Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite, ku ndodhet një dosje me materiale sekrete e dokumente, që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu, në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14 tetor të vitit 1982, në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtarinë armiqësore” të tij për periudhën gati 30 vjeçare, kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme. Dosja me dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të, gjatë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij, që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.
Dokumenti me materialin “Tepër sekret” të Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, me akuzat ndaj Kadri Hazbiut, për kohën që ai kishte shërbyer si ministër i Punëve të Brendshme
Tepër sekret
MBI MUNGESËN E THEKSUAR TË VIGJILENCËS DHE GABIMET E RËNDA TË SHOKUT KADRI HAZBIU NË KOHËN KUR ISHTE MINISTËR I BRENDSHËM
(Material i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH)
Në një letër që i shkruante shokut Enver përpara tri-katër ditëve, Kadriu thotë se “i kujtohet” që Teme Sejkoja ka deponuar që, kur Panajot Plaku u fut një herë në Shqipëri nga Konispoli, i shoqëruar nga Teme Sejko, erdhi deri në Pashaliman dhe, pasi e la Teme Sejkon, u fut në një shtëpi ku banonte një oficer sovjetik i Bazës së Vlorës dhe Arif Haskoja. Që ka ardhur Panajot Plaku në Shqipëri, jemi vënë në dijeni, por se ç’bëri, se u takua me oficerë madhorë, si Arif Haskoja, nuk na është raportuar as në formën e dyshimit, siç e paraqit tani në letrën e vet shoku Kadri. Por as në 1973-1974, kur u zbulua puçi ushtarak, nuk u ngrit kjo për Arif Haskon dhe ndaj tij nuk u mor masë penale, veç u nxor në pension. Ja edhe një shembull tjetër i zbatimit të konceptit antimarksist, që të mos i vësh në dukje Partisë aktet e dyshimta ose armiqësore të një personaliteti, të cilin e kishte bërë normë të punës së vet Kadri Hazbiu.
Vetë çështja e procesit të Teme Sejkos është mbuluar me një mister. Në “tablonë sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu”, shoku Enver thotë se nuk e kish të qartë komplotin e Teme Sejkos, dhe ç’rol ka luajtur Mehmet Shehu në të. Na ishte thënë se ky ishte një komplot i organizuar nga agjentura amerikane në Mesdhe. Në Kongresin e IV të Partisë folëm për këtë komplot. Sovjetikët bënë sikur u alarmuan, bile Gomulka na propozoi të çojë një komision nga Traktati i Varshavës, gjë që ia hodhëm poshtë. Ç’maskaradë!
Në letrën që përmendëm, drejtuar shokut Enver, Kadriu u shpejtua të sqaronte të gjithë problemin e Teme Sejkos, duke mos harruar të bënte edhe disa provokacione. Kjo letër me të vërtetë e sqaron problemin, por jo në atë drejtim që donte Kadriu. Tani as Byroja Politike, as shoku Enver nuk kanë më dyshime, e kanë të qartë atë që fsheh Kadriu: Që ky komplot i Teme Sejkos ishte i organizuar nga sovjetikët, nga Mehmet Shehu, Beqir Balluku etj. Kadriu këta të dy, kryesorët, në letrën e vet nuk i zë fare në gojë.
Tash po e sqarojmë çështjen: nuk diskutohet qenia e Teme Sejkos si agjent në lidhje me grekët, amerikanët (Flotën e 6-të) dhe jugosllavët dhe as qëllimet e tyre. Por në ato momente historike, as nuk mund të bëhej fjalë për ndonjë ndërhyrje greke e jugosllave e sidomos për një ndërhyrje të Flotës së 6-të, kur në Pashaliman ndodhej Flota sovjetike. Le të mos harrojmë se ishte viti 1960, kur me sovjetikët ishim me shpatë zhveshur. Ata po ndjenin fundin e tyre në Shqipëri dhe i’a kishin frikën dëbimit të flotës ushtarake të tyre nga Vlora.
Ne po përgatisnim sulmin në mbledhjen e Bukureshtit dhe në mbledhjen e partive komuniste e punëtore në Moskë. Ata na kërcënuan me shumë mënyra, bile në një letër na thoshin të shuanim “shkëndijën” që u ndez në Bukuresht. Por, duke parë vendosmërinë tonë, ata organizuan me agjenturën e tyre, Mehmet Shehun, Beqir Ballukun e kompani, të ashtuquajturin komplot të Teme Sejkos, se gjoja vendi ynë do të sulmohej nga Flota e 6-të, e mbështetur nga grekët e jugosllavët.
Me fjalë të tjera, sovjetikët na thoshin: mos bëni shakara, se sulmi është gati për të shkatërruar Shqipërinë dhe na e keni nevojën. Ky është versioni i vërtetë i komplotit të Teme Sejkos, që Kadriu as e kishte zbuluar atëherë, kur ishte Ministër i Brendshëm dhe as tani, që u zbulua veprimtaria armiqësore e Mehmet Shehut, nuk bëri tentativë të na e zbulonte, por e ka mbushur letrën me dhjetëra e dhjetëra fjalë “me sa më kujtohet” e me supozime të ndryshme.
Ai bile, trillon se gjoja shoku Enver ia ka aprovuar Kadriut dhe bandës që radhit ai në letër legjendën e çuditshme e shumë të dyshimtë të Teme Sejkos me këshilltarët sovjetikë, në një kohë kur Partia jonë po u përgatiste varrin revizionistëve sovjetikë, kur shoku Enver në Dajt po shkruante raportin që do të mbante në mbledhjen e partive komuniste e punëtore në Moskë.
Kadriu shkruan në letër se shoku Enver e thirri në Dajt. Kjo nuk është e vërtetë. E vërteta është shkruar në ditarin e shokut Enver, ku thuhet: “Dajt – 27 korrik 1960 – erdhën Beqiri dhe Kadriu dhe më raportuan për çështjen e Teme Sejkos e Co”. Pra, nuk ka vajtur vetëm dhe as e ka thërritur shokun Enver. Më 28 korrik është arrestuar Teme Sejkoja. Pra, vajtja e Kadriut dhe e Beqirit në Dajt kish për qëllim marrjen e miratimit për arrestimin e Teme Sejkos dhe jo për arsyen e njëfarë legjende.
Në asnjë fletë të ditarit të shokut Enver gjatë gjithë vitit nuk bëhet fjalë për asnjë legjendë, prandaj është një provokim i Kadriut kur ky, këtë “variant” që kishin kurdisur bashkë me Mehmet Shehun e Beqir Ballukun, thotë se ia ka paraqitur shokut Enver. Jo, shoku Enver as ka ditur, as ka miratuar asnjë “variant” të tillë. Kjo legjendë për komplotin e Teme Sejkos i ngjet shumë legjendës që kurdisën titistët me Koçi Xoxen e Beqir Ballukun, gjoja se po kërcënoheshin nga një sulm grek, prandaj duhej të vinin divizionet jugosllave “për të na mbrojtur e shpëtuar”.
Nga të gjitha këto që analizuam Byroja Politike nxjerr konkluzionin se Kadri Hazbiu mban rezerva. Byroja Politike nuk thotë se Kadriu ka qenë në dijeni të komploteve, por, që ka rezerva, s’ka dyshim dhe kjo vjen se për shumë vite ai ka qenë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i rrethuar nga armiq dhe nuk nuhati asgjë nga veprimtaria e tyre armiqësore e agjenturore. Në dy-tri letra, sidomos në një letër të fundit që i ka shkruar shokut Enver, Kadriu thotë që Partia dhe shoku Enver të kenë besim tek ai, sepse ka qenë dhe është besnik i Partisë dhe i shokut Enver. Të tilla deklarata mund të bëhen, por mund edhe të mos ketë nevojë që të bëhen. Është më mirë që ta gjykojë Partia, në bazë të punës së gjithsecilit, se sa është besnikëria e njërit dhe e tjetrit ndaj Partisë.
Besnikëria ndaj Partisë është besnikëria ndaj normave të saj dhe zbatimi i vijës dhe i normave të Partisë duhet të jetë i vazhdueshëm e vigjilent, pse vetëm ky zbatim në mënyrë të përpiktë përbën besnikërinë e patundur ndaj Partisë. Byroja Politike nuk konsideron, siç thotë Kadriu, se ka humbur krejt besimi ndaj tij nga ana e Partisë ose nga shokët. Jo! Por ky besim është dobësuar shumë. Prandaj Kadriu jo vetëm duhet të japë prova, por me një vullnet prej marksisti duhet të vazhdojë tërë jetën e tij rrugën revolucionare në interesin e Partisë, sepse këto gabime të rënda që ka bërë e masat që duhet të marrim, janë një sinjal alarmi për armiqtë, të cilët do të përpiqen të përfitojnë dhe ta dëmtojnë Partinë, në qoftë se Kadriu nuk është i bindur dhe i qartë për gabimet që ka bërë e për vendimet që merren karshi tij.
Këtë çështje Kadriu duhet ta marrë me seriozitet të madh e me gjakftohtësi; në asnjë mënyrë të mos bëjë marrëzira, po të përballojë jetën në kushte të reja të filluara që nga alfa, me seriozitet e besnikëri ndaj Partisë dhe t’i luftojë të gjithë ata të afërt, me mbeturina të vjetra familjare e fisnore, apo shokë të sëmurë me simpati të sëmura, që mund t’i vërtiten rreth e rrotull e ta nxisin që të tregojë në opinionin që e rrethon, se gjoja i qenka bërë një padrejtësi. Në qoftë se do të veprojë kështu si e këshillon Partia, atëherë ai do ta meritojë atë dorë që do t’i nderë Partia, që të fillojë nga a-ja për t’i shërbyer Partisë sa të ketë jetë. Po të bëjë të kundërtën, Partia merr masa më të rënda, pa pasur frikë nga askush. Interesat e Partisë e të vendit do t’i mbrojmë deri në fund.
Pikërisht, jo me deklarata për besnikëri ndaj Partisë, shokut Enver etj., por duke kthyer mirë vështrimin nga puna në të kaluarën në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke vënë në veprim kujtesën e logjikën në analizën dialektike e sintezën marksiste-leniniste për çfarë ka ngjarë në atë dikaster e për çfarë i ka ngjarë Partisë, duke dhënë fakte e tërhequr konkluzione në të mirën e Partisë, i shërbehet me ndërgjegje Partisë në këto momente të rrezikshme, për të cilat ka jo pak përgjegjësi, shoku Kadri.
Byroja Politike, shoku Enver në veçanti, janë munduar disa herë ta ndihmojnë Kadriun të reflektojë, të thellohet e të avancojë në autokritikën e tij. Këtë u përpoqëm ta bëjmë edhe në mbledhjen e Byrosë Politike gjithë shokët, të cilët folën hapët, drejt e me kurajë marksiste-leniniste, jo për ta shtypur e dekurajuar, por për ta sjellë në vete Kadriun, që t’i ndreqë gabimet, duke i parë në sy ato. Shoku Kadri ka luftuar e punuar gjithë këto vite, Partia e populli i kanë besuar përgjegjësi të larta. Por ai, të themi të voglën e më të voglës, ka treguar mungesë të theksuar vigjilence dhe ka lejuar e ka bërë gabime të mëdha politike, që i kanë kushtuar shumë popullit e Partisë.
Prandaj Byroja Politike gjykon se ai nuk mund të vazhdojë t’i mbajë postet që i ka ngarkuar Partia. Byroja Politike vendosi ta shkarkojë atë si ministër të Mbrojtjes Popullore dhe i propozon Plenumit të Komitetit Qendror që Kadri Hazbiu të përjashtohet nga Byroja Politike dhe nga Komiteti Qendror për mungesë të theksuar vigjilence dhe për gabime të rënda në kundërshtim me vijën e Partisë dhe interesat e shtetit, kur ishte ministër i Punëve të Brendshme.
Byroja Politike e këshilloi shokun Kadri që, deri në mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror, të thellohet më shumë në autokritikën e tij, në mënyrë që Plenumi të bindet në sinqeritetin e Kadriut. Ndryshe Byroja Politike do të bashkohet me çdo vendim që do të propozojë Plenumi i Komitetit Qendror. Komitetit Qendror të Partisë i vijnë shumë letra e rezoluta, ku i kërkohet fort “t’u vejë çështjeve deri në fund”. Duke pasur parasysh gabimet e rënda që janë bërë në Ministrinë e Brendshme, veprimet në dëm të Partisë dhe të interesave të Shtetit, në këto situata, Partia nuk mund ta ketë më atë besim që ka pasur më parë te Kadri Hazbiu.
Shokët shfaqën mendimet e tyre dhe mendimi i gjithë Byrosë Politike është se ka humbur shumë besimi ynë ndaj shokut Kadri, por shpresat, që ai të ndreqet, nuk i humbasim. Këtë vendim që po marrim për të, të mos e marrë shoku Kadri për dënim të rëndë, as faktin që nuk po e përjashtojmë nga Partia të mos e marrë për dobësi nga ana jonë, por si një shenjë që ne nuk e kemi humbur shpresën ndaj tij.
E këshillojmë shokun Kadri se është në të mirën e tij që t’u mbyllë gojën e t’u kthejë krahët atyre që do të mundohen ta nxisin kundër Partisë ose t’i ushqejnë njëfarë kulti që është krijuar për disa shokë të luftës, ose që kanë pasur përgjegjësi të lartë. E theksojmë këtë se nuk na pëlqeu fare që vetëm se nuk i’u përmend funksioni shtetëror si ministër i Mbrojtjes Popullore në mitingun e Pezës, Kadriu bëri 5-6 faqe protestë, duke e ngritur këtë si një gabim të madh dhe jo vetëm të një personi, por duke u shprehur me shumë nervozizëm që Partia nuk mori masa të menjëhershme për t’u dhënë fund parullave që ishin përhapur për të se u arratis bashkë me familjen etj.
Ç’mund të bënim më tepër? Aty ku u dëgjuan, parullat u hodhën poshtë, ne si udhëheqje menduam se dalja në presidiumin e mbledhjes solemne për 40-vjetorin e Konferencës së Pezës dhe dërgimi në mitingun e Pezës, do t’i përgënjeshtronin këto parulla. Armiku edhe me thashethemet bën punën e vet. Kështu ngjet, shokë, edhe me vdekjen e shokut Hysni Kapo. Është përhapur në gjithë Shqipërinë sikur shoku Hysni nuk ka vdekur nga kanceri, po e kanë vrarë me urdhër të Mehmet Shehut dhe me këtë tentojnë që Hysni Kapon ta bëjnë një martir të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut.
Kurse nuk është ashtu. Hysni Kapoja është një ‘Hero i Popullit’, një luftëtar i lavdishëm i Partisë, por s’ka asnjë dyshim që ai vdiq nga kanceri. Po pse hapen atëherë këto fjalë? Kush i hap këto? Ka edhe njerëz të ndershëm, që mund t’u kenë lindur dyshime në këtë çështje, por ka edhe armiq që kërkojnë t’i krijojnë vështirësi Partisë. Çfarë të bëjmë ne për këtë? Të mbajë një fjalim të veçantë shoku Enver, ku të thotë se nuk është e vërtetë që shoku Hysni Kapo është vrarë, po vdiq nga kanceri? Jo, Partia nuk e bën këtë, po e mbron shokun Hysni Kapo për meritat e mëdha që ka pasur, për shërbimet e mëdha që i ka bërë Partisë, por që vdiq nga kanceri, e vërtetuar kjo nga mjekët.
Shoku Kadri çështjen e prekjes së sedrës së tij personale, çështjet që “të mos njolloset e kaluara e tij”, të mos e vërë në krye përpara interesave të mëdha të Partisë. Pse nesër, në një mënyrë ose në një mënyrë tjetër, ne nuk do të rrimë pa ia thënë Partisë gabimet e Kadri Hazbiut. Kadriu duhet të ketë një opinion më realist e më të shëndoshë për Partinë dhe për popullin, për mendimet e tyre dhe për shfaqjen e këtyre mendimeve.
Le t’i përjashtojmë armiqtë që hedhin gjithfarë parullash, po opinioni i shëndoshë i Partisë dhe i popullit nuk është vallë në gjendje t’i bëjë pyetjen vetes dhe shoku-shokut se të gjithë krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë futur tani në burg, për arsye të një komploti që kish në krye Mehmet Shehun dhe kanë mbetur jashtë vetëm Kadri Hazbiu me Rexhep Kollin? Nuk mund të shkojmë më me mendimin që për njerëzit e thjeshtë të popullit e të Partisë është “tabu” të thonë ndonjë vërejtje për ndonjë udhëheqës. Vigjilenca e popullit dhe e Partisë është ngritur e forcuar shumë pas zbulimit të komplotit të Mehmet Shehut me bandën e tij në krye të Ministrisë së Brendshme.
Prandaj pyetje ngrihen e përgjigje duhet të japim. Por ne as kemi lejuar, as do t’i lejojmë armiqtë që të peshkojnë në ujëra të turbullta. I themi shokut Kadri se nuk është e para herë që ngjet një gjë e tillë, parullat e armikut kurrë të mos kujtojmë se nuk zënë vend. Ato zënë vend, por t’i mbushnit burgjet me njerëz, që gjoja lëshonin parulla propagandistike e që bënin agjitacion kundër pushtetit, siç bënte Feçor Shehu, të cilit disa herë shoku Enver i ka folur aq ashpër, sa nuk bëhet për këtë çështje, do të thotë se është pasur besim i madh në agjenturën e rekrutuar, në ata elementë sigurisht të dyshimtë për të kallëzuar në përgjithësi njerëz që mundet edhe të kenë bërë ndonjë kritikë kundër shfaqjeve jo të shëndosha në Parti nga njerëzit e saj ose në pushtet dhe që kanë qenë të drejta. Mirëpo përnjëherë këto merreshin si agjitacion e propagandë kundër pushtetit.
Edhe gjykimi i fajtorëve nuk është bërë në rregull. Nuk ka pasur kurrë një stabilitet të dënimeve për çështje të njëllojta, pavarësisht se ne kemi në dorë edhe kodin civil, edhe kodin penal. Por, duke pasur hetuesinë në duart e Sigurimit, dhe për fat të keq në krye të Sigurimit kanë qenë elementë të tillë armiq, këta influenconin shumë në dhënien e mendimeve mbi gjykatat dhe prokuroritë. Dënimet pra, më të shumtat e herës influencoheshin jo vetëm nga ekspertiza që bënte Ministria e Punëve të Brendshme, jo vetëm nga hetuesia që varej nga Ministri, por edhe nga influenca individuale e ministrit, zëvendësministrave e drejtorit të Sigurimit.
Kur ne i morëm këto masa, këtë e bëmë për arsye se mendonim që në Ministrinë e Punëve të Brendshme kishim njerëz të Byrosë, kishim punonjës të kualifikuar që do t’i respektonin normat e Partisë. Këto norma duhet të respektoheshin me rreptësi jo vetëm në hetuesi e në ekspertizë, por edhe në Prokurorinë e Përgjithshme e në Gjykatën e Lartë. Prandaj ka shumë probleme që duhen thelluar, duhen ndrequr, duhen riparuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në organet e Drejtësisë.
Parullat e armiqve duhet t’i luftojmë, t’i zbulojmë ato që i hedhin këto parulla, por lufta më e drejtë është që këto, kur nuk kanë bazë, t’i sqarojmë me kujdes. Duhet të kemi më tepër respekt për mendimet e komunistëve dhe për opinionin e shëndoshë të popullit, pse ai është opinioni që do të luftojë edhe punën armiqësore të elementëve të fshehtë e komplotistë. Zbulimi i komplotistëve të grupit të Mehmet Shehut e kompani, dhe masat që po merr Partia për të likuiduar këtë bandë të urryer kanë gjetur përkrahjen unanime të popullit e të Partisë.
Kjo duket në entuziazmin që shprehet në mbarë vendin, në rritjen e mobilizimit në punë, në gjendjen e shëndoshë moralo-politike që ekziston në tërë vendin. Të gjithë e shohin se shpartallimi i grupit armiqësor të Mehmet Shehut ishte shpëtimtar për atdheun, për socializmin. Të gjithë e shohin se pastrimi i trupit të shëndoshë të Partisë nga ky mish i huaj e forcon më tej Partinë dhe pushtetin popullor, i garanton fitoret e revolucionit, lirinë e pavarësinë e Atdheut. Komunistët dhe punonjësit kaliten në këto beteja dhe forcojnë më tej frymën revolucionare dhe shpirtin luftarak.
Prandaj t’i godasim armiqtë pa mëshirë dhe t’i dënojmë të gjithë ata që kërkojnë të dëmtojnë Partinë, të pengojnë ndërtimin socialist, të cenojnë lirinë e pavarësinë e atdheut.
Shoku Enver e përfundon “tablonë sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu” me fjalët “punë e vigjilencë”. Ky është lajtmotivi i jetës sonë. Mobilizim e punë e palodhur për ndërtimin socialist të vendit, për realizimin e planit në çdo fushë, në industri, në bujqësi, në arsim e kulturë. Vigjilencë dhe gatishmëri luftarake për t’i mbrojtur fitoret e revolucionit, për t’iu bërë ballë me sukses përpjekjeve dhe çdo komploti të armiqve të brendshëm e të jashtëm të vendit tonë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016