Nga Roald A. Hysa
-Të gjithë emrat dhe familjet që u shpërngulën në kryeqytet nga viti 1913, ku krijuan “Mëhallën e Dibranëve”!
Memorie.al / Mahalla e Dibranëve është një nga toponimet e mirënjohura për të gjithë tiranasit e vjetër. Një pjesë e madhe e dibranëve sheherli, janë vendosur pikërisht në këtë pjesë të Tiranës pas vitit të errët 1913, kur ata u detyruan dhunshëm të largohen nga shtëpitë e tyre në Dibër të Madhe. Emigracioni i viteve 1912-1913, bart në vetvete karakterin e dhunës nga serbët, ku pothuajse i gjithë qyteti i Dibrës, u shpërngul apo në një farë mënyre u përzu dhe për shumë pak kohë u zbraz pothuajse i tëri. Këtë shpërngulje të dhunshme të dibranëve në këtë periudhë për në Shqipëri, ku fillimisht shkuan në Elbasan e, më pastaj u vendosën në Tiranë, e tregon fakti që; sot në Tiranë kemi mbi 55.000 banorë të cilët janë me prejardhje dibrane.
Shumë nga këto familje me origjinë dibrane, në Dibër pothuajse nuk ekzistojnë. Sot në Dibër nuk ekziston më familja Çausholli, një familje aristokrate, familja Jorganxhiu, Abule, Strazimiri, një familje e pastër dibrane, si dhe shumë familje të tjera të cilat kanë qenë të detyruara nga dhuna serbe të emigrojnë për në Tiranë.
Kjo është vala e parë e dibranëve që mbërritën në Tiranë nga dy rrugë të ndryshme. Një grup ndoqi rrugën: Dibër-Strugë-Elbasan dhe Tiranë, ndërsa tjetri: Dibër-Mat-Shkallë e Tujanit–Tiranë. Pak familje zunë vend në Elbasan, ndërsa pjesa më e madhe e tyre zuri vend në Tiranë. Të gjithë këta sheherlinj mbërritën, vetëm rrobat e trupit, sepse nuk patën kohë të merrnin ndonjë plaçkë.
Vuajtjet e atij udhëtimi të vështirë të parët e familjeve dibrane i morën me vete në varr, dhe iu lanë pas ndjenjën e mirënjohjes së thellë pasardhësve të tyre për Tiranën, që i mirëpriti dhe ua hapi dyert e bujarisë. Në këngën e tij ku falënderon Tiranën dhe tiranasit, Haxhi Maqellara thotë:
“Aty hangrëm bukë e krypë,
Tuj punu, e jo tuj lypë…”!
Familjet dibrane u integruan me shoqërinë e kohës dhe dalloheshin për përkushtimin e tyre ndaj familjes së tyre dhe punës. Kjo gjë i bëri ata ta tejkalonin me shpejtësi vuajtjet e atij eksodi të tmerrshëm.
Ata u vendosën në disa pjesë të Tiranës, por një pjesë e madhe e tyre themeluan atë që njihet edhe sot nga të gjithë Mahalla e Dibranëve.
Familjet dibrane u vendosën kryesisht në të djathtë e të majtë të Xhamllikut apo Sheshit Shtraus dhe aty ndihmuan njëri-tjetrin të mëkëmbeshin. Shumë shpejt e blenë truallin ku ndërtuan shtëpitë dhe me punë e përkushtim i dhanë jetë një Tirane të re. Dyert e shtëpive rrinin të hapura dhe ashtu si i mik-pritën tiranasit ata, i’u përgjigjën me të njëjtën monedhë bujarie atyre.
Madje shumë shpejt filluan martesat ndërmjet tiranasve dhe dibranve, saqë 80% e familjeve të hershme dibrane pasardhësit e tyre njërin prind e kanë dibran e tjetrin tiranas. Sulejman Popinara ishte ndër të parët aty rreth vitit 1913, që mbërriti në këtë lagje dhe pikërisht aty ku sot është qendra, në Rr. “Arkitekt Sinani”.
Ata i blenë shtëpitë e para në kurriz të njëra-tjetrës një ditë të largët të atyre viteve, familjet Gorenca dhe Suti vunë në mes, familjen Popinara, me pamje nga jugu, ku Sulejman Popinara, ishte i vetmi në të gjithë atë mëhallë që e kishte marrë me qira, e që më vonë e bleu me napolona flori 10 dynymë tokë.
Disa nga mbiemrat që mund të përmendim këtu të Mahallës së Dibranëve janë: Saraçi, Klloboçishta, Sengla, Jashari, Shamku, Torozi, Çanka, Ostreni, Muhaxhiri, Gorenca, Varvarica, Çoku, Basha, Pregja, Popinara etj.
Tirana ka pasur disa pika ku janë vendosur familjet dibrane si: te “Namazgjaja”, mahalla “Shebekve”, “Selvia”, “Pazari i Ri”, “Abdullah bej”, etj., ku në periudha historike, ka pasur lëvizje të ndryshme demografike. Komuniteti dibran është i dyti i ardhur në Tiranë, ku përpara tyre kanë qenë të vendosur “çobanët” apo “llaci-facët” e Tiranës (vllahët).
Nuk mund të lemë pa përmendur e kujtuar “Rrugicën e Dibranëve”, në Rr. “Shaban Jegeni”, të një figure po patriotike dibrane emërtimi i kësaj rruge. Në këtë rrugicë, kanë jetuar familjet e ardhura nga Dibra e Madhe gjatë viteve 1913-1939 si: Shatku, Krajka, Ramku, Dervishi, Pilku, Laçi, Gonxhe, Gazideda.
Një pjesë e atyre që u vendosën pranë zonës së “Pazarit të Ri” janë: familja e Xhelo Dibrës, Xhuglinët, Kurinjtë, Hysat, Borovat, Turkeshët, Hatibët dhe të tjerë. Ishin pikërisht familjet dibrane që ndihmuan në ndërtimin e godinës së re të Xhamisë së Kokonozit në vitin 1933, së bashku edhe me familjen tiranase Kokonozi, pasardhësit e Mahmud agë Kokonozit, i cili ishte ai që e ndërtoi i pari xhaminë.
Gjatë kësaj periudhe familjet dibrane u dalluan edhe me pjesëmarrjen e tyre në politikë, ku kujtojmë këtu Haxhi Vehbi Dibrën (Agolli), me Hafuz Sherif Langun, familjen Shatku e dalluar për juristët e shquar që i dha këtij vendi. Regjentin Fuad Dibra, i cili e shkriu të gjithë pasurinë e vet për Shqipërinë, Hafuz Xhemalin, i cili la Stambollin dhe postet e larta atje, për të dhënë kontributin e vet për Shqipërinë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, do të vinte një valë e re dibranësh nga Peshkopia dhe rrethinat e saj. Gjatë kësaj kohe shumë dibranë u shquan në të gjitha fushat e jetës, si në sport, muzikë, shkencë etj. Emri i Agim Bardullës, është shumë i njohur në shkencat matematikore, i Hiqmet Gonxhes nga topografët e parë që hodhën në harta relievin malor shqiptar. Inxhinier Tofik Jegeni, me grupin e tij me një studim special mbi lumin Radika.
Ramiz Hatibi është një nga dibranët e hershëm, në fakt ka ardhur në 1908 dhe ka hapur i sugjeruar nga djali i xhaxhait të tij, një nga pasanikët e kohës në Tiranë, Shefqet Hatibi, shkollën e parë shqipe në rrethin e Tiranës, në Shëngjergj (në qytetin e Tiranës kishte tre-katër shkolla të hapura).
Një tjetër Hatib shumë i njohur, ka qenë dhe Belul Shefqet Hatibi, atlet i jashtëzakonshëm 10-garist dhe pedagog i shumë brezave në Institutin e Fizkulturës. Medalje ari në olimpiadën e vitit 1946 dhe mbajtës i shumë rekordeve në disa disiplina për vite me radhë.
Emra të tjerë të shquar në sport, mund të përmendim: Feti Borovën dhe Astrit Grevën në basketboll, Luan Senglën apo Lushkun, futbollist-mesfushor i shquar i Tiranës, Dan (Ramadan) Jashari futbollist, Ramiz Pregja gjyqtar futbolli, në fushën e artit: kompozitorët Agim Krajka, Munir Shehu, Naim Plaku e Is’hak Shehu; violonçelistin e famshëm Ymer Skënderi, regjisorin dhe karikaturistin Bujar Kapexhiu, Adriatik Metuli, solist dhe koreograf në Ansamblin e Valleve Popullore, aktoren dhe balerinën Adivije Sharofi, balerinën e shquar Mukades Erebara.
Aktori i madh i teatrit dhe i filmit Sulejman Pitarka. Pastiçerët e familjes Reka të mirënjohur në të gjithë Tiranën për ëmbëlsirat e tyre.
Pas viteve 1990 sheherlinjtë e Tiranës janë mbledhur rreth shoqatës Bashkësia Dibrane, ku me veprimtari të ndryshme në Tiranë dhe në Dibër të Madhe, përpiqen të ruajnë vlerat dhe lidhjet e vjetra me qytetin nga e kanë prejardhjen. Në krye të shoqatës është regjisori dhe karikaturisti i mirënjohur Bujar Kapexhiu.
Në vijim do të gjeni të dhëna të tjera për sheherlinjtë e Dibrës së Madhe të vendosur në Tiranë dhe që i shërbyen kombit e atdheut me aftësitë e tyre në fusha të ndryshme të jetës shoqërore – kombëtare.
Gjithashtu kemi edhe një përmirësim në regjistrimin e mbiemrave pas një hulumtimi më të kujdesshëm nëpërmjet një hetimi disa drejtimesh me disa dibranë, ku falënderojmë Asim Pregjën, Arian Karpuzin, Edvin Camin, Edmond Guzja etj., si dhe dibranë të tjerë, që na i sollën infot nëpërmjet rrjeteve sociale.
Hafuzlerët dibranë në shërbim të kombit:
Hoxhë Voka (Said Najdeni); Hafiz Vildan Faik Dibra – (?-1925); Hafiz Raif Kadiu (1884-1943); Hafiz Ismet Dibra – (1886-1955); Hafiz Muharrem Mullahi (1880-1964); Hafiz Fiqiri Skënderi (1903-1969); Haki Sharofi (1894 – 1977); Salih Ferhat Hoxha -(1917-1995); Hafuz Xhemal Dibra; Haxhi Vehbi Dibra Agolli – (1867-1937); Hafiz Sherif Langu – (1877-1956)
Kryetarët e Shoqatës “Bashkësia Dibrane” e themeluar në vitin 1992 në Tiranë:
- Hiqmet Gonxhja – Ka lindur në Tiranë më 21.04.1928
- Gëzim Erebara (1929-2007) ka marrë titullin “Artist i merituar” i popullit shqiptar, lindi më 19 maj 1929 në Dibër; vdiq më 12 shkurt 2007.
- Feti Borova –(1931-2005) Ai është bir i një familje të mirënjohur dibrane e vendosur qysh herët në Tiranë.
- Arian Kadiu, ka lindur në Dibër (Peshkopi).
- Faruk Borova- ka lindur në Tiranë më 14 shtator 1946 në një familje qytetare me prindër nga Dibra e Madhe [Shehri].
- Mira Pirdeni aktiviste e shquar e shoqërisë civile.
- Bujar Kapexhiu – Lindur më 22 mars 1944 në Tiranë, është regjisor, skenarist dhe aktor i mirënjohur shqiptar.
Mbiemra të familjeve dibrane nga Shehri i Dibrës së Madhe:
- Abule, Agolli, Alimani,
- Baholli, Bali, Ballanca, Balliu, Basha, Batku, Borova, Brekofska, Budini, Buxhaku
- Cami,
- Çanka, Çausholli, Çoku, Çeliku
- Daci, Dardha, Dervishi, Dibra, Difi, Doda, Drini
- Erebara,
- Fishta, Filja,
- Gazideda, Gorenca, Gonxhe, Grazhdani, Guri, Guzja,
- Gjeleshi,
- Hajdari, Hasku, Hatibi, Haxhirexha, Haxhiymeri, Hoxholli, Hysa,
- Jashari, Jegeni, Jorganxhiu, Juca,
- Kaba, Kadiu, Kaja, Kapexhiu, Karpuzi, Kërçishta, Kërluku, Klloboçishta, Kodra, Korumi, Kosovrasti, Krajka, Krifca, Kuçka, Kuçuku, Kujofska, Kuriu,
- Laçi, Langu, Lata, Lazimi, Leksani, Lera, Lika,
- Lleshi,
- Maqellara, Mera, Muhaxhiri, Mullahi,
- Najdeni,
- Ostreni, Oshafi,
- Pasholli, Pijaneci, Pilku, Pirdeni, Pitarka, Plangarica, Pocesta, Popinara, Pregja, Pustina,
- Qatipi, Qylafku, Qorrpasha,
- Radovicka, Ramku, Reka, Reka-Ramadani, Reka-Shabani, Resuli, Rusi, Rustemi,
- Sakiqi, Saraçi, Sengla, Sfërdelli, Skënderi, Skudrina, Spahiu, Strazimiri, Sturçe,
- Shamku, Shatku, Shehu, Shijaku, Shkreta,
- Tërshana, Tomini, Torozi, Trenova, Turkeshi,
- Uruçi,
- Varvarica, Vejsiu, Verzivolli,
- Xhuglini,
- Zeqja, Zeraliu, Zllatku. Memorie.al