• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, May 19, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Aq shumë më kishte torturue hetuesi, Ali Xhunga, saqë s’lëvizja dot dhe më mbanin policët për krahësh e, kur ai më futi tytën e revoles në gojë, që unë të hapja sytë, luta zotin…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

“Sulço begu, natën për acar, doli i vetëm prej shtëpisë së nipit ku ishte fshehë, por fuqitë e lanë te porta e komunistit Ramiz Mustafa, ku nana e tij po komuniste, e…”/ Historia tragjike e mikut personal të Zogut
“Pas pushkatimeve për bombën në ambasadën sovjetike, kur Voroshillovi, në prani të Stalinit, i tha; ç’bën kështu, more Enver, i sose shqiptarët, 1 milion janë’, ai u përgjigj…”/ Dëshmia e Liri Belishovës
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit

Nga Ahmet Bushati

Pjesa e tridhjeteshtatë

Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Gjithashtu mund të lexoni

“Ferit M., e kishte kthy shtëpinë në zyrë hetuesie, ku në nji orë të caktueme, do të ishin të detyruara t’i vinin disa prej vajzave të gjimnazit të Shkodrës, që duke u dridhë…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Te ‘Burgu i Ri’, do mësojsha dinamikën e vrasjes së Bardhosh Danit, Brahim Dërgutit e Mark Cacës, të cilët duke dasht me u arratis, ishin tradhëtue e spiunue prej…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

                                                    Vijon nga numri kaluar

                                                     Në Gjurmët e një ditari

Nji provokim që më dëshpëroi pa masë!

Isha nën peshën ma të randë të dhimbjeve e “jermit” (kllapisë), kur nji natë, pak vonë, papritmas e me shumë emocion, ndigjoj se prej jashtë, diku prej poshtë dritares time, po më fliste nji njeri me za të ultë: “Ahmet, Ahmet!”, gja e cila përnjiherë bani që unë të harroj dhimbjet e çdo gja, dhe të vihem në përgjim të asaj thirrje, e cila do t’u përsëriste edhe nji herë tjetër, dhe unë mandej, tue shique nga dritarja sipër, – që atë natë po m’u dukte ma nalt se çdo herë tjetër – tentova dy herë që t’u ngjitsha deri atje, dhe të dy herët, për mungesë të plotë fuqie, dështova përsëri thuejse pa fillue. S’më kishte mbet aspak forcë.

Mbas njifarë kohe, ai njeriu prej jashtë, – si gjoja tue u ruajtë prej veshëve të policit – më thërret përsëri si nën za: “Ahmet, Ahmet”! dhe unë përfundimisht u binda se personi që thirrte ishte nji provokator e, ndoshta vetë Ferit Mandia që punonte në Sigurim, ose nji tjetër person, – gjithsesi i futun prej tij – që kërkonte me shfrytëzue rastin, kur të arrestuem të shumtë të atyne ditëve të fundit, mes të cilëve edhe studentë, kishin mbushë birucat e korridorin brenda, si dhe jashtë, deri poshtë dritareve tona, ku u mbajshin të lidhun e të mbuluem me batanije, siç kemi tregue edhe herë tjetër. Provokatori, që t’u bante ma i besueshëm prej meje, do të shtonte në atë rast, si gjoja me çudi: “Ahmet, po sa paske ndryshue mor burrë! Unë jam Bardhoshi, Bardhoshi. Edhe Simja këtu asht”!

Ndonëse unë isha i sigurt që ai nuk ishte Bardhoshi, – por jo i sigurt që Simja t’mos ishte arrestue, – fakti që prej nji punonjësi të Sigurimit u përmendte emni i Bardhoshit, tregonte se grupi i tij përfundimisht ishte zbulue e se emni i Simes të figuronte në listat e mundshme të të arrestuemve ma të parë. Tue harrue gjithçka tjetër, m’u ba se brenda mejet për herë të parë u shemb përnjiherë nji gja e madhe e se në mënyrën ma të mjerë u prish ajo gja, për të cilën unë deri atëhere kisha besue se e vlente me vuajtë e me vdekë.

Pavarësisht keqardhjes ma të thellë që po provojsha me atë rast, dekonspirimi i grupit; “Përpjekja Shqiptare”, kryesue prej Bardhoshit, nuk po më çudiste, tue pasë parasysh guximin e entuziazmin e atyne studentëve të rij e mbi të gjitha naivitetin e tyne. Do të kujtojsha me atë rast se si unë i pata thanë Bardhoshit që në atë kohë; “t’mos u shkruejshin parullat mbi muret e gjimnazit”, si i parakohshëm që ishte akti, e që në vetvete mbarte rrezikun e zbulimit të grupit, e të kujtojsha gjithashtu me dhimbje fjalët e fundit të tij: “S’pata ç’ka me ba Ahmet, shokët s’më ndigjuen me hjekë dorë prej aksionit për të cilin ishin pregatitë”!

Rashë në mendime dhe çuditërisht, për herë të parë po besojsha se vdekja nuk ishte ajo gja që me siguri do të më shpëtonte nga vuejtjet e turpi, dhe se e vërteta e sakrificës time mund t’mos u merrte vesh asjiherë. Dyshimi, se natën kur unë të vdissha, Sigurimi, – si përherë, ndër raste të këtilla – do të zbrazte nji breshni automatiku e, të nesërmen të përhapte lajmin se; “u vra nga roja, kur po tentonte me u arratisë prej burgut” e, shokëve të mij të burgosun, t’u servirte mbrapa deklarata me gjoja nënshkrimet e mija, falsifikue prej vetë Sigurimit, m’u ngulit si gozhdë në tru.

“Po vuatjet, kot të më shkojnë”?! – thashë me vete: “E ç’do të thonë mandej për mue shokët? Bardhosh Dani, dy vjet ma i ri se unë, që më pat besue aq shumë, ç’do të thojë në atë rast? Po Simja, së cilës isha gati që me çdo sakrificë t’i justifikojsha çdo imazh që ajo të kishte ndërtue për mue, ajo, ç’do të thonte në nji rast si ky? Po studentët e tjerë, të cilëve na pretendojshim se u kishim pri në luftë kundër komunizmit? E vetë Shkodra, për opinionin e mirë të së cilës im atë kishte pranue të më sakrifikonte, çfarë do të thonte”?!

Tetë muaj në Sigurim, dhe nji mendim kaq i keq, si ky që po më zhyste me shpejtësi në dëshpërimin ma të thellë, unë s’e kisha provue asnjëherë gjatë jetës time. Mendim mbas mendimi, secili ma i zi se tjetri, u mblodhën lamsh brenda meje, aq sa ma në fund, tue mos u përmbajt ma, për herë të parë shpërtheva në lot. Ideja se Sigurimi tue spekullue mbi vdekjen time, do të bante që hija e turpit të ndiqte përgjithnji emnin tim para botës e që shtëpinë ta lejsha në dhimbje e pa krenari, bani që mbi mue të binte dëshprimi me peshën e nji tmerri të vërtetë.

Lot mbas loti, më kapën edhe do të dridhuna, e bashkë me to, edhe nji si rënkim i lehtë, që unë u sforcojsha ta përmbajsha për t’mos u ndigjue përjashta, por pa ia dalë, sepse pikërisht në këtë moment m’u ndez papritmas drita prej jashtë, e për shumë turp timin, në katrorin e vogël të sportelit, u shfaq fytyra e Qemalit, e policit të mirë, që nuk e kisha pa qysh në dimën, e pikërisht qysh atëherë kur Sirri Çarçani pat deklarue se ndaj tij do t’u merrshin masa për duerët që m’i pat lirue disi prej prangash. Qemali, verdh në fytyrë e me sy të përlotun, më pyeti gjithë dhimbje: “Po ç’ke mor vëlla?! Po ç’ke mor vëlla”?! Unë, për fat të keq isha zanë në befasi prej tij, pa muejtë me ndalue shpejt lotët dhe pa mujtë me nxjerrë, natyrisht, asnji fjalë prej gojet. Kisha turp të madh!

I prekun prej gjendjes time, edhe pse pa pasë marrë përgjigje prej meje, Qemali përplasi me forcë kapakun e sportelit dhe u largue shumë i indinjuem për të nji birucë tjetër, te nji i burgosun që mendohej se lidhej me mue e ku Qemali kishte mendue me shfrye zemërimin e tij, por pa i pasë shkue mendja që edhe në atë orë të mesit të natës, mund t’u ndodhte Ismail Lulo me vesh mbas murit të burgut tonë, në përgjim të të burgosunve, po edhe të shokëve të tij policë, i cili në atë rast do të hynte në korridor të burgut, tue iu drejtue Qemalit me fjalët: “Qemalin në plumb, në plumb”!

Siç duket Qemalin për këtë gja e larguen përfundimisht prej aty, për t’mos e pa ma, veç nji herë mbas dy vjetësh prej së largu, kur ai do të bante pjesë në grupin e policëve që po shoqëronte përmbrapa autokolonën tonë për në kamp të Peqinit. Do t’u qetësojsha dikund mbas nja nji oret, si pasojë e nji ideje të re që më shkrepi në krye e që do ta realizojsha të nesërmen në mëngjes, kur t’u kthejsha prej W.C.-je. Dhe ashtu ndodhi: lakuriq siç isha zbardhë, ashtu me duar e gjunj për tokë, por i mbështjellë me nji çarçaf të bardhë dysheku, që ma patën dhanë për atë rast, shkova e ktheva prej W.C.-je. Ndalova para derës së birucës time tue hedhë shikimin kah fundi i korridorit.

Nuk dijsha ma se cilët ishin të burgosunit aty, sidoqoftë, nuk e dij pse unë besojsha se të paktën Ruzhdi Rroji ndodhej diku kah fundi i atij korridori, e ndoshta dhe në birucën nr. 9, prej s’cilës kishte mundësi me shikue. Tue drejtue shikimin kah ajo anë, thirra me mundim, por fort: “Jam Ahmet Bushati, në qoftë se vdes, ju lutem tregoni se nuk kam ba proçes” e, tue ngritë dorën e djathtë nalt, në shenj inkurajimi për të burgosunit rreth e rrotull me biruca, thirra përsëri: “Qëndroni, qëndroni”!

Për fatin tim, në shërbim atë ditë pat qëllue Mënyri, që si t’mos kishte ndodhë asgja, edhe në atë rast do të më fliste me të butë: “Futu, futu brenda”. Kah fundi i shtatorit më ndërruen birucë, tue më çue në atë me nr. 12, kah terri. E asht për t’mos u besue se si Ali Xhunga, pavarësisht varjes e gjendjes time të përkeqësume shumë, do të gjente rastin që të më shtronte nji ditë në dru, edhe pse trupin e kisha gjithë plagë. Më pat kthye përmbys me trup e fytyrë për dysheme, e me nji shkop të shkurtë e të trashë, më binte fort.

Me qenë se ai po më binte disa herë në nji vend mbi trupin tim të zhveshur, unë do të kisha aq shumë dhimbje, sa për të shmangë qoftë edhe për nji herë të vetme goditjen në nji pikë të caktueme, ma se nji herë do t’i kthejsha atij xhelati pjesë trupi me plagë. Fati i im që në ato çaste, për koincidencë apo si mbas marrëveshjes, aty qe futë Lilo Zeneli, e siç duket, nën sinjalin e tij, trimi Ali Xhunga ndaloi në vend goditjet.

Gjatë pjesës ma të madhe të kohës deri në fund të tetorit, unë nuk do të ditsha ma nëse kisha mbyllë sy ndonjëherë ose jo; nëse me kishin dhanë gja me ngrënë; nëse më kishin nxjerrë ose jo për në W.C; nëse përsëri të më kishte ra ndonj herë të fikët. “Fqinjët” e mi më biruca, si ish hetuesi Pjerin Kçira apo studenti Mikel Muzhani, do të më tregojshin edhe për episode të tjera që lidheshin me mue, e që sigurisht, do të ishin edhe nji vlerë ma shumë për këtë libër, por që unë, për gjendjen e pavetëdijshme që kam pasë shumë herë, s’i kujtoj, e natyrisht që edhe s’i shkruej, si jashtë eksperiencës time që i konsideroj.

Sidoqoftë, kujtoj vetëm se gjatë gjithë asaj kohe të mbetun, unë do të qendrojsha me sy të mbyllun, se do të gjimojsha vazhdimisht, e se vetëdije ndoshta do të kisha sidomos në rastet kur në birucë të më futej Ali Xhunga. Kështu që kur ma në fund nji ditë ta shifsha veten me rroba në trup, do të vritsha mendjen se kush të m’i kishte veshë e kur. Por le të shohim deri atëherë, se ka edhe ma.

Për herë të fundit më këshillon shefi Lilo Zeneli!

Kur më thirri në zyrën e tij Lilo Zeneli, ishte natë e s’kishin kalue veç tre-katër ditë nga koha kur ai pat ndërhy që Ali Xhunga të ndërpriste goditjet mbi trupin tim. Me ndihmën e dy policëve që më mbajshin për krahësh, e që prej erës së randë të plagëve të mia, ecshin me krena anash e tue pështy herë mbas here për toke, unë mezi përshkova oborrin mes burgut e Degës, që më qe dukë ma i gjatë se kurrë, kurse nëpër shkallë, ata policë do të më ngjitshin peshë.

Më futën në zyrë të shefit Lilo në nji gjendje në të cilën s’mund të qëndrojsha aspak në kambë. Me mjekër të parrueme qysh prej dy muajsh, i veshun me pantoll të pistë e të zhubrosun, – si të braktisun prej trupit që kishin qendrue gjatë kohës që isha varë – e të mbajtun për bel prej nji spangoje, pa çorape as këpucë në kambë, më ulën symbyllazi në nji stol kah ana e djathtë e zyrës, fare pranë derës. Përballë meje e fare afër, shefi Lilo.

Nuk pata mundë me i hapë sytë kur qeshë futë në atë zyrë dhe as kur t’isha i ulun në stol, e nuk do të muajsha me i hapë as kur të ma kërkonte disa e disa herë me insistim shefi Lilo, dhe asnjëherë. Prej dritës së fortë të zyrës nuk muejsha me hapë sytë, e nga që s’u ngopsha me frymë, nuk muejsha as me folë, e gjithashtu as me e mbyllë makar për nji herë të vetme gojën, që të muejsha me futë pak frymë përbrenda. Vetëm me veshë, s’pakut me njenin, ndigjojsha.

Lilo-ja po më fliste me të butë, tue më këshillue që unë të hiqsha dorë nga ajo rezistencë, që si mbas tij, nuk kishte kuptim, me që Sigurimi i dinte të gjitha me kohë. Më thonte se po vdissha i ri e se mbrapa po lejsha pa nevojë nji shtëpi me femna etj. etj. Me nji pasqyrë në dorë para fytyrës time, ai do të qëndronte gjatë e gjatë, tue këmbëngulë që unë vetëm nji herë të hapsha sytë, me qëllim që të shifsha gjendjen time në pikë të fundit, gja që unë fizikisht nuk kisha mundësi me e realizue, me gjithë sforcimin e madh që bajsha, që s’pakut të hiqsha qafet nji herë Lilon, i cili m’ishte ba aq i padurueshëm me këmbënguljen tij. Ai s’e kuptonte se ishte tue më kërkue të pamundurën. Unë isha në atë gjendje, që jo vetëm nuk muejsha me hapë sytë e me folë, por as me ndigjue, sepse edhe fjalët e tjetrit do të ishin torturë për mue, për mundimin që më jepshin.

Ma në fund Lilo-ja, tue pa se me të mirë nuk po më bindte që unë të hapsha nji herë sytë sa të shikojsha veten si isha ba, më futi më shumë zemërim në gojë tytën e nji revoleje dhe nisi të bërtiste me ato fjalët e tij të mëdha, që mue, jo vetëm që më mundojshin shumë, por edhe sikurse ma parë, më tingllojshin si lojë fëmijësh. Po ku ta merrsha unë që ai ta kishte seriozisht atë gja! Me folë nuk muejsha, por mendjen e kisha në vend. Ngrita nalt dy duarët e mia të lidhuna që t’ia largojsha revolen prej gojës, me qëllim që të mund t’i flitsha: “Ti s’je ma ai burrë që të kemi pasë kujtue, se po t’mos ishte kështu, ti nuk e zgjatë e, ban atë që i takon nji burri ndaj nji njeriu me këtë gjendje”!

U mundova disa herë që t’muejsha me ia thanë njato pak fjalë e s’që e mundun me artikulue as edhe nji rrokje të vetme, gja që me bani të vuajsha edhe ma shumë! Mbas kësaj tentative të tij të fundit që unë të hapsha sytë me zor, siç duket ai ma në fund kuptoi ndoshta pamundësinë fizike time dhe nuk e vazhdoi ma, aq sa edhe kur policët po më zbritshin për shkallësh, ai duel në derë e kthei njenin prej tyne, të cilit duket se i tha që t’mos me çojshin në birucë, – ku ai kishte parasysh të burgosurit e tjerë që nji ditë do të dëshmojshin për vdekjen time – por të më zbritshin poshtë në nji bodrum të errët, ku mund të vdissha pa me pa dhe as ndigjue njeri.

Lilo Zeneli, ndoshta ndoshta si njeri, më thirri që të shmangte vdekjen time, dhe kur pa se s’po e arrinte, atëherë si shef Sigurimi, do të mendonte me zhduke gjurmët e saj, tue më izolue në nji bodrum fare të papërdorshëm, gja me të cilën, mbas nji vdekjet time, ai mund të bante të besueshme çdo alibi që do t’i dilte e nevojshme Sigurimit.

Rreth nji jave në bodrum!

Kështu policët atë natë, si mbas urdhnit që morën, çelën nji derë poshtë shkallëve, me zbritën nëpër terr edhe do kambë tjera shkallësh, e përfundimisht më braktisën në errësinën e nji hauzi ku s’u dallonte absolutisht asgja. Kur u shtrina aty për të fjet, – me që s’më varën – kuptova se shtresa ishte prej dheu të freskët, ku bana edhe të parin gjumë të vërtetë mbas dy muajsh që isha varë e do t’u zgjojsha të nesërmen në drekë, atëherë kur polici me nji copë bukë në njenën dorë e në tjetrën litarin, do të më zgjonte, kur edhe do të shikojsha për herë të parë se ku u ndodhesha. Mbasi hangra fare pak kafshata buke thatë, polici më vari jo shtërngueshëm për njenin prej trenëve të drunjtë që mbajshin dyshemën prej dërrasash sipër.

Bodrumi po ishte nji ahur i zakonshëm shtëpish tona, i madh e me naltësi jo ma tepër se nja dy metra, brenda të cilit hynte shumë pak dritë prej nja dy vrimash të vogla në trajtë drejtkëndëshi që vijshin sipër rrash me kuotën e oborrit përjashta. Ambienti aty ishte i freskët e kundërmonte erë të randë dheu të lagësht, dhe me ngjyrë dukej se vinte si i kuq. Mbi gjithçka aty po më bante përshtypje prania e minjve të shumtë e madhësia e tyne, ndoshta gropash të zeza. Nuk kisha pa ndonjëherë minj aq të mëdhenj e që të qarkullojshin aq lirshëm sa aty!

Aq të mëdhenj e të fuqishëm, po edhe aq të unshëm ishin ata minj, sa ndodhte që racionin tim të bukës, në përleshje me njeni-jetrin, ta përlajshin menjiherë. Në qoftë se polici për pakujdesi, – para se të më zgjidhte prej varjes në kohë dreke – bukën ta kishte lëshue jo afër vendit, ku unë pak a shumë do t’u ulsha-ndodhte që derisa me zvarritje, unë ta arrijsha atë copë buket, mijtë e shkathët deri at’herë të ma kishin përla. E ka ndodhë, që tue përfitue prej vonesës time, ata të ma kishin tërheqë copën e bukës para syve të mi e jo larg duerëve të mia të zgjatuna drejt saj.

Zakonisht unë hajsha shumë pak nga buka që më sillte polici në kohë dreke, e pjesën ma të madhe të saj e hidhsha sa ma larg që të mundsha. Në nji rast të tillë, para syve të mij do t’u zhvillonte nji spektakël i vërtetë: minjtë, pa dashtë të dijshin për praninë time, rreth asaj cope buke do të zhvillojshin nji betejë të vërtetë, që nuk do të zgjaste veç pak minuta, betejë që unë isha i detyruem ta ndiqsha pa dëshirë e natyrisht edhe pa zori.

Gjatë atyne pak ditëve të qëndrimit tim në atë bodrum, polici i ngarkuem për t’u marrë me mue, si i pakontrolluem që ishte, shpesh herë, mbasi të më sillte bukën e zgjidhë prej varjes, do të vinte me vonesë për të më rivarë, tue me krijue kështu mundësinë që unë të flejsha ma gjatë nga ç’lejohej prej hetuesit. Varja relativisht e lishme, freskia e bodrumit dhe ai pak gjumë që bajsha i shtrimë përdhe në çdo vakt dreke, banë që unë, jo vetëm të shpëtojsha nji herë për nji herë prej vdekjes, por edhe të rifitojsha diçka prej forcave të mia të ezaurueme krejt.

Ajo shtresë dërrasash, që katit të sipërm i shërbente si dysheme e mue si tavan, qëndronte si nji vijë demarkacioni që ndante ashpërsisht dy botë të kundërta mes tyne: nalt, shkallët që të zbritnin në bodrum njerëzit e lirë e shërbyes të zellshëm të diktaturës, me fatin e së cilësi ata kishin lidhë jetën e gjithë shpresat e tyne, kurse poshtë, unë i burgosuni kundërshtar i vendosun i pushtetit të tyne, që ndonëse në moshë të re, u lutsha ditë- natë për vdekjen.

Në atë zyrë mbi mue punonte ai hetues i veshun civil që kishte mbytë me torturë pak muaj ma parë Muhamet Spahinë. Me që unë prej dhimbjeve të plagëve e frymëmarrjes së pamjaftueshme gjimojsha vazhdimisht – si nevojë fizike e trupit që ishte – do të ndodhte që në njenën ndër ato net të para ai zotni, të bërtiste disa herë prej sipër e të rrihte kambët për dysheme, tue më thane; “Pusho, pusho se s’na le të punojmë”! I nevrikosun prej përgjigjeve të mia, do t’u afronte mandej te dera e mbyllun e bodrumit e t’i binte asaj me shqelma, për ka unë as që e vritsha mendjen.

Sido që me varshin për ditë, si e thashë edhe ma sipër, unë aty pak nga pak po e merrsha veten e ndërkaq edhe po ndigjojsha disa herë pa dashje biseda që u zhvillojshin sipër. Në atë zyrë do t’u ndodhte shpeshherë edhe nji vajzë me emnin Shpresa. Kishte raste që bisedojshin edhe për punë dashnijet. Më kujtohet nji herë, që kur e pyetën atë Shpresën – e cila më duket se ishte e fejueme në atë kohë – se kur duhet të ishte ma e ambël dashnia, ajo e përgjigje: “Atëherë kur je e dashunueme e pret me shpallë fejesën”. Memorie.al

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“I lartpërmenduri u ekzekutua në kohën dhe në vendin e caktuar e, fjalët e tij të fundit ishin...”/ Proces-verbali pushkatimit të Hamit Myrtja më 30.12.’76, nga hetuesi Sh.Ç., prokurori R.K. dhe zv.shefi Policisë, B.Sh

Next Post

“Bedrije Ashiku tregoi, se gjatë torturave me korrent elektrik, F. Kapisyzit dhe D. Rrjollit, u mbet i vdekun në dorë At Bernardin Palaj, dhe ashtu me tela nder veshë...”/ Rrëfimi i Frtiz Radovanit nga Australia

Artikuj të ngjashëm

“Premtimi i rrejshëm i Sigurimit: Ruzhdi Rroji dhe dënimi i pashmangshëm i tij…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosuri politik, për tradhtinë e Qamil Gavoçit e Lilo Zenelit dhe ndërhyrjen e Abaz Bekteshit!
Kujtime

“Ferit M., e kishte kthy shtëpinë në zyrë hetuesie, ku në nji orë të caktueme, do të ishin të detyruara t’i vinin disa prej vajzave të gjimnazit të Shkodrës, që duke u dridhë…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Te ‘Burgu i Ri’, do mësojsha dinamikën e vrasjes së Bardhosh Danit, Brahim Dërgutit e Mark Cacës, të cilët duke dasht me u arratis, ishin tradhëtue e spiunue prej…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Pas 34 vitesh, kur u hap varri i At Serafinit, nga infermierja Marie, një besimtare katolike, që kishte varrosur vetë, u gjet…”/ Historia e trishtë e fratit që vdiq nën torturat e Sigurimit, në 1947-ën
Kujtime

“I ligu Sirri Çarçani që ishte dërgu me mision nga Tirana pas prishjes me Jugosllavinë, hyni në qelinë time dhe më tha; e shikon atë qoshe, aty do të varim ty, sepse…”! / Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Kur dola në korridor me shku në W.C. dhe polici nuk e kishte mendjen, i djegur nga etja, futa kokën në kovë, por tetar Qaniu, pasi bërtiti; lëshoje, lëshoje, më qëlloi…”/ Dëshmitë e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Ali Xhunga, i përkiste atij lloji të pështirë hetuesish, si dikur Zhozef Fushe i Francës, që kishte kuptue në kohën e duhun, se për të ba karriere, duhej…”! / Dëshmia e ish-të burgosurit politik, Ahmet Bushati

May 19, 2025
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Hetuesi im i ri, Ali Xhunga, një shkurtabiq nga fshatrat e Përmetit, që ngrefosej me i dhanë vetes autoritet, pasi më mbajti tre muaj varun në qeli, filloi torturat me…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
Next Post
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit

“Bedrije Ashiku tregoi, se gjatë torturave me korrent elektrik, F. Kapisyzit dhe D. Rrjollit, u mbet i vdekun në dorë At Bernardin Palaj, dhe ashtu me tela nder veshë...”/ Rrëfimi i Frtiz Radovanit nga Australia

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!