Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tridhjetegjashtë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Atyre grykave ku dielli dhe toka s’putheshin më se tri orë, më 21 Maj ’73, do shtjellohej ngjarja unike në historinë njerëzore; zhelanët sfiduan diktaturën, më të egër të njohur ndonjëherë, të dënuarit kërkuan liri për të “lirët”, skllevërit tentuan të çlirojnë heraldikën nga prangat “yjore” komuniste, mëtuan aspiratat demokratike për popullin “demokrat” dhe lypën të drejtat për të padrejtët, injoruan vetveten e mëkuan shpresën!
Individët e zakonshëm u shndërruan në ANTE, teksa “Zeusëve” iu hyri lepuri në bark dhe derdhën arsenalin e blasfemive marksiste, ndërsyen turma zagarësh tru-shpëlarë, katapultuan spiunë, sampistë, gardistë, policë me uniformë dhe pa uniformë, ushtarë të armatosur gjer në dhëmbë…!
O Zot, në sekuencat retro të atyre tri ditëve konfondohen, të gjallë e të vdekur, të pushkatuarit e revoltës, ia shtrojnë muhabetit, me ata që do humbnin në zgafellet e epokës së tmerrit…?! Viktima, viktima, viktima…, prometenj të prangosur dhe shumë gjak!
I freskët, i mpiksur, i zi, përzier me cifla truri dhe me bashka floku të qethur! Shpërndarë gjithandej:… në hyrjet e galerave, në frontet e bakrit dhe të piritit, mbi shinat e gërryera nga acidi, në shtretërit e shkalafitur të vagonëve, në fjetoret e pista plot morra e çimka, në tabanin e rrahur nga mijëra këmbë, në thepat e mprehtë të telave të rrethimit.
Ngado koka të çara, tru i shprishur, gjak i mpiksur, eshtra të thyera, skalpe të shqyera, policë me hunj mëlleze, të dënuar të lidhur me gjermanka, biruca të mbushura deng, me trupa të ronitur, qenë nuhatës, gati të shqyenin këdo që ndeshnin ballazi… dhe prometenj të lidhur pas shkëmbit, që iu brenin mëlçinë qiftët e Zeusit! Titanë të mundur, por të pamposhtur!
…dhe foshnjën David, që po rritej për të shtrirë përdhe Goliathin!
Panorama e pas revoltës:
…Tablo tmerri e denjë për penelin e piktorit të Guernikës! Për mbi katër dekada, s’m’u ndanë ëndrrat,…edhe pasi ra diktatura! Kurse në zhgjëndërr, ndjesitë ndryshojnë: piqem me miqtë e vjetër dhe freskoj kujtesën, gjuha shkon ku dhëmb dhëmbi dhe fjala shket natyrshëm në temën e paezauruar ndonjëherë.
Kujtojmë të larguarit dhe episodet e shkuara, që na janë ngulitur në memorie si të kenë ndodhur dje; rindërtojmë ngjarjet e papërsëritshme dhe momentet pikante, evokojmë burrat elite, që s’bënë ndonjë heroizëm të spikatur për mitologjinë, por u treguan të denjë për historinë.
Ndoshta e teprojmë ndonjë fije, po malit i jepen përmasat reale, kur e sheh nga largësia, kurse motit kur kthjellohet qielli dhe largohet mirazhi, shikimi depërton më thellë horizontit. Kur ftohen gjakrat dhe bjerren inatet, arsyeja qartësohet, e kështu gjykon dhe analizon pa pasione.
III
Gjumi më kish kapluar me krye mbi tavolinë. Po më mposht mosha dhe sëmundjet. Mbase në perëndim e sipër, rrezet zymtojnë horizontin dhe venitin ngjyrat, shkartisin figurat, duke i denatyruar e duke iu dhënë përmasa më gjigante. Tashmë që jemi në kapërcyellin e dy botëve, kësaj të këtushmes, ku kapemi me kthetra, sepse na tremb amshimi i panjohur dhe tjetrës që na grish, po na tut me misterin.
“O Zot i kudogjendshëm, na lehtëso fundin”, i lutemi të Madhit, ndonëse kësisoj i luten edhe ata, që i shtinë me gurë.
“Si ardhka siraja, shpesh adhuruesit i pret fundi i dhimbshëm, anatemuesit e kalojnë pa derte”!
“Sh-shët! Mos blasfemo”!
“Të kam besuar verbërisht, o Zot”!
“Ç’të gjeti tani”?
“Gjithsesi, besoj në drejtësinë e patjetërsueshme!
“Amin”! Xhërr-rr zilja.
U davarit ëndrra, preka realitetin. “Alo”! – zë i njohur.
“Mirëmbrëma”!
“Mirëmbrëma, si jeni”? – shumë i njohur.
“Mirë, ju falënderoj për telefonatën”! – ia ktheva mekanikisht.
“Po, kujtohen miqtë e vjetër”!
“Ke të drejtë, ka kohë që kërkoj të lidhem me ta, por s’po mundem”!
“Jam Fitim Veizi nga Vlora, doja t’ju pyesja për një problem”?
“Fol Fitim”!
“Flitet se do lëvizë, shefi i komisariatit të Kuçovës…”?
“Ende s’është bërë fakt, mbase ikën”!
“Cili mund ta dijë, më mirë se ti”?
“Për sot s’të them dot më tepër”!
“Mirë, bëhet gjë për mua, po ndodhi”?
“Sigurisht, do të mbështes me pashë”!
“S’e vë në dyshim! Gjithsesi, ju falënderoj! Natën”!
“Fitim, doja të pyesja për një mik nga Vlora, që po mbushet viti pa u dëgjuar në tel”!
“Cili na qenka ai”?
“Namik Zeneli nga Vajza…”!
“Dje i përkujtuam një-vjetorin e vdekjes…”!
“Si the”?!
“Po, mbushi vitin…”!
“Mos e ngatërron me ndonjë tjetër, o Fitim”?!
“Ishte burri i hallës sime…”.
“Mos more, ç’më the”!
“Është e saktë, vdiqën vit më vit”!
“Sa keq”!
“S’lanë as trashëgimtar!… Natën”!
“Natën…, më dërrmove”!
“Qysh prej një viti paska ndodhur gjëma dhe unë i bie telefonit si përherë! Ej dreq, në qiell ta kish marrë telefonin ai?! Si s’u kujtua njeri ta ngrinte, fundja s’ishte vetëm i tyre, por edhe yni, që kaluam vite në kalvarin e burgjeve”!?
“O Zot, si s’bëke dallim, marrke të mirë e të lig! Të paktën, t’i ndaje njëfarë soj, në të dobishëm e, të zakonshëm! S’them të thaheshim mbi tokë, se do linim kokrrën e namit dhe do tromaksnim dynjanë! Por më parë të zakonshmit, sepse edhe pulën pjellore, e veçojnë nga të tjerat! Namiku kishte shumë për të bërë, punët e tij, mund t’i bënte vetëm ai, tonat i bën gjithkush”!
IV
Mposhta sëmundjen dhe u nisa ta vizitoja ku prehej. Mbase do më ngushëllonte fakti, ta kish pasur të lehtë, siç më qe shprehur: “Zoti na e pruftë butë-butë, si bora e natës dhe lehtë-lehtë, si penda e patës! Borën e sheh në mëngjes që ka rënë, pendën kur e lë, e ndjen se e ke zënë”! Iku pa zhurmë, pa bujë, pa dëngla prepotentësh, i braktisur nga njerëzimi po i rrethuar nga librat. Me një buqetë të bardhë si shpirti i tij, shkela në varreza, ku s’pata nevojë t’i bija telefonit e, të dëgjoja dërdëllitjet e zëakullës kompjuterike.
Timbri i shtruar i mikut, zbriti nga eteri ku kish fluturuar, përshkoi atmosferën dhe depërtoi dheun, ku preheshin eshtrat e sakatuara nga prangat e diktaturës. Që sipër qivurit, më shihte i qeshur, teksa zëri iu këput si atëherë, kur e ngushëllova për humbjen e bashkëshortes: “I nderuar mik, zoti më dënoi me vetmi, njerëzimi me dashuri të munguar, historia me harresë, por libri s’më ka braktisur ende…”!
“Edhe ne miqtë e tu”! – e plotësova.
“Gjithsesi, jeta ndjek rrjedhën e vet”!
“Normale”! – pohova.
“Na ndanë hallet, secili ka të vetat”!
“Ama na bashkoi në një front ideali”! – theksova me bindje se po i lehtësoja brengat.
“Një ditë do largohemi të tërë, nga kjo botë”.
“Vetëm se s’mund ta zgjedhim formën e largimit”.
“Natyrisht, mbas ikjes, do ngelen gjurmët”.
“Por s’do lemë të njëjtat”! – theksova për t’i kujtuar se jeta e tij, ia kish vlejtur, sado e mjerueshme.
“Kjo është zgjedhje individuale”!
“Mendoj se është çështje personaliteti”, – pohova me bindjen, se thashë diçka të panegociueshme.
“Ndonëse s’i ndan dot nga njëra-tjetra, ardhka momenti i lamtumirës së fundit”! – heshti si një qortim.
“Vëlla, duhej të të ishim gjendur pranë”!
“Ju falënderoj! U kam ndjerë afër, orë e minutë, në dhimbje e në gaz, në mos fizikisht, të paktën shpirtërisht” – buzëqeshja e pafajshme dhe gazmendi, të fshikte trurin e të nxiste të flisje pafund. U çmalla virtualisht me mikun, pa ndërhyrjet e zë akullta kompjuterike me haberin makabër: “Alo! Nr. A.M.C. që ju kër… nuk ekziston. Ju falemin…”!
“Hy, se më plase, lanete”!
“Ç’të gjeti, or mik”?
“Se ç’më çjerrë veshët një zë sirene, që prej një viti: Namiku s’ekziston, thotë”!
“Ja pra ku jemi përballë”! – buzët luajtën mbi mermer.
“Sigurisht”!
“Kështu kemi qenë çdo kohë…”!
“Atë them edhe unë”!
“Sot më shumë se kurrë”!
“Si? Ku”?
“Në fushat eliziane, pranë Zotit të madh”!
“Ke pengje Namik”?
“Natyrisht, u largova me brenga si çdo vdektar, pa plang, pa shtëpi, pa katandi, pa trashëgimtarë, i fishkur, i rrudhur, i mpakur…”!
“Jo pa trashëgimi, besoj se ke bërë shumë për t’u kujtuar”.
“E kush do na kujtojë paskëtaj? Na braktisën edhe ata që flisnin në emrin tonë”!
“I kanë mbytur hallet”.
“S’ju kërkuam qoshen, meritonim pak respekt e dhembshuri”.
“S’na ka munguar”!
“Na kaploi harresa, si ai libri që e shfleton për shumë kohë dhe e hedh ta mbuloj cerga”.
“Gjithsesi, libri i lashtë dhe vera e vjetër, s’e humbin vlerën asnjëherë, sa më shumë moshohen, më të vyer bëhen”, – filozofova unë.
“Të shpresojmë”! Shterën fjalët.
Më dërrmoi pesha mikroskopike dhe u kllapos brenda murit të asaj varreze, ku u pleksën oqeane, kontinente, dete, male, fusha, lumenj, shtete dhe makro-shtete, qyteza, qytete; ndërsa selvitë rreth e qark, u shndërruan në rrjeta telash gjembaçë, bash si rrethimi i burgut politik…kujtimeve, teksa gjithësia mori përmasa.
O Zot, ftohtësia e monolitit, binte ndesh me dashamirësinë e portretit. Ndjesia e dy botëve, ndarë nga një sinor shkëmbor, më kaploi trurin: “Një ditë edhe unë do përfundoj nën një bllok të tillë, me një emër të skalitur në gur dhe një foto me buzëqeshje statike, për t’iu kujtuar të gjallëve, tmerret e diktaturës së egër që mbajtëm mbi supe.
Eh si ardhka jeta vëllaçko, ëndrrat e parealizuara na kërrusën shpinën si guri i Sizifit, aspiratat e paplotësuara dhe dhjetëra ide të mërguara na torturuan e, s’na lanë një sekondë rehat, tashmë do struken nën këtë gur, ani pse mermer i lëtnuar, mund të ishte strall që lëshon shkëndija dhe trupi i drobitur do ndehet gjatë e gjerë, në arkë-mortin me kubaturë të kufizuar, mbase eshtrat e thyera do qetohen, por shpirti do rebelohet, do lerë mbetjet nëntokë dhe do vozitë në hapësirën pa skaj”!
Kur çova kryet, miku më pa qesëndisës.
“Paske rënë në të thella”? – oshtiu zëri që nga Zeniti.
“Ç’botë koti”!
“Jo sa e mendon ti”!
“Ia vlen thua”?
“Deri në dekikën e fundit”!
“Po më pas”?
“Gjithësia pret”!
“Si ndihesh aty”? – pyeta për të ndërruar temë.
“Fitova amshimin, jam në paqe me veten dhe me Zotin…”!
“Të uroj amshim të këndshëm”!
“Unë, lumturi dhe jetë të gjatë, mbi përkohësinë tokësore, kur të vish këtu, do dimë si të presim”! – toni u fashit teksa varri u trand, nga një luhatje e thellë sizmike.
“Lamtumirë, o mik”.
S’kishim biseduar kaq gjatë, prej kohe. U largova kokëvarur me lot në sy…!
Gjatë kthimit, më ndoqën psherëtimat e atij që s’u qa ndonjëherë me gjallje dhe ankohej i vdekur:
“Na iku jeta drizë, të rinj në burgje dhe internime; shumëkush la eshtrat në varrezën Shqipëri dhe lirinë, s’e patën kësmet”.
“Ne të gjallët, kemi detyrimin t’iu japim prehjen e munguar, lumturinë të humbur ne humbella, t’iu ofrojmë një varr ku të vënë një tufë lule familjarët”! – i këputa ligjëratën haluçinante.
“Para mbi njëzet vitesh, ishim të kthjellët dhe e dinim cakun, i njihnim miqtë, shokët, dashamirët po dhe armiqtë, survejuesit, spiunët, hetuesit dhe prokurorët, tërë skotën e kundërshtarët tanë…! Ndërsa tani,…”?
“Eh-u, ujërat rrodhën, ngjarjet u harruan dhe njerëzit u larguan! S’i hapën as dosjet të qetohej mileti”!
“Nga cilët pret? Nga ata që i mbushën deng, me ‘Sikurë’”?! – një psherëtimë më shpëtoi pa dashje.
“Mbase presin të kemi ikur edhe ne, pak dëshmitarët e fundit! Koha rrjedh, njerëzit plaken e vdesin dhe tisi i harresës do mbulojë gjithçka”.
“Po, kaluan mbi njëzet vjet…”!
“Për jetën e individit, janë shumë, të lindurit e nëntëdhjetës, u bënë burra, njëzetvjeçarët e dikurshëm, etër, dyzetvjeçarët, gjyshër, gjashtëdhjetëvjeçarët, tetëdhjetë, të shumtët janë në varreza”.
“Kështu e ka jeta, or mik”!
“Nga ana tjetër, për historinë e një kombi, janë fare pak, dialektika e zhvillimit, s’matet me vite, por me epoka, dhjetëvjeçare, qindravjeçare, mijëravjeçare. Të nesërmen e njeriut e ndan një natë, të nesërmet e kombit, maten me shekuj…”!
S’di sa do kish zgjatur biseda virtuale, nëse s’do më trandte një frenim i beftë. “Arritëm zotëri! S’e kam hotel për gjumë …”!- zëri i shoferit.
Ngjita sokakun i shkartisur nga trupi dhe nga trutë…! Gjithsesi tash e prapa, e di ku gjendet miku, s’do humb kohën me ndërhyrjet dhe njoftimin makabër të zëakullës kompjuterike: “Alo! Nr. A.M.C. që ju kër… nuk ekziston. Ju falemin…”!
Në vrimat e piritit
(Ku bora flakëronte e zezël) Kataklizëm ëndrrash!
Një gjumë i zi, me ëndrra sterrë, më kaploi dhe më zhyti në botën konfuze, pothuajse në kaos. Panorama e zezë shpalosej mbi telajo, sa ç’ishte i zi peizazhi përkarshi.
I zi lumi me ujëra të zeza, të zinj brigjet me luginën sterrë, i zi pylli, me pemë të errëta, male të zinj dhe kreshtat me borë zeshkane. Baresha matanë lumit, e zezë, të zeza delet, më i zi bari që kullosnin. Paleta sterronte, nxinin penelat, nxinin tubetat: Shtrydh njërën, e zezë, shtrydh tjetrën, e zezë edhe tjetrën, edhe tjetrën, të gjitha sterrë. O Zot ç’pikturë futuriste, zezonë tejendanë!
“Zi e më zi, ot’u sterroftë drita”!
“Përse e kapët me mua”?
“Do të gropojmë në terrin e ferrit sterrë”!
“Përse, përse, përse”?
“Ke hyrë në zotërimet tona”!
“Unë”?
“Ti me të tjerët”!
“Cilët qenkeni ju, që kërcënoni kaq hidhët? Demonët e Hadit! Zotërinj demonë, s’ju dija zotë në Had”?
“Ehu, sa gjëra s’di ti or qyq”!
“Sidoqoftë, kërkoj ndjesë, që shkela terrenin tuaj, por më sollën me dhunë!
“Fjalë imzot, fjalë! ku e kam dëgjuar”?
Ka rëndësi kjo? Dikur e tha Shekspiri, po ta përsërisim ne sepse erdhe këtu e. do bëhesh si ne!
Komunistët s’më lanë zgjidhje tjetër!
S’i kemi kot aleatë!”
Aleatët tuaj!?
Ngrita sytë por qielli sterronte i vrerët, pa dritë, pa hënë, pa yje. “Do t’iu nxijmë, do t’iu sterrojmë!
“Ç’është ky mllef”?
“Na zaptuat pronën”!
“O Zot, për ç’pronë flisni”?
“Për vrimat e piritit”!
“Po ju, cili jeni”?
“Cerberi”!
“Cerberi!? Të dija roje në Had”?
“Ehu-u, ndryshuam pozicion, Hadin e zunë komunistët, neve na lanë këto vrima”!
“Ju pafshi hairin, s’ua kam zili”!
“I ndërruam vetë! Ti ç’kërkove këtu”?
“S’erdha me vullnet, më sollën me dhunë”!
“S’ndryshon gjë, njësoj do t’ju qorrojmë”!
“E keni kot, ne jemi viktimat e luftës klasore”!
“Ju jeni edipë, bij të inçestit”!
“S’e pranoj! I kam biologjikë, nënë e baba”! – protestova.
“Edhe Edipi e kishte nënë, por e bëri grua”!
“Është rast unik, si komunistët tanë”!
“Jeni pjella të sistemit inçestuoz”!
“E drejtë, por komunistët”!
“Në atë qerthull, endeni të tërë, o të nxirosur, ndaj sorollateni në natën pa skaj”!
“Natë qenka”!?
“Këtu është natë përherë”!
“S’e lakmoj natën tuaj! E urrej errësirën, dua diell, më pëlqen drita”!
“Kujt s’i pëlqen? Por jini të dënuar, të gjalloni në natën pa ditë, o breza mjeranësh”!
“Ndihmona o Zot”!
“Harroje, Zoti ndihmon të zotët”!
“Kujt mund t’i drejtohem”?
“Komunistëve”!
“Jemi kundërshtarë”!
“Kujt i plasi! Ne shohim mbretërinë tonë”!
Sakaq u ça qielli, në infinit u projektua një hon i thellë dhe i zi si lëfyt hinke. Në nadirin e kraterit, ndriçoi një diell i paparë me rreze skrromë.
M’u bë se vozisja në orbitat e zeza ndërplanetare.
“O Zot, mbami mendtë”!
“E përzutë Zotin, tani ma kërkon”!
“S’e dëbova unë”!
“Sa vlerë ka, e aprovove”!
“Përkundraz, e pësova”!
“Bashkëmoshatarët e t’u shkatërruan faltoret dhe s’lanë mekam pa përdhosur”.
“Po unë, ç’faj kam”?
“Nëpër të gjithë, të gjithë për një”, babuç!
“Është parullë komuniste”!
“Në atë mera, kullosni të tërë, apo jo”?!
Reja sterrë si mjegulla vetmitare që terron kreshtat dhe davaritet me flladin më të parë, fshehu rrezet e zeza të diellit katran, ngarkuar me zhaurima dhe krokërrima ,të ngjashme me zezonën.
Terr rreth e qark!
“Ç’të jetë kjo mjegullnajë sterrë”?
“Krra-u, krro-krro, krra-u”, një rrapëllimë flatrash trandi atmosferën dhe reja voziti me rropamë: “Krra-u, krro-krro, krra-u”.
“Do t’iu qesim sytë, si kumbulla pllucka! – krra-u, krro-krro, krra-a-a-u”.
“Cilët qenkeni ju”?
“Korbat e skëterrës”!
“U qoftë udha e mbarë, zotërinj korba”!
“Këtu e kemi strehën! – krrau- krro-krro-krra-a-a-u” /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016