Nga SIMON MIRAKAJ
Pjesa e tetë
‘Kampeve nën hijen e Tomorrit, 44 vite internim’
– Kujtime –
H Y R J E
Memorie.al / Këto kujtime i kam hedhur në letër pas një periudhe të gjatë hezitimi. Kjo mbase, sepse subjektet i kisha gjithnjë të freskëta në mendje, që më ndiqnin pa mëshirë gjatë viteve pas rënies së komunizmit. Por vjen një moment – kur koha bën të vetën – dhe pamjet e tmerrit dhe të pësimeve, erdhën duke m’u zbehur – thuajse pësimet kaluan në harresë. Atëherë vendosa t’i ripërsëris ngjarjet më mbresëlënëse – fillimisht në mendje – derisa morën trajtën e këtyre rrëfimeve. Sado të zbehta që mund të duken këto rrëfime – krijojnë idenë e realitetit të ashpër dhe mjeran të kampeve.
Dom Mikel Koliqi – Gjazë 1976
Kishim dëgjuar që në kampin e Gjazës ku ishim ne, do sillnin Dom Mikel Koliqin. Kleri në përgjithësi e në veçanti ai Katolik, e kishin paguar shtrenjtë besimin në zot. Një pjesë e madhe e Klerit Katolik, ishin ekzekutuar, si Padër Anton Arapi, Dom Lazër Shantoja, etj. Pjesa që i shpëtoi ekzekutimit, kaluan vite të tëra nëpër kampe dhe burgje.
Mbas përfundimit të burgut, i sillnin në kampet e internimit. Kujtoj në kampin e Tepelenës, Padër Jak Gardinin, Padër Viktor Volajn. Në kampin e Savrës, Padër Mark Arapin, Dom Nikollë Mazrekun, Dom Ndoc Sahatçinë, Padër Marjan Prelën, Dom Lazër Jubanin, Dom Mikel Koliqin. Të gjithë të shkolluar në Perëndim, e me një kulturë të gjënë. Ata rrezatonin vetëm mirësi, kur i shikonim në apelin që e bënim në mëngjes e, në darkë.
Shumicën e kohës në paraqiteshim tre herë në ditë. Një delegacion të vinte në Tiranë, ne do bënim tre herë apel, si dhe për çdo lloj feste. Në apelin e darkës, përgjegjësi na thotë: “Sot jemi shtuar, na ka ardhur Mikeli”.
Shohim nga dera e kazermës, ku del Dom Mikeli me atë kostumin e zi, karakteristik të fretërve. Merr drejtimin për te ne, për në apel. Na përshëndeti të gjithëve me një buzëqeshje. Mbasi u largua përgjegjësi, filluan bisedat me Dom Mikelin, duke i thënë: mos u mërzit.
“Jo, mbasi ju gjeta ju këtu, jo nuk mërzitem, jam mësue”.
E kishin sjellë nga kampi i internimit i Plugut. Thuhej se kishte pagëzuar një fëmijë. Takimin me Dom Mikelin, e bënim te caku. Ishte tepër i rregullt. Kur kthehesha nga puna, e shikoja rrugës së pluhurit duke ecur me duart mbrapa, gjithmonë vetëm. Isha i bindur që lutjet e ritin fetar, e bënte rrugës. Ditët e verës, kur lante rrobat përjashta, mbasi i shtrydhte i varte në tel, shndrisnin. Gatuante si një kuzhinier i mirë, bënte byrek, kek, etj. E mbanin mirë, nuk punonte, ishte i moshuar, i kishte kaluar te shtatëdhjetat.
Dom Mikeli, ishte i pasionuar mbas muzikës klasike. Të rinjtë e kampit që kishin vesh për muzikë, Dom Mikeli ju jepte mësim për fizarmonikë, mandolinë, etj. Asnjë herë nuk vinte për vizitë në shtëpi, te asnjë. Ishin Pashkët dhe ne i festonim me shumë kujdes, që mos të kuptoheshim. Kur u bashkuam në apel, mbasi u largua përgjegjësi, Dom Mikeli na uroji Pashkët dhe unë i drejtohem: “Si nuk erdhe një herë për vizitë Dom Mikeli”?!
Dom Mikeli vuri buzën në gaz e më thotë:
“Mos kujtoni se e la për frikë. Unë nuk vi se ju baj dam ju”.
Në sektor kishin vendosë në një shtyllë një autoparlant, që më shumë na bezdiste me ato këngët pa asnjë vlerë muzikore, por kishte raste që jepte pjesë klasike. Po kthehesha nga puna, kur afër shtyllës, ishte ndaluar Dom Mikeli e, iu afrova dhe unë. E pashë që po shijonte pjesën klasike, mbasi mbaroi u përshëndetëm e, më thotë:
“Simon kjo pjesë ishte ‘Kavaleria Rustikane’ e Pjetro Maskanjit”.
Filloji të më fliste për Maskanjin:
“Vetë kam marrë pjesë në varrimin e tij”.
“Dom Mikeli, çfarë opera ishte”?
“Ajo është vdekja e Don Kishotit, e këndume prej një tenori të famshëm rus, Fjodor Shalajapin”.
Në vitet ’70-të, pati një shenjë zbutje e cila nuk zgjati shumë. Në këtë periudhë këndet e kuqe e, sallat e mbledhjeve, u pajisen me televizor bardh e zi, si; “Iliria”, “Lura”, “Adriatik”, që prodhoheshin në Durrës.
Ndiqnim sportin kur transmetonte Radio-Televizioni Shqiptar. Atë ditë, do jepej një ndeshje e Kampionatit Europian. Kishim punuar me nxitim që të bënim normën e, pastaj të shkonim në sallë, për të parë ndeshjen. Nga minutat e fundit, në sallë futen dy djem të rinj, të Sigurimit të Shtetit, me automatik në krah. Ne ngrimë, arrestimet kishin filluar që në vitin 1973, pa ndërprerje.
Çdo dy tre muaj, arrestohej një i internuar. Pritëm sa mbaroi pjesa e parë e, shkuam në shtëpi duke pritur. Unë, duke ju lutur Zotit të më arrestojnë mua, nëse e kanë ndërmend, jo vëllain Sokolin, mbasi ishte i martuar e me fëmijë. Sokoli i thotë Vilmës, e cila ishte rreth tetë vjeç:
“Shko shiko, a ka ardhë ‘Xhip’- si e, çfarë numri ka”?
Ajo doli me vrap, nuk vonoi shumë e erdhi duke qarë:
“E lidhën Dom Mikelin”.
Ai sapo i kishte mbushur të 76 vjetët. Çfarë tmerri…?! Ne morëm pak frymë.
“Shpëtuam këtë radhë”! – i thashë vëllait.
“Jo, – më tha, – e ke gabim, më mirë një fund i tmerrshëm, se një tmerr pa fund. E me të vërtetë ne çdo ditë përshëndeteshim me vëllain, kunatën, e puthnim fëmijët, se nuk e dinim, a ktheheshim në shtëpi, apo jo! Dom Mikeli, mbas dy muaj hetuesi, doli në gjyq. U dënua me akuzën, si; “spiun i Vatikanit”, me 15 vjet burg politik.
Atë ditë që e arrestuan, thamë ne nuk do ta shohim më, pasi dyshonim se nuk do dilte gjallë prej burgut. Por Zoti është i madh. Ai i bëri vitet e burgut dhe u lirua. Mbasi u lirova nga kampi, me një grup shokësh, shkova në Shkodër me e takue. E gjeta të ulun në poltron, duke lexuar.
“Dom, a po me njeh”?
“Jo, – më tha, – më fal”. – I kishte kaluar 90 vite. Atëherë i emocionuar i them:
“Dom, jam Simoni” – I mora dorën e ia putha. Pyetja e parë që më bëri:
“A je martu”?
“Sapo jam fejuar me një vajzë katolike prej Puke, tamam prej Iballje”
Më shtrëngoi dorën. E urova për titullin e lartë të Kardinalit.
“Ky titull, nuk më është dhanë mue, por të gjithë, veprat e sakrificat tona”.
Ishte me të vërtetë fat, që patëm këta njerëz me shpirt të madh. Pushofsh në paqe Dom Mikel.
Nuk ka leje për të parë nënën. Gjazë 1973
Mbasi bëra apelin e mëngjesit si çdo ditë, ju drejtova brigadierit, për të marrë planin e punës, sa më pa brigadieri, më thotë:
“Ti Simon, Gjoni dhe Xheviti, do hidhni pleh nitrat, te parcelat pranë kishës”.
Kisha ishte kthyer në stallë por, ashtu njihej si zonë e kishës, nga sektori, ishin 2 km. e gjysëm rrugë. Shkuam në magazinë ku mbahej plehu e. filluam të ngarkojmë qerret që po na prisnin. Nga ora 9.00, qerret mbërritën në destinacion, filluam të mbushim thasët e bezes me nitrat, për të filluar punën, pesha që mbanim në supe me pleh, ishte 20 kg., parcela ku do hidhnim plehun, ishte 10 ha.
Hodhëm gjithë secili thesin e vet në supe e, filluam, nuk ishte kollaj për të hedhur pleh, ishte punë mjaft e rëndë, duhej me një dorë të mbaje gryken e thesit të hapur e, me dorën tjetër, të bëje shpërndarjen e plehut në mënyrë të atillë, që mos të mbetej as një rrënjë e grurit, pa marrë ushqimin e nevojshëm. Ajo që ma bënte edhe më të rëndë punën atë ditë, ishte nëna e shtruar në spital, pasi vuante nga zemra, sëmundje që i mori jetën në moshë të re, 54 vjeçe.
Kishte dy muaj e shtruar, nuk kishim mundësi për ta parë, as mua, as vëllait Sokolit, nuk na jepnin leje. Kishte shkuar për ta parë në spital, kunata Vali, kishte shkuar dhe motra, Lajdja, por nëna e shkretë rrinte në dritare, duke pritur se mos e thërrisnin djemtë, por më kot! Vazhduam pa pushim punën. Krahët na ishin bërë plagë nga pesha, rreth orës 15.00, e mbaruam, u ulëm për të ngrënë bukë, mbasi mbaruam së ngrëni, pushuam pak e, u nisëm për në sektor në Gjazë.
Rrugës me ne, u bashkuan edhe Sokoli me Sazanin (djali i Fiqiri Dines), ata ishin në një brigadë tjetër. Sapo mbërritëm në sektor, shohim në të majtë të rrugës, “Xhip”-sin e Degës së Punëve të Brendshme 67/01. “Të shohim kush e ka radhën”, thamë me vetë. Arrestimet bëheshin në çdo dy tre muaj, jo vetëm në kampet e internimit, por në të gjithë Shqipërinë, lajmet për arrestime, hapeshin menjëherë.
Tetë vjet rresht, ne nuk e dinim a ktheheshim në shtëpi, kur dilnim në mëngjes për punë. Më mirë një fund i tmerrshëm, se sa një tmerr pa fund. Kur arrestohej ndonjë nga shokët tanë, thonim; shpëtoi, e mblodhi mendjen, pasi pasiguria për jetën, ishte në çdo moment.
Në orën 6 të darkës, dolëm për në apel, të cilin na e bënte krye-spiuni Nikolla Jani, nga Bubullima e Lushnjes.
Kur mungonte ky, na e bënte apelin dhe e shoqja Rita, ishin njerëz negativë. Nikolla ishte dhe magazinieri i sektorit, të shumtën e kohës, Nikollën e gjeje në rrugë, kontrollonte çdo lëvizje tonën, sigurisht bashkë me agjentet e tjerë, të rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit.
Operativët, apo ndryshe oficerët e Sigurimit, që siguronin shtetin e diktaturës, duke futur në burg herë pas herë njerëz të pafajshëm, me sajesa të ndryshme, apo dhe duke krijuar grupe sabotatorësh, që me akuza të çuditshme, i çonin dhe në dënime kapitale.
Shkuam te caku ku bënim apelin, kur shohim që del nga zyra bashkë me operativin, nënkryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Lushnjes, Mehdi Bushati. Ata nuk erdhën tek apeli ku ishim ne, por po na soditnin nga larg dhe operativi, i bënte prezantimin tonë. Mbas apelit, vëllai me thotë:
“Po shkoj t’i them nënkryetarit për leje, për me shku me pa nanën”! “Shko – i them, – dhëntë zoti të jep leje, do ishte ilaçi ma i mirë për të, pasi kemi dy muaj, pa e parë”.
Niset Sokoli, kurse unë qëndrova më larg, duke e pritë. Ata, kur e panë Sokolin që po shkonte drejt tyre, ndaluan hapat. Sokoli prezantohet dhe i thotë:
“Mirëmbrëma, kam ardhë nënkryetar, t’ju kërkoj një leje disa orëshe, për të shkuar në spital, nëna e jonë, Kune Mirakaj, ka dy muaj e shtruar, kemi kërkuar leje e, nuk na është dhënë, prandaj nëse e shikoni të arsyeshme, na bëni të mundur lejen disa orëshe, nëna vuan nga zemra, zemrës nuk i dihet, sëmundja thonë se ka avancuar. Nënkryetari e dëgjoi e, me një gjakftohtësi prej gjarpri, ju kthye Sokolit:
“S’ka leje, edhe unë kam dy muaj që nuk e kam parë nënën time”, Sokoli ishte ”risposta pagata”:
“Ju nënkryetar, nuk shkoni te nëna juaj, se nuk doni, jo se ju ndalon njeri”! dhe u nis drejt meje, ku po e prisja:.
“Nuk më dha leje”. Të mërzitur nga përgjigja e tij, shkuam në shtëpi, mërzitja zgjati pak, se ne e dinim mirë, se në dorë të kujt ishim për fat të keq, i vetmi që na mbronte nga ujqërit, ishte besimi në Zot.
Mbas demokracisë, si shumë të tjerë të kësaj kategorie, morën detyra të rëndësishme në shumë ministri, si në ministrinë e Jashtme e, të Brendshme, etj. Në vitin 1990, Mehdi Bushati u bë drejtor i Stadiumit “Qemal Stafa”, sigurisht do këtë dhe pension të mirë si ushtarak dhe me dekoratë: “për kontribut”, në të dy kohërat! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016