• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Sunday, June 1, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Intervista

“Baba, me vëllanë, Zefin, të rrethuar nga Forcat e Ndjekjes në bjeshkët e Nikaj, hanin lënde lisi, ne në Tepelenë, kokrra misri nga bajgat e kuajve…”/ Dëshmia e trishtë, e të birit të bajraktarit të Mërturit

“Kur shkonte një herë Enveri, për në Gjirokastër, pyeti: ‘Ç’janë këto varre këtu mo’?! Dhe kur i thanë se janë të atyre të kampit, ai…”/ Dëshmia e rrallë nga SHBA-ja, e ish-të internuarit në Tepelenë
“Torturat, pushkatimi i 104 shokëve dhe lirimi pasi familjet paguan 20 napolona flori../Kujtimet e ish-të burgosurit në kampin nazist të Prishtinës.”
Një skuadër pushkatimi për Nikaj – Mërturin
Raporti i Mehmetit për Enverin: Në komitetin e Partisë të Tropojës janë 10 agjentë të UDB-së….
“Mbledhja e Lurës më 27 gusht ‘43, ku morën pjesë Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dine, Hysni Dema, Miftar Kaloshi dhe…”/ Historia e panjohur e “parlamenteve” të Dibrës

Nga Xhevahir Gradica

Memorie.al / Në sektorin Hamallaj, disa kilometër larg Durrësit, prej gati 40 vitesh, jetojnë pinjollët e familjes së fisme, patriotike dhe atdhetare të Bajrakut të Mërturit, të rrethit të Tropojës. Pasi provuan të gjitha vuajtjet dhe përçmimet që sistemi komunist ua imponoi deri në kufijtë e ireales, Prelë e Gjon Vatnikaj, vendosin të ndalen diku në një copë tokë, në perëndim të Durrësit, në Hamallaj. Të djegur, të vrarë e të persekutuar, Vatnikajt e Mark Tunxh Myftarit, ndalen për të marrë veten, pas atyre tragjedive të njëpasnjëshme. Kishin nevojë të gjykonin ftohtë, për djemtë që po rriteshin nën mërinë dhe përçmimin e regjimit komunist.

Prel Vatnikaj, i ka kaluar të 80 vitet dhe drejt tyre po shkon edhe vëllai i vogël i familjes, Gjoni. Në ditë me diell ata qëndrojnë në verandën e shtëpisë dhe herë psherëtijnë e, herë përmallohen për vitet, kohët e përjetimet e hershme e, të vona. Të dy rëndojnë mbi shkopin e pleqërisë, por të bie në sy kthjelltësia e kujtimit të ngjarjeve, episodeve, emrave, fakteve historike dhe gjithçka që ka të bëjë me fatin e Bajraktarit të Mërturit, në Malësinë e rrethit të Tropojës.

Përbri tyre qëndrojnë gratë e shtëpisë dhe nuset e djemve të cilat afrojnë shpuzë për cigaret e të moshuarve dhe ndjekin me kureshtje bisedën me Prelën e Gjonin, thuajse po i dëgjonin për të parën herë rrëfimet e trishta të mbushura me vaje, kujë, mall, dëshpërim, krenari e forcë. Në këtë shtëpi, por jo vetëm aty, tashmë e besojnë se për të mbijetuar, ata kanë pastruar kokrrat e misrit nga bajgat e kalit dhe pasi i kanë larë i kanë zier, për t’i ndarë kokrrat në mënyrë të barabartë, mes pjesëtarëve të uritur në kampet e internimit në Berat, Tepelenë e Lushnje.

Gjithashtu mund të lexoni

“Në ’62-in, filluam të trasmetonim direkt një ndeshje futbolli në ‘Qemal Stafa, por na mori flakë kamera dhe e ndërpremë, aty ishte dhe Ramiz Alia, i cili…”/ Dëshmia e rrallë e operatorit të parë të RTSH-së

“Londra ushtroi ndikim kryesor në Tiranën zyrtare e asaj kohe, mbështeti qeveritë e Ahmet Zogut, duke marrë edhe disa kontrata për nxjerrjen e hidrokarbureve, por anglezët…”/ Refleksionet e studiueses nga SHBA-ja

Këtu habitesh dhe për një çast mendon se po dëgjon një baladë kur mëson se Mrika, nëna sokoleshë e Prelës dhe Gjonit, ka shkulur flokët për të qepur pantallonat e të birit, pantallona që sot janë në Muzeun Kombëtar. Prela dëshmon ndër të tjera, se është dëshmitar se si harbutët e regjimit komunist, pasi kallën në varr gruan e Muharrem Bajraktarit, e zhvarrosën për t’i rrëmbyer dhëmbët e florinjta.

Bajraku i Mërturit nuk ishte pajtuar me asnjë regjim që nuk i sillte vendit lirinë. Burrat e fisit që mbante flamurin e krahinës, janë vrarë e prerë, janë internuar e burgosur nga perandoria osmane, sundimi austriak, regjimi i Zogut dhe padronët e komunizmit enverian. Por së fundi mbijetuan. Familja e Bajraktarit të Mërturit nga Lekbibaj, është shpërngulur në rrethin e Durrësit, duke marrë me vete edhe kujtimet, dhembjen e mallin.

                        Rrëfimi i Prelë Vatnikaj

Z. Prelë, ju jeni njëri nga djemtë e Bajraktarit të Mërturit, që i mbijetuat regjimit komunist…?

Vitet kanë ecur dhe ndoshta kujtimet vinë disi të lagëta. Gjithçka më duket sikur po ndodh para syve tanë, para syve të fëmijëve, grave e nanës sonë të ndjerë. Që nga internimi i parë në vitin 1946 e, deri më sot, kanë kaluar vërtetë shumë vite, por asgjë nuk mund të harrohet. Ne nuk jemi shpërngulë nga Kolgecaj, por na kanë dëbuar forcërisht, na internoi regjimi komunist i Enver Hoxhës. Familja jonë si trashëgimtare e Mark Tunxh Myftarit, Bajraktarit të Mërturit, qe armiqësuar me regjimin e Enver Hoxhës, që në ditët e para që pushteti ra në dorën e komunistëve.

Im atë dhe të gjithë ata që e mbështetën Mark Tunxh Myftarin, ishin patriotë, nacionalistë. E donin Shqipërinë pa komunizmin, të lirë dhe të barabartë me vendet e tjera të Perëndimit. Të gjitha familjet e Bajrakut në Veri, shumicën e të cilëve kam pasur fat me i njoh në kampet e internimit, kanë qenë familje atdhetare dhe nuk u pajtuan kurrë me komunizmin. Këto bindje ata i kishin edukuar në kohën që studionin jashtë vendit. Marku, im atë, ka mbaruar studimet në Akademinë Ushtarake në Romë. Atje është njohur edhe me kapedanë e oficerë të Bajrakut të Shoshit, Lumës, Nikaj, Shalës e të Shënkolit.

Atje baba është takuar me Muharrem Bajraktarin, me djalin e të cilit kemi jetuar në kampet e internimit në Tepelenë. Është e vërtetë se nga Mërturi, kemi marrë me vete kujtimet, mallin dhe dhembjet. Nuk ka rëndësi se cila prej tyre ka qenë më e madhe. Kemi lënë vendin tonë në Malësi, të djegun e të shkrumbuar. Jo nga ndonjë fatkeqësi, por ngase komitët e maleve na e dogjën, pse ne ishim patriotë dhe e donim vendin tonë pa komunizmin. Askush nuk doli me na përcjellë nga fshati.

Edhe këtë here, jo se nuk kishin mall, por se “komitët” e Partisë Komuniste, do ua prinin bukën në fyt. Kulla jonë u dogj. Bagëtitë na i morën. Atë pak pasuri që mbeti, së bashku me kujtimet e të parëve, u bë shkrumb e hi. Kështu ikëm. Ec e, kthe kokën nga pas, me shpresë se një ditë do të vinim në vendin e të parëve ditën dhe me shpresë se do e ngrenim kullën.

Cili qe fati i pjesëtarëve të familjes së Bajrakut të Mërturit, pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist?

Akoma pa marrë pushtetin regjimi i Enver Hoxhës, në fshatin tonë erdhën ‘Forcat e Ndjekjes’ të Ministrisë Brendshme. Ishte dimri i vitit 1944. Ata i vunë flakën kullës sonë trekatëshe. Baba, Mark Vatnikaj, së bashku me vëllanë tonë të madh, Zefin, kishin dalë në mal, pasi ‘Forcat e Ndjekjes’ i kërkonin për t’i vrarë. Marku, disa herë ka kaluar kufirin, për të shpëtuar kokën. Atë e ka kërkuar për ta vrarë edhe sunduesi turk, edhe xhandarët e Zogut, edhe komunistët e Enverit.

Ne takoheshim rrallë me babën dhe Zefin. Ata qëndronin më shumë në bjeshkët e Nikaj, në Kakia. Jetonin duke ngrënë lëndë lisi dhe flinin në shpella. Stanet ishin të pasigurta, për jetën e tyre. Katër vite me radhë, ata dhe të tjerë patriotë të atyre anëve, luftuan me Forcat e Ndjekjes. Në vitin 1947, në Lekbibaj, Zefi rrethohet nga forcat e regjimit komunist të kohës dhe gjatë përleshjes me armë, ai është vrarë nga një bari i fshatit, që u bashkua me Forcat e Ndjekjes. Ai e mashtroi, e futi në një pritë dhe në kohën që Zefi u përpoq me iu shmangë pritës, është qëlluar nga bariu.

Pas kësaj ngjarje, Marku hyri më në thellësi dhe lidhjet tona u shkëputën, pasi kishim më shumë se një vit që ishim në internim dhe nuk mundeshim me u largu nga Tepelena. Regjimi komunist i Enver Hoxhës, bashkëpunoi me UDB-në jugosllave, për të vrarë babën. Mark Tunxh Myftari, është burgos nga serbët në burgun e Pejës, ku është mbajt deri në vitin 1952. Në këtë vit, agjentët e UDB-se e kanë nxjerrë në oborr të burgut dhe e kanë qëlluar me pistoletë disa here, duke i marrë jetën.

Edhe në këtë rast ne kemi qenë të internuar. Kur jemi dëbuar nga Mërturi, kemi qenë vetëm katër pjesëtarë të familjes së Bajraktarit: gjyshi Tunxh, që vdiq në internim, pas 5 vitesh, nëna jonë, Mrika, unë dhe vëllai, Gjoni. Një vit qëndruam në Berat e më pas në Tepelenë. Kemi vuajtur si gjarpri nën gur. Kampet e përqendrimit, nuk mund të veçohen për nga poshtërsitë, ndaj klasës të të persekutuarve. Për bukë, qumësht, ushqime, kanë vuajtur të gjithë shqiptarët e ndershëm, por ne që ishim me damkë politike, kishim mbi shpatulla edhe poshtërimin, pasi regjimi punonte të na zhburrnonte, në forma nga më të ndryshmet.

Në Tepelenë, ju thoni se keni ngrënë misër, pasi e keni marrë në bajgat e bagëtive…?

I sigurt jam se, e besojnë shumë shqiptarë, të gjithë ata që e kanë jetuar atë regjim dhe që e dinë se çdo të thoshte të ishe i internuar. Ishim në Tepelenë. Uria na kishte lodhur tej mase. Nënë Mrika, u gdhi shumë keq. Në shtëpi nuk kishim as bukë, as miell dhe as makarona. As që e merrnim mundimin për të lyp bukë, pasi nuk na e hapte njeri derën, edhe pse atje kishte shumë familje të fisshme dhe që e vuanin mënyrën tonë të jetesës. Me burrat e fshatit ne kuvendonim copa-copa dhe më shumë uronim me buzëqeshje së largu, sesa shtrëngonim duart.

Ishte e vështirë në fillim të ditëve të internimit, kur shikonim se si në tavolinën tonë, në kafe, nuk ulej askush. Na dhimbte në zemër, kur burra e gra dilnin nga dyqani, kur ne hynim për të blerë kripë a ushqime. Në fillim unë nuk i kuptoja, por më pas u binda, se të gjithë ata ishin të frikësuar, ngase gjithandej kishte agjentë të Sigurimit të Shtetit. Na kishin vendosë për banim në disa ish-magazina dhe dritaret ishin gjysma me xham e, gjysma me plastmasë. Pashë nënën që kaloi nga një ndarje tjetër e magazinës. Atje në mesin e baglave të kalit, kishte nisur të mblidhte kokrrat e misrit.

E ndihmova dhe pasi i lamë me ujë, i futëm për t’i zierë e më pas, kokrrat i ndamë në mënyrë të barabartë. Babë Marku e vëlla Zefi, në vjeshtë hanin lëndë bagëtish, për të mbijetuar, kurse ne në Tepelenë, misër në bajgat e bagëtive. Më kujtohet edhe se si një ditë Gjoni, vëllai i vogël, i tha nënës se rrobat i ishin grisë. Nuk i kam besuar syve, kur pashë nënë Mrikë se si shkuli flokët dhe nisi t’ia qepë pantallonat. Pantallonat janë në Muzeun Kombëtar në Tiranë dhe janë dëshmi i krenarisë së familjes sonë, që nuk u nënshtrua kurrë.

Në vitin 1994, në shtëpinë tonë erdhi një italian. Na i solli djali i Hasan Dostit me familjen e të cilit ishim njohur në internim. Italiani na afroi shumë të madhe, por as unë e as Gjoni nuk ishim të mendimit me ia dhënë. Për të mos e kthye bosh mikun nga Italia morëm gërshërët dhe pasi premë një pjesë të pantallonave ia dhamë me vete.

Për të mos mjaftuar këto vuajtje që dëshmoni, Gjoni, burgoset e dënohet me 10 vite…?!

Në vitin 1952, në shtëpi vijnë policia dhe marrin Gjonin. Ai ishte shumë i ri, nuk i kishte mbushë 17 vitet. E akuzuan se kishte folur kundër regjimit. Për të njëjtën akuzë, u arrestuan edhe; Kurt Kola, Genc Bajraktari, Fiqiri Dine, Qemal Dema, Haki Alla, të gjithë pjesëtarë të familjeve të internuara. Gjoni u dënua 10 vjet dhe u bashkua me ne, vetëm në Lushnje.

Në gjyq atij i është thënë vetëm; armik, por nuk i është përmendur vetëm fakti se baba ynë ishte arratisë, se ishim familje e Bajrakut të Mërturit, se Zefi ishte vrarë nga Forcat e Ndjekjes. Pra gjyqin ia bënë, jo Gjonit, por familjes sonë. Atë e quajtën djalë krimineli, edhe pse baba ishte oficer dhe kishte luftuar vetëm kundër pushtuesit dhe për t’u mbrojtur, edhe kundër forcave të Sigurimit të Shtetit shqiptar. Dënimin Gjoni e vuajti në Gjirokastër, Burrel dhe Shkodër.

Në Tepelenë jeni njohur edhe me familjen e Muharrem Bajraktarit, Bajraktar i Lumës në Kukës?

Muharrem Bajraktari, siç e thashë më lart, kishte njohje me babën, Markun, shumë vite para se ne djemtë e Markut, të njiheshim në internim me djalin e gruan e Muharremit. Ata (Muharremi dhe baba, Marku), kishin mbaruar Akademinë Ushtarake në Romë dhe duheshin shumë.

Bajraktarët janë takuar si në kullën tonë në Mërtur edhe në Kukës, në sarajet e Muharremit. Ne ishim besimtarë të devotshëm katolik dhe feja nuk na e lejonte asokohe me marrë apo me dhanë vajzë, në një derë myslimane. Për të mbajtur të fortë miqësinë, Marku dhe Muharrem Bajraktari, kanë pi gjak dhe janë bërë probatin (janë vëllazëruar).

Në Tepelenë, kemi pasur hyrje e dalje me Genc Bajraktarin, djalin e Muharremit, si dhe gruan Bajraktarit, Nazifen. Nuk e mbaj mend se në cilin vit vdiq Nazifja, por në varrim kemi qenë 2-3 burra. Pasi e varrosëm, vjen dikush e më thotë, se dikush po gërmonte tek varri i Nazifes. Atë e kishin zhvarrosë dhe ia kishin thyer nofullat me levë e me çekiç.

Të gjithë këtë krim e kishin bërë, për t’ia marrë dhëmbët e floririt. Ka dëshmitarë për këtë turp të pashoq. Nuk kisha dëgjuar kurrë në jetën time dhe as nuk kisha lexuar një masakër të tillë! Dhe të gjithë këtë, e kanë bërë ata që të vrisnin natën e, të qanin ditën. Tepelenasit e dinë mirë se kush e ka zhvarrosur Nazife Bajraktarin, për ta dhunuar kufomën.

Pas Tepelenës vuajtjet e familjes së Bajraktarit të Mërturit vazhduan në Lushnje. Por atje si ti edhe Gjoni nisët jetën e re…?

Në vitin 1955, ne u internuam në Lushnje, pas 8 vitesh vuajtje në Tepelenë. U vendosëm në sektorin Gjazë, Savër. Ishte fermë dhe shpëtuam nga uria, pasi e siguronim bukën e gojës. Ishin të njëjtat rregulla, të njëjtat detyrime për ne, të paraqiteshin në polici, të merrnim leje, nëse do të shkonim në qytet, e me radhë.

Unë u bëra 27 vjeç, kurse Gjoni ishte i vogël. Me thënë të vërtetën, ata që na komandonin ne, ishin të pashkollë, të paedukatë, të pamoralshëm dhe injorantë në kuptimin e plotë të fjalës. Unë kam mbaruar Internatin “Kosova” në Krumë të Hasit, shkollë me shumë autoritet, në përgatitjen cilësore të nxënësve.

Atje kishte shumë djem nga Shqipëria dhe Kosova. Mbaj mend se drejtor në atë kohë, ishte Rifat Spahiu. Fadil Hoxha nga Kosova, një nga politikanët e njohur shqiptar, gjatë regjimit të Titos, ishte dy vjet para meje, kurse kam qenë moshatar me Rexhep Demirin, Shyqyri Bulicën, etj. Pasi përfundova studimet, u emërova si i plotfuqishëm i ligjeve në Lezhë.

Unë, në moshën 16-vjeçare, kam qenë partizan në kohën e Luftës Çlirimtare dhe partizan kam dalë me fjalë të babës e, të xhaxha Tunxhit. Regjimi komunist kishte dokumente, por nuk ka dashur asnjëherë ta pohojë këtë fakt, ndërsa vetëm një vit pasi unë punova në Lezhë, gërmojnë në biografinë time dhe gjithçka rrokulliset edhe për mua, sapo më larguan nga komanda e vendit.

Megjithatë familja juaj nis e shtohet në Lushnje, fillimisht me martesën tënde dhe më pas me atë të Gjonit…?

Në kohën që u martova unë, Gjoni vuante dënimin si armik i popullit, kurse gjysh Tunxhi, na kishte vdekur. Nusen e mora nga dera e njohur e Çun Kolës, familje krenë bajraku në Nikaj. Në dasmën time, ishim unë e nënë Mrika. Buben, nusen time, ma solli në shtëpi nga Nikaj, motra e saj. Askush nuk e kishte marrë vesh këtë lidhje.

I ati i Bubes, ishte në mal dhe më shumë qëndronte i arratisur, për të njëjtat shkaqe si dhe Marku e Zefi. Vajzat ishin nisë për në Lushnje, me porosi të të babës së tyre. Kur nusja ime e ardhshme u fut në shtëpi, ishte e veshur me rroba vajzërie. Në shtëpi nuk kishim as karamele, as sheqer e, as llokume. Nëna doli dhe u kthye disa kohë më pas, me disa rroba nuse. Ia dha së resë.

Dolëm nga shtëpia e, pasi hipëm në një karrocë, përshkuam rrugën e fshatit. Nga martesa me vajzën e Nikajve, ne patëm 6 djem e 1 vajzë. Të gjithë djemtë u arsimuan pas demokracisë në Shqipëri. Marku, përfundoi Ekonomikun; Sokoli, atë të Akademisë së Rendit; Zefi, Viktori e Tunxhi, diplomohen në auditorët e drejtësisë dhe Gjergji vijon punën, në policinë e shtetit. Vëllai im, Gjoni, ka marrë për nuse, vajzën e familjes së Lulash Gjeloshit, Bajraktar i Shoshit. Kjo familje patriotike, e fortë dhe shumë e njohur në ato anë, ka një histori të veçantë.

Kulla e Bajraktarit të Nikaj, ishte rrethuar nga Forcat e Ndjekjes që kërkonin të kapnin të gjallë plakun e moshuar, Lulash Gjeloshi. Për të mbrojtur nderin e Bajrakut, në anë të Lulashit, dalin djem, nipër dhe burra të Nikaj. Për një javë, kulla qëndroi e rrethuar. Në përleshje mbetën të vrarë 13 patriotë të Bajrakut të Nikaj, kurse Forcat e Ndjekjes, lanë 84 forca. Familjet tona kanë qëndruar gjatë gjithë jetës të lidhur me fise e kulla të ndershme, që kanë sakrifikuar për shkollimin e djemve e vajzave, për nderin e vendit dhe për idealet e lirisë.

Më shumë se 25 vite internim, nuk na ligështuan. As vitet e burgut dhe as provokimet e regjimit komunist, nuk na mposhtën. Këto cilësi jemi përpjekur t’i ruajmë e t’i edukojmë edhe tek pasardhësit tanë. Për ne principet më të shtrenjta janë atdhetaria dhe fisnikëria. Këto i kemi çmuar dhe vetëm mbi këtë princip masim vlerat e individit dhe të shoqërisë.

Tani kohët ndryshuan. Keni ndërmend të riktheheni në sarajet e të parëve në Mërtur e Lekbibaj?

Internimet tona përfunduan në vitin 1970. Në Lushnjë ne kishim drejtor ferme, Sulejman Gallain, me të cilin si unë, edhe Gjoni, kishim njohje e ishim takuar disa here, për punë të ekonomisë familjare. Në kohën që ne u lamë të lire, drejtor në fermën e Sukthit, ishte bërë Sula. E takova dhe më këshilloi të mos rrëmbehem nga malli, për të parë sa më shpejt vendlindjen.

Duke njohur temperamentin tonë si malësor, më duket se i druhej se unë e Gjoni, do të merrnim ndonjë vendim të nxituar. Sulejman Gallai rrezikonte, teksa përpiqej të na bindte ne, për të gjetur një vend diku në fushë. Ishim të sigurt se, ai kishte krijuar një konsideratë për të kaluarën tonë dhe për karakterin e familjes sonë.

E pleqëruam me gratë dhe djemtë dhe gjykuam të vendoseshim në Hamallaj. Unë kam qenë në kullën time, në kullën ku u linda dhe me të cilën më lidhin shumë kujtime. Sot kulla është rindërtuar, nga kushërinjtë që janë atje. Në vitet e fundit, shkojmë e vijmë, por jetesa në ato zona shumë të thella të malësisë së Tropojës, është vështirësuar së tepërmi. Ne ndihemi krenarë që i përkasim atyre sarajeve, pasi kemi sakrifikuar një jetë, për të ruajtur të pastër, gjithçka mësuam në ato kulla. Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Pas ndërprerjes të studimeve në universitetin me famë botërore të Moskës, kur prisja të korrja frytin e punës, më syrgjynosën në Ardenicë në kasollen e...”/ Kujtimet e shkrimtarit Sokrat Shyti

Next Post

“Kur sapo u rehatuam në ‘Xhip’, i thashë oficerit që merrej me të internuarit; nuk e di si duhet ta falënderoj sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë dhe kryetarin e Degës, ai...”? / Kujtimet e shkrimtarit Sokrat Shyti

Artikuj të ngjashëm

“Në ’62-in, filluam të trasmetonim direkt një ndeshje futbolli në ‘Qemal Stafa, por na mori flakë kamera dhe e ndërpremë, aty ishte dhe Ramiz Alia, i cili…”/ Dëshmia e rrallë e operatorit të parë të RTSH-së
Intervista

“Në ’62-in, filluam të trasmetonim direkt një ndeshje futbolli në ‘Qemal Stafa, por na mori flakë kamera dhe e ndërpremë, aty ishte dhe Ramiz Alia, i cili…”/ Dëshmia e rrallë e operatorit të parë të RTSH-së

May 28, 2025
“Gjyshi im, Haxhi Isufi – Banka, ministër i Financave me Vidin, deputet me Nolin, u vlerësua nga Zogu, por komunistët, na vranë dhe burgosën”/ Historia e panjohur e themeluesit të financave
Intervista

“Londra ushtroi ndikim kryesor në Tiranën zyrtare e asaj kohe, mbështeti qeveritë e Ahmet Zogut, duke marrë edhe disa kontrata për nxjerrjen e hidrokarbureve, por anglezët…”/ Refleksionet e studiueses nga SHBA-ja

May 17, 2025
“Takimin me Nënë Terezën, Mbretëreshën Geraldinë dhe Princin Leka, e organizova unë me…”/ Dëshmia e rrallë e Lume Juka, e bija e ish-ministrit më besnik të Mbretit Zog, i larguar nga Shqipëria në prillin e ’39-ës
Intervista

“Takimin me Nënë Terezën, Mbretëreshën Geraldinë dhe Princin Leka, e organizova unë me…”/ Dëshmia e rrallë e Lume Juka, e bija e ish-ministrit më besnik të Mbretit Zog, i larguar nga Shqipëria në prillin e ’39-ës

April 30, 2025
“Kur avioni i ynë rrëzua në Belsh, 30 pjesëtarë të stafit mjekësor amerikan, të nisur nga Bari Italisë, u gjendëm në një territor armik…”/ Intervistë e rrallë me të fundit të mbijetuarit, Dr. Harold Hayes.”
Intervista

“Kur avioni i ynë rrëzua në Belsh, 30 pjesëtarë të stafit mjekësor amerikan, të nisur nga Bari Italisë, u gjendëm në një territor armik…”/ Intervistë e rrallë me të fundit të mbijetuarit, Dr. Harold Hayes.”

April 28, 2025
“Si mbijetova për 8 vjet në galeritë e tmerrshme të Spaçit dhe jeta ime në emigracion, pa u kthyer kurrë në Shqipëri, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e 95 vjeçarit Agron Kallejxhi nga Firence
Intervista

“Si mbijetova për 8 vjet në galeritë e tmerrshme të Spaçit dhe jeta ime në emigracion, pa u kthyer kurrë në Shqipëri, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e 95 vjeçarit Agron Kallejxhi nga Firence

April 24, 2025
“Vrasja pas shpine me tradhti e Mustafa Gjinishit nga Enver Hoxha, ishte prologu i fytyrës së vërtetë të komunizmit, që po vinte në Shqipëri, pasi…”/ Refleksionet e shkrimtarit
Intervista

“Kur e njoftuan me radio Bab Myslymin, se ishte vrarë Mustafa, ai tha; do e bëj  gjakun deri në gju të kalit, por s’bëri asgjë, sepse, Gogo Nushi i tregoi kush e vrau…”/ Dëshmia e rrallë e motrës së Gjinishit

March 29, 2025
Next Post
“Si i lirova nga salla e gjyqit, katër shokët e mi të fëmijërisë, që kishin rrahur e plagosur përgjegjësin e tyre në burgun e Torovicës…”?! / Kujtimet e ish-prokurorit, miku i “vagabondëve” të Shkodrës

“Kur sapo u rehatuam në ‘Xhip’, i thashë oficerit që merrej me të internuarit; nuk e di si duhet ta falënderoj sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë dhe kryetarin e Degës, ai...”? / Kujtimet e shkrimtarit Sokrat Shyti

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!