Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al/ Më datën 5 nëntor të vitit 1975, plot 49 vjet më parë, kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Aranit Çela, me anë të një letre me siglën “Tepër Sekret”, drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor, bashkangjitur u dërgonte një kopje të vendimit të asaj gjykate, me një përmbledhje të akt-akuzës së dënimit me vdekje, me pushkatim, të tre ish-gjeneralëve e, drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, ministrit Beqir Ali Balluku, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Taulla Dume dhe Drejtorit të Drejtorisë Politike, Hito Shaqo Çako, si dhe dënimin me 25 vjet burg, të Rrahman Parllakut, ish-zëvendës/Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore.
Gjyqi ndaj tyre, i zhvilluar nga data 25 tetor deri në 5 nëntor të atij viti, në një sallë improvizuar në ambientet e Repartit 313 të Tiranës, (i njohur ndryshe si “Burgu i Vjetër” apo “Kaushi”), ku ata zhvilluan edhe procesin hetimor e, qëndronin të izoluar dhe nën masa të rrepta sigurie, që nga periudha e arrestimit, më datën 6 dhjetor e vitit 1974. Arrestimi i Ballukut, Dumes, Çakos dhe Parllakut, erdhi pas një periudhe afro gjashtë mujore, mbledhjesh e aktivesh e plenumesh, të zhvilluara me kuadrot më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Byrosë Politike, ku në pjesën më të madhe të tyre, kishte asistuar dhe drejtuar personalisht, vetë Enver Hoxha.
Goditja ndaj Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, si dhe anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974, me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, që u mbajt në ish – “Vilën e Zogut” të qytetit të Durrësit. Ajo mbledhje drejtohej nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, ku Balluku, për herë të parë, që nga viti 1945, nuk ishte në një presidium mbledhje, por në sallë, ku ai u detyrua t’ju përgjigjej me dhjetëra pyetjeve, të bëra nga vartësit e tij. Gjithçka po ndodhte aty në atë sallë dhe që do të vazhdonte më pas deri në ditën e arrestimit, ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, si Mehmet Shehun dhe Hysni Kapon, të ideuar dhe dirigjuar personalisht nga Enver Hoxha.
Pas asaj atij aktivi me kuadrot më të lartë të Ushtrisë, Balluku u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si; “kreun e grupit puçist në Ushtri” dhe “tradhtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë”. Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, Balluku u analizua edhe në Plenumin e Pestë të Komitetit Qendror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga pjesa më e madhe e anëtarëve të plenumit.
Në fund të asaj mbledhje, Balluku u përjashtua dhe u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore, por, ndryshe nga shumë nga ish-funksionarë dhe personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste, (që ishin goditur dhe dënuar vite më parë, që arrestoheshin dhe iu vinin prangat sapo dilnin nga salla e mbledhjes), ai u la i lirë që të shkonte në shtëpi! Ku pas dhjetë ditësh, së bashku me një pjesë të familjes së tij, ai do të internohej në qytezën e Roskovecit, në rrethin e Fierit, ku dhe u arrestua më 6 dhjetor të vitit 1974.
Tashmë të gjitha këto dhe të tjera për Beqir Ballukun, ish-ministrin e Mbrojtjes Popullore dhe zv/kryeministrin e parë të qeverisë së kryesuar nga Mehmet Shehu, i cili deri në vitin 1974, konsiderohej si një prej bashkëpunëtorëve më të afërt dhe njerëzve më besnik të Enver Hoxhës, janë shumë të njohura, pasi pas viteve ’90-të, janë botuar me dhjetëra e dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore gjithashtu, ku hidhet dritë mbi jetën e karrierën e tij, që nga periudha kur ishte drejtuesi kryesor i Njësiteve Guerile të Tiranës dhe komandant i Brigadës së Dytë Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si dhe e gjithë periudha në krye të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, deri në korrikun e vitit 1974.
Ajo që ka mbetur një mister pothuajse i pazbardhur dhe i panjohur, që vazhdon të diskutohet ende edhe sot pas gati pesë dekadash, janë arsyet dhe shkaqet kryesore që e detyruan Enver Hoxhën, që të godiste Ballukun dhe dy drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes, Petrit Dumen dhe Hito Çakon, duke i dënuar ata me vdekje, si; “Krerët e grupit puçist në Ushtri”! Bashkë me këtë mister, që ndoshta nuk do të zbardhet kurrë, pothuajse janë të panjohura, edhe dokumentet arkivore me proces-verbalet e mbledhjeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, ku u diskutuan kërkesat e lutjet për faljen e jetës, nga ana e tre ish-drejtuesve kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes, Balluku, Dume dhe Çako.
Nisur nga kjo, Memorie.al po publikon në disa numra këto dokumente arkivore, ku janë diskutimet e të gjithë anëtarëve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke filluar nga kreu i saj, Haxhi Lleshi, (Kryetar), Rita Marko (Nënkryetar), Telo Mezini (Sekretar), si dhe anëtarëve; Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Naunka Bozo, Nuredin Hoxha, Spiro Moisiu dhe Zinja Franja.
KËRKESAT E BEQIR BALLUKUT, PETRIT DUMES DHE HITO ÇAKOS, DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, ME LUTJET PËR T’U FALUR JETËN
Lutje
Presidiumit të Kuvendit Popullor
Tiranë
I nënshkruari Beqir Ali Balluku, i dënuar me vdekje nga Gjykata e Posaçme Ushtarake, më datën 5.11.1975, i lutem instancës më të lartë të pushtetit legjislativ, Presidiumit të Kuvendit Popullor, që të ketë mirësinë të mëshiroj, duke më falur jetën. Këtë lutje, e bëj me ndjenjën e bindjen e thellë të pendesës të fajeve të rënda që kam bërë, të cilat pa asnjë dyshim meritojnë ndëshkimin më të rëndë. Mbetem me shpresë se kjo lutje imja, do të merret në konsideracion të favorshëm.
Tiranë me 5.11.1975 Me respekt të thellë
I dënuari me vdekje
(Beqir Ali Balluku)
Lutje
Presidiumit të Kuvendit Popullor të R.P.SH.
Tiranë
Unë i pandehuri Petrit Dume, sot në datë 5.11.1975 dëgjova vendimin e Gjyqit Special Ushtarak, që për punën antiparti dhe armiqësore, dënohem me vdekje. I lutem atij Presidiumi të Kuvendit Popullor, për të më falur jetën. Jam i ndërgjegjshëm për të gjitha dëmet që i kam sjellë Popullit, Partisë, dhe Ushtrisë, dhe pranoj çdo dënim, por ju lutem shumë, të kihet parasysh se para akuzës që mu bë, dhe që u muar vendim, nuk kam qenë i implikuar me asnjë njeri, ose grup armiqësor, si dhe për atë që ish Shefi tim, Beqir Balluku, që prej vitit 1948, ka qenë në opozicion me Partinë, ka bërë punën e tij me mua, pa u ndjerë dhe i kamufluar. Edhe për hir të pesë femrave, që lë në fatkeqësinë më të tmerrshme. U lutem edhe një herë të tregoni zemërgjerësinë që ju karakterizon dhe të më falni jetën.
Me besim dhe respektin më të madh
Petrit Dume
Tiranë me 5.11.1975
Lutje
Presidiumit të Kuvendit Popullor
Tiranë
Vendimin e gjykatës për dënimin tim me vdekje, edhe unë e gjej të bazuar në fajësinë time. Pa i lutem Presidiumit të Kuvendit Popullor, që mundësisht të më falë jetën, jo mbi bazën e shërbimeve që i kam bërë Partisë e Pushtetit, gjatë 32 vjetëve të jetës sime në Parti, se ato unë i kam pasur detyrë që t’i bëja, por se jam thellësisht i penduar për fajet që kam bërë, dhe se rrethim im familjar i afërt, i ka dhënë Luftës Nacional-Çlirimtare dëshmorë, dhe nuk ka ndonjë të dënuar me vdekje nga Pushteti Popullor, dhe së fundi po të më falet jeta, mbase heq ndonjë grimë, nga mali i dëmit që i shkaktova Partisë e Pushtetit Popullor, me fajet që bëra. Mbase heq ndonjë grimë, nga mali i turpit, që mbulova veten me fajësinë që bëra.
Tiranë me 5.11.1975
Me respekt
Hito Çako
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, KU U DISKUTUAN VENDIMET E GJYKATËS SPECIALE USHTARAKE, PËR DËNIMET ME VDEKJE TË BEQIR BALLUKUT, PETRIT DUMES DHE HITO ÇAKOS
PROCES-VERBAL
Mbajtur në mbledhjen e jashtëzakonshme të Presidiumit të Kuvendit Popullor, datë 5.11.1975 ditë e mërkurë:
Në mbledhje marrin pjesë shokët: Haxhi Lleshi (Kryetar), Rita Marko (Nënkryetar), Telo Mezini (Sekretar), Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Naunka Bozo, Nuredin Hoxha, Spiro Moisiu, Zinja Franja, (Antarë).
KRYETARI HAXHI LLESHI: Këtë mbledhje e bëjmë për të shqyrtuar vendimet e Gjykatës Speciale Ushtarake, për të dënuarit me vdekje, grupit tradhtar të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, dhe Hito Çakos. Të tre këta të dënuar me vdekje, kanë bërë lutje për faljen e jetës.
Shoku Aranit Çela, kryetar i Gjykatës së Lartë, do të na shpjegojë se si ka shkuar gjyqi, që Presidiumi mund të vendosë. E keni fjalën juve shoku Aranit.
ARANIT ÇELA: Unë kam marrë me vete dhe vendimin, por është 40 fletë, një volum i tërë, ta lexoj?!
KRYETARI: Jo, jo.
ARANIT ÇELA: Gjykata e Posaçme, përfundimisht i dënoi Beqir Ballukun, Petrit Dumen, dhe Hito Çakon, me vdekje, e Rrahman Përllakun me 25 vjet. Gjykimi u zhvillua gjatë 10 ditëve, që nga data 25 Tetor, deri ditën e sotme, në orën 9. U zhvillua në bazë të të gjitha kërkesave të ligjit, duke i siguruar në maksimum të drejtat e të pandehurve. Të gjithë të pandehurit në fjalën e tyre të fundit, u shprehën se u janë krijuar të gjitha mundësitë për t’u shprehur dhe për t’u mbrojtur. Gjykatës, ju desh të shqyrtonte një masë të madhe materialesh të shkruara. Gjithsej u shqyrtua një material prej 18 volumesh, mbi 3000 faqe të shkruara, me dokumenta, dhe proces-verbale të llojeve të ndryshme, dy kasa plot.
Karakteristikë e veçantë e këtij procesi gjyqësor, ishte besueshmëria në radhë të parë, jo në thëniet e të pandehurve, por kryesisht në dokumenta. Çdo të thotë kjo? Atje puna, u bë me dokumenta. Ky është një nga gjyqet, një nga rastet e rralla që në të tilla punë, siç është tradhtia, zhvillohet vetëm kryesisht në bazë dokumentesh, natyrisht dhe të tjerat patën influencën e tyre. Të gjitha këto akuza, mbështeteshin në dokumenta, dhe kjo i detyroi të pandehurit si në hetuesi ashtu edhe në gjyq, të pranojnë, nuk kishin nga të lëviznin, sa mundoheshin të dredhonin, ne u nxirrnim menjëherë dokumentin. Këtu duhet theksuar se organet e hetimit, lidhur me këtë proces, kanë zhvilluar një punë të mrekullueshme.
Ata, duke mos kursyer as diturinë, dhe as mundësinë fizike, zhvilluan sidomos një hetuesi në një nivel të lartë shkencor dhe shumë të zgjuar. Vetë mënyra e ndërtimit të procesit gjyqësor dhe akt-akuzës, e lehtësuan shumë punën e gjykatës, sepse qe një punë e zorshme, që ta bënim në 10 ditë, ishte e pamundur që dhe tre muaj gjyq të bëje, nuk ja dilje. Të katërt të pandehurit, të ndodhur përpara dokumentesh të padiskutueshme, u detyruan të pranojnë fajësinë e tyre të plotë. Ata mundoheshin të dredhonin, por ju vihej dokumenti përpara dhe pastaj thonin; “këtë e kam bërë”, se nuk kishin si të kundërshtonin; “por kjo, nuk është bërë me qëllim”.
RITA MARKO: Ata çdo gjë, me ndërgjegje e kanë bërë.
ARANIT ÇELA: Me ndërgjegje e kanë bërë, “por qëllim nuk kam pasur” thonin. Por dokumentet, ua përmbysën të gjitha këto.
Në fjalën e fundit që ju dha atyre, të katërt të pandehurit, duke pranuar plotësisht që kanë kryer krime shumë të rënda, për të cilat është i justifikuar thonë, çdo lloj dënimi dhe ai kapital, e lanë çështjen më në fund, në dorë të gjykatës, në dorën e drejtësisë së partisë. Akuza ndaj të pandehurve, u përqendrua kryesisht në pesë drejtime kryesore:
- Lidhur me sabotimin e rolit udhëheqës të Partisë, kjo ishte një nga akuzat kryesore që zinte pjesën më të madhe. Aty ishte materiali më i shumtë dhe shkeljet. D. m. th., puna armiqësore më e madhe.
- Sabotim në fushën e mbrojtjes së vendit, d.m.th., në fushën e artit ushtarak, të përgatitjes luftarake, dhe të fortifikimit të vendit.
- Sabotim në fushën e legjislacionit dhe në atë të ekonomisë, në organizimin shtetëror.
- Sabotim në frontin ideologjik.
- Përvetësime, vjedhje, shpërdorime, dhe maskarallëqet, që kanë bërë.
Ç’doli në lidhje me personalitetin e të pandehurve?!
Doli që këta, kanë pasur pre-dispozicion armiqësor të hershëm, dhe kjo nuk është prej një viti apo dy vjetësh. Për Beqir Ballukun, është e qartë dhe ai e pranoi vetë, që aktiviteti i tij armiqësor, ka filluar që më 1947. Ai, del i implikuar me jugosllavët. U gjend edhe shkresa që ndihmoi shumë, për ta bërë që të pohonte. Këtë shkresë, ja ka dërguar Teki Kolanecit këtu, që nga Beogradi, Tahir Kadareja dhe ky, të dy, ka treguar se menjëherë ka bërë planin e lëvizjes së Divizionit të 8-të, që do të lëvizte për në Gjirokastër, Divizioni ynë, që të futej Divizioni jugosllav, dhe e thoshte shqip, me qëllim që t’ju bëhej vend forcave të Armatës Jugosllave, të tërhiqej Divizioni i 8-të, me funksionin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, dhe të shkojnë atje.
Merrni të gjitha masat, u ka bërë planet, dhe kështu janë të shkruara të gjitha në letër ato. Mbas asaj që kanë ardhur këtu, se këtu u zhvillua një debat, për ta lidhur atë, dhe iu tha: “Po mirë, pse e bëtë këtë”? “Po ja tha, pata besim se më thirri Tito”. Beqir Balluku, ka pasur një takim personal me Titon, pa u thirrur Kristo Themelko, vetëm ky dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Jugosllavisë, dhe është vënë përpara. Ky thotë, që më vunë përpara një situate të paditur, më nxorën harta, dhe më thanë se grekët, kanë ardhur në kufi, do të sulmohet Shqipëria. Iu thashë që të pyes komandën shqiptare, Tito mori telefonin dhe tha lajmëroni shpejt Koci Xoxen, se gjendja është e tillë, dhe të lajmërohet ai, e pastaj në radhë, të dytë Komandantin, d.m.th., “edhe” Komandantin. “Në këto kondita u binda”, thotë Beqir Balluku.
“Mirë u binde atje në Jugosllavi, – i themi ne, – por pastaj ti erdhe në Shqipëri”?! Herën e parë na gënjeu. Na tha që unë kam ardhur që të nesërmen, urgjentisht për në Shqipëri, ndërsa nga dokumentet del, që nuk ka ardhur, se Beogradi 1-2 orë larg është, ja dhe një ditë, por aty dolën pesë ditë diferencë. Më në fund e pranoi, se kishte gënjyer, dhe tha se kishte ardhur këtu pas katër ditësh. “Kur erdha – thoshte, – pas katër ditësh, më mbajti Kristo Themelko, dhe i tregova e bisedova me të. Më mbajti ai (K. Themelko) dhe pastaj atje shkava”.
Mirë i thamë ne, vajte tek Komandanti i Përgjithshëm, vajta tha, po mirë ç’tha Komandanti ?! Më tha “bllof” dhe e hodhi poshtë të gjithë këtë version. Atëherë ne i themi, kështu të tha komandanti, po pastaj ç’bëre ku vajte ?! Se ke vajtur me Krupeshanin se e nxirrnin këtë dhe dëshmitarët, se kur u pyet Feti Smokthina, u pyetën komandantët e regjimenteve që kanë lëvizur në atë kohë. Atëherë u bë lëvizja e një regjimenti, nga Pogradeci në Përmet, dhe regjimenti i Përmetit në Gjirokastër, që lirohej, Divizioni i 8, të vinte në Përmet e në krahun e Kolonjës, ndërsa ata (jugosllavët) të merrnin Korçën.
Po mirë i themi, po nga komandanti ku vajte ti?! Petrit Dume, deponon se ishte komandant i Divizionit në Gjirokastër me Krupeshanin, dhe fjalët e bisedat që kishin bërë. Këta të tjerët thonë që në këto data, nuk del, por pranojnë që kam dhënë urdhër thotë, dhe divizionin e lëviza, regjimentin e Pogradecit për në Përmet, dhe forcat e Divizionit të Gjirokastrës i lëviza, një pjesë e forcave, se nuk arrita t’i lëvizja të gjitha.
RITA MARKO: Domethënë në bazë të urdhrit të Titos.
PILO PERISTERI: Dhe thotë që e kemi bërë pa qëllime!
KRYETARI: “Qëllime nuk ka pasur”, por vetëm se kanë dashur që Shqipëria, të pushtohej prej Titos.
ARANIT ÇELA: Nuk e pranoi Beqir Balluku, që ka qenë i parapërgatitur, përpara se të vente tek shoku Enver, kur erdhi ai, kur erdhën jugosllavët tek shoku Enver, atëherë që kërkonin hyrjen e forcave e kanë parapregatitur, kërkonin tha, por mohonte këtë, që unë nuk u thashë, se do të mbroja tezën e tyre, kur të vemi atje. Kur vajtëm atje tha, shoku Enver nuk e pranoi diskutimin, sa u hap fjala na nxori jashtë të gjithëve. Kur foli shoku Enver, unë e mbështeta atë. Ne i thamë, po ti e mbështete shokun Enver, çdo të bëje ti, edhe sikur ta ketë mbështetur ky, ç’bëri shoku Enver, i nxori jashtë të gjithë jugosllavët përnjëherësh dhe tha se kjo është bllof e tëra. Nuk ka forca që të hyjnë këtu.
Me një fjalë që këtu del, por nuk mbaron këtu, se ai u mposht pastaj, pranoi që kam qenë nën influencën e politikës jugosllave, kam qënë për bashkimin e ushtrive, i kam dhënë fjalën edhe Titos atje, dhe në Beograd, qëndrimi që kemi mbajtur, nuk ishte i drejtë. Pas kësaj tregon për lidhjet që kishte me Tuk Jakovën. Kam qenë thoshte kundër dënimit të Tuk Jakovës, pranonte që kishte pasur biseda me të, për gjërat me të cilat ishte në opozicion. Tregonte raste konkrete, të bisedave me Tuk Jakovën, mbrëmë ku kanë vajtur, etj., që i tregonte me hollësi. Me Liri Belishovën thoshte, kam pasur miqësi të ngushtë. Kemi hyrë në terrenin politik dhe kam qenë dakord, me ato pikëpamje që shfaqte në atë kohë ajo, për hapjen e politikës shqiptare, d.m.th., pasimin e Hrushovit. Hrushovi, kërkonte një politikë të hapur.
RITA MARKO: Po, të dyerve të hapura, në Kongresin e XX-të.
ARANIT ÇELA: Po, thoshte Beqir Balluku, unë e kam mbështetur këtë politikë, por ndonjë aktivitet, nuk kam treguar, d.m.th., që të kem vepruar. Vetëm kam përkrahur ata e kam biseduar.
KRYETARI: Dhe nëse nuk ka treguar, kur ka qenë dakord, d.m.th., ka pasur frikë, po ku mund t’i besojmë ne.
ARANIT ÇELA: Që nuk ka vepruar, kjo nuk ka rëndësi fare. Kam pasur ide sovjetike, tha, për disa çështje kryesore të politikës së përgjithshme të partisë. Unë, theksoi, nuk kam besuar se Bashkimi Sovjetik, është kthyer në një vend kapitalist. Unë kam menduar gjithmonë, se partia jonë i thotë këto, për arsye politike, dhe se në Bashkimin Sovjetik, ekziston akoma socializmi, këto janë vetëm konflikte midis partive. Kam qenë tha, për politikën e hapët, për lidhje me Perëndimin, kam qenë për lidhjet me Bashkimin Sovjetik dhe këtë ja kam thënë edhe Dashnor Mamaqit, edhe……….!
KRYETARI: Ua ka thënë miqve, ortakëve.
ARANIT ÇELA: Ua kam thënë, tha, që ne të lidhim marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Marrëdhënie diplomatike, ekonomike, dhe vetëm shkëmbim eksperience, në terrenin ekonomik e, jo politik (kufizim ky). Të gjithë këtë tablo, e jepte ky. Kishte dhe disa pikëpamje, në lidhje me hapjen e dyerve të turizmit, bashkëpunimin e pavarur të ndërmarrjeve, me të huajt, si p.sh., uzina “Traktori”, të kishte lidhje direkte me Italinë, etj. D.m.th., ai ishte për “vetë-administrimin”, si në Jugosllavi, është i njohur ky. Këto ide tha, i kam futur edhe në ushtri, në disa raste.
Dhe janë faktet që vërtetohen aty, në krijimin e ndërmarrjeve, në decentralizimin e kompetencave, etj. Kompetenca të tij, ua ka dhënë poshtë komandave. Këto janë të vërtetuara me dokumente, të gjitha në kundërshtim me ligjet e shtetit. Këto kam bërë tha, por vetëm në ushtri. Këto kanë qenë në përgjithësi pikëpamjet e mia. Nga procesi hetimor dhe gjyqësor i Beqir Ballukut, del se nuk është fjala vetëm për veprimtari armiqësore, brenda ushtrisë. Këtu është një vijë e tërë e kamufluar. Është një çështje që nuk del vetëm vitet e fundit, me Letrën e Hapur, kjo është të paktën që nga 1947, siç thotë ai, e këtej. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016