Nga Visar Zhiti
Pjesa e tetë
Pllaka të kujtesës dhe thasë…!
PAS BURGUT, ARRATISJE DREJT LIRISË, NË SHBA.
Arshi Pipa (1920-1997)
Poeti, eseisti, filozofi, gjuhëtari, përkthyesi, pedagogu Arshi Pipa do të ishte ai që do të realizonte atë ëndërr të të gjithë të burgosurve politikë: ikjen.
Të ikje, jo vetëm nga burgu, por dhe nga Shqipëria “e diktaturës së kuqe” dhe të tregoje nëpër botë dënimet e tmerrshme, mbylljen e rëndë, vuajtjen e një populli pa liri, të përçarë me luftë klasash, kur klasa s’kishe më, pa të drejtat e njeriut, pa besim… pa…!
Se dalin shkrimtarë jashtë shtetit, ata të partisë, por s’e hapin gojën. Turp! 1000 herë turp! – thoshin në burg
Libohoviti që lindi në Shkodër në 1920, me babanë jurist, të diplomuar në Stamboll. Arshiu mësimet e para i mori në Kolegjin Severian pastaj në gjimnazin klasik të Shkodrës dhe pastaj studioi Letërsi dhe Filozofi në Universitetin e Firences, laureoi me tezën “Morali dhe feja tek Bergson”. U kthye në atdhe në vitin 1941 dhe jepte mësim lëndën e filozofisë në licetë shtetërore në Tiranë, Shkodër dhe Durrës.
Në 1944 boton librin e parë poetik “Lundertarët”.
Pas luftës, në Lidhjen e Shkrimtarëve, në këshillin drejtues, teksa nisi të dalë revista “Bota e re”, vetëm Pipa dhe Kuteli nuk ishin komunistë. Por do t’i arrestonin shpejt ata të dy e të tjerë.
Më 1947, Pipa u akuzua se “kishte drejtuar revista me ideologji fashiste dhe se tani u thoshte studentëve që pushtetit komunist është terrorist” dhe e dënuan me 20 vjet burg.
Vuajta nisi në burgun e Durrësit për të vazhduar në në Kalanë e Gjirokastrës, në Burrel e Korçë, në kampet e shfarosjes në kënetën e Vloçishtit. Gjatë dënimit e donin për të dhënë mësime filozofie dhe të gjuhëve të huaja, ashtu siç përdornin skllevërit.
Lirohet në vitin 1956 dhe një vit më pas, në verë, arratiset bashkë me të motrën. Por me vete kishte dhe “Librin e burgut”, poezitë e shkruara fshehurazi mbi letra të holla cigaresh. Gati sa një kuti shkrepësesh bëhej madhësia e tyre dhe do t’i botonte në Romë në vitin 1959.
Një gri e zymtë vdekjeje që vërshonte dhe te kopertinat, një hata e vërtetë, ku Sonetet e Kanalit të asaj kënete të tmerrshme burgu do të ishin, sipas meje, “Ferri” i poezisë shqipe.
Por eja tash e shifi ndaj kanalit:
Njimijetreqind vetë, nji mizërí.
Lopata e bela tunden me furí
e qerrkat mbarin plisat e moçalit.
Tri metra e gjysëm kub për çdo njeri.
Qofsh babagjysh qi ke djalin e djalit,
a qofsh i smundë sa dalun prej spitalit,
bani ja vdis: ankimi s’ban dobí.
Shef të gjymtuem e pleq ngarkue mbi shpina
dhogat e randa e qerrkat mbi kaptina,
qi binë e ngrihen e zvarnisen krrut.
U mshon polici me dajak sa mundet.
Por ndodhë sa herë qi njeni sish nuk tundet.
Me vig e çojnë e vigu mbrrîn tabut.
Në burg kishte shkruar dhe poemën “Rusha”, që e boton në Munih në 1968. Arshi Pipa do të mërgonte në SHBA-ës e do të bënte pedagogun dhe profesorin e asociuar, ligjërues i filozofisë, letërsisë dhe i italishtes në disa universitete amerikane, do të drejtonte seminare të kritikës letrare, etj., për shkrimtarët e mëdhenj Dante, Bokaçio, Leopardi, Manzoni, Ungareti e Montale, etj., hermetizmi italian dhe simbolizmi francez, etj., temat krahasuese Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë, etj.
Pasi la ligjërimet, do të vendosej përfundimisht në Washington D.C. e do të forconte lidhjet me “Vatrën” e shqiptarëve dhe gazetën “Dielli” të tyre duke treguar me artikuj se si të mund të organizoheshin më mirë.
Në vitin 1991, Pipa zgjidhet Kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj. Punoi një vit me qëllim që “Vatra” të vihej përsëri në shërbim të çështjeve me rëndësi të Kombit, demokracia në Shqipëri dhe çlirimi i Kosovës…!
Do shkoja dhe unë në shtëpinë e tij për ta takuar në Washington në një ditë gushti të vitit 1994. Se si më pa, thellë. “Unë i jap rëndësi të qenit në burg, për shkrimtarin”, – tha…!
Më dhuroi libra të tij me autograf dhe më dha dorëshkrimin e përkthimeve të tij nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja të poetëve të mëdhenj klasikë, të sjellë në gegërisht dhe toskërisht, siç u shkonte atyre më mirë, sipas tij.
Kujtoj që mureve raftet e librave pothuaj ishin bosh dhe po më ngjanin me radhë arkëmortesh. Bibliotekën e tij aq shumë të pasur, ia kishte dhuruar Shkodrës dhe priste me qetësi të madhërishme vdekjen. Ndërkaq vazhdonte të punonte.
Studimet e tij janë të shumta e të rëndësishme dhe e vendosin Arshi Pipen në rang botëror. Profesori kishte botuar në anglisht dhe një studim “Montale dhe Dante”, me lejen e vetë Montales, që do të ishte, në një farë mënyre, paraprirës i çmimit “Nobel”, që do t’i jepej poetit gjenovez. Vepra është përkthyer dhe në italisht dhe në shqip.
Dua të veçoj dhe studimin për letërsinë e realizmit socialist, një ndihmesë për një rend të ri në letërsi, sipas studiuesve të tjerë. Po kështu dhe ai për gjuhën e njësuar. Gjuha. Zëri i tij. E kam të ngjirur, më tha, që nga burgu, m’u sëmur laringu…! Më kapi një tmerr kur mendova të sëmururit e gjuhës.
Vdes në 20 korrik 1997 në Washington D.C. Në atë vit në Shqipëri kishin rrëmbyer armët, të gjithë kundër të gjithëve, luftë pa luftë, por me të vrarë dhe ikje. Ishte shembur demokracia që ende s’ishtë bërë. Amaneti i Profesor Arshi Pipës ishte që trupin e tij ta digjnin dhe hiri të hidhej mbi ujërat e Adriatikut.
Humanisti, Sami Repishti
…dhe ai nga këneta e vdekjes, përtej oqeanit në SHBA. I lirë, te dija, te vlerat, te puna e madhe për vepra të mëdha….do të gjente dhe bashkëvuajtësin, t’i bashkonin vuajtjet për të bërë më shumë për atdheun. Me kulturë……shkrimtar, historian dhe humanist, veprimtar i çështjes shqiptare në Perëndim, në SHBA, ku dhe jeton.
Atje e takova, “Në gjyqin e Nju Jorkut”, siç u quajt përurimi i dy burgologjive të mia, “Rrugët e ferrit“ dhe “Ferri i çarë”, në vitin 2013, organizuar nga “Shtëpia e lirisë”…
Në letrat e tij, zoti Sami Repishti gjithmonë më drejtohet me fjalën “koleg’ dhe s’harron të shtojë dhe togfjalëshin mallëngjyes “bashkëvuajtës”…!
Po, ai ka qenë i dënuar me 15 vjet burg për “agjitacion dhe propagandë’, i ka vuajtur dhe në kënetën-ferr të Vloçishtit, në burgun e Shkodrës, etj., e mbas burgut duhej të punonte prapë kanaleve, pastrues bari deri sa u arratis në vitin 1959.
Vinte nga një familje patriotike shkodrane, babai, Hafiz Ibrahimi ishte dhe deputet. Samiu, teksa kryente gjimnazin “Oso Kuka” në Shkodër, u lidh me lëvizjen komuniste, që ethëronte sidomos pas pushtimit nga Italia fashiste. Dhe pikërisht shkon të studiojë atje, në Firencë, kishte fituar konkursin për në fakultetin e Historisë.
Gjatë pushimeve verore në fshatin e origjinës, në Repishtë, i arrestojnë të atin fashistët se kishte strehuar komunistë, e torturojnë dhe vdes në burg.
Samiu, duke qenë i pari i shtëpisë, detyrohet të punojë për të mbajtur familjen, ndërkohë lufton dhe kundër pushtuesit.
Me të ardhur fitimtarët, në pushtetin e ri punon në sektorin e Rindërtimit dhe themelon dhe “organizatën e Rinisë Demokratike”, shpërndajnë trakte, një deputeti anglez që vizitoi Shkodrën, i dorëzon një memorandum për të ndihmuar familjet e të arratisurve.
…arratiset dhe nga Jugosllavia dhe shkon në Itali dhe merr azil politik e më pas emigron në SHBA, ku takon mikun e të atit, Imzot Fan Nolin.
Doktorohet pranë Departamentit të frëngjishtes në City University of New York dhe për 25 vjet ka dhënë mësim në kolegje amerikane.
I përkushtuar për të drejtat e njeriut dhe Kosovën, ka mbi 100 studime dhe artikuj mbi këto çështje, bashkëpunëtor me Shtëpinë e Bardhë dhe organizon konferenca ndërkombëtare për Kosovën së bashku me të arratisurin tjetër bashkëvuajtës, Prof. Arshi Pipa.
Dhe vazhdon po kështu…
Ka botuar tregimet e burgut në librin “Pika loti”, dhimbje dhe frymë dhe më pas e zgjeron rrëfimin e jetës në librin “Nën hijen e Rozafës”, me metaforën e murimit dhe me qumështin e atdhedashurisë.
KTHIME FATKEQE…Kartela e Motrave Qiriazi
Kishte dhe kthime, vinin nga mërgimet, deri dhe nga SHBA për t’i shërbyer atdheut, por përfundonin keq, burgjeve apo çmendinave.
Motrat Qiriazi, mësueset e përndritura, ishin nga një familje e madhe patriotike nga qyteti i Manastirit, themeltarë të arsimit shqip.
Sevasti Qiriazi (1871-1949)
Mori bekimin e Poetit Kombëtar Naim Frashëri dhe nisi studimet në Stamboll në shkollën e njohur amerikane Robert College. Është e para femër shqiptare aty.
Vjen në atdhe dhe punon me të tjerë të hapnin shkollën e parë të Vashave në Korçë, në 1891 dhe njihet si shkolla e Familjes Qiriazi.
Merr pjesë në Kongresin e Manastirit për alfabetin e gjuhës shqipe dhe përgatiti tekstet shkollore
Parashqevi Qiriazi (1880-1970)
Në shekullin e ri, atë të XX, edhe ajo filloi studimet për letërsi në Robert Collage në Stamboll. Me ta mbaruar kthehet në atdhe dhe nis punë në Shkollën e tyre atë të vashave në Korçë. Është autorja e abetares së parë shqipe me alfabetin latin të Manastirit dhe e himnit të tij, që këndohet edhe sot.
Rruga e Motrave Qiriazi, me familjet e tyre, do të jetë e përbashkët.
Në vitin e Pavarësisë, 1912, shkojnë në Rumani e më pas në SHBA, Parashqevia mbron masterin në Kolegjin e Oberlinit në Ohio me temë “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri”.
Merr gradën akademike. Harton programin arsimor për Qeverinë¨e parë të Ismail Qemalit, dhe boton në Çikago një vepër “Shkolla e vashave – Korçë” (The Scholl for Girl – Kortcha, Albania).
Në Boston nxjerr revistën “Yll’i Mëngjesit” dhe në 1919 shkon delegate në Konferencën e Paqes në Paris, e vetmja femër.
Përsëri në atdhe, në shkollën e tyre, në atë të vashave. Motra më e vogël do të jetë drejtoresha.
Veprimtaria e tyre arsimore zhvendoset dhe në Tiranë, te pronat e tyre në Kamëz, ku ndërtojnë shkolla…!
Qiriazët familjarisht, arrestohen nga forcat naziste gjermane, është viti i egër 1943, dhe dërgohen në internim në një kamp afër Beogradit.
Mbetën gjallë, por më i rëndë do të ishte persekutimi në atdhe nga fitimtarët. Plaçkitje, sekuestrime, harresë, burgje, flakje në rrugë…!
Ua marrin shkollën në Kamzë, se aty do të hapeshin kurse për partizanët, edhe pse lufta kishte mbaruar, ata mbeteshin partizanë, për luftën e klasave, pushkatimet dhe burgosjet pa fund.
Mësuese Sevasti Qiriazit i arrestojnë dy djemtë, Aleksandrin, kishte qenë konsull i Kilit në Romë, dhe Gjergjin, kirurg, me akuzat se ishin agjentë amerikanë. Gjergji, pas tre vjetësh, vari veten në burg, nuk e duroi dot këtë torturë të pambarimtë…!
Nëna Sevasti e kërkoi trupin e të birit, i thanë se e kishin hedhur andej buzë lumit të Lanës. E gjeti, e lau me lotë, e fshehu aty me gjethe e bar që të vinte ta merrte natën, por nuk e gjeti më. Toka ishte lëruar me traktor.
Nuk duroi dot më as atdheun dhe as jetën dhe u shua në vitin 1949. Edhe Parashqevia vdes në Tiranë, në 1970, e harruar…!
“Post Mortem”, çuditërisht dekorohen. Plagët vezullojnë më shumë.
* * *
Mesjeta shqiptare kishte patur dhe universitete. Latinisht: Universitas Studiorum Dyrrahachium, i themeluar në Mbretërinë e Arbërisë rreth vitit 1380, i pari në Ballkan dhe ndër të parët në Europë.
Kultura e socializmit, e udhëhequr nga Partia, nga mësimet e marksizëm-leninizmit dhe të shokut Enver, i pëlqente të mos kishte fillesa të tjera, por veç ato të sajat, me ata të niste gjithçka.
Njeriu i Ri dhe shkollat e reja…. ato të urrejtjes. Madje dhe Ushtria Shqiptare do të kishte datë krijimi atë të ushtrisë së tyre me partizanët e rinj, duke harruar që dhe Mbretëria Shqiptare kishte ushtri, edhe Skënderbeu në Mesjetë krijoi një ushtri të mrekullueshme që i bëri ballë me luftë trup më trup superfuqisë më të madhe në botë, perandorisë osmane. Edhe ilirët, mbretëresha Teutë, Dy Batot, etj, etj.
Edhe hekurudhën e parë do ta ngrinte partia, kur hekurudha kishin ndërtuar në Shqipëri dhe austro-hungarezët, aviacionin do ta themelonte Partia e Enver Hoxhës, kur në “Kohën e Zogut” kishte linja ajrore, dhe me aviatorë shqiptarë, brenda për brenda vendit, që s’kishte në socializëm dhe ende nuk ka dhe tani.
Edhe në arte, me ta duhej të fillonte teatri, kinemaja, baleti, romani socialist, shkrimtarja e parë grua, dëshmorët, skulptura, opera e parë shqiptare, etj, etj. Por ishte gjysma e dytë e shekullit XX, nuk mund t’i shmangeshe zhvillimit. Të vazhdohej ç’ishte nisur, që ishte ndërprerë. Të nisnin ato që duheshin…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016