Dashnor Kaloçi
Pjesa e tetë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite, ku ndodhet një dosje me materiale sekrete e dokumente, që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu, në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14 tetor të vitit 1982, në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtarinë armiqësore” të tij për periudhën gati 30 vjeçare, kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme. Dosja me dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të, gjatë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij, që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.
Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Tepër sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982
SHOKU HEKURAN ISAI: Na sqaro ti se ti e mban mend.
KADRI HAZBIU: Unë ta shkrova, po këtë e bëra me qëllim që edhe ti, shoku Hekuran, t’i verifikosh dhe të plotësohen se janë 35 vjet këto të tëra, hajde mbaj mend.
SHOQJA SOFIE ÇUEDARI: Po ju që keni qenë atje 30 e ca vjet nuk i keni verifikuar, po prisni të verifikohen tani?
KADRI HAZBIU: Jo, ato dokumente që janë, janë atje, po unë, nga sa më kujtohen, i’a thashë shokut Hekuran, t’i shikojnë këto si të rezultojnë.
SHOKU ENVER HOXHA: Po është e drejtë ajo që ka bërë?
KADRI HAZBIU: Cila?
SHOKU ENVER HOXHA: A është e drejtë që personit të dërguar nga Sigurimi i Shtetit për t’u futur në banda, për të fituar besimin, i jepet urdhër të vrasë njeriun me të cilin është në hasmëri? Është e drejtë kjo?
KADRI HAZBIU: Jo, nuk është e drejtë.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirëpo ky (hasmi) është vrarë nga ju. Pra, ky është krim.
KADRI HAZBIU: Kështu është.
SHOKU ENVER HOXHA: Epo kështu është, po thuaje që është kështu.
KADRI HAZBIU: Mua nuk më kujtohet me përpikëri se si ka qenë puna.
SHOKU ENVER HOXHA: A!
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Jo, ka rëndësi veprimi. Në këtë rast veprimi është antinjerëzor, është antiparti. Si e ke bërë ti dhe pse s’ke njoftuar?
KADRI HAZBIU: Po tani unë prandaj po them që të verifikohet si është kjo çështje. Mua më kujtohet një gjë, po nuk e di se janë 35 vjet që nga ajo kohë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kadri, shokët të thonë: ke vazhduar dhe ti rrugën e Koçi Xoxes, apo jo? Ky veprim është i Koçi Xoxes, apo jo? Thuaje kështu shqip. Si është kjo punë?
KADRI HAZBIU: Po të jetë bërë?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Po të jetë bërë?! Ti e di, a të është bërë, apo jo?
KADRI HAZBIU: Të verifikohet.
SHOKU SIMON STEFANI: Po pse ta verifikojmë ne, ja ku të kemi ty, ti ke qenë atje në krye.
KADRI HAZBIU: Po s’e mbaj mend, ore.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po Kadriu e ka thënë vetë.
SHOKU SIMON STEFANI: Po si nuk i mban mend ti këto? Këtë s’e mban mend, atë s’e mban mend, po çfarë mban mend pastaj? Ti përderisa ia ngrite këtë çështje shokut Hekuran dhe ta shikojë këtë, ç’do të thuash me këto? Ne të kemi ty të gjallë, po na i shpjego tani këtu?
KADRI HAZBIU: Po të jetë bërë kjo, është tamam ashtu.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po ti vetë i ke thënë.
KADRI HAZBIU: Po të jetë bërë, kjo është e jashtëligjshme, në frymën e Koçi Xoxes. Jam dakord me ju.
SHOKU SIMON STEFANI: Hë pra.
KADRI HAZBIU: Po të jetë bërë, keni të drejtë ta quani krim, veprim të jashtëligjshëm.
SHOKU SIMON STEFANI: Ti ke vazhduar me metodat e Koçi Xoxes pra, kundër vijës së Partisë.
SHOKU ARANIT ÇELA: Derisa thua të shikohet, ti e di.
KADRI HAZBIU: Po kam thënë të shikohet si episod, si ka ngjarë se nuk e mbaj mend mirë.
SHOKU RAMIZ ALIA: O Kadri, këtu e kemi Rexhep Kollin.
SHOKU ENVER HOXHA: Që ishte i ngarkuar me ndjekjen e bandave.
SHOKU RAMIZ ALIA: Rexhepi merrej me ndjekjen e bandave, e di Rexhepi këtë çështje.
KADRI HAZBIU: Po le të jetë këtu dhe le ta thotë.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: (Me zë të ulët). Se duhet të japë llogari edhe ky.
SHOKU ENVER HOXHA: Ngrehu Rexhep e na i thuaj.
SHOKU RAMIZ ALIA: Si është kjo çështje?
SHOKU REXHEP KOLLI: Për problemin që thuhet për Koçi Xoxen, Kadri Hazbiu ishte një nga shefat kryesorë në varësi të Koçi Xoxes. U arrestua Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji, Myftar Tarja, ndërsa Kadri Hazbiu jo, ai u mor nën sqetull nga Mehmet Shehu dhe shpejt, për një kohë të shkurtër kaloi e u bë zëvendësministër.
Edhe Kadri Hazbiu, i cili ka qenë shef i Sigurimit të Ushtrisë, ka njohur shumë materiale edhe për figurën e spiunit të regjur, Mehmet Shehu, sepse ishin në kontakt njëri me tjetrin, me hetuesi e me të tjerë në grup, ndaj të cilëve Partia mori masa, i arrestoi dhe i dënoi. Edhe ky e dinte se çfarë kishte Mehmet Shehu gjatë zhvillimit të proceseve në vitin 1945, 1946 e 1947. Si erdhi çështja që prapë e ndihmuan njëri-tjetrin Mehmet Shehu këtë, e ky Mehmet Shehun?
Edhe unë e kam mendimin se që këtu e ka zanafillën lidhja midis tyre. Në qoftë se thotë ky që Mehmet Shehu ishte njeri i lig, Mehmet Shehut ky i’a dinte po dhe Mehmet Shehu i’a dinte të gjitha këtij se i thoshte: “ke qenë bashkëpunëtor me Koçi Xoxen dhe me jugosllavët”.
SHOKU ENVER HOXHA: Hë.
SHOKU REXHEP KOLLI: Prandaj them që ky nxjerr kësi lloj cikërrimash në “autokritikë”, në këtë drejtim.
Unë desha të diskutoj, shoku Enver, dhe do të diskutoj.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë.
SHOKU REXHEP KOLLI: Se dhe unë kam përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe, po ky të thotë të drejtën.
SHOKU BEHAR SHTYLLA: Për ata që janë vrarë?
SHOKU REXHEP KOLLI: Në kohën e Koçi Xoxes janë bërë shumë krime, po edhe në kohën pas tij janë bërë krime dhe janë vrarë njerëz. Mua më kujtohet një rast që një bashkëpunëtor është pushkatuar me padrejtësi. Kanë bërë një veprim të tillë Lilo Zeneli e Zylfi Shahini, të cilët duhet të jepnin llogari dhe të gjykoheshin dhe janë gjykuar.
Edhe ky, Kadriu e di shumë mirë. Mua atëherë më ka thirrur shoku Hysni dhe më ka qortuar, më ka thënë: si edhe ti Xhepi e dije çështjen e kësaj. I kam thënë: kam bërë gabim në çështjen e kësaj dhe do t’ia laj Partisë. Po nuk e thotë: “janë të harruara, këto”, thotë ai.
Nuk janë të harruara, se këtu është çështja për biseda, për njërën e për tjetrën çështje anësore, këtu janë çështje thelbësore. Çfarë qëndrimi ke mbajtur ti Kadri? Unë do të thosha se ke mbajtur qëndrim reaksionar dhe oportunist. Pse me Feçor Shehun morët në mbrojtje të gjithë këta.
Unë do të them edhe për Feçor Shehun se ai kishte një rol kryesor. Ai, Kadriu na mori e na përplasi andej-këtej ne dhe i dha frenat në dorë Feçor Shehut, me hetuesi, me punë operative e me të gjitha dhe i la pas kokës gjithë komplotet se disa herë mund të zbulohej veprimtaria armiqësore.
Unë, të them të drejtën, ja ku e kam dhe diskutimin, shoku Enver, e lexova dhe materialin e Byrosë Politike dhe “autokritikën” e Kadriut dhe kam thënë: intrigë, mashtrim. Ky duhet të jetë më shumë se bashkëpunëtori i Mehmet Shehut.
KADRI HAZBIU: Po mirë, po…
SHOKU REXHEP KOLLI: Të japë dhe fakte dhe materiale.
Unë kam për të dhënë vetë llogari përpara Partisë dhe plenumit të Komitetit Qendror po meqë po kërkohej sqarim për ato çështje edhe unë shpreha mendimin tim.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë.
SHOKU REXHEP KOLLI: Unë them se Kadri Hazbiu dhe tri ditë mund të rrijë kështu, po ta lëmë.
KADRI HAZBIU: Jo, mo, të mos rrini, nuk ka nevojë.
SHOKU REXHEP KOLLI: Kur u bë Konferenca e Tiranës në vitin 1956, sigurimi ishte krejt në bisht. Drejtor i Sigurimit ishte Mihallaq Ziçishti, drejtor i Drejtorisë së Tiranës ishte Feçor Shehu. Sigurimi atje punonte, po kush e drejtonte veprimtarinë e Konferencës së Tiranës? Jugosllavët në bashkëpunim me rusët, me platformën e Kongresit të 20-të, për ta revizionuar Partinë dhe udhëheqjen e saj.
Dhe kur ishte çështja që të gjykohej tradhtia e Dali Ndreut dhe e Liri Gegës, këshilltarët sovjetikë hiqeshin si këshilltarë, po ishin gjarpërinj që u futën e depërtuan në radhët tona. Kadri Hazbiu ishte aty dhe kemi diskutuar me shokë. Ky thoshte: nuk duhet të jetë punë e Legatës Jugosllave, e Sigurimit jugosllav, po e personave të veçantë të zbulimeve të ndryshme.
KADRI HAZBIU: Po ti e di mirë, shoku Rexhep, se ç’kemi bërë ne kundër këshilltarëve, apo jo?
SHOKU REXHEP KOLLI: Ia ke thënë ti shokut Enver, udhëheqjes së Partisë këto gjëra që i kemi të shënuara, ku kemi thënë se nuk është ashtu?
SHOKU ENVER HOXHA: Jo, mua s’më kanë thënë.
SHOKU REXHEP KOLLI: Svetozar Koçiçi ishte elementi kryesor, kuadri kryesor, që ishte dërguar nga Titoja.
SHOKU ENVER HOXHA: Po.
SHOKU REXHEP KOLLI: Që ishte dërguar nga Titoja për lidhje speciale këtu në Tiranë. Ky kishte qenë këshilltar i Sigurimit të Ushtrisë, ku shef ishte Kadri Hazbiu.
SHOKU RAMIZ ALIA: Rexhep na thuaj kur ka qenë Svetozar Koçiçi në Ushtri, para vitit 1948?
SHOKU REXHEP KOLLI: Po, para 1948-ës.
SHOKU RAMIZ ALIA: Domethënë ka qenë këshilltar i Kadriut?
KADRI HAZBIU: Jo, shoku Ramiz, t’i verifikojmë një çikë këto. Ja, një minutë, se kështu hidhen shkarpat.
SHOKU ENVER HOXHA: Po dale të mbarojë Rexhepi një here, se s’ka mbaruar.
KADRI HAZBIU: Nuk po e kuptoj, është diskutim apo është pyetje tani?
SHOKU ENVER HOXHA: Do të ta japim fjalën edhe ty, Kadri.
SHOKU REXHEP KOLLI: Problemi ishte këtu që këshilltarët sovjetikë të cilët ishin në këto organe dhe mbanin një pozicion të këtij në një kohë që ishte vendimtare sepse ishte koha kur u bë Kongresi i 20-të dhe këta që ishin të Hrushovit po përmbysnin Partinë, Kadriu duke qenë ministër i Brendshëm, nuk erdhi për t’i thënë Partisë, pavarësisht si do të vepronte Partia, a do të vepronte atëherë, në atë kohë me taktikën e saj, apo jo, ajo ishte tjetër çështje.
Ky duhej të vinte të thoshte që këshilltarët sovjetikë kanë këtë qëndrim dhe me siguri udhëheqja e Partisë dhe shoku Enver do të kishin nxjerrë ashtu siç kanë nxjerrë konkluzione. Ky e di shumë mirë këtë. Kemi bërë diskutime, thotë Kadriu. Mund të bësh njëqindmijë diskutime, por për çështjet parimore duhet të vinte t’ia thoshte udhëheqjes së Partisë. Kam dhe të tjera, po pastaj po i them. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016