Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e tre
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al.
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE
17 E 18 DHJETOR 1981
Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.
Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.
SHOKU ENVER HOXHA: Vetëm një gjë që duhesh ta bënte nuk bëri Mehmeti dhe kjo lidhet një çikë me ftohtësinë, ose si me thënë me mbylljen në vetvete përpara këtij gabimi, që shokët i vuri në dijeni shumë cekët, deri sa të bëhesh autokritika. Mundet, siç të ndihmova unë, të të ndihmonin edhe shokët gjatë kësaj kohe, edhe i eliminonim të gjitha këto pyetje e disa gjëra që mund t’ia kishim thënë edhe shoqërisht, sesa zyrtarisht. Kështu që në ndërgjegjen tënde, mund të krijohet edhe një gjendje e vështirë, një gjendje dëshpërimi. Tani gabimi është bërë dhe po përpiqemi që asgjë të mos mbetet tek ty nga këto dëshpërime, prandaj kontakti me shokët, përpara se të bëhej mbledhja, do të ishte një ndihmë për ty.
SHOKU MEHMET SHEHU: Drejtë është, kritika është e drejtë. Edhe një pyetje: Pse i’a lejove vetes kur nuk do t’ia lejoje një tjetri? Edhe kjo u diskutua këtu.
Tjetër: Sentimentalizmat a duhet të kalojnë cakun e interesave të Partisë?
Në asnjë mënyrë nuk duhet, në rastin tim konkret ato e kaluan dhe e dëmtuan interesin e Partisë.
Këto ishin pyetjet që m’u bënë.
SEANCA E DYTË
Diskutime
SHOKU SIMON STEFANI: Çështja që po analizojmë ka të bëjë me shkeljen e vijës së Partisë në një nga pikat më kardinale të saj, siç është zhvillimi kurdoherë drejt e pa lëkundje i luftës së klasave. Argumentet që sillen në autokritikën e shokut Mehmet dhe në përgjigjet që ai u dha pyetjeve që iu bënë këtu, nuk janë bindëse dhe nuk nxjerrin rrënjët ideologjike të gabimit. Ju u futët në këtë rrugë të shtrembër, për mendimin tim, jo rastësisht, jo pa dashje, sepse, për njohjen e familjes së vajzës, dispononit informacione të plota para se të vendosnit për fejesën. Përveç informacionit që ju dha Ministria e Punëve të Brendshme, i ati i vajzës i ka folur Skënderit, si nëpërmjet vajzës edhe drejtpërdrejtë për përbërjen e familjes së tij. Skënderi ka biseduar me ju dhe i ka kthyer atij përgjigje, duke i thënë se: “Unë nuk jam më i vogël, gjithçka e kam biseduar me prindërit”, etj.
Veprimet tuaja pra nuk janë bërë të nxituara, siç thoni, se pse keni patur mjaft kohë për të gjykuar, matur e peshuar hapin që bëtë në fejesën e Skënderit. Por në këtë moment ju harruat vijën e Partisë, normat e saj, harruat luftën e klasave, vutë interesat e djalit dhe të familjes suaj mbi interesat e Partisë. Kam të drejtë të them se në këtë çështje kemi të bëjmë me shkelje me dashje të vijës së Partisë, të normave të saj, prandaj shpjegimet, që bëhen nga ju për shkaqet që ju çuan në këtë përfundim të gabuar, nuk janë bindëse.
Sentimentalizmi që mundoheni të argumentoni si element negative ka të bëjë me botëkuptimin tuaj dhe nuk shpjegon rrënjët e gabimit. Ai merret si një mjet për ta justifikuar atë që bëtë. Në materialin ku paraqitet autokritika juaj, pra, thoni se humba logjikën marksiste në marrjen e këtij vendimi. Bëjmë pyetjen pse ta humbitnit logjikën, kur partia na mëson vazhdimisht që çdo hap që hedhim në jetë, të shkojë mirë, sa i shërben ky revolucionit, popullit, Partisë sonë?
Ju, duke njohur mirë familjen e vajzës, nuk punuat për ta shkëputur Skënderin nga kjo vajzë, po dhatë pëlqimin për fejesën e tij me të. Gjithashtu nuk kërkuat të bisedonit e të konsultoheshit me shokët që të ndihmoheshit, me që kishit të bënit me një familje të tillë, por këtë çështje e diskutuat dhe e zgjidhët brenda familjes e në kundërshtim flagrant me normat e Partisë.
Cili është konkluzioni juaj? Pse Skënderi zgjodhi këtë vajzë që vjen nga një familje me qëndrim të keq politik, e nuk u përpoq të lidhej me një vajzë nga familje me qëndrim të mirë politik? Mos ky ka qenë i ç’thurur në jetë dhe nuk përfillte normat e shoqërisë sonë? Si mund të mos kish ky asnjë përgjegjësi para shoqërisë, para ligjeve, para disiplinës së Partisë? Në organizatën –bazë të Partisë ku bën pjesë Fiqreti, komunistët thanë se Skënderi edhe një herë tjetër është pleksur me një vajzë me qëndrim të keq dhe imorale, bile për këtë është thërritur edhe në Komitetin e Partisë të rrethit.
Tani që ai studion jashtë shtetit, ju i kini krijuar kushte jashtë normave e rregullave që kemi për studentët e tjerë. Nuk e kuptoj pse i bëni të gjitha këto ju, shoku Mehmet? Për mendimin tim, djali juaj, për fajin e rëndë që bëri, nuk duhet të shkonte përsëri jashtë shtetit, prandaj kam mendimin që ai të kthehet menjëherë në Shqipëri dhe të japë llogari në organizatën – bazë të Partisë si komunist.
Po ashtu qëndrimi juaj i gabuar ndaj fejesës së Skënderit, nuk mund të mos lidhet edhe me lëshimet që keni bërë ju edhe ndaj sjelljeve e qëndrimeve të djalit tjetër, Bashkimit dhe nuses së tij, që janë bërë përhapës të modës me veshje të papërshtatshme. Pastaj ajo shoqërohet edhe me njerëz të pakontrolluar e të dyshimtë. Të gjitha këto veprime e qëndrime të fëmijëve tuaj, nuk janë rastësi, ato kanë të bëjnë me mungesa të theksuara në edukimin e tyre.
Ju me siguri i shkoni veprimet e qëndrimet e fëmijëve tuaj që nuk përputhen me normat e shoqërisë sonë, që opinion ynë i shëndoshë nuk i duron e nuk i pranon. Atëhere masa ndaj tyre pse nuk merrni? Pse ndaj të tjerëve tregoheni parimor e të rreptë, kurse ndaj fëmijëve tuaj kaq liberal? Me veprimet e qëndrimet tuaja, ju keni rënë kështu në oportunizëm të djathtë, keni zbutur luftën e klasave, keni shkelur vijën e Partisë.
Ju në autokritikën tuaj radhitni disa veti o vese tuajat, siç mund t’i quajmë, negative si rrëmbimin, subjektivizmin, mendjemadhësinë, shpejtimin në marrjen e vendimeve etj. Po në punën tuaj në drejtimin e shtetit, në marrjen e vendimeve të shpejtuara e të pastudiuara mirë, sa kanë influencuar këto dobësi, këtë nuk na i thatë, me gjithë që ta bëra pyetjen. Çfarë konkluzione keni nxjerrë ju, pse ndodh ky fenomen? Unë mendoj se te ju këto nuk janë shfaqe, por fenomene. Ato janë përsëritur vazhdimisht në punën tuaj, në veprimtarinë tuaj si kuadër, si komunist, e që në njëfarë mase i kanë sjellë dëm të madh punës së Partisë.
Ju edhe shokët ju bëjnë vërejtje ose jua kundërshtojnë mendimet, nuk keni durim t’i dëgjoni, t’i vlerësoni mendimet e tyre dhe shpesh herë kaloni në arrogancë deri në fyerje. Kjo vjen se ju mendoni për të mirën e punës, ndërsa të tjerët jo. Ky qëndrim i padrejtë ka bërë që njerëzit, vartësit tuaj, të mos i thonë lirshëm mendimet, të jenë të ndrydhur, të mos kenë iniciativë e vetëveprim në punën e tyre. Pra në njëfarë mase ka munguar nga ana juaj zbatimi i parimit të kolegjialitetit në diskutimin e problemeve e në marrjen e vendimeve. Kjo ka bërë që shokët të flasin se ky ose ai veprim, do bërë se ka dhënë urdhër shoku Mehmet, e jo si rezultat i një vendimi të përbashkët.
Kjo vjen se është kultivuar mendimi se vetëm ti mund të marrësh vendime të drejta, ndërsa të tjerët duhet t’i zbatojnë. Kjo është një praktikë negative që ka të bëjë me mos vlerësimin e kuadrove të tjera, me moszbatimin e parimit të kolegjialitetit, siç thashë më lart. Këto që përmenda dhe plot të tjera kanë të bëjnë me stilin dhe me metodën tuaj, që është prapa nga detyrat e mëdha që kanë shtruar Partia e shoku Enver. Prandaj kërkohet që ju të bëni ndryshime rrënjësore në stilin dhe në metodën tuaj të punës.
Ju në autokritikë, flisni për imunitet nga influenca e armikut të klasës, sidomos nga rreziku i oportunizmit të djathtë. Oportunizmi si i djathë, dhe i majtë, janë njëlloj. Po u kritikove për oportunizëm të majtë, është e lehtë të kalosh te i djathti. Shoku Enver në një nga veprat e tij: “Ne nuk mund të mos mbajmë parasysh se në kushtet aktuale të rrethimit, e të presionit të gjithanshëm imperialisto-revizionist, jemi shumë larg asaj, që të mendojmë se jemi të imunizuar nga rreziqet”.
Këto mësime të Partisë që janë për sot dhe nesër aktuale për komunistët e kuadrot, nuk janë mbajtur parasysh nga ana juaj. Konkluzioni që nxjerr unë, është se ju mendoni se këto mësime, dhe kjo vijë e Partisë, nuk ka të bëjë për ju, se ato janë për të tjerët, se ata mund të infektohen nga ky presion, ndërsa ju jeni të imunizuar. Duke mos i patur mirë parasysh këto që thashë më lart, ju i hapët rrugë liberalizmit, i cili në çfarëdo forme që të shfaqet, është në thelb një shprehje e oportunizmit ideologjik dhe politik.
Mendimet e shfaqura si dëshira, për të martuar djalin meqë është 32 vjeç, apo shikimi i rrethit të ngushtë të familjes së vajzës, diferencimi që jeni mundur që t’i bëni familjes së Turdiut, janë gjykime pragmatiste dhe oportuniste. Po ashtu mendimet që i zgjidh vetë çështje të tilla, se i gjykon drejt, se nuk gabon, se merr përgjegjësi apo mendimi se marr në familjen tonë vajzën, e jo të tjerët, sepse ajo është e re 20 vjeçare, nuk do të influencojë dot tek ne, etj, tregon vetëm mendjemadhësi se nuk gaboni, se jeni të imunizuar nga presionet e armikut të klasës, por flet edhe për një gjykim egoist që e ndan veten e familjen, nga pozita që keni në Parti.
Edhe përsa i përket diferencimit për familjen, ju veproni gabim dhe në kundërshtim me normat e Partisë. Partia me kohë e ka saktësuar, me udhëzime të veçanta në dokumentet e saj, se kush quhen pjesëtarë të familjes, dhe të afërt të familjes. Po t’ju referoheshit këtyre materialeve të Partisë, do të ndihmoheshit që të mos binit në gabimet që ratë, nuk do të krijonit emërtime të reja si “familje e ngushtë” apo “familje e gjerë”.
Kam mendimin se shoku Mehmet, do të nxjerrë mësime e konkluzione, nga gjithë kjo ndihmë e madhe që po i jep Partia dhe shoku Enver, që në punën e tij e kudo të mos bëjë gabime të tilla, që i sjellin dëm të madh Partisë. Por është e domosdoshme që ai të punojë më shumë, për të njohur mirë e thellë, normat e Partisë. Të luftojë që ato, të zbatohen me përpikëri e pa lëshime, nga ai vetë e nga të gjithë të tjerët. Të keni mirë parasysh kritikat e shokëve shoku Mehmet, se edhe herë tjetër jeni kritikuar nga Partia, por jo gjithmonë keni reflektuar e bërë korrigjime në veprimtarinë tuaj.
Pra mos i harroni kritikat e shokëve. Të jeni më të thjeshtë, me komunistët, me kuadrot, me vartësit, dhe me njerëzit e tjerë, dhe mos krijoni tek ata mendimin se fjala juaj, është fjala e fundit e shkencës për të gjitha çështjet dhe problemet që dalin përpara, i zgjidhni vetëm ju dhe askush tjetër. Jo, çështjet dhe problemet, zgjidhen në bazë të ligjeve, orientimeve, kompetencave, normave, të caktuara nga Partia dhe asgjë më tepër.
Edhe shokët që punojnë në aparatin e Kryeministrisë si shoku Adil, shoku Manush, shoku Qirjako, shoku Pali, në veprimtarinë e shokut Mehmet, kanë parë të meta e dobësi, kanë parë që ai ka bërë gabime, që ka të meta të theksuara në metodën e punës, etj. Po nuk ja kanë kritikuar, e nuk i kanë qëndruar as në mbledhjet e qeverisë, as në ato të organizatës bazë të Partisë, po kështu dhe këtu në forumin e lartë të Partisë. Se pse nuk e kanë bërë këtë këta, mirë është e duhet të na e thonë.
Unë kam mendimin se shoku Mehmet, duhet të ndëshkohet në bazë të normave të Partisë. Mund ta them edhe më vonë pas diskutimeve, edhe si do të reagojë, por po e them edhe tani që ai si komunist, duhet të ndëshkohet, me vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit.
Me siguri nga kjo mbledhje edhe unë, do të nxjerr mësime në jetën time.
SHOKU PALI MISKA: Autokritika e shokut Mehmet, me gjithë faqet e shumta që janë shkruar nga ana e tij, nuk i përgjigjet asaj që është kryesorja, se çe shtyu atë, se ç’koncept e mendime të gabuara ka pasur që e sollën deri këtu, për të kryer një veprim të tillë që përbën një gabim të madh politik, që bie ndesh me politikën tonë e zhvillimit të luftës së klasave, dhe shkon në pajtim të hapur me armikun e klasës.
Ato arsyetimet që radhit shoku Mehmet si, sentimentalizmi ndaj Skënderit, karakteri i rrëmbyeshëm i tij, subjektivizmi e njëanshmëria në punë, mungesa e taktit të nevojshëm në kërkesën e llogarisë, mbyllja në vetvete për çështjet familjare, shfaqjet e mendjemadhësisë e të tjera, në të vërtetë nuk janë ato që të sollën deri këtu, por janë disa mendime e pikëpamje që bien në kundërshtim me ato që na mëson Partia.
Shoku Mehmet ka mendime të gabuara dhe për luftën e klasave. Ai nuk punon që fjalët t’i përputhë me veprat, atë që duhet ta zbatojnë të tjerët nuk e sheh të arsyeshme që ta zbatojë dhe për vete. Atë që kërkon që ta zbatojë mbarë rinia, në sjellje, veshje, e veprime, nuk e shikon të domosdoshme dhe për pjesëtarët e familjes së tij. Këto janë mendime e veprime të gabuara nga ana e shokut Mehmet. Edhe shfaqjet e sentimentalizmit atje e kanë burimin. Nuk duhet të jemi të tillë, ndaj ideologjisë borgjezo-revizioniste, na ka porositur vazhdimisht Partia e shoku Enver.
Këtu mendoj se dhe konceptet e gabuara që zbatohen në familjen e shokut Mehmet, e kanë burimin gabimet e tij. Ai gjithashtu ka mendime të gabuara rreth ndikimit të ideologjisë borgjezo-revizioniste. Shoku Enver na mëson se: “Armiku më i rrezikshëm, është ai që harrohet”. Të harrosh se dhe ti je i prekshëm nga ndikimi borgjezo-revizionist, është një gabim shumë i madh. Me veprimet që ka bërë shoku Mehmet, duke e quajtur veten e tij dhe në veçanti Fiqretin, se janë të imunizuar dhe se janë aq të zotë e të qartë, sa nuk ka se çfarë u bën armiku, atëherë ai e ka shkelur vijën e Partisë.
Të mendosh se do të ndikosh ti, në edukimin e nuses së djalit, e të rrethit familjar me përbërje të keqe politike, dhe të mos mendosh që ishte ajo që ndikoi tek ju, aq sa të lidhnit miqësi me të, është gabim i madh. Në rastin konkret ajo, ka ndikuar deri në atë shkallë, sa vetëm ne e dimë, ndërsa as djali e as Fiqreti, nuk dinë gjë. Armiku, në rastin konkret synon thela të mëdha, të lidhë miqësi me Kryeministrin. Ai, që na ka luftuar e na lufton, vjen e ulet për drekë te Kryeministri, lejohet që vajza e tyre të shëtisë me djalin e Kryeministrit, madje deri në Greqi e Suedi, dhe me insistimin e vetë Fiqretit, por ndoshta edhe të vetë shokut Mehmet.
Ja pra se ç’pasoja sjell pikëpamja kur e quan veten të imunizuar e të pagabueshëm. Fakti konkret flet vetë sesi në ditën me diell, atë që e ke luftuar dje, e ke këmbëkryq tek qoshja e oxhakut të shtëpisë sot. Duhet shtuar vigjilenca ndryshme armiku i klasës, vepron.
Gjithashtu mendoj se shoku Mehmet ka mendime jo të drejta dhe të gabuara edhe mbi disiplinën në Partinë tonë. Ai, i shtron me forcë problemet e disiplinës dhe e kemi dëgjuar kur flet dhe kërkon që të tjerët të zbatojnë rigorozisht disiplinën. Por ai, harron këtu veten e tij, harron se edhe ai duhet ta zbatojë atë ashtu, si të gjithë komunistët e tjerë. Shoku Enver na mëson se: “Në Parti, ka vetëm një disiplinë” se ajo, është e detyrueshme për të gjithë anëtarët e saj, pa përjashtim, qofshin këta punëtor, kooperativistë, nëpunës, funksionarë, apo udhëheqës. Disiplinës së Partisë pra nuk i shpëton asnjë njeri. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016