Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e gjashtëdhjetenjë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Si në filmat retro, m’u fanit një episod i largët: dy policë më zvarritnin përkrahësh dhe më shtynin drejt një burgu të zi, nga ku gufonte duhma e kërmës neveritëse. U rreka t’iu shpëtoja dhe i qëllova me shqelma sepse, duart m’i kishin kllaposur, gjithsesi rrëshqita mbi një masë bajgash, ku u lerosa mos o zot. Në çast një hingëllimë e zgjatur: “hi-hi-hiiii” u pasua nga një britmë e mprehtë: “hajt, babë, ej”! dhe nga fshikullima e një kamxhiku mbi llamarinë: “pia-uuuu”.
U-ah, paskam përfunduar “dhëndër” në karro-burgun e Xhikes!
“Deshe të vrisje njerëzit tanë, ti kodosh, këtu do t’i lësh eshtrat”! “S’e dija që spiunët dhe imoralët qenkan tuajit”!
“Oh-u-ah, sa gjëra s’di ti, or bir”!
“Or mik, të ka mbetur ndonjë pikë ujë”?
Dikush më përmendi emrin dhe theksoi “ujë”, por unë po ndeshesha me djajtë.
“M’u tha buza për pikën e ujit, or mik”! – sërish përmendën emrin dhe sërish e dëgjova, por kisha mërguar në dynjanë tjetër.
“Ujë-ë-ë-ë”! – më ulërinë te veshi.
“Ç’punë kam me spiunët unë”! – s’di me ç’gjeste i shoqërova këto fjalë.
“Varu torbën, pa më jep pagurin të njom gojën, s’e m’u tha qellza”!
“Deshe gjë ujë”? – në brendësi të kokës, më roiti një zgjua.
Shtriva dorën mbi sergjen, paguri ishte bosh. M’u kujtua bucela e Ramës, që kish ende disa litra, zhyta krahun nën shtrat, ia zgjata mekanikisht dhe u plasa sy perënduar mbi nënkresë.
“T’u rrit nderi, shok-o, dhe mos u përziej me këtë punë, se edhe pak të kanë mbetur”!
Fjalia e përsëritur më bëri esëll. Kur hapa sytë, Dash Kazazi diç fliste me Fiqon dhe Ali Hoxhën.
“Po ti këtu”? – më habiti prezenca e papritur.
“Më thau etja, por të këshilloj mos u përziej me këtë punë, se edhe pak të kanë mbetur”! – falënderoi së dyti dhe iku pa kthyer kryet. Të nesërmen, Dashin bashkë me tre të tjerë, do t’i nxirrnin me barela dhe do takoheshim mbas tridhjetë e tre vitesh, në kushte e rrethana të tjera.
Në ankthin e pritjes së agut të ri, pothuaj e kaluam tërë natën në këmbë. A do t’i gëzoheshim vallë lirisë, si dy ditët e shkuara, apo do përfundonim kufoma, siç kërcënoi zëvendësministri? Një Zot e dinte, por shpirtërisht u përgatitëm, për më të keqen.
Mëngjesi i njëzet e treshit erdhi pa fishkëllima, madje s’u ndje as krakëllima e Malos, që ish zhdukur nga qarkullimi, prej dy ditësh. Ndonëse mungesa e tij, s’merakosi kënd, sepse s’kishte miq, shkurtabiqi fierako- kosovar, ishte prezent në jetën e secilit, për mirë apo për keq, për shkak të zërit bombë.
Rreth orës tetë, më herët apo më vonë, Zoti e mori vesh, na çorën veshët kriq-friqet e altoparlantit: “Vini re! Vini re! Kush dëshiron të paraqitet në punë, të avitet te porta, kush kundërshton, le të rrijë brenda dhe të përballet me pasojat”! kërcënoi Kasëm Kaçi. O Zot, vitet rrjedhin, koha ngecka në grepçin e ndryshkur të krimit!
Pikërisht drejtori i përgjithshëm, Kasëm Kaçi, kërcënoi për herë të fundit dhe së fundi do dekorohej më 13 janar 2017, nga ministri mafioz, bandit dhe drogmen, Saimir Tahiri, për merita të pakontestueshme në shtypjen me zjarr e hekur, të Revoltës së majit 1973 dhe për ekzekutimin e katër heronjve, Hajri Pashaj, Skënder Daja, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe martirit të pestë, “Tartit”, gjithashtu edhe për kontributin në ri dënimin e mbi tetëdhjetë të tjerëve, me 1700 vite burg.
“Eh- e-e, kjo shkërdhato-demokraci horrash, i braktisi heronjtë”! – do shfrente miku im, Bajram Dervishi, mbas 28 vite vuajtjesh në burgjet enveriane. – Hajri Pashaj, Skënder Daja, Dervish Bejko, Pal Zefi, Fadil Kokontani, Vangjel Lezho, Xhelal Koprëncka e, mijëra të tjerë,s’kanë ende një varr, kriminelët Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçorr Shehu, etj. gëzojnë dekoratat e “Heroit të Popullit” dhe titullin “Qytetar Nderi”, kur duhej t’i etiketonin, pa mëdyshje: “Djaj të zinj”! Ndërsa tempulli i demokracisë, Amerika e Trampit dhe Lu-së, iu ofroi azil politik Kasëm Kaçit, me kriminelët komunistë!
Eh- e-e, për këtë shkërdhato-demokraci, paskemi sakrifikuar vitet më të bukura të rinisë! Më mirë të kishim vdekur burgjeve, si miqtë tanë”!
Në tarracën e epërme mbi shkallët e dheut, ishin rreshtuar një mizëri policësh, që mund ta kalonin numrin dyqind, kurse jashtë portës kryesore, parakalonin me hap dhe këngë rreshtore, mijëra ushtarakë të forcave speciale, ardhur enkas nga Tirana, për të shtypur kryengritjen e shtatëqind engjëjve. Disa mijëra të tjerë, kishin zënë pusitë dhe llogoret në shpatet e kodrave përkarshi.
Në hinkën e Gurth Spaçi, ushtuan marshet luftarake si mes sheshit “Skënderbe”, ku shtjelloheshin paradat madhështore, veçse himneve iu shtuan ndonjë strofë, në përshtatje me situatën. Në kujtesë më janë fiksuar dy shtojca, nga dy himne të ndryshëm.
E para:
“Ne jemi dy milion ushtarë,/ armiqve do t’iu hapim varrë,/ do t’iu thyejmë eshtra dhe koka,/ do t’i rrasim nëpër gropa”!
E dyta:
“Porosia e Enverit/ t’i hedhim në flakë të ferrit,/ gjithë armiqtë që ka bota,/ Amerika dhe Evropa”!
Kur dëgjoje këto strofa, nga goja e bishave të etura për gjak, frika katërfishohej dhe të kaplonte tmerri! Pale ato demonstrime, kur po luhej fati i qindra të dënuarve politikë, që i kishin piketuar për kurban të radhës! Grupi operativ, bash si kasapi që zgjedh më të majmin, kish përpiluar listat qysh ditën e parë, me ndihmën e kryetarit të Zyrës Teknike, të pak spiunëve dhe të doktor Kosovrastit, kurse tani po vinte momenti, t’i përditësonin në terren.
O Zot, gati më la zemra dhe më angështoi makthi, kur u përsërit thirrja:
“Vini re! Vini re! Keni edhe pesë minuta, për t’u paraqitur te porta, kush kundërshton urdhrin, do përballet me pasojat”!
Pa u shuar ende kriq-friqet e altoparlantit, u hap porta nga ku hynë Haxhi Gora, Shahin Skura, Fejzi Liçaj, Xhevdet Balla, ndjekur nga një xhumbë të panjohurish dhe nga dy batalione sampistësh, një togë me arka mbushur me pranga, zinxhirë dhe dryna, i shoqëroi gjer te shkallët, i la atje dhe dolën sërish. Ndërkohë para portës, u parkuan dhjetëra makina ushtarake, kurse të tjerat, zhurmonin tej hinkës së Spaçit fshat
Ca oficerë barkmëdhenj, zunë platformën që sundonte arenën bash si senatorët romakë, lozhat e Koloseut, me Feçorin që nxinte mes “tribunës”.
“Nisuni”, urdhëroi Zëvendësministri dhe drejtoi krahun si dirigjenti orkestrën makabre.
Kaq desh Kasëm Kaçi që urdhëroi: “Para” dhe udhëhoqi xhumbën në ndeshjen mes lirisë dhe bishave. Tarraca e rrafshit të dytë, nxinte nga uniformat e mijëra policëve. Një grup zbritën shkallët e dheut, shtrinë një gardh të parapërgatitur kariçi mbi ca këmbalecë metalikë dhe krijuan kësisoj një tip vathe, mes së cilës lanë një biçim shtegu, si barinjtë kur mjelin bagëtitë dhe u pozicionuan në dy krahët, me nga një arkë druri para këmbëve.
Policët ishin fytyra të njohura, veç cave që i kishin sjellë ndofta për dublues. Të egërsuar e të zverdhura nga inati, apo frika dhe me duart që u dridheshin nga lodhja, apo pagjumësia e tri ditë-netëve, u mbështetën pas kariçit, pa guxuar të bënin këmbë më thellë. Mbase prisnin të hakmerreshin, për nderin e nëpërkëmbur para shtatëdhjetë e dy orëve, kur bash kjo turmë kryeulur, i zboi si qentë me bishtin ndër shalë, i rrahën, iu përdhosën uniformën dhe ua flakën në hendeqe, kapat me yllin e kuq.
Kasëm Kaçi, Xhevdet Balla dhe dy të panjohur, kaptuan portën e llamarintë, iu afruan shtyllës së altoparlantit dhe vështruan rreptë të dënuarit, që heshtnin mes fushës së volejbollit. Brodhën sytë mbi krejt territorin dhe urdhëruan: “Filloni”, “Avituni”!
Policët nxorën nga arkat zinxhirët, në të cilët varej nga një kyç dy çelësa dhe lidhën të parët, ua përcollën të tjerëve krye shkallëve, që i morën zhang dhe i çuan diku, po s’mundëm t’i pikasnim, për shkak të gardhit prej llamarinash. Kësisoj dy e nga dy, shterën të epërmit.
Shumica u grumbulluan në fushë, të tjerët rendnin nga dy e nga tre fjetoreve, drejt sheshit të apelit dhe të tjerë ende çapitnin krye-rrëzuar si robër lufte dhe strukeshin cepave. Teksa te shtrunga vijonte “mjelja”, rreshtat firuan. Gjithkush synonte t’i afrohej apo largohej, iks polici, sipas raporteve që kishin pasur.
Qysh nga gjysma e parë e vitit 1968, bëheshin afër pesë vite bashkëjetesë, mes të dënuarve dhe policëve. Ndonëse ishin në role antagoniste, simbioza e detyruar, kish lenë gjurmë për mirë apo për keq, në mentalitetin e secilit, kurse koha kish ndikuar në lindjen e simpative apo antipative reciproke, sipas rastit dhe personi. Ndaj të gjithë synonin policin që iu kripej, apo rrekeshin t’i shmangeshin, atij që urrenin.
Kjo taktikë “seleksionuese”, e uli ritmin. Tashmë veç ca pleqve të rrëgjuar, që mezi hidhnin këmbët dhe cave që synonin të dukeshin se s’kishin lidhje me revoltën, duke mëtuar shkëputjen nga “rebelët plëngprishës”, që shpejtuan të dilnin në krye, të tjerët zgjodhën mënyrën që përshkrova më sipër.
Gjithsesi radha ecte ngadalë, sepse ishin shtatëqind burra.
Urdhri për rreshtim më zuri në banjë. Dola me pantallona në dorë dhe renda drejt pallatit, të merrja ndonjë krodhë bukë dhe qesen e duhanit, po në kryeshkallë më penguan Tomorët, Balliu me Allajbeun, që më vunë në mes dhe më detyruan t’i ndiqja pas të tjerëve, që shtyheshin të kapnin shtrungën. Por shumë hynë tinëzisht nga krahët dhe radha ngeci në vend. Kur u mërzita, futa dorën në xhep të nxirrja qesen e duhanit, por m’u kujtua se e kisha lenë nën kryen e shtratit. Me mungesat e përditshme, isha kalitur, ama pa duhan, m’u duk e pamundur ta shtyja ditën. Ndërkohë turma po shtohej, e ndava të shkoja në dhomë dhe të kthehesha, sa hap e mbyll sytë.
Ia dhashë vrapit pa e zgjatur, por nën mensën kolektive ndesha Zef Ashtën.
“Mos lujte mendsh, or djalë”? – më qortoi dhe shtoi kur vazhdova timen: – “Kthehu, se ke me hup”!
“Kam harruar qesen e duhanin në dhomë”! – iu gjegja në vrap e sipër.
“Ç’asht ky duhan që të ka ra n’kry, eh burrë? Mblidh mend, se ta po të marrin për rebel”!
Tashmë kisha përshkuar fushën e volejbollit dhe iu qepa shkallëve, ku sa s’u plasa me një të banduar që shqepiste mbi shkopinj si paterica dhe dy që e mbanin për krahësh.
“Kthehu ej burrë, se s’ka kambë robi brenda”! – tha njëri syresh dhe vijuan ngëc-ngëc.
S’iu dhashë xhevap, ngjita shkallaret nga dy e nga tre, zhvata qesen nga poshtë nënkresës dhe u ngrita vrik. Por, “o Zot koka”! Nga nxitini dhe pakujdesia, u godita pas kresë në shtratin e epërm dhe u plandosa në gjendje të fikti.
Pas pak një peshë më rëndoi mbi gjoks, kurse fytyrën ma lagu një brushë. Kur hapa sytë, pashë “Tartin” që më kish hedhur shputa mbi kraharor dhe më lëpinte me gjuhën e ashpër. Në fragment sekonde, u kujtova përse gjendesha aty, i shtrëngova kokën “Tartit” dhe qita nga trasta krodhën e fundit. Kur ia hodha, ai vijoi të më fërkohej pas gjunjëve dhe m’u ledhatua si ta parandiente, se s’do takoheshim më në këtë dynja. “Të falënderoj ‘Tarti’ që më shpëtove jetën, s’po zë ngoje ri dënimin e sigurt”! I largova putrat dhe renda të rifitoja kohën e humbur.
Tashmë s’kishin mbetur më se një tufë të dënuar, teksa dhjetëra policë ulërinin: “Shpejt, or tëj”!
“A ke niet me na u kundërvu, or tëj? – m’u drejtua njëri syresh.
“Jo”. – iu avita me hapa të gjatë.
“Hudhi nji ato kambë pra, se tash po t’marrim rrëshqanthi”! – kërcënoi dhe më vuri prangat.
“Lëne Ndrec, tash po e lidhim me kët qetrin”!
Fati m’u bë krah edhe këtë herë, “Mark mustakuqi”, zgjidhi Nexhat Xhaçin, një ish-oficeri kavajas, më mblodhi zinxhirin në kyçin e dorës së majtë, në të djathtën Nexhatit dhe m’u shkreh:
“Ke lujt tepelekut or tëj, që u vonove kaq shumë”?!
“Isha në dhomë, se harrova qesen e duhanit”, – u justifikova unë.
“T’u dhembka ma shumë duhani se kryet”? – hodhi çelësin në arkë dhe na dha të shtymën. Pa dalë ende krye shkallëve, dëgjuam një zë të fortë:
“A të vij edhe unë, o komisar”? – ishte Gëzim Medolli.
“Eja, Gëzim”! – e ftoi Shahin Skura dhe urdhëroi policin: – “Lidhe”!
Për shkak të zhaurimës së zinxhirëve dhe britmave, s’arrita ta shkoqitja seç mërmëriti Gëzimi, por dëgjova oficerin shalok:
“Ç’pret shoku polic, vëri prangat”!
“Shiqo mos ka ndonjë tjetër pas këtij”! – pyeti dike, duke mbajtur Gëzimin për krahu.
“Ore shoku polic, vëri prangat, se njësoj do ta marrim”! – ulëriu sërishmi shaloku. Rasti i Gëzimit tregoi, se listat ishin hartuar dhe njerëzit i kishin piketuar.
Ai ishte i fundit. Pas tij krisën çiçivetë dhe porta u mbyll, njëherësh edhe bota rreth nesh.
Py policë krye shkallëve, na morën e na drejtuan në vendin e përcaktuar që më parë. Them “i përcaktuar” sepse, njëri syresh pyeti: “Mark-a, ti i lidhe njita”? – “Po!” ia ktheu tjetri. Pas replikës, na kthyen djathtas. Me ç’kuptova, pozicionet ishin përcaktuar në emër të çdo polici, për të mos ngatërruar çelësat e kyçeve respektivë. Ca metër nga porta kryesore, na shtynë mbi një kapicë ferrash dhe trëndafila qeni, gjembat e të cilëve, na gjakosën për ibret.
Këqyra kë kisha pranë, në njërin krah, dyshja; Zef Ashta-Qani Çollaku, në tjetrin; Luan Koka me Bebi Konomin.
Mbasi nxorën edhe të dënuarin e fundit, në kamp vërshuan qindra sampistë trupmëdhenj me kundra-gaze dhe kaska mbi krye, me shufra hekuri, bishta veglash dhe shkallë kacavjerrëse ndër duar, teksa nga hyrjet emergjente, nga kampi ordiner dhe pas infermierisë së Kosovrastit, mësynë qindra të tjerë, që nisën krehjen e territorit nëpër kapanonë, depo, kuzhinën private, lavanderinë e Bozhos, klinikën e Met Karakashit, në çdo dhomë të pallatit, madje gjer edhe nevojtoret.
Pa kaluar pesë minuta, ushtoi sërish megafoni: “Dorëzohuni!”. Me ç’dukej dikush kish vendosur ta çonte në fund kuturinë!
“Dorëzohuni, dorëzohuni”, përsëritën disa herë, pastaj britmat, ulërimat dhe të lehurat e “Tartit” e mbytën tonin.
Pak çaste më vonë, hynë një togë ushtarakësh me barela bosh dhe dolën me vigje të mbuluar me mushama, nga të cilët rridhnin pizga gjaku. Barelat, që s’kuptohej në transportonin të lënduar apo kufoma, sepse asnjëri s’jepte shenja jete, i ndoqën ca ushtarakë të gjakosur, të zhgërryer e të çjerrë nga krahët e kërcinjtë, mes të cilëve binte në sy koka e përgjakur e Haxhi Gorës. S’di të them në ishin përlyer me gjakun e miqve tanë, apo ishin plagosur në përleshje me ta, por angazhimi i mjekut ushtarak dhe i Kosovrastit, fliste për gjendje serioze.
Mbas ekspeditës ndëshkimore, s’ngeli këmbë robi, përjashto “Tartin”, lehte po s’e shihte kush. Me të përfunduar kontrollin në mjediset e kapanonëve dhe dhomave të pallatit, procedurë që hëngri goxha kohë, një syresh iu raportoj eprorëve për rezultatin dhe për numrin e rebelëve që i bënë rezistencë shtetit. Ndërkaq komisari ia komunikoi Feçorit, që vrojtonte bash si strategu fushëbetejën:
“Shoku Zëvendësministër, bashkë me ata që korrën ç’ka mbollën, numri doli sagllam”! – sigurisht e kish fjalën për katër kufomat e barrelave.
Pas kësaj, Feçorri kaptoi portën dhe marshoi triumfator para taborëve të lidhur me zinxhirë. Ndali në sheshpushimin që të zbriste në kamp, shigjetoi robërit mbi ferra, por duket s’pikasi dot atë që kërkonte.
“Ku e keni atë Hajri Pashanë”? – një nënqeshje cinike i ndriti nurin.
“Këtu jam”! – Hajrua u çua përgjysmë, sepse e pengonte dora e lidhur pas tjetrit.
“Zgjidheni dhe lidheni vetëm”! – ulëriu.
Xhevdet Balla dhe dy policë, i hoqën zinxhirin, i vunë gjermankat dhe ngelën në mëdyshje.
“Ç’prisni, çojeni te shokët”! – zëvendësministri e ndoqi me sy, gjersa të tjerët e rrëmbyen si skifteri pëllumbin dhe humbën pas zyrave, nga ku oshtinë klithma dhe ulërima mos o zot, që pas pak u shuan. Tashmë diktatura po hakmerrej, ua nguli kthetrat, kundërshtarëve më të spikatur.
Katër kufomat e përgjakura, sidomos rasti i Hajriut, na terrorizuan dhe na kallën dridhmat në asht. Por ky ishte vetëm fillimi, shpejt do niste decimati.
Pas të sakatuarve apo, të vdekurve në rezistencë, Skënder Daja, Jorgo Papa, Dervish Bejko dhe Dashnor Kazazi, si dhe Hajro Pashai, i vdekur me urdhër të zëvendësministrit, plus Pal Zefi, i ndaluari që u bë shkak për Revoltën pa precedent, në gjithë Lindjen komuniste, shtuan edhe Luan Burimin, Sami Dangëllinë, Hodo Sokolin, Syrja Lamen, Paulin Vatën, Luan Kokën, dhe plotësuan dymbëdhjetën mistike, numrin që do t’i blatonte shekujve katër martirë dhe tetë heronj.
Por bisha komuniste, s’kishte të nginjur me gjak dhe me mish njeriu! Në çdo pesë gjashtë emra, veçonin njërin, e lidhnin me gjermanka dhe e hidhnin si thes byku, mbi makinën që priste sponda hapur, brenda portës kryesore. Mbushej njëra, nisej mbushej, tjetra nisej dhe nisen e nisën në burgun e Kocit, plot dymbëdhjetë copë, me mbi tetëdhjetë vetë!
Kur morën Luan Kokën që e kisha në krah, Bebi Konomin e lidhën me Tomor Allajbeun, po pas pak i zhvatën të dy, njëri pas tjetrit. Dhe vijuan pa pra! Rrëmbyen Shuaip Ibrahimin, Muharrem Dylin, Pavllo Popën, Hasan Hibon, Naim Ukën, Pal Markun, Haxhi Benën, Marash Gjokën, Dilaver Kuçin, Ulsi Pashollarin, Ndrec Çokun, Muho Currin, Gramos Spahiun, Dervish Sulën, dy vëllezërit Çoku, Çaushin dhe Bedriun, Jonus Norjen, Mërkur Babameton, Demir Pojanin, Gëzim Medollin, Bashkim Fishtën, Sotiraq Simakun, Njazi Bylykbashin, Theofilo Gjikën, Ylber Merdanin, Koço Papën, Fiqiri Muhën, Pjetër Kokën, Polikron Kalanë, Napoleon Kolecin, Qemal Demirin, Bardhyl Fejzullain, Spiro Nashon, Murat Gjonzenelin, Gjet Kadelin, Gëzim Çelën, Shefqet Gjanën, Pandi Sterjon, Sulo Veshin, Fadil Dushkun, profesorin dhe mikun tim, Zef Ashtën, që duke i vënë hekurat e kërcënuan: “Tash po e shohim se si ke me predikue në qelën e Kocit, o prift!”, pavarësisht se Ashta, ishte oficer, e morën bedel në këmbë të Zef Pllumit, që e transferuan para do ditësh, në kampin e Ballshit! Morën edhe Ferit Lopën, me mikun e vet, që tash e prapa do deklaronte haptas: “Jam politikan”!
Morën shumë të tjerë e të tjerë që për shkak të largësisë dyzet e pesë vjeçare dhe lajthitjeve të moshës, iu kërkoj falje për harresën e paqëllimshme, por vepra e tyre do ndritë ndër shekuj dhe do përkujtohet me respekt, nga brezat pasues. Me përjashtime të pakta, mund të na merrnin të gjithëve e, të shtonin kësisoj radhët e dishepujve të lirisë, sepse të tërë u solidarizuam me Revoltën hapur, apo paksa të kamufluar, por dikush dha urdhër t’i ndërprisnin arrestimet, mbase i mbushën birucat, apo iu rrezikohej realizimi i “pllanit”! Gjithsesi numri i arrestimeve na topiti, as më pesimistët dhe as ushtarakët, s’e parashihnin një batërdi të tillë. Memorie.al\
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016