Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes shkodrane Benussi, me origjinë italiane, ku i pari i tyre, Giorgio Bernardo, erdhi në Shkodër në vitin 1828, i thirrur nga Veziri turk i qytetit, pasi shërbeu për disa vite si specialist i Artilerisë së rëndë, pranë Vezirit të Shkodrës, ai u largua dhe hapi një farmaci private në qendër të qytetit e cila konsiderohet si e para farmaci në Shqipëri. Si rrodhi jeta e pinjollëve të kësaj familje të cilët pasi u diplomuan në universitetet më të njohura të Europës, si Zefi, Baltazari, Gaspëri dhe Gjushi, u kthyen në Shqipëri dhe bënë emër, në fushat përkatëse ku ata kishin studiuar, duke shërbyer deri në funksione ministri, por pas ardhjes së komunistëve në pushtet, përfunduan burgjeve dhe internimeve, duke iu sekuestruar dhe e gjithë pasuria e tyre…?!
Dëshmon për herë të parë për Memorie.al, është Anton Benussi, i diplomuar për Biollogji-Kimi dhe djali i vetëm i Zef Benussit, ish Ministrit të Arsimit në vitin 1943, i cili rrëfen historinë e familjes së tij me origjinë italiane, nga provinca e Rovignio d”Istria, ku i pari i tyre Giorgio Benussi, erdhi dhe u vendos në qytetin e Shkodrës në vitin 1828, pas kërkesës së Vezirit turk të atij qyteti.
Gjush Benussi, 24-vite Kryesekretar i Parlamentit
Fëmija i parë i Gaspër Benussit, ishte Gjushi (emri i vërtetë Gjergj) i cili u lind në vitin 1894, në qytetin e Shkodrës ku banonte familja e tyre. Mësimet e para Gjushi i mori në Kolegjin Saverian të qytetit, ku asokohe punonte si pedagog i gjuhës italiane dhe babai i tij, Gaspër Giorgio Benussi. Pas mbarimit të kolegji, Gjushi ndoqi studimet e mesme dhe më pas ato të larta në Vjenë. Në Vjenë, Gjush Benussi qëndroi për tetë vite dhe u diplomua në degën e Ekonomisë Tregtare, pranë Universitetit vjenez. Pas diplomimit në vitin 1918-të , Gjushi u kthye në qytetin e lindjes në Shkodër, ku punoi në administratën vendore të atij qyteti. Në viti 1920, me krijimin e Parlamentit të Parë shqiptar, Gjushi erdhi në Tiranë pas kërkesës që i bënë disa miq të tij politikanë, nga qyteti i Shkodrës dhe filloi punë si Kryesekretar i Parlamentit. Lidhur me këtë, nipi i tij Anton Benussi, dëshmon: “Në atë detyrë xhaxhai ynë, Gjushi, punoi pa ndërprerje për 24 vite deri në vitin 1944, kur u shkri Parlamenti në periudhën e Luftës. Gjatë asaj kohe, ai u perfeksionua në profesionin e tij dhe ishte i pari që krijoi Stenografinë Shqiptare. Në vitet e Monarkisë së Zogut, Gjushi hartoi dhe botoi librin “Stenografia shqiptare” i cili është dhe i pari dhe i vetmi i llojit të tij në Shqipëri. Duke qenë se ai ishte një profesionist i mirë edhe pas mbarimit të Luftës, komunistët e mbajtën për disa kohë në punë, në Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Më pas në vjeshtën e vitit 1945, pas goditjes që pësoi familja jonë, me dënimin e babait tim, Zefit, u hoq nga puna dhe Gjushi, i etiketuar si “reaksionar dhe pinjoll i klasave të përmbysura”. Në atë kohë që e hoqën nga puna, Gjushi mbeti në një gjendje të mjerueshme ekonomike, pasi ai kishte dhe pesë fëmijë për të rritur. I detyruar nga vështirësitë financiare, ai humbi edhe shtëpinë e tij që e kishte në “Bllokun” e sotëm.
Arratisja e Gaspër Benussit
Në vitin 1955, Gjush Benussi dhe familjet e tre vëllezërve të tjerë Baltazarit, Luigjit dhe Zefit, pësuan edhe një goditje tjetër, nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, në atë kohë u arratis nga Shqipëria, djali i madh i Gjushit, Gaspëri, i cili ishte diplomuar në Sofje për Inxhinieri Ndërtimi. Lidhur me këtë, Anton, dëshmon: “Djali i xhaxhait tonë, Gaspëri, gjatë viteve të Luftës, kishte simpatizuar e ishte lidhur me lëvizjen antifashiste dhe duke përfituar nga ai qëndrim politik, pas mbarimit të Luftës, fitoi të drejtën e studimit dhe shkoi në Sofje, ku u diplomua në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Në vitin 1950-të, Gaspëri u kthye në Shqipëri dhe qeveria e asaj kohe i ngarkoi të zbatonte projektin e Fushës së Aviacionit të Rinasit, të cilën ai e përfundoi me sukses të plotë. Pas përfundimit të këtij projekti të madh, qeveria për ta shpërblyer për punën e bërë i dha leje që të shkonte në Sofje, për të marrë bashkëshorten e tij bullgare, me të cilën ishte i martuar që kur studionte atje. Por pasi iku në Sofje dhe u bashkua me familjen e tij, Gaspëri kërkoi azil politik dhe nuk u kthye më në Shqipëri. Pas disa kohësh ai u largua nga Sofja dhe vendos në SHBA, ku bëri një karrierë në profesionin e tij. Ndërsa Gaspëri u largua për në Amerikë, babai i tij, Gjushi, jetoi në Tiranë në një gjendje të vështirë ekonomike dhe i persekutuar nga regjimi komunist. Gjushi vdiq në vitin 1963 dhe e gjithë puna e tij si themelues i Stenografisë Shqiptare, nuk u përmend asnjëherë, gjatë viteve të regjimit komunist”.
Baltazari, hartuesi i Legjislacionit shqiptar
Djali i dytë i Gaspër Giorgio Benussit, ishte Baltazari, i cili u lind në 6 janar të vitit 1897, në qytetin e Shkodrës. Edhe Baltazari ashtu si i vëllai i tij më i madh Gjushi, ndoqi mësimet në Kolegjin Saverian në qytetin e Shkodrës dhe i ndërpreu ato për të vazhdua,r katër vitet e fundit të gjimnazit në qytetin Pechshit në Hungari. Në vitin 1916-të pas mbarimit të mësimeve në atë kolegj Jezuit, Baltazari u kthye në vend lindjen e tij në Shkodër. Pas dy vitesh ai u thirr dhe u mobilizua në ushtrinë austro-hungareze, për arsye se ai kishte marrë nënshtetësinë e asaj Perandorie. Lidhur me këtë, Benussi dëshmon: “Pasi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në radhët e armatës së Perandorisë Austro-Hungareze, në vitin 1920-të Baltazari u kthye në vendlindjen e tij në Shkodër dhe pak kohë më vonë babai i tij, Gaspëri, mori njoftimin se djalit të tij Baltazarit, i ishte aprovuar e drejta për të ndjekur studimet e larta në degën e Jurisprudencës pranë Universitetit në Romë. Në vitin 1924, Baltazari mori diplomën dhe gradën shkencore Doktor në Drejtësi”.
Si u dënuan Zefi, Baltazari dhe Gjushi, që u diplomuan në Itali e Austri., si dhe e përndjekja e Luigjit, bakteriologut të përmasave europiane
Lidhur me këtë, Anton Benussi, dëshmon: “Pas diplomimit në Romë në degën e Jurisprudencës, xhaxhai im, Baltazar Benussi, u kthye në Shqipëri dhe në marsin e vitit 1925, ai u emërua anëtar i Trupës Gjyqësore të shkallës së parë, në qytetin e Vlorës. Ku punoi për dy vite, më pas ai u transferua për në Prefekturën e Beratit, si prokuror dhe në fundin e vitit 1926 ai u transferua në Tiranë, ku u emërua si Sekretar i Komisionit Ligjit, përgatitës në Ministrinë e Drejtësisë. Në këtë detyrë Baltazari qëndroi për dy vite, gjatë asaj kohe ai dha një kontribut të madh në përgatitjen e legjislacionit modern shqiptar. Po ashtu ai dha një ndihmesë të madhe në hartimin e Kushtetutës së Monarkisë Shqiptare të vitit 1928, ku bashkë me Thoma Orollogain, Mehdi Frashërin dhe Agjah Libohovën, ai ishte një nga përpiluesit kryesorë të saj. Nisur nga kontributi i tij më 31 mars të vitit 1931, Mbreti Zog e emëroi Baltazarin, si anëtar të Gjykatës së Diktimit (Gjykata e Lartë). Në atë Gjykatë, Baltazari nuk punoi më shumë se një vit dhe në marsin e vitit 1932 ai dha dorëheqjen, bashkë me të gjithë anëtarët e tjerë të Trupës së Diktimit, të cilët ishin kundër zbatimit të një ligji antikushtetues. Që nga ai vit e deri në vitin 1947, Baltazari punoi në profesionin e lirë të avokatit, duke u bërë një nga më të njohurit në profesionin e tij, së bashku me Suat Asllanin, të cilin e kishte ortak dhe punonin në një zyrë avokatore. Përveç profesionit të avokatit, gjatë atyre viteve Baltazari punonte njëkohësisht edhe si këshilltar ligjor në disa prej firmave më të njohura, që ushtronin aktivitet prodhues e tregtar si: Fabrika e Cigareve “Stamles” në Durrës etj”.
Baltazari, 7 vjet burg
“Gjatë vitit 1944, Baltazari u arrestua nga gjermanët, për arsye se ndihmonte financiarisht nga arka e “Stamles”-it disa familje të vobekta të punëtorëve, që kishin lënë punën dhe kishin dalë partizanë. Ai mundi të shpëtonte nga internimi i sigurt prej gjermanëve, vetëm në saj të ndërhyrjes së Perikli Spiros, këshilltarit delegat të shoqërisë “Stamles”. Në vitin 1947 ai u arrestua në qytetin e Beratit, i akuzuar për agjitacion e propagandë. Fillimisht ai u dënua me 15 vitet burg, por pas apelimit Gjykata e Lartë ia uli në 7 vite, por në fuqi mbeti neni i sekuestrimit të pasurisë, për të cilat dhe ishte arrestuar. Si rezultat i kësaj, Baltazarit i sekuestruan tre vila luksoze në Tiranë dhe familjen e tij e nxorën përdhunisht nga shtëpia, vetëm me rrobat e trupit dhe i dëbuan nga Tirana për në Shkodër. Dënimin e plotë Baltazari e vuajti në burgun e Burrelit dhe më pas vuajti dhe katër vjet internim në Kuç të Kurveleshit. Ai vdiq në vitin 1982 në qytetin e Shkodrës, pasi për 12-vite u lejua që të shiste cigare, në një kinkaleri për të siguruar bukën e gojës. Një nga tre veprat kryesore që la Baltazari në fushën e Drejtësisë, ishte Komentatori i Kodit Civil “Sendet, zotnimi dhe modifikimet e tij”, i cili u ribotua përsëri në vitin 1995 dhe ka gjetur një përdorim të madh në Jurisprudencën shqiptare”.
Dënimi i Zefit, ish-Ministër i Arsimit
Djali i tretë i Gaspër Giorgio Benussit, ishte Zefi, i cili u lind në vitin 1900 në qytetin e Shkodrës. Edhe Zefi ashtu si dy vëllezërit e tij, Gjushi dhe Baltazari, pasi u shkollua në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës, shkoi në Itali ku për pesë vite ndoqi Universitetin e Romës në Fakultetin e Jurisprudencës. Në vitin 1932, Zefi mori diplomën me rezultate maksimale duke u cilësuar si një nga studentët më të përgatitur të asaj plejade, gjë e cila është shënuar nga rektorati i atij universiteti në diplomën e tij. Pas diplomimit, Zef Benussi u kthye në Shqipëri dhe Ministria e Drejtësisë e asaj kohe, e emëroi si anëtar të Gjykatës së Shkallës së Parë në qytetin e Korçës. Djali i tij Anton Benussi, dëshmon: “Pasi punoi për disa vite në qytetin e Korçës, babai Zefi u transferua në qytetet e Tiranës dhe të Shkodrës, ku përveç detyrës së gjykatësit, punoi edhe si prokuror. Në ato detyra Zefi shërbeu deri në vitin 1943, më pas ai u thirr në Tiranë ku u emërua në postin e Ministrit të Arsimit e Kulturës. Në atë post ministror, babai nuk punoi më shumë se dy muaj. Ai kaloi në profesionin e tij, duke u marrë me avokati, gjë të cilën e vazhdoi deri në mbarimin e Luftës. Në vitin 1945 kur filluan arrestimet për shumë nga ish-funksionarët e lartë të qeverive të kaluara, u arrestua dhe babai, Zefi, për arsyen se kishte mbajtur postin e Ministrit të Arsimit, në vitin 1943. Pas kësaj ai doli në Gjyqin Special, i cili u zhvillua në muajt mars-prill të vitit 1945 dhe duke qenë se ai nuk ishte i implikuar me asnjë lloj veprimtarie, të cilësuar nga komunistët si armiqësore, u dënua vetëm me pesë vite burg. Pas dënimit të babait, ne na sekuestruan edhe pasurinë që kishim në Tiranë (tokë dhe shtëpi), unë me nënën u detyruam të shkonim në qytetin e Shkodrës, tek të afërmit tanë. Babai bëri vetëm dy vjet burg dhe kur doli në vitin 1947, punoi si punëtor krahu. Më pas ai u internua edhe katër vjet të tjera në Shtyllas të Fierit dhe në Kuç të Kurveleshit. Pasi mbaroi të gjithë internimin, babai u kthye në qytetin e Shkodrës dhe në vitin 1962, kur regjimi komunist bëri disa lëshime të vogla, ndaj atyre që i konsideronte si “armiq të popullit dhe reaksionarë”, Zefin e lanë të punonte si avokat në qytetin e Lezhës. Në këtë profesion për të cilin Zefi ishte doktoruar në Romë, ai nuk arriti të punonte më shumë se tre-katër vjet, pasi në 1965-ën ai u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare, krejt i lodhur e i drobitur nga streset e një jete plot vuajtje dhe peripecira që kishte kaluar. Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist familja jonë u konsiderua si reaksionare dhe vuajti nga lufta e klasave,” dëshmon Anton Benussi për babanë Zefin, i cili veç të tjerash është i njohur edhe për hartimin e librit ”E drejta zakonore shqiptare”. Familja e Zef Benussit edhe sot vazhdon të banojë në qytetin e Shkodrës.
Luigji, diplomohet për Mjekësi në Romë
Djali i katërt i Gaspër Giorgio Benussit, ishte Luigji, i cili u lind në vitin 1903 në qytetin e Shkodrës. Edhe Luigji ashtu si tre vëllezërit e tjerë: Gjushi, Baltazari dhe Zefi u shkollua në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës. Në vitin 1925, Luigji fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur studimet e larta pranë Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Romës. Luigji fitoi medaljen e argjend, në një konkurs ku morën pjesë me mijra studentë dhe në shenjë shpërblimi, atij iu akordua e drejta e studimit sipas kërkesës së tij, për në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Romës. Lidhur me karrierën mjekësor të Luigj Benussit, nipi i tij, Antoni, dëshmon: “Fakultetin e Mjekësisë në Romë, xhaxhai Luigji e mbaroi në vitin 1931 dhe në korrikun e atij viti, ai mori diplomën. Teza që ai mbrojti doktoraturën ishte: “Ndryshimi i grupeve të gjakut A.B.O. të burrit e gruas, si shkak biologjik abortesh”. Pas marrjes së diplomës, Luigji u kthye në Shqipëri dhe u emërua si mjek pranë Spitalit Ushtarak të Tiranës. Pas një viti ai shkoi përsëri në Itali e vazhdoi studimet pasuniversitare dhe në vitin 1934, ai u diplomua në Universitetin e Peruxhias, ku u specializua si kirurg. Krahas punës në Spitalin Ushtarak të Tiranës, xhaxhai Luigji iu përkushtua studimeve në kërkimet shkencore. Gjatë viteve 1935-’36, Luigji shkoi përsëri në Itali ku u morr me studimet në fushën e mikrobiologjisë, pranë Institutit të Higjienës në Romë.
Bakteriolog me famë europiane
“Pas disa specializimeve në Itali, xhaxhai Luigji u angazhua edhe pranë Institutit të Mikrobiologjisë në Universitetin Mbretëror të Romës, ku punoi edhe si asistent profesor me studentët e Mjekësisë. Pas kësaj aty nga viti 1935, Luigji shkoi në Belgjikë, ku u diplomua si mjek pranë Institutit “Princi Leopold”, në qytetit të Anversës, ai u specializua në patologji. Pas specializimit që bëri aty, në vitin 1938, Luigji shkoi në Universitetin e Parisit, ku u specializua si dermatolog, pranë klinikës së sëmundjeve të lëkurës dhe atyre veneriane të spitalit të “Luos”. Më pas Luigji u diplomua edhe si “Venerolog e Sifiligraf” dhe diploma e tretë që mori ai, ishte për “Terapinë e diagnostikën laboratorike të sëmundjeve dermato-veneriane”. Pas shumë kërkimeve shkencore disa vjeçare, në vitin 1940, Luigji shpiku metodën gazo-metrike për matjen e azotemisë në gjak, me mjete të thjeshta dhe në vitin 1960-të ajo metodë u njoh në literaturën mjekësore botërore si “Metoda gazo-metrike e Benussit”. Pas gjithë specializimeve që bëri, Luigji pati shumë oferta për të punuar në Institutet e kërkimeve shkencore të Mjekësisë si në Itali, Francë, Belgjikë, Spanjë, Angli e deri në SHBA e Argjentinë. Por Luigji nuk pranoi të shkonte në asnjë nga këto shtete, që e kërkuan dhe u kthye në Shqipëri, ku dha kontributin e tij mjaft të madh në ngritjen e Laboratorit Mikrobiologjik dhe Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, ku ai punoi si pedagog. Gjatë gjithë asaj kohe edhe pse ai ishte një nga specialistët më të mirë të Mikrobiologjisë, Luigji shikohej me sy tjetër për shkak të biografisë së tij familjare, dy vëllezërit kishin qenë të dënuar si “armiq të popullit”. Disa herë Luigji u bë objekt i përndjekjeve të Sigurimit të Shtetit për t’u dënuar, duke e akuzuar se “vaksinat që kishte shpikur, nuk ishin të sakta dhe prej tyre kishin vdekur pacientë”. Edhe pse ai ishte specializuar në institutet më prestigjioze të Europës, për shkak të biografisë familjare, në vitin 1960 në Tiranë, Luigjit i dhanë të vetmen gradë shkencore “Kandidat i Shkencave Mjekësore”.
Historia e panjohur e familjes Benussi me origjinë nga Rovignio d’Istria e Italisë
Origjina e hershme e familjes shkodrane, Benussi, është nga një provincë italiane afër qytetit të Triestes e quajtur Rovignio d’Istria, që në atë kohë ishte nën Perandorinë Austro-Hungareze dhe sot ndodhet në territorin e Kroacisë. Ajo provincë italiane prej nga është dhe origjina e hershme e familjes shkodrane Benussi, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kaloi nën administrimin e ish-Jugosllavisë dhe pas shpërbërjes së saj në fillimin e viteve ‘90-të, ajo kaloi nën juridiksionin e Kroacisë, në të cilën ndodhet edhe sot. I pari i kësaj familje është quajtur Giorgio Bernardo Benussi dhe ai ka lindur në këtë provincën të Italisë, në vitin 1801. Giorgio u diplomua në Akademinë Navale (Detare) të Triestes, në viti 1823 dhe punoi për disa vjet si marinar pranë Flotës Ushtarake Italiane, në specialitetin e udhëtimeve të gjata për të cilën dhe ishte diplomuar. Pasi kishte shërbyer për disa vjet pranë asaj marine, në viti 1828, atij i erdhi një kërkesë nga Veziri turk i Shkodrës, për të ardhur në atë qytet si specialist i armës së Artilerisë së rëndë. Giorgio Bernardo Benussi, iu përgjigj pozitivisht ftesës së Vezirit të Shkodrës dhe në shtatorin e vitit 1828, ai la vendlindjen e tij Triesten dhe erdhi në qytetin e Shkodrës, së bashku me bashkëshorten e tij Terezën, e dy vajzat Antonian dhe Giovanën. Nga dëshmi të ndryshme gojore të trashëguara në disa breza, thuhet se Veziri turk i Shkodrës, i bëri një pritje të ngrohtë Giorgio Benussit dhe i ngriti atij një shtëpi të mirë, aty ku sot ndodhet lagja, Perash, në pjesën e banuar nga katolikët. Po kështu lidhur me ardhjen e Giorgios në qytetin e Shkodrës, ka dhe një version tjetër, ku thuhet se ftesa nga Veziri i Shkodrës, iu bë pasi ai kishte ardhur në atë qytet si vizitor, ku dhe u njoh personalisht me Vezirin. Shërbeu për disa vite si specialist i Artilerisë së rëndë, pranë Vezirit të Shkodrës, Giorgio Benussi u largua dhe hapi një farmaci private, në qendrën e qytetit, për të cilën thuhet se ka qenë dhe e para farmaci, që është hapur në Shkodër. Po kështu krahas aktivitetit të tij tregtar farmaceutik, me të cilin kryesisht merrej bashkëshortja e tij italiane, Terezina, Giorgio hapi dhe disa kurse të gjuhës italiane me pagesë, ku mësonin kryesisht fëmijët e aristokracisë së qytetit të Shkodrës, të cilët përgatiteshin për të ndjekur studimet në Itali dhe shtete të tjera të Europës. Në vitin 1850-të, teksa Giorgio Bernardo Benussi, banonte në qytetin e Shkodrës, i lindi një fëmijë i cili u quajt Gaspër. Giorgio jetoi deri aty nga viti 1869 dhe pas vdekjes së tij, me aktivitetin farmaceutik u mor djali i tij Gaspëri, i cili u shkollua në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës, që ishte fare pranë shtëpisë së tyre. Pas mbarimit të Kolegjit Saverian, në qytetin e Shkodrës, Gaspër Giorgio Benussi shkoi në qytetin e Tristes, pranë njerëzve të familjes së babait, ku dhe ndoqi studimet duke u diplomuar për mësues. Pas diplomimit ai u kthye përsëri në qytetin e Shkodrës dhe për shumë vjet punoi si pedagog, pranë Kolegjit Saverian, ku jepte lëndën e gjuhës italiane. Nga vitet e fundit të karrierës së tij si pedagog, pranë atij Kolegji, Gaspëri u thirr nga Konsullate Austro-Hungareze, që ishte vendosur në qytetin e Shkodrës dhe për disa vjet punoi aty, në funksionin e Kryesekretarit të saj. Gjatë karrierës së tij si pedagog i gjuhës italiane, pranë Kolegjit Saverian, Gaspëri u mor edhe me hartime tekstesh shkollore dhe botoi shumë artikuj publicistik, në shtypin e kohës. Puna e tij shkencore në pedagogji konsiston në botimin e dy abetareve shqipe, të një metode për mësimin e gjuhës italiane, të cilën e kishte filluar babai i tij Giorgio, si dhe të librit “Shqiptari i mësuam në gjuhë të vet”. Gaspër Giorgio Benussi ka jetuar deri në vitin 1931 dhe vdiq në qytetin e Tiranës, në moshën 81-vjeçare. Varrimi i tij u bë në qytetin e Shkodrës, pranë varrezës familjare, ku më parë ishte varrosur dhe babai i tij Giorgio. Gaspër Giorgio Benussi me bashkëshorten e tij Çeçilia Çekja, (nga fisi i njohur shkodran i Filip Çekajt) lanë pesë fëmijë: një vajzë të quajtur Tereza, si dhe katër djem, Gjushin, (që u lind në vitin 1894), Baltazarin (1897) Zefin (1900) dhe Luigjin (që u lind në vitin 1903). Vajza e madhe e Gapsërit, Tereza, nuk u martua, ndërsa të katër djemtë e tjerë, pasi u shkolluan në Universitetet e Italisë dhe Austrisë, u martuan e krijuan familjet e tyre, në qytetin e Shkodrës e Tiranës, ku jetojnë edhe sot fëmijët e nipërit e mbesat e tyre./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016