• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, January 23, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Babai im ishte turrur me vrap drejt tij, por shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë dhe…”/ Libri i panjohur i shkrimtarit serb, Milova Gjilas, për vrasjen e Isa Boletinit më 23 janar 1916

Kalendari Historik 15 Janar 2023
isa-boletini-me-bashkluftetaret
Memorie.al
Isa Boletini, fati i trishtë i familjes dhe pasardhësve së tij
“Babai im ishte turrur me vrap drejt tij, por shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë dhe…”/ Libri i panjohur i shkrimtarit serb, Milova Gjilas, për vrasjen e Isa Boletinit më 23 janar 1916
“Babai im ishte turrur me vrap drejt tij, por shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë dhe…”/ Libri i panjohur i shkrimtarit serb, Milova Gjilas, për vrasjen e Isa Boletinit më 23 janar 1916

Nga Ferdinand Dervishi

Memorie.al / Quhej Isa Boletini, i njëjti shqiptar nga Mitrovica, që u shfaq në një nga faqet më të ndritura të kombit tonë si krahu i djathtë i Ismail Qemal Vlorës. Ndërsa ngjarja, e njohur mbase nga vetëm një numër i kufizuar të interesuarish, ka në qendër pikërisht ekzekutimin e tij më 23 janar të vitit 1916, saktësisht 92 vite më parë, në Podgoricë, tashmë kryeqytet i Malit të Zi. Bëhet fjalë mbase për një sekuencë, së cilës fare pak i afrohen versione të ngjashme të historisë botërore, qofshin të hiperbolizuara nga fantazistë.

Ja skena e papërsëritshme: “I futur në kurth, Isa Boletini qëllohet nga të gjitha anët me plumba, por nuk bie teksa arrin të qëllojë deri në fund mbi ekzekutorët e vet. I bërë “sallatë” nga predhat, ai nuk shtrihet, nuk nxjerr zë, nuk dridhet, nuk bën asnjë hap pas, si të ishte prej shkëmbi. Dikur plagët e rrëzojnë në gjunjë, por sërish ai arrin të mbajë armën në duar duke qëlluar… Dhe në momentin që dora e djathtë i copëtohet, e kalon revolen në të majtën…”!

PROLOGU I VRASJES

Gjithashtu mund të lexoni

“Kur Hariton e morën për ta ekzekutuar, ai fare i qetë palosi fletën e romanit që po lexonte dhe shkoi bashkë me policët…”/ Historia e tragjike e familjes Bezhani, që hapi bankën e parë në Vlorë në 1850-ën

“Në Gjyqin Special, kur Koxi Xoxe e akuzoi për mosorganizimin e rezistencës, në 7 prill ‘39, Koço Kotta i tha…”/ Historia e trishtë e ish-kryeministrit shqiptar që vdiq në tortura në burgun e Burrelit, në ‘49-ën

Vrasësit e njeriut më të fortë në krah të Ismail Qemalit, njeriut që shpalli Shqipërinë të pavarur, ishin xhandarët malazezë të urdhëruar nga qeveria e këtij vendi, kurse ata që e prenë në besë ishin disa diplomatë francezë. Ishte janar i vitit 1916, pikërisht koha kur trupat austriake pushtonin Malin e Zi, pothuaj pa hasur në asnjë rezistencë. Porse qeveritarët e Malit të Zi, pa u turpëruar nga ky pushtim, pa u turpëruar prej faktit se nuk rezistuan deri në fund, u kujdesën gjithsesi të hiqnin qafe armikun e hershëm, shqiptarin e tmerrshëm, Isa Boletinin, të cilin e mbanin prej disa kohësh të izoluar.

Sipas rrëfimeve të një të afërmi të Isa Boletinit, të pasqyruara në librin e Skënder Luarasit “Isa Boletini”, (botim i vitit 1971), kthesa përfundimtare e jetës së shqiptarit të madh nis me përfshirjen e Kosovës nën Jugosllavinë, sipas vendimeve të fuqive më të mëdha të Evropës në takimin e Londrës më 1913. Në vitin 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën dhe legjendës së rezistencës për bashkim kombëtar i mbetet të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve.

Francezët afrohen dhe konsulli i tyre në Shkodër, Bikok, i thotë Isa Boletinit dhe njerëzve të tij që të shkojnë në Ambasadën Franceze në Cetinë, asokohe kryeqytet i Malit të Zi, nga ku do të merrnin vizë për të shkuar në ndonjë vend neutral. Pikërisht këtu nis edhe plani për ekzekutimin e shqiptarit të madh.

Njerëz të Boletinit kishin vënë re një lidhje të çuditshme të diplomatëve francezë me ata malazezë në Shkodër, por kjo do u vinte në mendje më pas. Gjithsesi Boletini dhe shpura e tij mbërrijnë në Cetinë dhe më tej bëjnë një vizitë në ambasadën franceze, ku u tregohet një telegram i paraqitur si urdhër i ministrit të Jashtëm francez për t‘i nxjerrë në një vend neutral.

Ndërkohë, anglezët, më bujarë, e ftojnë Boletinin ta marrin nën mbrojtje, por nisur nga ligjet e maleve, ai preferon “mikun që i hapi derën i pari”. Pak orë më pas, në mëngjes, Isa Boletini sheh se shtëpia ku bujte ishte rrethuar me xhandarë malazezë. Shqiptarët merren dhe dërgohen në Nikshiq, duke u mbajtur gjatë gjithë kohës nën survejim.

EKZEKUTIMI

Thyerja e frontit malazez nga austriakët në të njëjtën periudhë kohe dënon me vdekje përfundimisht Isa Boletinin. Ushtarët malazezë e shoqërojnë atë bashkë me njerëzit më të afërt në Danillograd dhe më pas në Podgoricë. Më 23 janar 1916, në ditën kur malazezët po u dorëzonin kryeqytetin pa luftë austriakëve, duket urdhri për vrasjen e Boletinit dhe njerëzve të tij nuk mund të shtyhej më tej. Ekzekutimi i besohet një njësie ushtarake që kishte për qëllim mbajtjen e rregullit në qytet, deri në dorëzimin e tij trupave austriake.

Ja rrëfimi i Tafilit, nipit të Isa Boletinit, që i mbijetoi ngjarjes, sipas librit të Skënder Luarasit: “Nja 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa), patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali. Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin: Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta”!

Por që tre vëllezërit nuk kanë mundësi të lajmërojnë Boletinin për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllen në një shtëpi dhe mbahen të bllokuar. Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës, pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnjë mundësi daljeje. “Një oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S‘ja kam dorëzue, as Krajlit, as Mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi, nga Vasoviçi.

Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolverë në duar. Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bislimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit”, -rrëfen i mbijetuari.

SIPAS GJILASIT

Nuk ka ndodhur shpesh që sllavët të shkruajnë me respekt për shqiptarët, aq më pak ata të jugut. Por duket madhështia e Isa Boletinit i ka kaluar caqet. Milovan Gjillas, politikani e shkrimtari i njohur disident, në veprën e tij “Toka pa drejtësi”, botuar në versionin anglisht në Nju Jork, në vitin 1958, shkruan me respekt për shqiptarin në këtë vepër të tijën, që shumë e kanë krahasuar të barasvlershme me “Donin e Qetë” të Shollohovit. Ja si e sjell ai momentin e vrasjes së Boletinit: “Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë nuk kishte vazhduar shumë, pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve.

Nga kjo goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë. Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu, i plagosur, ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për të mbajtur pushkën, qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjë prej armiqve para se të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr.

Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa kishte rënë përdhe. Babai ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte vështruar me sytë e mëdhenj dhe të përgjakur, kishte thënë çka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt. Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrenjtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndienim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq, megjithëse ai ishte krenar që ishte vrarë prej grupit të tij.

Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur, në mes të rrugës së madhe, pa iu lutur kurrkujt dhe pa falur askënd, ashtu drejt në këmbë, i pambrojtur. Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Në qoftë se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të!

Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë, se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër. Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qenë Isa Boletini vetë, apo ndonjë nga oficerët e tij, kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë dhe, sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini, ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe kjo mjaftonte për të, fakti i rënies së tij ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve”.

VARRIMI

Të marrë në pyetje nga autoritetet austriake, ministrat malazezë u justifikuan se kishin pasur informata se Isa Boletini do të provokonte ngjarje për të djegur dhe plaçkitur qytetin. Sipas tyre, ai ishte vrarë duke sulmuar prefekturën në përpjekje me patrullat e ushtrisë. Organizatorë të drejtpërdrejtë të vrasjes ishin ministri i Luftës, gjenerali Veshoviq, i kunati i Krajl Nikollës, komandanti i Përgjithshëm, gjeneral Janko Vukotiqi, ministri i Punëve të Brendshme, Plamenac, prefekti i Podgoricës, Ramadanoviçi e të tjerë.

Trupat e Isa Boletinit dhe njerëzve të tij u vendosën fillimisht në një dhomë të prefekturës, ku u bë edhe identifikimi. Varrimi u bë në Podgoricë dy ditë më pas me pjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve banorë të zonës. Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti një fjalim para se arkivoli i Boletinit të futej nën dhe. Gjithsesi askush nuk besonte për vrasjen e Boletinit, pasi nuk ishte hera e parë që lajmet e bënin të vrarë. Po kështu nuk u besua dhe një komunikatë zyrtare e ushtrisë austriake, që jepte lajmin e vrasjes së tij “gjatë një përpjekjeje me malazezët”.

Nipi i Isa Boletinit, që mban emrin dhe mbiemrin e heroit, banor në Tiranë siguroi dokumentet që mundësuan këtë shkrim. Pasardhësit e Isa Boletinit e kanë bërë traditë trashëgimin e emrit të luftëtarit të madh.

NGA MITROVICA NË VLORË, BIOGRAFIA E NJË SHQIPTARI TË MADH

Isa Boletini u lind në 15 janar 1864 në Boletin të Shalës, Mitrovicë, në kufi me Serbinë. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit. Mbështeti rilindësit shqiptarë, veçanërisht për shkollat, madje ndërtoi shkollën e parë në gjuhën shqipe për Boletinin e Shalës. Turqit kërkonin shkatërrimin e Boletinëve dhe veçanërisht zhdukjen e Isës, pasi ata ishin kthyer në kundërshtarët kryesorë të pushtimit. Pikërisht një gjeneral turk, Dervish Pasha, shtypi popullin e krahinës dhe dogji kullën e parë të Boletinëve.

Armiqësia ndaj serbëve nis më 1908, kur Isa me njerëzit e vet çarmatos bandat serbe të komanduara nga konsulli rus i asaj kohe, të furnizuara me armë po nga Rusia. Pas Luftës së Parë Botërore turqit, të mbështetur nga serbët vendas, sulmuan Boletinin, por nuk ja arritën qëllimit pasi ushtria turke thyhet. Kjo ngriti shumë reputacionin e Isa Boletinit dhe si rrjedhojë me të u bashkuan qindra shqiptarë të tjerë. Në të njëjtën kohë ai rindërtoi kullën si dhe shkollën shqipe, që ruhen edhe sot.

Duhet thënë se Isa Boletini ka qenë në krye të kryengritjeve shqiptare kundër serbo-malazezëve, por edhe turqve, nga viti 1901 deri në vitin 1912. Në këtë periudhë emri i tij u lakua e komentua shumë në shtypin e kohës i lidhur me betejat e Cernalevës, Kaçanikut, Shkupit dhe të Kalasë së Mitrovicës, ku gjeti vdekjen edhe konsulli rus që ndihmonte serbët në operacionet kundër shqiptarëve.

Në nëntor 1912, për ti shkuar në krah Ismail Qemalit, Isa Boletini i ndjekur nga serbo-malazezët e turqit, përmes një moti të ashpër, e shkurton në kohë rekord largësinë nga skaji më verior i banuar me shqiptarë, deri në Vlorë. Këtu ngarkohet dhe krijon Gardën e parë të Ushtrisë shqiptare duke vendosur rregull në disa zona të jugut e duke mbrojtur zonat e bregdetit nga forcat greke.

Më 1913 shkon në Londër si përfaqësues i Ushtrisë shqiptare. Në muzeun historik të Londrës gjendet një portret i tij i titulluar: Gjenerali me qeleshe të bardhë. Më 1915 vihet në mbrojtje të qeverisë së Princ Vidit dhe me mbështetjen e kolonelit holandez Thomson, krijon xhandarmërinë e parë shqiptare. Më 1916 gjendet në Shkodër për të organizuar mbrojtjen nga malazezët, kohë kur sajohet edhe vrasja e tij.

Vepra e Isa Boletinit është nderuar në çdo kohë në gjithë Shqipërinë etnike. Emrin e tij e mbajnë shkolla, rrugë, lagje e sheshe. Gjithashtu ka një batalion special të ushtrisë shqiptare, aktualisht i instaluar në Irak, që mban emrin e Isa Boletinit./ Memorie.al

Shënim; Nipi i Isa Boletinit, që mban emrin dhe mbiemrin e heroit, banor në Tiranë siguroi dokumentet që mundësuan këtë shkrim. Pasardhësit e Isa Boletinit, e kanë bërë traditë trashëgimin e emrit të luftëtarit të madh.

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 23 Janar 2026

Next Post

“Enver Hoxha vdiq më 11 prill ‘85, një muaj pas ardhjes së Gorbaçovit në pushtet, zia në Shqipëri zgjati 9 ditë, por përveç Castros, Çausheskut dhe Kim Il Sung, ngushëllimet...”/ Shkrimi i panjohur e gazetarit rus

Artikuj të ngjashëm

“Kur Hariton e morën për ta ekzekutuar, ai fare i qetë palosi fletën e romanit që po lexonte dhe shkoi bashkë me policët…”/ Historia e tragjike e familjes Bezhani, që hapi bankën e parë në Vlorë në 1850-ën
Personazh

“Kur Hariton e morën për ta ekzekutuar, ai fare i qetë palosi fletën e romanit që po lexonte dhe shkoi bashkë me policët…”/ Historia e tragjike e familjes Bezhani, që hapi bankën e parë në Vlorë në 1850-ën

January 20, 2026
“Krerët e ‘Bashkimit Demokrat’ me në krye Gjergj Kokoshin, u zhgënjyen nga mosndërhyrja e aleatëve te Enver Hoxha, për shtyrjen e zgjedhjeve, e për këtë, në 1972-in, Musine Kokalari…|/ Refleksionet e historianes së njohur
Personazh

“Në Gjyqin Special, kur Koxi Xoxe e akuzoi për mosorganizimin e rezistencës, në 7 prill ‘39, Koço Kotta i tha…”/ Historia e trishtë e ish-kryeministrit shqiptar që vdiq në tortura në burgun e Burrelit, në ‘49-ën

January 18, 2026
“Në burgun e Burrelit, Koço Kotën e kanë torturuar çnjerëzisht e godisnin me bajonetë dhe plagët e çara i’a mbushnin me…”/ Dëshmia rrëqethëse e nipit të ish-kryeministrit, që e rrëmbyen në Greqi në ’45-ën
Personazh

“Më 21 janar 1920, Koço Kota mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si delegat i Korçës, ku midis 50 përfaqësuesve, ai…”/ Historia e trishtë e ish-kryeministrit, që vdiq në burgun e Burrelit, në 1949-ën

January 19, 2026
Ish-ministri Rahman Hanku, përkujtim i një personaliteti të ndërtimit, në 100-vjetorin e lindjes
Personazh

Ish-ministri Rahman Hanku, përkujtim i një personaliteti të ndërtimit, në 100-vjetorin e lindjes

January 17, 2026
“Mbreti Zog, i këshilluar nga Dr. Jani Basho, fillojë të ftojë profesorë e mjekë, që largoheshin nga Gjermania dhe Austria, të cilët…”/ Historia e panjohur e mjekëve hebrenj në Shqipëri në vitet ’30-të
Personazh

“Mbreti Zog, i këshilluar nga Dr. Jani Basho, fillojë të ftojë profesorë e mjekë, që largoheshin nga Gjermania dhe Austria, të cilët…”/ Historia e panjohur e mjekëve hebrenj në Shqipëri në vitet ’30-të

January 17, 2026
“Katër personalitetet e fundit që sunduan në Bukuresht, ishin nga familja Gjika, me origjinë nga Zëreci i Përmetit, të cilët u vendosën në…”/ Historia e panjohur e tre shqiptarëve që drejtuan Rumaninë
Personazh

“Katër personalitetet e fundit që sunduan në Bukuresht, ishin nga familja Gjika, me origjinë nga Zëreci i Përmetit, të cilët u vendosën në…”/ Historia e panjohur e tre shqiptarëve që drejtuan Rumaninë

January 15, 2026
Next Post
“Enver Hoxha vdiq më 11 prill ‘85, një muaj pas ardhjes së Gorbaçovit në pushtet, zia në Shqipëri zgjati 9 ditë, por përveç Castros, Çausheskut dhe Kim Il Sung, ngushëllimet…”/ Shkrimi i panjohur e gazetarit rus

“Enver Hoxha vdiq më 11 prill ‘85, një muaj pas ardhjes së Gorbaçovit në pushtet, zia në Shqipëri zgjati 9 ditë, por përveç Castros, Çausheskut dhe Kim Il Sung, ngushëllimet...”/ Shkrimi i panjohur e gazetarit rus

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme