Nga Vladimir Myrtezaj
-Jakup Keraj, mes paranojës dhe artit –
Memorie.al / Ata ishin shumë vëllezër në familje. Të dukej se një krehër i madh që i duhej të shkrehte shumën e kaçurrelëve, derdhur në sojin e tyre, me përjashtim vëllait të vogël, Remit, që më kujtohet si flokë drejtë dhe me një qeshje të pa pushuar në portretin e tij. Lagjja që ne ndanim i përjashtonte si një familje tejet e realizuar, pasi secili syresh ishte i shkolluar, me ambicie të dukshme e në një respekt të veçantë për çfarë përfaqësonin, në një komunitet disi të çuditshëm. Shtëpia e tyre gjendej buzë rrugës, diku mbas teatrit “Migjeni”, si një nyjë lidhëse midis lagjeve myslimane, ku shtrihej një arkitekturë e butë e traditës orientale, me tingëllima të shtruara bashkëjetese, mes njerëzish disi përzier për shkak zhvendosjesh nga më të çuditshmet. Pikërisht për këtë shkak tingëllimet ekstra, si të shkolluar, në atë kohë ishin si një frymëmarrje për të tjerët, duke sjellë rrezatime të veçanta dukshmërie dhe kurioziteti për të gjithë shtresën e ndenjur e të vijuar në zakone tipike.
Midis ajkës së tregtarëve të mëdhenj dhe të vegjël në lagje, të shkolluarit shquheshin veçmas e nderoheshin, sepse për disa ndërgjegje të reja dukeshin si ndryshim atmosfere dhe një thellim edhe më i palexuar i llojit të misterit që mblidhnin. Gjithçka tjetër ishte një vrundull i vjetër, ku përmblidheshin të gjitha përsëritjet e vazhdueshme të të njëjtës trajtë, mes besimit, familjes, pjellorisë, vdekjeve dhe martesave.
Gjithsesi, në një shumë shtresash të përsëritura prej tjegullash e dritaresh të stilit oriental kishte mjaftueshëm jetë. Një stil ku herë ndjehej e hapur e miqësore e herë e mbyllur e në mister të plotë, tej portave të larta e hijerënda, me mbiemra të njohur për nga fuqia e mbijetesës dhe për nga imponimi psikofizik si dyer me emër.
Për fat, kishim një teatër që e çdisiplinonte karakterin e shtruar e të pazhurmë të një lagjeje ku sundonte zakoni dhe një jetë e shtruar nën një patinë njohëse të shumës stampuar e përsëritur në shumë anë të qytetit. Të dallueshme ishin vakitë, vdekjet, si një ritual kult e i pandryshuar për nga serioziteti dhe besnikëria e palëkundur në respekt të fundit të gjithsecilit që i mbushej mendja të ndërronte jetë e të largohej përgjithmonë. Është një ritual që më ngjante me një ditar, ku së shumti, rrafsh me tokën e në qefin, rreshtoheshin ikjet nga kjo lagje me një ritëm të gjithëpushtetshëm, si një nënshtrim fundor e melodioz.
Të dukej se detyrimi i përcjelljes ishte tashmë një tabu e paprekshme e ngurrtë dhe e përsëritur, si frymëmarrja e komunitetit nën hijen e grupit, që zhvillohej pa pra. Lagjet ishin si grupime fortesash, kjo për shkak të rrethimit të tyre me mure të gurtë lumi, të lëmuar, si dhe me një duf të shkrehur shermashekësh e jargavanësh që kacavirreshin melankolikisht mbi shpinën e tyre.
Të dielat ishin si shtëllunga të lartësuara tymi, ku në secilin oborr shtohej edhe më shumë jeta dhe ndërsyerja e përbashkët në vaktet e ngrënies, si dhe davetet e ambalazhuara nga një shumëllojshmëri gjellësh e gatimesh (si në mesjetë), në një sofër të përbashkët, herë burrash e herë grash; në bashkime të shkartisura e të çuditshme.
Ideja e të jetuarit në grup, që i shërbente familjes, ishte mjaft evidente dhe shkumëzonte në përgjithësi një mbyllje brenda llojit, që të linte gjithnjë si të përjashtuar. E vetmja dritë që mund të shquante e përçante unitetin e grupit ishin lajmet e mbërritjes së ndonjërit nga ndonjë shkollë, që kish patur fatin t’i shkëputej këtij grupimi unitar e të përsëritur.
Dalldia e komunitetit ndaj formës mbyllëse të arkitekturës dhe karaktereve të ndjeshëm krijonte një atmosferë mjaft të shkolloqitur për nga mundësia për t’u ndjerë i mbijetuar, si i lirë nga kjo lëkurë përfshirëse kolektive. Një teksturë rrokëse me aromë mishi e rrobash të lara, pa harruar dyzenin e shpendëve, e bënin këtë skenë mjaft të vegjetuar e në një liri të shkujdesur natyrore, si në gjendje të parë.
Familjet me emër i kornizonin të gjitha ndarjet si një ajër i pjesëtuar e ndikues. Ato rrethonin në nxitje të plotë një lloj pushteti të ndikuar drejtpërdrejt nga këto bërthama tradicionale, që edhe e kushtëzonin disi në përshtypje fuqinë e të qenurit derë e madhe.
Në këtë rrjedhë cytjesh të tingëllonin në gjendjen e tyre materiale, si një fuqi pushtuese, si të pakorrigjueshëm nga forcat kalimtare e të lehta të pushteteve që qarkonin tash e parë në një propagandë të pashembullt ndryshimi strukturor. Tafilict, Bërdicajt, Ademt, Jukniqt, Krajajt, Likajt, Bakallt e shumë mbiemra të rrahur kishin lëshuar rrënjët e tyre në një hapësirë të ngushtuar, ku veç tymrave të oxhaqeve ndjeheshin të lidhur ndërvedi me mijëra fije krushqish e miqësish në lloj.
Të vetmit që shkartisnin hierarkitë e venduara ishin dashuritë e reja dhe fëmijët, sepse, në thelb, ata nuk njihnin kufij, dhe ndërtonin lumnisht një ecejake rritjeje në një kurbë krejt më vete.
Lagjja kishte disa pika shkëmbimi. Vatra e parë ishte bukëpjekësi, Samia, ku piqeshin tavat e ditës dhe buka e kallamoqit; një kopsht i sajuar në një dhomë për fëmijë. Pak më tej një këpucar dhe një dugajë ku shërbehej bulmet e psonisje të tjera.
Diku më tej shkolla dhe një oborr i madh, te familja Lopçi. Aty luanim me top. Rruga veriore të çonte te xhamia, ose diku më tej te tregu i kafshëve, pranë një pallati me familje ushtarakësh, ardhur e deri tek i fundit stacion linear në Rus, “magjar”.
Kerajt ishin në brinjë, diku përballë Tafilicëve. Këta të fundit u kishin dhënë me qira disa hapësira Çypçinjëve, ardhur nga një shumëllojshmëri vendesh, një komunitet me profesione shërbimi nga më të ndryshmet. Për shkak të shumëllojshmërisë ishte edhe shtëpia më e zhurmshme në lagje, qoftë në aspektin e dukurive të shpejta, në shndërrim, siç dhe është natyra e shitësve, qoftë dhe për një lloj infrastrukture kolektive ku mbahej radhë, si për banjot, si për përdorimin e oborrit e po aq për pusin.
I vetmi skaj i ndriçuar ku anarkia e lehtë e gazmore thyej ishte rregulli dhe simetria në familjen Keraj. Një pemë familjare ku njëshi ishte kryetari i familjes, një burrë babaxhan e i thinjur, lëkurëbardhë dhe në qendër të të gjithë vëmendjes familjare. Dukej si në pikturat e Monesë, mes hijeshisë dhe gjelbërimit. Më pas vinte e ëma, një grua e sojme, me një degërmi të bardhë kokës në gjendje kujdesi, pa dalë nga pragu i shtëpisë. Pastaj vinin rioshët në një simetri të padepërtueshme, secili në mision e vet.
Si për çudi, shtëpia e Kerajve ndjehej mes jeshillëkut, gjithnjë në dritë; dukej sikur buronte nga brenda dhe ndjehej një gaz i përmbajtur, si i shkëputur nga tisi i zhgualltë e oriental i shtëpive rrethuese. Shkaku i mistertë ishte se aty banonte edhe një piktor. Të gjithë pjesëtarët e kësaj familjeje kishin kryer shkolla të ndryshme, si: për mjekësi, muzikë, fizikë etj. Djali i madh i Kerajve ishte Jakupi, piktori.
Dritaret e mia ishin prirët me ballinën e shtëpisë së tyre, dhe deshe s’deshe, në pjesën më të madhe ishte i vetmi peizazh meditimi që kundroja në imtësi. Rrugën për te tregu i gjës’ e sundonte një zhurmnajë që ushqehej nga të fortë si Ali Guri, ndërsa në pjesën jugore ndihej Zija Qafoku, si e vetmja frymë e dalë jashtë korit të kadifenjtë të lagjes ku jetonim. I pari ndjehej si agresor në gjendje të lirë në gjuetinë e mishit të bardhë; kurse i dyti orvatej në një lloj vetë grindjeje prej mistreci të parehatshëm që zbythte çdo qëndrim të drejt vizuar të ekuilibrit njerëzor.
Përveç zhurmës gërgasëse të tyre ndihej edhe një shumatore zhurmash shpezësh shtëpiakë, që me korin e tyre dukej se mbytnin çdo muzg mbrëmësore. E vetmja arrati e jona në zona lirie ishin oborret e brendshme të shtëpive me fiq të butë, hurma e pjergulla të dendura rrushi çylek.
Te Kerajt ndjehej gjithnjë dritë dhe një kuriozitet se çfarë bluhej brenda atij oborri. Flitej se Jakupi kishte mbaruar një akademi arti diku në Lindje. Sa herë kaloja rrëshqitazi shikoja në oborr një kavalet pikture dhe piktorin në pozicionin e tij të hapur e të ndërlidhur me kavaletin, në një stil të shumë përsëritur pozimi, gjë që më zilepste fort. E gjithë qendra e intelektit tim ishte zhvendosur në kuriozitetin e lartë se si riprodhohej një imazh.
Një ditë erdhi në shtëpi motra e dytë, shend e verë, dhe i tha mamasë se si ai, piktori, e kishte zgjedhur që t’i bënte një portret në oborr. Kish një lidhje nostalgjie, pasi motra ime kishte një emër të ngjashëm me vendet nga kishte studiuar ai: quhej Vasilika. Motra ishte një trajtë harqesh gati në barok, që i shëmbëllente edhe prej shëndetit me si femrat ruse.
Kurioziteti më shtohej edhe më shumë pasi që një njeri si ai kishte luksin e zgjedhjes dhe bënte gjëra të pazakonta për një grup njerëzish që ndoshta ndienin për herë të parë një riprodhim të jetës përmes dorës së tij.
Kështu nisa të njoh Jakup Kerajn, përmes një tisi të gjelbër në mes të oborrit të tij të gjelbëruar, duke u pozicionuar në një hepim të butë mbi telajot që ishin një mister për të gjithë lagjen. Të gjithë flisnin për të si për një njeri jo të zakontë, sikur kish mbirë nga kushedi se ku dhe ushtronte mjeshtërinë e tij mbi çfarë haste e prekte në realitete intime, nga një dritë misterioze kujtimesh që ai kish lënë pas.
Asnjëherë nuk pata fatin të isha pjesë e kuriozitetit të tij, dhe kjo distancë më ndoqi vite me radhë si një kompleks mes tij dhe meje. Një lloj ftohtësie në heshtje që nuk e di se pse nuk arriti të shkalafitje mes nesh e të bëhej në kohë të mëvonshme një bashkudhëtim i ndarë pozitivisht.
Jo, gjithnjë na ndiqte një ndarje pa një domethënie bindëse, ama e shoqëruar me një kuriozitet të fshehtë. E vëzhgoja në të gjitha etapat e tij, që nga ato të ndritshmet e kulmoret, deri në një udhëtim të strapacuar piktorësh që për shkak të atmosferës së pafavorshme erdhi e u rrudh në një disfatë njerëzore që nuk hyri në ataç me kohën dhe nuk iu nënshtrua një shndërrimi dyst me kohën.
Për mua ai ishte një prerje klasike shkollimi. Jetoi gjatë, me ndjesinë e njeriut që ha nga barra e lavdisë të gjithë ushqimin e mundshëm, duke mos lëvizur nga formimi, që, në fakt, qe i shkëlqyer për nga shprehitë dhe tendencat e shkollës që përfaqësonte. Por, sa vinte dhe më zhytej në një vet mbyllje të korracuar, për të mos kuptuar përfundimisht se era e ndryshimit ishte përkundër tij.
Jakup Keraj ishte një piktor vetmitar. Ndihej i vetëmjaftueshëm, duke mos pranuar të zhyhej në çdo lloj gatimi, ngaqë ishte i bindur për aftësitë e tij të lindura. Do më mbeten në memorie të gjitha pikturat e tij të realizuara fill mbas mbarimit të studimeve, si një krijimtari në inerci, në një ajër të importuar, si prekje e kohëve të dikurshme.
Portreti i Danish Juknit apo Vajza në kopsht janë disa nga veprat e tij që tregojnë klasin e një piktori të plein air-rit, por edhe prirjen për një pikturë përtej zyrtares.
Po ashtu, pikturat me karakter historik, nga legjendat mbi heronjtë janë sërish një dëshmi e një ma shtabi pikturoi që e njihte shumë mirë planimetrinë kromatike dhe teksturën e atmosferës historike. Nuk duhet shumë për të treguar se ai erdhi në një realitet të nakatosur zhvillimesh, nga ku u ruajt në mëvetësinë e tij si një arketip i shkëputur në trevat e veriut, si një realitet i margjinalizuar nga kohë të importuara.
Dallon së shumti në kohët më të mira të pas shkollimit, si një ardhje e pastër e një kulture lëvizëse, që, në fakt, infektoi gjysmën e rruzullit në një impakt kontradiktor mes shkollave të perëndimit dhe atyre të lindjes.
Në vitet e fundit të jetës së tij, më kujtohet se te studiot e reja, ku ndodhte që edhe shkoja, me kuriozitetin e mjaftë për të parë ecurinë e tij. Ishte një luftë e brendshme e në paranojë me gjithçka që i afrohej, si një sugjerim miqësor mbi rolin e pikturës. E gjithë vetëdija e tij artistike ishte e arratisur për larg ndodhive dhe realitetit, në një emulsion të kujtesës së konservuar, nga ku ai përditazi shtrydhte emocionet, për t’i bërë ato të pranishme si fuqi e lavdisë dhe e narcizmi së tij të pashtershme.
Vija re se gjithnjë e më shumë, i gjithë realiteti i kthehej në një versus mosbesimi e pangopshmërie për të mos e pranuar.
Në ndjesi të holla e lëshime fragmentare, ende ndjehej kjo post kulturë e tij për të qenë në endjet e mëndafshta të penelatës, duke të risjellë ndërmend atë dritë që ndillej në shtëpinë e vjetër të Kerajve, plot nostalgji dhe intimitet.
Nga fundi më shumë kishte paqartësi qëndrimesh mospërputhje temash, dhe në përgjithësi një keqkuptim me kohën. Formimi tij e pengonte për të qenë në rresht.
Kështu, paranoja e tij rritej në një mosbesim të pakthyeshëm.
Jakup Keraj është tipiku i dashurisë që ecën përkundër, si i dyshuar që në lindje, sepse ishte një zë lirik i pikturës intime dhe ndjesive të brendshme. Piktura e tij është një lloj drite e patinuar dhe e mbështjellë nga ky tis elegant e shumë i kultivuar, që i buronte nga sensi qytetar dhe parimet e elitave të zgjedhura.
Krejt i vetmuar në oborrin e njerëzve që e deshën, veçmas familjarët, ruante oazin e djalit të vetëm, që buronte dritë dhe linte zgjuar një mëhallë të tërë.
Përballë Kerajve, pas shtëpive në ballë të rrugës ishin oborret e mbyllura, si një planimetri parajse për nga llojshmëria e pemëve frutore. Ne ende ishim në fëmijërinë tonë dhe ëndërronim gjithçka; kishim një cytjet për t’i paraprirë profilit të gjithsecilit. Në atë kohë ishte në modë filmi “Tre musketierët”, një film që do ishte pjesë e jona në ëndërrim të pandarë. Roshfori ishte Remi, vëllai i vogël i Kerajve, që edhe organizonte lojërat dhe prodhimin e shpatave. Sapo kish filluar të merrte formim në shkencat ekzakte, më duket se për Fizikë
Muskëtierët lëviznin në vrull e afsh të lojës së tyre, e ndërkaq lagja ishte e pushtuar nga ngjyrimet e egos sonë, në një luftë shpatash që nuk mbaronte për nga befasitë, lëvizja e shpejtë, komploti në grup dhe veç e veç në një lumturi të pafund ëndërrimi me princër e princesha, me luftë e hierarki gradash të pastra në energji. Ky trans ëndërrimi do i mungonte gjithkujt, edhe vetë magjisë së piktorit të mbyllur, që ri përjetonte vetveten në të shkuarën e lavdisë së tij, në një hap imagjinar e në trans kujtesë, si një motorizim i brendshëm i të gjitha nënshtresave që e thërrisnin drejt kuadrateve të bardhë që mbusheshin me jetë.
Të gjitha mbetjet kujtimore do ndjeheshin në shkarkesat e rrjedhës së rrugës veriore, të pleksura në një ndërgjegje reflektive të një piktori që nuk la shkas pa e hedhur në telajo. Zadrimore e çipçinj, heronj e vajza lirike, portrete malësorësh, përjetime tisesh të afërta e të largëta si një mall i pa harxhuar energjie.
Një udhëtim i ndjeshëm, i paprekur e i besuar nga vetë ai, si një skutë e fshehtë e një monologu pa kufi. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016