NGA FRANZ-LLESH GRISHAJ
Pjesa e parë
-SHKRELI DHE ROLI I TIJ NË KRYENGRITJEN ANTIKOMUNISTE TË MALËSISË SË MADHE, TË VITIT 1945 –
Memorie.al / Si mbas Frederick Douglass, “e vërteta asht e përshtatshme dhe e bukur në çdo kohë dhe në çdo vend”. Por për fat të keq, kjo e vërtetë kje e kundërta në shtetin tonë Amë dhe nëpër viset tjera shqiptare, nën sundimet shoviniste greke dhe sllavo-komuniste-jugosllave. E vërteta historike, jo vetëm që është mohue e lanë n’errësinë por, ashtë edhe shtremnue në një mënyrë të pafalshme. Për shembull, dokumenti i Shpalljes se Pavarësisë Shqiptare, të vitit 1912, falsifikohet nga historiografët e Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipnisë, tue mbulue firmat e Mid’hat Frashërit, Lef Nosit dhe Mustafa Merlika Krujës.
Në të njajtën kohë, ata qe patën guximin për të folë, me shkrue ose me veprue te vërtetën, janë dënue me burg ose, vra me gjyq apo pa gjyq, nga pushtetmbajtësit komunistë. Çka ashtë edhe ma tronditëse, ashtë se edhe sot përsëritet politizimi i historiografisë sonë kombëtare. Lufta ma e madhe qe vazhdohet të bahet në Akademinë e Shkencave në Shqipni, ashtë botimi i plotë i “Historisë së Popullit Shqiptar”, sepse të njajtet “historianë”, që deri dje përdoren epitete të ndryshme, ndaj figurave të shqueme dhe ngritën në altarin e Kombit, figura si Haxhi Qamili me shokë, do të ishte një paradoks që të merreshin me pjesën e tretë të historisë, së viteve 1913-1939, dhe atë të katërtën, të viteve 1939-1991.
Prandaj, kemi një detyrë të madhe morale, para vetvetes, para kombit dhe para së vërtetës historike me folë për të vërtetën. Dhe këtu përdori fjalët e Edward Schillebeeckx, kur tha se; “paanësia historike, nuk ashtë rindërtimi i fakteve të kohës së kalueme, por ashtë e vërteta e së kaluemes, nën dritën e kohës se tashme”. Në këtë kontekst, çdo njeri qe e don dhe e përkrahë të vërtetën historike, ka të drejtë për hirë të se vërtetës, me shprehë këtë fakt, si një realitet pa mohime, zmadhime, ose ilustrime.
Për këta burra të maleve kreshnike të Malësisë së Madhe, që na bashkuan sot në këtë seminar për Rezistencën stoike te Malit te Kelmendit, ku i printe luani i kësaj krahine, Prek Cali (Hasanaj-Vermosh), i cili i kushtoi krejt jetën e tij çështjes gjithëshqiptare, bashkë me fatosat; Gjergj Lul Toma (Gjeloshaj-Selce) e Gjek Marash Selca (Tinaj-Selce), të dalluem për luftnat e tyne kundra forcave komuniste, nëpër tanë anët e Shqipnisë, si dhe për kryengritjen antikomuniste te Malësisë së Madhe të vitit 1945, e udhëhequn prej Major Llesh Marashit të Shkrelit, e para kjo në krejt Bllokun Komunist – na, bijt dhe bijat e tyne, kena përgjegjësi për me paraqitë realitetin historik ashtu sikurse ashtë. Këta burra qe na mësuan si me jetue, me luftue dhe me vdekë për të mirën e Atdheut nuk pritën pasuni, lëvdata, kangë, darka ose shpërblime të ndryshme.
Ata vetëm iu përgjigjën kushtrimit të Nanës Shqipni të robnume, kushtrim të trashiguem prej t’parvet tynë! Prandej çka ata kërkuan dhe e meritojnë, nuk ashtë “rehabilitimi” i tyne! Ata nuk banë ndoj mëkat ndaj atdhuet, por përkundrazi, ata rrokën armët e lirisë, për mbrojtjen e Shqipnisë, brez mbas brezit. Edhe pse i lindun dhe i rritun jashtë shtetit amë, dhe si autodidakt i shqipes, jam bir i këtyne trevave. Rrjedhimisht, kjo kumtesë me titull: Shkreli dhe Roli i Tij në Kryengritjen Antikomuniste të Malësisë së Madhe të vitit 1945”, ashtë për mue si fjala e bukur dhe kuptimplote amerikane; “A labor of love” (një punim i dashunisë).
Çka kje Shkreli? Dhe kush kjenë shkrelasit qe më gjithë Malësinë e Madhe, patën guxim për t’i dalë me pushkë pushtetmbajtësit të ri komunist? Historikisht Shkreli, si një krahinë etno-gjeopolitike, ekonomike dhe shoqnore, i përket Malësisë së Madhe dhe radhitet si mali i pestë, mbas Hotit, Grudës, Kelmendit dhe Kastratit. Këto pesë male, së bashku me bajraqet e Reçit, Lohes, Koplikut, Grizhes, Rrjollit dhe Postripes, përbëjnë Malësinë e mbi Shkodrës. Gjithashtu, edhe Triepshi me Kojen, (që Kongresi i Berlinit, 1878, i cungoi prej vilajetit të Shkodrës dhe ja dhuroi padrejtësisht Malit të Zi), shkojnë me Malsinë e mbi Shkodrës. Gjeografikisht Shkrelin, e ndan Prroni i Thatë dhe kufizohet në veri, nga Bogë-Kelmend, në lindje me Dukagjinin, në jug me Koplikun, Reçin dhe Lohen, dhe në perëndim me Bajzën dhe katundin e Kastratit. Pra, Shkreli shtrihet për se gjatit prej qafës së Grishajve të Zagorës, deri në kullën e Duçajve të Bzhetës.
Malësia e Madhe, në përgjithësi ka një histori të lavdishme për mbrojtjen e interesave kombëtare të Shqipnisë etnike, kundër sundimeve turko-otomane dhe serbe-malezeze-jugosllave. Si pjesë e kësaj krahine malore të Shqipnisë së Veriut, Shkreli kje i pandamë prej këtyne trevave të Malësisë së Madhe, në betejat e përgjakshme kundër pushtimeve të hueja. Për shembull, në vitin 1614, Shkreli, Hoti, Kelmendi dhe fiset e tjera, lidhën besën kundër forcave të Turqisë. Në vitin 1621, Imzot Pjetër Budi, organizoi kryengritjen kundër Turqisë, në të cilin mori pjesë edhe Shkreli. Përsëri, në vitin 1645, Shkreli dhe Kelmendi, në një rezistencë të përbashkët, përjashtuan me forcë fuqitë Otomane dhe fituen njëfarë lirijet, deri më 1700. Në vitin 1835, Dasho Shkreli dhe Hamza Kazazi, kjen prijsat e forcave anti-osmane te qytetit Shkodër.
Gjithashtu, në vitin 1840 Dasho Shkreli me qetën e tij mori pjesë në luftën e Kalasë së Shpuzës kundër forcës grabitqare te Malit te Zi e ku heroikisht Dasho Shkreli u vra me gjithë vëllanë Sefon. 9 Në luftën e Kërnicës të vitit 1862 edhe Shkrelasit me Shkodrën morën pjesë kundër forcave malazeze, ku mbet i vramë edhe Kaso Shkreli, vëllai i Dasho Shkrelit. Po kështu, kur pjesa Katolike e Shkodrës, ishte e përndjekur prej ushtrisë osmane, qe Shkreli që u shkoi në ndihmë katolikëve, me ma shumë se 250 vetë. Edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, 1878-1880, mori pjesë bajraktari i Shkrelit, Marash Dashi me gjithë krentë tjerë të Malësisë së Madhe, dhe firmuen kërkesa e ndryshme kundra aneksimit te tokave shqiptare nga Mali i Zi. Gjatë vitit 1883, u ba lidhja e burrave të fisevet të Shkrelit, Kastratit, Hotit dhe Grudës, për me i ndalue pazarllëqet e komisioneve ndërkombëtare, në vazhdim e sipër me Malin e Zi, për grabitjen e trojave shqiptare.
Formimi i “Lidhjes së Shkrelit” (”Bashkimi Kombëtare” ose “Lidhja e Msheftë”) në vitin 1893, prej famullitarit të Shkrelit, Dom Ndoc Nikaj, me gjithë Abatin e Mirditës, Imzot Preng Doçin, Dom Mark Shllakun, Dom Zef Shkrelin, Dom Jak Serreqin, Dom Dodë Kolecin dhe të tjerë për lirimin, bashkimin dhe arsimin tonë kombëtar. Në vitin 1911, me niciativën e Nikollë Mirash Lucës dhe Gjelosh Gjokës, u ba një besëlidhje e re mes Shkrelit dhe Kastratit, në shtëpinë e Zef Mirash Shytit, në Dedaj-Shkrel. Prej këndej, ata dolën në Bzhetë, te Tomë Nika i Shkrelit, dhe së bashkut me dy djemtë e Tomës, Nikollë Mirash Lucën dhe Gjelosh Gjokën, u nisën për Bogë, Reç dhe Lohë, tue krijue lidhjen, me e luftue okupatorin turk. Në kryengritjen e Malësisë së Madhe, t’udhëhequn nga trimi legjendar i Traboinit, Dedë Gjo’Luli, shkrelasit, jo vetëm qe morën pjesë në luftën e përgjakshme në majën e Bratilsë, por edhe patën Tomë Nikën, si një prej prisave kryesorë të kryengritjes, dhe nënshkruesi i Memorandumit të Greçës.
Kishte me kenë një shtrembërim dhe boshllek i madh historik, mos me vlerësue këtu edhe ndihmën e pazëvendësueshme të barinjve shpirtnorë të këtyne kreshnikëve, d.m.th., te Klerit Katolik, i cili qe dhe vazhdoi me qenë gjithmonë krah për krah me besimtarët e tyne, si përshembull priftin e Shkrelit, Dom Nikollë Ashten, me gjithë famullitarët e Kastratit, të Hotit, të Grudës dhe të Kelmendit. Mbas një qëndrese te shkurtë qe bani Shkreli me 25 maj, në sukën e Sterkujes në Dedaj, ushtria e Shefqet Turgut Pashës, i dha zjarrin Dedajve dhe Zagores, dhe si hakmarrje ndaj kryengritësve, plaçkiten dhe ia vunë flakën krejtë Malësisë së Madhe. Kur Ms. Edit Durham, shkoi personalisht për me pa damin në Bajzë-Kastrat dhe në Shkrel, ajo përdori fjalët biblike, që e përshkruen katastrofën në luginën e Shkrelit, si; “luginën e hijes së vdekjes” (Psalm 23:4). Kastrati dha kushtrim atëherë dhe Shkreli u solidarizuen me ta si vllazën të pandamë, tue luftue trimnisht në Sukat e Moksetit te Bajzës, Kastratit, kundër një force të madhe osmane.
Për t’u përmendë ashtë edhe Memorandumi i Hierarkisë së Kishës Katolike shqiptare, të 2 korrikut 1919, dërgue kryesisë se Konferencës se Paqës në Paris, kundër copëtimit te tokave shqiptare, e ku ashtë nënshkrimi i famullitarit të Shkrelit, Dom Frano Karma, bashkangjitun me firmën e bajraktarit te Shkrelit, Vatë Marash Dashi, me gjithë 106 kryefamiljarëve shkrelas. Në Luftën e Koplikut (1920-1921), mandej, qe Vat Marash Dashi, që i prini Shkrelit kundër ushtrisë ndërhyrëse serbo-malezeze-jugosllave, e cila pushtoi Koplikun, Shkrelin, Kastratin dhe Kelmendin. Gjithashtu, duhen përmendë fatosat e Shkrelit qe poeti ynë kombëtar, At Gjergj Fishta, O.F.M., i bani të pavdekshëm në vargjet e tij rapsodike, të veprës epike ‘Lahuta e Malcis’ – (Bibla e nacionalizmit Shqiptar)! Këta kjen: Kacel Doda dhe Kerrni Gila të Zagorës, Bajraktari Marash Dashi, i Vrithit, vllaznit Bec dhe Cul Patani, të Bzhetës, dhe Rrushman Hasani.
Përveç këtyne burrave, duhen me përmendë edhe disa prej meshtarëve, që shërbyen në famullinë e Shkrelit e, u banë prelatë te shquem, si për shembull; Imzot Luigj Bumçi dhe Imzot Gjergj Volaj; Monsinjorët Ndoc Bozhi e Nikollë Ashta; dhe klerikët intelektualë, si Dom Ndoc Nikaj, Dom Aleksandër (Lek) Sirdani, Dom Kolec Prenushi, Dom Ndre Zadeja, dhe Dom Nikollë Gazulli. Dhe nuk duhet harrue faktin, se mbledhjet e prijsave shqiptarë, u banë për mbrojtjen e Shqipnisë, në oborrin e Kishës. Në përgjithësi, ngjarjet historike nuk ndodhen pavarësisht prej vetvetes, por ato janë reaksion i nderlidhun nga ngjarjet e tjera. Prandaj, për me arritë te kuptojmë kompleksitetin e kryengritjes antikomuniste te Malësisë së Madhe, jam i detyruam për me paraqit një lidhje te ngjarjeve ndërkombëtare, kombëtare dhe krahinore, për me arritë në një kuptim të mirëfilltë historik.
Fill mbas pushtimit të Shqipnisë nga Italia Fashiste, Llesh Marashi iku nga Shkodra dhe del në katundin e tij, në Zagore-Shkrel, kundër okupatorit, ku e strehojnë vendasit e tij shkrelas. Gjithashtu, në Zagorën e Llesh Marashit bashkidealistat e tij, Dom Zef Sheshtani, Dr. Bahri Kopliku dhe Zef Logoreci, janë aktivistë antifashistë. Në përgjithësi, rezistentët kundër okupatorëve të ri, ishin nacionalistë dhe intelektualë të shquem. Një nga këta, dallohet Mid’hat Frashëri, krijuesi i ‘Ballit Kombëtar’, që jo vetëm deshti çlirimin e Shqipnisë, por edhe bashkimin e gjithë trojeve të saja, nën një qeveri demokratike. Disa grupe të vogla komuniste, që ishin të shpërdame nëpër disa qytete, nuk morën pjesë aktive kundra invazionit fashist, derisa Gjermania naziste sulmoj ushtarakisht Bashkimin Sovietik, në vjetin 1941 dhe këtë me organizimin e dy emisarëve jugosllavë, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, që i bashkun grupet, nën një parti të vetme komuniste Shqiptare, por gjithnjë nën influencën jugosllave.
Me 30 dhe 31 te korrikut 1943, plas Lufta e Reçit (deri tash krejt përvetësue nga regjimi enverian), por e vërteta ashtë së pjesa dërmuese e luftërave, ishin nacionaliste, si; Jup Kazazi, Llesh Marashi (me çetën e tij), Zenel Kazazi, Ujk Tahiri, Zef Ashta, Rrok Kanto Marashi (nipi i Llesh Marashit), Caf Smajli, Zef Luka, Sokol Bajrami, Metë Rrustemi, Brahim Bishja, Rexhep Lani, Lan Sokoli, Halil Sokoli, Ramë Meti, Qamil Tahiri, Fejzi Boriqi, Isuf Muça, Shaban Binaku, Oso Bishja, Ragip Meta, 38 Sali Myftia, Daut Komi, etj. Depërtimi i thellë i influencës sllavo-komuniste, u vërtetue mbas presionit që Svetozar Vukmanoviç-Tempo, i bani Partisë Komuniste shqiptare. Menjëherë Enver Hoxha e denoncoi marrëveshjen e Mukajt (2-3 gusht 1943), të dërgatës se ‘Ballit Kombëtar’ dhe te Lëvizjes Nacionale-Çlirimtare, vetëm për arsye se nacionalistët kërkuen këto kushte: 1)- Nji luftë të përbashkët, 2)-Luftë për nji Shqipni të pavarun dhe etnike, dhe 3) -Luftë për nji Shqipni të lirë, demokratike dhe popullore. Dhe këtu u nda çdo gja mes tyne. Në shator te 1943, me shtymjën jugosllave, lufta civile në Shqipni, fillon me nji sulm të ashpër ushtarak kundër ‘Ballit Kombëtar’, dhe mandej, kundër forcave te Abaz Kupit (Legalitetit), si dhe te nacionalistëve të tjerë.
Mbas kapitullimit t’Italisë Fashiste, Fronti Nacional-Çlirimtar dërgon Riza Danin, me gjithë profesor Mark Prelën, për të ba një takim me Llesh Marashin, tu e ftue te bashkohet me Lëvizjen Anti-fashiste. Lleshi u përgjigj me këto fjalë: “Kjo ashtë punë qe s’bahet more burra. Po ju a nuk i keni sytë n’ballë e s’e shifni se si komunistët janë tue luejt teatër me ju?! Nuk e shifni ju, se ata udhëhiqen prej serbëve?! Mlidheni menën e kthejuni n’rrugë t’komtarisë, se internacionalistët, juve kanë me ua pre krenat! Ju asgja s’ju lidhë me ta”. Rizaja ja pret; “Mirë që ti e luftove fashizmin, po prej gjermanëve ç’pret? Pse s’i Lufton”?! Lleshi ju përgjigj; “Ushtria gjermane ashtë kalimtare e, ne s’na hin gjem n’kambë prej saj. Po sllavin kjo ushtri po e lufton e, na prej saj kem se shka me përfitue”. (Këtë bisedë, e thotë Mërgim Korça, dëshmi kjo prej tezës se tij, bashkëshortja e Riza Danit).
Jemi në vitin 1944. Përfundimi i Luftës së Dytë Botnore, ishte e hidhun, sepse fitorja e komunistëve, ishte krejt e kjart. Mbasi Shqipnia e Veriut, me kryeqytetin e saj te Teutës e Gentit -Shkodrën, kishin pësue gjatë luftimeve shekullore me serbo-malazezët, kjo pjesë e Shqipnisë e kuptoi, se komunistët ishin të indoktrinum me ideologjinë bolshevike, që, jo vetëm se ishte e huej, por edhe sllave. Me 13 maj në Kinema “Rozafat”, 152 përfaqësues të Malësisë së Madhe, të Dukagjinit, të Postribës, të Anës se Malit, te Gurit të Zi, te Nën-Shkodrës, etj., u mblodhën në Shkodër dhe krijuen “Lidhjen e Shkodrës”, kundër rrezikut sllavo-shqiptar-komunist.
Malësia e Madhe, me krahinat e tjera te Shqipnisë së Veriut, u organizue për një sulm kundër komunizmit. Prisat e Shkrelit, kjen këta: 1) Major Llesh Marash Vata (Marvukaj-Zagore), Qark- Komandant i Shkodrës dhe Kryekomandanti që do të kryesonte Kryengritjen e Malësisë se Madhe. Familja e tij ishte ma e dalluemja në krejt Malësinë e Madhe, për pregatijen ushtarake. Prej gjashtë djelmëve te Marash Vatës, tre prej tyne, Kanti, Gjeka dhe Lleshi, u bënë oficerë, kurse një tjetër, Pjetri, ishte oficer rezervë. Gjithashtu, dy nipa, tue e vazhdua këtë traditë familiar, u bënë oficerë, Fran Pjetër Marashi, dhe Vat Gjelosh Marashi.
Rrok Marashi u shugurue frat dhe nipi, Ndoc Gjelosh Marashi, prift. 2) Pjetër Gjokë Deda (Milaj-Vrithe), z. bajraktar i Shkrelit, trim, besnik e i urtë, simpatik dhe anëtar i shtabit te Llesh Marashit; 3) Nikollë Prekë Gjeka (Dedaj), kryetari i komunës se Shkrelit, i arsimuem dhe i njoftun si orator, guximtar, trim dhe besnik. 4) Prekë Lekë Gjoni (Kolaj-Zagore), një ndër djemtë më te zgjedhun të Shkrelit, trim, besnik, i pashëm dhe luftar i denjë kundër Komunizmit. 5) Luket Marash Luca, i pagëzuem Lukë, (Grishaj-Zagore), i njoftun në Malësi edhe në Shkodër, e i cili mori pjesë në moshë të re, në Kryengritjen e Malësisë, vjeti 1911, dhe në Luftën e Koplikut.
Ai ishte mësues popullor. Gjithashtu, në vitin 1932, ai mori pjesë në delegacionin kreshnik te Malësisë së Madhe, pranë Atit Shejt, Papë Piu XI-të, në Shejtorën e Zojës se Shkodrës, në Genazzo-Itali. Së bashku me këta trima, mori pjesë në organizimin e kryengritjes edhe dijetari, poligloti (që zotëronte pesë gjuhë të huaja), fetari, patrioti dhe themeluesi i leksikografisë krahinore dhe i asaj onomastike, Dom Nikollë Gazuli, që ishte famullitari i Dekanatit të Malësisë se Madhe – Kisha e Shkrelit. Gjatë vjeshtës se vitit 1944, krenët e Kastratit, Gjon Martin Lulati (Ivanaj-Bajzë), Mirot Palok Kokaj (Ivanaj-Bajzë), Nikë Gjelosh Gjokë-Dodaj (Pjetroshan-Bajzë), Kolë Llesh Malaj (Ivanaj-Bajzë), Kolë Ujk Asllani (Pjetroshan-Bajzë), etj., bashkë me Vasel Pjetër Gjoka, që ishte bashkëpunëtor i Nikës (kushrinit tij), dhe me krenët e Shkrelit, kjen në marrëveshje për ta shmangë rrezikun që e kërcënonte mbarë popullin shqiptar. Takimet e shpeshta të tyne, u zhvilluan në shtëpinë e Luket Marash Grishaj, një ndër qendrat e bisedimeve ndërmjet këtyne dy maleve.
Në katundin Ivanaj në Bajzë, me 24 dhjetor 1944, në shtëpinë e Gjokë Tomë Kokaj, u zhvillue mbledhja e krenvet te Kastratit, (thotë Vasel Pjetër Gjoka), e ku morën pjesë edhe krenët e Shkrelit, dhe ku të gjithë lidhen besën për me e luftue komunizmin. Në fund të dhetorit, Llesh Marashi u nis prej Zagoret dhe shkoi në katundin Brojë, me u takue me krenët e Kelmendit, si; Kolë Gjon Bajraktarin, Franë Gjergj Uçin, Gjergj Lul Toma, Gjekë Marash Selca, etj. Aty vendosen se; Selca, Nikqi dhe Vukli, me e ndalue turrin e Brigadës së Parë Sulmuese të Mehmet Shehut. Dhe me datën 15 kallnuer 1945, filloi rezistenca e përgjakshme e petritave të Kelmendit, kundër bishës së tërbueme komuniste.
Ndërsa Kelmendi luftonte heroikisht, me qëndresë të pashembullt, Kuvendi i Maleve u caktue në Poicë, në katundin Dedaj-Shkrel, në shtëpinë e Rrok Nikollë Zefit, tre ditë ma vonë (me 18 kallnuer 1945), për me caktue datën për një sulm të përgjithshëm. Aty morën pjesë; Llesh Marashi me shtabin e tij, Marash Kolë Mali (Vojvoda i Dedajve), me gjithë kumbarën, Nikollë Zefi, Luket Marash Grishaj, Pal e Dedë Thani nga Dukagjini, Gjelosh Luli, Pjetër Gjokë Bajraktari, Nikollë Prekë Dedaj, Dom Nikollë Gazulli, Gjon Martin Lulati, Mirot Paloka, dhe Caf Smajli, me disa lohjanë. Per arsyena jo të kjarta, munguan përfaqësuesit e Shkodrës dhe të Postribës, ndonëse jo vetëm Malësia e Madhe por, edhe Shkodra, Postriba dhe nën-Shkodra, ishin në bashkëpunim me Llesh Marashin, për një kryengritje të armatosun, ku mbas tubimit, Llesh Marashi me shokë, u nisën për ne Grishaj, te Luket Marashi dhe do në Cukaj, te Zef Nikë Colaj dhe Gjergj Prelë Colaj, e ku qendruen deri kur plasi pushka, para afatit të caktuem, me 23 kallnuer 1945.
Komandanti i Post-komandës se Bajzës, Jonuz Naçi (Aliaj-Bajze) dha urdhen qe të niset një toge partizanësh, për në Grishaj-Zagores, për me arrestue Luket Marashin, qe ishte nën shikimin e komunistavet prej kohesh, nën komandën e Gjosh Nikës (Vuçetaj-Bajzë), te cilët iu ngjitën brisës se Jeranit, për në Grishaj. Aty, barinjtë e vendit ishin të porositun prej Luketit, që te lajmërojnë çdo lëvizje që bahet, prej ma shumë se pesë ose gjashtë vetash. Kur partizanët erdhën në fund të brises se Jeranit, barinjtë në shpejtësi shkuen me lajmrue Shtabin nacionalist, se komunistët janë tue iu ngjitë malit, për në Grishaj.
Menjëherë, Llesh Marashi lajmëroi luftëtarët qe të bëheshin gati, me dalë prej ku ishin në Grishaj dhe me shkue në Cukaj, me u bashkue me shokët e tjerë, dhe prej andej, me u nisë për në Poice. Kur u bashkue Shtabi në Cukaj, u bisedue shkurtimisht, mbasi nuk priste koha. Dhe ndodhi një mosmarrëveshje, për sa i përket drejtimit, se; ku me shkue Shtabi?! Disa thoshin: “Ma mirë për në Stol”, kurse të tjerët: “Ma mirë për në Poice”, qe ishte propozue nga vetë Llesh Marashi. Si perfundim, trimat Gjon Martin Lulati dhe Mirot Paloka, ngulën kambë se; nuk do te kthehemi mrapa, prej komunistave, dhe se do ta fillojshin pushkën, ata qiten pritat në vendin stratigjik, prej kah do të vijshin partizanët në Grishaj.
Llesh Marashi dhe Luket Marashi, nuk u pajtun me këtë mendim, tue thanë, se; sulmi ishte pesë ditë para kohet, por pjesa dërmuse vendosi, “ose sot, ose kurrë”! Dhe ashtu u bë. Partizanët u njitën në Grishaj dhe u banë një rrethim shtëpive. Gjosh Nika me tre ushtarë, iu afrue shtëpisë se Luket Marashit dhe fjalët e para qe tha, kjenë: “A ashtë Luket Marashi këtu? Ku gjendet?” Axha i tij, Franë Luca, tue mendue se Shtabi iku prej Cukajve, u përgjirgj: “Luketa nuk ashtë në shpi, por ndoshta ashtë te shokët tonë në Cukaj”. Gjoshi atëherë e nisi Franë Lucën, me dy partizanë, për në Cukaj. Sa u nis Franë Luca me ta, partizanët i zbuluan rojet e kryengritësve dhe në atë çast plasi pushka. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm