Nga Nazmi Berisha (Dyzi)
Pjesa e gjashtë
Vijon nga numri kaluar
Heshtja e ‘verdhë’
Në kampin e përqendrimit të Çermës, hera e dytë
Të dhjetë vitet e dënimit tim, do të mbaronin disi më shpejtë se koha. Më duhet të kthehesha në shtëpinë time. Po ku ishte ajo? Dukej sikur këmbët do të më çonin vetë-vetiu në Çermë. E ku tjetër po të mos doja unë! Më bëhej ndonjëherë sikur Çerma, ishte vendlindja ime. Para burgu atje më kishte kapur këmbët. Një re e verdhë kishte rënë mbi Shqipëri. Fytyrat e njerëzve kishin një pamje të verdhë të frikshme. Ndërkaq heshtja e verdhë nuk të linte të merrje vesh kurrgjë. Në Çermë qenë shtuar barakat dhe diçka qe liberalizuar. Në Lushnje mund të shkoje pa polic, ashtu dhe në punë e fshatra. S’kishte rrugë dhe një sy i fshehtë na ndiqte pas si thikë përgjimi. Personazhet e mi, ose ishin larguar për në Jugosllavi, ose ishin përsëri në burg. Jeta ime tani do merrte kuptim, me njohje të reja. Madje në burgjet e Shqipërisë, ky ka qenë avantazhi im. Kam njohur miqtë dhe armiqtë e mi. U njoha me Nezir Vishajn dhe Hysen Bregun nga Deçani. Ai që hyri më lehtë në vetëdijen time, ishte Neziri. Më tepër se ai, historia e tij! Pasi ishte bërë mësues në fshatrat e Gramshit, aty i’a ngre lakun drejtësia shqiptare. Nezir Vishaj, u dënua për falsifikim dokumenti. Kunati i tij sigurims dhe e shoqja, i vënë stërkëmbësin për të nënshkruar dëftesën e një anëtari të PPSH-së. Një poshtërsi e pashoqe. Vonë kërkoi Neziri të ndahej prej gruas, por nuk e lejonte Partia se. Pasi doli nga burgu as vajzën s’ja lejuan. Por pas reve, çeli dielli. Atë e emëruan përsëri mësues po në Gramsh. Dhe më pas jeta po i buzëqeshte sepse nga Gramshi ai, do të shkonte në fakultet, për të studiuar gjuhë-letërsi shqipe. Ky ishte një sihariq i madh për kosovarët e tjerë. Por dikush dyshoi te Neziri! Pluhuri i verdhë i ndërgjegjes. Një ndër studentët më të moshuar të Universitetit të Tiranës. Dhe të mendosh që në Universitetin e Prishtinës, studionin 20-30 mijë shqiptarë, kurse në Tiranë as gjysma. Shqipëria e “lirë” e Enverit?! Jo, kurrfarë poshtërimi nuk i bën atdheut tim kjo gjë. Diktatorit të egër, po. Mirëpo nuk qe e thënë as për Nezirin të studionte. Burgosen Kapllan Resuli e Myrteza Bajraktari. Ndërsa në fakultet organizohet një mbledhje, ku këta të dy fyhen në mënyrë absurde. Ngrihet Nezir Vishaj dhe i kundërshton. Mbaj mënd thënien e tij “Unë po shkoj në Kosovë. Këtu hoxhë, atje hoxhë, unë dua të jem tek hoxha im”. Dënimi i prerë, dy vjet në Çermë. Më pas shkon në Kosovë, ku vazhdon universitetin dhe punësohet si mësues në shkollën e mesme Ekonomike. Në 1981 burgoset dy muaj dhe më tej dy vite i papunë. Ky qe fati i tij në dy diktaturat. Çerma e dytë më njohu me Shaban dhe Ajet Meha nga Prekazi i Mitrovicës. Kushërinj të trimit, Tahir Mehja, i cili në 1981, u rrethua në shtëpinë e tij nga policia jugosllave e pajisur me armë moderne. Ai qëndroi si hero. Shabanit të gjorë pasi i kishin vrarë djalin, e kishin burgosur gjoja si jatak i Ajet Haxhiut, oficerit të Sigurimit. Dënohet me 12 vite burg, në Nish. Pas lirimit në fillimin e viteve ‘60, ai dhe e gjithë familja e tij vijnë në Shqipëri. E çojnë në Çermë. Djalit që i lindi, i vuri emrin e të vëllait: Bajram. Këta të Sigurimit, nuk e besonin. Unë e lashë po atje pasi ika në Kosovë në 1980-ën. Pale të shihje tragjedinë e veçantë të Pjetër dhe Fran Gjonit, nga Gurëzi i Shkodrës. Ishin në Çermë sepse s’donin që dynymin e fundit të tokës së tyre, t’ja jepnin kooperativës. Dhe vjen policia për t’i marrë tokën dhe me traktorë, për t’i prishur kufijtë. Ngrihet familja Gjoni në mbështetje të tokës. Tollovi e madhe, kudo britma dhe gjuajnë me gurë. Policia, shtie dhe vritet mixha, pse s’donte të bëhej argat në tokën e vet. Djali i mixhës plagoset. Të gjithë i marrin në burg. I plagosuri dënohet rëndë, kurse të tjerët në Çermë. Familja e mixhës së vrarë, diku në Fier. O Zot, ti shihje jetonin të gjithë në një dhomë. Ndërkaq shtëpisë së tyre në Gurëz, i’u vu dryni i verdhë i qeverisë.
Tragjedia e mbështjellë me qefin të verdhë, nuk do të mbaronte me kaq për Gurzanjakët e varfër. Pjetrin vetë i katërt, bashkë me Ahmet Kolgjini, Ekrem Muho dhe një tjetër, i dënojnë me 10 vite për agjitacion e propagandë. Dëshmitar i doli Avni Gjata! E çuditshme! Po pse flisnin këta njerëz, kur e dinin që dryni i verdhë duhej ta mbante gojën kyçur? E vërteta, ndonëse gojëkyçur, ndonëse e rrethuar nga një heshtje e tillë fantazmagorike, prapëseprapë dilte në shesh sapo të takoje Januz Blakçorin, prej Istogut të Kosovës. Njeri i ditur, i madh, i vërtetë. Familja e tij kishte bërë të pamundurën për t’u kthyer në Shqipëri. Sidoqoftë Januzi shkollohet, merr pjesë në lëvizjen demokratike. Gjatë sundimit të Zogut, kryen një punë të pa rëndësishme administrative në Tiranë. Dhe të mos harroj, veç që ishte normalist, ai kishte mbaruar studimet në Akademinë Ushtarake të Romës. Pas pushtimit fashist, ai u emërua mësues në Korçë. Ndërkaq, pas çlirimit burgoset si bashkëpunëtor i fashizmit, mirëpo e shpëton Todi Lubonja, sepse familja e tij (Januzit) kishte qenë bazë lufte. Gjatë tërë jetës së tij të më vonshme, Januzi ishte marrë me përkthime nga italishtja në shqip. Por emri i tij, kurrë nuk duhej të dilte në skenë. Atë njeri të ditur e rrethonte një heshtje e verdhë mizore. Nexhmije Hoxha e Fiqirete Shehu, dikur e lejuan që t’i japë mësime të italishtes fëmijëve të tyre. Januzi ndahet me gruan përmes intrigash të ultë dhe vajzën e rriti vetë. Ajo vajzë martohet me një mjek nga Korça.
Po pse ishte në Çermë ai njeri? Një ditë, në mes të Tiranës, dy të rinj italian (ata me siguri nuk ishin të tillë) e pyesin se ku ndodhej hotel “Dajti”. Dhe Januzi u’a tregon. Kaq duhej. Sigurimi i vë prangat, duke e akuzuar për bashkëpunim me të huajt dhe i deklaron se me urdhër të Mehmet Shehut, të internohej në Çermë!
I miri xha Januz! Kishte njohur korrespondencën e Enverit me Titon, dallkaukun Beqir Balluku me shokë e funksionarë të ndryshëm. Ai e veçonte Sejfulla Malëshovën, Abdyl Këllezin (e pushkatuar në bodrumet e Ministrisë së Brendshme) Fadil Hoxhën, etj. E ç’ti doje tërë këta të njohur, gjersa intelekti yt, dituria jote qe plakur kot së koti dhe në moshë kaq të thyer, për të nxjerrë bukën me thonj, në Çermë! O zot! S’ka nëpërkëmbje më të madhe, aq më tepër kur fëmijëve të atyre zagarëve, i’u kishte mësuar italishten.
I miri xha Januz. M’i dhe mësimet e tua më mirë se një shkollë. Ti më mësove që Zogu ka bërë kaq e kaq të mira për Shqipërinë, se ai ka qenë diplomat i shquar, se vendi në kohën e tij nuk ka qenë i mbyllur me kështu tutiusësh të verdhë. Histori e gjallë ishte xha Januzi. Miqtë e tij kanë qenë Luigj Gurakuqi, Fan Noli, etj. Tregonte për Isa Boletinin ashtu dhe për Balto Stambollën, vrasësin e Luigj Gurakuqit. Sytë e Shqipërisë janë nga Perëndimi, ndërsa Lindja e ka mbajtur gjithmonë mbërthyer prej zverku. Qoftë edhe për këtë thënie të falem, xha Januz. Urrejtja jote për komunizmin, dashuria jote për atdheun anekënd viseve të tij, qenë dhe ato një shkollë për mua. Sigurisht nuk ishte e lehtë të mësoje nga një 87 vjeçar dhe as të mbaje mbi shpatulla amanetet e tij. I miri xha Januz. Ti dëshiroje që unë me gjithë mungesën e arsimit dhe kulturës, të shkruaja dëshminë e gjallë të burgut të Enver Hoxhës. Premtimi ndaj teje më detyron që të shkruaj. Le të mësojnë gjeneratat e reja për vuajtjet tona, për personalitetin tënd të dashur. Një tjetër personazh i gjallë i Çermës, Abit Çollaku nga Zymi i Prizrenit. Pati provuar Goli Otokun dhe jugosllavët, atje e torturojnë. Iku nga Jugosllavia dhe hyri në burgjet e Shqipërisë. Ik e hajde disa herë. Nish, Tiranë, Prishtinë, Çermë. O Zot a kishe pasur sy të shikoje vuajtjet tona? Po veshë për t’i dëgjuar ato! Ja djalin e Teme Sejkos në Berat, Sokolin e pushkatuan sepse paska dashur të digjte Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun” (një emër dyll i verdhë) mamaja e tij, në mëngjes hidhet nga kati i pestë, m’u në mes të bulevardit të Beratit. E ç’të numëroj më parë! E sa të tjerë të internuar, zvarriteshin në baltën e Çermës. Komunistët Enver-Mehmet-Ramiz, mendonin se në atë vorbull do të mbytej historia e tyre, pa lënë kurrfarë dëshmie pas. Familja e Xheladin Topçiut, Mixhait Selimi, Zymbel Prepolluka, Zenel Peçi, Bajram Çela, bashkë me familjen e të vëllait, Adem Muja, etj.
Përmes heshtjes së verdhë, duhet të dëgjoje ulërimën e Enver Hoxhës në fjalimin e qershorit të 1973, dhe sihariqin që në Tiranë, i’a kishin bërë fora duke shkruar në mure “Poshtë banda Enver e Mehmet, ju jeni më të këqij se nazistët”. Të dëgjoje kundërpërgjigjen e diktatorit, arrestimet e Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, internimet e farefisnisë, sharjet ndaj Rexhep Qoses, e ç’të tjera më. Meqë u sëmura rëndë nga këmba, si pasojë e torturave në burgun e Burrelit, më çuan për mjekim në Sanatoriumin e Vlorës. Mjek ishte një djalë i quajtur Njazi, nip i Kadri Hazbiut. Motra e Mehmet Shehut, ishte pastruese në atë spital. Ishte shtruar aty dhe gruaja e Halim Xhelos. Një nga të sëmurët i ishin varur testikujt nja 30 cm poshtë. Ishte zogistë nga Tirana, ashtu i torturuar marrëzisht. Në atë spital lexova fjalimin bombastik të kriminelit më të madh të popullit shqiptar kundër shfaqjeve të huaja. Ç’neveri! Ai donte jo pak që të gjitha yjet, drita, zogjtë, e gjithçka të bindeshin se kjo ishte e shkruar në fenë e tij marksiste leniniste. Zot na ruaj nga të çmendurit. Jo nuk duhej humbur më kohë. I shkruajta MPB-së dhe ambasadës jugosllave në Tiranë, për të më lejuar rikthimin në Kosovë, se unë isha shtetas jugosllav. Ku të qëndroja më? Dielli më dukej i rreckosur, ajri i tharë, njerëzit e plagosur në zemër. Ndërkaq në veshë të shungullonte heshtja e verdhë. Është pak të thuash që njeriu në raste të tilla përjeton krizën e vetvetes. Vendi s’më zinte. Tronditja se isha midis dyluftimit të UDB-së apo Sigurimit, më çonte në mëdyshje. Më vinte të ulërija. Ministria e Brendshme nuk përgjigjej. Përsëri heshtja e verdhë. Kërkova takim me kryetarin e Degës së Brendshme të Lushnjes, Natyrel Micin. Tregoja ftohtë aq sa ishte ankesa ime. Dhe natyrisht kërkesa për të shkuar në Kosovë. Duke folur edhe gjaku më lëvizte shpejt. Isha viktimë e karrieristëve, s’guxoja të thosha Sigurimi, pa pikën e fajit. Po nejse e shkuar e harruar. Doja vetëm të ikja në Kosovë. “Kjo është punë e jugosllavëve dhe jo e shqiptarëve”, m’u përgjigj me arrogancë Natyrel Mici. “Ne nuk duam ti mbajmë njerëzit si ty pa vullnet në Shqipëri”. I thashë se në kampin e përqendrimit e ndjeja veten si në burg, sepse nuk kishte ndryshim. “Do të arratisem që në rastin e parë që do më jepet. Unë kam qenë i ri dhe kam gabuar që kam ardhur në Shqipëri”. “Po deshe arratisu’, më tha ai. ‘Kjo është puna jote dhe jo e Degës”. E pashë se nuk donin të më lironin. Po vinte nata dhe unë isha nën terrorin e mendimeve të mia. Kisha folur boll dhe u kisha dhënë material që të më arrestonin për së dyti nën agjitacion e propagandë. Hajt ta zgjidhje këtë punë, e të duroje dhe 10 vjet të tjera burg në Shqipëri. E kisha humbur ekuilibrin shpirtëror. E vendosa, nesër do arratisem. Një ikje e paralajmëruar që të shkoja sa më parë në prehrin e nënës. Pengesa e parë ura e Rrogozhinës u kalua pa ndonjë vështirësi. Pastaj fusha me misër. Pushime me veshët ngrehur. Natës vetëm ecja në rrugën jo shumë pranë xhades. Etja dhe uria ishin shokët e mi. Po udhëtoja drejt Shkodrës, sepse atë pjesë kufiri njihja. Isha i pagjumë por pendesa askund nuk më zuri gafil. Cicërima zogjsh pranë meje sa herë që flija. Ishte ndoshta shpirti im në alarm. 7 ditë e net i palarë, i parruar, i etur, i uritur. Instinkti më udhëhiqte rrugën. Shpresa më ndriçonte në çdo rast dhe më përtërinte forcat. Drithërima ime ishte një frikë e pashuar nga njerëzit. Larg tyre. Sa do duroja vallë?!
Edhe Shqipëria qenkej e madhe derisa nuk mbaronte aq shpejt brenda hapësirës së dëshirës sime, që më vlonte në gji. A do ta hiqja qafe trashjen e gjuhës dhe ngjitjen e saj në qiellzë? Le ta laja rrugën me gjak, le të enjteshin thembrat, mjafton që të isha në gjirin e tokës, atje në Prishtinë! Një fjalë goje ta thuash a ta shkruash, por hajt ta bësh. Kështu që edhe vendimi i një vullneti të fortë nis e thyhet.
Njeriu qenka një qenie e jashtëzakonshme. Ai bën çudira mjafton që ylli i shpresës të mos shuhet dhe ajo drejt së cilës shkon është sublime. Njeriu nuk ka nerva, por fije të çelikta. As egërsirat, as qeniet e tjera të gjalla nuk më trembnin, vetëm njerëzit dhe befasia e policisë. Gjumi është armiku më i madh. A do të kapitulloja vallë? Fjalët ‘NDAL’ më buçonin vazhdimisht në vesh. Kjo që po bëja kishte kuptim.
Kisha e Milotit. Një vend i njohur mirë prej shumë udhëtarëve. Më patën folur për të. Kishë e rrënuar më 1967. Si do ta kapërceja urën e Milotit? Apo do të prisja një makinë? Jo “Xhip”-s, por kamion. “Gaz”-in e vogël e dalloja. Kujt t’i lutesha ato çaste pritjeje për një kamion në pasmesnatë, i fshehur buzë xhadesë? Duke ju drejtuar Zotit? Duke ju lutur Shenjtorëve?
E ndjeva së largu zhurmën e kamionit. Dola në mes të rrugës. Frena të qeta. Para agimit disi të lagësht. Një tromaksje e trishtë. Një hipje pa bujë, sikur vetë të kërkoja kthim prapa. Sy indiferent dhe mijra pyetje të fshehura në vështrimin e shoferit. Ai me siguri dyshonte, por nuk e jepte veten. Ai gjithçka e bluante me vete. Nuhatja s’i pinte ujë, unë dukesha sheshit, por megjithatë, le ta gjeja një fjalë, le t’i thosha se shkoja në Shkodër, tek njerëzit e mi të sëmurë. Dremitja dhe instinkti i lodhur më zgjoi nga fishkëllima e frenave. Qemë pranë Urës së Bunës. Policët, kontroll dokumentesh. Po ti? Unë e paskam harruar pasaportën. Eja me ne. Dy policë sigurisht mjaftonin. U gjenda përballë Natyrel Micit! Ja që nuk pinin ujë as lutjet e mija. Tanimë mund t’i nënshtrohesha i qetë Fatit tim.
Uria, etja dhe pagjumësia, shoqërimet e policëve, përqeshja cinike e Natyrel Micit dhe e shokëve të tij, qenë mundime të thekshme. Përsëri në makinë duke më kthyer në Lushnje, në burgun e saj. Dhoma 12. Që atë natë nisi hetimi. Duhej të shkoja në birucë dhe të prisja gjykimin. Isha kapur më 3.06.1975 dhe në dy muaj hetimesh të qeta po përjetoja një çudi të pa krahasueshme. E nëse mungonte tortura e policëve mbi mua, diçka tjetër më torturonte, sëmundja./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016