Nga URIM ELEZI
Pjesa e parë
Parathënie
Memorie.al / Urim Elezi, lindur më 18.10.1941 në Floq të Korçës, hyn te të dënuarit dy herë nga regjimi komunist me shumë vite vuajtjeje. Ai u burgos më 26.10.1963 dhe doli që andej më 10.2.1989. hyri në 22 vjeç dhe doli 48 vjeç, madje i verbuar. Në moshën 18-vjeçare kreu shkollën e Instruksionit në Gjirokastër, ku gradohet nënoficer. Në dënimin e parë ishte ushtar në Repartin Nr.9357 Gjirokastër. Herën e parë u akuzua në bazë të nenit 64, në kombinim me nenet 10 e 14 të Kodit Penal. Ishte me shërbim ushtarak, së bashku me shokun e tij Hekuran Shyti, në Gjirokastër. Sipas gjykatës, i kish propozuar Hekuranit të arratiseshin sepse bëhej jetë e mirë në vendet kapitaliste e sidomos në SHBA. Hekurani lirohet më parë nga ushtria dhe gjatë kësaj kohe gjen personat e tjerë, me të cilët do kryenin arratisjen. Hekurani i nis një telegram Urimit në Gjirokastër, me kërkesën që të të niset se nëna ishte sëmurë.
Kësisoj Urimi bashkohet me shokët e tij, Hekuran Shyti, Durim Shyti dhe Robert Morava. Të pa orientuar mirë, të spiunuar nga një banori i zonës, ata u kapën nga forcat e kufirit në postën kufitare të Nikolicës në rrethin e Korçës. Gjykata Ushtarake Tiranë me vendimin nr.21, datë 27.2.1964, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë, heqjen e të drejtës zgjedhore për 4 vjet dhe të gradës së rreshterit. U la në fuqi me vendimin nr.23, datë 31.3.1964 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. Për herë të dytë u arrestua më 19.2.1980. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal me artikulime shumë rënduese. Dega e Punëve të Brendshme Fier, me shkresën nr.112, datë 15.1.1980, i kërkoi Drejtorisë së Hetuesisë miratimin e arrestimeve për tre shtetas, midis të cilët edhe i përmenduri Urim Elezi. Ishte marrë në përpunim aktiv më 17.5.1979 se zhvillonte propagandë në radhët e të dënuarve.
Raportonin për të “I penduari” dhe “Tekniku”. Për të thuhej të ishte shprehur: “Sigurimi i ka lyer duart me gjakun e këtij populli. Kanë bërë krimet më të shëmtuara që mund të ketë në histori, Sigurimi është sjellë me popullin dhe me njerëzit, më keq se ç’janë sjellë fashistët dhe nazistët..! Nuk ka më të poshtër se komunistët. Unë quaj komunistë të gjithë ata që kanë yllin në ballë si një domate, pavarësisht nëse besojnë mjekrën e Marksit apo mustaqet e Stalinit…! Krimet më monstruoze në Shqipëri, janë bërë në kohën kur kanë ardhur në fuqi komunistët…Jeta te ne është burg”.
Gjykata e Rrethit Fier e drejtuar nga Sokrat Dautaj, me pjesëmarrjen e prokurorit Kiço Koçi, me vendimin nr.94, datë 18.4.1980, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie, si dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. I bindur në kotësinë e vendimeve komuniste, Urim Elezi nuk e ankimoi vendimin. Pasi i kishte dërguar një letër Enver Hoxhës, ku e cilësonte “përbindësh të pangjyrë, të sëmurë me mani persekutimi”, më 6.12.1981, u rrah nga policët e Burgut të Burrelit, deri sa u verbua. U lirua më 10.2.1989, nga Reparti nr.305 Përparim i rrethit të Sarandës.
Prezantim
Unë, Urim Elezi kam lindur në Floq të Korçës. Origjinën e kam nga Elezët e Tropojës. Jam i biri i Resul Avdyl Elezit dhe i Emine Zyfer Shahinllit. Për sa i përket datëlindjes time, nuk është shumë e saktë, sepse kam katër të tilla nga “djallëzitë e sistemit diktatorial”. Konkretisht: 10 korrik 1941; 16/18 tetor 1941; e sipas prindërve, 4 maj 1943. Qysh prej lindjes time e deri në 4 dhjetor 1961, kam jetuar në fshatin e lindjes me dy prindërit, pesë vëllezërit: Avdyl, Festim, Myzafer, Myqerem, Bilbil dhe një motër, Merjemen. Si më i vogli i shtëpisë, e siç e do zakoni, merresha me punë fshati si bujqësi e blegtori. Në moshën 18-vjeçare (jo realisht 8 vjet, por 16 vjet), nisem ushtar në Gjirokastër, tek “Shkolla e Instruksionit”.
Atje, që nga 1961, dhe deri në 22 tetor 1963, kam bërë disa nga lëndët ushtarake përfshirë këtu topografi (e preferuara ime), ndërlidhje, artileri etj. Pas 13 muajve që prej fillimit gradohem nënoficer e, mbas dy javëve që mora këtë gradë, më mobilizojnë vetë i gjashtë e, më fusin në shkollën famëkeqe të “Zbulim-kundërzbulimit” (gjëja më e urryer për mua). Pikërisht aty, duke qenë se unë kisha paraqitje fizike shumë të mirë, më stërvitnin veçmas të tjerëve në mundje, boks, përdorim arme në të gjitha pozicionet etj.
Arrestimi i parë, nga tentativa e arratisjes, në burg
Babai im ishte myhib bektashian. Kur ai bisedonte me pleqtë e fshatit apo të afërmit e tij, me Nuredin Dervish Elezi e të tjerë (pjesëtarë të çetës së Sali Butkës), pasi shtëpitë/bahçet i kishim afër, dëgjoja për komunizmin: – “është sistem i paudhë që nuk beson në Zot”. Që asokohe, me endje dëgjoja plot histori që flisnin për bashkëfshatarët që arratiseshin. Që iknin nga sytë këmbët, nga vendi i izoluar i quajtur Shqipëri. Në vitet ‘50 -’51, u arratisën: Muharrem Dikolli me tre djemtë; Muhamet Refat Hasankolli; Ramadan dhe Resmi Hasankolli; Hysni Dervish Hasankolli me gruan, tre djemtë e dy nuset e djemve dhe kushëriri jonë, Bedri Osman Elezi. Në familjen time, s’kishte ditë që komunizmi mos zihej në gojë, sidomos, pasi vëllai i madh Avdyli, i detyruar nga rrethanat, kur shkoi ushtar në Elbasan, u bë komunist (vitet 1948-‘49).
Mbaj mend se babai e detyroi Avdylin të merrte grua Vlorën, motrën e Hamit Floqit (armik i betuar i komunizmit dhe nacionalist, dënuar me vdekje në burgun e Burrelit). Në një bisedë me Hamitin dhe vëllanë tim Festimin, babai i thotë Festimit: “Thuaji tët vëllai të ikim të gjithë, si Hysniu i Dervishit, se nëse ikim ne dhe e lemë tët vëlla këtu, do ta varin”…! Këtu filloi disharmonia familjare. Në ushtri në vitet ‘61-‘62, gati dy vjet në një repart me Hekuran Shytin, pas shumë bisedash me kryefjalë; “këtu nuk rrohet”, fitova besim. Një ditë tek dyqani i Vangjelit, ku ne ushtarët blinim galeta, torona, ushqime, petulla etj., duke ngrënë galeta i them Hekurit (kështu e thërrisja unë Hekuranin):
“A ikim, arratisemi”?… – menjëherë Hekuri më përqafon, më puth e më thotë: – “Ikim, po unë kam biseduar me Bexhetin (një shokun e tij në Korçë e dy të tjerë, që s’ua mbaj dot mend emrat), që të ikim nga Korça, por nuk dimë rrugën që andej…! “Tani, të ikim që sonte nga reparti Grehot, apo më mirë e lemë të ikim kur të jemi në stërvitje afër kufirit”? “Unë them të ikim kur të jemi në stërvitje afër kufirit”. Mirëpo, si për ters, nuk gjetëm mundësinë për arsye se ishim të rrethuar nga shumë ushtarë, oficerë e nënoficerë, plus që Hekuri ishte në Ndërlidhje e unë në Togën e shtabit të artilerisë, edhe këto na pengonin disi. Hekuri lirohet një vit para meje, në 1962-in. Një ditë para se të lirohej Hekuri, u takuam dhe vendosëm që kur të zinim në bisedat telefonike “SIGURIMIN”, do ta quanim me emrin e një vajze N. Në date 22 tetor ‘63, Hekuri më telefonon: “Urim, vajza N. nuk po më le rehat, prandaj po munde merr leje urgjent dhe eja”. Hekurani, në emër të vëllait tim Festim, dërgon telegram.
Një telegram sikur nëna ishte sëmurë rëndë nga zemra në spital. Të njëjtin telegram ma nisi mua dhe komandës. Kërkova leje dhe në datë 23 më thërret në fushën e rreshtimit komisari i repartit kolonel Fitim Balili, e pasi e përshëndes sipas rregullave ushtarake më thotë: – “Ke marrë ndonjë telegram nga shtëpia”?
– “Po, kam marrë, – i them. – Kam marrë nga vëllai një telegram, ku shkruhet se; kemi nënën shumë të sëmurë nga zemra në spital”.
– “Në rregull. Provimet e fundit kur i ke”? – “Pas 20 ditëve, – përgjigjem unë, – por nuk e mbaj mend datën”, (u shtira si i mërzitur, fiks sikur të kishte ndodhur diçka vërtet, për të mos rënë në sy).
Komisari me jep lejen e më thotë se: -“ke provimet e fundit e ne, ndaj po të japim 5 (pesë) ditë leje. Besoj se mjaftojnë për të takuar nënën”! E nderoj sipas rregullave ushtarake dhe largohem. Në datë 23 tetor unë marr leje, por nuk ika dot në Korçë, sepse nuk kishte makina. Atë natë fjeta në repartin ushtarak të qytetit të Përmetit. Në dhomën e repartit, pranë meje kisha një oficer Batalioni të Mbrojtjes së Leskovikut. Filluam të bisedonim normalisht si dy të panjohur.
– “Paske uniformë ushtarake të veçantë! Nga cili repart je”? – pyet ai, i pari. – “Gjirokastër, në Korpusin e Gjirokastrës”, – ia kthej prerë e vrenjtur.- “Më dukesh i mërzitur. Transferohesh diku? Më fal, se mund ta kem gabim”? – “Shkoj në Korçë, jam me leje se kam nënën rëndë. Kam marrë 5 (pesë) ditë leje, po ja, një, sot mu dogj. Kam e 20 ditë shkollë e, më pas gradohem nëntoger”. X-i (s’ja mbaj mend emrin, por di vetëm që ishte nga fshatrat e Beratit), tha: -“të shkuara, mos u mërzit!
Mos ki merak, nesër në orën 7.00, më vjen mua makina e do të ikim bashkë në Leskovik. Që andej, do të të ndihmoj unë që të nisesh në Korçë, sa më parë të jetë e mundur”. Dhe ashtu u bë. Qe shumë i saktë. E mbajti fjalën. Në orën 22:00 të datës 24 tetor 1963, arrita në Korçë. Të parin, takova Durim Shytin. Durimi më thotë shprehimisht: – “Urim, kemi rënë në erën e zagarëve të Sigurimit, shpejt të shkojmë tek Hekurani”. Bisedojmë me Hekurin, i cili më thotë të njëjtën gjë si Durimi.
– “Urim, janë shumë shokë të mi që duan të vijnë me ne, por Bexheti bashkë me ta, ka shumë rrezik që nga dita në ditë t’i arrestojnë”. – “Shpejt të ikim Hekuran, se po i arrestuan ata, do të të nxjerrin ty, e ti do na nxjerrësh ne. A të kujtohet filmi ‘Xhemile’, kur e kemi parë në kinemanë verore në Gjirokastër, ç’tortura i bënë asaj që të tregonte”?! – “Urim, po unë kam folur edhe me Bilon, Bilbilin, vëllain tënd, që ne do të arratisemi sa më shpejt të jetë e mundur”. U preka shumë: – “Obobo, ç’më the o Hekuran.
Duhet të nisem urgjent në fshat të takoj Bilon, që ta porosis mos bjerë pre e lojërave të Sigurimit”. (I rikujtoj ‘Xhemilenë’, që i hoqën gjinjtë, i shkulën thonjtë etj.) Në datë 24 tetor, fle me Durimin tek halloja e Durimit dhe Hekuranit. Në datë 25, shkoj në fshat, takoj vëllanë: – “Vëlla, unë s’mund të rri, se do të më arrestojnë. Thuaj s’di gjë se më keq do jetë për ty. Përndryshe, do të të vdesin në torturë dhe veç kësaj, do të marrësh në qafë edhe Festimin me Myzaferin, se dhe ata e dinë”…!
Vete të takohem me nënën. Nëna më merr duart, e m’i vendos në gjoksin e saj: – “Biri i nënës, çfarë ka ndodhur, pse ke ardhur, sa ka që ishe me leje? Je shumë i shqetësuar bir…”?! Ndërsa motra, Merjeme, më vuri duart në supin e djathtë e, më shtyn: -“Jo, ne s’të lemë të ikësh. Na thuaj ç’të ka ndodhur”?! – Më shtrëngonin të dyja aq fort, saqë ngela në vend. Zoti i Madh më dha forcë e u them:- “Mos më mbani më, se ora vajti 14:00, dhe në 18:00, duhet të jem në repart me patjetër, se jam me shërbim”. Shkëputem me vrap nga ato. Në oborrin me kalldrëm dëgjoheshin takat e çizmeve që kërcisnin…! – “Kujdes, avash”!
Me fjalët e nënës dhe të motrës, kaloj portën e shtëpisë. S’paska gjë më të tmerrshme se të ndahesh në këtë mënyrë me familjarët e tu…?! Sa zbres në mes të fushës së fshatit, pa dalë në xhade, shoh që drejt meje po vinte vëllai tjetër, Myqeremi, me biçikletë. U përgatita që së largu se çfarë do t’i thoja: – “Vëlla, në 18:00, duhet të jem në repart me patjetër, se jam me shërbim”. – |Merre biçikletën time që të vesh më shpejt”, – më tha ai. Edhe pse kundërshtova, Myqeremi ngulmon dhe ma jep biçikletën. Nisem për në Korçë. Filloi të binte një borë me flokë të paparë, ishte lloha e tretë që kishte rënë.
Siç e lashë me Hekuranin e Durimin, rreth orës 15:00 mbërrij në Korçë. Dakordësohemi që në orën 20:00, do takohemi, ose në Pastiçeri “Pekini”, ose në “Kristal”. Që andej do shkojmë të hamë në Hotel-Restorant – “Krimea”, e më pas do të vazhdojmë më tej. Në 19 e 30 bashkë me Durimin, nisemi për tek pastiçeri “Shaqir Gega”. Moti qe shumë i keq. Dëbora s’po ndalte së rëni shtëllunga-shtëllunga. Në mes të asaj kohe, më del përpara një djalkë rreth 5-6 vjet, i veshur shumë hollë dhe keq. Ai po dridhej nga të ftohtët si purtekë bashkë me 4-5 kaushët me qiqra të pjekura që mbante në gjoks: – “Merr njëckë, merr njëckë”! Fus duart në xhep e të gjitha lekët që kisha, rreth 15 mijë lekë, që në atë kohë ishin tre rroga të mesme, ia fus në gjoks. Ai filloi të qante, më kapi për dore dhe më luste të vija me të tek prindërit e tij.
– “Unë do të vij nesër, por thuaju prindërve që të të veshin mirë, se do vij të të shikoj”.- “Po, po”, – me lot në sy, djalka largohet. – “Shumë lek i dhe, – më thotë Durimi, – ia linim hallos ose motrës ato lek”. – “Ka më hallo e motër se ai fëmijë. Ti lek për në Hotel Restorant ‘Krimea’ të hamë ndonjë gjë ke, kështu që…”? Ora shkoi 1945. Hekurani me Robertin (e kishte lajmëruar Hekuri) ishin tek “Kristali”. I takojmë ata dhe së bashku nisemi për tek Hotel-Restorant “Krimea”. Sa vajti ora 20.00, u ngritëm…!
Plani i arratisjes
Në “Krime” vendosëm të katërt që; gjatë rrugës Korçë-Floq, po të na takonte njeri (sepse sigurisht ishin gjithë ato fshatra), unë do të bëhesha si i pirë, e këta të tre do të thoshin: – “po shoqërojmë Urimin”!…Dhe do ja bënin me shenjë, për të treguar që unë kisha pirë. Hekurani: – “Po mirë, ne katër zdapa, kush do na besojë”? Unë: – “Më mirë, që të na besojnë, do të vemë të marrim biçikletën time, që kam lënë tek halloja juaj”. (pasi me biçikletën nuk do të dyshonte kush që do të arratiseshim). Për të marrë biçikletën tek halloja e Durimit dhe e Hekuranit, dërguam vjedhurazi Robert Moravën (Bertin). Pasi e mori, u nisëm të katërt me biçikletën.
Pa vajtur në Floq, tek lumi i Stërmoit, lamë biçikletën në mes të rrugës dhe u nisëm përpjetë, përmes korijes së dushkut. Arritëm në burimet, tek varri i Bilbil Hysen Ogrenit (varri ishte shesh, por kishte dy gurë sa për shenjë, “24 prill 1958”), i cili u vra nga njerëzit e Sigurimit në prezencë të vëllait të tij, Servetit dhe dy motrave, Bajame dhe Skënderie (më e madhja për sa më kujtohet, nuk ishte mbi 13 vjet). Prej andej, vazhduam përpjetë Groshtave. Për çudi, sa lamë korijen e morëm përpjetë, bora pushoi. Kthej kokën për të parë për herë të fundit fshatin tim, në të cilin tek-tuk kishte drita llambë me vajguri. Në këtë moment u prisha në fytyrë.
Të tre njëzëri më thonë: – “E bre, mblidhe veten tani se do kthehemi”. (Hekurani në këtë moment, më shkund për xhakete). – “Më tepër se Skënderbeu, s’do ta mbajnë jo. Më tepër se 10-12 vjet, nuk do rrimë atje ku do të vemë”. Sa lamë arrën e Hysen Beqirit, aty këpucët filluan të na mbusheshin me dëborë. Gishtat e këmbëve, sa më shumë ecnim aq më shumë “miza” na lëshonin. Kur arritëm në arrat e bashkat, në fund të Malit të Kuq, andej nga ana e Kozelit, pamë një dritë, një dritë çakmaku.
“Mos bëni zhurmë, – u them shokëve; është Njësiti i Postës tre veta, patrulla e Postës dimërore në Kozel). Pushoni! Tani natën dëgjohet shumë! Aty ku duket drita, i thonë ‘Qafa e Priftit’, njësiti deri aty vjen e, kthehet në Postë”. Në majë të Malit të Kuq, tek Flamuri, filloi një dëborë me erë, që nuk të linte të ecje. Duke parë situatën u vendosëm kolonë të katërt. Unë, isha i pari. Mbaj mend që kisha një xheke treçerekëshe amerikane, në të cilën fusja hundët e gojën. Megjithëse nuk pamë gjë fare, kaluam deri në Gramoz.
Në 01.30 të natës, kaluam Piramidën (këtë e morëm vesh gjatë Hetuesisë) e, morëm lumin për të ecur deri aty ku mundeshim. Aty, Roberti s’po mundej më nga këmbët dhe po ankohej: “po më dhembin shumë gishtat e këmbëve”. Grisa menjëherë këmishën fanellatë që e kisha poshtë këmishës së kostumit dhe ja dhashë Bertit, të mbulonte këmbët. Kështu vazhduam të ecnim për rreth 10-15 minuta, deri sa dolëm nga lumi. Duke qenë se dëbora me erë po shtohej, e humbëm fillin e udhëtimit fare. Ngatërruam rrugën pa vetëdije, pasi asgjë nuk dukej. U futëm rreth 300 m. në kufirin tonë (edhe këtë e mësuam në Hetuesi). Ora ishte rreth 10.00.
Dëbora pushoi dhe dita po zbardhej. Papritur, ishim në token tonë. Na u rrëqeth trupi kur e kuptova këtë gjë. Përballë nesh, afro 500 m. në vijë të drejtë ndodhej posta greke. Vështruam ushtarët grekë që vinin rreth e rrotull me qen. Paskëshim kaluar afër postës greke. Në këtë moment na paskësh parë atë e bir nga Kamenica, Shabani dhe Esati, (ndryshe i thërrisnin Aska dhe Bezati), të cilët kërkonin nga Partia për spiunllëkun e tyre, si shpërblim, një shtëpi në qytet. I ati i Esatit nxirrte pishë në ato anë dhe ka marrë shumë të tjerë “në qafë”. U premtonte që do t’i nxirrte jashtë vendit dhe afër kufirit u ngrinte kurth. Një prej tyre qe edhe Gaqo Kaskaviqi. Esati…ishte ai që kishte vajtur në Postë dhe na kishte spiunuar…!
Ai bashkë me komandantin e postës, dy veta, qenin e kufirit dhe disa të tjerë, që nuk ua dalluam dot mirë fytyrën, por që i dëgjuam vetëm nga zhurma që krijonin, na kishin rrethuar. “Ndal”! – bërtiti komandanti. Në atë moment, shikoj tre persona me armë dhe qenin me trup kafe të errët dhe gjoksin me pulla të bardha. Më vjen tmerr të vazhdoj të tregoj, sepse e di që historinë time, mund ta lexojnë njerëz me zemër apo gra shtatzëna…! Ndaj nuk po tregoj se ç’ndodhi më tej në ato çaste. Vetëm kaq mund të them: Jetën tonë e shpëtoi Zoti! Komandanti i Postës i thirri atij që kishte qenin:- “Mooooos, Ibrahiiim”!
Në postën kufitare
Sa hap sytë, pa ditur se ç’kishte ndodhur më parë, shoh veten të lidhur me tel dhe litar. Nga sytë s’po shikoja qartë. Madje, as shokët e mi s’po i dalloja mirë. (Se përcaktoj dot si kohë), futet i pari ushtarak me peliçe e më thotë: – “Cili është ai ushtaraku”? Berti, me zë të mekur, gjysëm i vdekur: – “Unë jam”!…Në të vërtetë, isha unë. Sa mbaroi fjalën Roberti, ushtaraku me peliçe i fut një grusht në fytyrë. E rrëzoi përtokë. Fill pa këtij gjesti, u futën pas tij një mori oficerë të tjerë. (Detajin që njëri prej nesh qe ushtarak, e kishte treguar Esati). Na zenë si thasë dhe na çojnë në dhoma më vete. Vura re që ai që goditi Bertin, në dorën e djathtë nuk kishte gishtin e madh. Sulet drejt meje, merr karrigen dhe e thyen mbi kurrizin tim..! Filloi të më shante nga nëna e, të më binte me fshikull hekuri: – “na theu karrigen ky qeni”!…
Se sa herë më ka rënë të fikët se mbaj mend, por fare mirë e kujtoj se kur isha shtrirë përtokë, dëgjoja nga dhomat e tjera tre shokët e mi që lëngonin, secili në dhimbjen e vet. Mes lëngimesh dëgjoj zërin e Hekurit: – “O nënockë, o nënockë”…
Me kë jeni tjetër? – më pyet një zë. Aman, mos më torturoni më, – u them unë, – më vrisni më mirë! Çfarë doni nga ne?! Do të firmosim çfarë të doni ju, por ta dini që s’kemi të tjerë. Një nga pesëmbëdhjetë xhahilët pohon për Hekuranin: – “Ai tjetri tha, që nuk deshëm të arratiseshim”. Pa vetëdije e dëgjoj një rënkim: “… oh, oh, oh…”, dhe me mëdyshje mendova që përsëri qe zëri i Hekuranit. – “E firmos që do të arratiseshim, por mos na torturoni më”.- u them për të dytën herë. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












