Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e nëntë
Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Butrinti”, lidhur me bisedat e komentet politike të bëra në atë burg nga të dënuarit: Xhavit Qesja, Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Kiço Ngjela, Gjin Marku, Vaskë Gjino, Rrahman Parllaku, Gjergj Titani, Lipe Nashi, etj.
Marrë nga P. Op. V.Kuka
Dhënë nga B. p. “Butrinti”
Burrel më 19.3.1982
R A P O R T
- Të nënshtruarit, ky është një cilësim dhe kryelartët, ose të pafajshmit. Ky është sipas Kiço Ngjelës, një cilësim që përdoret shpesh nga ana e treshes Todi Lubonja, Gjergj Titani e Fadil Paçrami. Në përmbajtje nuk na thonë ndonjë të re. Këtë këngë e kemi dëgjuar shpesh, me zë të lartë, kurse vesh më vesh, bëjnë edhe cilësime të tjera. Të nënshtruarit, jemi neve që kemi pranuar fajësinë, që jemi thyer etj., si unë, si Rrahmani, Lipja e ndonjë tjetër. Kryelartët janë këta të tre dhe ndonjë tjetër që nuk ka pranuar fajësinë. Dhe ideologu që hiqet si i tillë, sepse asnjeri prej tyre nuk e pranon, i shpjegon këto qëndrime nga ana teorike (fjala është për Fadil Paçramin). Pendimi!
Pendimi s’është gjë tjetër veçse një koncept fetar, i futur, i pranuar nga legjislacioni borgjez. Teknikisht është futur edhe në ligjshmërinë tonë. Por nuk ka asgjë të përbashkët me marksizëm-leninizmin…! Gjergji i përgjigjet: “Kështu si po ndodh, edhe sikur të dënohem disa herë, nuk më vjen keq”. Kjo është logjika e të menduarit të tyre. Armiqësi, ligësi.
I uroj që të tre, vijon Kiçua – po veçanërisht Gjergj Titanin, sepse është provokator i padurueshëm, agresiv e i lig. Do me çdo mënyrë të përplaset. Kërkon sherrin. Do të matet me forcën e grushtit. Këtu qëndron mençuria! Kjo është pika e forte! Në këtë anë, e nxisin, Todi Lubonja, e Fadil Paçrami. Midis tyre janë shokë, kullosin në një gavetë, por si të ligj, edhe ndaj njëri-tjetrit, ja kanë me gisht në by….!
Lidhur me sa sipër, në një rast Xhavit Qesja, në dhomë kur ishin të gjithë, është pyetur nga ai dhe ka marrë këtë përgjigje: “Për ligjshmërinë në vendin tonë, (flas për të fundit), riedukimi është i papranueshëm. Ka pas qenë. U hoq. Si formë e edukimit politik, duket një huazim. Ndoshta i marrë nga kinezët.
Ai nuk përjashtohet të ketë qenë një ndikim i marrëdhënieve midis dy vendeve. Por ligjshmëria jonë ka pasur e ka të parin dënim mbi bazën e njohjes së fajësisë, shkallën e pendimit, bindjen në vend të riedukimit, rehabilitimin kur fajtori e ka provuar me fjalën e me qëndrimin e vet gjatë vuajtjes së dënimit”. Kështu mund të jetë, thotë Xh. Qesja duke e mbyllur.
2. Burgu na ndihmoi për të njohur njerëzit, në një rast Maqo Çomo, kur ai kërkoi nëse e kishte përgatitur porosinë. “Ti bën mirë që nuk i vë veshin Gjergj Titanit, – ky e të tjerët janë tepër të bezdisur. Sajojnë e shpifin midis njëri tjetrit. E keqja është se ato çka kurdisën dje, sot i marrin për të vërteta. Harrojnë që i krijuan vetë. E çfarë nuk kanë llapur për Lipe Nashin e për ti….! E bënë mensën e kuzhinën si klub.
Dhe kush i thotë, cmirë e zemërligësia i ka tërbuar. Ata që mendojnë dhe veprojnë vetë. Ata të papërmbajturit, flasin….shkruajnë. Nga një anë bëjnë mirë, shumë mirë, sepse kështu si po veprojnë, po u del boja, por do t’u dalë boja edhe para komandës. Do të demaskojnë veten e tyre, kujtojnë se do t’ja hedhin! Duan që me armët e komandës të godasin ato që u kundërvihen. Gënjehen, komanda ka sytë dhe veshët e saj”.
Mbas dëbimit të Gjergj Titanit në birucë, ai duke mos qenë i pranishëm, në pasditen e datës 16.3.1982, pyeti Maqo Çomon, i ndodhi gjë Gjergj Titanit? Në përgjigje, pa hyrë në hollësi që dihen, Maqua midis të tjerave tha: “Sot erdhën në dhomë komandanti së bashku me oficerin e rojës, e nisën e pyetën: Po Gjergj Titani ku është?
“Ne e dimë’ na tha komandanti, ‘po ju si mendoni”? U përgjigj Bardhyl Belishova e ndërhyra dhe unë. Qëllimi është që neve të dënonim qëndrimin e sjelljet e Gjergj Titanit. Si të dënuar, këtë nuk e bëmë, por e vërteta është se Gjergji e kishte hak dënimin. Roja u tregua i durueshëm dhe veproi drejt. Nga një anë të vjen keq përse shpie veten në këtë shkallë, nga ana tjetër u bë mirë e do rrimë disa ditë të qetë. Ne në dhomë nuk ja varim fare”.
“Njeriu që mbush 50 vjeç dhe akoma nuk ka formuar personalitetin e tij” – thotë Vaskë Gjinua për Gjergjin. Jo vetëm kaq, por në mjaft raste, nuk thotë as……………………………………. emrin ……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………… e kush? Ky që u përjashtua nga Partia qysh nga mesi i vitit 1974, kur kishte edhe mbrojtjen e Petrit Dumes. Me kë nuk qe m’pleksur, makinë më makinë të ambasadorëve kishte hipur dhe zbritur. Dhe nga origjina këta janë të pasur. Nëse ka një pension jetik që i vjen nga SHBA-ja, çfarë e lidh me komunizmin?! Asgjë. I poshtër dhe i lig Gjergji, po të tillë janë treshja.
Todin e mbështollën mirë një mbas dite, si me Rrahman Parllakun, ja numëruan të gjitha. I thanë që: “Ti e Fadili mbani përgjegjësi se po e nxisni kundër të tjerëve, kundër komandës e rregullave”. Nuk u ndie. Tha vetëm kaq…: “Ju e dini se Gjergjit shpesh, i mungon një dërrasë. Ne e dimë që……………………….., për të mos thënë i marrë, por në marrëzitë e tija, ka djallëzi, djallëzi që ju i’a ushqeni. Fadili i thotë: “Mbështjellja turinjve, Vaskës”. Kjo edhe mund të ndodhi. Një grusht dhe mund ta ha, por do e paguash shtrenjtë si Gjergji dhe kush e përkrah”.
“Treshja ishte betuar që mua të mos më fliste e përfillte”, – vijon Vaska. Më thotë Maqua me Bardhylin. Po kur takoi që në birucë erdhi edhe Todi, ky deshi, s’deshi, më foli. Këtë gjë Fadili dhe Gjergji e mësuan më pas. Fadili u revoltua dhe e qortoi Todin. Ja deri ku mbërrijnë, tema e bisedës së tyre, janë gratë. Çfarë nuk tha një ditë Fadili………………………………………………………………për ……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….., të vinte ndot ta dëgjoje. Kundër Fadilit janë mbushur aq shumë, saqë në rastin e parë, qoftë dhe jo me mua, do të pleksen keq. Jam përgatitur dhe dua t’i numëroj tërë maskarallëqet.
“Personi që e urrej, është Agai i Krujës”, – vijon Vaska, për Xhavit Qesen, duke imituar mënyrën e të folurit e të ecjes, etj. Thotë: “Sikur të kisha në dorë, do t’i punoja qindin, për t’i nxjerrë bojën. Ja çdo t’i punoja: Ti Xhavit Qesja, prej kohësh dhe në mënyrë të përsëritur ke kërkuar më këmbëngulje vetë-izolim. Na fal, nuk do i them, por ta vonuam pak, por e studiuam e të krijuam ca kushte.
Do të të vetë-izolojmë. Mblidhi plaçkat dhe do të jesh i qetë në një dhomë të veçantë në një birucë. Kështu do të na shpëtosh nga një krim që kërkon të bëjmë. Nuk do të të shurdhojmë, por s’do dëgjosh më zërin e sabotatorëve dhe të puçistëve. Nuk do të të verbojnë, sepse sytë do të të duhen. Sa për gjuhën, ke thënë vetë që e ke në dorë e mund të bëhesh memec, bëhu”.
Kështu e do, sepse shkon me mendimin që në të gjitha rastet të dalë i fituar. Qëllimet e tija janë të njohura. Vetë-izolim në formën e konvaleshencës. Një dhomë për Aganë. Të punojë pa para…profka. Shteti s’ka nevojë për përkthimet e tija, as për punën e papaguar. E kush e ngre? Xhevit Qesja, që s’të fal një lek. Që është gati të shkruaj letra mbas letrash, për çdo gjë. Më të djallëzuar dhe intrigant nuk ka. Tërë kinezërira është.
Pëlcet nga e mira. Don që njerëzit t’i shkojnë nën vete. Nuk jam kundra që të hamë bakllava, jo më plaçin sytë…, po i vjen keq për Gjin Markun, bën ndonjë hallvë, na jep ndonjë lugë edhe neve dhe e urojmë për festa. Më provokuat, do dal nga mensa. Mensa s’është vend i kuvendeve. Unë s’kam festë. Unë s’bëj vit të ri. E kam mendjen të nëna e fëmijët.
Ti pëlcet nga marazi. Ti e bën festën e vitit të ri 365 ditë në vit. Neve e bëjmë njëherë. Ti ha si kalë, aq sa hanë të gjithë të tjerët dhe më shumë. Do vënë në vesh të dëgjoj mirë – thuaje, thotë Vaska, ke rënë në rrjetën e ideologëve sabotatorë, Fadilit dhe Todit dhe je ti që i kërkon ata, dhe jo ata ty. Ata s’ta varin, sidomos Todi, kurse Fadili i përulet ………………………………………………………………………………….!
Nuk fliste me Gjergjin, tani e shtruan. Dëgjuam me veshët tanë, kur në një rast në gatim, Gjergji i thonte Xhavitit, nuk ka asgjë. Nuk ishte i sëmurë. Simulon, etj. Dhe këtu në oborr, ditët e fundit, Gjegji i tha: “Mirë është t’i lëmë dhe t’i harrojmë çfarë kemi thënë për njëri tjetrin dhe ke fol e je marrë me thash e theme, me gojë dhe me shkrim.
Për çudinë e disave, Xhaviti nuk u zemërua dhe nuk i ra të fikët, por u afrua më shumë. Dhe s’ka njeri më të interesuar se çfarë ndodh, për të vëzhguar dhe dëgjuar. E nuk le njeri pa marrë në gojë. Fjalën e nderit. Të mbetet midis nesh e këtë shirit, ja përsëriti të gjithëve. Rasti i treshes dhe i Gjergjit, tregon afrimin midis tyre, se Xhaviti ka frikë. Do më qes bojën këtu dhe në komandë, mendon. Prandaj me asnjë nuk e prish. As me Gjin Markun.
“Butrinti”
Sqarim: Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Gjergj Titani, Maqo Çomo. Bardhyl Belishova dhe Xhavit Qesja, janë të dënuar anti-parti dhe ndiqen në përpunim aktiv 2/A si të tillë nga ana jonë.
Vlersimi: Raporti ka vlerë operative se në të dalin reagimet e këtyre për pendimin, për krimin e kryer dhe për legjislacionin tonë në fuqi. Dalin lidhjet e këtij elementi njëri me tjetrin, si dhe kundërvënia ndaj masave disiplinore të marra nga komanda.
Detyra: B.p. ju dha detyrë që të bisedojë përsëri në lidhje me marrëdhëniet e Gjergjit, Todit, Fadilit dhe të Gjergjit me Xhavitin, të çfarë karakteri janë këto marrëdhënie, nëse kanë aktivitet të përbashkët armiqësor, e në ç’formë e mënyrë shprehet ky? Ku e ka bazën urrejtja që ka Vaska ndaj këtyre të dënuarave, e sidomos ndaj Xhavitit e Gjergjit, për ambicie personale, apo për divergjenca ideologjike?
Të na informosh, për komentet që do të ketë për vetëvrasjen e Mehmet Shehut, si interpretohet kjo. Për ngjarjet në Kosovë, etj.
Masat Operative: Raporti të studiohet nga udhëheqja e Degës, të shtypet sipas implikimeve, një kopje t’iu dërgohet Degës së veçantë në Ministri dhe të tjerat të vendosen në dosjet e objekteve të përpunimit. Memorie.al
Punëtori Operativ
Vehap Kuka
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016