej si liberal, por në fakt ishte po aq kriminal, sa babai i tij shpirtëror.
Mjeshtëria e përshkrimit artistik të ngjarjeve arrin kreshendon e vet, në përshkrimin e ankthit dhe të emocioneve që përjetoi autori në realizimin e largimit të familjes nga atdheu. Pas shumë mundimesh, Hasani arriti të siguronte vizat. Shiti gjithë katandinë e shtëpisë, për të siguruar shumën prej dyqind dollarësh, për të blerë biletat nga Tirana në Romë, ku do t’i priste fisi i Fluturës.
Mirëpo biletat ishin shitur, viza skadonte, kështu ai u detyrua t’i besonte një punonjëseje bionde të aeroportit e cila, ia mori paret, duke i premtuar se do t’i siguronte biletat për më 14 nëntor 1990. Në orën e caktuar pasagjerët hipën të gjithë dhe vajza bionde nuk po dukej gjëkundi. Familja Kostreci, sidomos Hasani po ngurosej. Po rrezikohej ëndrra e shpëtimit nga kalvari komunist, po dukej sikur Sigurimi që i kishte ndjekur e munduar gjithë jetën po ndërhynte përsëri.
Si një somnambul ai u nis me dy valixhet e rënda drejt shkallëve të avionit. Ngjiti një… dy… tre… shkallë e, vajza bionde nuk po dukej. Nuk dinte si të sqarohej me stjuardesën te dera…! Në këtë moment djersët po e mbulonin, zemra sikur po pushonte së rrahuri…! Kur ja u shfaq vajza bionde. Familja hyri në avion me gjak të ngrirë. Zemra e Hasanit filloi të rrihte normalisht, kur pa poshtë avionit ujërat e detit Adriatik, gjaku i shkriu dhe çehreja i erdhi në vend…!
Veprat dinjitoze që kanë shkruar e po shkruajnë në emigracion, Lek Pervizi, Eugjen Merlika, Mërgim Korça, Makinsen Bungo, Gjon Markagjoni i Ri, Hasan Kostreci, etj., etj., dëshmojnë se këta bij të denjë të popullit, nuk e kanë braktisur atdheun, por po e ndihmojnë atë, që ta njohë në të gjitha dimensionet krimin komunist dhe ta dënojë atë, sepse te dënimi i tij qëndron shpëlarja e ndërgjegjes së inkriminuar shqiptare. Memorie.al