Nga Adelina Gina
Pjesa e gjashtë
–“Të kam qarë si të vdekur, të kam pritur si të gjallë”-
Memorie.al / Shpëtim Gina, i diplomuar në degën e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, në vitin 1974, dramaturg, skenarist dhe libretist, në fillimin e viteve ’70-të, falë talentit të jashtëzakonshëm, me punën, veprat dhe krijimtarinë e tij, “tronditi” institucionet artistike të Tiranës, si; Teatrin Popullor, Teatrin e Operës dhe Baletit, Institutin e Lartë të Arteve dhe Radio-Televizionin Shqiptar. Ishte një nga më të kërkuarit e shefave dhe drejtuesve të lartë të këtyre institucioneve. Në periudhën kohore 1971-1974, ai la gjurmët e tij, pasi kishte bashkëpunuar ngushtë me disa prej emrave më në zë të asaj kohe, si: Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli, Pirro Mani, Mario Ashiku, Zhani Ciko, Nikolla Zoraqi e regjisorin Mevlan Shanaj dhe operatorin Pali Kuke. Por gjurmët që ai la në këto institucione kulturore dhe artistike, fatkeqësisht humbën në heshtjen zyrtare të regjimit komunist?! Në gushtin e vitit 1974, Shpëtim Gina, humbi jetën në rrethana të pasqaruara, duke u mbytur në dy pëllëmbë ujë, në lumin Drojë të Mamurrasit, (ku po kryente zborin ushtarak së bashku me studentët e tjerë), dy ditë më parë, ai i kishte vënë një fletë-rrufe, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë! A ishte vërtet ajo një vdekje aksidentale, apo Shpëtim Ginën e eliminoi Sigurimi i Shtetit?! Përse “shoku” i tij që ishte me të deri në momentet e fundit, deklaron se; “Kufoma që u mor në autoambulancë, nuk ishte Shpëtimi?! Apo mjeku i repartit ushtarak të studentëve, Mark N., i cili shprehet: “Shkuam menjëherë në vendin e ngjarjes, por nuk e gjetëm trupin e Shpëtimit”?! Po familja e tij, përse insiston, se; “Nuk na lejuan ta hapnim arkivolin para varrimit kur e sollën në shtëpi dhe vite më pas, e hapëm varrin në ‘Qytetin Stalin’, për ta sjellë në Tiranë, ku ishim transferuar familjarisht, ato eshtra, nuk ishin të Shpëtimit, pasi mungonin…”?! Shumë pyetje, që nuk kanë marrë ende një përgjigje! Motra e tij, Adelina Gina e diplomuar për gazetari në fundin e viteve ’60-të, në një libër të saj me titull; ‘Ku e çuat Shpëtimin’, të botuar në SHBA.
Ishte herët, një mëngjes i m’vrejtur dhe ata njerëz që na përcollën, ishin si të ngrirë. Vetëm kur hipëm në makinë, unë psherëtiva e lehtësuar. Gjatë kthimit mendoja: “Ata po i kontrollojnë lëvizjet e mia. Duhen porositur Mira me Petritin, që të jenë të kujdesshëm”. Nuk kishin kaluar as dy javë nga kjo ngjarje, kur Petriti me tregoi, se kur po kthehej nga shkolla, në bulevard po ziheshin dy veta, u ndodha dhe unë rastësisht aty. Një burrë i moshuar, m’u afrua dhe më tha: “Mos je nga Berati”? “Po”, thashë unë. “E kuptova kur fole”, tha burri dhe vazhdoi: “I kujt je”? I thashë emrin e babait. Burri tha: “Ashtu! po unë e kam mik”. Ecëm një copë rruge dhe ai më kërkoi që të takohemi pasdite. “Ky është njeri i Sigurimit, – thashë unë, – si mendon ti?”.
“Dhe unë ashtu mendoj, – tha Petriti, – se unë as fola, ndërsa ai tha, se më njohu nga jam, nga e folura”! Unë e di, im vëlla mezi flet, është tepër i heshtur, ta paguash si i thonë fjalës e, nuk e nxjerrë një fjalë. “Po të tha si quhet”?, e pyeta unë. “Po, e kishte emrin Pirro dhe tha se ishte mësues dhe se punonte në një shkollë nate. Ka një shenjë në faqe”, vazhdoi Petriti. Nuk kishte asnjë dyshim, ky ishte një provokator. Ja si po na vinin miqtë. E biseduam të tre. E porosita Titin, të ishte i kujdesshëm. “Mirë, shko takoje, por ec vetëm në vende me dritë dhe ku ka njerëz”.
Atë kohë, në “Rrugën e Barrikadave”, ka qenë një lokal i quajtur “Liria”, plot tym dhe njerëz, një lokal i rëndomtë, ku servirej birrë, raki dhe bërxolla me sallatë. Në këtë lokal, e futi shoku i babait, vëllain. Sa u ulën, i zgjati paketën e cigareve. “Nuk e pi”, tha Titi. Pastaj porositi dy dopjo raki dhe bërxolla. Petriti, në ndryshim nga Shpëtimi, që hante vetëm pasta, që i vogël ka pasur dëshirë të pijë nga pak. Dhe kur e vë buzën në gotë, të duket sikur nuk pi, por jo vetëm që pi, por dhe e mban pijen. Mbasi mbaroi dopion, shoku i babait midis të tjerave e kishte pyetur Petritin, për vdekjen e Shpëtimit. Si ka mundësi që të mbytet në aq pak ujë, e kishte provokuar ai. Petriti i ishte përgjigjur, se i kishte rrëshqitur këmba dhe ishte rrëzuar. “Pse kaq budalla ishte ai”?, kishte vazhduar provokatori.
“Po ka pasur dhe plot raste të tilla”, kishte thënë Petriti. Kur ishin ndarë, e kishte porositur, që të më kishte kujdes, se unë blija shumë cigare. Unë po prisja me zemër të ngrirë, kthimin e tij. Gjatë asaj kohe, kushedi sa herë mallkoja veten, që e lashë ta takonte provokatorin. Petriti tregoi me hollësi për takimin. Ai e kishte kaluar provën. Qeshëm me shokun e babait, mësuesin, që i ofroi Petritit, një gjashtëmbëdhjetëvjeçari, cigare dhe raki. “Duket se ai nuk njeh as psikologjinë e mësuesit”, thashë unë. Më vonë, kur ne morëm shtëpi dhe babai erdhi në Tiranë, vëllai e takoi rastësisht “shokun e babait”, njeriun me shenjë, dhe e ftoi në shtëpi.
Ai premtoi se do të vijë dhe u zhduk. Babai tha se kurrë s’kishte njohur një njeri të tillë! Petriti nuk e takoi më njeriun me shenjë. Gjithmonë, kur bie fjala se nuk është mirë të pish, ai thotë: “Po sikur unë, të mos e mbaja dopjon atë natë, çdo të bëhesh, pra duhet të mësohesh të mos dehesh, se ku i dihet si vjen puna”.
Kjo ishte një vdekje e çuditshme. Një muaj pas saj dhe babai kishte bërë përpjekjet e veta. Me anë të njerëzve të tij, gjeti mundësinë t’i shkonte Prokurorit të Përgjithshëm, në shtëpi. Ai e priti mirë dhe dëgjoi ankesën e babait. Babai i tregoi ngjarjen, si ia kishin thënë. Ajo ndodhi me 15 gusht, rreth orës 12 e 30 minuta. Rreth orës një të asaj dite, është nxjerrë nga uji, i kanë hedhur sipër një kanotiere dhe e kanë lënë shtrirë përdhe, deri në orën nëntë të darkës, që të vinte mjeku ligjor. Kjo zonë i takonte Krujës. Mjekun mezi e gjetën, prandaj dhe e lanë aq orë mbërdhe. Pastaj ai, është çuar në spitalin civil, ku i është bërë autopsia.
Babai shtroi dy çështje. Pakujdesia e hetuesisë së Krujës, sepse pas dy ditësh, Mani solli copa sapunësh, gjë që këtë duhet ta kishte bërë hetuesia. Duke e lënë kaq gjatë, natën, ajo hetuesi, nuk kishte çfarë të shihte dhe se Dhori H., i vetmi dëshmitar në vendin e ngjarjes, nuk u muarr në pyetje, por iu dha leje të shkonte dy jave në shtëpi, se ishte tronditur. Prokurori i quajti të drejta ankesat e babait, ia kërkoi me shkrim dhe kur babai ia dorëzoi ato në zyrë, ai i kërkoi babait, lejen që të rihapej varri, për t’u bërë përsëri ekspertiza. Babai pranoi. Kaloi një muaj, asnjë përgjigje.
Babai shkoi në Prokurorinë e Përgjithshme. Atje i thanë se prokurori, ishte transferuar në Vlorë dhe se çështja i kishte kaluar zëvendës prokurorit. Ai i kishte tërhequr vëmendjen hetuesisë së Krujës, për neglizhencë dhe i tha babait se hetuesia e Krujës, nuk pranon të rihapet varri. Çështja u mbyll. “Diçka duhet bërë, tha babai, që çështja të hapet. Për mendimin tim, largimi i prokurorit “lidhej me ngjarjen”. Kështu ai i drejtoi hetuesisë së Krujës një ankesë, ku paraqiste një dyshim të tillë: “Mbase ka ndodhur një vrasje me motive dashurie?! Dhori e ka dashur Anën më parë dhe tani për motive xhelozie e ka mbytur Shpëtimin”. Nuk kaloi shumë kohë pas ankimit dhe ne na thirrën në hetuesinë e Krujës.
Sapo kishim mbërritur, kur nga një makinë e kuqe zbriti Ana. Babai hyri në hetuesi, unë nuk zbrita nga makina. Ajo erdhi dhe u ul me mua në makinë. Ndezëm nga një cigare, unë rrija si mbi gjemba, se ajo mbase do të më pyeste dhe do të hapej biseda që ajo po përdorej, për të zbuluar ngjarjen. Dihesh se dyshimi i babait, ishte vetëm një pretekst, për të hapur procesin. Afër makinës, kaloi një djalë i veshur pastër e me kujdes, ajo hapi derën e makinës dhe nxitoi drejt tij. Ai i buzëqeshi. Ajo iku me të. Në makinë harroi çantën. Isha vetëm unë dhe Ramizi, shoferi i gazetës. Nuk e di se çfarë më shtyu, por unë hapa çantën e saj dhe ndodhi më e pabesueshmja: aty gjeta një fletë të shtypur, një pjesë nga dramat e Shpëtimit.
Personazhi fliste për një vetëvrasje dhe se i ishte mërzitur jeta. Unë ngriva. Po kjo ku e gjeti kjo këtë fletë?! Përse i duhet me vete?! Që ishte shkrimi i Shpëtimit, nuk kishte asnjë dyshim, kuptohej sepse ishte stili i tij konçiz. Në kohën që po e fusja në çantën time letrën, vështrimi im u ndesh me atë të Ramizit. Vetëm kaq. Ai bëri sikur nuk vuri re gjë, nuk e di se çfarë ka menduar, por me siguri në fytyrën time, ka parë shprehjen, se unë kisha të drejtë. Ana erdhi pas pak dhe mori çantën. “Cili ishte ai djali?” e peta unë. “Shefi i hetuesisë, e kam pasur shok”, tha ajo dhe doli.
Rrija brenda në makinë, prisja babain. Kaloi një orë. Pranë makinës vente e vinte një djalë i ri, nja njëzetë e pesë vjeç, dukej i shqetësuar. Iu afrua si pa mend makinës, u pamë sy ndër sy dhe u zmbraps. Bëri dhe një xhiro në atë copë vend dhe hyri përsëri në ndërtesën e hetuesisë. Pas tri orësh, babai erdhi i shoqëruar nga dy veta. U përplas në makinë, buzët i ishin shkrumbëzuar. “Nisemi”! tha. Gjatë rrugës ne të dy, nuk këmbyem asnjë fjalë. Në shtëpi ai tregoi se çfarë ndodhi në hetuesi. “Gjatë gjithë kohës, më mbajtën me cigare, më pritën me respekt. Ishte krye hetuesi dhe një hetues i ri. Kërkova të lexoj ngjarjen në dosje. Ishte po ajo histori, që Dhori nuk e nxori dot, u nis dhe gjeti rrugës një bari, as në dosje nuk figuronte emri i tij.
Meqenëse mungonte mjeku ligjor, e lanë tek vendi i ngjarjes, deri më nëntë të mbrëmjes. E çuan në spitalin civil dhe i bënë autopsinë. “Unë iu shtrova këto çështje, tha babai. Përse nuk u pyet dëshmitari kryesor, Dhori, po u la të shkonte me pushime në shtëpi, se ishte shumë i shqetësuar. E dyta, ju shkuat atje në orën nëntë të mbrëmjes. Çfarë patë ju, se Mani na solli copat e sapunit, nga vendi i ngjarjes? Në këtë kohë, kryehetusi më tha: “Pa të rrijë urtë ai, Mani, se i hedhim hekurat. Se kemi dëgjuar që ka thënë poshtë e përpjetë, se ka parë lezione tek Shpëtimi”. Unë protestova, kjo është gënjeshtër. Mani ka ardhur ditën tjetër, pas varrimit dhe s’kishte si të thoshte gjëra të tilla. E treta dua të di, se çfarë nxori autopsia”.
Thirrën mjekun ligjor. Ai tregoi se çdo organ ishte në rregull dhe se vetëm kishte pirë pak ujë. “Dëgjo, – i thashë, – sipas ligjeve të fizikës, kur hapen alveolat, ose pihet tamam, ose nuk pihet fare”. “Epo kishte pak lëng, tha doktori, mbase ishte ushqim”. Pyetje pas pyetjesh ai, doktori, filloi ta ndjej veten keq, sa i kërkoi leje hetuesit, të dilte jashtë, se po i dhimbte koka. “Lëre, i thashë, është më i shqetësuar se unë, i ati”. Kur doktori doli, krye hetuesi më tha: “Ky ka përgjegjësi, në qoftë se nuk e ka bërë autopsinë mirë, i hedhim hekurat”! Doktori ishte ai djali, që vërtitej i shqetësuar pranë makinës!
“Mendimi im është ky, – tha babai. – Ai doktori, nuk ka bërë autopsi, ka hedhur vetëm firmën. Emri i bariut nuk figuron, është personazh i trilluar. Më thanë se kur shkuan, e gjetën të veshur me mbathje të bardha dhe sipër i kishin hedhur një kanotiere të bardhë. Ti ke thënë se ai kishte mbathje blu dhe kanotiere të verdhë. Ata u përpoqën të më thonë, se mbase ka vuajtur nga epilepsia dhe ka rënë në gropën e ujit. Këtë ua mohova kategorikisht.
Pastaj kaluan tek varianti i vetëvrasjes. “Jo, u thashë, im bir e donte jetën, me vete kishte marrë të punonte dramën, ai nuk thyhej lehtë”. Anës unë nuk ia zura në gojë, se çfarë gjeta në çantën e saj dhe se ku e kishte gjetur ajo fletën, por dhe ajo nuk më tha gjë. Të dyja e kaluam ngjarjen në heshtje. Pas shumë përpjekjesh, ne muarëm shtëpi tek “Rruga e Elbasanit”, afër “Qytetit të Studentit”. Dritaret e saj binin nga pylli, dëgjoheshin zërat e zogjve, ishte qetësi. Më në fund ishim të katër bashkë.
Mira ishte e preokupuar për leksionet, studionte vazhdimisht dhe Titi përgatitej çdo ditë, kurse mua më duhej të luftoja në gazetë, ende s’më kishin larguar, po unë e ndjeja se po afrohej çasti. Nuk më vinte dhe aq keq se po më hiqnin, por nuk gjeja arsyen, përse më hiqnin, si ishte puna?! Në një nga ato ditët, kur ishte bërë mbledhja e redaksisë dhe Sofua kishte thënë diçka, iu drejtova Mantho Bala, zv/ministër i Kulturës, që ishte dhe sekretar i byrosë së partisë së dikasterit, dhe duke dashur të di të vërtetën e largimit, kërkova një mbledhje të hapur të organizatës së partisë, ku të merrte pjesë dhe gazeta.
Pesë minuta para mbarimit të orarit zyrtar, u njoftua për mbledhjen, në të cilën merrte pjesë dhe vetë ministri i Arsimit. Ministri, që në fillim të mbledhjes, filloi të më merrte me të mirë. Redaksia heshti. Kozmai, sekretari i kolegjiumit, hodhi tezën, se po më largonte, se në gazetë janë shkurtuar faqet e kulturës dhe se unë mbuloja këtë sektor. Të gjithëve u ndriti fytyra.
E gjetën shkakun. “Mirë, – u thashë, – por unë jam njësoj si shokët e tjerë të gazetës, kam kryer të njëjtën shkollë. Shumë mirë që krahas problemeve të arsimit, njoh dhe artin e kulturën”. Nuk ditën të më përgjigjen. Mbledhja zgjati. E kuptoja, nuk po më hiqnin këta që flisnin, që gjenin argumente. Dikush tjetër më hiqte. Pse?! Kur mbaroi mbledhja, tek dera rrinte Peçi, si një qen i rrahur. Ishte shumë i shqetësuar. Ai nuk kishte arritur të merrte vesh, se do të bëhej një mbledhje e tillë, mbase ata, ustallarët e tij, kushedi se çdo t’i thoshin. Ai ishte punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Bëra një plan. Vendosa të shkoj deri në strofullën e bishës dhe të provoja ta drejtoj, sipas planit tim. Kjo gjë duhej bërë me kujdes. Ata janë të tmerrshëm. Nuk e kanë për gjë të të fusin në çmendinë, atje çmendesh vërtetë dhe çdo gjë mbyllet. Do të veproja si ata, pa bujë, pa fjalë.
Një mëngjes dorëzova tek dezhurni i Ministrisë së Punëve të Brendshme, një letër, sipër kisha shkruar emrin tim dhe adresën e shtëpisë. Teksti ishte ky: “Shoku ministër, dua të bisedoj me ju për një çështje, që ka shqetësuar gjithë familjen time. Nuk ju marr më shumë se pesëmbëdhjetë minuta kohë”. Dhe shkova në gazetë. Ora akoma nuk kishte vajtur njëmbëdhjetë, kur sekretarja e ministrit, më njoftoi se në orën dymbëdhjetë, duhet të shkoja në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku më priste shoku Farudin Poçari, sekretari i ministrit të Brendshëm. Njeriu, që më priste ishte trup mesatar, me flokë të thinjura, me sy gri. Me një zë të ulët e të butë, më tregoi karrigen. Zëri i tij dhe sjellja e njerëzishme, më çuditën.
Duke menduar se ku punojnë dhe se çfarë bëjnë, në mendjen time ata ishin ndryshe. U çudita. Godina e Ministrinë e Punëve të Brendshme ka dy hyrje, njëra nga bulevardi, nuk e di se cilët hyjnë këtu, mbase është formale, dhe tjetra nga ana e Teatrit Popullor. Sapo hynë brenda, është një sportel i vogël. Oficeri dezhurn, tek i cili dorëzova dhe unë letrën, të sqaron. Aty hyjnë e dalin punonjësit e ministrisë. Në të djathtë, ishte dhoma ku hyra unë. U ula në karrige, një tavolinë më ndante nga Farudini. Katër mure të zhveshura, çimentoja e ftohtë dhe asnjë dritare. Tamam si birucë.
Nuk e di pse m’u kujtua kjo frazë “edhe muret kanë vesh”. “Ti qofsh, – më thoshte më vonë im at, – si shkove?! Unë kur kaloj andej as kokën nuk e kthej”. Ajo ishte makina e tmerrshme e diktaturës. Sa njerëz kishte hedhur nga dritaret! Mirë që kjo dhomë nuk kishte dritare. “Do të priste vetë ministri, po është i zënë me një punë të ngutshme, çdo gjë që të kesh, ma thuaj mua”. “Po këta, nuk janë nga ata që interesohen për hallet e njerëzve. Si tha?! Do më priste vetë ministri”, arsyetoja ndërkohë me vete. Zëri i tij ishte i butë. Shumë mirë, tani do të fillonte loja ime. “Unë punoj në gazetë dhe këto ditë mua më shkurtuan, më duhet të largohem nga gazeta. Arsyeja e shkurtimit nuk qëndron”.
“Po përse erdhe tek ne, – pyeti ai, – ne nuk merremi me këto probleme. Duhet të shkosh në Komitetin e Partisë”. “Erdha këtu, se ju keni urdhëruar të më heqin. Një punonjësi juaj (ishte fjala për zijoshin, Belulin), u interesua të dinte, se cila isha unë”, dhe i tregova ngjarjen në kafene, atë mëngjes që bëhej mbledhja, dhe se si Sofua, kishte thënë se mbi mua rëndojnë gjëra të rënda. “Këto gjëra të rënda, vetëm ju i dini”. “Mos babai yt është ngatërruar me ata të naftës”?, pyeti ai, pastaj shtoi: “Mbi ty dhe familjen tënde, nuk rendon asgjë e rëndë. Ti nuk e di se cili është Sofua?! Ai i ka dalë Partisë me kohë prapa krahëve”!
Sofua ishte një nga ata të Konferencës të Tiranës, që çuditërisht, ishte rehabilituar. “Po ju e keni komunist”! e ndërpreva unë dhe vazhdova: “Unë nuk mund të iki tani nga gazeta, por të gjithë mendojnë se mbi mua, ka gjëra të rënda, që i di Sofua dhe që ia keni thënë ju. Prej këtej kanë dalë këto fjalë”. Unë po vija kushte, çfarë do të bënin. Takimi mbaroi, i dhamë dorën njëri tjetrit dhe dola.
Mbase ata pritën diçka tjetër, sepse u vunë në lëvizje shpejt. Unë, që e kisha formuluar letrën në mënyrë intriguese, nuk prisja të më thërrisnin brenda tri orëve. Me qëllim, kisha vënë adresën e shtëpisë, ata më thirrën në punë, pra isha person i njohur i tyre. Çfarë menduan se do t’iu thosha?! Po tani si do të vente puna?! Do të më largonin nga gazeta?! Kisha gjithë këto pyetje në kokë. Koha do të tregonte se çdo të bëhej.
Pas vajtjes në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kaloi dhe ca kohë, nuk po flitej më për largimin tim. Kozmai, sekretari i kolegjiumit, filloi të sillej keq me mua. Kur ndante punën, mua nuk më jepte as për të redaktuar, as për të bërë shkrime. Puna arriti deri aty, sa kur shokët ishin me shërbim, ai e kyçte derën. Kur vija në punë, zyra ishte e mbyllur, ishte e hapur vetëm zyra e tij dhe e daktilografistëve. Ç’të bëja, nuk mund të ikja, se mbase e bënte për provokim, që nesër të thoshte, se “kjo largohet nga puna”. Kështu qe shkoja, qëndroja tek një dritare në korridor, dhe e kaloja tetorëshin aty, në këmbë.
Mirë që aty binte dielli. Me nerva të shkatërruara, me gjithë atë dhimbje, duhej të përballoja dhe Kozma G. Një ditë m’u sos durimi dhe shkova u ankova tek zv/ministri, Mantho Bala. Ai e thirri në praninë time, Kozmain. Dhe e di si u përgjigj ky? “Po është e vërtetë, që nuk i jap punë, sepse nuk kam besim politik tek kjo, nuk e lë gazetën në dorën e saj”. Zv/ministri i bërtiti: “Ose do t’i kërkosh të falur, ose do të vesh andej nga Vunoi, nga ke ardhur”.
U bë një mbledhje formale dhe ai bëri sikur më kërkoi të falur. Sofa ishte i pezulluar nga puna, të gjitha funksionet i kryente Kozmai. Pas gjashtë muajsh më thirrën në zyrën e kuadrit dhe më thane, se do të largohesha me shkurtim, në dispozicion të seksionit të arsimit, për t’u vendosur në punë, në një nga shkollat e Tiranës.
Mora librezën e punës dhe hyra tek zyra e Kozmait, mbylla derën dhe i thashë: “Po largohem më në fund, ja ku e kam librezën e punës. Këtë luftë që më bëre, e pagofsh tek jot bijë, të pafsha sa të më dridhet trupi”. Ai diçka mërmëriti, sikur u frikësua, jo nga unë, por nga mallkimi, duket iu dhimbs e bija. Hapa derën dhe dola. Nuk isha e mërzitur, i kisha detyruar ata, të Sigurimit, të më mbanin edhe ca kohë. Pra, ata vepruan sipas planit tim. Ç’duhej bërë tani? Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016