Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Hiqmet Ndreut, nga fisi i njohur i Ndreve të Sllovës së Dibrës, i njohur kryesisht prej Elez Isuf Ndreut, prijësit legjendar të kryengritësve dibranë në luftërat kundra shovinistëve serbo-malazezë dhe të birit të tij, Cen Elezit, e gjeneral-major Dali Ndreut dhe kolonel Esat Ndreut, ku shtëpia e tyre në fshatin Sllovë, u bë një nga bazat më të fuqishme të Luftës Antifashiste dhe si rezultat, Cen Elezi në vitin 1945, u zgjodh nënkryetar i Frontit Demokratik që kryesohej nga Enver Hoxha. Si filloi persekutimi ndaj fisit Ndreu në vitin 1946, kur Cen Elezi u shpall “armik” dhe së bashku me djemtë e tij, u detyrua që të dilte në mal dhe më pas të arratisej nga Shqipëria. Dëshmia e Hiqmet Ndreut, njërit nga pjesëtarët e fisit të njohur që në vitin 1952, së bashku me dy kushërinjtë e tij, iku nga internimi në Llakatund të Vlorës dhe u arratis nga Shqipëria, duke kaluar fillimisht në Jugosllavi dhe më pas fitoi azilin politik, për në Melburn të Australisë, ku për 22 vite drejtoi emisionin “Zëri i shqiptarëve të lirë” në Radio-Melburni.
Zoti Hiqmet, ju jeni nga fisi i njohur Ndreu i Dibrës, ç’mund të na thoni diçka më konkretisht, për veten dhe familjen tuaj?
Unë kam lindur më 20 mars të vitit 1932-të në fshatin Sllovë të Dibrës dhe babai im, Islam Ndreu, ka qenë një nga 15-fëmijët e Cen Elezit, djalit të Elez Isufit, i cili është shumë i njohur në historinë e Shqipërisë. Babai im Islami, nga fundi i viteve ‘20-të u diplomua në shkollën amerikane të Harry Fultz-it. Këtë gjë e ka shkruar vetë Harry Fultz në memoriet e tija të botuara në SHBA. Pas diplomimit në atë shkollë, babai ka punuar si Kryetar i Komunës së Kryevidhit në Kavajë dhe më pas si Kryetar i Bashkisë së Shijakut.
Gjatë viteve të pushtimit fashist, cili ka qenë aktiviteti i tij?
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, babai nuk pranoi të shërbente më si Kryetar Komune e dha dorëheqjen nga ajo detyrë e u kthye në Sllovë së bashku me Kolë Tromarën. Gjatë viteve të Luftës, ashtu si të gjithë burrat e tjerë të fisit tonë edhe babai, Islami, si nacionalist që ishte, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste”.
Kur filloi persekutimi i familjes suaj dhe cilat ishin shkaqet?
Persekutimi i fisit tonë Ndreu dhe njëkohësisht edhe i familjes sime, filloi në marsin e vitit 1946 dhe shkaku kryesor ishte se: gjyshi im Cen Elezi, u shpall armik nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, që erdhi në fuqi në dhjetorin e vitit 1944.
Goditja ndaj gjyshit tuaj Cen Elezit, filloi menjëherë pas mbarimit të Luftës?
Jo, ajo filloi aty nga marsi i vitit 1946 dhe deri në atë kohë Cen Elezi nuk u trazua shumë, ndoshta dhe për faktin se akoma ruhej një farë respekti për vëllanë e tij Esatin, ish-komandant i brigadave partizane dhe për gjeneral-major, Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës së Parë. Në atë kohë, pra në marsin e 1946-ës, bashkë me gjyshin Cen Elezin, i cili doli në arrati në mal, u arratis edhe babai im Islami, me vëllezërit e tij. Në atë kohë që u arratis Islami, familjen tonë e internuan në Kalanë e Beratit, së bashku me 50-të pjesëtarë të tjerë të fisit tonë. Aty nga maji i vitit 1946, babai, Islami, me vëllezërit: Selmanin, Xheladinin, Xhelalin, Rizain, Baftjarin, Halitin, Irfanin etj., u dorëzua pas një amnistie, që dha qeveria komuniste e Tiranës. Ndërsa gjyshi Cen Elezi, me vëllanë Mediun, e disa nga djemtë e tjerë u arratis e kaloi në Maqedoni, ku dhe vdiq nën tortura në Shkup, në vitin 1949.
Ç’ndodhi me babanë tuaj Islamin dhe të tjerët që u dorëzuan, u falën ata?
Jo atyre i’u bë gjyqi në Peshkopi dhe babai, Islami, me vëllanë, Xhelalin, u dënuan me nga 15-vjet burg, kurse të tjerët më burgime të ndryshme, ku më i pakti ishte dhjetë vjet.
Po ju, deri kur qëndruat në internim në Berat?
Në Berat ne qëndruam deri në atë kohë që u dorëzuan babai me disa nga vëllezërit e tij dhe pas dorëzimit të tyre, një pjesë të fisit tonë (më pak se gjysma) na liruan nga Berati dhe na lanë të ktheheshim në Sllovë, ku na i kishin djegur shtëpitë tona, që ishin më të mëdhatë e gjithë krahinës. Por pas dy vjetësh, mua së bashku me familjen time: nënën, dy vëllezërit, (Pëllumbi e Kapllani), e motrat, na internuan përsëri në Llakatund të Vlorës, ku jetuam në një gjendje të tmerrshme ekonomike. Bashkë me ne aty erdhën të internuar edhe disa nga kushërinjtë tanë të fisit Ndreu.
Deri kur qëndruat në internim në Llakatund?
Unë personalisht kam qëndruar në Llakatund deri më 2 mars të vitit 1952. Në atë kohë së bashku me dy kushërinjtë e mi, Nazmi e Faik Ndreun, ikëm dhe u arratisëm nga Shqipëria e kaluam në Jugosllavi.
Kush ishin Faiku e Nazmiu?
Faiku ishte djali i Dik Xhelilit, që së bashku me vëllanë e tij Suf Xhelilin, kishin luftuar kundër serbëve, ndërsa Nazmiu, ishte djali i Gani Ndreut, që ishte vrarë në përpjekje me komunistët në vitin 1946-të.
Si mundët të arratiseshit duke qenë të internuar?
Pasi kishim bërë planin e arratisjes së bashku me dy kushërinjtë, Faikun e Nazmiun (në atë kohë 42 dhe 19-vjeç), ne shfrytëzuam katër ditët e pushimit, që ishin dhënë në atë kohë, në pragun e Kongresit të Partisë Punës, që do mbahej në Tiranë. Dy ditë para Kongresit, ne erdhëm në Tiranë me autobus dhe nga Tirana në Dibër kemi shkuar për tre ditë, duke udhëtuar në këmbë maleve.
Në Dibër ku u strehuat?
Në Dibër u strehuam tek një dhëndri jonë i quajtur, Sami Erebara, në fshatin Erebarë, i cili na mbajti tre ditë në shtëpi. Pas tre ditësh ne shkuam fshehurazi në fshatin tonë Sllovë, ku pamë shtëpitë e djegura dhe pasi u çmallëm për një gjysëm ore me to, aty morëm disa armë, që i kishte pas të fshehura Faiku, para se të internoheshim, në vendin e quajtur Lisivadhe.
Nga shkuat më pas?
Nga aty, jemi nisur në drejtim të Malit të Korabit, ku ishte dhe kufiri shtetëror e kemi dalë në vendin e quajtur Laku i Xhypve. Kur hipëm aty, pamë forcat e kufirit, që po na ndiqnin për të na rrethuar dhe menjëherë hapëm zjarr, në drejtim të tyre. Ndërsa forcat e kufirit u tërhoqën, ne dolëm matanë dhe shkumë në fshatin Tanushë. Aty u strehuam tek shtëpia e parë, që hasëm dhe të nesërmen ata na dorëzuan në postën e kufirit të Riekës, ku tre oficerë të UDB-së na morën në pyetje.
Për çfarë i’u pyetën?
Ata donin të dinin nëse na kishte dërguar me mision shteti shqiptar, por ne i’u deklaruam se kishim ikur për të shpëtuar nga regjimi bolshevik i Tiranës. Ato gjëra ishin formalitete, sepse ata sapo morën vesh, se ishim nga fisi Ndreu, nuk kishin më asnjë dyshim se na njihnin mirë se kush ishim.
Ku i’u çuan më pas?
Pas tre ditësh, na çuan në Gostivar e më pas në një kamp në Strugë, pasi na mbajtën gjashtë muaj, na dërguan në Vranjë të Serbisë, ku ndodheshin xhaxhallarët tanë, djemtë e Cen Elezit: Nuzi, Tafili, Hakiu, Elezi dhe Mediu, vëllai i Cenit. Këta ishin arratisur bashkë me gjyshin Cen Elezin.
Si kishin mundur të shpëtonin të gjallë pas ekzekutimit të Cenit?
Në vitin 1948, kur u keqësuan marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, djemtë e tjerë të Cenit, së bashku me vëllanë e tij, Mediun, i nxorën nga burgu dhe deshën t’i përdorin kundër Shqipërisë. Por ata nuk pranuan, duke thënë se nuk bëheshin vegla të Jugosllavisë, dhe kështu ata kishin mbetur në Vranjë, së bashku me shumë nga familjet e tjera nacionaliste të Shqipërisë.
Sa kohë qëndruat ju në Vranje dhe ku shkuat më pas?
Nga Vranja, mua së bashku me Nazmiun, Tafil Ndreun e 35 shqiptarë të tjerë, na lejuan të vazhdonim gjimnazin e Prishtinës. Mbas katër vjetësh, kur ishim duke dhënë provimet (në klasë kisha Adem Demaçin) na erdhën e na morën dy oficerë të UDB-së e na çuan në kampin e internimit në Gerovë të Kroacisë. Atje ku kishte dhe shqiptarë të tjerë, nga familjet antikomuniste të Shqipërisë, na mbajtën për 19 muaj dhe në atë kohë, erdhi e na mori një shoqatë bamirësie amerikane, e cila na çoi në Itali, në kampin e Capua’s afër Napolit. Pasi qëndruam për 19 muaj në Capua, mua dhe Mediun, erdhi dhe na mori një shoqatë bamirësie australiane, e cila na dërgoi në Australi. Kurse pjesëtareve të tjerë të fisit Ndreu, që ishin aty në Capua, u doli azili politik për në SHBA, pak ditë pasi ikëm ne për në Australi.
Me çfarë aktiviteti u morët në Australi?
Në Australi ne ramë në kontakt menjëherë me komunitetin shqiptar të Melburnit dhe aty krijuam një shoqatë me emrin “Qendra Shqiptare”. Meqenëse ishim të gjithë myslimanë ajo u quajt “Qendra Myslimane Shqiptare” e Melburnit dhe sekretar të saj më zgjodhën mua. Shoqatës sonë i’u dha e drejta që të kishte një emision të veçantë në gjuhën shqipe, në Radion shtetërore të Melburnit dhe për të drejtuar atë emision, u caktova unë së bashku me Profesor Luk Çunin e Bahri Bregun.
Ç’përmbante ai emision dhe sa orë transmetohej?
Emision që ne e transmetonim dy orë në javë pranë Radios së Melburnit, e titulluam “Zëri i shqiptarëve të lirë” dhe ishte me karakter të përgjithshëm, politik, social-kulturor, historik etj., por më shumë aty zinte vend politika. Pas largimit të Prof. Lukë Çunit e Bahri Bregut, të cilët ishin të vjetër në moshë, unë e drejtova atë emision krejt i vetëm.
Në atë emision bënit propagandë kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës?
Pothuajse pjesën më të madhe të atij emisioni e zinte propaganda antikomuniste, kundër regjimit të Enver Hoxhës dhe kundër politikës që Serbia e Greqia, ndiqnin ndaj Shqipërisë. Në atë kohë unë bërë disa emisione ku trajtoja masakrat greke ndaj shqiptarëve. i cili u prit mjaft mirë. Ky emision pati një audiencë të gjerë dhe mua më vinin vazhdimisht letra nga mërgata shqiptare e Australisë, që më falenderonin për ato që trajtonim në emisionin tonë.
Kishte reagime nga qarqet serbe dhe greke pas atyre emisioneve?
Reagimet ishin të menjëhershme dhe unë u sulmova nga qarqet Vorio-Epirote, të cilët i kërkuan qeverisë australiane, që të më hiqnin nga Radio e Melburnit. Pas kësaj, Drejtori i Programeve, Willson, i paraqiti Drejtorit të Përgjithshëm, disa akuza kundër meje, në mënyrë që të më hiqnin menjëherë. Drejtori i Përgjithshëm më thirri në zyrë dhe më pyeti nëse qëndronin akuzat që më bëheshin. Unë i thashë: “Jam shqiptar dhe të gjitha ato që kam thënë kundra grekëve janë të vërteta”. Pas kësaj i paraqita librin e botuar nga Akademia e Shkencave e New York, të titulluar “Si u ngrit Mbretëria në Shqipëri”, ku vetë akademikët amerikanë, trajtonin krimet e grekëve ndaj shqiptarëve. Pasi e pa librin, Drejtori i Përgjithshëm më tha: “Zoti Ndreu a ke mundësi që t’i përgënjeshtrosh këto që ke thënë për grekët”. Unë i revoltuar i’u përgjigja: “Kurrë nuk do ta bëj një gjë të tillë, për të përgënjeshtruar qëndresën e luftën e popullit shqiptar, sepse do të bëja tradhtinë më të madhe, karshi popullit tim”. Pas kësaj, duke u larguar ai më tha: “Mundohu t’i zbutësh pak tonet nacionaliste”, por emisionin nuk ma mbylli.
Nga Qeveria komuniste e Tiranës, patët probleme gjatë asaj kohe?
Gjatë gjithë atyre viteve që drejtova atë emision, Tirana zyrtare me anë të Sigurimit të Shtetit e gjithashtu edhe UDB-ja, futën disa agjentë të tyre, në mënyrë që të më pengonin dhe të dy palët më ndiqnin e bënë çmos, që të më hiqnin nga puna. Gazeta serbe “Novosti”, protestoi kundër meje dhe bënte thirrje, që të më hiqnin nga Radio-Melburni. UDB-ja dhe Sigurimi i Shtetit, me anë të agjentëve të tyre bënë një peticion në Drejtorinë e Përgjithshme të Radio-Melburnit, për të më hequr mua që andej. Por përsëri nuk i’a arritën qëllimit, sepse Drejtori i Përgjithshëm më mori në mbrojtje. Po kështu Tirana zyrtare mua më kishte shpallur, një nga armiqtë kryesorë të saj. Këtë i’a thanë motër sime në vitin 1990-të, kur ajo kërkoi të merrte një pasaportë për të ardhur tek unë në Australi.
Çfarë i thanë motrës suaj?
Ata i thanë: “Nuk të japim pasaportë për të takuar Hiqmet Ndreun, armikun tonë më të madh që vjell vrer kundër nesh”.
Deri kur e vazhduat emisionin tuaj në Radion e Melburnit?
Emisionin e vazhdova deri në vitin 1991 kur në Shqipëri u përmbys regjimi komunist dhe atëherë e mbylla sepse ai i’a kishte arritur qëllimit./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016