Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëzet e nëntë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturg dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëri e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
Vijon nga numri i kaluar
“Armiqtë e popullit”
Dënimi i kolegut tonë, gazetar i ATSH-së, prej xhaxhait të tij, shef i Sigurimit të Byrosë Politike !
Mehmet Shehu, duke kaluar në atë botë, sikurse thotë Agron Çobani, mori me vete edhe mjaft “degë e gjethe”. Ndër ta, po të veçojmë fqinjin tim dhe njëkohësisht berberin e tij, Xhavit Ismailaga, ishin pesë gjeneralë dhe 17 kuadro të larta të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Midis tyre, përveç Feçor Shehut, ishin edhe Kadri Hazbiu, Llambi Peçini e Llambi Ziçishti. Të tërë këta u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan. Unë nuk i kam njohur ata. Kadri Hazbiun, ish anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Brendshëm për gjatë 30 viteve, kam patur rastin ta takoj një herë, krejt rastësisht. Në gjyqin, që u kurdis kundër tyre ishte edhe Gani Kodra, të cilit i’u fal jeta. Edhe Gani Kodrën nuk e kam njohur dhe as e kam takuar ndonjëherë. Për të dëgjova për herë të parë kur e arrestuan. Emri i tij më mbeti në kujtesë sepse me fatin e tij u lidh edhe ai i një shokut tim, Petrit Kodrës, gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Gani Kodra ishte ndër njerëzit më të besuar e, ndoshta më i besuari i udhëheqjes së lartë të shtetit komunist. Për 20 vjet radhazi ai kishte qenë shef i Sigurimit të Byrosë Politike, së cilës, sikurse ka deklaruar vetë në një intervistë, që i ka dhënë gazetës “Panorama”, i ka shërbyer “me një ndërgjegje prej fanatiku”. Vetë diktatori i kishte dërguar në disa raste letra falenderimi për shërbimet e tij.
Ganiun e arrestojnë më 21 qershor 1982, duke e akuzuar si anëtar i “organizatës kundërrevolucionare”, të kryesuar nga Mehmet Shehu. Atë e akuzojnë për sabotazh, e akuzojnë se kishte shërbyer si ndërlidhës i djalit të Mehmetit dhe bashkëshortes së tij me agjentë të CIA-s dhe, kryesorja, se kishte dashur të eliminojë fizikisht diktatorin Enver Hoxha, të cilin në atë kohë, sikurse thotë vetë ai, e adhuronte!
Deri në ditën e arrestimit Ganiu jetonte me nënën e tij 83 vjeçare. Ajo kishte humbur dy djem të tjerë. Njëri i ishte vrarë në luftë dhe tjetri kishte vdekur në punë. Ganiu ishte djali i saj i vetëm në jetë. Petriti ishte nipi i Gani Kodrës. Ky do ta tërhiqte me vete atë në humnerën e jetës. Ky ishte ligji i pashkruar i ndëshkimit të verbër, gjithëpërfshirës të diktaturës.
Petriti në vitin 1982 ishte një djalë i ri, që kishte nisur jetën pa shumë ambicie. Ai, ndryshe nga shumëkush nga ne, që fare të rinj ishim angazhuar në fushën e gazetarisë, as që dëshironte të bëhej një emër i njohur, i lexuar, i komentuar. Madje për të përligjur këtë zgjedhje, kishte “shpikur” edhe një teori të tijën, atë që ai e quante “tulla e mesit”. Sipas Petritit, ai ishte i kënaqur të ishte një gazetar mesatar. Gjithnjë sipas tij, në një mur është më mirë të gjendesh “tullë e mesit”, se sa e fundit apo e kreut. “Kur prishet një mur’, shpjegonte ai duke qeshur, ‘puna nis ose nga fundi, pranë themeleve, ose nga maja, nga rreshti i sipërm, nuk shkatërrohet muri duke i hequr tullën e mesit”! Kjo “teori” nuk e ndihmoi aspak Petrit Kodrën. Ajo ishte krejt e huaj për praktikën komuniste, që si buldozer gjigant merrte përpara kudo dhe këdo, elitën e shoqërisë, njëlloj si edhe shtresat e mesme e deri ato më të ulëta e saj dhe, kush mbetej gjallë, e përplaste burgjeve apo kampeve të përqendrimit, e hidhte tej në greminë. Petritin e larguan nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, e larguan edhe nga Tirana. E takova vetëm një herë pas përmbysjes së komunizmit. Dukej i gëzuar. Nuk e di nëse ka qëndruar në Shqipëri apo është larguar drejt Perëndimit si mijëra e qindra mijëra bashkatdhetarë të tjerë.
Në “Zëri i popullit”, pas largimit të Pipi Mitrojorgjit u emërua kryeredaktor Mehmet Elezi. Ai kishte vite që punonte në Sektorin Ideologjik, fillimisht si gazetar dhe më pas si shef i këtij Sektori. Me kujtohet diskutimi që kemi patur në byronë e organizatës bazë të Partisë në prag të emërimit të Mehmetit si shef i Sektorit Ideologjik. Sekretari i organizatës, Fatos Cekodhima, paraqiti një pengesë. Sipas tij, Mehmeti kishte patur një xhaxha apo një dajë të burgosur me akuzën se kishte mbajtur armë pa leje, pra edhe ai e kishte një njollë në biografi. Në kohën e diktaturës kur çdo gjë ishte e politizuar, armëmbajtësi i një arme pa leje, shihej si armik i saj real apo potencial. Sidoqoftë, në atë kohë, Mehmeti e kaloi këtë pengesë. Ai, madje nuk qëndroi gjatë si kryeredaktor i “Zërit të popullit”. Nga këtu ai kaloi si Sekretar i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë dhe pastaj si drejtor i Drejtorisë së Shtypit në Komitetin Qendror të Partisë. Mehmeti u zgjodh kandidat i Komitetit Qendror të Partisë. Është i vetmi kandidat, që nuk u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror në Kongresin e IX të Partisë së Punës.
Refuzimi i Ramiz Alisë, për të emëruar Mehmet Elezin në disa funksione të larta!
Mua më duket se udhëheqësit e Partisë së Punës, pasi e emëruan në këto poste Mehmet Elezin, patën njëlloj zhgënjimi prej tij, pra Mehmeti nuk ishte ai që do të kishin dashur ata. Këtë gjë e pasqyron edhe një dokument i botuar në shtypin shqiptar, një diskutim në hierarkinë komuniste. Në atë kohë Partia e Punës po kalonte një nga momentet më të vështira, ishte në krizë dhe hutim të plotë. Vetë trashëgimtari i diktatorit Hoxha, Ramiz Alia, pranon se në Tiranë drejtuesit e Komitetit të Partisë së kryeqytetit, nuk gëzonin besimin e inteligjencies dhe se duheshin zëvendësuar me të tjerë. Në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 14 korrik 1990, Piro Kondi, kandidat i Byrosë Politike, propozon Mehmet Elezin si sekretar për propagandën në Komitetin e Partisë së Tiranës. Ramiz Alia nuk e sheh Mehmetin si të përshtatshëm për këtë post tepër delikat dhe kundërshton duke shprehur edhe rezervat e tij. “Për në Tiranë të shikojmë ndonjë shok tjetër. Inteligjencia e Tiranës do një njeri tjetër”, thotë Ramiz Alia. Këtë refuzim të tij kategorik ai e arsyeton duke thënë se: “Mehmeti ka pak paragjykime”. Më pas ai nuk pranon edhe një propozim tjetër që bëhet në Byronë Politike për t’a dërguar Mehmet Elezin në Shkodër. “Jo, nuk duhet as për në Shkodër. Në Vlorë do të ishte më mirë të vente”, është shprehur Ramiz Alia.
Ramiz Alia kishte të drejtë. Ai nuk mund tu besonte “paragjykimeve” të Mehmet Elezit, nuk mund t’i besonte atij një post të rëndësishëm në udhëheqjen e Partisë të kryeqytetit apo të Shkodrës. Tirana, Shkodra, si edhe Kavaja, ishin qytetet që do tronditnin themelet e diktaturës, vatra të nxehta vullkanike, që shpejt do të shpërthenin fuqishëm duke hedhur në erë komunizmin në pushtet dhe një epokë të tërë krimi e gjenocidi, të cilën kërkonte të mbronte Ramiz Alia. Ai e sheh Mehmetin dikund jashtë Tiranës, jashtë Shkodrës. Për të, “në Vlorë do të ishte mirë të vente” Mehmeti. Përse në Vlorë? Sepse në Byronë Politike mendonin se ky qytet, duke pas qenë tepër i lidhur me qëndresën antifashiste, ishte bazë e tyre, pra aty Mehmeti ishte i padëmshëm, neutralizohej. Mehmeti ishte edhe verior. Në një qytet të jugut ai, pa njohje të njerëzve dhe të terrenit, nuk do të kishte shumë hapësirë për të vepruar.
Unë pranoj se Ramiz Alia kishte të drejtë në gjykimet e tij për “paragjykimet” e Mehmet Elezit ashtu siç kishte të drejtë kur e shihte atë si një të ri të “pakalitur” në punët e Partisë. Mehmetit i mungonte “kalitja” envero-staliniste. Shumë shpejt, në një Plenum të Komitetit Qendror të Partisë të mbledhur më 6 nëntor 1990, ai do të shprehej në favor të pluralizmit politik. Ai ishte i pari që guxoi të këndojë këngën e demokracisë në strofkën e ujqërve. Pas tij do të jenë edhe Muntaz Dhrami, Marash Hajati e ndonjë tjetër. Kështu, ai ishte i pari që në udhëheqjen komuniste, duke pranuar pluralizmin, shprehej për një Shqipëri si e gjithë Europa. Ai nuk pranon manovrimet apo dredhimet e Ramiz Alisë, që propozonte njëlloj pluralizmi fiktiv, mashtrues. “Standartet e Europës për pluralizmin’, tha Mehmet Elezi në këtë Plenum, ‘janë të tjera”. Ai propozon: “të lihet ndonjë dritë jeshile për organizata politike e shoqata të pavarura”.
Mehmet Elezi propozoi i pari pluralizmin politik, në mbledhjen e Komitetit Qendror!
Këtë qëndrim të Mehmet Elezit, e përmend në një intervistë të tij edhe Kiço Mustaqi, ish-ministër i Mbrojtjes në ato vite dhe i pranishëm në këtë Plenum. Duke folur për pluralizmin politik, diskutimin e këtij problemi në këtë Plenum, Kiço Mustaqi thotë se: “iniciativën e mori gazetari i njohur, Mehmet Elezi”. Edhe të tjerë pjesëmarrës në Plenum, në raste të ndryshme, e kanë përmendur këtë fakt ose variante të tij. Kështu mund të kujtojmë, p.sh., edhe një intervistë të shkrimtarit të njohur Dritero Agolli, botuar në gazetën “Panorama”. Mehmeti asnjëherë nuk është mburrur më pas me këtë pozicionim të tij, nuk e ka përmendur atë asnjëherë vend e pavend.
Me sa më kujtohet, redaktori letrar i “Zërit të popullit”, Niko Tanini, në një mbledhje të kolektivit e kishte përcaktuar para disa vitesh Mehmetin si “malësor i zbritur shpejt në fushë”. Ma merr mendja se kështu ai shihte tek Mehmeti njeriun, që din të kuptojë e të përqafojë të renë në jetë, atë që përfaqëson qytetërim, progres. Në të vërtetë kështu u shfaq Mehmeti edhe me fillimet e Lëvizjes Demokratike. Ai, pa bërë pjesë në asnjë parti politike, me artikujt dhe analizat e tij të botuara në “Rilindja Demokratike” e gjetkë, e mbështeti atë pa asnjë rezervë.
Me Mehmetin, gjatë tërë atyre viteve, që kemi punuar së bashku, kemi patur marrëdhënie korrekte si kolegë dhe si shokë. Vazhdojmë të kemi të njëjtat marrëdhënie edhe sot, pas rreth 30 viteve, kur ai gjendet në postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër dhe unë në atë të një Ambasadori Honoraire, pensionist në emigracion. Ai është i vetmi nga kryeredaktorët e “Zërit të popullit”, nga të gjithë eprorët e mi të mëparshëm, apo të mëpastajmë, me të cilin kam shkëmbyer edhe vizita familjare. Mehmeti nuk harroi asnjëherë të vinte për vizitë tek unë për 5 Majin, Ditën e Dëshmorëve, madje edhe kur vetë ishte në poste të rëndësishme, ndërsa unë i flakur, i “arshivuar”. Atij i pëlqente të ngacmohej me nënën time dhe me djalin tim, Arbërin.
Nga vizitat e mia në shtëpinë e Mehmetit, më ka mbetur në kujtesë nëna e tij, një grua e urtë dhe e zgjuar, me një humor e kurajo të jashtëzakonshme deri në ditët e fundit kur u nda prej nesh si pasojë e një sëmundje të rëndë. Bashkëshortja e tij, Dasha, kujdesej për të si për nënën e saj. Ajo ishte nga Berati, qytet i jugut të Shqipërisë. Mehmeti ishte nga Tropoja, qytet i veriut. Ajo diti t’i përshtatet me mjaft urtësi e dashuri jetës në një familje veriore, gjithnjë e qeshur, mikpritëse.
Janë bërë shumë vite që nuk jam takuar me Mehmetin. Tani shkëmbejmë mesazhe nëpërmjet kompjuterit, flasim për shëndetin dhe gjumin e prishur, për të kaluarën, kohën e diktaturës, por edhe për angazhimet tona aktuale dhe projektet në perspektivë, sidomos në fushën e botimit.
Mehmet Elezi ka botuar ndër vite vëllime me poezi, disa romane, një prej të cilëve edhe në Francë. Ai ka botuar disa vëllime analitikë e studimorë të karakterit historik e gjeopolitik, si edhe një fjalor të gjuhës shqipe, që përmban rreth 41 mijë fjalë të papërfshira në Fjalorin e Gjuhës Shqipe të botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Ai ka botuar, vitet e fundit, edhe një libër të titulluar “Shansi i tretë”.
Pothuajse të gjitha mesazhet që marr nga Mehmeti mbarojnë me fjalët: “Ftesa që ju kemi ba me ardhë në Zvicër do ditë, sa kohë jemi këtu, nuk asht asnjëherë ish-ftesë…Të fala Desit dhe zotnisë Mustaqecangel”. Ky “zotnia mustaqecangël” jam unë. Zor se do të takohem ndonjëherë me Mehmetin në Zvicër. Unë nuk i bëj më me shumë dëshirë udhëtimet e gjata. Ia kam thënë këtë gjë edhe atij dhe e kam ftuar të takohemi në Bruksel. Ai këmbëngul në të tijën. Më shumë gjasa ka që të takohemi në Tiranë…!
Arshin Xhezo, kryeredaktor i “Zëri i popullit”, fanatik që vinte në satër këdo dhe kurdo!
Pas largimit të Mehmetit nga “Zëri i popullit”, si kryeredaktor i gazetës u emërua Arshin Xhezo. Më kujtohet se kur do të diskutonim në byronë e organizatës bazë të Partisë kërkesën e Arshin Xhezos për t’u pranuar si kandidat i Partisë së Punës, sekretari i organizatës, Fatos Cekodhima, na tha se: edhe Arshini kishte diçka jo pozitive në biografi! Më duket se përmendi origjinën e tij, sidomos babain dhe gjyshin, që kishin qenë pronarë tokash, vreshtash, ullishtash dhe dyqanesh, që kishin bërë tregti me Barin e Selanikun, etj. Sidoqoftë, biografia nuk i’u bë pengesë Arshinit as në këtë rast e as më pas.
Më duket se Arshini vetë e vuante këtë hije të së kaluarës në biografinë e tij, e shihte si një pengesë të mundshme në realizimin e ambicieve të tij karrieriste. Për t’ia shlyer këtë borxh Partisë, ai nuk linte rast pa dëshmuar besnikërinë e tij ndaj saj, besnikërinë e një fanatiku, e një të verbëri të gatshëm për të vënë në satër, këdo dhe në çdo kohë. Vetë ai thotë në një intervistë të kohëve të fundit: “Ne e kishim me shumë pasion profesionin tonë”. Këtë pasion ai, si edhe ndonjë tjetër, e kanë treguar në faqet e “Zërit të popullit”, sidomos nëpërmjet artikujve kritikë, “sidomos’, siç thotë vetë Arshini në intervistën e mësipërme, ‘kur kishim brenda ‘peshq’ të mëdhenj”. Këta “peshq të mëdhenj” goditeshin në artikujt e Arshinit, sikurse thotë ai vetë, “jo për të luftuar komunizmin në faqet e gazetës”. Në të vërtetë “peshqit e mëdhenj” në diktaturë, ishin privilegj unik i gjuetisë së diktatorit. A nuk është thënë e stërthënë se të gjitha grupet armiqësore, të gjitha komplotet, intrigat, të gjithë tradhtarët e hapur e të fshehur të socializmit, i kishte zbuluar dhe shpartalluar vetëm Partia, d.m.th., vetëm Enver Hoxha?
“Peshqit e mëdhenj” të Arshinit, ishin drejtues dikasteresh, ishin kuadro të Partisë, të cilët vetë kupola komuniste, për një arsye apo një tjetër, në një moment të caktuar, jepte orientimin të goditeshin. Përgjithësisht në raste të tilla laheshin llogaritë brenda familjes komuniste. Njëkohësisht, këtë larje hesapesh, Partia e përdorte si pasaportë për të dëshmuar se ajo jo vetëm nuk pajtohej, por edhe ndëshkonte rreptë, çdo padrejtësi, çdo abuzim që mund të bëhej në emër të pushtetit të popullit. Këtu tregonte “pasionin” e tij si gazetar Arshin Xhezo, duke shërbyer me fanatizëm si jeniçer i gazetarisë komuniste dhe i demagogjisë së saj. Këtë ai e bënte jo thjesht sepse ishte gazetar i ri, pa përvojë, me plot ideale, qofshin edhe të rreme. Kishte plot gazetarë të tjerë në “Zëri i popullit”, që nuk fituan atë “emër” si Arshini, edhe pse nuk ishin më pak të talentuar se ai si gazetarë.
Arshin Xhezo në intervistën që përmenda më sipër, duke bërë fjalë për ata që i cilëson si “artikuj kritikë”, thotë: “…në raste të tilla, ndiheshim si heronj apo VIP-a, në termin e sotëm, dhe nuk shkuleshim nga shëtitjet në bulevard, para redaksisë, duke pritur të lumturuar, urimet, me zë apo me tundje të lehta koke, të njerëzve të njohur e të panjohur, që në raste kritikash, shoqëroheshin me urimin për “më lart”. Kështu, në shikimin tim, Arshin Xhezo kërkonte të bëhej i famshëm me fatkeqësinë e të tjerëve, të cilët në asnjë rast nuk i llogarit. Ai ka kërkuar të bëjë “më lart” në karrierë, pa pyetur për çmimin, që duhej të paguanin ai dhe të tjerët, viktimat e pendës së tij.
Liliana Hoxha propozoi Arshin Xhezon te Enveri, për kryeredaktor të “Zëri i popullit”!
Për t’u ngjitur lart shkallëve të karrierës, sikurse bëri Arshin Xhezo, nuk mjaftonin vetëm shërbimet, por duhej edhe që dikush t’i pëshpëriste në vesh diktatorit. Nuk mund të bëheshe kryeredaktor i “Zërit të popullit”, pa pëlqimin, në mos pa rekomandimin e tij. Arshin Xhezo e dinte mirë këtë gjë. Ai e gjeti edhe pëshpëritësin, apo më mirë, pëshpëritësen. Ai u njoh dhe u miqësua në atë kohë me Liliana Hoxhën, bashkëshorte e Sokol Hoxhës, djalit të diktatorit. Liliana punonte gjithashtu në një organ shtypi, si kryeredaktore e një reviste shkencore. Fjala e saj ishte atëhere e plotfuqishme.
Më kujtohet një mbledhje rutinë nga ato që bëheshin një herë në muaj në Drejtorinë e Shtypit të Komitetit Qendror. Ishim thirrur të gjithë përgjegjësit e shtypit për t’u orientuar lidhur me drejtimet që do të kishte propaganda e Partisë në muajin në vazhdim. Edhe ky takim në Komitetin Qendror të Partisë nuk bënte përjashtim nga takimet e mëparshme, rutinë. Shtypi dhe propaganda e Partisë orientohej, si gjithnjë, të mos pasqyronte jetën e përditshme të njerëzve të thjeshtë me hallet mëdha dhe gëzimet e tyre të pakta, por vetëm heroizmat e fitoret e pashembullta, që arriheshin nën udhëheqjen e mençur e largpamëse të Partisë dhe të shokut Enver. Si gjithnjë, redaksitë nuk duhej të botonin asnjë artikull të gazetarëve të tyre për Jugosllavinë, madje as edhe një lajm për ngritje çmimesh. Jugosllavia dhe bashkë me të edhe Kosova, ishin të vetmet hapësira absolutisht të ndaluara për gazetarët shqiptarë. Askush dhe asgjë tjetër nuk kursehej në asnjë skaj të planetit, sidomos superfuqitë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik.
Pasi mbaroi së foluri drejtori i Drejtorisë së Shtypit, Miti Tona, në një moment e kërkon fjalën dhe nis të flasë drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare të Lajmeve, Arqile Aleksi. Miti Tona, vëren ndërkohë, pak me vonesë, se kishte kërkuar të diskutonte edhe Liliana Hoxha. Ai, pa asnjë ceremoni, e ndërpret Arqile Aleksin dhe i’a jep fjalën asaj, për të vazhduar me Arqilenë vetëm pasi mbaroi ajo së diskutuari. Liliana, së paku sikurse ka thënë ajo vetë në intervistat e shumta që ka dhënë, ishte edhe dobësia e diktatorit në familje. Ajo vetë ka thënë në këto intervista se, ai ia dëgjonte fjalën dhe se është ajo, që i ka propozuar atij Arshin Xhezon si kandidaturë për kryeredaktor të “Zërit të popullit”.
Arshini mua më është dukur shumë i kompleksuar. Pasi u emërua kryeredaktor i “Zërit të popullit”, ai krijoi një atmosferë tepër të rëndë e të padurueshme në Redaksi. Ai kërkoi të hakmerrej ndaj atyre gazetarëve dhe shefave të sektorëve, të cilët, siç duket, nuk e kishin përfillur apo edhe e kishin kritikuar kur kishte qenë gazetar i thjeshtë. Unë në atë kohë isha sekretar i organizatës bazë të Partisë së Redaksisë. Arshini kërkoi që të më përdorte, pra të kishte miratimin tim si sekretar i organizatës, madje edhe më tepër se këtë miratim, të më përdorte si një instrument në shërbim të vendimeve dhe projekteve të tij hakmarrëse personale. Më kujtohet se si një ditë më tha: “Të largojmë Aleko Haxhin nga redaksia, ta çojmë të punojë me kazëm”! Përse? Nuk e di se përse, por mendoj se me siguri Aleko do të kishte bërë me të dikur ndonjë nga ato shakatë e tij të hidhura, shijen e të cilës Arshini e kishte ende në gojë. Mundet që Aleko edhe të kishte dhënë ndonjë mendim kritik për ndonjë artikull të tij, në mbledhjet e kritikës së javës.
Në fjalorin e Arshinit, fjalë si “kazma”, “internimi”, “burgimi”, gjenin mjaft përdorim në komunikimin e tij me punonjësit e “Zërit të popullit”. Me kujtohet një rast tjetër kur Arshin Xhezo ishte i pakënaqur me retushimin e fotos së Nexhmije Hoxhës, gruas së diktatorit, nga piktori i gazetës, Mentor Shehu. “Do të të rras në burg”, i tha Arshini atij. Mentori kishte kaluar para disa kohësh një situatë të ngjashme. Ai kishte retushuar foton e diktatorit në mënyrë jo të pëlqyeshme. Po t’u shtojmë këtyre rasteve edhe faktin se babai i tij ishte burgosur nga regjimi për bindjet e tij politike, ajo që quhej “figurë e krimit”, ishte konsumuar krejtësisht nga ana e tij.
Historitë e pakëndshme me Arshinin kryeredaktor, nuk filluan e as mbaruan me Alekon dhe Mentorin. Ato ishin të pafund, siç ishte edhe deliri dhe paranoja e tij, përgjithësisht turbullirat e tij psiko-mentale. Njëherë i mbushej mendja se kockat e gjymtyrëve të tij ishin zbutur dhe na demonstronte në zyrën e tij “provat” e kësaj të “vërtete”. Njëherë tjetër na tregonte se si nga rruga, kishin qëlluar me snajper në dritaren e shtëpisë së tij për ta asgjësuar. Po të besohej kjo e thënë e tij, ai ishte i pari shqiptar, që synohej të asgjësohej në diktaturë në këtë mënyrë, madje jo nga vetë diktatura. Një ditë, nuk e di a vendosi vetë, apo vendosën të tjerë për të, ai u nis për një konsultë mjekësore në Vienë. Vizita të tilla jashtë shtetit ishin në atë kohë privilegj i kupolës komuniste. Në kthim, pasi mbaroi konsultën mjekësore në Austri, në redaksinë e “Zërit të popullit”, u fol se Arshinit i kishin konstatuar një diagnozë disi të çuditshme dhe të panjohur nga ne në atë kohë. Ai kishte “humbur dashurinë për jetën”! Siç duket kështu edhe mund të shpjegohet se ai, duke mos patur respekt e dashuri për jetën, hakmerrej në mënyrën e tij, duke ua bërë edhe të tjerëve jetën sterrë. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016