Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetë e tre
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite, ku ndodhet një dosje me materiale sekrete e dokumente, që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu, në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14 tetor të vitit 1982, në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtarinë armiqësore” të tij për periudhën gati 30 vjeçare, kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme. Dosja me dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të, gjatë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij, që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.
Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Tepër sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982
Seanca e dytë
SHOKU ENVER HOXHA: Ku është Ndreçi?
SHOKU NDREÇI PLASARI: Unë kam përgatitur një autokritikë të shkurtër 6-7 minuta, po të ketë mundësi, shokë, të më dëgjoni.
Gabimet e fajet e mia janë të rënda. Ato i kanë shërbyer qëllimeve armiqësore të Mehmet Shehut dhe kanë dëmtuar Partinë. Këto gabime e faje që mu vunë në dukje në mbledhjen e organizatës bazë të Partisë dhe që unë i kam njohur thellë janë: duke hartuar historikun e Brigadës I-rë, unë kam rënë në pozitat e Mehmet Shehut, i cili ka pasur si pikësynim që, për qëllimet e tij djallëzore, ta paraqiste atë njësi të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare si njësia që ka vendosur fatin e Luftës Nacional-Çlirimtare.
Unë e kam fryrë rolin e Mehmet Shehut, duke shkelur kështu kriteret metodologjike shkencore, marksiste-leniniste. Kam shkelur gjithashtu kriteret shkencore të botimit të dokumenteve, duke lejuar që; tradhtari Mehmet Shehu të fuste në vëllimin e parë të shkrimeve të tij të zeza, pesë materiale të fjalimeve të mbajtura nga tetori 1942 në korrik 1943 në Mallakastër, të hartuar gjoja fill pas çlirimit, gjoja në bazë të shënimeve që ka pas mbajtur.
SHOKËT: Pse t’i dëgjojmë këto? Të na thotë pse i ka bërë këto gabime.
SHOQJA MINE GURI: Pse i ka bërë këto, të na thotë.
SHOQJA TEFTA CAMI: Edhe në plenumin e Komitetit Qendror kur u dënua armiku Beqir Balluku, Ndreçi Plasari është kritikuar nga shoku Enver, lidhur me trajtimin e problemeve historike të Brigadës së II-të dhe të figurës së Beqir Ballukut, pse ai nuk ka nxjerrë mësime nga kjo kritikë:
SHOKU HEKURAN ISAI: Ka ca pyetje konkrete, more shoku Ndreçi: Pse për mikrofilmin e arkivit të Londrës që e ka parë dy vjet përpara, nuk ka informuar?! Pse e deformoi historikun e Brigadës I-rë dhe e nxori Mehmet Shehun ashtu? Këto janë pyetje konkrete.
SHOKU GAFURR ÇUÇI: Ndreçi frynte kultin e Mehmet Shehut dhe Mehmet Shehu lavdëronte Ndreçin. Në aktivin e ushtrisë dy herë Mehmet Shehu e ngriti lart Ndreçin, si njohës i mirë i Artit Ushtarak dhe kërkonte që të thirrej nga oficerët dhe të dëgjonin Ndreçi Plasarin. Edhe në zyrën e Mehmet Shehut, kur ishte këtu, më shumë vinte Ndreçi Plasari, sesa njerëz të tjerë.
SHOKU NDREÇI PLASARI: Unë jam munduar të thellohem gjithnjë e më shumë për shkaqet e këtyre gabimeve dhe fajeve dhe me ndihmën e shokëve unë kam arritur në përfundim se jam treguar oportunist, më ka munguar guximi, jam treguar frikacak dhe miop politikisht.
E them me bindje se këto kanë qenë shkaqet. Unë kam bërë gabim të madh, duke e mbivlerësuar personin e Mehmet Shehut, si një ndër “udhëheqësit kryesorë, sido që unë kam pas njohur tek ai nga dokumentet dhe nga jeta në Brigadën I-rë, gjithë ato gabime e të meta. Kurrë nuk më ka shkuar mendja që ai ishte ose mund të bëhej armik dhe kur mendoj se për atë tradhtar kam pasur konsideratë, më përvëlon gjuha tani.
SHOKU QEMAL BREGASI: Na ke bërë goxha moral dhe tani thua që “jam treguar oportunist”, jam treguar ashtu, jam treguar kështu. Ti kishe në dorë dokumentet.
SHOKU FOTO ÇAMI: Një nga kërkesat e historianit marksist-leninist, është t’i respektojë faktet, dokumentet.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po, historiani duhet t’i respektojë faktet, të vërtetat.
SHOKU FOTO ÇAMI: Ti i ke shtrembëruar ngjarjet, pse e ke bërë këtë?
SHOKU NDREÇI PLASARI: Puna e fakteve është një çikë ashtu, se dokumentet e Brigadës I-rë kanë qenë formuluar kryesisht nga Mehmet Shehu dhe ato nuk përfaqësojnë realitetin historik
(shokët shprehin mos aprovim).
SHOKU PIRRO KONDI: Po dokumentet e Shtabit të Përgjithshëm dhe veprat e shokut Enver i ka pasur parasysh shoku Ndreçi?
SHOKU NDREÇI PLASARI: Edhe ato i kam pasur parasysh, po kryesisht kam pasur parasysh ato të Brigadës I-rë, se në historikun e saj duheshin hollësirat.
SHOKU FOTO ÇAMI: Po pse i ke shtrembëruar faktet?
SHOKU MANUSH MYFTIU: Ti ke bërë dhe diçka tjetër, ndofta është shumë e vogël në krahasim me këto të tjerat: në albumin e 40-vjetorit, midis nesh si shtab brigade, ke futur Kadri Hazbiun, i cili nuk ka qenë në shtab, bile ajo ishte dhe fotografi e madhe, duket që është falsifikim.
Po këtë gjë e ke bërë dhe në muze. Nga muzeu e hoqa unë, – i thashë dhe Ramizit, që ky nuk hyn këtu, të thashë dhe ty pse e bëre këtë, kurse ti mu përgjigje: po ja kështu që ta nxjerrim. Ç’të nxjerrim? Ai nuk ishte në shtabin e brigadës, atëherë pse ta vinim? Pse bëhet ky falsifikim?
SHOKU NDREÇI PLASARI: Ka qenë një udhëzim, që të dilte një herë çdo anëtar i Byrosë Politike.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Po kur nuk ka qenë anëtar i shtabit të brigadës, pse duhej bërë falsifikim sikur ka qenë? (shokët shprehin mos aprovim për mendimet e Ndreçi Plasarit).
SHOKU NDREÇI PLASARI: Unë i kam bërë këto faje dhe janë faje shumë të rënda. Unë e thashë pse.
SHOKU PIRRO KONDI: Po pse pikërisht për këta je kujdesur, për Beqir Ballukun, Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun?
SHOKU NDREÇI PLASARI: Jo për Beqir Ballukun.
SHOKU PIRRO KONDI: Po për Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun pse?
SHOKU NDREÇI PLASARI: Ku është nxjerrë Beqir Balluku?! Fjala këtu është për Mehmet Shehun.
SHOKU PIRRO KONDI: Po pse dhe Brigadën e II-të.
SHOKU NDREÇI PLASARI: Jo, jo, historiku i Brigadës së II-të është botuar në kundërshtim me dëshirën time dhe unë kam kundërshtuar për këtë botim.
SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Po aty është emri yt!
SHOKU PIRRO KONDI: Po atë të Elbasanit?
SHOKU NDREÇI PLASARI: Edhe për Elbasanin nuk e kam lënë ashtu, e di shoqja Nexhmije.
SHOKU SOFO LAZRI: Në Drejtorinë Politike të Ushtrisë, para se të vije këtu, ti ke qenë një nga kuadrot kryesore për marrëdhëniet me jugosllavët.
SHOKU RITA MARKO: Bashkëpunëtor kryesor.
SHOKU NDREÇI PLASARI: Në Drejtorinë Politike?! Po, e kam thënë unë atë.
SHOKU SOFO LAZRI: Mos Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku të mbrojtën, të bënë gjeneral dhe këto vlerësime ti ua bëje atyre për mirënjohje?!
SHOKU NDREÇI PLASARI: Jo, nuk më ka shkuar mendja kështu. Po Mehmet Shehun e kam konsideruar gabimisht, si një nga bashkëpunëtorët kryesorë të shokut Enver.
Kështu e kam njohur. Ky është oportunizëm, mungesë vigjilence, po dhe frikë kam pasur, e kam thënë,
(shokët shprehin mos aprovim për përgjigjet).
Unë nuk prisja ndonjë gjë nga ata.
SHOQJA VITO KAPO: Strategjinë dhe taktikën e Luftës Nacional-Çlirimtare që e kishit vënë në veprën e parë të Mehmet Shehut, kush do ta bënte, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare apo Mehmet Shehu? Ajo ishte vepër e shokut Enver Hoxha.
SHOKU NDREÇI PLASARI: Për kë? Ku?
SHOQJA VITO KAPO: Në veprën e parë të Mehmet Shehut, kini vënë strategjinë dhe taktikën e Luftës Nacional-Çlirimtare.
SHOQJA TEFTA CAMI: Dhe ajo vepër ishte përpunuar nga Ndreçi.
SHOKU NDREÇI PLASARI: Në atë vepër u botuan materialet që kishte shkruar Mehmet Shehu.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kam unë një propozim: Unë mendoj se vendimi i organizatës bazë të Partisë të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste është i drejtë. Organizata bazë e Partisë e ka shqyrtuar çështjen e tij në mënyrë marksiste, sepse Ndreçi ka bërë gabime shumë të rënda.
Ai ka mbuluar shumë gjëra që dinte për Mehmet Shehun, nuk i ka qëndruar besnik pikërisht atij parimi të madh të historiografisë marksiste që të bazohet në faktet, në dokumentet.
Ky i ka fshehur dokumentet dhe këtu është dëmi i madh që i ka sjellë Partisë. Prandaj, duke qenë dakord me vendimin e organizatës bazë unë i propozoj plenumit të Komitetit Qendror të Partisë, të miratojmë përjashtimin e Ndreçit nga Komiteti Qendror i Partisë, se nuk e meriton të jetë në këtë forum të lartë të Partisë.
Përsa i përket përjashtimit nga Partia, mendoj të kemi parasysh që shoku Ndreçi ka bërë këto gabime po edhe ka punuar, ka bërë disa punë të mira, pra, ka pasur edhe rezultate, për shembull për hartimin e Historisë së Partisë dhe dokumente të tjera me rëndësi.
Ne këtu nuk jemi në gjendje të shikojmë dhe t’i masim të mirat dhe të këqijat e punës së tij, por mendoj që ne të miratojmë përjashtimin e tij nga Komiteti Qendror dhe t’ia kalojmë Komisionit Qendror të Kontrollit dhe të Revizionimit ta shikojë çështjen e Ndreçit, të mbetet apo të mos mbetet në Parti.
Domethënë vendimin e organizatës bazë të Partisë të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste për përjashtimin e Ndreçit nga Partia, të mos e gjykojmë ne këtu, në kuptimin se siç thashë ka dhe anë pozitive, po ta shikojë Komisioni i Kontrollit dhe i Revizionimit. Shoku Pilo ta diskutojë në këtë komision dhe të vendosin. Këtë propozim kam unë.
SHOKU ENVER HOXHA: Jeni dakord me propozimin? (Të gjithë shokët shprehen dakord).
SHOKU NDREÇI PLASARI: Të rrojë Partia!
SHOKU ENVER HOXHA: Dëshiron të diskutojë ndonjë shok tjetër? Heshtja do të thotë që nuk ka më kërkesa për diskutime. Atëherë mendoj ta mbyllim këtë seancë dhe të vijmë në orën 16.30 për të diskutuar çështjen tjetër. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016