Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e pesëdhjetenjë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Mbas këtij pohimi u purpuros, duket ngriti krye ndjenja e neverisë së qenies së përulur dhe u rrek të vërtiste opinionin sipas midesë, por ndërroi mendje dhe zgjodhi të lehtësonte pozitën e parehatshme: “Do humbja shumë! Do humbja profesionin, do humbja këtë çerdhe, që e kam ngritur me thonj dhe me sakrificat e familjes”! – ndoshta ky argument e trimëroi: – “Ore, do troç ti? S’ta bëjnë për pesë këta, lidhin gomarin në vend të kalit dhe lamtumirë klinika ime! Këtu e gjetkë, ka mjekë plot, ani pse s’barazohemi profesionalisht”! – bardhësinë mermerore, ia zëvendësoi një e verdhë shafrani. – “Pastaj më mbetet miniera. Po mua s’ma mbajnë këllqet! Ndaj dua s’dua, do sillem i përulur. E morët vesh”!
M’u shkreh në shumës, si të ishin rreshtuar tërë mosbesuesit pas shpatullave të mia, madje edhe ata që qe këmbyer gjatë viteve, po s’ishin aktualisht në Spaç.
“Vërtet unë kam probleme, ama s’jam spiun, s’jam imoral, s’jam neqez!” – shtoi i nervozuar. Mbase me këtë shfrim mëtonte të mbyllte gojët e liga.
“Mos e merrni për dobësi karakteri, debulesën time”! – shtoi enigmatik. “Hë pra, të dalë kush e, të m’i faktojnë thashethemet!”
Bëri sikur kushedi ç’po vërente mes arabeskave të shtrembëta ne librin e vizitave, por dukej ashiqare që ish hutuar, si t’i kish humbur gjilpëra në kashtë. Mbeta pa gojë. Shtangu edhe infermieri, që e dëgjonte për të mijtën herë apologjinë e atij shpirti të mbingarkuar, mbase padrejtësisht. Ndonëse disponoja një mori argumentesh për t’iu kundërvënë, heshta…, sepse m’u dhimbs.
Mbase ishte i bindur tërësisht në versionin që mbronte, por pavendosmëria që e karakterizonte, s’mund t’i davariste hijet e së shkuarës; mbase mendja e tij pragmatiste dhe utilitare, s’arrinte ta perceptonte sakrificën në emër të një ideali madhor, sepse shpirti meskin, s’arrinte të çante labirintin e faktorëve që e shtynin një krenar të përgjegjshëm, drejt akteve sublime.
“Mbase mbron me të drejtë investimin, po s’ka gjetur rrugë, mënyrën apo mjetet e paqortueshme! Mbase në konceptin e tij, “nderi” paraqet një kostum të gatshëm, të prerë për të gjitha masat! Mbase ka lindur shëronjës i madh, por karakter i vogël”!
Mendimin e atëkohshëm, vazhdoj ta ruaj edhe sot e kësaj dite, të përforcuar edhe nga fjalët e Dom Mark Hasit, në birucat e Repsit: “S’kanë le të gjithë për heronj! S’janë prerë të gjithë, m’u sakrifiku si Krishti…”!
Të gjitha këto kalova ndër mend, por s’bzana, heshta dhe durova grafetat metalike, që po më shkulnin nga mishi.
“Oh”! – më shpëtoi një rënkim.
“Të dhembi”! – ndërhyri mjeku.
“Pak”! – u rreka ta minimizoja, por më theri në zemër.
“Duro edhe një çikë”! – më inkurajoi infermieri.
“Jepi, Vani”! – shtrëngova nofullat. – “Kam për të hequr akoma”? – s’di pse e bëra atë pyetje koti.
“Të shkume, qoftë e fundit”! – ngushëlloi dhe gërreu nën lëkurë me majën e kthyer të gërshërëve.
“Ndërmend kujtime të bukura, të harrosh plagët”! – dhe doktori u zgjat të merrte një flakon.
“S’të lë e sotmja të evokosh të shkuarën, që është tretur me vakt”!
Sidoqoftë, mbylla sytë të mos shihja masakrën mbi trup dhe u zhyta në ëndërrime. Injorova dhimbjet, i hipa “Pegasit” dhe fluturova në invers: Me vëllezërit Dyli, në fillimet e burgut në Reps, kur sapo kisha mbyllur një izolim njëmujor. Ish koha kur gjendesha nën avujt e “heroizmit” rinor:
“Kam një muaj që vë dhjamë”! – më fshiku veshin toni i ekzaltuar i Muharremit: – “Të lumtë qyreku, çuno, na zbardhe faqen”! – etj., etj.
“Boll Rrem, tani duhet ta mbajmë larg sherrit…”, – ndërhyri Rizai, vëllai i madh.
“Oh-u-ah, me moralizime përfundon shok i tyre, byrazer”! – iu hodh hë grykë i vogli. – “S’marrin vesh ky qen milet me hyshtje, vetëm huri i tije në islla! Me sojlliun, sojlli, me dinsëzin, dinsëz, atë ka soj ky xhinsi! Huri ka dalë nga xheneti, buçko! Hajt, mos çaj b…, ke vllanë ti”!
“Dale, Rrem, bëri një muaj birucë dhe ti avazin, jo hurin, jo qyrekun”! etj., etj.!
Kur Rrema zuri ngoje dobësinë e një miku, Rizai përmendi një shprehi shumë praktike: “S’janë prej hekuri, vëlla, është prej mishi robi i gjorë, një duron e, një s’duron”! – deshi ta zbuste i madhi inatin e më të voglit.
“S’po të marr vesh, byrazer! Pse ore, të tjerët lopa i ka pjellë? Me mish e kocka janë gjithë dynjaja, babam! Po janë farsë e dobët, xhan i vëllait”! – Rrema shtrëngoi grushtet si paladinët.
“Dëgjo Zaken, tani”! – m’u drejtua plaku. – “Perëndia i ka ndarë inatet dhe takatet në këtë jallane, o bir, ka bërë luanin, ka bërë dhe miun, njëri rron si mbret, tjetri poshtë nën dhe; ka bërë shkabën, ka bërë edhe zhabën, njëra rron në male, tjetra në kanale; po kur bëri mushkën dhe gomarë, mushka iu ngjit Tomorit me një kuintal, gomari me dy kosha, u shtri në kanal. Më kuptove si i ka jaratisur i Madhi Zot, qe i qofshim falë”?!
Urtia e plakut pa shkollë, me logjikë dhe gojëtari të shkëlqyer, s’iu linte gjë mangët poetëve! Këto blova kur infermieri, po më shqyente mishin me majat e pincetave dhe doktori po zbrazte zavallet e veta. I lidha me rastin, por te jem i sinqertë, s’i dhashë dot dum, ishte doktori i dobët apo, ne të paaftë?! Të pikasnim karakteret, apo mëtonte të shfrytëzonte rastin, të bënte katarsis prej thashethemnajës, apo tentonte të vetë-pastronte baltën, që i kishin hedhur me apo pa të drejtë, apo si pasojë e dhimbjeve kisha kaluar unë në delir, sa s’arrija të përqendrohesha e të arsyetoja kthjellët?
As atëherë, as më vonë, përgjatë viteve, s’arrita ta kuptoja plotësisht tipin e dyzuar, kontradiktor, cinik, nihilist dhe filantrop njëherësh. Kur qëlloi të hapte tema me zarar, që s’ia ushqeja për mungesë besimi, por e dëgjoja pa ia kthyer ose përpiqesha të shmangia thelbin, duke dhënë opinione as mish, as peshk, sapo vinte ndokush, veç infermierit, që dukej gëzonte besim të verbër, e anashkalonte apo e ndërpriste bisedën dhe niste nga detajet profesionale, por mezi priste të zbrazej sa krijohej konfidenca.
Këto ekuivoke më ngulitën idenë, se diç fshihte. Ndonjë muaj para lirimit, më ftoi për një kafe. Tashmë isha shëruar prej kohësh, përshëndeteshim kur piqeshim rastësisht, këmbenim edhe ndonjë opinion kalimthi, po vetëm kaq. Shoqërimit me të, i druhesha, ende s’qe shuar jehona e Revoltës së Majit, ku në disa procese penale, ai iu doli dëshmitar bashkëvuajtësve që ri dënuan.
Teksa shpresoja lirimin, ri dënimet u bënë kryefjala e ditës dhe burgu u rëndua, sa i ruhesha edhe këmishës në trup, jo më doktorit! Gjithsesi në respekt të kujdesit gjatë mutilitetit, pranova, por me mendjen top, t’i vija fre llapës. Ai poqi kafenë në një kënd të kuzhinës private dhe e ktheu në dy filxhanë, (dua të theksoj se ish nga të rrallët që dispononte filxhanë dhe s’i mungonte kafja).
Folëm për tema të përgjithshme, kur ra llafi te akuza për të cilën gjendej në burg, s’më mbeti veç të dëgjoja aferën e përfolur dhe mjaft delikate, për të cilën pëshpëritej gjerësisht në orbitën e burgjeve (sipas thashethemnajës, bëhej fjalë se e kishin dënuar për nekrofili, gjë që s’e vërtetova dot). Sidoqoftë, vepra për të cilën e akuzonin, i kalonte kufijtë e imagjinatës, për ta besuar atë, lipsej të arratiseshe në epokat primitive, kur njeriu dhe kafsha, ishin ende të paidentifikueshëm. Natyrisht e kisha dëgjuar në dhjetëra versione.
Pa e njohur më ish dukur fantazi, po kur rrëfenjën e tregonte autori autentik, merrte nuanca reale dhe futej brenda një suaze statike. Ai fliste dhe kapërdinte me zor kafenë, mbase duke u rrëfyer për atë krim që e deprimonte, rrekej të lehtësonte shpirtin, ndërsa makthi i të paimagjinueshmes, e bënte të ndihej mëkatar. Ato çaste m’u duk vetja si prifti në qelë, këtë do kish synuar edhe ai, t’i rrëfehej të besuarit të parë, që t’ua rrëfente të tjerëve, këta të tjerëve e të tjerëve, mbase i lehtësohej ndërgjegjja e ngarkuar, ndoshta edhe pa faj.
E dëgjova siç mund të kenë bërë shumë para meje, por e vërteta qe koklavitur ligsht, sa s’mori udhë ndonjëherë, ngjarja qe shndërruar në legjendë dhe legjendat mbeten legjenda, sa s’arrin t’i izoloj as tisi i misterit, bash si tyli i tejdukshëm, që s’e fshe dot atmosferën. Identifikimi me legjendën, e bënte të pabesueshëm, për ta marrë të mirëqenë, lipsej të ishe vullnetmirë.
Sidoqoftë unë u ndava mosbesues, madje edhe pas duzina vitesh, s’jam i sigurt në më ka rrëfyer të vërtetën. Gjithsesi u mjaftova me sajdinë intelektuale, të personalitetit të dyzuar me besueshmëri të cunguar. U zgjata me doktorin, jo për faktin se ruaj konsideratë të veçantë, por ai më rikuperoi shtatin dhe unë po rrekem t’i rikuperoj imazhin. Me Zotin në krah! Kjo pjesë është ekstrakt i rrëfimit të miqve, sepse unë endesha diku, mes Ferrit dhe Edenit.
Më shpunë në “klinikën e tij”, më shumë vdekur se gjallë. Po doktori iu përvesh një eksperimenti, që rrallë i kish rastisur në karrierën e gjatë profesionale; “të merrej me gjallesa të vdekura”. Fillimisht kish larguar nga ambienti i “klinikës së tij”, shoqëruesit, që tashmë e pengonin, veç kolegëve: Astrit Delvina, Met Karakashi, Bahri Marku dhe infermierin.
Kisha humbur shumë lëngje, ndaj më kishin shtrirë mbi një mushama të bardhë, më kishin ngulur gjilpëra nëpër vena, iu kishin lidhur përfund ca zorrë llastiku, për të përcjell serumin, teksa doktori kontrollonte kockat me dorë. Në “klinikën e tij”, mungonte pothuaj çdo aparature e domosdoshme për një spital, qoftë edhe fushor, mungonte aparati “Rëntgen”, për radioskopi e radiografi, mungonin pajisjet laboratorike, mungonin ilaçet, por ekzistonte gatishmëria, dëshira, vullneti dhe përkushtimi i mjekut, që vijoi ekzaminimin me ego profesionale.
Me të hasur ndonjë eshtër të thyer, jepte urdhër të nakatosnin ne një legen llamarine, ca pluhur allçie dhe e shtrinin ashtu të njomë mbi retrat e shqyera nga ndonjë çarçaf i vjetër, që s’di kujt ia kishin hequr nga jataku. Këtë masë bezeje e llapaje, ma pllakosën mbi gjymtyrët e biriuar dhe e shtrënguan me gazra deri sa ngriu. O Zot, pesëdhjetë kile burrë, më ngarkuan njëqind kile allçi! Me plandosën kësisoj, mbi një shtrat dhogash të palatuara, ku do lëngoja gjatë.
Në “klinikën e tij” mbretëronte heshtja, jehonin vetëm hapat e mjekut që me stetoskop në qafë, i binte kryq e tërthor “selisë”. Jepte urdhra me gjysmë zëri, por s’priste t’i zbatonin, rendte dhe i kryente vet, i lipsej një alet, zgjatej dhe e merrte vetë; i duhej një age, apo shiringë, hapte autoklavën dhe e merrte. Pra përballoi një volum që në çdo klinikë tjetër, do nevojitej një goxha ekip.
Natyrisht s’i mungoi ndihma e kolegëve dhe e infermierit, që s’e ndante nga vetja, sa kur shprehej “unë”, me gisht rrëfente Vanin dhe nënkuptohej “ne”. Pas pesë-gjashtë orësh, ish dhënë i dërrmuar, në derën e “klinikës tij”. Kur e pikasën të drobitur asisoj, miqtë s’guxuan ta pyesnin, sepse çehrja e zymtë dhe trupi i lëshuar, s’ishin ogur i mirë, po i hapën shteg të përshkonte rreshtat si në revistë funebre. Ai iu drejtua nevojtoreve ca metra më poshtë dhe u kthye pas pak i çliruar dhe me fytyrën ku i ish davaritur zymtia e mëparshme, por i vareshin qeskat nën sy dhe qepallat e fryra e të mavijosura, si t’i kish grimuar me rimel. Ai pako ndryshim i dha kurajë dikujt që iu drejtua:
“Eh, doktor, si…”? – por iu tremb përgjigjes; “na la!”, ndaj s’guxoi ta çonte pyetjen më fund. – “Zoti e ndihmoftë, unë bëra timen”! – qe përgjigjur ai lakonik.
“Allahu ekber”! – ish lutur dikush.
“Vër dorë, o Shën Mari, nëna e Krishtit”! – e kish pasuar një tjetër.
Dhe u larguan me llullat ndër dhëmbë, që të gatiteshin për një tjetër natë të lodhshme, mbase edhe për një tjetër fatkeqësi më të dhimbshme. Pesë ditë, as gjallë as vdekur, në “klinikën” ku vigjilonte Kosovrasti me Vanin. U dergja mbi dhoga mes zorrëve që vareshin mbi kokë dhe kercillnin lëngjet nga shishet e ngulura në tavan, te aget e zhytura në venat e parakrahut dhe e shpërndanin në gjithë periferitë e shtatit. Çdo orë të ditës apo natës, dy-tre miq do bënin sanitarët, më ngrinin e shtrinin sipas këshillave të mjekut. Kur infermieri pikasi ditën e pestë, një fërgëllimë qerpikësh, pasuar nga një rënkim i zgjatur, belbëzoi i sigurt: “Jetë”
“Jetë, jetë”! – e pasuan dy miqtë. “Jetë”, përsëritën të tjerët pas derës.
“E vërtetë apo imagjinatë”?
“Zoti e di”!
Po errësira u gris. Sërishmi në jetë. Me të kapur sinjalin, engjëjt dhanë kumtin, kurse miqtë shpërthyen në ovacione, duartrokitje dhe lëvdata, për individin e urryer për veset, po të adhuruar për zanatin:
“Lejomë të të puth duart”! – e luti patrioti im, Bajram Hoxha.
Por mjeku i ngashëryer e kish pushtuar Bajramin e vogël, me shtatin kaba.
“Dio mio, bravo dottorë”! – i qe përgjëruar sy përlotur, Anxhelo Bertoni.
“Grazzie tante, signore”! – ia ktheu mjeku në gjuhën e vet.
“O Theos, jasu megallo jatro”! – e falënderoi Vasil Dhimitriadhis, greku me histori të çuditshme. “Jetë”! kish klithur “Marroku”.
“Jetë”! kish mjaullitur mica, nga sipër çatisë me kartoserë. “Jetë, ‘re-ee”! kish përcjellë Malo tellalli, me zërin gjëmimtar.
Mishmash pyetje-përgjigjesh, trokëllima nallanesh, zhurmërima opingash, gërvima bravash, jehona britmash, më fshiknin veshët si ultratinguj të ardhur nga orbitat jashtë planetare.
“O Allah, jetë”! – m’u fal mbi krye Haxhi Mekolli, nga Devolli. “Të dinim të vdekur o birkë, po të ruajti Zoti, që i qofshim falë”!
“E desh Zoti, pa rron”! – zëri i .
“A koci i fort nji ky, he burra”! – shkodrançja ironike e Shtjefën Lacukut. – “Asha at’ xhak Krishti, ka me ja hudh dekës e, me rr’nue ene nji shekull” – sikur përforcoi përcaktimin e mëparshëm.
“Lëneni çunin, ma! S’e shihni si ash ba”? – ishte Zihni Dervishi, nga Durrësi.
Tinguj jete! Sinjale drite!
Tashmë “Polifemi”, “Hadi”, Prokurori-patriot dhe plejada e marksistë-leninistë-dimitrovistë-maoistë-enveristëve të urryer, lehnin të tërbuar, mendja profetike e shëronjësit Kosovrasti. Ndërkaq isha i gjallë, kuptova se mund t’i dalloja njerëzit nga timbri dhe isha i aftë të arsyetoja, paçka se s’arrija të perceptoja, gjer në ç’masë isha dëmtuar.
Kur bëra të çohem, më mbajtën gozhduar pas shtrojës ca thumba të padukshëm, iu dhashë duarve, gjymtyrët shtangën, mbase më kishin lidhur me zorrët e llastikta, që vareshin mbi krye, mbase edhe këmbët ishin mumifikuar që s’lëvizën.
U sforcova të hapja sytë, qerpikët peshonin si t’i kishin zënë me fasha, apo t’i kishin qepur fare, kurse kokërdhokët kishin kërcyer nga foletë dhe lodronin jashtë zgavrave. Truri punonte nëpër tym, por sërish funksiononte. Edhe veshët kapnin sinjale, mbase jo qartë, por gjersa arrija të ndaja fëshfërimën e opingave, nga trokëllima e nallaneve, nënkuptohej se isha ende në këtë jallane. Gjithaq një zgjua bletësh më zukaste thellë kafkës, njëherësh më trallisën trurin, ca ciatje gjinkallash që zhurmonin.
Mëtoja qetësi, por jermia, as gjumë as zgjuar, më jepte efektin e melhemit mbi plagët. Ndjeva ca duar, por s’mund të reagoja. U sforcova dhe u rreka të shkoqitja ndonjë rrokje, po shtangën buzët, ndërsa fjalët u sollën e u përcollën në ngushticën e fytit dhe u shkërmoqën si kokrra bizeleje, në kamaren e kuckave. Ofshava: “O nënë”, por edhe ofshama s’e kapërceu dot kllapën:
“O Zot, do më kenë qepur gojën, apo më kanë shkulur gjuhën”? Luajta llapën, ajo u luhat në vakum, si bollë e ngathët.
“Oi, ç’më paskan këputur kordat e fytit”!
Më mbërtheu angështia. Terrori më shtrydhi mushkëritë, teksa një aspirator i padukshëm thëthinte-bulëzat e oksigjenit dhe më injektonte të hidhur. Rreka të mbushja boshllëkun, por gjoksin e depërtoi tej e tej, një shpuzë e mprehtë. “O-o-oh, ç’torturë”! Dhimbja më asfiksoi dhe kaptoi cakun e durimit. Në boshllëkun e mushkërive, m’u mblodh një shuk telash gjembaçë, që shpuan diafragmën me thepat therës dhe brenda kraharorit shpërtheu si një minë, duke m’i përndarë brinjët fije-fije.
Ndjesia e dhimbjes zgjoi sensorët e fjetur, tentakulat e të cilëve i spërdrodhën si zhivë, në gjithë periferinë e shtatit, kapën në ekstrem sinjalet dhe i përcollën në njësinë qendrore. Ploja e dhimbjes më dha ndjesinë e një gunge që rritej diku në thellësi, u fry dhe u fry si tumor gjigant dhe plasi duke derdhur qelbin në zemër; “O Zot, zemra”!
Ofshama shpartalloi ngushticën e fytit, rrënoi bedenat e dhëmbëve të mbetur, shqepoi mburojën e buzëve të thara dhe doli jashtë.
“Të qofshim falë, o Zot”, – më kumboi rrëzë veshit një lutje. S’e di në luteshin përnjëmend, apo m’u bë? Mbase. Po cilët? Një Zot e di! M’u fanepsën profetët kur bashkëbisedonin me Zotin, i drejtoheshin nga toka, nga burgu, nga ferri, për vete dhe për mëkatarët e botës, të denjë e të padenjë, më shumë për të padenjët.
“Të qofshim falë, o Zot”, – u përsëdyt jehona.
Lutja më preku kordat, më fashiti dhimbjen, shestoi vuajtjen dhe më kalli një gëzim të panjohur: “O Zot, qenkam ende mes frymorëve të këtij planeti”! Nën hirin e Tij dhe me këmbënguljen e miqve, u shpëtova kthetrave të “Polifemit”! U ringjalla! Kur ringjallet i vdekuri, rrënohet ngrehina pa themele e propagandës komuniste, bash si kulla e Babelit, nën peshën e mëkateve!
“Të qofsha falë, o Zot”, mostrat i degdise në Tartar dhe mua më le mbi tokë, ku vazhdoj të frymoj edhe mbas pesë dekadash.
“Amin”! Dhe hajde mos e beso!
Prag revolta
Fryma liberale e Festivalit të XI-të, viti 1972 nisi disi më i mbarë për komandën e kampit 303, Spaç; Plani po realizohej ritmikisht, në miniera s’pati tragjedi me vdekje, as tentativa arratisjeje dhe as greva të zgjatura urie, përveç ndonjë rasti sporadik, që fashitej pa u rënduar ende.
Ne saj të ndihmës kineze, pati edhe disa arritje në rrafshin kombëtar. Prodhimet e Kombinatit të tekstilit “Mao ce Dun” në Berat, ndonëse me cilësi beter, invaduan tregun duke mbushur disi boshllëkun, po kudo hasje njerëz të rreckosur për ibret, sidomos në fshatra, apo të veshur me uniformë, me rroba doku. Produktet bujqësore dhe blegtorale u shtuan një farë soji, por zia e bukës vijoi si më parë, paçka se partiakët u rrekën ta maskonin, pas gjoja kursimeve dhe rezervave në rast lufte. Sidoqoftë, ky ishte goxha përparim, për një popull të babëzitur!
Ndërkaq gjendja në rajon sikur u stabilizua, edhe pse Enveri me Titon, skërmitnin dhëmbët ditën dhe natën putheshin në fshehtësi. Po kështu, u mirëkuptua në heshtje edhe me klikën e kolonelëve grekë. Kësisoj lufta kundër imperialist-revizionistëve, ngeli slogan për konsum të jashtëm dhe dordolec, për të tmerruar popullin brenda.
Në gjirin e Partisë shterën grupet armiqësore, në ndryshim nga periudhat kur çdo dy vjet, do sajonin një grup antiparti, udhëheqja iu gëzua disi më gjatë muajit të mjaltit. Natyrisht, ky iluzion i përkohshëm do vazhdonte, sepse lufta do rindizej egërsisht, gjersa të përfundonte me kokat në tepsi, të hierarkëve më të rëndësishëm të pushtetit komunist.
Ato pak muaj trajtimi në burgje, ndryshoi jo kushedi çfarë: normën vijuan ta kërkonin pa mëdyshje, por liberalizuan disa rregulla. Çelo Arëza, bariu me karakter bizar, kapi kulmin e madhështisë. I shtuan shpërblimet dhe dekoratat, ndaj bëri “atin” e dashur, lejoi disa argëtime, që nuk argëtuan kënd. Themeloi trupën e estradës, që na degjeneroi, tashmë të dënuarit duhet t’i këndonin jetës së lumtur socialiste, të stigmatizonin armiqtë e jashtëm e, të brendshëm dhe të fshikullonin zakonet prapanike, domethënë vetveten!
Aktorët e “Estradës repartit 303, Spaç, Mirditë”, ishin ca ronxho-bonxho, pa personalitet, nëpunës të zyrës teknike dhe legenë të Medi Nokut, brigadierë dhe drejtues punimesh, “specialistë” prapavije dhe punonjës të shëndetshëm sipërfaqeje, që sorollateshin në zonat minerare; “sa m’u i gjet Kola n’punë”.
Por amalgama e çapaçulëve ishte e paaftë për art, ndaj nisën të qëmtonin artistë realë, libretistë, skenografë, regjisorë, aktorë: këngëtarë, instrumentistë, etj., që i gjeje me shumicë në Spaç, madje të nivelit sipëror, që do nderonin edhe teatrot më në zë, kombëtar dhe rajonal; por…, por refuzuan t’i përgjigjen thirrjes, sepse iu druheshin hileve të komandës! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016