Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në mesin e muajit tetor të vitit 1982, menjëherë pas arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu (asokohe ministër i Mbrojtjes Popullore) dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehu, (asokohe ministër i Brendshëm, arrestuar më 22 mars 1982), me porosi të Enver Hoxhës dhe me urdhër të Hekuran Isait, u krijua Grupi Operativ Special, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht drejtor i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, ku si ndihmesa të tij, ishin Enver Zeneli dhe Hasan Ulqinaku. Detyra kryesore e këtij grupi, ishte; “Zbulimi dhe hetimi i veprimtarisë së grupit armiqësor”, të kryesuar nga Kadri Hazbiu, ku bënin pjesë edhe Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Fiqret Shehu, etj., si dhe lidhjet që ata kishin pasur me ish-kryeministrin Mehmet Shehu.
Përveç detyrave të tjera, siç ishin; rishikimi, studimi dhe analiza e një numri të madh dosjesh dhe dokumentesh arkivore, që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe (1945-1982), “Grupi Operativ Special”, u bëri thirrje dhe u kërkoi edhe disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSH-së dhe ish-kuadrove të lartë drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim, ato që ata dinin apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, apo dhe personave të tjerë, me të cilët ata i kishte lidhur puna apo jo, gjatë periudhës që ata kishin shërbyer pranë asaj ministrie, apo në Degët e Brendshme në rrethe, në sektorin e Zbulimit Politik, pranë përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtete të ndryshme të botës, etj.
Ashtu siç kishte bërë që nga viti 1945, pothuaj me të gjithë “grupet armiqësore”, ku shumë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, ish-funksionarë të lartë partiakë dhe shtetërorë, si; Koxi Xoxe, Nako Spiro, Kristo Themelko, Pandi Kristo, Nesti Kernexhi, Tuk Jakova, Dali Ndreu, Liri Gega, Panajot Plaku, Koço Tashko, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi, Fiqret dhe Mehmet Shehu, etj., i kishte akuzuar si “agjentë të UDB-së”, edhe të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, Enver Hoxha nuk do t’ua kursente aspak atë akuzë. Nisur nga kjo, Grupi Operativ Special me në krye drejtorin e Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizin, që u ngrit menjëherë pas arrestimit të Kadri Hazbiut në tetorin e vitit 1982, nisi menjëherë nga puna për studimin e dosjeve arkivore në ngarkim të ambasadës jugosllave në Tiranë, duke i shikuar dokumentet që i përkisnin atij “objekti”, që nga viti 1945.
Për përzgjedhjen dokumenteve në fjalë dhe përgatitjen e një raport-informacioni të hollësishëm që do i vihej në dispozicion Grupit Operativ Special dhe më pas grupit të hetuesisë speciale me në krye Pelivan Luçin dhe Thoma Tutulanin që do të zhvillonte procesin hetimor ndaj “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut”, u caktua hetuesi i Sigurimit të Shtetit, Shkëlzen Bajraktari, (pjesë e atij grupi hetimor), i cili për shkak të origjinës së tij nga rrethi i Tropojës, pre-supozohej se do i njihte më mirë “agjentët e UDB-së” dhe dosjet në ngarkim të tyre. Në këtë kuadër, bën pjesë edhe ky dokument arkivor i cili është nxjerrë nga Arkivi Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), i cili po publikohet i plotë në këtë shkrim bashkë me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al
DOKUMENTI SEKRET I HARTUAR NGA HETUESI I SIGURIMIT TË SHTETIT, SHKËLZEN BAJRAKTARI, PËR VEPRIMTARINË ARMIQËSORE TË AMBASADËS JUGOSLLAVE NË SHQIPËRI NË PERIUDHËN 1945-1983, “AGJENTURA” E TYRE DHE PËRGJIMET E DIPLOMATËVE TË SAJ
Sekret
Ekzemplar i vetëm
Tiranë, më 7.2.1983
INFORMACION
Në bazë të hetuesit Shkëlzen Bajraktari, nga data 4.2.1983, deri më datën 5.2.1983, u studiua dosja e objektit të ambasadës Jugosllave, të degës së II-të të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. Nga studimi i kësaj dosje, tërheqin vëmëndje këto momente kryesore:
S….B….deponon se V…..D… i ka folur rreth një bisede që ka pasur me përfaqësuesit e legatës Jugosllave, këta e kanë pyetur V….nëse e njeh një grua që quhet B….dhe do të shkojë në Kinë, e martuar me një oficer, i cili është komandant tankesh. Ata interesoheshin që të miqësohej me këtë grua dhe nga kjo të mësonin se çfarë reparti ishte ky, vetëm për Tiranën, apo gjetiu? V… nuk ka pranuar, thotë S….sepse B….ish Anëtare Partie. (fl. 75).
V….B….deponon: “I vëllai i gruas së K….Th…..që është oficer në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilit me anë të vajzës së tij, V….i ka shpurë letra nga familja e T….në Tiranë. (fq. 174).
– Në historikun “Mbi veprimtarinë armiqësore të zbulimeve të legatës Jugosllave dhe lidhjeve të tyre në qendër dhe periferi në vitin 1965”, bërë nga Punëtori Operativ, Eqerem Manjaku, në faqen 5, ndër të tjera thuhet: “….nuk kemi mundur të shfrytëzojmë TO (Teknikë Operative), për faktin se në seli nuk kemi, ndërsa në banesa nuk është parë me vend vendosja e tyre…!
Në planet e vitit 1965, ishte parashikuar në shkallë dege edhe survejimi shumë sekret i tyre, me qëllim që të krijonim bindje se ata nuk survejoheshin, kjo për të parë dhe zbuluar ndonjë kontakt interesant të tyre.
Por fakt është se surbejimi i tyre u vazhdua si zakonisht, d.m.th., me automjet, gjë që e ka vështirësuar zbulimin e lidhjeve me ndonjë kombinacion të mundshëm…”. (Fq. 212) Në informacionin Nr.4932, datë 10.9.1971, i Degës së parë, rezulton se spiunazhi jugosllav është i interesuar për S…Ll….G….Ll…e A….Ll…!
Dosja Nr. 3/2
Në informacionin; “mbi bisedën e Metin O Karaca, ambasador Turk, me ambasadorin Jugosllav, Branko Komatina, datë 16.1.1982:
Metin O Karaca: “….unë jam i mendimit se ai nuk ka vrarë vehten, por e kanë vrarë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një akt të vullnetshëm…..ai nuk ishte nga ata që mund të vriste vehten, këtu mund të jetë në mes ndonjë çështje rivaliteti (fjala për armikun Mehmet Shehu, shënimi ynë).
Branko Komatina: “….diçka ra në sy gjatë Kongresit. Kish diçka që kish ndryshuar në qendrimin e Enver Hoxhës. Ai nuk ishte më si i mëparëshmi. Po kështu kësaj rradhe, mbas daljes së Hoxhës në sallë, nuk vinte Shehu, por R. Alia, K. Hazbiu, S. Stefani, etj., dhe më pas një grup i tretë me pjestarë të tjerë të Byrosë Politike….ju e dini se Shehu nuk ka qenë i durueshëm.
Përderi sa Hoxha ishte gjallë, ai as që mund ta mednonte se mund ta zevendësonte. Diçka ose dikush, duhet ta shpejtonte këtë gjë. Pra një luftë e brendshme për pushtet”. Diçka nuk shkonte, ndoshta Shehu mendnote se shumë persona ishin me mendimin e tij, por në mendimin kritik, të gjithë u vunë në anën e shefit të madh e kështu ai mbeti vetëm…”!
– Në informacionin e datës 8.5.1980, (fq.92), nga bisedat e zhvilluara ndërmjet atasheut grek, Michel Mazaris, me Sekretarin e Dytë të ambasadës Jugosllave, Miodrag Perunoviq, ky i fundit është shprehur: “…në këtë drejtim janë duke u marrë masa themelore, sepse Udhëheqësi Shqiptar parashikon çdo gjë, përsa i përket ideollogjisë, dhe zbatimit të saj plotësisht.
Për këtë flasin edhe masat e fundit. Siç janë ndryshimet në dy dikasteret më të rëndësishme, Ministrinë e Mbrojtjes, ku emërohet ish-Ministri i Punëve të Brendshme, dhe në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, ish-zv.ministri, krahu i djathtë i të parit dhe besnik i ideologjisë së Udhëheqësit Shqiptarë.
Duke emërur një person të ri në postin e Ministrit të Mbrojtjes, lirohet nga kjo detyrë Kryeministri, për të qenë në gjëndje për të kryer më mirë detyrën si Kryetar i Qeverisë dhe si sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së, në vënd të atij që vdiq”. /
Dosja Nr. 2
– Në faqen 107, tek “Lista e lidhjeve të legatës Jugosllave për qytetin e Tiranës, në numrin rendor 93, (i prishur me laps), është dhe emri i Z….H….”!
– Në faqen 113, në “Relacionin mbi albumin fotografike të personelit të ambasadës jugosllave, janë:
- – Nikolla Kajtiç – N/kolonel, ka qenë atashe ushtarak, 1945-’46.
- – Gjubo Ostriç – Sekretar i Dytë – viti 1945-1948.
- – Zhivan Radajkoviç – Atashe, Viti 1945-1946.
- – Janko Havliçek – Në vitin 1942, ka ardhur në Shqipëri me të vëllain, prej këtej ka shkuar në Itali. Më 1944, vjen prapë në Shqipëri, ka qenë në Brigadën e 23 Shqiptare, në fund të vitit 1944, është plagosur. Më 1946, është emëruar Atashe shtypi në legatën jugosllave, deri më 1949. Nga të dhënat del se ka qenë zbulues i UDB-së dhe ka zhvilluar aktivitet kundër vendit tonë.
- – Dimitri Dushan – atashe në vitin 1948-1949.
- – Drago Kassmeljan – këshilltar 1947-1949.
- – Vaisllav Kostiç – Sekretar i II-të–1948-1948.
- – Petriç Jashka – Më 1948, Ministër, më 28 gusht është larguar në Jugosllavi, dhe kthyer prapë më 10.XI.1949.
- – Kristiç Dragoljubs – ardhur në vendin tonë në vitin 1948, kandidat atashe shtypi, largohet në qershor 1950.
- – Mitar Damjonoviç – nënpunës, 1948-1949.
- Janko Urbançiç – ardhë më 1949, shofer. Ka qenë në UDB. Ka transportuar postën sekrete nëpërmjet kufirit në Jugosllavi.
- – Pashko Mishko – 1948, radist, ikur më 1950.
- – Mirko Kodiq – ardhur më 1946, përkthyes. Më 1948, emërohet kafaz. Ka zhvilluar aktivitet kundër vendit tonë.
- – Drago Flis – 1949, Sekretar i parë, ikur më 1950.
- – Tom Lonçar – ardhur më 1948 si nënpunës, larguar më 1950.
- – Gavro Lakoviq – ardhë më 1948 kafaz, në fakt ka qenë zbulues, larguar më 1950.
- – Vitamir Ribiç – ardhë më 1947, në fillim ka punuar në Shoqatën Shqiptaro-jugosllave, për ndërtimin e H/udhës Durrës-Peqin.
- – Ziko Sharkiq, ardhë më 1947 atashe ushtarak. Ka qenë N/kolonel. Sot Ziko është shefi Zbulimit për krahinën e Ulqinit në drejtim të Shqipërisë. Larguar më 1948. Thuhet se ka ardhë në vitin 1957 me tifozat e sportit në Shkodër, kur luante Potgorica-Shkodra.
- – Savo Bozhidaroviq – ardhë më 1946, ka qenë n/drejtor i Shoqatës Shqiptaro-Jugosllave, për ndërtimin e H/udhës Durrës-Peqin. Ka bërë rekrutime në H/udhë, si Vera Kokalarin, Feti Dvoranin etj.
Në vitin 1948, mbas daljes së rezolucionit të Inform Byrosë, Savo emërohet këshilltar pranë legatës Jugosllave në vendin tonë. Ka organizuar grupin e parë në vendin tonë me Hysen Sejdinin dhe të tërhiqte Koci Xoxen në Jugosllavi. Savo është përzënë nga vendi ynë si i padëshirueshëm.
- – Arso Milatoviq – ardhë më 1956, si Ministër i legatës, në vend të Pedrag Ajtiçit, ka qenë oficer i UDB-së, qysh mbas Luftës së II-të Botërore. Është interesuar për fëmijët e Koci Xoxes. Ka rekrutuar Zija Dibrën. Larguar më 1958.
- – Rexhep Xhiha – ka ndjekur shkollën në Shqipëri, deri në klasën e parafundit të Teknikes. Më 26.1.1954, ka ardhur në Shqipëri dhe ka kryer rekrutime të shumta, si Petro Bullatin etj. Për aktivitetin ndaj vendit tonë, është përzënë si i padeshirueshëm.
- – Streçko Kovaçiç – ardhur më 1955, si sekretar i dytë dhe larguar më 1950.
- – Radovan Urashejev – ardhë më 5.6.1957, sekretar i parë. Deri në vitin 1958, ka qenë me gradën major. Më 1950, kur u organizua Qendra e Zbulimit në Prishtinë, ka qenë instruktor i Zbulimit për Shqipërinë. Ka përgatitur dhe dërguar diversantë në Shqipëri. Ka pasur……! Larguar më 1958.
- – Radivoje Ganiç – Atashe Shtypi. Ka qenë kuadër i UDB-së. Larguar më 1959 dhe në vënd të tij ka ardhur Murat Agoviç.
- – Aleksandër Miletiç – ardhë më 1954, shofer. Sipas të dhënave, ka pasur gradën major i UDB-së. Është shoqëruar me Rexhep Xhihën.
- – Tom Bukleçki – ardhur më 1954, si këshilltar. Qysh prej vitit 1944, ka punuar në organet e OZNAS. Më 1947 ka punuar në UDB. Ka gradën e N/kolonel.
- – Svetozar Koçiç – ardhë më 1955 si këshilltar. Ka qenë në vendin tonë gjatë luftës dhe mbas çlirimit. Ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme si këshilltar për Sigurimin e Ushtrisë, deri në qershor 1948, duke pasur gradën kapiten i parë dhe më vonë N/kolonel.
Ka rekrutuar disa elementë antiparti, si Dhora Leka, Liri Gegën etj. Organizoi Konferencën e Tiranës dhe kërkoi që të përçante Partinë. Është përzxënë nga vendi ynë si njeri i padeshirueshëm.
- – Murat Agoviç – ardhë më 15 mars 1959 në vend të zbuluesit Radivaj Geniç. Ka ardhur si atashe shtypi. Është me gradën kolonel. Është munduar të mësojë se ku gjendet gjeneral-Vaskë Gjino, Arif Hasko etj. Është munduar të mësojë, se nëse bashkë me Teme Sejkon, është arrestuar dhe Abdi Mati.
Është munduar të mësojë se nëse në delegacionin e kryesuar nga shoku Koleka që shkoi në Kinë, kanë marrë pjesë ekspertë nga Ministria e Mbrojtjes Popullore dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Është interesuar se ku gjendet tani mbas goditjes, Liri Belishova, Maqo Çomo, Koço Tashko. Më datën 8.4.1961, është përzënë nga vendi ynë si njeri i pa dëshirueshëm.
- – Gajko Zduiç – ka qenë oficer i UDB-së me gradë kolonel. Ardhur në vitin 1954, Sekretar i III-të, larguar më 1962.
- – Joze Cikatiç – ardhur më 4. XI. 1959 dhe u dëbua si i pa dëshirueshëm më 23.2.1961. Ka qenë shofer. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

















