Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, të cilat janë pjesë e një dosje ku bëhet fjalë mbi historinë e rrallë dhe të panjohur të Ilia Lekës me origjina nga fshati Glinë i minoritetit grek të Gjirokastrës, familja e të cilit nga viti 1945-së jetonte në internim në fshatrat e Myzeqesë dhe babai i tij, Theodhoriu, ishte arrestuar që në vitin 1951 dhe vuante dënimin në kampe dhe burgje, i akuzuar si “agjent i Zbulimit Grek”.
Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për ta rekrutuar Ilian dhe më pas për ta arrestuar atë dhe arratisja e Ilias, së bashku me të vëllanë Kriston dhe xhaxhanë e tyre në Greqi, ku pas disa letrave kërcënuese që Ilia i bënte Enver Hoxhës, Ramiz Alisë e Adil Çarçanit, ku i’u kërkonte që ta nxirrnin të atin nga burgu dhe bashkë me gruan e djalin, ta lejonin të vinte në Greqi, ata të tre bënë një grevë urie para ambasadës shqiptare në Athinë, e cila zgjati deri në vitin 1984.
Grevë e cila shkaktoi probleme të mëdha diplomatike në mes dy vendeve, pasi sensibilizoi jo vetëm parlamentin grek dhe qeverinë e Athinës, por edhe shtypin grek dhe disa parti ultra-nacionaliste e qarqet shoviniste vorio-epiriote, me në krye Mitropolitin Sevastianos, që e shfrytëzuan atë për interesat e tyre, si dhe fjalimet e Ilia Lekës në Parlamentin Europian dhe Kongresin Amerikan, për shkeljen e të drejtave të njeriut në regjimin komunist në Shqipëri, deri sa e detyruan Enver Hoxhën të dilte dhe të deklaronte publikisht: “I them me përgjegjësi popullit vëlla grek se në burgjet shqiptare janë vetëm 46 shtetas nga minoriteti grek dhe vetëm 4 prej tyre për faje politike”, si dhe Ramiz Alinë që ta lironte nga burgu Theodhori Lekën në vitin 1989, duke e lejuar të shkonte përgjithmonë në Greqi.
Shkrimet e shtypit grek për Ilia Lekën, Shqipërinë dhe grevën e tre minoritarëve të familjes Leka, para ambasadës shqiptare në Athinë
- “Protokolli special i Korfuzit, i cili njeh helenizimin e Vorio-Epirit”. (17 maj 1914).
- Ratifikimi ndërkombëtar i Protokollit të Korfuzit dhe pranimi i tij prej qeverisë shqiptare (23 qershor 1914).
- Në Komitetin e të Drejtave për çështjen greke e shqiptare, në Londër (janar 1919), kryetari i Këshillit, Pavllo Kambon, pati deklaruar si më poshtë:
“Është e nevojshme që t’i japim konferencës mjetet e nevojshme për të kënaqur rivendikimet e vjetra të Greqisë dhe të përmbushet më në fund vepra e vetëvendosjes së popujve, që kombet liridashëse të Evropës e filluan para një shekulli”.
4. Senati amerikan, nëpërmjet senatorit, Lots, vendosi që Vorio-Epiri, mbas Korçës dhe Dodekanezit, ku mbizotëron elementi grek, nga konferenca t’i jepen Greqisë, sepse përbëjnë pjesë të pandarë të mbretërisë greke dhe 100.000 myslimanë.
Rajoni i jugut të Gjirokastrës, Dropullit, Pogonit: Delvinës, Himarës dhe pjesa e Korçës ishin krejt greke dhe kishin si gjuhë mëme greqishten. Funksiononin rregullisht gjithë shkollat greke dhe banorët, pothuaj të gjithë, flisnin greqisht. Me krijimin e shtetit të ri shqiptar, 1944-1945, Enver Hoxha-Shehu, i mbyllën të gjitha shkollat greke në këtë rajon grek, duke shkelur kështu vendimet e njohura ndërkombëtare për autonominë e vorio-epirotëve dhe kartën kushtetuese të OKB-së, për vetë vendosjen e kombeve, me gjithë faktin që prej Konferencës së Paqes në Paris, (29 qershor 1946 – fundi i tetorit 1946), çështja vorio-epirote mbetet e ndërvarur. Në Konferencën e Parisit në verën e vitit 1946-të, edhe Ministri i Jashtëm i BS në atë kohë, Molotovi, pati deklaruar zyrtarisht te qeveria e Caldarisit, se “pranon të regjistrohet problem i vorio-epirot në rendin e ditës së Konferencës së Katër Ministrave”.
Shtypi grek
Gazeta “Mesimvria”, me datën 16 shkurt, boton artikullin me titull: “Liberalët për qëndrimin e PASOK-ut ndaj vorio-epirotëve”.
Në të thuhet: “Çnjerëzore është qëndrimi i qeverisë greke ndaj të arratisurve vorio-epirotë, që arriti deri atje sa të urdhërojë largimin e tyre me anë të M.A.T-it, nga hyrja e ambasadës shqiptare, thekson në komunikatën e saj Partia Liberale.
Në komunikatë theksohet
“Partia Liberale denoncon tek populli grek këtë veprim të qeverisë së PASOK-ut dhe thekson, akoma dhe një herë tjetër, indiferentizmin e vazhdueshëm të saj për problemet minoritare të 400.000 vorio-epirotëve, shtypja e të cilëve është konstatuar në mënyrë të herë pas hershme nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut”.
Gazeta “Eleftheri Gnomi”, më 16 shkurt 1984, boton shkrimin “Paragrafët”.
Në të thuhet: “Liberalët e Nikitës dhe të Hondrokuqit muarrën nën mbrojtje të dy vorio-epirotët që po bëjnë grevë urie jashtë ambasadës shqiptare. Ata nxuarrnë dhe komunikatë për të denoncuar popullit grek faktin se policia u tha grevistëve që të largohen urtë e butë nga hyrja e ambasadës.
Paragrafi përkatës i komunikatës është si më poshtë:
“Partia e liberalëve i denoncon popullit grek këtë veprim të qeverisë së PASOK-ut dhe shënon edhe njëherë indiferentizmin e vazhdueshëm për këtë problem minoritar të 400.000 minoritarëve”. Por dikujt nuk i pëlqen ky paragraf dhe, për këtë qëllim nxiton të shtojë në po atë komunikatë, pikërisht ndën të, paragrafin që do të lexoni:
“Partia e liberalëve denoncon këtë veprim popullit grek që edhe njëherë shënon indiferentizmin e vazhdueshëm të qeverisë ndaj të drejtave të njeriut të 400.000 grekëve – shkelje që është konstatuar vazhdimisht nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut”.
Çudi: Nikita Hindrokuqi, cili paragraf ju përfaqëson i pari apo i dyti” Thuajeni që ta dimë…”?
Telegramet “Tepër sekrete” të ambasadorit shqiptar në Athinë, Ksenofon Nushi, dërguar Ministrisë së Jashtme në Tiranë, për Enver Hoxhën, Ramiz Alinë, Adil Çarçnin dhe Hekuran Isain
DESHIFRIM TEPËR SEKRET
Nr. 4768 Nga Athina
Nr. 327 Data 7.2.1984
MINISTRISË SE JASHTME
Provokacioni i të arratisurve vazhdon. Përpara ambasadës është ngritur një çadër ku duhet të kenë kaluar natën Ilia Leka me xhaxhanë e tij Spiro Leka.
Tash po shpërndajnë fletushka kalimtarëve. Policia ka dërguar një autobus me 10 policë. Ka mundësi që të bëhet ndonjë demonstratë. Tash nuk janë më shumë se 10 veta.
(këto i pamë në shtypin e mëngjesit)
Letra e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Shqipërisë për ambasadën greke në Tiranë
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
MINISTRIA E PUNËVE TE JASHTME P r o j e k t
Nr.
Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore Socialistë të Shqipërisë i paraqet komplimentet e saj Ambasadës së Republikës Greke në Tiranë dhe ka nderin t’i njoftojë sa vijon për t’ia transmetuar Qeverisë së Greqisë:
Prej disa muajsh me radhë, nga qarqe të caktuara reaksionare, tashmë të njohura nga autoritetet greke, zhvillohet një veprimtari intensive provokuese kundër Ambasadës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Athinë dhe personelit të saj. Këto provokacione shtrihen që nga shkrimet keqdashëse e më frymë armiqësore kundër ambasadës, me letra dhe telefonata fyese, kërcënime fizike dhe akte terroriste në shkallë të gjerë, që arrijnë deri në hedhje në erë të ambasadës. Letrat kërcënuese të këtyre provokatorëve, bile tashmë i kanë kaluar edhe kufijtë e Greqisë.
Krahas kësaj, po nga qarqet reaksionare shoviniste zhvillohet një fushatë propagandistike shpifëse dhe trilluese në gazetat dhe botimet të ndryshme greke kundër popullit shqiptar dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
AMBASADËS SE REPUBLIKES
GREKE
T I R A N E
Për të gjitha provokacionet e herë pas hershme është vënë në dijeni Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë dhe asaj i janë dorëzuar edhe dokumenta. Po kështu Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë nuk ka munguar t’i tërheqë vëmendjen Ambasadës së Greqisë në Tiranë.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme greke vazhdimisht i janë dhënë premtime se do të merren masat e duhura për mbrojtjen e ambasadës shqiptare e të personelit të saj, si dhe për funksionimin normal të veprimtarisë së saj. Në notën Nr. 460 datë 30 qershor 1983 të Ambasadës greke në Tiranë, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, në përgjigje të notës shqiptare në Athinë me 24 qershor 1983 ndër të tjera thuhet:
“Për sa i përket sigurimit të personelit të Ambasadës Shqiptare dhe sigurimit të funksionimit normal të saj, janë dhënë tashmë udhëzime për të marr masat e nevojshme”.
Me gjithë këto sigurime të njëpasnjëshme të Qeverisë greke, provokacionet ndaj Ambasadës së Shqipërisë në Athinë janë shkallëzuar akoma më tepër. Ajo që është më e rëndë, është fakti se disa nga këto provokacione, sikurse ai i datës 6 shkurt 1984, janë kryer me dijeninë dhe prezencën e organeve të rendit publik grek.
Nuk ka dyshim se veprime të tilla të rënda dhe të përsëritura të qarqeve të caktuara që duan ta dëmtojnë marrëdhëniet midis të dy vendeve, ngarkojnë me përgjegjësi Qeverinë greke, e cila nuk ka marrë masat e duhura për t’i dhënë fund një gjendje të tillë anormale në marrëdhëniet midis shteteve dhe në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e përfaqësive diplomatike e të personelit të saj. Qëndrimi pasiv i autoriteteve greke nën pretekstin e “demokracisë” është një justifikim i papranueshëm dhe në fakt një inkurajim që nxit veprimtarinë kriminale të armiqve të miqësisë midis popullit shqiptar dhe popullit grek.
Për të gjitha këto Qeveria shqiptare proteston energjikisht, ngarkon me përgjegjësi Qeverinë greke për situatën e krijuar dhe pasojat që rrjedhin prej saj.
Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Socialiste të Shqipërisë i përsërit Ambasadës së Republikës së Greqisë, shprehjet e konsideratës së saj më të lartë.
Tiranë, më shkurt 1984
Letra e Ministrisë së Punëve të Jashtme për Komitetin Qendror
INFORMACION
Me 13 shkurt 1984 shoku Piro Bita thirri në takim të ngarkuarin me punë a.i. të ambasadës greke, N. Krisojellos, të cilit i dorëzoi notën tonë të protestës lidhur me provokacionin para ambasadës sonë në Athinë nga të arratisurit Ilia Leka e Spiro Leka që prej datës 6 shkurt.
Të ngarkuarit me punë i’u theksua se ky provokacion bëhet me synime të caktuara nga armiqtë e marrëdhënieve të mira midis dy vendeve dhe lejimi i tij ngarkon me përgjegjësi qeverinë greke e cila disa herë është vënë në dijeni për këto akte antishqiptare para ambasadës sonë në Athinë. I’u kërkua atij që qeveria greke të marrë të gjitha masat për t’u dhënë fund veprimeve të tilla nga elemente provokatore e kriminale dhe t’i krijohen kushte normale ambasadës shqiptare në Athinë për të kryer normalisht funksionin e saj si dhe të mbrohet personeli i saj.
I ngarkuari me punë morri në dorëzim notën dhe tha se do të njoftonte menjëherë qeverinë e tij. Ai shtoi se me siguri autoritetet greke do të marrin masat për sigurimin dhe funksionimin normal të ambasadës shqiptare dhe u përpoq të justifikonte veprimet antishqiptare me lirinë që ekziston në Greqi.
Tiranë me 14 shkurt 1984
I n f o r m a c i o n
Mbi një takim me ambasadorin e Greqisë (me 22.02.1984)
Ambasadori i Greqisë A. Papasliotis kërkoi takim dhe e prita bashkë me shokun Mihal Kallo. Ai dorëzoi Notën Verbale të ambasadës në përgjigje të Notës sonë datë 13.02.1984 lidhur me provokacionet e disa të arratisurve para ambasadës sonë në Athinë.
Duke komentuar atë ai vuri theksin në pamundësinë që të ndalonte manifestime të tilla për shkak të “lirisë” që i siguron kushtetuta çdo qytetari të shprehë lirisht mendimet e tij, tha se ngjarje të tilla, “sikurse ka vënë re edhe ambasada shqiptare në Athinë, ndodhin edhe ndaj ambasadave të tjera”, foli për “dëshirën e sinqertë të qeverisë greke që të forcohen marrëdhëniet midis dy vendeve, si dhe për masat që ka marrë ajo për të siguruar paprekshmërinë e ambasadës që nga fillimi i grevës së urisë”, para saj.
Jashtë Notës, tha ai, dëshiroj të vë në dukje se shpërndarja me forcë e demonstruesve ka shkaktuar një reaksion të madh në shtypin grek, e po merr përmasa të tilla që e përçajnë opinionin e brendshëm. Opozita akuzon qeverinë për shkelje të ligjeve e të kushtetutës. Qeveria vazhdoi ai, është për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, por me gjithë masat e saj, mbetet problem i kërkesave të këtyre njerëzve për familjet e tyre.
Një vit më parë, me porosi të saj e për të evituar ngjarje të tilla, unë kërkova të më jepshin disa informata për njerëzit e familjes së Ilia Lekës etj., por nuk pata përgjigje. Me qëllim që t’u mbyllet goja këtyre e sidomos opinionit grek që i përkrah ata e që shikon këtë si një çështje humanitare, do të ishte mirë që të kishim ndonjë përgjigje (ambasadori përmendi emrat e 8 vetave).
Kur i thamë se përgjigjen për këtë çështje ia kemi dhënë që vjet, se ata janë kriminelë dhe armiq e ne nuk merremi me ta, se ata janë qytetar shqiptar dhe shteti jonë ka ligjet e rregullat e veta, ai tha se kjo përgjigje qëndron plotësisht nga ana logjike dhe juridike, por duhet parë si çështje thjeshtë humanitare, si dhe për arsye se qeveria greke nuk mund të justifikohet para opinionit edhe për arsye se këta janë grekë nga kombësia e bëjnë mbi të presion me të gjitha mjetet.
Ai vazhdoi: ka disa probleme të kësaj kategorie që janë “shumë të vogla”, “një pikë uji në oqean”, për të cilat kam biseduar shumë herë gjatë dy vjetëve, por që nuk po zgjidhen. Kjo bëhet pengesë që marrëdhëniet të ecin përpara, sepse opozita i shfrytëzon ato për të penguar çdo hap që përpiqet të ndërmarrë qeveria. Kështu p.sh. shfrytëzon rastin e 20-30 grekëve të burgosur këtu e që ambasada nuk lejohet t’i takojë e t’u japë një paqetë cigare, shkruan për numrin e pakove që dërgohen në Shqipëri e që kthehen prapa, flet për ata që nuk marrin lajme për njerëzit e të afërmit e tyre. Duke mos u dhënë përgjigje ne, ata i drejtohen shtypit, opozitës, organizatave të ndryshme të brendshme e të jashtme, të cilat ngrenë një zhurmë të madhe kundër Shqipërisë, e cila ditët e fundit ka marrë përmasa tepër të gjera duke folur për gjera të qena e të paqena.
Detyra jonë, tha ambasadori, është që t’i zgjidhim këto gjëra “shumë të vogla”, në dobi të marrëdhënieve të mira midis të dy vendeve. Por ndërsa ne i vlerësojmë këto si çështje që pengojnë marrëdhëniet e që, po të zgjidhen, krijojnë kushte për të zgjidhur edhe çështje të mëdha, ju mendoni se duhet filluar nga çështja e madhe.
Ju përgjigjem atij se nuk janë këto “çështje të vogla” që kanë penguar zhvillimin më të mirë të marrëdhënieve, por mbajtja akoma në fuqi e “ligjit të luftës” u krijon kushte provokatore e armiqve të marrëdhënieve të mira midis vendeve, për të cilin ne kemi kërkuar të hiqet pikërisht në dobi dhe në interes të tyre, gjë që varet pikërisht nga qeveria greke, e cila ka trashëguar për arsyet që dihen një absurditet të tillë. Ne, tha ai, nuk kemi kundërshtim me ju për heqjen e “ligjit të luftës”, por nuk themi dot se kur do të bëhet, edhe për shkak të atmosferës së favorshme që duhet të krijojmë për këtë çështje. Prandaj duhet që të dy palët të bëjmë përpjekjet që të afrohemi në qëndrimet tona.
Lidhur me notën e tij, i thamë ambasadorit se vlerësojmë dëshirat e qeverisë greke për marrëdhëniet të mira midis të dy vendeve, por, ashtu siç thuhet në Notën e Qeverisë sonë, veprimtaria e disa kriminelëve të arratisur nga Shqipëria, si dhe e forcave që i kurdisin ato në Greqi e jashtë saj, nuk përputhet me dëshirat e interesat e të dy palëve. I thamë se provokatorët nuk e gjejnë forcën e justifikimit tek kushtetuta e ligjet greke dhe këto nuk janë objekt i Notës sonë.
Ne protestuam për veprimtarinë antishqiptare të provokatorëve e të forcave që i organizojnë ato e vumë në dukje se tolerimi i kësaj veprimtarie i ndihmon ata të veprojnë në këtë rrugë. Se cilat janë këto forca e ç’qëllime fshihen prapa kësaj veprimtarie, Qeveria greke e di më mirë dhe i takon asaj të marrë masat që t’i jepet fund kësaj situate.
Ambasadori pyeti në se duhet ta konsiderojë si përfundimtare përgjigjen tonë se neve do t’i japim njoftime për familjen e të arratisurve Leka. I thamë gjithashtu se i kemi shpjeguar në kohën e duhur atij e qeverisë greke se kjo është përgjigja jonë.
Ambasadori tha se qeveria e tij nuk do ta presë mirë këtë përgjigje, sepse do të vërë në vështirësi të tjera me ata që i shfrytëzojnë këto ngjarje, siç thamë më lart. Ai u përpoq të shpjegojë se për çdo hap që niset të marrë Ministri i Jashtëm, pengohet nga interpelancat e kundërshtimi i opozitës në parlament, se në Greqi jeta politike zhvillohet ndryshe e më shumë ngatërresa, se vetë ai e konsideron veten si ambasadori më fatkeq në Tiranë, për arsye se e pengojnë këto çështje “të vogla”, që të kryejë detyra më të rëndësishme për të çuar përpara marrëdhëniet etj., dhe se nuk mund të parashikojë se si do të zhvillohen ngjarjet me të arratisurit nga Shqipëria, të cilat kanë krijuar tashmë një opinion në favor të tyre e përpiqen të nxjerrin Athinën në rrugë.
I thamë atij se nuk besojmë që këta provokatorë të kenë fuqi sa për “ta nxjerrë Athinën në rrugë”, as të përcaktojnë marrëdhëniet në mes dy vendeve tona dhe se janë forca e arsye të tjera ato që i krijojnë këto situate, të cilat ata i dinë mirë, e që ne i kemi thënë hapur. I thamë gjithashtu se po të jetë që vërtetë se shqetësohen në Greqi për familjet e dy të arratisurve, për të cilat nuk shqetësohen as ata vetë, i ktheni në Shqipëri, siç ju kemi propozuar në fillim, dhe le t’i shohin vetë familjet e të afërmit. I theksuam se këto nuk janë çështje thjesht humanitare, siç i paraqit ai, por politike armiqësore kundër dy popujve tanë e marrëdhënieve midis tyre.
I thamë gjithashtu se disa çështje konsullore për të cilat foli ai (përmendi familjen greke Konomi, etj.), janë zgjidhur, të tjerat janë në studim. I përmendëm propozimet tona të njohura për një sërë marrëveshjesh që çojnë përpara marrëdhëniet midis dy vendeve etj. Ai ngulte këmbë se në “problemet e vogla” që pengojnë të mëdhatë”.
Përpjekja e tij ishte që të vinte në dukje se dëshirat e qeverisë së tij për marrëdhënie të mira me Shqipërinë gjejnë vështirësi nga moszgjidhja e këtyre çështjeve “të vogla” për shkak të kundërshtimit që has ajo në opozitën, si dhe të ligjeve e të ngatërresave në Greqi./Memorie.al
Kallo Piro Bita
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016