Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e dyzetetetë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetë vjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Takimi i parë
(Varka e mbytur në stere)
Bedriu: – “Ta dhashë përgjigjen, nga Partia dhe njësitet territorial, që mbanin nën vëzhgim zonat gjatë viteve të okupacionit”.
Ilia: – “Bedri, kjo s’bind askënd! Gjithkush atëkohë mund të drejtonte gishtin mbi gjithkënd! Kjo besoj ka ndodhur, mjafton që shënjuesi të ndihej imunitar para Partisë! A e di sa njerëz kanë shkuar për dhjamë qeni, me këto forma? Pse xhanëm, s’u bë njëri i gjallë të kërkonte hesap! Apo ishin krime me kompensim? Vramë këtë, që të lë ta vrasësh atë tjetrin, si të bëhej fjalë për trama kuajsh”?!
Bedriu: – “Mund të ketë patur edhe gabime, edhe raste abuzive, po përgjithësisht u eliminuar personat që kishin pasur aktivitet kriminal, në dëm të popullit”.
Llia: – “Po më prapa, kur filluat gjyqet nën thirrmat e turmave të çmendura ‘armiqtë në litar’? Ku çdo javë dhe çdo muaj, me dhjetëra intelektualë, kalonin në litar dhe plumb e, zotëria jote me shokë, ishit ekzekutorët; a s’më thuaj, të gjithë këta njerëz meritonin të vdisnin”?!
Bedriu: – “Mbase mund të jetë tepruar pak, po ato kohë duhej të dënoheshin krimet e luftës. Ishte ngritur edhe Nurembergu, ku po dënoheshin hierarkët nazistë”.
Ilia: – “Tamam e the vet, po dënoheshin hierarkët nazistë! Sigurisht, kjo është e vërteta! Por ama, po dënoheshin shkaktarët e kasaphanës botërore, ata që e kishin ideuar, planifikuar dhe zbatuar, jo ata që e kishin pësuar ose u implikuan për të mirën e popullit të tyre! Në Nuremberg, u ngritën gjykata me specialistë, juristët më të famshëm të botës demokratike, ishin pjesë përbërëse e trupave gjykuese. Po te ne, ç’ndodhi?
T’u mblodhën një tufë profanësh, një teneqexhi e një kallajxhi, e një kovaç, e një saraç dhe të formuan trupën gjyqësore! Sankylotët shkuan në plumb e në litar, ajkën e kombit shqiptar! Pra, siç e sheh, ka dallim të madh mes Nurembergut gjerman dhe Nurembergut shqiptar. Nurembergun e drejtuan zanatçinjtë, te ne vepruan hanxhinjtë! Atje s’i dënuan të gjithë me vdekje, po sipas përgjegjësive, kurse këtu s’u kursye asnjë!
Bedriu: – “Sigurisht, po t’i shohësh ngjarjet nga këndvështrimi i sotëm, shumë gjëra duhet të ishin bërë më ndryshe, po mungesa e eksperiencës, plus euforia e fitores, dhe ndodhën ato që dihen”.
Ilia: – “Po tani, pse nuk ndërron kursi, ç’farë pritet? Të rehabilitohen dhe t’u kërkohet ndjesë viktimave të panevojshme e të pafajshme”!?
Bedriu: – “Ilia, më vjen keq, po prej cilit pret falje, prej birit të kurvës?! Të siguroj: as ke për ta dëgjuar nga goja e tij, apo e të ngjashmëve me të, atë fjalë! Ne, në Gjirokastër, tipat, si ai, i thërrasim Bashto! E more vesh? BASHTO, me të madhe! Që do të thotë batakçi, bukëshkalë, ibret, palaço, shpirtkazmë, zemërkatran, çdo epitet negativ veri, s’je i gabuar”.
Ilia: – “Mirë ne që s’e njihnim dhe u gabuam, po ti dhe gjirokastritët e tjerë, si e pranuat në krye, kur e paskeni njohur për Bashto”?!
Bedriu: – “Është i vetmi pishmend në jetën time. S’di si arriti të më mashtronte ai BASHTO! Biri i kurvës! Edhe sot pyes veten: mos më pati hedhur sirën? Nuk e di”?!
Ky ishte një fragment nga debati i zhvilluar mes tyre, që unë e paraqita thatë, pa futur, në paranteza, emocionet. Natyrisht, përplasje të tilla ishin të zakonshme në ato ambiente, ku jo vetëm unë, po edhe shumë të tjerë, kemi qenë dëshmitarë të këtyre refleksioneve. Ilia me argumente, e vinte shpesh në pozitë të vështirë Bedriun, po jo vetëm atë.
Një copëz debati, midis Ilias dhe gjeneral Gjin Markut
Ilia: – “Gjin, je treguar i pabesë! Për ty, si malësor, ishte e papranueshme të shkelje fjalën e dhënë”.
Gjini: – “Nuk e di për ç’rast e ke fjalën? Se mua më është dashur të bëj shumë marrëveshje dhe të marr shumë vendime, në rrethana tejet të vështira e, në kushte të veçanta, specifike”.
Ilia: – “Jo, s’është një rast, po do t’i përmend një nga një.
I pari: ke tradhtuar deputetin e Beratit, Hysni Toskën, ua dorëzove gjermanëve. 1 mashtrove ata, se me demek na kishit rrethuar kriminelin Isa Toska dhe në bashkëpunim me togën e tyre, të ardhur me urgjencë nga Ura-Vajgurore, eliminove deputetin. Gjithë nahija e Beratit dhe Mallakastra, e dinin se deputeti i tyre, e kish dënuar me vdekje, për krime ordinere, kriminelin Isa Toska. Si pasojë, ky kriminel ia dogji sarajet në Luar, ndaj deputeti jetonte për sevap, ndër miq. S’besoj të mos e kesh ditur këtë? E dyta: ke ekzekutuar partizanin shtatëmbëdhjetëvjeçar Skënder Toska, vetëm pse ish djali i Hysniut! Hape fjalë se kishte dezertuar, kur kjo s’ishte e vërtetë”.
Gjini: – “E para: ti e di, Hysni Toskën e ftuam të bashkëpunonte, po ai s’pranoi dhe kaloi me ‘Ballin’, domethënë u bë kundërshtar i yni dhe në taktikat e luftës, njihen aleancat kundër të njëjtit armik; unë e shfrytëzova këtë taktikë. E dyta: s’kam qenë aspak dakord me eliminimin e të birit, po ishte shumë vonë, ata e kishin pushkatuar, kur u njoftova unë”.
Ilia: – “Sidoqoftë, mos e hiq menderen mënjanë, se pa urdhrin tënd, në qarkorin e Beratit edhe zogjtë nuk fluturonin, jo më të kryhej një ekzekutim”!
Gjini: – “Mos harro i dashur Ilia, ishim në luftë, s’ishte aq e lehtë, ta mbaje situatën nën kontroll. Ujërat rridhnin shpejt dhe ngjarjet rrokulliseshin njëra pas tjetrës; sot vritej dikush, nesër dhjetë të tjerë, i merrnin hakun. Kur problemi mbërrinte tek unë, kishte marrë përmasa të tilla, sa nuk kishte asnjë mundësi riparimi. Megjithatë, jam përpjekur t’u jepja ngjarjeve drejtimin e duhur”.
Ilia: – “Berati ka qenë një koshere gumëzhuese, ku luzma bletësh punëtore dhe grerëza helmuese, thumbonin njëra tjetrën. Ti gjendeshe në epiqendër, si ajo matka që mbledh bijat e saj. Në vend të mbillje dashurinë, ushqeve përçarjen, të paktën faktet e mëvonshme e vërtetuan këtë. Ca djem të rinj, me ideale të qashtra si pika e lotit, kur panë se ju e zhytët vendin në gjakderdhje, bënë thirrje, për t’i dhënë fund vëllavrasjes, u distancuan dhe krijuan grupin e të rinjve demokratë. Po si vepruat ju? Sigurisht, si banditë!
S’ju pëlqeu kjo platformë, sepse ju largonte nga pushteti, ndaj nisët gjuetinë e shtrigave dhe rezultati: dy njëzetvjeçarë të pushkatuar dhe dy të tjerë, me burgime të gjata. Në këtë lojë, ti luajte hipokritin, heshte. Ata që sakrifikuan gjithçka për ty dhe shokët e tu, dënoheshin nga gjoja gjykatat popullore, në fakt nga mullixhinjtë dhe qymyrxhinjtë.
Edhe kur dhjetëra familje tregtarësh të ndershëm, që të ushqyen dhe strehuan për vite me radhë, terrorizoheshin Degëve të Brendshme, kokëposhtë nëpër fuçitë me ujë të qelbur, që të dorëzonin floririn e fituar me punë, ti përsëri bëre shurdhin dhe qorrin. Kush më mirë se ti, i dinte sakrificat e atij populli, që ndau kafshatën me ju? Përsëri heshte; të pëlqyen spaletat”?!
Gjini: – “Jetonim kohë të vështira, i dashur! Në luftë, pa disiplinë, s’ecet asnjë ditë të vetme. Përsa i përket grupit që përmende ti, vërtetë ishin të rinj të talentuar, por edukimi në familjet borgjeze, i çoi në oportunizëm. S’është nevoja të zgjatem, shkurt po të them kush ishin ata: Namik Mehqemeja, pinjoll i një familjeje intelektuale borgjeze, që e mori luftën, si poezi! Resul Dollani (Tozhari), bir tregtari. Babai me ‘Ballin’, djali me Partinë, domethënë një dorë në revani, një në bakllava. Kur e pa që s’i doli këndej, u hodh andej!
Fatbardh Guri, një copë fshatar, që kujtonte se qe qytetarizuar, dhe mendonte se u bë deti kos dhe mali pilaf, dhe ‘o burra, lugën’! Së fundi: një tjetër fshatar i ngjashëm me të parin, Hair Seiti (Karkanjozi). Mirëpo, ne që udhëhoqëm luftën, s’mund të binim pre e emocioneve mikroborgjeze; kështu ata e zgjodhën vetë fundin e tyre. Përsa iu përket tregtarëve, vërtet na mbajtën me bukë e me rroba, po ama u ënjtën si shushunjat, me fitimet e luftës. Pastaj, ku do gjenim ne të ushqenim popullin? Pse ore, të jepnin ata me temenara?! Do s’do, dhuna ishte e justifikuar, ndonëse me ndonjërin u teprua një çikë”.
Ilia: – “O lum Gjini, më dhimbsesh! Me keqardhje konstatoj se edhe sot, ke mbetur po ai komunist fanatik. Nuk arrin të kuptosh realitetin. Si nuk e sheh sa krime janë bërë dhe bëhen, përditë, që t’i zgjasin jetën këtij regjimi xhahilësh?! Vështro vetëm krahinën tënde, Mirditën: qindra të arratisur, qindra të vrarë, qindra të burgosur, mijra të internuar politikë. Kjo është panorama e tmerrshme, kështu është katandisur e gjithë Shqipëria”!
Gjini: – “Vërtetë ka luftë të tepruar klasash, një nga krahinat që e pagoi dhe po e përjeton më ashpër, është Mirdita ime. Po kujtohu, miku im, këta njerëz janë rritur nën hijen e kumbanores, jashtë ndikimit të shtetit, me gjithë përpjekjet e mia për të zbutur disi gjendjen, popullsia e këtyre anëve, më shumë ndigjon priftin e famullisë, se sekretarin e Partisë. Kështu edhe kundërpërgjigja do ishte e ashpër dhe ndodhën ato që dihen. Po, nuk ka dasmë pa mish dhe luftë pa gjak”.
Ilia: – “Je përgjegjës, se ke propaganduar parajsën komuniste, ke mashtruar njerëzit e tu”!
Gjini: – “Kur flasim për komunizmin, duhet bërë dallim mes komunizmit teorik dhe atij praktik. Fatkeqësia, te ne, është aplikimi i gabuar, ku individë meskinë, pa parime, depërtuan në rangjet e larta të pushtetit, ndërsa idealistët, u ndien keq dhe të pafuqishëm në përballje me ta. Po kjo gjendje, s’do zgjasë përjetë, shumë shpejt do triumfojë komunizmi real.
Me gjithë vështirësitë e momentit, komunizmi është e ardhmja e popujve kudo në botë. Ky stanjacion i sotëm, shpejt do kapërcehet dhe shembulli Sovjetik, do përhapet gjithandej. Në veprat e klasikëve të mëdhenj, janë parashikuar edhe këto peripeci kalimtare; Marksi, Engelsi dhe Lenini, u kanë paraprirë këtyre situatave”.
Ilia: – “Nuk ka qorr më të keq, se ai që s’do të shohë! Përfundimisht, ke mbetur po ai, o lum djali! Edhe mbasi të shkatërruan jetën dhe familjen. Mjerë ti, i mjeri”!
Kjo ishte pak a shumë tema e debatit mes tyre, në çastin kur isha prezent. Po biseda të tilla ishin të shpeshta dhe pozicionet, ishin kthyer në llogore të pakapërcyeshme. Gjenerali e pagoi shumë shtrenjtë besimin, tek ideali i vet. Ai vdiq në qelitë e Burrelit, e shoqja në çmendinë, djali, Aleksandri, përfundoi me mua në Spaç dhe vajza u plak kënetave, në internim. Ai i qëndroi stoik, idealit të mbrapshtë.
Një fragment debate, mes Ilias dhe gjeneral Halim Xhelos!
Ilia: – “Halim, si e shpjegon që Dukati nuk dorëzohej edhe mbasi ra Berlini”?!
Halimi – “Eh, ç’ka këtu për të shpjeguar, a derëzi! Dukati si Dukati, me kokën lart në malin e Çikës dhe këmbët poshtë në Pasha-Liman, i kap pak me avash sinjalet. Pastaj dukatasit kanë qenë përherë interesantë, në fillim lëvizin pak ngadalë, si bualli, ama në marshin yrysh, s’ka çfarë t’i përmbajë”!
Ilia: – “Mirë o Halim, këtë e morëm vesh, po pse dukatasit u bënë të gjithë me ‘Ballin’ dhe injoruan Partinë Komuniste”?!
Halimi: – “Pse o, ku donte t’ia dinte Dukati, ç’ishte ‘Balli’, ç’ishte Partia! Dukatasi vë qylafin në kokë, hedh brrucën në një krahë, në tjetrin dyfekun, ngjesh gerdhanë në brez dhe yxhym pas berihajës, ku ka zjarr e ku del tym, ku ja bën daullja bym! Kështu, hyjnë në konaqet ku kuvendohej dhe këndohej. Këto ishin traditat arkaike, këtë përfaqësonte ‘Balli’. Kurse e reja, për dukatasin tradicional, ishte paksa e panjohur, po jo s’e s’kishte komunistë, në çdo shtëpi ku kishte dy ballistë, do ishte një komunist.
Ilia: – “Kam dëgjuar për sherrin mes teje dhe babait tënd, si qëndron e vërteta”?
Halimi: – “Të flas për problemet e mia familjare, s’e kam të lehtë. Dukatasit janë njerëz të ndershëm, të drejtë dhe besnikë, po meqë jemi rritur me dhitë dhe dhentë në stane, kemi trashëguar karakter pak të egër; fjala e atit, është ligj në familje, mjerë kush del kundër! Babai im ishte luftëtar i vjetër i çetave të pavarësisë, në krahë të Vlorajve.
Më pas, në njëzetën, mori dyfekun kundër Italisë së parë, mbrojti fshatin e bregdetin, deri në Vlorë, po me armë në dorë, iu kundërvu edhe Italisë së dytë. Ne fëmijëve na dërgoi në shkolla, donte të na bënte të ditur e të denjë, për familjen dhe vendin. Kështu, kur erdhi Italia, unë kisha rënë në kontakt me idetë komuniste. Fillimisht babai s’u shqetësua, se fundja edhe ne s’kishim ndonjë aktivitet kushedi çfarë.
‘I riu si veriu, – iu justifikohej miqve, – do ta kuptoj dhe do vijë me ne’! Por rrugët tona u ndanë. Unë u angazhova me çetën e Vlorës, më vonë u krijuan batalione dhe brigada dhe lufta mori përmasa më të mëdha. Kështu u gjendëm në kampe të kundërt.
Shpesh, kur ma donte puna të lëvizja në fshatin tim, bile dhe në shtëpinë time, nuk takoheshim me njëri-tjetrin; të them të drejtën, unë iu shmangesha takimeve me të. Erdhi momenti kur përçarja mes nacionalistëve dhe komunistëve, mori përmasa alarmante, u hapën shumë varre mes nesh, pavarësisht kush ishte shkaktari i vëllavrasjes.
Edhe pse i shmangesha ballafaqimit me tim atë dhe i rrija sa më larg fshatit, prapë e kërkonte situata të propagandoja, mes të rinjve, idetë e reja, që të shtonim radhët e forcave partizane, sepse rinia e fshatit parapëlqente të ndiqte pas, parinë. Mirëpo siç përmenda më lartë, paria ishte me ‘Ballin’, kështu doja s’doja, vajta në Dukat. Bëmë një mbledhje në mes të fshatit, ku ma desh puna të shaja sa më ashpër politikën e ‘Ballit’ dhe për pasojë edhe Xhelo Koçinë, babanë tim.
Nuk më kujtohet kush më provokoi: se si do veproja me babanë tim, nëse do ta zija gjallë? Për ta bërë sa më bindëse idenë që përfaqësoja dhe të influencoja edhe mbi të tjerët, duhet të jem shprehur se: ‘po ta kap rob babanë, do ta var në mes të fshatit’!, apo diçka të përafërt. Sinqerisht s’jam në gjendje ta pohoj apo ta mohoj, kam qenë nën efektin e euforisë heroike.
Kur u larguam nga fshati, dikush ia kish transmetuar këto fjalë tim eti dhe ai na i paskërka thënë se, po të më zinte, do të më rrihte mes fshatit, sa të alanisja dynjanë. S’jam i sigurt në i ka thënë apo jo, po mua kështu m’i sollën. Për fat, ne u larguam nga zona dhe s’u poqa më me të. Në fund ne fituam luftën dhe ai u arratis jashtë shtetit, ku edhe vdiq. Po ta kisha zënë ç’farë do kisha bërë? Nuk e di, për besë! Mbase do kish përfunduar si shokët e tij, i pushkatuar”.
Ilia: – “Shih gjer ku të çon verbëria komuniste, sa për gjoja parimet, të vrasësh edhe atë që të ka prurë në jetë! Që të jem i ndershëm, sinqerisht edhe unë këto mendime kisha fillimisht, po kur pashë të kapërceheshin kufijtë e ndershmërisë, dhe eliminimet u shtrinë mbi popullin e pafajshëm, mbi ata që na mbanin me bukë, u distancova dhe iu kërkova edhe shokëve të bënin të njëjtën gjë. Vëllavrasja e njëanshme, qe gabim fatal, i yni, si nacional-çlirimtarë, kur kampi përballë, përkundrazi e mbajti dorën. S’e di për ju në Vlorë, po në Berat, e pashë vetë.
Halimi: – “Ku më shumë e ku më pak, deti është njësoj i kripur, po ama, kishim edhe të drejtën në anën tonë, ata u bashkuan me pushtuesit. Pastaj po luftonim për pushtet, s’merrej pushteti duke i fërkuar kokën ‘Ballit’! Lufta i ka këto, ne me pushkë, ata me pushkë, dy duar për një kokë janë. Ne u treguam më të shkathët, tërhoqëm vëmendjen dhe simpatinë e Aleatëve, po bëmë edhe popullin me vete, dhe në fund fituam! Fitimtari nuk gjykohet, i duhen bërë adetet. Edhe humbësi duhet ta respektojë”.
Ilia: – “Fitimtarët janë shpirtmëdhenj, i dashur Halim, kur mbaron lufta, llon falja! Falja është veti e fitimtarëve gjenerozë! Edhe në arenë nuk vriteshin të gjithë të mundurit, spektatorët mbasi mbaronte dyluftimi, ngrinin gishtin lart. Kurse ne ç’bëmë? Mbetëm me gishtin poshtë! Edhe neutralët i dënuam sepse, s’u bënë e ne! Nuk vepron kështu shqiptari me shqiptarin!
Më thuaj, kë lamë pa dënuar ne? Edhe bashkëluftëtarët i çuam në umb! Pa po, në zonat e veriut u kalua në reprezalje, iu kallmë zjarrin stundeve pa dallim, vramë e premë me faj e pa faj. Këto janë veti Mallkimi do na ndjekë në breza”!
Halimi: – “Ishte e vetmja mundësi, për t’i shtruar ato krahina. Nuk ka mëshirë me armikun; o merr kokë, o ler kokë! Kush fal, humb”.
Ilia: – “Jo i nderuar, nuk kishim përballë armikun, po shqiptarët! Fatkeqësi! Po ç’pret nga trushplarët, nga ata që ishin gati të vrisnin edhe babanë! Me kaq u mbyll muhabeti atë ditë”. Kryeneçi Halim, nuk shtrohej edhe pse s’kishte të drejtë.
Një pasazh debatesh, mes Ilias dhe Maqo Çomos!
Ilia: – “Maqo, më vjen mirë kur shohë se ke reflektuar mbi gabimet e së kaluarës. Njeriu edhe mund të gaboj, po kur e kupton, s’duhet t’i mungojë aftësia ta riparojë atë. Kur ke mundësi për ta ndryshuar, e ndryshon, kur mundesh të paktën e dënon.
Maqua: – “Pa dyshim, kemi bërë gabime në rrugën tonë, madje me vërtetë duhen riparuar, jam dakord me ty. Po kush, se?! Ne që sot jemi në burgje dhe s’e kemi më këtë shans? Ama, për reflektim, kemi kohë sa të duash! Sa për vete, i kuptova gabimet me kohë, po spata kurajë t’u kundërvihesha. Pastaj, besimi se mund të ri shiheshin gjatë rrugës, më bëri memec. Po tani s’kemi të drejtë të heshtim, heshtja na bënë dy herë fajtorë”!
Ilia: – “Si gjithë komunistët, edhe ti duhej të përfundoje këtu, pa të flisje. Sa qe atje lartë, synoje majat. Mbas martesës me Lirinë, nise t’i ngjitësh shkallët e pushtetit, nga dy e nga tre. Nuk e di, karrierën e shpejtë e meritoje për aftësitë e tua apo, ta dhanë pajë, për krushqinë”?
Maqua: – “Eh, ç’pret të të them? Mund të kenë qenë të dyja bashkë, po dhe asnjëra. Ishte momenti kur bashkëshortes sime të ardhshme, i kishte ndodhur fatkeqësia, që dihet nga të gjithë. Nako Spiru, burri i saj, po dhe miku im, u vetëvra. Ajo vetë kaloi në një gjendje të vështirë depresive, donte një krah ku të mbështetej; unë ia ofrova. U martuam pak a shumë me krushqi të stisur, pothuajse me urdhër nga lart. Më thirrën Byroja Politike, më propozuan lidhjen, e pranova. Kjo qe afërsisht ajo që ndodhi, natyrisht edhe me dëshirën time.
Mbas martese, me përjashtim të luftës së bërrylave, në qarqet e larta politike, kam patur jetë të lumtur e të qetë, bashkëshortja ime, ishte grua besnike dhe nënë ideale për fëmijët e mi. Kjo periudhë, përkon me ngritjen time në detyrë, karriera qe e shpejtë dhe e paparashikuar, edhe unë s’isha i përgatitur, as shpirtërisht dhe, as profesionalisht për katapultimin e rrufeshëm. Në krye isha i druajtur, po me mbështetjen e shokëve drejtues të Partisë dhe të kolegëve, i kapërceva momentet e pasigurisë dhe hyra normalisht në rolin e ministrit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016