Nga Pertefe Leka
Memorie.al/ Nuk ishin rastësi martesat e një djali shqiptar me një vajzë të huaj dhe anasjelltas. Historia ka treguar se janë bërë martesa të largëta në nivele të larta të shoqërisë, për të krijuar miqësi të reja, për të bërë aleanca paqësore ose për të siguruar mbrojtje. Në kohët e reja koncepti i martesave ka pësuar ndryshime duke u mbështetur në barazinë morale dhe juridike, në ndjenjat e dashurisë, të respektit dhe mirëkuptimit. Duke u bazuar në parimet e funksionet e saj, në detyrat dhe obligimet, çiftet janë kombinuar në mendime dhe në lidhje shpirtërore. E tillë ishte edhe martesa e Dr. Martin Ivanaj, me profesoreshën Gjyzeppina Pogliotti. Bashkimi i tyre qe një kombinim ideal.
‘Pina’ Pogliotti, vinte nga një derë e vjetër fisnike, siç ishte familja Nasi në Gheme të Italisë, e cila datonte në shekullin e XVI-të. Kjo familje zotëronte prona të mëdha në Ghemme dhe ishte e përmendur, sepse nga gjiri i saj kishin dalë: doktorë, juristë, madje edhe Prelatë. Nga ana e nënës, halla e madhe e Gjyzepinës, i përkiste familjes angleze Collins dhe ishte zotëruese e ishullit Caprera. Ajo ishte vajzë e nderit e Mbretëreshës VIKTORIA në Londër.
Po ashtu ishte edhe prejardhja e Dr. Martinit. Pema e fisit Ivanaj. është e dokumentuar që nga viti 1444. Doda, babai i Martinit kishte një histori të pasur në luftën kundër okupatorit turk. Ky aktivitet i luftëtarëve Ivanaj, u projektua më vonë me pjesëmarrjen e xhaxhait të Martinit, në Lidhjen e Prizrenit.
Prioritet i familjes Pogliotti ishte edukimi shkollor i vajzave. Gjyzepina, si edhe motrat e saj, vazhduan Shkollën ‘Normale’ për Femra (‘Rosa Stampa’ College) në Vercelli dhe më pas studimet e tjera në Torino. Motra e madhe u gradua në Universitetin e Grenoble dhe tërë jetën e saj jepte mësime në frëngjisht në Novara. Ndërsa Gjyzeppina vazhdoi studimet në Torino, duke punuar njëkohësisht si Sekretare Ekzekutive në “Fashion House” në Itali, një pozicion jo i zakonshëm për femrat në atë kohë.
Kur Gjyzeppina pas studimeve në Torino, shkoi në Romë për një garë konkursi për stenografi, (pasi ajo ishte një ndër shtatë studentet e Prof. Vincenzo Cima, editor i” La Stampa” dhe shpikës i sistemit të stenografisë), u takua me Dr. Martin Ivanaj.
Të dy vëllezërit Ivanaj ishin studentë në “La Sapienza” të Romës dhe jetonin së bashku në një shtëpi me qera, drejt së cilës ishte në kërkim edhe Zonjusha Pogliotti. Atje u njohën rastësisht të ftuar në një darkë dhe prej aty njohja mori përmasa të tjera. Ajo që i bashkoi ishte dashuria e ndërsjellë e cila i orientoi dhe i drejtoi kah njeri tjetri.
Dr. Martini iu drejtua një vajze që ishte e harmonizuar në vetvete me identitet dhe personalitet, ishte e shkolluar dhe me një edukatë për punën, gjë që i bënte edhe më dinamike marrëdhëniet ndër-personale dhe për vazhdimësinë në çift. Tashmë Zonja Ivanaj nuk e pati të vështirë të përshtatet më së miri në një bashkëjetesë të re, duke e lënë Italinë, ku kishin të gjitha mundësitë të jetonin atje dhe për të punuar në nivele të larta punësimi, pasi të dy ishin të shkolluar në Itali.
Zonja Ivanaj në tërësinë e saj kishte aftësi të mëdha adaptimi që bëri hapin vijues, duke e njohur, pranuar dhe nderuar bashkëshortin me plot besim që: “ne i takojmë njeri tjetrit”. Duke pasur fuqinë e dashurisë ajo u drejtua kah tjetri, pa mohuar vetveten. Edhe pse vinte nga një vend me kulturë dhe gjuhë të ndryshme, e kapërceu atë sfidë me edukatë, dhe angazhim për të ushqyer harmoninë familjare.
Ata vendosen që ta ndërtonin folenë e tyre në Shqipëri, sepse vendi kishte nevojë më shumë për njerëz të shkolluar e sidomos në fushën e drejtësisë, për të cilën Dr. Martini kishte mbrojtur Lauren për Jurisprudencë në ‘La Sapienza’ të Romës. Zonja Ivanaj u përshtat krejt natyrshëm me traditat dhe zakonet e vendit. Shumë shpejt ajo arriti të fliste edhe gjuhën shqipe.
Në shtëpinë që ndërtuan vëllezërit Ivanaj, Martin e Mirash, në Tiranën e Re, Zonja Ivanaj jetoi në harmoni të plotë edhe me kunatin, Prof. Mirashin, i cili nuk u martua pas vdekjes së të dashurës së zemrës, një vajzë romane, që ishte pasardhëse e familjes se GIUZEPPE MAZZINI, (politikan, gazetar, aktivist revolucionar për bashkimin e Italisë, antimarksist).
Këtë lidhje të fortë me vashën e zgjedhur, Mirash Ivanaj e ruajti deri në fund të jetës, duke mbajtur si kujtim deri në vdekje, gërshetin e saj. (për dijeni, pas vdekjes në burg të Prof. Mirashit, gërsheti mundi të dilte jashtë burgut, vetëm pas viteve ‘90-të, me Dr. Lazër Radin, i cili e kishte ruajtur amanetin e bashkëvuajtësit dhe ia dorëzoi Dritës, të vetmen relike të lënë nga xhaxhai i saj, Mirash.)
Ndërsa Dr. Martini po kalonte ditët më të bukura me Profesoreshën Pogliotti. Ai, duke parë përshtatjen e Zonjës në familjen Ivanaj, i drejtohej asaj duke i thënë:‘Ju jeni Mbretëresha e kësaj shtëpie’. Ambienti ku jetuan së bashku, nuk ishte thjesht një strehë, por ishte një shkollë, ishte një qendër kulture, ku gjeja më e vyer ishte biblioteka, e cila mbante mbi 16 mijë tituj librash.
Në dhomat – studio të asaj shtëpie. u projektuan nga Dr. Martini (atëhere Kryetar i Gjykatës së Kasacionit) dy kode të shkruara; Kodi Civil dhe ai Penal dhe nga Prof. Mirashi, u projektua Reforma Arsimore që edhe sot mban po atë emër, ‘Reforma Ivanaj 1935’. Pra kemi të bëjmë me dy mendimtarë, studiues profesionistë dhe një Zonjë me të cilën mund të diskutonin për probleme të ndryshme sepse, edhe ajo si ata, ishte e përgatitur në shumë fusha.
Gëzimin e familjes e shtoi kur erdhi në jetë vajza e Martinit dhe e Gjyzepinës, Drita, të cilët e pagëzuan me atë emër, si për të ndriçuar pemën shekullore të fisit Ivanaj. Zonja në fjalë, edhe pse me origjinë italiane, nuk pati asnjë kundërshtim për emrin, por e shqiptoi me kënaqësi, duke njohur simbolikën e asaj fjale të bukur shqipe, Dritë, që i dha ndriçim gjithë familjes.
Zonja Ivanaj e krijoi familjen në Shqipëri në një shoqëri, ku ekzistonte familja patriarkale, por liria e mendimeve dhe qëndrimeve në atë familje, i dha një shtysë të mëtejshme gjykimit, se suksesi në jetën familjare ka para kushte që të jetë i tillë edhe në veprimet e jetës shoqërore. Mekanizmi më i suksesshëm që lëvizte në personalitetin e Zonjës Ivanaj, ishte ekuilibri me veten dhe të tjerët.
Kështu marrëdhënia e re me vajzën, hapi dritare të reja duke iu përkushtuar asaj jo vetëm si nënë, por si një edukatore dhe mësuese e mirëfilltë. Në një fletore kushtuar së bijës ndër të tjera ajo shkruante: “Çelësi i artë:…. Kur je e etur për diçka të madhe, qoftë ajo e natyrës materiale apo shpirtërore, mos harro se një çelës i vetëm mund të hapë të gjitha dyert, të hapë çdo kthinë, dhe të zhdukë si me magji, çdo pengesë. Ai çelës i artë quhet; besim”.
Këtë bashkëjetesë lumturie në familjen Ivanaj, e prishi pushtimi fashist në Shqipëri, me të cilin vëllezërit Ivanaj nuk mund të përshtateshin kurrë, përkundrazi ishin gati të luftonin kundër okupatorit. Pengesa e organizimit të rezistencës nga qeveria, bëri që vëllezërit Ivanaj të emigronin si azilantë politikë në Stamboll.
Zonja Ivanaj e mbetur me Driten 6 vjeçare, e cila vazhdonte shkollën fillore në Tiranë, fillimisht rezistoi që të mos e linte shtëpinë dhe Shqipërinë, por kur fashistët pa mëshirë i sekuestruan pronën dhe çfarë kishte deri në kërcënim fizik, u detyrua të shkonte në drejtim të Italisë, ku kishte prindërit, me mendimin se do të bashkoheshin së shpejti në Shqipëri.
Kjo Zonjë e fortë në karakter me një inteligjencë të rrallë, nuk e humbi orientimin por me kurajo dhe besim, mblodhi dokumentacionin më kryesor që zotëronte kjo familje dhe gjesti më fisnik i saj ishte, kur në pamundësi për të marrë plaçka, palosi flamurin shqiptar dhe e vendosi në vendin më të sigurtë për ta marrë me vete. Nuk e di në se ndokush nga të ikurit shqiptarë, ta ketë bërë këtë veprim.
Ajo kurrë nuk i harroi fjalët e Prof. Mirashit, kur përsëriste citate nga Mazzini, ithtar i të cilit ishte: “Patriotizmi është detyrë, kurse dashuria për Atdheun, është mision hyjnor”. Ajo e dinte se me sa dhimbje u larguan vëllezërit nga Atdheu. Prandaj nuk e la flamurin ta shkelnin pushtuesit, duke e konsideruar si simbol kombëtar dhe të historisë. Ajo e ruajti me fanatizëm atë pëlhurë të kuqe me shkabën dy krenare, me të cilën udhëtoi deri në Amerikë, kur emigroi me Dritën.
Të dyja, nënë e bijë, kishin pasaporta shqiptare, prandaj qëndrimi në Itali ishte i vështirë. Nuk ishte i lehtë punësimi i Zonjës Ivanaj, tashmë si qytetare e huaj dhe po ashtu shkollimi i Dritës me emrin shqiptar, që ajo kurrë nuk pranoi ta ndërronte, por e mbajti me krenari.
Drita në Shqipëri mundi të bënte vetëm një vit shkollor, pastaj shkollën elementare, gjimnazin dhe më vonë Liceun Shkencor e mbaroi më 1951-in në Itali, me rezultate të larta. Ajo hodhi poshtë mentalitetin e të huajve për shqiptarët, kur ajo kalonte nga dy klasa në një vit shkollor, gjë që i solli të drejtën e përfitimit të bursës në atë vend. Megjithatë, nëna italiane e mbetur e ve, pas vdekjes së Dr. Martinit në Stamboll më 1940, e shtoi dy herë më shumë përgjegjësinë ndaj vajzës, Ajo edhe pse jetonte tek prindërit e saj, nuk mund t’ia pengonte të ardhmen Dritës.
Ato të dyja, nënë e bij, me pasaporta shqiptare, kishin mundësinë të emigronin në SHBA-ës nën përkrahjen e Kombeve të Bashkuara. Në ditarin e znj. Ivanaj, ka mbetur i pashuar udhëtimi i dhjetorit i vitit 1951, në bordin e një anije ushtarake amerikane, përmes dallgëve të tërbuara oqeanike, ku ruanin me kujdes pasaportat shqiptare dhe flamurin kombëtar. Me këtë relike të vyer, simbol i qëndresës, ato bashkuan edhe vetëmohimin e tyre, duke lartësuar vetën si pjesë e këtij etniteti.
Ndërkohë Zonja Ivanaj nuk i shkëputi lidhjet me kunatin, Prof. Mirashin edhe kur ai u kthye në atdhe, edhe kur ai ishte në burg. Ajo e njoftonte për zhvillimet e reja të mbesës së tij të dashur, Drita. Kunata bëri shumë, duke shkruar letra, deri në organet më të larta të Italisë, për pafajësinë e Prof. Mirashit, por regjimi i Enver Hoxhës nuk njihte drejtësi, sidomos për njerëzit e ditur.
Ajo e njihte forcën e karakterit të Prof. Mirashit, si mësues, drejtor gjimnazi, ministër Arsimi, deri në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ku dha një kontribut shembullor, paçka se ishte kundërshtar i Monarkisë. Ajo e njihte vetëdijen e tij, se i kishte shërbyer popullit të vet, që kishte shumë nevojë për mësuesin dijetar. Ajo zonjë e nderuar, kurrë s’e uli penën për të kërkuar drejtësi për kunatin martir, Dr. Mirash Ivanaj.
Zj. Ivanaj, përveç punës së përditshme që bënte në New York, ajo shkruante në një revistë letrare italiane, për qindra biografi të emigrantëve italianë në Amerikë. Pas tetë viteve pune të pandërprerë, në janar të vitit 1960, ajo ndërroi jetë, duke e lënë Dritën në pikëllim, por me porosi për ta vazhduar jetën, me optimizëm.
Drita e ruajti në mendje dhe në zemër shëmbëlltyrën e saj. Ajo nënë, e frymëzoi dhe vazhdon ta frymëzojë edhe sot për të jetuar me dinjitet, sistematike dhe egzigjente ndaj vetes. Porositë e Nënës, për të qenë në shërbim të tjerëve si misionare, por pa mohuar vetveten, kanë gjetur zbatim të përkryer te Drita. Ajo edhe sot i kujton fjalët e saj, kur nëna i shkruante:
“Unë vetëm lakmoj ata të cilët ‘japin’, jo ata që ‘kanë’ ose ‘marrin’. Kush jep, dhuron një gëzim dhe i jep vetvetes po të njëjtën ndjenjë, jo më pak të vlefshme. Gjithashtu, lehtësisht dhe me kënaqësi ai, ajo, i siguron vetes lumturi të përjetshme”. – Pina Pogliotti ved. Ivanaj
Drita, si rralle kush, ka përvetësuar në themel teknologjinë e kohës, për t’i dhënë zgjidhje shumë problemeve, por çuditesh kur thotë: po konsultohem me prindërit. Ajo me forcën e vullnetit kapërcen të gjitha barrierat dhe këtë magji zotësie e ruan akoma nga urtësia e nënës, e cila i shkruante: “Kur, pra, dëshiron diçka, mos ju lut Zotit për ‘atë gjë’, por për besim; jo një besim në dukje, por besim në vetvete.
Me te, mund të arrish jo vetëm një pushtim, por mund të pushtosh botën tërë. Atëhere do të jesh një zot në tokë dhe të lartësosh veten mbi te, të shtrihesh në kohë dhe hapësirë pa kufi, jo vetëm si njësi e dijës dhe e jetës, por të fitosh fuqi mbi veten dhe njerëzit”.
Shumë vite, Drita i kaloi e vetme në shtëpi, por pa krijuar boshllëk në jetën shpirtërore, sociale dhe profesionale, ajo ishte gjithmonë në progres. Aftësia e saj menaxheriale dhe drejtuese në sistemin kompjuterik të Universitetit të Kolumbias, e bëri që të jetë e vlerësuar dhe e nderuar në atë dikaster dhe në jetën shoqërore.
Endrra e Dritës ishte, që eksperiencën e saj t’ia transmetonte rinisë shqiptare, nëpërmjet sistemit shkollor, por ishte e pamundur ta ushtronte atë profesion në sistemin diktatorial të Shqipërisë. Pas shumë vitesh në pritje, për të ardhë në Tiranë, Dritës iu dha mundësia që ta prekë tokën shqiptare pas 54 vitesh, kur asnjë nga të afërmit e zemrës nuk jetonin më.
Një ftesë nga drejtoria e Gjimnazit të Shkodrës, në vitin 1993, për të marrë pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së dekoratave “Martir i Demokracisë”. Kjo përkujtimore për Prof. Dr. Mirash Ivanaj, e bëri me krahë të fluturonte drejt Shqipërisë. Ishte prekëse kur ajo zbriti nga avioni, duke u përkulur deri në gjunjë, për të puthur tokën mëmë. Lotët e saj i pasuan të gjithë pritësit në aeroport, ishte moment shumë emocional dhe lajmërues se diktatura nuk do të kthehet më, për t’i përlotur shqiptarët.
Ardhja e Dritës në Tiranë, nuk qe thjeshtë një vizitë për të shuar mallin. Ajo erdhi me vizione të qarta për të vënë gjithë potencialin e saj intelektual, në shërbim të Atdheut. Fillimisht ajo kërkoi të sillte në atdhe eshtrat e të atit nga Turqia, duke përballuar një situatë shumë të rëndë psikologjike, pas një ndarje gjysmë shekullore me atin e saj. Ajo i vendosi në një memorial të përbashkët të dy vëllezërit, Martin e Mirash Ivanaj me epitafin: “Së bashku në jetë dhe në vdekje për Atdheun”.
Vendosmëria për të kapërcyer të gjitha barrierat burokratike, e bënë më konsekuente drejt kërkesave të drejta të saj. Vetëm për të marrë shtëpinë e okupuar të shtetëzuar nga komunistët, kaloi përmes një kalvari të gjatë ecejakesh, deri sa më në fund e realizoi.
Në ate shtëpi ajo vendosi zyrat e Fondacionit “Martin e Mirash Ivanaj – Institut”, i ngjashëm me simotrën e tij në Neë York. Aty, në ballkonin e shtëpisë, Drita shpalosi flamurin shqiptar, të ruajtur nga nëna, Pina Pogliotti Ivanaj. Aty, flamuri kuq e zi, e ndaloi rrugëtimin e gjatë, Shqipëri, Itali, SHBA-ës dhe më në fund në vendin e vet, në Shqipëri.
Tani në Tiranë, flamuri, simbol i historisë së popullit shqiptar, valon i lirë në ballin e Shtëpisë Ivanaj, për të treguar edhe një pjesë të historisë së dhimbshme gjatë diktaturës komuniste. / Memorie.al















