Nga Hysen Selmani
Pjesa e njëzetegjashtë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonëshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Një letër e Mbretit Zog, dërguar Franklin Ruzveltit
Zoti President,
Duke ju bërë të ditur deklaratën time të fundit, lidhur me pozicionin e vendit tim, përsa i përket kësaj lufte të shpallur nga e ashtuquajtura Qeveria e Tiranës, ju parashtroj më poshtë dhe arsyet që nuk duhet marrë shumë parasysh nga Shkëlqesia Juaj:
Nuk është e nevojshme që unë të këmbëngul në faktin se pse, e ashtuquajtura Qeveri e Tiranës, nuk mund të përfaqësojë interesat e popullit tim. Do të më lejoni t’ju kujtoj se, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk e ka njohur e as pranuar këtë qeveri as de facto, e as de jure. Qeveria e Tiranës, është akoma fryt i pushtimit italian dhe për më shumë, nuk gëzon asnjë lloj kontroll për politikën e jashtme të Shqipërisë, as nëpërmjet Ministrit të Punëve të Jashtme dhe as nëpërmjet trupit diplomatik të përfaqësuar nga ai.
Është e qartë se kjo deklaratë luftë, shkakton vetëm dhunë fizike të panevojshme nga autoritetet italiane, që kanë pushtuar ushtarakisht vendin tim. Me pak fjalë, çdo deklaratë që do të dalë nga kjo qeveri, nuk mund të quhet si dëshirë dhe vullneti i lirë i popullit tim. Nga ana tjetër, unë personalisht dhe qeveria ime, që jemi të vetmit përfaqësues ligjore të popullit shqiptar, kemi deklaruar pa asnjë pengesë nga Parlamenti Kombëtar, që në momentin e parë të hyrjes së forcave italiane më datë 7 prill 1939, që ekziston një gjendje lufte, midis Shqipërisë dhe Italisë. Dhe, në 10 qershor 1940, ditën e hyrjes në luftë të Italisë fashiste, Lidhja e Shqiptarëve në Paris, ka deklaruar në emër të qeverisë time, shpalljen e luftës kundër Italisë në mënyrë publike. Në shënimin e fundit adresuar qeverisë suaj dhe asaj të Aleancës, unë, kam shprehur qartë se kush janë interesat dhe dëshirat e popullit shqiptar.
Një luftë e Shqipërisë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jo vetëm që është qesharake, por është dhe e përbindshme, duke pasur parasysh respektin që populli shqiptar, u detyrohet vendit tuaj, që ka bërë shumë për të, që nga lufta e fundit. Duke ju shprehur dëshirat dhe vullnetin tim dhe të popullit tim, shpresoj që ju të kuptoni keqkuptimin dhe shpifjen që është bërë. Shfrytëzoj këtë rast, për t’ju tërhequr sërish vëmendjen si burrë shteti dhe si burrë zemre, mbi shënimin tim të datës 23 të shtatorit të kaluar, dhe për t’ju lutur që të përdorni influencën tuaj, për t’i dhënë fund kësaj anomalie aq e padrejtë për vendin tim të vogël, i cili shpreson të gjejë së shpejti vendin e tij në Aleancë.
Ju përshëndes, Zoti President, dhe ju shpreh konsideratën time të thellë, si dhe një miqësi të sinqertë.
Letër e Faik Konicës drejtuar Mbretit Zog i I-rë
Sipas bisedimeve, kemi rënë dakord, që t’i parashtrojmë Madhërisë Suaj, këto sugjerime. Është e rëndësishme, që të formohet menjëherë një kabinet i vogël, me anëtarë kryesisht shqiptarë, që banojnë në Londër dhe që të jenë prezentabël dhe të flasin mirë anglisht. Gjithashtu, duhet që të caktohet një përfaqësues qoftë në Londër të Britanisë dhe në Washington. Dhe së fundi, duhet dërguar këtu një person i besueshëm, si i deleguari juaj, për të diskutuar për disa çështje. Do të ishte mirë që, t’i dërgosh shpejt.
Excellence, Sotir Martini
Kam marrë letrën. Parimisht jam dakord, por më duhet që të konsultoj me miqtë e mi, përpara se të jap një përgjigje përfundimtare. Kur të kem mbështetjen e duhur…?
Adresa jonë personale, është 1530 Sixtienth Street Washington.
Përshëndetje
Faik Konica
Shënim
“Vetëm një pjesë të vogël të korrespondencës po shënojmë se me i shënu të gjitha, vetëm ato formojnë një volum. (Hysein Selmani)
Gjithashtu edhe pjesët e memorandumeve e notave, nuk do t’i shënojmë. Kjo do të bëhet vetëm nga një pjesë të vogël. Por, kush të dëshirojë me i lexu, le të drejtohet në Oborrin Mbretëror Shqiptar. Se, në arshivën e tij, gjenden të gjitha, e çdo lloj dokumenti, si më parë, ashtu rreth Luftës së Dytë Botërore”.
Ekselencës së Tij, Franklin Ruzvelt
Duke vazhduar me komunikimin tonë të mëparshëm dhe në cilësinë e autoritetit të vetëm legal të Shqipërisë, unë kam nderin që t’i bëj Ekselencës Tuaj, komunikimin e mëposhtëm:
Shqipëria formalisht dhe shumë bindshëm, ka pranuar marrëveshjen e përshkruar si Deklarata e Kombeve të Bashkuara, që është nënshkruar në Washington në 1 janar të vitit 1942. Unë i lutem Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ka depozituar deklaratën e mëposhtme, që të marrë parasysh justifikimin e vendit tim për të gjitha qëllimet.
Në të njëjtën kohë, unë i kërkoj Ekselencës Suaj, që të pranoj situatën e Shqipërisë, për iniciativën e marrë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe Aleatët, për të siguruar Triumfin e të Drejtave të Njeriut dhe Drejtësinë Ndërkombëtare.
***
Zotni Kryetar,
Nga gazetat, që m’u dërguan prej Amerike, mësova se kini formuar një organizatë me qëllim për të mbledhun fonde për të ndihmuem popullin tonë në rastin e volitshëm.
Me kënaqësi, pash se përfundimet e vjetit të parë të veprimtarisë suaj, kanë qenë aq të mira, sa që ju japin kurajë për të vazhduem këtë vepër patriotike.
Ju përgëzoj nga zemra dhe jam i bindun, që çdo shqiptar, e ka për detyrë të bashkohet me ju, në këtë përpjekje njerëzore.
Ju uroj plotë sukses dhe ju dërgoj të falat e mija.
Zotnis tij Nicholas J. Prift
ZOG I
Madhnisë së Tij Zog I-rë
Mbret i Shqiptarëvet,
Madhni,
Jepmani leje, të shfaqim kënaqësinë që ndjemë dhe inkurajimin që muarrmë me anën e letrës së Madhnis Suej, duke përgëzuar nevojën për themelimin e organizatës mirëbarëse dhe Kombëtare “Albanian-Relief Fund”.
Shikojmë çdo shpresë, Madhni, se çdo bashkatdhetar nuk do t’ja kursejnë përçapjes tonë ndihmën e tij dhe kemi besim të patundshëm se, “Albanian Relief Fund”, do ta realizojnë idealin e saj në një Shqipëri të çliruar.
431. So.Huntington Avenue Me nderime
Jamaica Palin Mass.
Nicholas Prift
U.S.A. Chairman
Madhnija e Tij, Mbreti Zog, i dërgon një telegram me udhëzime kolonel Husein Selmanit, në Legatën Shqiptare Istanbul:
I dashtuni kolonel,
Excellenca e tij, Asaf Xhaxhuli, do ju vejë në korrent mbi situatën, që i takon çështjes nacionale. Gjithashtu, edhe mënyrën e situatës që ju impozon.
Kujtoj se, personat që ndodhen aktualisht jashtë Shtetit tonë, vuajnë si ekonomikisht dhe moralisht. Ata do të jenë më të nevojshëm, kur koha të vijë dhe të jenë brenda në Shqipni. Prandaj, kujtoj që nuk duhet me i mbajt jashtë. Vetëm ata, që do të jenë absolutisht të nevojshëm. Dhe për këtë, kam caktuar një ndihmë të vogël, me sa është e mundur me dhanë.
Tue i lanë të gjitha çështjet personale me një anë, konsultoni ju me Zotnin e tyne Musa Jukën, Abdurrahman Matin e Murat Kaloshin. Dhe, shifni përveç këtyre, që thamë më lart, gjeni 2-3 të tjerë, që do t’i pëlqeni e t’i shifni të nevojshëm, për me i mbajt aty. Njiherit, me shkroni edhe opinionin tuej.
Shpresoj, të kem prej jush, lajme gjithnjë. Me kaq, ju dërgoj të falat e mija ma të përzemërta.
London Palmoor on Henley
Thamas 29 Kallnuer 1942 ZOG I
Tani sa morëm një raport nga Shqipëria, ku na deklarojnë, mbi gjendjen shumë kritike të krijuar tani në Shqipëri. Dhe më tepër në radhët e brenda Mbretërorëve:
- Në mes të Mbretnorëve, kanë filluar grindjet. Aq sa, kanë humbur besimin në mes njeri tjetrit. Ata vetëm përpiqen me diskredituar njeri tjetrin, e jo të organizohen. Në rast se nuk vini ju vetë këtu, ne jemi krejtësisht të shkatërruar. Kjo kërkohet, sepse njerëzit tanë, sot nuk pranojnë më, as këshilla dhe as udhëzime. Se po të vini ju vetë këtu, kemi bindjen se do të arrihet, jo vetëm organizimi i Mbretnorëve, por edhe bashkimi përgjithësisht dhe me grupet e tjera dhe sidomos me atë Nacional-çlirimtares.
- Siç ju kemi lajmëruar: Nacional-çlirimtarja, është fare mirë e organizuar, por e ndarë në tre grupe. Ndër këto, janë më të fortët sot, grupi komunist, që administrohet e stërvitet nga organizatorët e Kominformit jugosllav e rus. Kurse, po të vini ju këtu, me siguri grupi nacionalist, do të bashkohet me ne.
- Balli Kombëtar është deri diku i organizuar. Por, vëllavrasja me Nacional-çlirimtaren, e ka dobësuar së tepërmi. Kjo sepse, ata janë shumë më të organizuar dhe të disiplinuar dhe zotërojnë armë më të mira. Po ashtu është, edhe ndihma nga jugosllavët dhe njëkohësisht edhe aleatët me propozimet e Marshallit Tito. Edhe këshilltarët britanike e amerikanë, më tepër, përkrahin po ata. Megjithëqë, ata nuk shfaqin nevojën se janë krejtësisht të lidhur me udhëzime e organizime, me Kominformin ruso-jugosllav. Kjo ndodh sepse me ata, kanë si një aleancë bashkëpunimi, qysh kur u nënshkrua në Bihore, nga grupi komunist shqiptar me atë jugosllav.
- Vëllavrasja është përhapur aq keq në mes ballistëve e Nacional-çlirimtares, saqë janë shkaktuar dëme të mëdhaja në popull. Kjo, edhe vjen duke u shtuar gjithnjë. Këtu fiton armiku, që mbetet i qetë nga luftimet, që ndodhin në mes njeri tjetrit, ku ka vrasje, djegie, grabitje. Sepse kjo gjendje, ka filluar edhe në katunde e familje dhe është shumë keq.
- Ne, deri më sot, nuk kemi asnjë grindje në mes grupeve. Pra, si me atë të ‘Ballit Kombëtar’, si dhe me atë Nacional-çlirimtaren, shkojmë mirë. Vetëm se asnjërit nuk ju japim ndihmën, sepse nuk kemi dashur, që të armiqësohemi në mes të vëllezërve tanë shqiptarë. Ne duam të luftojmë okupatorin, që na ka zaptuar vendin e jo njeri-tjetrin.
- Siç ju kemi pas vënë në dijeni, këtu në luftime në mes njeri tjetrit është ‘Balli Kombëtar’ me Nacional-çlirimtaren. Por, edhe ata, që nuk janë me këto, po direkt me Qeverinë armike dhe ata luftojnë kundër Nacional-çlirimtares, përbri ballistëve. E dëmet janë aq të tmerrshme dhe sidomos në Jug. Tani ka filluar edhe në Dibër, mjaft rëndë kundër Nacional-çlirimtares, d.m.th., kundër komunistëve dhe të tjerëve, grupeve të Nacional-çlirimtares. Sepse edhe ato administrohen po të njëjtët, prej Kominformit ruso-jugosllav.
- Kujtojmë se, ju vumë mirë në dijeni. E nuk po shkojmë më gjatë, se ju na njihni mirë si ne dhe ata që po ngatërrojnë i njihni mirë. Por, kur të jeni ju vetë këtu, ata më nuk guxojnë të bëjnë të tilla ngatërresash, që na sollën deri në këtë shkallë. Madje, edhe sot që jemi me turp e, nuk dimë për t’u sqaruar edhe përpara masës tonë.
- Një pjesë e madhe, që lozin rol, shikojnë dhe studiojnë me një kujdes të madh gjendjen tonë aq të mjerueshme, që na sollën disa persona për ambiciet e tyre personale. Ku ne ishim të bashkuar në kulm dhe në harmoni dhe mendonim organizimin. Por, po të vini ju vetë, kemi bindjen e plotë se organizimi i disiplinuar ka për të mbërritur, po si ai që kishim në Jugosllavi. Prapë fuqia jonë është tepër superiore me ato grupet e tjera. Këtu që na prishin, janë vetëm disa krerë, që nuk pajtohen njeri me tjetrin. E, në rast se nuk vini ju këtu, ne nuk mbajmë me asnjë përgjegjësi. Jemi vetëm me oficerët. Rroftë Mbreti.
Duke mbetur në një përgjigje të shpejtë, ju urojmë gjithë të mbarat e ju përshëndesim me nderime të veçanta.
Sul Kurti, Dyle Allamani, Jusuf Selmani, Jusuf Çela, Major Murat Basha, Major Jahja Çaçi, Selman Mena, Jashar Lela, Beqir Devishi, Hafus Hasa, Bilal Kola, Sali Lloni, Ali Kurti, Rahman Hysa, në emrin e të gjithë shokëve.
Tiranë, 12 Shkurt 1942
Me nderime, Gafuri d.v.
Këtë raport tekstualisht, ja parashtrova Madhnis së Tij, Mbretit Zog në Londër. “Dhe, mundësisht, siç ka për ta parë edhe vetë, është e domosdoshme shkuarja ime në Shqipëri, – beson adjutanti. Se, për ndryshe, do të jemi të shkatërruar ku ka mbërritur gjendja”. Në rast se ka mundësi që të rregullohet me Qeverinë Britanike, ku kujtoj se do të jetë dhe në dëshirën e tyre me një program, që ata ta shohin të nevojshëm. Kam bindjen se, do të mbërrijmë bashkimin me të gjitha grupet, në një komandë të vetme, për të luftuar armikun dhe për të qenë si një pararojë e Armatës Britanike.
E përjavshme New Times, end Ethiopija News
“Më 14.02.1942, nën titullin: ‘Lirija e Shqipnis’ e përkthimin e thirrjes së Mbretit Zog I-rë, shkruhet: Ethiopia, e cila me gjithë që anëtarë e Lidhjes së Kombeve, e pësoi prej sulmit fashist italian dhe u sakrifikua për një kohë prej Lidhjes së Kombeve, ka natyrisht një simpati të madhe për Shqipërinë. E cila është edhe ajo flije e sulmit fashist, në një kohë kur Lidhja e Kombeve, ka rënë kaq keq. Në Shqipëri, si ne vendet e tjera Europiane, ekzistojnë lëvizje të së majtës dhe të së djathtës, mbi çështjet e brendshme. Por, gjithë shqiptarët me zemër të mirë, kanë shpresën për lirimin nga sundimi Italian. Mbreti Zog I-rë, i cili pas një rezistence të shkurtër me armë, kundrejt fuqisë së madhe fashiste, e la vendin, bëri tani se fundi deklaratën që pason në favor të një eforti shqiptar, të bashkuar për çështjen e përbashkët”. “Kjo thirrje është e bërë mirë, sepse, po marrim vesh se Peshkopi Noli, u bashkua me frontin e përbashkët. Disa elementë të tjerë shqiptarë, sipas informative që kemi, dëshirojnë disa garanci të tjera, për të siguruar parimet demokratike.
Nuk duhet të mohohen garanci të arsyeshme, por jo pa arsye. Nga ana tjetër, nuk duhet edhe të lejohen, që diferenca partish, të dobësojnë ose të sabotojnë kontributin që shqiptarët me trimëri po e bëjnë luftën e përbashkët, kundrejt boshtit. E cila është e domosdoshme, për lirinë dhe për mirëqenien e tyre. Dhe, për atë të të gjithë demokracive. Të gjithë, duhet të kujtojnë se; bashkimi bën fuqinë dhe se fashizmi, do të jetë fitues prej çdo mosmarrëveshje, midis shqiptarësh. Shqipëria ka qenë e pranuar, si një anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe prej të cilës, kishte të drejtë të mbrohet, nga u sulmua pabesisht prej diktaturës së Musolinit. Protestuan legalisht dhe me armë. Që nuk pati ndihmën e besuar, i detyrohet faktit që Fuqitë e Mëdhaja, që kryesonin Lidhjen, dhanë dorëheqjen prej saj kur ndodhi sulmi fashist Italian, kundrejt Shqipërisë”.
Mbreti Zog, duke cituar kujtimet e adjutantit – shton duke thënë se: “nuk e them për të mburrur bashkatdhetarët e mi, por Shqipëria është çelësi i Ballkanit. Ai është vendi ideal për zbarkim te forcave Aleate, në një ekspedicion, për të sulmuar anën më të prekshme të Gjermanisë”. Skena e fjalimit të Mbretit Zog, që kanë qenë në një sallon të Hotelit të famshëm në “West End”, ishin: “Kam qenë dëshmitar i martirizimit tonë prej bombave, – tha Mbreti Zog,- si shumë të tjerë. Kujtoja Britaninë e Madhe të forte, duke menduar forcën materiale të saj dhe pasurinë e saj. Por tani, kujtoj që forca e popullit britanik qëndron në karakterin dhe në durimin e tij, si një forcë që është morale dhe jo materiale, për një popull të lartë”.
Po në këtë kontekst, Mbreti Zog, ka thënë se; tre vjet kaluan që kur Shqipëria u sulmua padrejtësisht prej Italisë fashiste. “Dhe me 10 Qershor 1940, kur Italia deklaroi luftë kundrejt Britanisë së Madhe dhe Aleatëve të saj, Shqipëria, përsëriti zyrtarisht deklaratën e saj të luftës, kundër Italisë fashiste. Ky fakt historik, nuk mund të bëhet asgjë prej rrethanash, të cilat deri tani, ndaluan pranimin e Shqipërisë, si anëtarë të aleatëve e aleancës së madhe të demokracive. As qenia e Shqipërisë dhe as legaliteti i përfaqësuar shqiptar në mërgim, nuk mund të mohohet prej shteteve, të cilët pretendojnë se bëjnë një luftë të shenjtë, drejt drejtësisë dhe ligjit. Indipendenca e Shqipërisë, u njoh prej traktatit të Londrës, i cili i vuri fund luftës ballkanike. Ajo u njoh prej konferencës së Ambasadorëve dhe pasi kufijtë e saj u caktuan prej një komiteti ndërkombëtar, ajo u pranua në shoqërinë e Kombeve në Dhjetorin e vitit të 1921. Autoritetet shqiptare, që janë tani në mërgim, janë përfaqësuesit e vetëm të Shqipërisë, të cilët kanë mandatin e popullit të tyre. Pushteti i tyre, u konfirmua brenda një Shqipërie prej zgjedhjeve konstitucionale të shumta dhe jashtë prej njohjes të gjithë shteteve të Monarkisë Statuore. Tani Shqipëria, gëzon akoma një farë grade përfaqësie diplomatike”.
Asnjë shtet nuk ka njohur me ligj zaptimin fashist,- ka thënë Mbreti Zog – të Shqipërisë. Edhe sot akoma vendi im, i cili ka qenë i pari që rezistoi kundrejt invadimit të armatosur, me armë në dorë, nuk është i poshtën. Italianët, nuk munden të bëjnë që të mbretërojë në vullnetin e tyre në mbarë vendin. Pra Shqipëria, gjendet po në atë anë të barrikadës, ku janë edhe britanikët, amerikanët, polonezët, grekët dhe jugosllavët dhe të gjithë popujt që luftojnë për demokracinë e lirinë. Me grekët dhe me jugosllavët, Shqipëria formon një pjesë të shumicës së madhe të popujve ballkanikë, që janë të angazhuar në këtë luftë, për çështjen e përbashkët.
Gjithë shqiptarët, brenda ose jashtë kufijve, tanë kanë mendjen mbi këtë pikë. Nuk kemi asnjë konflikt me grekët. Gjatë 25 vjetëve të indipendencës së saj, Shqipëria, i provoi botës, që ka të drejtë të jetojë e lirë. Më 1920-ën, vendi ka qenë praktikisht pa shkolla, pa rrugë dhe ishte e mbushur me malarie. Me 1939-ën, kishte 700 shkolla dhe 75.000 nxënësa, prej të cilëve, një e treta ishin vajza. Shqipëria mund të bëhet e lirë dhe e lumtur me pasuritë e saj minerale dhe me punën e popullit të saj. Ka nevojë vetëm prej kapitalit. Mbreti Zog, ka konfirmuar se jemi vetëm një popull i vogël, gati një milion e gjysëm. Vetëm, se nuk duam të ekzagjerojmë rëndësinë tone, në kuadrin Europian. Por, megjithëkëtë, në një kohë krize kur kontributi edhe i një individi, ka vleftën e saj, ndihma e një kombi luftëtarësh, nuk mund të mos quhet asgjë. Besoj, tha Mbreti Zog – se drejtësia do të fitojë në këtë luftë dhe pa ndrojtje do të them se, frytet e fitores dhe të drejtësisë, do të jenë për të gjithë ne”.
Kështu foli Mbreti Zog I-rë, në një bisedim që pati me Zotni Feorges Slocombe dhe Z. Norman Hillson, të cilët i bënë shumë sugjerime, ku Mbreti, i kishte dhënë Britanisë Madhe dhe Amerikës, pa reshtur nota, për njohjen e Shqipërisë në kampin e aleatëve të luftës, dhe të Qeverisë Shqiptare, që ishte në Stamboll dhe sa u përket shqiptarëve në mërgim. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016