Nga Bashkim Trenova
Pjesa e dhjetë
SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE
(KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)
Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)
NË VEND TË PROLOGUT – NJË PROJEKT, DY MEMORANDUME DHE NJË ANALIZË
Projekti ose Naçertania e Ilia Garashaninit – politikan, kryeministër i Serbisë gjatë viteve 1852-1853 dhe 1861- 1886:
MITE-MISTICIZËM, VIKTIMOMANI, RACIZËM DHE SERBONOSTALGJI
Abdylhamit II (1876-1909), urdhëroi një aksion ushtarak, që shkatërroi brutalisht lëvizjen shqiptare, stanjacioni social dhe rrëmuja politike çuan në një anarshi që mbretëroi pothuajse pa ndërprerje, gjatë gjithë shekullit të fundit të sundimit otoman; këtu, të krishterët, kryesisht serbët, ishin viktimat kryesore të diskriminimit politik mysliman në Kosovë e Metohi, ndërsa shqiptarët ishin kryesisht persekutorët e tyre. Për më tepër, përpara çdo ligjshmërie, nacionalizmi shqiptar i kohës, i dalë nga rrënjë tribale, i dha përparësi tribales. Edhe pse e zhveshur nga termat etnike, lëvizja kombëtare shqiptare, ishte ende e sunduar nga një shumicë myslimane dhe e ngarkuar nga traditat islamike konservatore. Ashtu si edhe kombe të tjera të vonuara, përballë nacionalizmave fqinje shqiptarët kërkuan ndihmë jashtë dhe ndërmorën veprime radikale.
Natyrën e vërtetë të Lidhjes shqiptare dhe qëndrimin e saj ndaj komuniteteve të tjera etnike e përshkruan në detaje Bogoslav Stavriç, dekan i Shkollës teologjike serbe në Prizren, në një raport konfidencial dërguar qeverisë serbe në Beograd. Në këtë dëshmi të rëndësishme mbi Lidhjen Shqiptare ai raporton se shqiptarët ishin të vendosur “të dëbonin serbët dhe malazezët në drejtim të kufijve të vjetër…dhe nëse ata riktheheshin, t’i kalonin këta të pabesë nën tehun e shpatës. (2)
****
Ilija Petroviç – historian dhe publicist:
Njëzet vjet pas Marko Miljanovit, etnografi Andrija Joviçeviç (1870-1939) shkruan gjerësisht për malësorët, duke thënë së pari se serbët, pa dyshim, dikur jetonin në Malësi. Këtë e dëshmojnë shumë kisha dhe varreza të tipit ortodoks, si dhe shumë emra serbë, të cilët kanë mbetur edhe sot e kësaj dite. “Në kohën e depërtimit serb në veri të Arbanisë, këto zona ishin të populluara dendur me serbë”. Ai e vërteton këtë duke përmendur se në Balez, afër Koplikut, ishte një peshkop katolik, i cili në vitin 1356 iu ankua kryepeshkopit të Tivarit se “dioqeza e tij është plot me skizmatikë”. (Andrija Joviçeviç, Malesija, Podgoricë 1997).
1- Dushan T.Batakoviç. Le drame du Kosovo en Serbie. Une perspective historique. (Drama e Kosovës në Serbi. Një perspektivë historike). Belgrade: Čigoja štampa, 2012. Fq. 60-63.
2 – Po aty. Fq. 81.
21). “Fillimisht Joviçeviç thotë se malësorët, edhe pse janë katolikë, pagëzimin e festojnë njësoj si serbët. Shën Nikolla është lavdia e pagëzimit të shumë fiseve malazeze, ndaj mund t’u kujtojë malësorëve lidhjet farefisnore me serbët, për këtë arsye, priftërinjtë katolikë janë përpjekur që malësori të braktisë lavdinë e Shën Nikollës dhe ta kalojnë atë tek shenjtorët dhe festat thjesht katolike”. (A. Joviçeviç, Vepra e cituar, 125).
“Malsorët i këndojnë me lahutë Marko Kraljeviçit, Princ Llazarit, Kosovës, dhe veçanërisht Gjergj Kastriotit. Lahuta është koncerti dhe argëtimi i tyre i preferuar dhe ata shpesh argëtohen me këngë gjatë netëve të gjata të dimrit” (Po aty, f. 124). Vajtimet në funerale janë ruajtur edhe tek malësorët, si dhe në fiset fqinje serbe, por ata, sa për të thënë diçka, pohojnë se shkijët e kanë mësuar këtë nga arbanasit, thënia e përdorur gjerësisht e Afanasij Matvejeviç Selishçev se “sllavët gjatë invadimit të tyre të Arbanisë nuk gjetën aty arbanas në përgjithësi, por vetëm rumunë, mund të ketë një rëndësi të veçantë për këtë temë”. (sipas H. Bariç, Studime gjuhësore, 25).
Bazuar në dokumentet e disponueshme, ai thotë se arbanasit u shfaqën në Maqedoninë Perëndimore vetëm në fund të shekullit të 13-të dhe gjatë shekullit të 14-të. Në shekullin e 13-të, arbanasit dhe vllehët janë shfaqur me kopetë e tyre në rajonin e Pologut, ku midis popullsisë së vjetër mund të gjendeshin rastësisht edhe arbanas. Shekujt e 14-të dhe të 15-të ishin një periudhë e zgjerimit të fuqishëm, ndonjëherë të shpejtë të popullatës arbanase, e cila zbriti nga malet dhe u hodh në rajonet fqinje. Si pasojë, arbanasit mund të takoheshin në rajonin e Ohrit dhe Dibrës dhe veçanërisht në Prizren. (A M Selishçev, Vepra e cituar, 15-5). Sipas asaj që shkruan Selishçev, popullsia baritore malësore arbanase zbriste ndonjëherë nëpër lugina dhe rrezikonte popullsinë vendase, madje edhe feudalët në kështjellat e tyre.
“Në fund të shekullit të 13-të, këto sulme dhe zhvendosje të malësorëve arbanas morën përmasa të tmerrshme. Popullsia u pakësua në beteja dhe iu nënshtrua masakrave në fshatrat e luginave. Ajo nuk kishte mbështetje nga jashtë dhe nuk ishte e bashkuar në jetën publike. Lidhjet familjare nuk ishin aq të forta si tek arbanasit… Edhe më domethënëse ishte zhvendosja e arbanasve nga malet në lugina dhe varfërimi social-etnik i sllavëve (dhe vllehve) gjatë shekujve 15-të dhe 16-të.
Me kalimin e kohës, malësori arbanas, i fortë në organizimin e tij fisnor, pushtoi luginat dhe nënshtroi popullsinë vendase, të pafuqishme dhe të përçarë. Selishçevi më tej shkruan se popullsia sllave ka ikur nga fshatrat e veta dhe ata që kanë mbetur në mjedisin arbanas, “në rrethana të tilla duhet të jenë bërë arbanas”. Pozicioni vartës i bujqve, epërsia e malësorëve dhe banditëve arbanas, bashkimi i grupeve të klanit arbanas, toni që ata i jepnin jetës shoqërore të popullsisë, martesat e burrave sllavë me gra arbanase, që nuk pranuan gjuhën e burrave të tyre, fëmijë që nuk e mësuan gjuhën e babait të tyre, e gjithë kjo shërbeu në shkrirjen e sllavëve me mjedisin arbanas.
Ky asimilim u lehtësua edhe nga humbja e dallimeve fetare: konvertimi i familjeve sllave në islam i bashkoi ato në marrëdhëniet fetare me arbanasit, të cilët më parë ishin konvertuar në islam. Prandaj, duke shkruar për presionet e arbanasve mbi popullsinë serbe në të kaluarën disi të largët, Cvijiç dhe Selishçev theksojnë se popullsia e mbijetuar “sllave” (që duhet lexuar gjithmonë: serbe) u arratis nga fshatrat e veta dhe se ata që mbetën në Arbani, “në rrethana të tilla duhej të bëheshin arbanas”. Të gjitha bastisjet e arbanasve në vendbanimet serbe patën të njëjtin rezultat: popullsia serbe “ose u zhduk, ose shkoi diku tjetër, ose u bë shqiptare”
(J. Cvijiç, Vepra e cituar, 178 dhe 255; A M Selishçev, Vepra e cituar, 83-84, 91 -92).
Selishçevi e di mirë se nën presionin e arbanasve shumë familje sllave u shpërngulën nga Arbanija në lindje, në Maqedoni. Në popullsinë e Pollogut të Epërm, Dibrës, Prespës, Manastirit dhe Ohrit ka shumë sllavë të cilët janë larguar nga Arbanija. Në të njëjtën kohë ai i referohet Cvijiçit : “Ndërsa popullsia sllave në perëndim të liqenit të Ohrit u zhduk, u asimilua ose emigroi, ajo mbeti në veri të liqenit, ka familje arbanase me origjinë serbe, të cilat kanë ruajtur zakonet serbe dhe shumë familje serbe në bregun tjetër të Drinit, në Radikë dhe në Mala Rekë. Në jug dhe në veri, arbanasit shkuan më tej në Maqedoni” (J. Cvijiç, Vepra e cituar, 257).
Procesi i arbanizimit të botës serbe ishte i gjatë, aq sa fshatrat serbe, ose pjesë të fshatrave të caktuara, veçanërisht në Maqedoni, mundën të ruajnë përkatësinë e tyre kombëtare dhe fetare për një kohë të gjatë. Mendimet e fundit të Selishçevit janë të lidhura drejtpërdrejt me historinë e Tom Oraovacit (Tom Petrov Vuçinić, 1853-1939), starokuç, shkrimtar, politikan dhe historian, sipas të cilit “arbanasi nuk ka letërsi popullore apo krijime intelektuale, që mund të konsiderohen të tilla, por vetëm pak këngë të parëndësishme baritore grash, pa asnjë vlerë letrare dhe asnjë vlerë tjetër. Gjithçka që është shkruar për arbanasit nuk është shkruar nga vendasit, por nga të huajt, në gjuhë të huaja”. (Tom P. Oraovac, Arbanasi Question and Serbian Law, Belgrade 1913, 8-10). (1)
****
Ives Tomiç – historian, specialist i Historisë së ish-Jugosllavisë:
Përparimi i otomanëve nga jugu drejt veriut nxiti një largim të popullsisë serbe, që jetonte në rajonet më jugore (Maqedoni, Kosovë, Metohi) drejt veriut në fundin e shekullit XVII, në vitin 1689, ushtritë austriake depërtojnë thellë në territorin otoman deri në veri të Maqedonisë dhe në Kosovë, por pas tërheqjes së tyre dhe nga frika e ndëshkimeve otomane, disa dhjetëra mijëra serbë (rreth 200.000 vetë), të udhëhequr nga patriarku i Pejës, Arsenije III Carnejoviç (1633-1706), emigruan në vitin 1690 drejt veriut, kjo përbën në historiografinë serbe pikënisjen e margjinalizimit demografik të serbëve në Kosovë. (2) Në shekullin XVI otomanët vazhdojnë përparimin e tyre drejt veriut. Fitoret otomane ndryshojnë strukturën etnike të rajoneve të pushtuara.
1 – Ilija Petrovic. Assimilation des serbes en Albanie: Les “Albanais” célébrés au 19ème siècle ! ” (Asimilimi i serbëve në Shqipëri. “Shqiptarët” e famshëm në shek. XIX). Srbin. Info.11.12. 2019.
2 -Ives Tomiç. La Serbie du prince Miloš à Milošević. (Serbia nga princi Milosh deri tek Milosheviçi). Collection “Europe plurielle”. Nr. 27. Fq. 16-17.
—
Poezia epike, duke luajtur një rol të madh në procesin e identitetit në territorin serb, u mundëson serbëve të transmetojnë një kujtesë dhe një identitet kolektiv të lidhur me shtetin e tyre mesjetar. (1) A është shoqëria serbe e pandryshueshme dhe qytetarët e saj të papërsosur? Pas leximit të forumeve dhe shkrimeve të fundit të botuara në mediat pariziane, duket se disa intelektualë janë të paaftë mendërisht për të përfytyruar një Serbi në lëvizje, në ndryshim. Serbi ka qenë, është dhe do të jetë nacionalist. Sipas të përditshmes Le Monde, shoqëria serbe po jeton “në çmenduri”. (2)
—
Por të kthehemi te Ismail Kadare. Shkrimtari shqiptar, një ambasador i vërtetë i kulturës shqiptare në botë, i kërkuar tepër gjatë konfliktit: ai dha intervista të shumta në media, u ftua në simpoziume dhe konferenca të ndryshme, u prit në Quai d’Orsay dhe në Elise. E përditshmja Le Monde i hapi bujarisht faqet e saj, duke botuar shkrimet e tij shumë më gjatë se zakonisht (riprodhuar në libër). Megjithatë, a është Kadare një vëzhgues asnjanës dhe a ndihmojnë fjalët e tij për të hedhur dritë mbi ngjarjet tragjike që ndodhën në Kosovë në vitet 1998-1999?
Në të vërtetë Ismail Kadare nuk është vetëm një shkrimtar i talentuar sikurse e njohim, ai është gjithashtu, siç tregon ditari i tij i luftës, një intelektual i përkushtuar në mbrojtjen e çështjes kombëtare të popullit të tij. Edhe shkrimet e tij të ndryshme (jo letrare) na tregojnë se ai është ideolog i kombit shqiptar. Ismail Kadare nuk e fsheh simpatinë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kështu, Ismail Kadare e daton origjinën e etnocidit në periudhën e ardhjes së sllavëve në Gadishullin Ballkanik! “Ëndrra serbe” e “spastrimit etnik” të shqiptarëve të Kosovës është një mijë vjet e vjetër!
Në shumë pamje, Ismail Kadare zhvillon një rrjet leximi racist të historisë së Ballkanit. Në të vërtetë, sipas tij, në Gadishull ekzistojnë dy kategori popujsh: “vendasit” dhe “pushtuesit” (kryesisht sllavët). Shqiptarët dhe grekët janë dy popujt më të vjetër të Gadishullit Ballkanik, ndërsa sllavët e jugut të ardhur në shekujt VI dhe VII ende perceptohen si “pushtues” ose “pushtues të zakonshëm”. Romancieri shqiptar është i fiksuar pas çështjes së origjinës së popullit shqiptar dhe pushtuesit të parë, i vetmi që mund të pretendojë të drejtën e pronësisë mbi hapësirat ku banon. Ajo që ka rëndësi është se shqiptarët e kanë banuar Kosovën një mijë vjet para ardhjes së sllavëve. (1)
1 – Ives Tomiç. La Serbie du prince Miloš à Milošević. (Serbia nga princi Milosh deri tek Milosheviçi). Collection “Europe plurielle”. Nr.27. Fq. 56.
2 – Ives Tomiç. Regardez la Serbie autrement. (Vështroni Serbinë ndryshe). Libération. 22 dhjetor 2000.
Propozimet e Vaso Çubriloviçit nuk janë të izoluara dhe bashkohen me ato të paraqitura nga Gjoko Perin në qershor 1937. Ky i fundit në fakt sugjeron transferimin e një pjese të shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri dhe zhvendosjen e shumicës së tyre në rajone të tjera të Jugosllavisë, në mënyrë që popullsia serbe të bëhet një shumicë e madhe në këtë rajon. (2)
****
Jovan Cvijiç – gjeograf, president i Akademisë Mbretërore Serbe, profesor dhe rektor i Universitetit të Beogradit:
Serbia gjendet e izoluar në të gjitha anët. Populli serb jeton si në burg. Serbët janë rrudhur brenda kontinentit dhe kërkojnë e vazhdojnë të kërkojnë me këmbëngulje t’i jepet Serbisë të paktën një port shqiptar. Serbisë i duhet patjetër një dalje në Adriatik – me hir a me pahir. U themi se gjithçka që quhet territor serb, është fituar me luftë. (1) Bota duhet të dijë dhe të kuptojë se Serbia mund të veprojë në një entitet shumë më të madh sesa territori që mban tani. Transformimet territoriale më të mëdha të mundshme mund të ndodhin me Serbinë. (2)
—
Aspiratat e Serbisë për vijën bregdetare shqiptare janë të përligjura dhe të kushtëzuara jo vetëm nga tradita gjeografike, por edhe nga tradita historike. Për të pasur pavarësi ekonomike, Serbia duhet të fitojë dalje në Detin Adriatik dhe në një pjesë të vijës bregdetare shqiptare: duke pushtuar territorin ose duke marrë të drejta ekonomike dhe transporti në këtë rajon, një mendim i vetëm dhe një vullnet i vetëm të udhëheqë të gjithë njerëzit që të shtrijnë territorin e tyre shtetëror në brigjet e detit dhe në një port në Adriatik. (3)
1 – Yves Tomiç. Kadaré (Ismail), Il a fallu ce deuil pour se retrouver: journal de la guerre du Kosovo, Paris: Fayard, 2000. Fq.243. Balkanologie. Vol. IV, n° 1|2000. Fq. 2-3.
2- Ives Tomiç. 2010. Stevan Moljević et la question nationale serbe. Balkanologie. Vol.XII, nr.1.
Bota duhet të dijë dhe të kuptojë se Serbia mund të veprojë në një entitet shumë më të madh sesa territori që mban tani. Transformimet territoriale më të mëdha të mundshme mund të ndodhin me Serbinë. (2) Shqiptarët nuk ndërmorën asnjë përpjekje të vetme për të hedhur poshtë zgjedhën osmane, madje rreth kësaj çështjeje as që kanë menduar fare. (4)
***
Jovan Haxhi Vasiljeviç – historian, etnograf dhe publicist :
1 – Jovan Cvijic, Ylliadan Gjeorgjeviç dhe Nikolla Pashiç. Letër dërguar fuqive të mëdha të Antantës. (I.Aralica. Reedart for Suffering; Vjesnik; Zagreb, 1993.)
2 – Jovan Cvijiç, “O nacionalnom radu”, fjalim përkujtimor 1907, ribotuar në Govori i Clanci, I, Beograd 1921, fq. 51-76.
3- Jovan Cvijiç, “Izlak Serbije na Jadransko Moreé, Glasnik Srpskog Geografskog Drustva, 1912. Ribotuar në Govori i Clanci II, Beograd 1921.
4 – Jovan Haxhi -Vasiljeviç, Arbanska Liga – Arnautska Kongra i srpski narod u Turskom carstvu (1878-1882) Beograd, 1909. I-II, Južna Stara Srbija Preševska Oblast, Beograd, 1913. i Kumanovska Oblast, Beograd, 1909.
****
Jovan N. Tomic – historian, akademik:
Në një letër të botuar në “Temps” të Parisit më 3 janar të këtij viti, Dr. Grgur M. Jakshiç paraqiti me lehtësi përhapjen e panatyrshme të arbanasve përtej kufijve të Arbanisë së vërtetë: në Sanxhakun e Novi Pazarit, në Fushë Kosovë, në Serbinë e Vjetër dhe në Maqedoni. Kjo shtrirje e arbanasve përtej kufijve të Arbanisë së vërtetë, paraqitet si një lumë i shkretë, i cili doli nga shtrati për mungesë kohe për ta rregulluar; por tani ka ardhur koha që ai të kthehet në shtratin e tij.
Është detyrë e fuqive të mëdha të interesuara ta rikthejnë atë në shtratin e tij, gjë që zgjidh problemin e kufijve të Arbanisë. Lumi i mbrapshtë i arbanasit gjëmonte nëpër këto gryka dhe vërshonte gjithnjë e më shumë. Kufijtë e vërshimeve të tij shërbenin, së fundmi, si kufijtë e Arbanisë së Madhe të përgatitur prej kohësh. Turqit i përdorin, veçanërisht muhamedanët arbanas, si elementë për të mbytur lëvizjen e lirisë dhe për përhapjen e muhamedanizmit. Kjo e vërtetë është pak e njohur, ose pothuajse e panjohur. Si në histori ashtu edhe në traditën popullore, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen, për popullatën e krishterë të Maqedonisë, Serbisë së Vjetër dhe Sanxhakut, fjala arnaut është sinonim i tiranit dhe i hajdutit. Të tillë ishin ata si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë lufte.
Duke qenë se këto luftëra përfunduan në mënyrë të pafavorshme për rajonet rebele, popullsia e krishterë ose u tërhoq me ushtrinë e krishterë në territorin e zotërisë së saj, ose, duke mbetur në shtëpi, u ekspozua ndaj çdo lloj dhune, nga e cila të krishterët shpëtuan vetëm duke pranuar muhamedanizmin. Në rastin e parë, nëse rajonet ishin afër arnautëve, arnautët myslimanë i pushtuan tokat e braktisura, më pjellore se ato të tyre; dhe për rastin e dytë, për muhamedanizimin e popullatës së krishterë në tokat serbe, autoritetet turke përdorën myslimanët arnautë, të cilët ishin zbatues të zellshëm të urdhrave dhe dëshirave të autoriteteve turke dhe hajdutë për llogari të tyre jo vetëm ndaj serbëve, por edhe ndaj sivëllezërve të tyre katolikë.
Në këtë kohë ishte rrjedha më e fortë e lumit të mbrapshtë arbanas nga shtrati i tij. Pastaj ai kaloi argjinaturat ende mjaft të forta të brigjeve të tij. Këtë argjinaturë e përbënin serbët e besimit ortodoks. Mirëpo, tani, në gjysmën e parë të shekullit të 18-të, rrjedha ishte aq e fortë sa digat u dorëzuan dhe lumi i mbrapshtë arbanas doli nga shtrati, duke mbuluar me baltë zonën e përmbytur. Më parë një ngjarje tjetër, me të njëjtin karakter, ka ndodhur në vitin 1690, kur muhamedanët arnautë kaluan tokën e parë në kufi me Arbaninë, u fortifikuan në Rugovë, hynë në Kosovë përmes Kaçanikut dhe zbritën në Serbinë e Vjetër dhe në Sanxhak.
Arnautë në Sanxhak nuk ka pasur as në periudhën e parë pas pushtimit të këtij rajoni nga turqit dhe as në shekullin XVI apo XVII. Me përjashtim të një numri të vogël turqish, popullsia në shekujt XVI dhe XVII përbëhej vetëm nga serbët, një pjesë e vogël myslimane dhe një pjesë shumë më e madhe ortodokse. Gjuha e folur e të dyja pjesëve ishte serbishtja. Kufiri i Arbanisë administrative dhe etnografike ishte larg Sanxhakut. Në shekullin XVI ai nuk arriti as në takimin e Drinit të Bardhë me Drinin e Zi. Dukagjini nuk i përkiste Arbanisë prej një kohë të gjatë. Vetëm në fillim të shekullit XVII ky kufi lëvizi, por Drinin nuk e kaloi. Në Lumë dhe në krahinën e Gjakovës, të ndara nga Drini, popullsia është serbe dhe gjuha e folur është serbishtja. Gjuha arbanase ndeshet vende-vende.
Ndërkohë, vetë arbanasit e Arbanisë së vërtetë, kur shkruanin letra për jashtë Arbanisë – nëse priftërinjtë dhe misionarët e tyre katolikë nuk i shkruanin latinisht dhe italisht – këto letra i shkruanin në serbisht. Dhe vetëm pas ngjarjeve të sipërpërmendura të shekullit XVII, që provokuan një turbullirë të madhe në rajonet serbe, kufitare me Arbaninë e vërtetë, elementi arnaut kalon në një masë më të madhe hapësirën e dy Drinave. Nuk ka arnautë në Sanxhak deri në fund të shekullit të 17-të dhe në fillim të shekullit të 18-të, popullsia e parë arnaute në Sanxhak është një popullsi e dhunshme dhe ish-serbët, duke u gjetur në mesin e arbanasve, pranuan zakonet e tyre dhe përvetësuan gjuhën arbanase. (1)
****
Ksenia Smoloviç – doktorante në Universitetin e Parisit 1 Panthéon Sorbonë:
Beteja e Fushë Kosovës është një ngjarje nga e kaluara serbe e trajtuar veçanërisht nga burimet franceze të asaj kohe. Në trajtimin e historisë serbe, beteja zë një vend kryesor, gjë që shpjegohet me rolin e saj në formimin kombëtar. Më 15/28 qershor 1389, trupat e krishtera u bashkuan rreth princit Llazar Hrebeljanoviç dhe u përballën me turqit, që përparonin në Europë. Nëse të krishterët në fillim kishin përparësi (lajmi arriti deri në Paris, ku Notre-Dame u ra këmbanave), ata më në fund e humbën betejën dhe Princi Llazar vdiq atje, ashtu si edhe sulltani osman, Murati I-rë. Cikli për Kosovën zë një vend qendror në poezinë epike serbe midis shekujve 15 dhe 19 dhe më pas merr një përmasë kombëtare, duke ofruar “material shumë të pasur për përpunimin e identitetit kombëtar serb në shekullin e 19-të”. Kjo dëshirë për të ndërtuar veten si një komb, përmes kujtimit të një beteje simbolike, shoqërohet me referenca për epokën e artë serbe, dhe veçanërisht për perandorin Dushan të dinastisë Nemanjiç në shekullin e 14-të. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016