Nga Visar Zhiti
Pjesa e dymbëdhjetë
Pllaka të kujtesës dhe thasë…!
REALIZMI SOCIALIST
Memorie.al/ I ardhur nga jashtë, nga qendra e perandorisë komuniste, i’u dha me detyrim gjithë arteve dhe letërsisë, metoda e re dhe e vetme, supreme, që e vinte veten në shërbim të ideologjisë dhe politikës së diktaturës komuniste, të udhëhequra në Shqipëri nga mësimet e Partisë dhe të shokut Enver.
Metoda e Realizmit Socialist vërtet u bë e detyrueshme në të gjithë perandorinë komuniste, por jo e zbatueshme njëlloj në të gjitha vendet, e kushtëzuar dhe nga antropologjitë e kulturologjitë specifike, nga arsimimi tradicional, se sa e ashpër ishte dhe diktatura e secilit vend e kundër trysnia, por dhe nga ajo e fundit, që është e para, por harrohet, nga shijet e një populli, sa honeps ai…!
Realizmi socialist nuk është i njëjtë me realitetin socialist, por se ç’është na ndihmon dhe ‘Fjalori Enciklopedik’, Tiranë 1985, i vetmi që mundi të botojë regjimi: .
“Realizmi socialist, metodë krijuese e letërsisë artistike dhe e arteve, që u formua pas fitores së revolucionit popullor në Shqipëri. R. S. i zgjedh, i interpreton dhe i vlerëson faktet e dukuritë e jetës nga pozita e realizmit shkencor…! Letërsia dhe artet u rritën në luftë me orvatjet e armiqve të ndryshëm për të penguar ecjen e tyre… orvatje që u dërrmuan…”, etj., etj.
Të duket sikur po lexon Historinë e Partisë Komuniste deri dhe Kodin Penal të saj. Gjuhë dhune dhe entuziazmi pa kuptim për letërsinë.
S’kish si të ishte rastësi që, kur krijohej Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve shqiptarë, me anëtarët e kryesisë të ishin bashkë dhe gjeneralë serbë, e dëshmojnë dhe fotografi të asaj kohe, ashtu si dhe Partia Komuniste në themelimin e saj pati drejtues serbë.
Pse pak më vonë një pjesë e asaj kryesie do të asgjësohet? S’i deshën gjeneralët? Madje dhe ngrehina e Lidhjes kishte qenë shtëpia e oficerëve dhe iu kalua shkrimtarëve, oficerëve të fjalës së Partisë.
Realizmi socialist tipik është në botimet e Enver Hoxhës, që i quanin vepra, në kujtimet e tij, prolikse dhe mediokre, plot me shtrembërime te të vërtetave historike dhe aktuale deri dhe antinjerëzore për urrejtjen që kërkonin të përçonin mes shqiptarëve dhe të shqiptarëve ndaj botës, që na i lexonin me detyrim dhe burgjeve si vazhdim i torturave fizike në tortura mentale.
Në atë shembull duhej të ecte dhe letërsia.
Dhe Shqipëria e vogël duhej ta zbatonte metodën e re si në Bashkimin e madh Sovjetik. Nga përmbajtja socialiste dhe nga forma kombëtare. Dhe njeriu i ri. Të treja të vështira, për të mos thënë të pa mundura, se socializëm s’kishte, por diktaturë dhe forma kombëtare nuk ishte kristalizuar, në fund të fundit ishte dhe e dënueshme, kurse njeriun e ri ku ta gjeje, ku ta kapje, nuk ekzistonte…!
Kërkohej dhe Gorki ynë dhe romani i tij “Nëna” shqiptare. Të vendosej zyrtarisht dhe kryetari i parë i shkrimtarëve dhe artistëve dhe të dilte romani i parë i realizmit socialist. Cili do të ishte?
Mbas disa rrëzimesh e heqjesh, pas partizanit udhëheqës Sejfulla Malëshova, pedagog i marksizmit dhe në Moskë, poet, përkthyes, që u dënua dhe pas partizanit tjetër Shefqet Musaraj, që e përdorte penën ashtu siç duhej, si pushkën, që i thanë të dorë-hiqej për arsye shëndetësore, u arrit te Dhimitër Shuteriqi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Ai i kishte lënë eksperimentet poetike alla franceze, fare të vakëta, që i dukej se kishte bërë në rini, pas studimeve në Francë, por si të gjithë partizanët, nuk duhej të linte pushkën dhe granatat dhe në art. Tashmë ai ishte shkrimtar i angazhuar politik duke nxituar ta nxirrte ai, pikërisht në vitin 1952, romanin e parë të realizmit socialist, “Çlirimtarët”, i takonte ky nder. Por volumin e dytë s’e bëri që s’e bëri dot!
Shkrimtari me emër i viteve ’30-të, Sterjo Spasse, do të ngulmonte se romani i tij “Ata nuk ishin vetëm”, qe shkruar më parë, kurse partizani i çartur Kasëm Trebeshina, do të shpjegonte nervoz se, makinacionet e udhëheqjes së Partisë, intrigat, e penguan atë, me qëllim që të dilte në dritë patjetër, romani me dy vëllime i Shuteriqit.
Në fakt një vit më parë qe botuar romani i një partizani tjetër, “Në gojën e ujkut”, i Kin Dushit, me tmerret që ai hoqi në kampet naziste të përqendrimit në Prishtinë.
Me shkuarjen e partizanëve këtej në Kosovë andej, nën komandën e Shefqet Peçit, me komisar Ramiz Alinë, vendasit nacionalistë u bindën të dorëzonin armët. Por, kur panë se forcat bashkatdhetarë po largoheshin e po i linin në dorën e të huajit, dilnin para kamionëve duke thirrur: si na pretë në besë, na ju besueme si vllazën, mosni, bre burra, mos na lęni peng te serbt…!
Të kthehemi te letërsia. Romani i Shqipërisë së re s’mund të fillonte kurrsesi me shkrimtarin Kin Dushi, që do të binte së shpejti në burg.
Fatmir Gjata do të nxirrte tregimet e tij me pika gjaku, nga lufta si partizan. Dhe prapë një tjetër partizan, Shefqet Musaraj, po shkruante librat e tij për para dhe pas agimit, me stilin disi gazetaresk të “Zërit të popullit”.
Dhe po përzgjidheshin shkrimtarë dhe talente të reja për t’i çuar në Bashkimin Sovjetik e në vende të tjera socialiste për studime.
Skedë për Drago Siliqin (1930 – 1963)
Do të ishte njëri nga ata, që do të sillte mendimin e ri kritik, me pasionin dhe kurajon e poetit.
Doli malit partizan, s’ishte as 14 vjeç dhe një vit më vonë nxjerr librin e parë. Dhe shkon të studiojë për letërsi në Bashkimin Sovjetik, në Moskë, në Institutin e njohur “Gorki” Kthehet në atdhe dhe bëhet drejtor i të vetmes shtëpi botuese “Naim Frashëri”.
Me të do të botohej antologjia e poezisë ruso-sovjetike në 1959 dhe një vit më vonë do të nxirrte poemën e tij: “Këngë e re për dashurinë e vjetër”, etj.
Me Drago Siliqin dolën emra të rinj dhe vepra të reja. Ai hapi qendrën e përkthimit me mjeshtrit, që vinin “nga e kaluara…”, por dhe nga burgjet. Do të ishte mbështetja e parë dhe për autorët që s’i donte regjimi. Dhe solli romanin e huaj bashkëkohor, Heminguejin, Remarkun etj.,..!
Kur kthehej nga Kina, avioni ku ishte dhe ai, ra nga hapësirat ajrore të Bashkimin Sovjetik. Ishte viti 1963, Në kampin socialist kishte ndodhur përçarja e madhe. Shqipëria kishte ndërprerë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe ishte lidhur ngushtë me Kinën. Në atë avion kishte dhe diplomatë shqiptarë, por më e rëndësishmja, fluturonin shkencëtarë dhe studiues kinezë. Avioni ra apo e rrëzuan? Kjo pyetje ka mbetur pa përgjigje dhe sot.
Ndërkaq letërsia e re shqipe humbi në moshë të re një poet, kritikun pararendës, botuesin guximtar. Ndërkaq ky akt tragjik sikur më përfton një metaforë, atë të rrëzimit të fluturimeve poetike, kur nuk do… komunizmi.
* * *
Ndërkaq Gorki ynë qe bërë jo njëri, të gjithë nga pak. Po kështu dhe Fadajevi. Si Majakovski i pas revolucionit po i thyente vargjet në poemat e tij entuziaste, Lazar Siliqi.
Do të krijohej treshja sunduese me poetët: Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Fatos Arapi, renditja e të cilëve ndryshonte sipas situatës politike në vend dhe raporteve të partisë me veprën e tyre
Esenini nuk lejohej dhe aq, ja, ia falnin ndonjëherë Dritëroit. Liriku Dhori Qirjazi seç kishte në biografi, babanë të ikur. Shollohov mund të ishte Jakov Xoxa me romanet e tij prolikse, por triologjia “Lumi i vdekur”, ama, ishte një arritje, një realitet edhe gjuhësor, që e pasuroi aktualitetin letrar. Ka dhe një personazh kosovar, e mori nga të dëbuarit…!
Dhe dolën romanet e rëndësishëm: “Qyteti i fundit” i Petro Markos dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë. Dhe pas rënies së diktaturës do të mund të diskutohej se me cilin nga këta dy romane fillonte letërsia moderne shqiptare. Me Gjeneralin…? Jo me Qytetin… se është botuar tre vjet më parë, më 1960.
Po në këtë vit në Romë, azilanti politik, shkrimtari Ernest Koliqi, kishte botuar romanin “Shija e bukës së mbrume”, por ai dhe vepra e tij ishin të dënuara si e gjithë letërsia e të ikurve.
Po letërsi disidente a do të kishte, duhej lejuar? Ja, ashtu dhe për dukje jashtë…! Gjithsesi jo, kurrë! Deri në vdekje, jo të tyren, se ata e dinin veten të pavdekshëm, por të kundërshtarëve. Bashkimi Sovjetik dhe satelitët e tij i tradhtuan idealet e komunizmit, sipas Enver Hoxhës.
Ne vendin e tij ai do të urdhëronte që të rritej vigjilenca edhe më, të pakësoheshin liritë e tepërta, që gjithmonë të mangëta kishin qenë, veç të punohej dhe të brohoritej, ja kaq, të mbyllej vendi, lufta për bukën ishte luftë por socializmin, zia e së cilës ndihej vazhdimisht. “Në Shqipëri ka munguar buka, por jo poezia”, do të shkruante një studiues i huaj, albanolog i njohur.
Të jetojmë si në rrethim, ishte urdhri gjeneral i çdo dite, viti e dekadash…! Në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën, porosiste Partia, pastaj shtoi dhe librin. Po ku ta gjejmë dorën e tretë, shpotisnin fshehurazi të pakënaqurit. Artin revolucionar e bëjnë artistë revolucionarë, mësonte shoku Enver.
Dhe daljet e botimeve të reja shpesh e më shpesh po u ngjanin prodhimit të tullave të mureve, që rrethonin shkollat, fabrikat dhe varrezat. Ja, ky është realizmi socialist, këmbëngulnin të pa kënaqurit.
U ngrit edhe një mur tjetër pas atij muri, i pakapërcyeshëm, midis letërsisë zyrtare dhe asaj që duhej të ishte letërsi e vërtetë.
Dhe prapë një tjetër mur, që s’lejonte të kalonte asgjë, sidomos nga Perëndimi e sidomos nga Lindja e sidomos nga fqinjët, që duke qenë afër, ishin edhe më të rrezikshëm, por regjimi i gëzohej faktit se kishte dhe pengesa të tjera gjeopolitike veçuese, malet, që na ndanin si me Greqinë kapitaliste, ashtu dhe me Jugosllavinë e revizionizmit titist. Midis kishte tela me gjemba me korrent dhe gjak.
Ishte dhe ai muri prej ujërash, që dallgëzonte, deti dhe pas tij bregu tjetër, Italia. Mur ndarës i rëndë ishte dhe varfëria e mediokriteti. Që dukej sikur ndihmonin të gjitha së bashku të mos futej asgjë nga më përtej, jashtë kufijve të dukshëm e të padukshëm. Po nga shkenca? Armë duam, ja, sa t’i prodhojmë vetë. Fabrika çeliku. T’i hapim themelet e tyre me të burgosur. Edhe të kulturës?
Dhe nga muret prej kockash e kafkash që përbënin ndarjen me Hadin, nxirreshin në punë të burgosurit. “Arbeit macht frei”: puna ju bën të lirë shkruhej edhe në portat e kampeve naziste.
E shikonin atë parullë cinike, me hekur të përdredhur, miliona sy të dënuarish. Ne ishim të dënuarit e kohës së Luftës së Ftohtë, shikonim portat e mbyllura dhe përkthenim me vete në anglishten e ndaluar: Work sets you free… dhe vazhdonim të lexonim në muret e burgut: “Ne dënojmë ata që veprojnë keq, që flasin keq, që mendojnë keq”. “Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet”. Nga ata, jo nga ne, ne duhej të harronim…
Fabrika të reja letre/ kundër letrave
Ashtu si më parë që me ndihmën e Bashkimit Sovjetik erdhën makineri, armë dhe letërsi, po kështu më pas dhe me Kinën Popullore, fabrika dhe armatime, revolucion kulturor, por dhe ndonjë epidemi aziatike.
Kinezët ndërtuan tre fabrika të letrës, në Shkodër, në Lezhë dhe në Lushnjë. Kamionët e mbetur sovjetikë, “Zis”, dhe të rinjtë të kopjuar nga Kina, s’do të vononin të shkarkonin në hajatet e këtyre fabrikave libra të ndaluar, letërsi të vjetër, nuk mbaronte, nga ajo fetare sidomos, katolikët janë të rrezikshëm, revista shkencore e letrare të viteve të arta ’30, gazeta, por edhe botime të reja, nga letërsitë e këtyre vendeve që ndërtuan fabrikat, të shpallura si vepra borgjezo-revizioniste. Ndëshkoheshin dhe vepra që ishin nën ndikimin e tyre, autorë dhe botues të shtetit
Ndërpritej shpërndarja nëse ishin stoqe në magazina, lajmëroheshin libraritë, nëse kishte arritur ndokund, pezullohej shitja, pse, autori kishte gabuar ideologjikisht. E priste burgu…!
Në biblioteka shkonte lista e re me libra që s’duhej të jepeshin për lexim, por të ktheheshin dhe 1 ose 2 copë të rroposeshin në fondin e zi vetëm në Bibliotekën Kombëtare në kryeqytet.
Në fabrikat e letrave, pranë “zetorëve” me rimorkio plot me kashtë, ndanë depove të punës, prisnin në radhë dhe kamionët anti bibliotekë/ anti librari/ anti libër. Malli i ndaluar zbrazej në grykë të makinerive grirëse. Dhe roja vëzhgonte aty në këmbë. Thikat copëtonin një “Lahutë Malcie”… ja, “Hylli i dritës”… edhe kockat e Fishtës, kërkëllinin të hedhura te gurët e një lumi, librat e Ernest Koliqit, “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh”, duken që në titull që i ka shkruar një i ikur, “Ura e psherëtimave” libër i verdhë, me verem…! “Gremina e dashurisë”… në greminë hodhën dhe autorin, Greblleshin…! revista “Dituria”, s’na duhet, kemi marksizëm-leninizmin,
“Njeriu”, jo ky jo, por njeriu i ri, etj, në burg autorin e këtij libri të poshtër, në burg është… shih, shish, dhe romani revizionist “Tuneli”… në tunel kush e ka shkruar…! “Një emër në katër rrugë”… rrugëve të mbetet… flakeni, “Lirishta e kuqe”… me gjak bëheni…! “Më jepni një em…”, po ta japim, dekadent, çfarë do tjetër? Mjaft i duruam.
Kur roja kthente kryet në anën tjetër a largohej për të pirë një cigare, punëtori që hidhte letërsi shqipe me lopatë në grykë të makinerisë, për t’u bërë prapë letër, karton, thasë çimentoje, harrim, nëse nuk kishte pranë ndonjë të dyshimtë nga ata që raportonin, nuk duronte pa u hedhur një sy titujve dhe emra, qenkan të huaj, Heminguej, Remark, Shollohov, Cvajg, i shfletonte… guxonte dhe grapste ndonjë fletë a libër të vogël, e fshihte ku të mundte, në xhep, te çizmet, tek torba e bukës.
Kisha lexuar libra të tillë, të hequr në grykën e dënimit nga nofullat e diktaturës. M’i kishin dhënë punëtorët. Ja, dhe ca fleta të shkulura nga revista “Nëntori”, poezi, të kujt? Të miat…!
Ai zjarr që kishte djegur librat në epokën naziste si në mesjetë, dukej sikur vazhdonte ndryshe, më i rafinuar, Shfrytëzoheshin për t’u bëre letër prapë siç shfrytëzoheshin armiqtë për të punuar burgjeve…! Sa më shumë t’i dënosh librat, aq më shumë të dënojnë edhe ata.
Specialistë kinezë sollën dhe epideminë H3N2, gripin e Hong Kongut dhe që në fillim në Tiranë pati 300 vdekje, sipas Dr. Mentor Petrelës. Por asnjë lajm në media. Ndërsa për epideminë e Revolucionit Kulturor kinez, ziente e gjithë Shqipëria.
Vendi u mbyll, u bë si një kështjellë kafkiane, për një gjysmë shekulli shtypej me force gjithçka që pengonte ndërtimin e një utopie, ku eksperimentohej modeli i njeriut të ri – kur njeriu gjithmonë është i vjetër dhe i ri vazhdimisht, njerëzor, i shenjtë dhe djall – pëshpëritej nën zë, teksa parulla-urdhër ishte që të jetohej si revolucionarët në rrethim.
Po prisheshin me radhë tradita dhe vlerat në kulturë deri dhe në marrëdhëniet e zakonshme njerëzore, teksa historia shpjegohej dhe shikohej si zhvillim i luftës së klasave, që, po e përsërit, është luftë civile në kohë paqeje, sipas meje, pra Doktrinë e Urrejtjes, e detyruar të ushtrohej në jetë dhe në artet e socrealizmit.
Monumente heronjsh dhe dëshmorësh të rinj, filma për ta e këngë e festa. Do t’i këndohej komunizmit, që s’dihej si do të vinte e a do të vinte, me dhunë revolucionare patjetër, me poema e romane, kushtuar partisë dhe diktatorit, pa lejuar të merreshe realisht me realitetin. Duhej krijuar një realitet tjetër, jo ai magjepsësi që mund të sillte arti, por siç e donte partia, politikat e saj, një si lumturi e lemerishme pa lumturi, absurde dhe vrastare, që duhej besuar si ndërtim i një jete të re, gjithmonë për të nesërmen që s’vinte. Pa të sotme.
Dhe kështu shoqëria përkeqësohej duke u bërë më egërshane, e pa civilizuar, aq sa na dukej se shpirti i shpellave të hershme po futej në apartamentet e ngushta tonat, madje dhe apartamentet kishin zëvendësuar ato shpella. Duke tromaksur kolektivitetin e vetvetes, shoqëria absolutisht nuk bënte jetë shoqërore, por i ngjante bashkimeve të dhunshme inkrimizuese, punë dhe pasiguri, aq sa dukej se shteti ngulmonte, në atë që besonte idiotërisht se, sa më i keq të ishte, aq më i fortë do të bëhej. Dhe i duhej kjo dukje.
Një shtet njerëzor do të vetë ndihej si i dobët, sentimental, humbanak, borgjezo-revizionist. Pra më mirë mos arsyetimi se arsyetimi, madje dhe furia e shkalluar për të hyrë në kafkat e të tjerëve, qoftë dhe duke i thyer ato, për të zbuluar se çmendojnë, a janë të Partisë. Pra dhunë gjeneralë për të gjithë dhe dhunë e veçantë, e çuar deri në torturë. Një zoologji ndjesish e marrëdhëniesh të pa parë, së bashku pa vetvetet, të shtojmë punën që na varfëron edhe më, pranga për të qenë më të lirë, dënime revolucionare të herëpashershme si spektakle, libra mashtrues, strese, gojë kyçje, flamurë, brohoritje, uniformitet pa fund, dëshpërues. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016