Nga Njazi Nelaj
Pjesa e nëntë
– Në shkollën kineze të aviacionit ushtarak –
Memorie.al / Të përzënë nga shkolla sovjetike e Aviacionit, me ëndrra të prera në mes, një pjesë e grupit të studentëve për pilotë, që kishim studiuar një vit në qytetin e Batajskut, më 8 janar të vitit 1962, pas një lundrimi “skëterrë”, me një anije mallrash, mbërritëm në qendrën e Shkollës së Tretë të Aviacionit Ushtarak të Kinës, në qytetin Çin Zhou. Ai ndodhet në “zemër” të Mançurisë; në atë kohë kishte rreth 200.000 banorë. Pa ndonjë industri të spikatur. Një qytet me ndërtime 2-3 katëshe por me rrugë të asfaltuara. Terreni përqark qytetit ishte fushor; pranë tij janë brigjet Perëndimorë të Detit të Verdhë. Njëra nga vlerat e këtij qyteti mbahej fakti që aty ishte qendra e Shkollës së Tretë të aviacionit ushtarak të Kinës. Vajtja ime në këtë shkollë e në atë qytet ishte një rast fatlum. Në listën prej 7 studentësh të kursit tonë ku bënin pjesë: Adem Çeça, Dhori Zhezha, Mihal Pano, Bashkim Agolli, Andrea Toli dhe Sherif Hajnaj (Bracki), u përfshi, fare rastësisht dhe emri im, Niazi Nelaj.
Aeroplani ‘Mig-15 Bis’, ishte një befasi për Flotën Ajrore Amerikane. Futja, në luftë e aeroplanit reaktiv ‘Mig-15 Bis’, në konfliktin mes dy Koreve, u quajt “Surpriza Koreane”. Avioni i ri gjuajtës, i prodhimit sovjetik, kishte kabinë hermetike, sistem katapultimi, armatim të fuqishëm dhe ishte i pajisur me sistem furnizimi me oksigjen. Në fillim, avioni ‘Mig- 15’, u përdor në hapësirën e Shanghait, në fillim të vitit 1950, kundër aeroplanëve të Guomindanit.
‘Mig-ët-15’ rrëzuan vetëm 1 aeroplan ‘P-28’. Në vitet 1950-1953, aeroplanët ‘Mig-15’ morën pjesë në kapjen dhe asgjësimin e avionëve shkelës të hapësirës ajrore të Bashkimit Sovjetik. Në ata vite, mbi territoret sovjetike u rrëzuan katër avionë ‘RB-29’; dy avionë ‘B- 26 C’; një ‘F-82’; një ‘F-51 D’; një ‘B-24’; një ‘P 2-4-3’; një ‘DC-3’; një ‘PBY-5A’; një ‘Linkoln B-11’; një ‘RB-50G’ etj.
Lufta e Koresë ishte prova më e madhe disa mujore, për ‘Mig-un- 15 Bis’. Ajo ishte e para luftë ajrore mes aeroplanëve reaktivë. Me futjen e Kinës në luftë, Bashkimi Sovjetik dërgoi në Kinë Korpusin e 64 gjuajtës, të pajisur me avionë ‘Mig-15’. Më 1 nëntor, korpusi u fut në luftë kundër Aviacionit Amerikan. Kjo ishte e papritur për Forcat Ajrore Amerikane, e cila nuk e kishte parashikuar përplasjen me gjuajtësit e rinj sovjetikë. Avionët amerikanë ‘F-80’, dështuan përballë migëve. Në fund të dhjetorit 1950, amerikanët futën me urgjencë në luftim, avionët ‘F-86’ (“Sejbr”).
Deri në mbarimin e luftës së Koresë, qershor 1953, ‘Mig-ët-15’ dhe ‘F-86’, ishin kundërshtarët kryesorë ajrorë mbi qiellin e Koresë. Një komandant skuadrilje i ‘Mig’-ve, Sergej Kramarenko, fitoi në Kore, 13 beteja ajrore. Avionët sovjetikë, kinezë dhe Koreanoveriorë, rrëzuan në këtë luftë, 1.377 avionë të armikut dhe lanë 566 avionë nga të tyret. Piloti, Evgenij Pepelajev, rrëzoi 23 avionë të armikut. Avionët sovjetikë, kishin si aerodrome për ngritje e ulje, ata të Kinës Veri-Lindore.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, taksën 10.000 dollarë për atë që do të çonte në atë vend aeroplanin ‘Mig-15 Bis’. Pas përfundimit të Luftës së Koresë, në shtator 1953, piloti sovjetik, Ho Gimsok, pa ditur asgjë për çmimin që ishte vënë, e uli një avion ‘Mig-15’ në Korenë e Jugut e, prej andej, avioni u vendos në një muze të SHBA–ve.
Kinezët e përdorën ‘Mig-un-15’ në luftë kundër avionëve të Tajvanit; në luftën arabo-izraelite dhe në atë të Vietnamit, ku ky avion u përdor gjerësisht. Kaq për histori. Sigurisht, këto të dhëna janë nga burime sovjetike. Sa për informacion, në vendin tone, avionët ‘Mig-15 Bis’, erdhën nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1955. Fillimisht erdhën 18 aeroplanë luftarakë dhe 4 të tjerë- mësimorë. Avioni ‘Mig-15’ u hoq nga armatimi i Aviacionit shqiptar, vetëm në vitin 2006.
Vendi ynë ishte i fundit, në botë që e bëri këtë ndërmarrje. Aeroplanin ‘Mig -15’, në Shqipëri e pagëzuan me emrin simbolik: “Mushka e ajrit”; nisur nga fakti se ishte i qëndrueshëm, në tokë e në ajër; i manovrueshëm; i përshtatshëm për terrenin tonë të thyer malor; mund të ulej e të ngrihej edhe në lëndinë dhe se i falte pilotit edhe ndonjë shmangie të vogël, nga parametrat e fluturimit.
Në vendin tonë, aeroplanët ‘Mig-15’ u montuan në Tiranë, në Skuadrilen e Transportit; u ngritën në ajër nga Fusha e Aviacionit në Laprakë, të pilotuar nga pilotë sovjetikë, pastaj u ulën në aerodromin e Qytetit “Stalin”. Me këta aeroplanë e me të tjerë që erdhën më pas, u formua i pari regjiment i “Aviacionit Gjuajtës-Bombardues” të vendit tonë, i komanduar nga “baba” i Aviacionit Luftarak Shqiptar, i paharruari Niko Selman Hoxha. Në grupin e parë të pilotëve që ishin përgatitur në Shkollën Sovjetike të Aviacionit, të Borisoglebsit e cila mbante emrin e të lavdishmit “Valerij Çkallov”, ishin: Anastas Ngjela, Vasil Andoni, Agim Spahiu, Hamit Ulqinaku dhe Bardhyl Taçi.
Dikur, në regjimentet e Aviacionit dhe në shkollat sovjetike, pilotë të veçantë, me aeroplanë ‘Mig-15’ shumë të balancuar, e praktikonin shtoporin; madje ua dëftonin atë edhe kolegëve të tyre. Viktimat e shumta që pasuan zbatimin e ushtrimit të shtoporimit çuan në ndalimin e kësaj figure të pakëndshme për pilotët.
Ishin ditët e ngjeshura të përgatitjes në tokë ku iu nënshtruam një pune të paparë, duke imituar, me model aeroplani në dorë ose, në kabinën e avionit, të gjitha veprimet që kryen piloti, prej çastit kur zë vend në kabinë; deri sa përfundon detyrën e zbret prej saj. Duhet thënë se në këtë fazë të përgatitjes, spikat me tërë forcën durimi kinez.
Në ditët pas përgatitjes teorike, para se të niste përgatitja në tokë m’u desh të shtrohesha në spital. Për të konkluduar rreth një dhimbje te kahershme në shpatullën e djathtë. Dhimbja nuk ishte e padurueshme por shqetësuese. Prandaj e zvarrita çështjen derisa, gjeta një interval kohe të përshtatshëm. Në vjeshtën e vitit 1962, kur dimri mançurinian akoma nuk ishte shtruar këmbëkryq në provincën Liao Nin, një ditë, në shoqërinë e mjekut e të përkthyesit që nuk më ndahej, mora udhën për në spitalin e aviacionit, në qytetin e bukur të Çhang Çunit.
Një “gonxhe” çeli në spitalin ushtarak të aviacionit, në Çhang Çunit
Bëhet fjalë për një “roman”, pa fillim e pa mbarim, në vjeshtën e vitit të largët 1962, në qytetin mançurian të Çhang Çunit. Ky qytet ndodhet në qendër të krahinës dhe veçohet për disa bukuri të rralla, karakteristike. Në një vend me gjelbërim të dendur piktoresk, kushedi kur e nga kush është ndërtuar një ngrehinë e bukur, me tre kate, në formë harku, e përshtatur për spital.
Bukurive të mjedisit rrethues i korrespondonin në harmoni të plotë pastërtia dhe rregulli i brendshëm dhe një shërbim shëndetësor “shembullor”. Dukej sikur në atë institucion shëndetësor çdo gjë ishte bërë me porosi e me shumë merak. Pas vitit 1948, vit kur Kina u çlirua, në këtë spital u shërbehej, kryesisht këshilltarëve ushtarakë dhe aviatorëve sovjetikë, si dhe disa kuadrove “me peshë” të Ushtrisë Çlirimtare të Kinës.
Mund të them se atij që i binte lotaria të shtrohej në atë institucion shëndetësor, ishte me fat e “kishte lindur me këmishë”. E them me kompetencë mbasi, është tërësisht e vërtetë dhe e kam provuar vetë, në fundvitin 1962, kur u diagnostikova e u mjekova për një dhimbje shpatulle.
Disa herë i isha drejtuar mjekut specialist të shkollës, me fjalët: ”Ishën; jou bin, pej t’hën”! që do të thotë: “Doktor, jam i pamundur, më dhemb shpatulla”! U përpoq mjeku i shkollës, me ato mundësi që kishte e me ato dijeni që zotëronte, por nuk mundi të konkludonte, nëse ishte dhimbje e natyrës muskulore apo kockore. Për kompetencë, ai më drejtoi në spitalin e aviacionit të rajonit; në repartin e fizioterapisë. Fletën shoqëruese dhe anamnezën, i’a dhanë “përkthyesit” i cili m’u ngjit si “pullë poste”.
Gjithë ai burrë, kot së koti, i shëndoshë si dem, u shtri në një krevat, paralel, në dhomën ku më caktuan mua. Sëmundja e tij ishte mjaft e vështirë për t’u identifikuar. Ai hante, pinte, flinte, dhe e shtynte kohën duke lexuar gazetën. E mora inat jo vetëm se e dija që ishte informator i Sigurimit kinez, por dhe për ndonjë ves, të cilin nuk ia duroja dot. Ai goxha burrë, kollej shpesh, nxirrte gëlbazat e i hidhte ku të mundte.
Ta themi siç ishte, kinezët e ndjenin barrën e përgjegjësisë që kishin për ruajtjen e shëndetit tonë dhe bënin çmos që ai të mos cënohej. Por, në qytetin ku ishte shkolla jonë, mundësitë ishin të kufizuara; spitali ishte i specializuar. Shoku ynë Bashkim Salih Agolli (Nipçja), një natë, pas mesnate u dërgua, me urgjencë në spitalin e qytetit të Çin Xhout, në një rast kirurgjikal, i cili rezultoi apendicit akut.
E operuan mjekët e i shpëtuan jetën, por mungesa e eksperiencës bëri që vendi i prerjes të mbetej “si shpellë”. Ndryshe ishte çështja ime; ajo priste. Për të konkluduar për origjinën e dhimbjes time, duhej kohë e analiza të veçanta. Prandaj më nisën për në Çhang Çun.
Deri në atë kohë kisha mësuar të komunikoja në gjuhën kineze, vetëm me gojë, me fjalë të përgjithshme, aq sa është e nevojshme për një komunikim të përgjithshëm. E kisha të vështirë të kuptoja e të shpjegoja me terminologji mjekësore, në gjuhën e vendit, rastin tim, përpara bluzave të bardha. Prandaj u shtir si i sëmurë rusisht folësi, i cili nuk m’u nda por më monitoronte 24 orë, në 24.
Më vinte shumë inat kur i kaloja netët, thuajse pa gjumë, nga dhimbjet dhe shikoja në shtratin fqinjë përkthyesin “e sëmurë”, tek flinte, për shtatë palë qejfe dhe gërhinte me potere. Pas analizave e këqyrjeve të specializuara më përcaktuan mjekimin, i cili do të vazhdonte rreth dy javë. Në fushën e mjekësisë e në veçanti kur duhet futur në lojë fizioterapia, mjekësia kineze është interesante dhe unikale.
Ndoshta për lexuesin mund të jetë e dobishme t’i tregoj, llojin dhe mënyrën e mjekimit të një rasti analog. Bëhej fjalë për një lloj artriti. Si të mos isha me shfaqje artriti unë, me atë fëmijëri zbathur, ujërave, i pangrënë e me fjetje në kushte tejet mizerabël?!
Pas konkludimit të mjekëve, në një sallë mjekimi, në katin e parë, ku kthinat për çdo pacient ishin të ndara me perde e të pajisura me krevat të fortë (jo sustë), nisa të mjekohesha. Një mjekim i çuditshëm, pa medikamente e pa vuajtje. Më ngjante si lodër. Çdo ditë, në orët e para i nënshtrohesha një seance mjekimi me parafinë të ngrohtë.
Vendasit, këtij mjekimi i thonin: “Lla ljao”. Shtrihesha mbi një copë parafinë të ngrohur, sa ta duronte lëkura, e cila ishte e mbështjellë me napë të bardhë; vendosja mbi të shpatullën që më dhimbte e qëndroja ashtu rreth 30 minuta. Nxehtësinë e parafinës, dalëngadalë e thithte trupi e, pas 30 minutash, ajo ishte ftohur. Pas mjekimit me parafinë të ngrohtë kaloja në një kthinë pranë, ku më priste një tjetër lloj mjekimi.
I ulur në një ndenjëse, infermierja më drejtonte një lloj reflektori i cili, dërgonte ngrohtësi dhe rrezenë shpatullën time të sëmurë. Ky ishte mjekimi, që në gjuhën e vendasve quhet: “Li Ljao”. Qendroja në të njëjtin pozicion 20-30 minuta; mandej kaloja në një shtrat tjetër ku më “bombardonin”, për 10-15 minuta, me ultratinguj.
Kjo ishte mënyra e fundit e mjekimit tim. Nuk u pa e nevojshme të përdorej akupuntura; as venduzat kineze. Të njëjtin rit bëja çdo ditë. Pas dy javësh e ndjeva veten të përmirësuar. Sot e kësaj dite, dhimbjen e shpatullës, si atë që mbaj mend, nuk e kam ndjerë.
Në vendin e mjekimit kisha parë si bëhej apukuntura. Një metodë mjaft interesante dhe efektive, e cila mendoj se mban autorësinë kineze dhe përdoret veç në atë vend. Një mjeke (infermiere), e zgjuar dhe e shkathët, e cila njihte në perfeksion anatominë e trupit të njeriut, mbante në dorë një “age”, mjaft të hollë (sa një fije floku), me majë, e vendoste nëpër rrugët nga kalojnë enët e gjakut (damarët) dhe e ngulte pak, me një të shtyrë të lehtë të dorës.
“Age” të tilla ngulte në mjaft vende ku pacienti ankonte dhimbje dhe i linte ashtu rreth 20 minuta. Pas kalimit të kohës së nevojshme, ajo, po me dorë të lehtë, i shkulte “gjilpërat”, një nga një. Pacienti nuk ndiente asgjë; si kur i vendoseshin “aget” dhe kur i hiqeshin ato.
Efektiviteti i tyre ishte i menjëhershëm; nervi i fjetur ngacmohej e ai niste të funksiononte normalisht. Besoj, nuk kërkonte ndonjë specializim të posaçëm, përderisa shoku ynë i grupit- Dhori Nasi Zhezha, në kushtet e repartit mësoi ta përdorte këtë mënyrë mjekimi, “të thatë”, pa përdorimin e medikamenteve.
Mjekimi im vazhdonte rreth 2 0rë; kohën tjetër e kisha të lirë e nuk dija si ta kaloja. Kinezët e shumtë që ishin shtruar në atë spital (kuptohet, ata që lëviznin), luanin ping-pong. Kjo lojë, në hapësirat Kinezeishte mjaft e përhapur. Ajo ishte kthyer, me kohë, në lojë popullore dhe vendasit ishin mjeshtër të mëdhenj, në ping-pong.
Në shkollën e aviacionit, si në Çin Zhou dhe në Sui Xun, kisha mësuar të luaja, me dhe si shokët e mi, por me kinezët nuk mund të krahasohesha. Inatin për t’u ngjarë atyre e kisha të madh por isha pak i ngathët për këtë lojë. Më mësonte të luaja ping –pong durrsaku Perlat Lako, i cili më lejonte të luaja e luante pastër, me topa të gjatë.
Perlati ishte mjaft i saktë për pritjen e topit dhe, kur luanim së bashku, më lejonte të gjuaja. Në spital gjeta mjeshtra të mëdhenj. Mendova: rasti më trokiti në derë; kohë kam plot, përse të mos mësoj ping-pong, nga këta mjeshtër masivë. Shkoja shpesh e qëndroja gjatë në sallat e ping-pongut. Masivizimi i këtij lloj sporti bënte që në ato salla të mbahej radhë. Unë përfitoja duke luajtur por dhe duke parë si luanin vendasit.
Për të më respektuar, shumëkush më linte radhën. Ndihesha keq nga ky lloj privilegji. Më dukej vetja si ata që janë për gjynah. Kur merrja raketën në dorë e luaja përballë kinezëve, kuptoja sa më vlente lëkura. Më mundnin meshkujt, por dhe femrat. Ata janë fantastikë e nuk mund të bësh krahasim sa i takon lojës së ping-pongut.
Shkathtësia, si majmun, e cila buronte nga reflekset ishte karakteristika kryesore e tyre. Janë dhe inatçinj të mëdhenj. Po vuri re që je më i mirë, kinezi “ha veten me dhëmbë “, deri sa të të arrije të mbetesh pas tij. Kjo nuk ndihet vetëm në lojën e ping-pongut por në të gjitha fushat e jetës. Sedra dhe cmira janë dy nga forcat kryesore lëvizëse të cilat i bëjnë ata të motivuar, për të ecur përpara.
Duke qëndruar shpesh e gjatë, në radhë për t’u futur në lojë, më ra në sy një vajzë adoleshente, me moshë jo më tepër se 16 vjeçe. Vajza ishte e lartë rreth 165 cm. kishte veshur rroba doku, ushtarake, ngjyrë kaki, pantallona dhe xhup, nga ata që mbushen me pambuk e thuren. Mbante flokë të gjatë, deri tek vithet, të thurur në dy gërshetë. Vajza kishte dy sy, të zinj, me bisht, siç i kanë kinezet.
Sytë e saj të mëdhenj, të rrumbullakët e plot shkëlqim ngjanin me dy sy mëshqerre. Tiparet e fytyrës ishin të rrumbullakëta e të imëta. Ngjyra e fytyrës të saj ishte e bardhë, e pa prekur nga dielli. Hundën e kishte të vogël, pak të shtypur, gojën të vogël e buzët të brishta. Brishtësia e saj dhe ajo pamje fëmijërore, e pafajshme, ngjante më tepërme një engjëll, sa me njeri.
Gjatë pritjes së radhës për të luajtur ping-pong, vajza e re më ra në sy, jo vetëm një herë. E shikoja e më shikonte, jo painteresin. Unë e shikoja me vëmendje, nga koka tek këmbët e ajo, në përgjigje vetëm qeshte, me fytyrë të pafajshme. Ajo, si unë, priste radhën për të luajtur, e shkujdesur. Siç qëndrojnë kinezet, pa u kujdesur se çfarë thonë të tjerët për qëndrimin e tyre. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016