• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Tuesday, December 16, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Avdyl Këllezi dhe Myqerem Fuga, më dërgonin me shërbim në Kukës, në zonën kufitare…”/ Zbulohet dokumenti i Sigurimit me dëshminë e Kerenxhit, që implikonte ish-ministrin e Industrisë së Lehtë

“Po pse, vëllanë e Panajot Plakut keni vënë ju te Nafta, ku na kanë sulmuar të gjithë armiqtë”?!/ Debatet e Enverit me Këllezin pas letrës së rojes së natës që “zbuloi” sabotimin…
“Avdyl Këllezi dhe Myqerem Fuga, më dërgonin me shërbim në Kukës, në zonën kufitare…”/ Zbulohet dokumenti i Sigurimit me dëshminë e Kerenxhit, që implikonte ish-ministrin e Industrisë së Lehtë
“Me krijimin e Brigadës së VII-të në Skrapar, ai caktua shef i seksionit politik të saj dhe në të gjithë veprimtarinë e tij, pati pranë, partizanen legjendare…”/ Historia e panjohur e Myqerem Fugës
“Avdyl Këllezi dhe Myqerem Fuga, më dërgonin me shërbim në Kukës, në zonën kufitare…”/ Zbulohet dokumenti i Sigurimit me dëshminë e Kerenxhit, që implikonte ish-ministrin e Industrisë së Lehtë
“Me krijimin e Brigadës së VII-të në Skrapar, ai caktua shef i seksionit politik të saj dhe në të gjithë veprimtarinë e tij, pati pranë, partizanen legjendare…”/ Historia e panjohur e Myqerem Fugës
“Avdyl Këllezi dhe Myqerem Fuga, më dërgonin me shërbim në Kukës, në zonën kufitare…”/ Zbulohet dokumenti i Sigurimit me dëshminë e Kerenxhit, që implikonte ish-ministrin e Industrisë së Lehtë
Dëshmia e ish-zv/ministrit të Brendshëm: “Kur u vra Nako Spiro, ne qanim, kurse Nesti Kerenxhi, fishkëllente.…”! / Zbulohet ‘dosja e zezë’ e Sigurimit, në 1945 – ’49, ku ish-krerët e Ministrisë, akuzonin njeri-tjetrin
“Avdyl Këllezi dhe Myqerem Fuga, më dërgonin me shërbim në Kukës, në zonën kufitare…”/ Zbulohet dokumenti i Sigurimit me dëshminë e Kerenxhit, që implikonte ish-ministrin e Industrisë së Lehtë
Dëshmia e dhimbshme: Pse e pushkatoi Enveri babanë tonë, Abdyl Këllezin, ish-zv/kryeministër, dhe përse s’po i gjejmë dot eshtrat e tij…?!
“Avdyl Këllezi dhe Myqerem Fuga, më dërgonin me shërbim në Kukës, në zonën kufitare…”/ Zbulohet dokumenti i Sigurimit me dëshminë e Kerenxhit, që implikonte ish-ministrin e Industrisë së Lehtë
“Me krijimin e Brigadës së VII-të në Skrapar, ai caktua shef i seksionit politik të saj dhe në të gjithë veprimtarinë e tij, pati pranë, partizanen legjendare…”/ Historia e panjohur e Myqerem Fugës
“Avdyl Këllezi dhe Myqerem Fuga, më dërgonin me shërbim në Kukës, në zonën kufitare…”/ Zbulohet dokumenti i Sigurimit me dëshminë e Kerenxhit, që implikonte ish-ministrin e Industrisë së Lehtë
Raporti sekret 10 gusht ‘48: “Ambasadori grek i kërkoi SHBA-së ndërhyrjen e rusëve tek shqiptarët që të çarmatosin gueriljet që…”/ Dokumentet e panjohura amerikane

Nga DASHNOR KALOÇI

Memorie.al / Grupi Operativ Special që u krijua menjëherë pas arrestimit të ish-Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehut, në mesin e muajit tetor të vitit 1982, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme që njëkohësisht ishte dhe drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, ku si vartës të tij kishte Enver Zenelin e Hasan Ulqinakun, ndërmjet masave të tjera, siç ishin; studimi dhe analiza e një numëri të madh dosjesh arkivore, që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe, (1945-1982), thirri edhe disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSh-së dhe ish-kuadrove të lartë drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që do të dilnin dëshmitarë në atë gjyq, do thirreshin për ballafaqim në procesin hetimor, apo duke dhënë me shkrim të gjitha ato që dinin apo dyshimet për “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, etj., personave që ishin dënuar apo që ishin ende në poste dhe funksione të larta.

Pothuajse pjesa më e madhe e tyre, përveçse dënuan të gjithë pjesëtarët e të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut e Feçor Shehut”, duke i akuzuar si bashkëpunëtorët të ngushtë të “Poli-agjentit Mehmet Shehu”, (ku bënin pjesë edhe Nesti Nase, Llambi Ziçishti, Llambi Peçini, Fiqret Shehu etj), në dëshmitë e tyre implikuan edhe persona të tjerë që nuk ishin dënuar apo goditur nga Partia deri në atë kohë. Një prej tyre ishte dhe Nesti Kerenxhi, ish-zv. ministër në periudhën e Koçi Xoxes dhe disa kohë pas arrestimit të tij, edhe ministër (2 tetor 30 tetor 1949) dhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë, i cili ashtu siç u thirr për të dëshmuar në procesin hetimor dhe gjyqësor kundra Koci Xoxes në vitin 1948, u thirr edhe në proçesin hetimor e gjyqësor ndaj Kadri Hazbiut e Feçor Shehut. Madje duke qenë një nga personat e parë që u arrestua dhe u mor i pandehur, menjëherë pas arrestimit të Kadri Hazbiut që në mesin e muajit tetor 1982. Dhe ashtu siç kishte vepruar në procesin e Koci Xoxes, duke pranuar dhe firmosur çdo gjë që i kërkohej nga hetuesit, madje me akuza dhe shpifje nga më të ndryshmet, Kerenxhi veproi edhe ndaj Kadri Hazbiut e Feçor Shehut në procesin e tyre.

Historia do të përsëritej pikë për pikë, si nga përmbajtja, ashtu dhe nga forma: Ashtu siç ndodhi pas procesit të Koci Xoxes, ku, edhe pse ishte krahu i djathtë i tij, madje duke pranuar të gjithë krimet që kishin bërë apo urdhëruar bashkë me Kocin, Kerenxhi, jo vetëm që nuk u dënua, por falë ndërhyrjes së sovjetikëve te Enver Hoxha, ai i ruajti pozitat që kishte më parë dhe vetëm sa e larguan nga Ministria e Brendshme, duke e emëruar drejtor nëpër ndërmarrje të mëdha nacionale apo në Kryeministri. Në ato funksione ai qëndroi dhe punoi pa as më të voglin shqetësim, (bashkë me bashkëshorten e tij, Naxhije Duma, ish-ministre dhe anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së), deri në fillimin e tetorit të vitit 1982, kur u arrestuan dy ministrat e tjerë të Brendshëm, (Kadri Hazbiu e Feçor Shehu), pasi i duhej prapë Partisë, për shërbimin e radhës, gjë të cilën ai do ta kryente me zell të madh, ashtu siç kishte bërë 34 vite më parë, me Koci Xoxen.

Gjithashtu mund të lexoni

“Brennan, paraqiti një propozimi prej dy pikash, i cili përputhej me pikëpamjen e Nolit dhe Konicës, pasi…”/ Zbulohet letra e panjohur e 15 dhjetorit 1942, për Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve

“Mbreti Zog mbetet personaliteti shqiptar më i shquar dhe përjashtimi i tij do t’a xhvishte lëvizjen e propozuar…”/ Zbulohet letra e panjohur e Konicës dhe Nolit në ’42-in, për Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve

Por ndryshe nga ajo kohë, kur Kerenxhi me deponimet e tij akuzonte vetëm Koci Xoxen dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt në ministrinë e Punëve të Brendshme (që akuzoheshin për “veprimtari armiqësore” dhe si “agjentë të Jugosllavisë së Titos”), në procesin e vitit 1982-‘83, përveç “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut”, ai akuzonte edhe persona të tjerë, që jo vetëm nuk kishin asnjë lidhje me atë “grup”, por kishin pasur edhe funksione të larta shtetërore. Siç ishte Myqerem Fuga, ish- kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tiranës (në vitet 1970-’73) dhe më pas ministër i Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore, i cili në vitin 1977, u shkarkua nga posti i ministrit dhe u dërgua si drejtor në Kombinatin e Mishit në Tiranë, ku ai punoi deri në vitin 1981, që e nxorën në pension. Në vitin 1982, kur emri i tij do përflitej në procesin hetimor ndaj “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut”, Myqerem Fuga ishte në detyrën honorifike të nënkryetarit të Komitetit të Veteranëve të Shqipërisë (kryetar ishte Shefqet Peçi), dhe atë të sekretarit të degës së Tiranës të atij Komiteti.

Siç do ta shohim edhe nga dokumenti arkivor në fjalë që po publikojmë në këtë shkrim, i cili mban datën 10 nëntor 1982 (vetëm 25 ditë pas arrestimit të Kadri Hazbiut), në një raport-informacion përmbledhës që hetuesi Perlat Kasaj, ka bërë për eprorët e tij që drejtonin Grupin Operativ Special të kryesuar nga Zylyftar Ramizi, (zv. ministri i Brendshëm dhe njëkohësisht drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit), përveç të tjerash, ai u bën me dije se Nesti Kerenxhi, ka deponuar edhe për Myqerem Fugën, i cili sipas tij, në vitin 1956 kishte kërkuar rehabilitimin e Tuk Jakovës dhe atyre personave që ishin dënuar për Konferencën e Tiranës. Po kështu Kerenxhi kishte deponuar se me porosi të Avdyl Këllezit, Myqerem Fuga i kishte nxjerrë një leje në Degën e Brendshme të rrethit të Kukësit dhe e dërgonte Nestin në zonat kufitare, ku madje njëherë ai kishte fjetur në një postë kufiri, etj.

Kjo dëshmi e Kerenxhit, jo vetëm që i implikonte shumë rëndë Myqerem Fugën, pasi lihej të nënkuptohej se; ai e kishte dërguar me shërbim Kerenxhin në ato zona kufitare, ose për lidhje agjenturore me UDB-në, apo me qëllim për t’u arratisur në Jugosllavi…! Dhe tjetra; se Fuga kishte qenë bashkëpunëtor i ngushtë i ish-zv. kryeministrit Abdyl Këllezi, (që ishte pushkatuar që në vitin 1977, bashkë me ish-zv. kryeministrin tjetër, Koço Theodhosi, duke u akuzuar si kreu i “Grupit sabotator në Ekonomi”), i cili në një nga akuzat që i bëhej gjatë procesit hetimor në vitet 1976-’77, ishte se ai (Këllezi), kishte dashur që të ndërtohej hekurudha Shqipëri – Jugosllavi. Dhe këtë gjë e kishte bërë, pasi ishte agjent i UDB-së, sepse edhe bashkëshortja e tij ishte me origjinë nga Kosova dhe njerëzit e saj ishin me funksione të larta në Jugosllavinë e asaj kohe.

Për ironi të fatit, me një akuzë të tillë, si agjent i UDB-së, ishin përpjekur të implikonin edhe krushkun Myqerem Fugës, Iljaz Rekën, (me origjinë nga Reka afër Dibrës së Madhe), ish-sekretar i parë dhe kryetar i Komitetit Ekzekutiv në rrethet e Durrësit e Lushnjes, e gjithashtu edhe kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor të Shqipërisë, vdekja e papritur e të cilit më 27 dhjetor 1975, (“infarkt në zemër, gjatë mbledhjes së Plenumit të Komitetit të Partisë së rrethit të Lushnjes), mbetet ende një mister, pasi pak orë më parë, pa asnjë njoftim, Prokuroria i kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte sekuestruar një aparat televizori, të cilin ia kishte dhënë drejtoria e URT –së (Uzina e Radio-Televizorëve) e Durrësit, siç u kishte dhënë edhe disa funksionarëve të tjerë, për t’i testuar, para futjes së tyre në prodhimin në seri.

Sipas Tajar Bonjakut dhe Sabri Cejvanit, (dy drejtorë ndërmarrjesh në rrethin e Durrësit në atë kohë), gjatë procesit të tyre hetimor, atyre u kërkohej që të pranonin se ishin shtyrë nga Iljaz Reka, për të vepruar në ndërmarrjet e tyre, me metodën e mekanizmin e “vet-administrimit jugosllav”, akuza të cilat ata nuk i pranuan, edhe pse iu nënshtruan torturave. (Këto dëshmi, Bonjaku dhe Cejvani, i kanë dhënë publikisht në vitin 2012 në emisionin “Histori me Zhurmues” në Tv Klan, të autorit Pandi Laço). Pas kësaj paranteze të gjatë, po i rikthehemi dokumentit arkivor që mban datën 10 nëntor 1982, për të parë se çfarë ndodhi pas atyre akuzave të Nesti Kerenxhit për Myqerem Fugën, që hetuesi i njohur Perlat Kasaj, i ka cituar në raport-informacionin përmbledhës për eprorët e tij të Grupit Operativ Special, gjatë procesit hetimor të “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut”?

Nga dokumentet e plota të atij procesi hetimor që kemi hulumtuar dhe kemi në dispozicion, (të cilat janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme dhe tashmë prej kohësh pjesë e institucionit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), si gjatë procesit hetimor ndaj Kerenxhit, ashtu dhe kur ai është ballafaquar më pas në hetuesi me personat e akuzuar prej tij, apo dhe gjatë zhvillimit të gjyqit ku ai u thirr për të dëshmuar kundër Kadri Hazbiut, nuk përmenden më në asnjë rast, as Avdyl Këllezi dhe as Myqerem Fuga! Po përse emrat e tyre nuk figuronin më në dëshmitë e procesit hetimor të Kerenxhit, ashtu si në raport-informacionin e parë të datës 10 nëntor 1982?!

I pyetur rreth kësaj, një nga ish-hetuesit e atij procesi hetimor, na dëshmon (në anonimat), se hetuesi Perlat Kasaj, nuk i ka përfshirë emrat e Abdyl Këllëzit dhe Myqerem Fugës në procesin hetimor që është dërguar më pas në gjykatë, pasi nuk ka marrë aprovimin e shefave të tij, Zylyftar Ramizit dhe Hekuran Isait, të cilët përgatisnin raportet javore mbi ecurinë e atij procesi dhe Hekurani ja dërgonte me shkrim Enver Hoxhës, apo i raportonte dhe gojarisht, sa herë që ai e thërriste, apo kishte gjëra të reja.

Gjithnjë sipas ish-hetuesit në fjalë, ish-kolegu i tij Perlat Kasaj, ose e ka shtuar vetë atë gjë, për “të matur pulsin” e eprorëve të tij, gjë e cila po të pranohej prej tyre, do ishte sukses i madh, sepse po zbulohej edhe një “armik i Partisë”, emri i të cilit (Myqerem Fuga), në atë raport-informacion përmbledhës (shiko faksimilen përkatëse) është nënvizuar në stilolaps! Por, nuk përjashtohet mundësia që i pandehuri Nesti Kerenxhi ta ketë pohuar vetë atë gjë, por Kasaj, si hetues shumë i aftë nga ana profesionale (siç vlerësohej asokohe), ka zgjedhur atë rrugë, pra duke e përfshirë akuzën për Myqerem Fugën, vetëm në raport-informacionin përmbledhës dhe jo në atë që do dërgonin në gjykatë, pasi ai nuk kishte vlerë ligjore.

Tentativa për të implikuar ish-ministrin Myqerem Fuga si bashkëpunëtor të Avdyl Këllezit, me shumë gjasa ka ardhur pasi ai e kishte një “kleçkë”, sepse në vitin 1974, në një raport-informacion tepër sekret dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së nga Ministria e Brendshme, thuhet shprehimisht: “Myqerem Fuga ka thënë se shkaku kryesor për rritjen e kriminalitetit në radhët e të rinjve sot, është gjendja e vështirë ekonomike”! Pra kjo fjali e thënë nga Myqerem Fuga, (në atë dokument është vënë në mes të faqes, në distancë nga teksti, siç vihen somariot në shkrimet e gazetave, që të duken), thuhet se u bë shkak për shkarkimin e tij nga posti i ministrit të Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore, gjë e cila ka qenë “grepi”, ku është kapur hetuesi Kasaj, në proçesin ndaj Nesti Kerenxhit, për ta implikuar ish-ministrin, si “bashkëpunëtor i Abdyl Këllezit”!

Akuzë e cila do të bëhej e besueshme edhe në popull, pasi edhe shkarkimi i Fugës nga posti ministrit pak vite më parë dhe dërgimi si drejtor ndërmarrje, bëri bujë të madhe, duke u përfolur për lidhjet e tij me ish-zv. kryeministrin Avdyl Këllezi, që përfundoi në plumb. Bashkë me Fugën, në atë kohë u shkarkuan nga detyra e zv. ministrit edhe Bilal Parruca e Sadik Bocaj, dy miq të ngushtë të tij, të cilët gjithashtu përfunduan si drejtor ndërmarrjesh, (te “Ushqimore” dhe “Këpucët”) e më pas në pension, e të tre në Komitetin Kombëtar të Veteranëve të Luftës, që kryesohej nga Shefqet Peçi.

Shkarkimi i Fugës nga funksionet e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe ai i ministrit të Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore në atë kohë, u përfol se kishte ardhur edhe për shkak të disa “mëkateve” që nga koha e Luftës, kur ai (Myqeremi) me Gjin Markun, Mestan Ujanikun dhe Kahreman Yllin, ishin në krye të Qarkorit Komunist të Beratit, gjë për të cilën tashmë me porosi të Enverit, “kujdesej” Ramiz Alia.

Po kështu në atë kohë, një nga shkaqet e largimit të tij si ministër, u përfol dhe ajo e diplomimit të tij në Francë, ashtu siç kishte ndodhur edhe me Kahreman Yllin, (vdekja e të cilit “mbytur në det”, më 3 shtator 1975, mbetet ende e mbuluar me mister). Apo dhe të tjerë ish-bashkë-studentë të tyre në Francë, si; Foto Bala, Hasan Jero, Manush Alite, Dhimitër Canco etj., që përfunduan burgjeve e internimeve, apo u arratisën si Prof. Isul Luzaj, e Koço Theodhosi që u pushkatua. Të gjithë këta dinin shumë nga jeta e Enver Hoxhës në Francë (ashtu siç dinte Myqeremi dhe Kahramani edhe për Ramiz Alinë kur ishin në Qarkorin Komunist të Beratit 1943-1944) dhe dënimi i tyre thuhet se erdhi pikërisht për këtë shkak.

Vetëm Myqerem Fuga i shpëtoi dënimit dhe nuk pati pasojë as nga dëshmitë e akuzat e Nesti Kerenxhit në procesin hetimor të “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut”, gjë e cila lidhet me faktin se ajo gjë nuk është miratuar nga Enver Hoxha, i cili nuk i ka dhënë miratimin Hekuran Isait, që të ndiqej më shumë “implikimi i Myqerem Fugës me Avdyl Këllezin”! Duket se Enver Hoxha e ka kursyer Fugën, bashkëshorten e të cilit, (Shpresa Hoxha Fuga) e kishte kushërirë të afërt dhe ai (Enveri) është mjaftuar vetëm më burgosjen e babait të saj, Abedin Hoxha e dy vëllezërve të tij, Fiqret dhe Muhamet Hoxha, si dhe gjyshit të Shpresës, Rasim Hoxha, (babai i Abedinit, Fiqretit e Muhametit), ku të katër përfunduan burgjeve dhe internimeve. (Si për Shpresën, ashtu dhe për të katër këta kushërinj të afërt të tij, Enver Hoxha ka shkruar gjatë te libri i tij, ‘Vitet e vegjëlisë’, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1983).

Gjithsesi, këto mbetën hipoteza që duhet hulumtuar e verifikuar më tej përsa ka ndodhur, por ajo që është më se e vërtetë, mbetet fakti se Nesti Kerenxhi pas “shërbimit” që bëri në procesin hetimor dhe gjyqësor të “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut”, jo vetëm që nuk u dënua, por u lirua nga qelitë e hetuesisë pa dalë fare në gjyq, (menjëherë pas pushkatimit të Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit e Llambi Peçinit), pasi kishte “përmbushur me sukses” misionin që i ishte ngarkuar.

DOKUMENTI ARKIVOR I VITIT 1983, KU HETUESI PERLAT KASAJ KA BËRË PËR EPRORËT E TIJ, NJË PËRMBLEDHJE TË DËSHMIVE NESTI KERENXHIT, TË DHËNA NGA AI GJATË PROCESIT HETIMOR

NGA POHIMET E DERI TANISHME TË PANDEHURIT

              NESTI SPIRO KERENXHI

I pandehuri Nesti Kerenxhi pranon akuzën se: “Kam qenë një vegël në duart e Koci Xoxes, pra një bashkëpunëtor të tij dhe kam bashkëpunuar për zbatimin e një vije trockiste armiqësore, duke zbatuar çdo porosi dhe detyrë të dhënë nga ai. Veprimet e mija në zbatim të detyrave dhe porosive të dhëna, janë veprime dhe detyra të kryera si agjent besnik i Koci Xoxes. Duke qenë në funksione dhe detyra të rëndësishme, si zv. ministër i P. Brendshme, president i Komisionit të Planit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm, kam ushtruar veprimtari, në kundërshtim me vijën e Partisë, e cila ka qenë në favorin e armikut, qoftë të brendshëm, qoftë të jashtëm. Sigurisht kjo veprimtari e imja ka qenë në dëm të interesave të vendit dhe në favor të interesave të jugosllavëve…….”! (jep shpjegime të veprimeve konkrete që ka kryer në kohën e Koci Xoxes).

Në vitin 1964 është përjashtuar nga Partia në Selenicë për arsye siç pohon i pandehuri Nesti Kerenxhi: “Duke pirë me Muhamet Selimaj, Axhem Imerin dhe një të quajtur Hasan, në gjendje të dehur jam shprehur për luftën kundër revizionizmit sovjetik, lidhur me pjesëmarrjen e Kinës në këtë luftë si dhe nuk pranova të pija dollin për një anëtar të Byrosë Politike, duke përplasur gotën në tavolinë sa u thye”! Kur u caktua delegat në Kongresin e Rinisë Jugosllave në vitin 194…”Koci Xoxe dhe Liri Gega më dhanë porosi të veçanta nga të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, sidomos për marrje eksperience për ushtrinë, Partinë dhe Pushtetin. Pikërisht gjatë kësaj kohe jam takuar në ishullin ‘Vis’ ku ndodhej shtabi jugosllav me Titon, me të cilin kemi qëndruar rreth dy orë dhe kemi ngrënë bashkërisht me të drekë.

Këtu pasi është larguar shoku Alqi Kondi me misionin sovjetik, unë kam qëndruar me porosi të Titos 10-20 ditë vetëm. Gjatë kësaj kohe jam takuar me Dushan Mugoshën me të cilin isha njohur qysh në 1941 në Korçë, më vonë në Vithkuq e në Labinot. Në gusht të 1944, jam nisur nga Jugosllavia dhe kam shoqëruar Velimir Stojniçin, Njazi Dizdarjoviçin dhe dy oficerë të tjerë jugosllavë, të cilët vinin si mision ushtarak. Në vitin 1943 kam shkuar në Greqi në Konferencën e Rinisë të Greqisë së veriut. Para nisjes më ka porositur Koci Xoxe për të biseduar me drejtuesit e ushtrisë Nacional-Çlirimtare greke lidhur me propozimin e jugosllavëve për krijimin e Shtabit Inter-ballkanik. Për këtë çështje unë e dija që Partia ju kishte dhënë përgjigje jugosllavëve se nuk ishin dakord.

Po kështu dija që edhe grekët u kishin dhënë përgjigje jugosllavëve, se edhe ata nuk ishin dakord për krijimin e këtij Shtabi. Me gjithë atë Koci Xoxe më porositi ta kryeja edhe një herë këtë detyrë, për të parë se mos grekët kishin ndërruar qëndrimin. Për këtë unë bisedova me gjeneralin grek, komandant i Ushtrisë i cili më dha të njëjtën përgjigje që kishin dhënë më parë”. “Këtë unë, – thotë Nesti – ja transmetova Koçi Xoxes kur u ktheva. Në vitin 1947 kam qenë në Athinë në krye të delegacionit për komisionin e verifikimit të pretendimeve të grekëve. Delegacion përbëhej nga Nesti, Teodor Heba, Vangjo Mitrojorgji, Myftar Tare, Kadri Hazbiu, Angji Faber, Nuri Huta e Aleks Caçi. Prej këtej kemi shkuar në Sofie e pastaj në Beograd. Pas kësaj unë së bashku me Teodor Hebën, jemi nisur për në Nju Jork. Këtu jam takuar edhe me Nesti Nasen.

Në krye të delegacionit jugosllavë ishte Josif Gjergja, me të cilin ne mbanim lidhje në Athinë, Sofje, Beograd dhe në Nju Jork. Në Nju Jork në krye të delegacionit jugosllav, ishte një i quajtur Vilian, ndërsa Josip Gjergia ishte nënkryetar i delegacionit. Në Nju Jork, Nesti Nase na ka shpuar për drekë në shtëpinë e vëllait të Dhora Lekës, i cili ishte emigrant. Po kështu na ka çuar në shtëpinë e një emigranti nga Lukova që quhej Kristaq, ose Kostaq Lazri. Na ka shpur në shtëpinë e disa emigrantëve nga Tepelena. Nesti Nase këtu na ka njohur me një vajzë nga Korça e cila quhej Frida, e që ishte edhe kjo emigrante. Kjo pas njohjes na ka ardhur vazhdimisht në hotel dhe na takonte. Nesti Nase na ka shpur për vizitë në shtëpinë muze të Ruzveltit.

Gjatë bisedave para dhe gjatë Konferencës së Tiranës, Filip Jakova, Zini Muço, Nesti Stratobërdha dhe unë, kemi biseduar se diçka do të ndodhte në Konferencë. Këto na i thoshte Filip Jakova i cili i mësonte nga i vëllai Tuk Jakova. Këtu me këta kemi biseduar për rehabilitimin e personave të goditur nga Partia. Filipi më ka thënë se në konferencë është ngritur për t’u rehabilituar ndër të tjerë edhe për mua dhe Kristo Themelkon. Për këto veprime dhe për mos dënimin e Konferencës Tiranës, unë u ndëshkova nga organizata bazë e Partisë. Për këtë jam thirrur edhe nga Fiqrete Shehu. Në aktiv ku është punuar rezolucioni i konferencës Tiranës, ku i deleguar ka qenë Myqerem Fuga, ky më është drejtuar në mbledhje se: ‘Edhe për ty ngriti Tuk Jakova që të rehabilitoheshe’.

Sigurisht që gjatë bisedave që kemi bërë për Konferencën e Tiranës unë së bashku me shokët që përmenda më lartë na vinte mirë që do të rehabilitoheshim. Gjatë kësaj kohe Zini Muço më ka shfaqur mendimin se edhe në Shqipëri ka kult të individit. Këto unë ja kam miratuar Ziniut. Këto biseda janë bërë pasi ishim njohur me materialet e Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1954 ose 1955, për çështjen e një punonjësit të Ndërmarrjes Eksportit që do të shkonte në Itali si marinar në një anijen tonë, për të blerë disa sende të nevojshme nënë dorë, Kiço Ngjela më ka dërguar të bisedoja me Kadri Hazbiun. Unë i kam shkuar në zyrë, ku më ka pritur vetëm dhe pasi ja shpjegova çështjen, ai më tha se ishte dakord të shkonte ky punonjës prandaj të bëheshin dokumentet.

Në vitin 1953 në një aktiv në Tiranë që bëhej për rezervat e brendshme, ka asistuar edhe Mehmet Shehu. Unë në këtë mbledhje kam diskutuar. Në konkluzionet që bëri Mehmet Shehu, ai e konsideroi diskutimin tim nga më të mirët dhe Vasil Kati me këtë rast ka filluar të më lajkoste. Pikërisht për këtë unë edhe u dekurova me Medaljen e Punës. Po kështu Sinan Hasani i cili është anëtar partie, pensionist në Selenicë, më ka thënë se: ‘Në një mbledhje që ishte bërë në Vlorë, Mehmet Shehu kishte thënë se: Nesti Kerenxhi është njeri i punës prandaj ngarkojeni me punë’. Në vitin 1958 me porosi të Myqerem Fugës, kam shkuar për të raportuar në Kryesinë e Këshillit të Ministrave për punishtet e përpunimit të rrushit. Unë kam shkuar dhe aty ishin Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Avdul Këllezi dhe ministri ndërtimit. Kam raportuar dhe kam ikur.

Po kështu në këtë periudhë me porosi të Myqerem Fugës, jam dërguar në Kukës për punën e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit! Mygeremi kishte marrë nëpërmjet Avdyl Këllezit autorizimin nga Komiteti Qendror i Partisë, që unë të asistoja edhe në mbledhjen e byrosë së partisë Kukësit. Unë kam shkuar dhe kam asistuar edhe në mbledhjen e byrosë partisë, ku analizohej ky problem. Pas dy ditësh ka ardhur Mygeremi i cili më ka dërguar të shikoja baxhot e rrethit që ishin në anën e kufijve shtetëror. Lejen për në zonat kufitare e mori Myqeremi në Degën e Brendshme Kukës. Unë kam shkuar bile edhe një natë kam fjetur në një postë kufitare. Të gjitha këto mua më habitnin dhe nuk e kuptoja se ç’ishte gjithë ky afrim. Si me kryesin e Këshillit të Ministrave apo edhe në Kukës, nuk kishte pse të shkoja unë. Edhe sot nuk e kam të qartë një qëndrim të tillë që është mbajtur gjatë kësaj kohe.

Gjatë kohës që kam qenë në Mbrojtjen e Popullit dhe në Ministrinë e Brendshme, jam njohur me Kadri Hazbiun. Gjatë kësaj kohe tek Kadri Hazbiu kisha vënë re se ai kishte qejf të rrinte afër të mëdhenjve në poste dhe që u thurte lëvdata me qëllim që ta kishte mirë me ta. Ai nuk kishte mendimet e tija, të vetat por sugjerohej dhe bënte çfarë donin më të mëdhenjtë se ai në poste. Vartësin ai e kishte nga unë, por ai mbante lidhje direkte me Koci Xoxen, atij i raportonte dhe nga ai merrte urdhra. Mos ndëshkimi i tij sikurse edhe timi e i ndonjë tjetri për fajet e rënda që kishim bërë në atë kohë, ka ardhur si rezultat se Koci Xoxe nuk e ka dhënë atë për të mos mbajtur edhe fajet e të tjerëve. Me mua ka mbajtur lidhje vetëm për gjëra të vogla për problemin e oficerëve të vjetër të karrierës, që kishin shërbyer edhe para çlirimit të vendit në ushtritë e atyre regjimeve që ishin në fuqi.

Di që edhe në Ushtri ata, Kadri Hazbiu ka vepruar si në jashtë çdo kontrolli të Partisë. Kadri Hazbiu e dinte që për Mehmet Shehun kishte dosje si lidhje e amerikanëve sepse: Gjatë procesit të sabotatorëve të Maliqit, doli se kjo veprimtari drejtohej nga amerikanët dhe të gjithë sabotatorët ishin ish nxënës të Shkollës Teknike të Fultzit. Gjatë deponimeve të tyre kishte dal se një nga nxënësit më në sy të mirë të Fultzit ishte edhe Mehmet Shehu. Po kështu ai dinte se Mehemet Shehu kishte lidhje me një Familje Toptanaj të Tiranës, që ishin nga familjet më të pasura dhe lidhje e amerikanëve. Di që Kadri Hazbiun e ngriti Mehmet Shehu dhe fakti që mos zbulimit të tyre, që më parë tregon se njeri mbulonte tjetrin dhe kanë qenë në marrëveshje të përbashkët.

Në Komitetin Qendror të Partisë, unë jam zgjedhur në plenumin e II-të të Beratit në mungesë, pasi isha dërguar me detyrë në Tiranë për krijimin e Brigadës Mbrojtjes Popullit. Siç më ka thënë më vonë Nako Spirua, se në Komitetin Qendror të Partisë unë isha zgjedhur me propozimin e Nakos, ai më tha se në Komitetin Qendror zgjodhën njerëzit më të aftë, por ç’e do që na mbeti përsëri sekretar i Përgjithshëm, ai që ishte. Unë kur i dëgjova këto fjalë të Nako Spirus për Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë, u trondita, por nuk pata guximin t’ja thoshja Partisë këto gjëra që më kishte thënë Nako Spiru. Pikërisht gjatë kësaj kohe unë kisha shumë shoqëri me Nakon dhe ky vazhdimisht vinte në Ministrin e Brendshme tek unë, bile në një rast na ka gjetur Koci Xoxe në zyrë bashkë dhe i ka thënë Nakos se; çfarë do këtu ti, s’ke punë në Ministrin e Brendshme, prandaj ik dhe ti mu drejtu mua, pse e pranon këtu Nakon. Unë i kam thënë se ka ardhur thjeshtë për shoqëri dhe as gjë tjetër. Gjatë kësaj kohe nuk më kujtohet se çfarë kemi biseduar me Nakon. / Memorie.al

Tiranë, më 10.11.1982

Shënim:

Ky material ju dha shokut ministër

kur erdhëm nga Vlora

HETUESI

Perlat Kasaj

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Koliqi tregon vasalitetin e komunistëve shqiptarë, si shërbëtorë të zellshëm të huajve, ku thotë; Pse na ka lëshue dorë në kët mënyrë Perëndia, sa me hangër…”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur nga SHBA-ja

Artikuj të ngjashëm

“Brennan, paraqiti një propozimi prej dy pikash, i cili përputhej me pikëpamjen e Nolit dhe Konicës, pasi…”/ Zbulohet letra e panjohur e 15 dhjetorit 1942, për Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve
Dossier

“Brennan, paraqiti një propozimi prej dy pikash, i cili përputhej me pikëpamjen e Nolit dhe Konicës, pasi…”/ Zbulohet letra e panjohur e 15 dhjetorit 1942, për Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve

December 16, 2025
“Mbreti Zog mbetet personaliteti shqiptar më i shquar dhe përjashtimi i tij do t’a xhvishte lëvizjen e propozuar…”/ Zbulohet letra e panjohur e Konicës dhe Nolit në ’42-in, për Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve
Dossier

“Mbreti Zog mbetet personaliteti shqiptar më i shquar dhe përjashtimi i tij do t’a xhvishte lëvizjen e propozuar…”/ Zbulohet letra e panjohur e Konicës dhe Nolit në ’42-in, për Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve

December 16, 2025
“Në kufi me Greqinë gjendja paraqitet e nderë, fryjnë erërat e provokacioneve, ndaj forcat tona të armatosura, janë vënë në gatishmëri numër një dhe…”! / Dëshmia e shkrimtarit Sokrat Shyti
Dossier

“Në përpjekjen e orës 8.00, u vra për kalim të paligjshëm kufirit, Fatmir Ismail Duro, banues në Orman – Pojan të Korçës, kurse shoku i tij…”/ Si u shua ëndrra australiane e dy të rinjve korçarë në ’90-ën

December 14, 2025
“Kolonët serbë që u vendosen në rrethin e Prishtinës, përvetësuan varrezat e shqiptarëve, pronat, shtëpitë dhe objektet e kultit…”/ Ana e panjohur e pushtimit të Kosovës, e parë nga studjuesi Namani
Dossier

“Kolonët serbë që u vendosen në rrethin e Prishtinës, përvetësuan varrezat e shqiptarëve, pronat, shtëpitë dhe objektet e kultit…”/ Ana e panjohur e pushtimit të Kosovës, e parë nga studjuesi Namani

December 13, 2025
“Edhe pse Pjetër Bogdani kishte vdekur, ai u zhvarros nga osmanët dhe u hodh si ushqim qensh në mes të sheshit të Prishtinës, pasi…”/ Historia e panjohur e kryeqytetit të Kosovës, sipas historianit Namani
Dossier

“Edhe pse Pjetër Bogdani kishte vdekur, ai u zhvarros nga osmanët dhe u hodh si ushqim qensh në mes të sheshit të Prishtinës, pasi…”/ Historia e panjohur e kryeqytetit të Kosovës, sipas historianit Namani

December 14, 2025
“Babanë e vranë pas shpine shokët e tij partizanë, po ashtu edhe vëllanë tim ushtarak në 1970-ën, pasi e detyruan të vriste një deputet që do arratisej në ’63-in…”/ Dëshmia e rrallë e Limoz Dizdarit
Dossier

“Babanë e vranë pas shpine shokët e tij partizanë, po ashtu edhe vëllanë tim ushtarak në 1970-ën, pasi e detyruan të vriste një deputet që do arratisej në ’63-in…”/ Dëshmia e rrallë e Limoz Dizdarit

December 11, 2025

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme