Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Qazim Koculit me origjinë nga fshati prej nga ajo familje ka trashëguar dhe mbiemrin, i cili pasi u shkollua në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, u diplomua në Akademinë e Marinës Ushtarake të Stambollit. Dezertimi i tij nga rradhët e ushtrisë turke dhe emigrimi në Argjentinë, nga ku u kthye në atdhe në nëntorin e vitit 1912-të, pas thirrjes së kryeministrit Ismail Qemali, për të kontribuar në formimin e shtetit të ri shqiptar. Angazhimi i Koculit në jetën politike të vëndit duke u zgjedhur deputet që në parlamentin e pare, senator në Kongresin e Lushnjes dhe kryeministër I Shqipërisë, ku shërbeu vetëm për një ditë e dha dorëheqjen, për të mos ndezur konfliktet e armatosura të forcave politike të asaj kohe. Dëshmia e së bijës, Nurie Koculi për babanë e saj, nga qëndrimi për 15 vite në emigracion si antizogist, kthimi në shqipëri në ’39-ën, debatet me kushëririn e tij, Hysni Kapo, që i bëri thirrje të bashkohej me komunistët, refuzimi nga ana e tij dhe akuzat ndaj komunistëve, e deri tek pranimi i tij në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Shtetit dhe më pas si Komisarit i Lartë në Vlorë, ku ai edhe u vra nga autoritetet italiane së bashku me mikun e tij, prefektin e Vlorës, Lele Koçi, në shenjë hakmarrje për Luftën e Vlorës që kishte udhëhequr si komandant i forcave vullnetare. Si u persekutua familja e tij nga ana e regjimit komunist, ku i biri, Kujtim Koculi, u dënua tre herë me burg politik, ndërsa familja qëndroi në internim deri në vitin 1991.
“Pasi babai im, Qazim Koculi, në vitin 1920 kishte drejtuar Luftën e Vlorës kundra forcave italiane, duke qenë komandant i saj, në 6 dhjetor të vitit 1921, ai u zgjodh kryeministër i Shqipërisë. Ndonëse ai u vra nga italianët në vitin 1943, edhe në shenjë hakmarrje ndaj luftës që ai kishte bërë kundër tyre në 1920-ën, pas vitit 1945, kur erdhën komunistët në pushtet, familja jonë përfundoi burgjeve dhe internimeve, deri në vitin 1990. Kështu tregonte zonja Nurie Koculli, e bija e ish-deputetit dhe kryeministrit të Shqipërisë, i cili në vitin 1920 u zgjodh dhe komandoi Luftën e Vlorës. Kush ishte Qazim Koculi, cila është e kaluara e tij dhe si u trajtua familja Koculi gjatë viteve të regjimit komunist? Lidhur me këtë e të tjera ngjarje dhe fakte nga jeta e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Qazim Koculi, do njihemi në këtë shkrim, sipas dëshmive të së bijës së tij, znj. Nurie Koculi.
Oficer i marinës Turke
Qazimi u lind në vitin 1887 në fshatin Kocul të rrethit të Vlorës, prej nga është edhe origjina e familjes tij. Në moshën 18-vjeçare, pasi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, ai u dërgua nga familja e tij që të ndiqte studimet e larta në Turqi, pranë Akademisë Ushtarake të Marinës në Stamboll. Pasi u diplomua, ai mori gradën e nëntogerit dhe u emërua në Marinën Ushtarake të Turqisë, duke shërbyer në një anije luftarake, ku fitoi dhe gradën e togerit. Në mesin e vitit 1909, gjatë një beteje detare në Prevezë, ai nuk i’u bind komandantit turk për t’ju dorëzuar flotiljes italiane, por vazhdoi të luftonte kundër tyre. Nisur nga kjo, Marina turke nxorri urdhër-arrestin, duke e akuzuar për thyerje të urdhërit ushtarak dhe ai u detyrua që të arratisej për në Argjentinë, ku qëndroi për tre vite dhe u kthye në vitin 1912, ku kryeministri Ismail Qemali, i’u bëri thirje patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë që ishin jashtë vendit, për t’u kthyer e për të punuar për ngritjen e shtetit të ri shqiptar. Kur erdhi në Vlorë, Ismail Qemali e caktoi Qazimin me detyrën e Drejtorit të Portit Detar, ku ai qëndroi deri në periudhën që porti u muar nën administrimin e italianëve dhe pas kësaj, ai u caktua Kryekatundar në Brataj të Vlorës. Në vitin 1917, Qazimi u emërua me detyrën e nënprefektit të Tepelenës, ku ai qëndroi deri nga fundi i vitit 1919, dhe në atë kohë u largua, duke dhënë dorëheqjen nga ajo detyrë. Në janarin e vitit 1920, Qazimi mori pjesë si delegat i Vlorës në Kongresin e Lushnjes, ku dhe u zgjodh senator. Gjatë punimeve të Kongresit, ai i kërkoi Senatit që t’i tërhiqte vëmëndjen Qeverisë, në lidhje me problemin e Vlorës, e cila i ishte njohur Italisë edhe nga Konferenca e Paqes e Parisit.
Komandant i Luftës së Vlorës
Në vtin 1920, kur ushtria italiane ishte ende në Vlorë, Qazimi së bashku me Osman Haxhiun, Hysni Lepenicën, Alehm Mehmetin, Qazim Kokoshin, Ali Beqirin dhe Duro Shaskën, organizuan një Kuvend në fshatin Barçalla, ku u mblodhën rreth 310 burra nga fshatrat e Vlorës, Tepelenës, Kurveleshit dhe Himarës. Në atë mbledhje u zgjodh një komision prej 16 vjetash, të kryesuar prej Qazim Koculit, Qazim Kokoshit, Alhem Mehmetit dhe Beqir Sulës, të cilët u ngarkuan për hartimin e një memorandumi që do u dërgohej komandantit të forcave italiane në Vlorë, duke i kërkuar që ushtria italiane brenda dy ditëve, duhej të largohej nga Vlora. Pas kësaj më 19 maj 1920, në Beun të Vlorës, u grumbulluan mbi 2000 burra nga këto krahina, ku 1200 prej tyre ishin të armatosur. Në atë mbledhje, komisioni që ishte zgjedhur në Braçalla, caktoi një komitet prej 12 vetësh, që u quajt “Komiteti i Luftës së Vlorës” dhe Komandant i Përgjithshëm u zgjodh Qazim Koculli. Ai Komitet i dërgoi një telegram gjeneral Piaçentinit, duke i kërkuar që brenda 24 orëve, ai me forcat e tij, të largohej nga Vlora, ose për ndryshe ata do goditeshin. Pasi pala italiane nuk dha përgjigje, forcat ushtarake dhe vullnetare të komanduara nga Qazim Koculli që ishte në Drashovicë me 300 burra dhe ato të Tepelenës e Këlcyrës nën komandën e Koço Tasit dhe Ali Këlcyrës, sulmuan forcat italiane që ishin përqëndruar në Kotë. Nga këto luftime mbetën të vrarë 17 ushtarë italianë, 1 kolonel, 1 nënkolonel dhe 70 oficerë. Kurse nga forcat shqiptare, u vranë 16 vullnetarë. Mbas kësaj fitore, më 3 shtator të vitit 1920, Qazim Koculi në krye të forcave të ushtrisë që komandohej prej tij, hyri triunfalisht në qytetin e Vlorës, i brohoritur nga mijra qytetar vlonjat që kishin mbushur dy anët e rrugës së Skelës dhe Sheshit të Flamurit. Lidhur me këtë ngjarje, e cila është vlersuar si një nga faqet më të ndritura të historisë së Shqipërisë, në atë kohë u shkrua dhe u pasqyrua edhe nga shtypi i kohës. Në mes të tjerash në gazetën “Politika” të 15 janarit 1921, Halim Xhelo shprehej: ”Në qe populli i Labërisë Sparta, trupi i Kryengritjes dhe Komisioni i dymbëdhjetë, goja sytë dhe veshët, Qazim Koculi qe shpirti”. Pas Luftës së Vlorës, Qeveria e asaj kohe duke vlersuar lart kontributin e tij në atë luftë, e emëroi në funksionin e Prefektit të Vlorës, duke i dhënë dhe një vilë në Ujin e Ftohtë (nga godinat e italianëve), e cila i’u bë dhuratë nga Parlamenti shqiptar.
Kryeministër për një ditë
Në vitin 1921, Qazim Koculi i cili kishte fituar një autoritet të padiskutueshëm si Komandant i Luftës së Vlorës, kandidoi dhe fitoi si deputet në zgjedhjet parlamentare. Asokohe për shkak të situatës së vështirë që ishte krijuar nga grupet rivale të Parlamentit Shqiptar, u krijua ”Bashkimi i Shenjtë”, i cili krijoi një komision të përbërë nga Bajram Curri, Qazim Koculi dhe Avni Rustemi. Pas dhënies së dorëheqjes nga kryeministri Pandeli Vangjeli, për të qetësuar situatën kaotike që mbretëronte në Tiranë, Këshilli i Lartë i Shtetit, i kryesuar nga Aqif Pashë Elbasani, emëroi Qazim Koculin në postin e Kryeministrit. Emërimi i Koculit si kryeministër u bë për arsye se asokohe ai ishte një nga politikanët më me popullaritet, për shkak të pjesmarrjes së tij si Komandant i Luftës së Vlorës. Më 6 dhjetor 1921, Qazim Koculi, sapo mori detyrën e kryeministrit, urdhëroi Drejtorin e Përgjithshëm të Postave Shqiptare, që të mos lejonte dërgimin e asnjë telegram si brenda dhe jashtë vëndit, pa e kontrolluar më parë ai. Kjo gjë u mësua shumë shpejt nga opozita e asaj kohe, e cila e quajti atë veprim si skandal politik. Duke e kuptuar gabimin që kishte bërë, Qazim Koculi dha dorëheqjen që atë ditë. Lidhur me këtë në kujtimet e tij, Ekrem Bej Vlora ka shkruar: ”Ndër ngjarjet e çuditëshme të kësaj kohe të trazuar do të kujtoja, caktimin si kryeministër të oficerit të marinës të dalluar në luftën kundër italianëve, Qazim Koculi. Rryma demokratike e solli atë në këtë post të lartë. Por oficeri i ndershëm (i tillë mbeti ai tërë jetën), nuk mori në sy ta pranonte atë post dhe i’a dorëzoi Këshillit të Lartë kërkesën për dorëheqje. Në më pak se 24 orë, ai dha dorëheqjen dhe njihet në histori si kryeministri më jetëshkurtër si dhe i vetmi vlonjat kryeministër pas Ismail Qemalit”.
Në emigracion si antizogist
Në qershorin e vitit 1924, Qazimi ishte një nga politikanët kryesor që udhëhoqi Organizatën “Bashkimi” dhe kryengritjen për rrëzimin e Qeverisë së Vërlacit dhe pas rrëzimit të saj, Qazim Koculli ishte një nga kandidatët për postin e kryeministrit së bashku me Sulejman Delvinën e Fan Nolin që e fitoi atë post me short. Në qeverinë e re, Koculi u caktua Ministër i Punëve Botore dhe pas rrëzimit të Qeverisë së Nolit, e rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet, ai u largua nga Shqipëria së bashku me shumë politikanë të tjerë që kishin udhëhequr “Revolucionin e Qershorit” të 1924-ës, që në fakt ishte një grusht shteti. Pasi qëndroi disa kohë në Vienë, më pas Qazimi shkoi në Francë, ku e rishikoi qëndrimin e tij politik, duke reflektuar për pjesmarrjen e tij në Lëvizjen e Qershorit. Nisur nga kjo, Ahmet Zogu e caktoi atë në krye të “Komitetit të Kosovës”, duke i lidhur dhe një rrogë prej 30 napolonash ari, së bashku me Kol Tromarën e Bedri Pejanin. Sipas kujtimeve të Sejfi Vllamasit, asokohe në Komitetin “Bashkimi Kombëtar”, që përbëhej nga mërgata antizogiste dhe e kishte qëndrën në Paris, Qazim Koculi ishte një prej atyre që shfaqi hapur propozimin që ata të ktheheshin në Shqipëri, por u kundërshtua nga shokët e tij. Nisur nga kjo, ai nuk u kthye dhe qëndroi në Paris deri në qershorin e vitit 1939 kur erdhi në Shqipëri.
Antar i Këshillit të Lartë dhe vrasja nga italianët
Lidhur me emigracionin e Qazimit dhe kthimin e tij në Shqipëri në 1939, e bija e tij Nuria dëshmonte: “Gjatë kohës që babai qëndroi në emigracion, unë me nënën dhe villain, Kujtimin, qëndruam në fshatin tonë Kocul. Gjatë atyre viteve që babai qëndroi në Francë, ai na dërgoi një letër me anë të Nuredin Bej Vlorës. Ne rrinim me shpresë se do ndërrohej regjimi dhe babai do kthehej, por kur erdhën italianët që ishin armiqtë tanë, ne u friksuam, se babai kishte luftuar kundër tyre në 1920-ën. Në atë kohë ne u trembëm shumë dhe djali i xhaxhait, Koçiu, mblodhi gazeta, libra, dokumenta e fotografi dhe i dogji të gjitha në oborrin e shtëpisë. Në dhjetorin e vitit 1939, babanë e emëruan antar të Këshillit të Lartë të Shtetit dhe ne shkuam me banim në Tiranë. Në vitin 1942, në shtëpinë tonë në fshatin Kocul erdhi Hysni Kapua, (babanë e tij Qazimi e kishte kushëri), i cili i kërkoi babait të bashkohej me komunistët. Babai iu përgjigj: “Ju komunstët keni një taktikë të gabuar lufte. Pasi godisni, tërhiqeni duke lënë fshatarët në mëshirën e armikut dhe i dëmtoni ata”. Hysni Kapo iu përgjigj: “Rëndësi ka qe ne të fitojmë”. Babai ia ktheu: “Edhe po të vriten shqiptarët e pafajshëm”?! Hysniu vazhdoi duke thënë se: rëndësi kishte që të fitonin ata dhe të bëheshin të njohur. Pas asaj babai u nxeh shumë dhe e dëboi nga shtëpia Hysniun”, kujtonte Nuria, duke shtuar se atë gjë komunistët nuk do të na e falnin kurrë. Pas tre vitesh, aty nga nëntori i vitit 1942, babai u kthye i mërzitur në shtëpi dhe na tregoi se e kishin emëruar Komisar të Lartë në Vlorë. Nëna i tha që të mos shkonte në Vlorë, se do ta vrisnin komunistët. Në atë bisedë ndërhyra dhe unë duke i thënë se nuk do ta vrisnin komunistët, por italianët. Pas kësaj babai mu përgjigj: Ti e di ku e kam plagën moj bijë, por besoj se Mustafai (Mërlika) do të më mbrojë. Sidoqoftë duhet të jemi të përgatitur, se mund të më arrestojnë, apo internojnë. Pas vrasjes së kolonel Klementit në fshatin Gjorëm, situata u acarua shumë dhe italianët për atë vrasje bënë përgjegjës Qazimin. Kështu në datën 2 janar 1942, në shëtpinë tonë në Tiranë, erdhën dy ushtarak të lartë italian dhe na thanë: Duam zotin Koculi për të shkuar në Vlorë. Babai doli e i’u tha se: ai nga Vlora kishte ardhur, por ata ngulën këmbë që ai të shkonte përsëri dhe ata do të bënin si të thoshte ai. Babai iu tha të iknin se ai do vinte me makinën e tij, por ata nuk pranuan, duke i thënë të shkonte me ata. Të nesërmen e asaj dite, në shtëpinë tonë erdhi Qenan Hyska dhe na tha se: Qazimin e kishin arrestuar. Pas pak erdhën për vizitë në shtëpi dhe e shoqja e Mustafa Krujës, me atë të Xhevat Korçës. Zonja Kruja, mori në telefon Mustafanë dhe i tha në turqisht se: e kishin arrestuar Qazim Koculin. Por nga ana tjetër e telefonit, ai u përgjigj: ‘e vranë’. Së bashku me Qenamin, ne u nisëm për në Vlorë ku qëndruam deri në të dyzetat e babait”, kujtonte Nuria, lidhur me vrasjen e babait të saj, Qazim Koculit, nga ana e forcave italiane të komanduara nga gjenerali Xanini. Lidhur me vrasjen e Qazim Koculit, vajzës së tij Nuries, i ka dëshmuar dhe Jup Kazazi, i cili në atë kohë banonte ngjitur me ta në Tiranë. Në mëngjezin e 3 janarit, Kazazi kishte takuar në Shkodër një kolonel italian të SIM-it, i cili i tregoi se në Vlorë ishin vrarë Koculi me Prefektin Lele Koçi. Kur Jup Kazazi kishte shprehur habinë për vrasjen e tyre, koloneli i ishte përgjigjur: “E po, e kishim një hak për të marrë”.
Persekutimi i familjes nga komunistët
Ndonëse Qazim Koculi kishte qenë komandant i forcave ushtarake e vullnetare në Luftën e Vlorës dhe ishte vrarë nga italianët në shenjë hakmarrje ndaj asaj lufte, regjimin komunist që në 1946-ën, filloi goditjen ndaj familjes së tij. Lidhur me këtë, e bija e tij Nuria tregonte: ”Në dhjetorin e 1945-ës, komunistët arrestuan vëllanë, Kujtimin, i cili ishte shkolluar në Shkollën Tregtare të Vlorës dhe pasi kishte qëndruar ca kohë në Itali, ishte kthyer në Shqipëri. Po kështu, në 16 dhjetor të vitit 1946, komunistët më arrestuan dhe mua që isha shoqe e ngushtë e Musine Kokalarit dhe u lirova nga burgu në nëntorin e vitit 1951. Kujtimi, pasi bëri pesë vite burg, u lirua në 1950-ën. Ai u arrstua përsëri në vitin 1955 dhe pasi vuajti dhjetë vite të tjera burg, u lirua në 1965-ën. Kujtimi u arrestua përsëri për herë të tretë në vitin 1965 dhe pasi u lirua në 1971-in, atë e internuan në fshatin Kuç të Vlorës. Në atë kohë që doli Kujtimi nga burgu, unë dhe nëna ishim të internuara në Gradishtë të Lushnjes. Atje në atë vënd na vdiq dhe nëna”, e përfundonte rrëfimin e saj znj. Nurie Koculi, lidhur me persekucionin e familjes se saj gjatë viteve të regjimit komunist, ndonëse babai i saj Qazimi, kishte qenë Komandant i Luftës së Vlorës, një prej faqeve më të ndritura të historisë së Shqipërisë, me të cilën krenoheshin edhe komunistët./Memorie.al