Nga Bashkim Trenova
Pjesa e nëntë
SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE
(KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)
Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)
NË VEND TË PROLOGUT – NJË PROJEKT, DY MEMORANDUME DHE NJË ANALIZË
Projekti ose Naçertania e Ilia Garashaninit – politikan, kryeministër i Serbisë gjatë viteve 1852-1853 dhe 1861- 1886:
MITE-MISTICIZËM, VIKTIMOMANI, RACIZËM DHE SERBONOSTALGJI
Kreu i parë i qeverisë shqiptare në Vlorë, Ismail Kemal Beu (në shqip: Ismail Qemali), ishte një i mbrojtur i Austro-Hungarisë dhe, pra, armik i egër i Serbisë, që ishte në konflikt me shqiptarët pas sukseseve të saj ushtarake në Luftën e Parë Ballkanike. Serbët, për të zvogëluar rrethimin e tyre nga ana e Austro-Hungarisë, kërkonin një dalje në Detin Adriatik, në territorin shqiptar. Nën presionin e fortë të Vjenës në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, trupat serbe u detyruan të tërhiqen nga Shqipëria. (1)
—
Qeveria serbe po e ndiqte me shumë shqetësim zhvillimin të situatës në Shqipëri. Nga fundi i pranverës 1914 Kryeministri serb Nikola P. Pashiç dërgoi në mënyrë të përsëritur, nëpërmjet kryetarit të qarkut të Ohrit, prefektit Jovan Çirkoviç, para për krerët e klaneve shqiptare. Kjo pati pak rezultate të prekshme, për shkak se sasitë e arit dhe municioneve të furnizuara për krerët shqiptarë ishin të pakta në krahasim me shumat e konsiderueshme të shpërndara nga agjentët e Austro-Hungarisë. Jovan Ćirkoviç, njeriu i besuar i kryeministrit serb, punoi shumë për të siguruar që bashkëpunimi me shqiptarët në Shqipërinë veriore, në kufi me Serbinë, të vazhdonte, “sepse këta këmbëzbathur shqiptarë të uritur do të shkojnë tek ata që u japin bukë dhe Austria i pret krahëhapur”. Parashikimet e tij u realizuan… (2)
—
1 – Dushan T. Batakoviç. Ahmet Bey Zogu et la Serbie. Une cooperation inachevée (1914-1916). (Ahmet bej Zogu dhe Serbia. Një kooperim i pambaruar). Balcanica XLIII (43), Janar 2012. Fq.170.
2 – Po aty. Fq. 172.
Që nga Luftërat Ballkanike (1912–1913), rajonet në kufi me Shqipërinë në zonat me një popullsi të madhe shqiptare, u bënë shpesh shënjestër e sulmeve të armatosura nga të jashtëligjshmit (kaçakë) shqiptarë, të financuar dhe organizuar nga agjentë austro-hungarezë dhe emisarët xhonturq, me synim zgjerimin e kufijve të Shqipërisë dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe, me territoret e përfshira së fundi në Serbi: Kosovën, Metohinë dhe Maqedoninë veriperëndimore (rajonet e Shkupit, [Uskub], Tetovës, Gostivarit, Dibrës [Debar], Manastirit dhe Ohrit.)…
Agjentët austro-hungarezë furnizuan krerët shqiptarë të emigruar nga Kosova – Isa Boletini, Bajram Curri, Hasan Bej Prishtina e të tjerë — me armë dhe para. (1)
Një marrëveshje sekrete, e nënshkruar me Esad Pashën në Nish, më 17 shtator 1914, e rregullonte këtë ndihmë dhe marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në 15 pika. Marrëveshja parashikonte: (1) vendosjen e paqes dhe miqësisë së qëndrueshme ndërmjet dy vendeve; (2) mospërfundimin e një marrëveshjeje me një shtet tjetër, që do të kërcënonte interesat e njërit prej nënshkruesve; (3) Serbia do të ndihmonte në rivendosjen e rendit në Shqipëri sipas traditave lokale dhe nevojave të popullit shqiptar; (4) Serbia do të ndihmonte në krijimin e një këshilli legjislativ të popullit shqiptar, të përbërë nga përfaqësues të të gjitha klaneve; (5) sundimtari i Shqipërisë do të emërohej nga Kuvendi i Madh i Popullit shqiptar, i përbërë nga dy përfaqësues për çdo klan; (6) të gjitha palët do të njihnin sovranin e caktuar nga Kuvendi; (7)
Esad Pasha mori përsipër të krijonte, në bashkëpunim me Serbinë, përfaqësi të përbashkëta në vendet e huaja dhe të organizonte mbrojtjen e përbashkët dhe transportin e përbashkët; (8) do të krijohej një organ i përbashkët për të mbikëqyrur këtë partneritet dhe institucionet e përbashkëta; (9) Esad Pasha do t’i jepte fund agjitacionit anti-serb në territorin e tij, do t’u jepte të krishterëve lirinë e adhurimit dhe do t’u lejonte të arsimoheshin në gjuhën e tyre; (10) një komision i përbashkët serbo-shqiptar, që do të formohej më vonë, do të vendoste për caktimin e kufijve ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë;
1 – Dushan T. Batakoviç. Ahmet Bey Zogu et la Serbie. Une cooperation inachevée (1914-1916). Balcanica XLIII (43), Janar 2012. Fq. 174.
(11) Esad Pasha nuk do të kundërshtonte ndërtimin e një hekurudhe të Adriatikut për në Durrës dhe Mbretëria e Serbisë do të kompensonte pronarët e tokës së konfiskuar për ndërtimin e saj; (12) për të realizuar këtë marrëveshje, Serbia do t’i paguante Esad Pashës 50.000 dinarë në muaj derisa të zgjidhej sovran i Shqipërisë, më pas do të lidhej një marrëveshje tjetër, që përcaktonte një shumë të re shpërblimi; (13) ushtritë e të dy palëve mund të kalonin kufirin vetëm me ftesë të palës tjetër; (14) marrëveshja do të ratifikohej nga sovranët e Serbisë dhe të Shqipërisë sapo të emërohej ky i fundit; (15) Esad Pasha mori përsipër të mos ndërmerrte asgjë që do të shkonte në kundërshtim me këtë marrëveshje dhe të punonte ngushtë me përfaqësuesin e Mbretërisë së Serbisë në Shqipëri, kushdo që të emërohej në këtë detyrë. Siç shpjegoi më vonë Nikola Pashiç, kjo marrëveshje ishte lidhur “vetëm për të na mbrojtur nga sulmet që vinin nga kjo anë, derisa të mbaronte lufta”. Megjithatë, është e pamohueshme se ajo përbënte një kuadër për marrëdhëniet e ardhshme me Shqipërinë.
Kryeministri Pashiç urdhëroi në maj 1915 një ndërhyrje të forcave ushtarake në Shqipëri, me gjithë mosmiratimin e qeverive aleate. Ato hynë në Shqipërinë veriore nga tre drejtime. Trupat serbe, nën komandën e kolonelit Dragutin Milutinoviq, thyen shpejt, në rreth dhjetë ditë, qëndresën e “osmanëve”, pushtuan Tiranën dhe Elbasanin dhe çliruan Esad Pashën, tashmë i rrethuar në fortesën e tij në Durrës. Udhëheqësit e “osmanëve”, duke përfshirë Haxhi Qamil Feizën, Musa Efendiun dhe myftiun e Tiranës, u kapën nga serbët dhe iu dorëzuan Esad Pashës, i cili i vari në Durrës. (1)
1 – Dushan T. Batakoviç. Ahmet Bey Zogu et la Serbie. Une cooperation inachevée (1914-1916). Balcanica XLIII (43), Janar 2012. Fq. 177. Shih edhe; D.T. Batakoviç, « Sećanja generala Dragutina Milutinovića na komandovanje albanskim trupama 1915 », Miscellanea (Mešovita Gradja) XIV (Belgrade: Institut d’Histoire, 1985), 117–119, 128.
Falë toger Mladen Stamatoviç, emisar i Pashiçit në Shqipëri, Ahmed Beu, u emërua kryetar i administratës serbe të rrethit të Matit nga koloneli Milutin Miškoviç, komandant i njësisë së Drinit (Podrimski odred) në Dibër, dhe nga gjeneral Damnjan Popoviç, komandant i trupave të Rajoneve të Reja (Komandant Trupa Novih Oblasti), përfshirë Serbinë e Vjetër [ish-vilajeti i Kosovës] dhe Maqedoninë sllave [vilajeti i Manastirit]. Autoritetet ushtarake serbe dukej se nuk kishin shumë besim te Esad Pasha dhe madje i besuan Zogut një top, të cilin e kishin vendosur në Lis-Burgajet, “të gjitha këto që autoritetet tona ushtarake të mbronin Ahmed Beun nga Esad [Pasha]”.
Pasi u krijua një administratë serbe në zonat e pushtuara veriore si dhe në Shqipërinë Qendrore, komandanti i trupave serbe në Shqipëri, koloneli Dragutin Milutinoviç, u përpoq t’i jepte fund mosmarrëveshjeve ekzistuese midis Esad Pashës dhe Ahmed Zogut për të parandaluar përballje të reja mes kushërinjve të kthyer në rivalë. (1)
—
Ndërkaq, më 13 nëntor 1915, në fshatin pranë banesës së Ahmed Beut ishin mbledhur shumë zotër nga Shqipëria e Jugut, e Veriut dhe ajo Qendrore. Midis tyre ishte Bajram Curri, një udhëheqës fisi nga Kosova nga ku kishte ikur, dhe prifti katolik me ndikim, Jozefi nga Oroshi. Ata kërkuan të përfitonin nga gjendja e vështirë, në të cilën u gjendën trupat serbe në frontet e ndryshme përballë ushtrive bullgare, gjermane dhe austro-hungareze, për të bërë thirrje për një kryengritje të bashkërenduar kundër Serbisë. Përkrahësi më i flaktë i kryengritjes ishte atë Jozefi, i cili kishte marrë para nga ministri austro-hungarez në Athinë, si dhe udhëzime të sakta për të ngritur mirditorët kundër Serbisë. Gjatë mitingut, Jozefi i Oroshit u përpoq të ndezë liderët e tjerë shqiptarë: “Serbia duhet të shkatërrohet dhe ne shqiptarët, nëse ngrihemi, mund të arrijmë në Shkup dhe Shqipëria do të jetë shumë më e madhe se tani».
Jozefi i Oroshit u përkrah nga i famshmi Hassan Beu, i cili kishte dashur të pengonte ushtrinë serbe të tërhiqej nëpër Shqipëri dhe që propozoi t’i besohej komanda e kryengritjes Ahmed Bej Zogut. Falë ndërhyrjes së Stamatoviçit, forcat e Zogut nuk do të luftonin kundër ushtrisë serbe, të rraskapitur nga uria dhe nga i ftohti i dimrit të ashpër në malet shqiptare me borë, ndërsa disa pjesëtarë të fiseve të Matit, veçanërisht në territoret kufitare me Mirditën, sulmuan, grabitën dhe vranë ushtarët e uritur si dhe refugjatët e shumtë civilë serbë në tërheqjen e tyre të dhimbshme drejt bregut të Adriatikut. (2)
1– Dushan T. Batakoviç. Ahmet Bey Zogu et la Serbie. Une cooperation inachevée (1914-1916). Balcanica XLIII (43), Janar 2012. Fq.177. Shih edhe; D.T. Batakoviç, «Sećanja generala Dragutina Milutinovića na komandovanje albanskim trupama 1915» [Mémoires du général Dragutin Milutinović, commandant les troupes albanaises en 1915], Miscellanea (Mešovita Gradja) XIV (Belgrade: Institut d’Histoire, 1985), 117–119, 128.
Serbia, me regjimin e saj demokratik dhe aspiratat e saj kombëtare të shprehura qartë, bëhet relativisht shpejt…një Piemont i vërtetë i Ballkanit. (3)
Kosovë-Metohija është – siç bien dakord jo vetëm aktorët politikë, partitë në pushtet apo opozitë, por edhe institucionet kombëtare dhe opinioni publik – një hapësirë e rëndësishme në shtetin serb në shumë drejtime: historikisht, pasi është vatra tradicionale e kulturës serbe; ekonomikisht, sepse me burimet e saj minerale ajo është pjesa më e pasur e Serbisë, thelbësore për ekonominë e saj; gjeopolitikisht, sepse i jep një peshë, që korrespondon me potencialin e saj në një mjedis politik të pafavorshëm.
1) – Dushan T. Batakoviç. Ahmet Bey Zogu et la Serbie. Une cooperation inachevée (1914-1916). Balcanica XLIII (43), Janar 2012. Fq. 177. Shih edhe ; D.T. Batakoviç, « Sećanja generala Dragutina Milutinovića na komandovanje albanskim trupama 1915 » [Mémoires du général Dragutin Milutinović, commandant les troupes albanaises en 1915], Miscellanea (Mešovita Gradja) XIV (Belgrade : Institut d’Histoire, 1985). Fq. 181-182.
2 – Po aty. Fq. 184-185.
3 – Dushan T. Batakoviç. Nikola Pashiç, les radicaux et la « Main noire ». Les défis à la démocratie parlementaire serbe. BALCANICA XXXVII, Belgrade 2007. Fq. 143.
Për shumicën dërrmuese të serbëve, Kosovë-Metohia është e rëndësishme si qendër e kulturës serbe: është zona që ka numrin më të madh të monumenteve serbe që datojnë nga Mesjeta, gati 1800 kisha, manastire, ermitazhe, qytete, fortesa, duke përfshirë manastire me rëndësi të paçmueshme për kulturën, historinë dhe traditën serbe. Kosovë-Metohia është “Jeruzalemi serb”; ngjashmëria me rastin izraelit, si në historinë e kaluar ashtu edhe në atë bashkëkohore, pavarësisht disa dallimeve, nuk është e pabazuar.
Ish provincat osmane – Greqia në 1830, Serbia dhe Mali i Zi në 1878 (së bashku me Rumaninë), Bullgaria në 1908 – u bënë shtete të pavarura, ndërsa provincat e tjera, të populluara kryesisht nga bashkatdhetarët e tyre, mbetën nën sundimin osman ose austro-hungarez. Shtetet e reja, të shikuara si bërthama e një bashkimi të ardhshëm kombëtar, sipas modelit të shtetit-komb, u konceptuan si një hap në rrugën e gjatë të çlirimit kombëtar. Me Luftërat Ballkanike të 1912 dhe 1913 përfundoi shpërbërja e pushtetit osman, me Shqipërinë si shtet i ri, i shpallur në nëntor 1912, duke vendosur kufij të qëndrueshëm, të përkohshëm ose të diskutueshëm midis vendeve ballkanike.
Rezultati i Luftës së Parë Ballkanike (tetor 1912 – prill 1913), pavarësisht dyshimeve të Fuqive të Mëdha, ishte befasues. Aleatët ballkanikë (Serbia, Bullgaria, Greqia, Mali i Zi), pas traktateve të fshehta të nënshkruara në nivel dypalësh, mbizotërojnë në të gjitha frontet kundër forcave osmane: serbët pushtojnë Kosovën, një pjesë të Sanxhakut të Novi Pazarit dhe Maqedoninë e Epërme, një territor të gjerë me qytetet e Shkupit, Prilepit, Manastirit dhe Ohrit, duke tejkaluar kufijtë e miratuar me traktatin e marsit 1912 me bullgarët; për më tepër, ushtria serbe, që kërkonte daljen në Detin Adriatik, pushtoi Shqipërinë e Veriut.
Përcaktimi i kufijve të zonave të diskutueshme u bisedua, nën kujdesin e fuqive të mëdha, në Konferencën e Ambasadorëve të mbledhur në Londër (1912-1913). Austro-Hungaria, mbrojtësja e shqiptarëve, e mbështetur nga Gjermania, për ta mënjanuar Serbinë nga brigjet e Adriatikut, imponoi zgjidhjen sipas së cilës Shqipëria autonome dhe Mali i Zi do të kishin “gjithsesi një kufi të përbashkët”, duke e bërë të pamundur daljen e Serbisë (mbështetur nga Rusia) në Adriatik.
1 – Dushan T. Batakoviç. Kosovo-Metochie : Regionalistion, regroupement ethnique ou paratage? Kosovo.com: Projekat Rastko Gracanica-Peç. Botuar gjithashtu në italisht nën titullin : “Progetti serbi di spartazione”, Kosovo: Il triangolo dei Balcani, Limes, No 3, Roma 1998, fq.153-169.
Më 9 nëntor 1921, Lidhja e Kombeve njohu de jure qeverinë e Shqipërisë, duke përligjur disa pretendime shqiptare në rajonet kufitare me Greqinë dhe Jugosllavinë. Megjithatë, kufijtë shqiptarë të keq përcaktuar, me një regjim të dobët por ambicioz ndaj territoreve të vendeve fqinje, mbetën të kontestuar nga Jugosllavia dhe Greqia gjatë viteve 1920, duke krijuar një krizë, të gatshme për të shpërthyer në rajon. (1)
—
Historia e Serbisë është vlerësuar gjerësisht për rolin e saj të rëndësishëm në ngjarjet e ndryshme rajonale dhe, ndonjëherë, edhe botërore. (2)
—
Për serbët, Kosova përfaqëson, para së gjithash, një “Tokë të Shenjtë” serbe, zhvillimi kulturore dhe ekonomik i së cilës lartësohet nga fundi i Mesjetës, dhe ndërpritet brutalisht nga fitoret osmane si dhe izolimi nga prapavija e saj europiane dhe kristiane. (3)
1 – Dushan T. Batakoviç. Les frontières balkaniques au XXe siècle. (Kufijtë ballkanikë në shekullin e XX). Cairn.info. 01.12. 2008.
2 – Dushan T. Batakoviç. Le drame du Kosovo en Serbie. Une perspective historique. (Drama e Kosovës në Serbi. Një perspektivë historike). Belgrade: Čigoja štampa, 2012. Fq. 9.
3 – Po aty. Fq.15.
Edhe pse shumica e popullsisë së saj sot është shqiptare, Kosova është vlerësuar si një mishërim nacional dhe kulturor i identitetit të gjithë popullit serb. Për serbin e zakonshëm të ditëve tona fjala Kosovë, përfaqëson gjithnjë një tokë të lashtë dhe të shenjtë serbe, ku serbët janë persekutuar sistematikisht dhe dëbuar më shumë se gjatë tre shekujve të fundit, përjashtuar periudhën e fundit jugosllave, thjesht sepse janë sllavë e të krishterë ortodoksë.
Në këtë kuadër shihen si persekutorë jo vetëm pushtuesit, turqit otomanë, por edhe aleatët e tyre lokalë, së pari shqiptarët myslimanë të zbritur nga malet e Shqipërisë së Veriut dhe asaj Qendrore e të vendosur në fushat e Kosovës e të Metohisë në periudha të ndryshme të sundimit otoman (1455-1912), gjatë pushtimit të fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë (1941-1945) dhe gjatë regjimit komunist të Titos (1945-1990).
Shqiptarët myslimanë të maleve të Shqipërisë Veriore dhe Qendrore, rajonet më të varfra të Turqisë Europiane, u vendosën nga autoritetet otomane progresivisht në tokat pjellore të Kosovës dhe të Metohisë dhe kundërshtarët e tyre kryesorë ishin fshatarët kristianë ortodoksë serbë, meqë këta zinin pjesën më të madhe të tokave të punueshme. (1) Nuk ka asnjë provë shkencore të besueshme mbi vazhdimësinë nga ilirët tek shqiptarët e sotëm. (2)
—
1 – Dushan T. Batakoviç. Le drame du Kosovo en Serbie. Une perspective historique. (Drama e Kosovës në Serbi. Një perspektivë historike). Belgrade: Čigoja štampa, 2012. Fq.17-18.
2 – Po aty. Fq. 21.
Poezia epike e përhapur gjatë shekujve të fundit, e luajtur me lahutë, ka përcjellë një mesazh të fuqishëm e të pasur emocional, politik dhe kulturor. Baladat epike me Kosovën si temë qendrore, pavdekësojnë heronjtë dhe krerët kombëtarë mesjetarë dhe para modernë, duke kultivuar kështu mendimin dhe duke ushqyer shpresën e çlirimit të ardhshëm nga sundimi otoman.
Poemat epike mbi Betejën e Kosovës dhe heronjtë e saj, përshkruajnë fatin tragjik të të fundme të Nemanjiçëve, heroizmin e Princit Lazar dhe kalorësit të tij trim Milosh Obiliç, vrasjen e sulltanit otoman Murat në Betejën e Kosovës, vetëm nga fakti se i përkiste fesë myslimane, një blegtor shqiptar ishte i autorizuar të mbante një armë zjarri dhe mundej, pa asnjë frikë se mund të dënohej, të grabiste një të krishterë ortodoks, në rastet më të shumta një fshatar serb, të zhveshur nga çdo mjet mbrojtjeje. (2)
—
Sipas legjendës epike, në prag të Betejës së Kosovës në vitin 1389, Princi Lazar zgjodhi mbretërinë qiellore në vend të asaj tokësore, lirinë në vend të skllavërisë. (1)
—
Konvertimi i serbëve të krishterë në myslimanë ka ndodhur në shekullin XVII dhe në gjysmën e parë të shekullit XVIII, në një kohë kur shqiptarët myslimanë filluan të ushtrojnë një ndikim më të madh mbi ngjarjet politike të rajonit. Shumë serbë të krishterë pranuan islamin për të mbijetuar dhe duke pritur momentin e duhur për të përqafuar sërish fenë e të parëve të tyre.
Serbët e islamizuar ruajtën gjuhën dhe zakonet e tyre të vjetra gjatë shumë brezave. Ndërkohë, disa breza më pas, mjedisi i fuqishëm shqiptar i shtyu të përdorin gjuhën shqipe jashtë rrethit të tyre të ngushtë familjar, për arsye sigurie. Kështu serbët e islamizuar ruajtën gjuhën dhe zakonet e tyre të vjetra, gjatë shumë brezave. U zhvillua një lloj ambientimi social, që u lejoi të konvertuarve të mbijetojnë, d.m.th., të shmangin diskriminime të tjera.
1 – Dushan T. Batakoviç. Le drame du Kosovo en Serbie. Une perspective historique. (Drama e Kosovës në Serbi. Një perspektivë historike). Belgrade: Čigoja štampa, 2012. Fq. 38.
2 – Po aty. Fq. 49.
Procesi i vazhdueshëm i konvertimit fetar çoi gjithashtu në shqiptarizimin e tyre. Ky ka filluar pasi serbët e islamizuar, duke u zhveshur pak nga pak nga identiteti i tyre etnik, filluan të martohen me vajza të klanit shqiptar. Për pasojë ata përvetësuan më në fund gjuhën e komunitetit shqiptar. Serbët e krishterë ortodoksë e kishin zakon t’i thërrisnin arnautas vëllezërit e tyre bashkëkombës të shqiptarizuar. (1)
—
Për një kohë të gjatë serbët myslimanë të shqiptarizuar (arnautasit) nuk ndiheshin as turq dhe as shqiptarë, sepse dalloheshin nga zakonet dhe traditat; megjithëkëtë, ata nuk ndiheshin as serbë….Dhe kështu, shumë arnautas i ruajtën emrat e tyre të vjetër të familjes deri në kapërcimin e shekujve XVIII – XIX. (2)
—
Lidhja Shqiptare (1878-1881) u formua në Prizren në prag të Kongresit të Berlinit. Lidhja Shqiptare ishte për një zgjidhje të problemit shqiptar brenda Perandorisë Otomane. Ajo gruponte myslimanët konservatorë, që dominonin udhëheqjen e Lidhjes, dhe kishte nën komandë 16.000 burra paraushtarakë, që vepronin në shumë vilajete otomane. Shkaku kryesor i pakënaqësisë së tyre ishte zgjerimin territorial i Serbisë dhe Malit të Zi…..E pakënaqur nga lëshimet që Porta u bëri fuqive të mëdha europiane, Lidhja Shqiptare provoi të këpuste çdo lidhje me Stambollin. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016