Nga Lek Pervizi
Pjesa e katërmbëdhjetë
ODISEJA E PAFAJSISË
Vёllait tim Valentin, qё pёrballoi
47 vjet rresht stuhitё ideologjike tё
komunizmit, pёr ma tepёr i ndarё
nga grueja, njё Odise e vёrtetё
mes shekullit njёzet.
Memorie.al / Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore, nëpër kodrën që quhet e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullinjt që njihen si të Gjin Pjetrit, që ngrihen njeni pas tjetrit. Kalon dhe kullën dykatëshe të Ndrec Pjetrit, vëllai ma vogël i Gjinit e pastaj, ndesh në një brez shkëmbor mbi të cilin ngrihet një kompleks prej tri ndërtesash gurore, kullat historike që njihen si kullat e Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit. Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën, që formohet nga bashkimi lumenjve Mat e Fan (degë e Matit), deri në Milot. Pothuaj një kala, që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese të huaja, që mund të depërtonin nga ajo grykë, deri sa të ndesheshin në murin e maleve të Skurajt, ku, ngriheshin kullat që përmendëm.
Vllaznit e shtjellime tё tjera
Valentini nga nga viti 1943, nuk ishte takue me vllaznit. Kur erdhi në Shqipni më tetor 1944, mori vesh se ata ishin strehue në mal pas djegies së shtëpive në Laç e Skuraj. Ata qëndronin të fshehun me gjithë nanën e gjyshen nga frika e komunistëve, siç e kemi tregue, ku ndenji 8 muaj nën mbrojtje e familjes së Nikoll Llesh Gjokës në Skuraj. U kthyen në Laç në prill 1945, të shtëpia e djegun dhe kaluan në Tiranë, ku zunë një dhomë me qira. Ndërsa nana e gjyshja, u internuan në Berat, ku ma vonë i arriti Valentini.
Nga dy vllaznit, unë ma i vogli kisha zanë punë në librarinë e çiftit korçar Kote-Pepo, në ish-librarinë italiane “Marzoko“, e djegun gjatë Luftës dhe e rindertueme prej tyne. Ata më pranuan si shitës, duke qenë se e kishin njohur babën, kur ai ishte me detyrë në Korçë, dhe kishin një konsideratë të mirë për të. Kjo më vlejti si njëfarë mbrojtje, sepse si Llambi Kote, asht dhe shoqja Vrisidha Pepo, ishin komunistë e, kishin njohje e miqësi me funksionarë të lartë, deri dhe ministra, si Koçi Xoxe dhe vetë kreun e qeverisë, Enver Hoxhën. Ndërsa Genci, mundohej me gjet ndonjë punë krahu. Kryesorja ishte me shty ditët, me shpresë të një ndryshimi drejt zbutjes së situatës në Shqipni.
Mendohej se Aleatët do të bënin diçka e do të ndërhynin për të normalizue situatën, që ishte ashpërsue me ngritjen e gjyqeve speciale e, me masa drastike, si pushkatime, burgosje dhe internime të qindra e qindra familjeve, siç ndodhi me familjen tonë. Duke kapërcye rrethana të tjera, po tregojmë se si u ba e mundshme qe gruaja e Valentinit, te riatdhesohej. Fakt që hyn në rrjedhat e ngjarjeve që shoqnuen jetën e Valentinit.
Ajo erdhi në Tiranë, për të rregullua dokumentet, për riatdhesim me anë të “Çirkolo Garibaldi“, që përkujdesej për riatdhesimin e italianëve që kishin mbet në Shqipni. Ishte Genci që i siguroi qёndrimin pranё familjeve mike, Bonati e Toptani. Ajo erdhi në librari për t’u njoh me mue. U njoh edhe me pronarët, z. Llambi Kote dhe Znj. Vrisidha Pepo, që e morën vesh historinë e saj e, mbetën shumë të prekun.
E shoqnueme prej Gencit ajo arriti t’i plotësojë dokumentet që kërkoheshin e kishte ngel puna, vetëm për firmën e Ministrit Brendshëm Koçi Xoxës. Si me ia bë?! Të shkonte ajo vetë? Mos i ndodhte si me Mehmet Shehun?! Nuk dinim si me veprue. Në ato rrethana, Gori vjen te libraria ku do të priste Gencin, që kishte shkue diku. Aty ndodhi pronarja e librarisë znj. Vrisidha, e cila e ftoi të rrinte me të, deri sa të vinte Genci. Vrisidha e mori vesh problemin e saj.
– “Si? Ka mbetur puna për firmën e Koçit?! Ma jepni ta shoh dokumentin, këtë punë ka mundësi ta zgjidh vetë“. Ishte diçka e papritur. Gori e befasueme nga ajo sjellje aq fisnike, duke bëlbezue; “Grazie… grazie signora… Lei è troppo buona“, nxori nga çanta dokumentin dhe ia dorëzoi. Vrisidha i hodhi një sy dhe e futi në çantën e saj, ndërsa i fliste Gorit: – “Rri e qetë. Do të hyj vetë drejt e te Ministri, sa të marr vesh, se kur mund ta gjej në zyrë“.
Zoja Vrisidha e mbajti fjalën dhe të nesërmen nga ora dhjetë, drejt e në zyrën e Koçit. Unë rrija në pritje të kthimit të saj. Nuk kaloi një orë, veç kur e pashë që po vinte si e nxitueme. Hyni në librari krejt e buzëqeshur, dhe ma tregoi dokumentin e firmosur.
-“Ia mora firmën qenit! Dhe kaloi te z. Llambi, që u gëzue shumë. Pastaj na tregoi se si Koçit, e kuptoi se Gori i përkiste familjes së Preng Pervizit dhe i kishte bë vërejtje. “Unë i thashë, – tregonte ajo, – se atë grua e kisha një shoqe te ngushtë, që donte me u kthye te prindit. I kam dhënë fjalën, prandaj erdha këtu të ma kryesh këtë ndër. Ai atëherë e firmosi dokumentin, duke tundur kokën“.
Nuk vonoi shumë dhe Gori erdhi me Gencin. Nuk përshkruhet gëzimi saj, ndërsa e falënderonte Vrisdhën, krejt e emocionueme. Në “Cirkolo Garibaldi“, u gëzuan dhe menjëherë i caktuan datën e nisjes, pas 10 ditësh. Ajo shkoi në Shkodër, ku e lanë me u takue në burg me Valentinin, siç e kemi tregue. Pastaj ditën para nisjes, erdhi me u përshëndet me Gencin e me mue dhe me pronarët e librarisë, ku ndarja me znj. Vrisidha, ishte tepër emocionuese.
Gori ia dedikonte asaj shpëtimin dhe e quante si një mrekulli. Nuk vonoi shumë dhe në librari erdhi një telegram dergue znj. Vrisidha, ku i tregonte gëzimin e saj, që ishte bashkue me familjen në Bolonja, tue theksue se nuk do ta harronte kurrë të mirë që i kishte ba. Këto ishin rrethanat që shoqnuen riatdhesimin e Gorit.
Le të rikthehem te Valentini, që tani ishte në Berat, dhe kishte mundësi të merrej vesh me Gorin, me ndonjë letër, por ma tepër me kartolina, duke qenë se letrat censuroheshin rreptë. Sa që Valentinit nuk i vinin letrat e Gorit dhe i pat shkrue se si ishte puna, që nuk po merrte letra prej saj. Në një kartolinë ajo i thoshte, se i kishte shkrue vazhdimisht. Kështu që edhe ajo nisi të përdorë kartolina, me pak fjalë. Sigurisht se me largimin e saj, e gjithë familja jonë u qetësue, por qëndronte problemi, sa do të zgjaste kjo ndarje e dy bashkëshortëve?!
A do të kishte përmirësim gjendja? Njerëzit e shpresonin një gja të tillë, por faktet tregonin ndryshe. Nuk shihej as një lloj zbutje. Vazhdonte fushata e terrorit, me arrestime, gjyqe, dënime me vdekje, pushkatime e burgje e internime. Kjo valë përfshinte shtresën e ngritur intelektuale, por nuk kursente as popullatën e thjeshtë, veçanërisht atë të krahinave të veriut. Berati, – na tregonte Valentini, – u mbush plot me t’internuem dhe u ba problem.
Një pjesë e tyne, u transferuan në Kuçovë, ku u caktuan me punue për ndërtimin e fushës së aviacionit. Të tjerë, në fermat e Valiasit e të Kamzës. Kur ja papritur, u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë. Kjo shkaktoi arratisjen masive të malësorëve të Veriut, për në Jugosllavi. Si rrjedhim, shteti ndërmori masa drastike, ndaj familjeve të tyne, duke i internue në Berat, që ishte caktue si qendër internimi.
Berati nuk kishte ku me i çue ato mija të internuem, që mbushnin rrugët e sheshet e qytetit. Atëherë qeveria, vendosi të krijojë një qendër tjetër ma të izolueme, dhe zgjodhi Tepelenën. Jo qytetin, por disa fshatna përreth, si Turanin, Veliçotin e Memaliajn, ku ishin disa baraka italiane të braktisura. Ky transferim, ndodhi në gusht 1948. Valentinin nuk e gjeti ky transferim, sepse papritur i erdhi lirimi, për mbarimin e tre vjetëve të dënimit.
Por mama dhe gjyshja, u përfshinë me qindra familje të tjera, ku shuma e përgjithshme e t’internuemve të veriut, arrinte në rreth 3000 vetë, shumica dërmuese, pleq, gra e fëmijë. Situata u ashpërsue dhe perspektivat e një përmirësimi të gjendjes, zhdukeshin. Mundësia që Valentini të bashkohej me Gorin, ishte hipotetike. Vuejtja shpirtnore e të dy bashkëshortëve, rritej dita ditës, pa rrugëdalje. Valentini e ndjente veten, dyfish të dënuem.
Ndërkaq diçka kishte ndodh, që nga një anë ishte një gëzim për ne, sepse im atë, kishte arrit të arratisej në Greqi, në shtator 1946, kështu që ne u liruem nga ankthi se mos e kapej ose vritej në mal, ku mundi me qëndrue dy vjet, pa u diktue kurrë, prej besnikërisë së fortë të njerëzve, që e mbronin e strehonin. Në këtë arratisje, ishim përfshi unë e Genci, me familjen mirditore të Llesh Gziqit e, birit tij, Ndue Lleshi, që e kishin mbajt të strehuem në shtëpinë të tyne, në Sauk, 10 ditë, pothuaj ngjit me “Pallatin e Brigadave”.
Por heronj i asaj ngjarje, ishte shoferi korçar, Llazi Sterjo, që e kishte përcjellë gjeneralin e tij, nga Tirana deri në kufirin grek, në zonën e Bilishtit, prej ku im atë kishte kalue në Greqi. Lajimin, Valentini, gjyshja dhe mama, e morën nga vetë shoferi Llazi Sterjo, i cili mbasi e përcolli komandantin e tij, shkoi fill e në Berat, për t’ua dhanë sihariqin. Por kjo nuk kaloi pa telashe, sepse Genci me shoferin, Llazi Sterjon, Ndue Lleshin si dhe zonja Marta Doda, e përfshire në atë punë, u dënuan me nga 10 vjet burg, kështu që unë mbeta fillikat vetëm në Tiranë, në mëshirë të fatit.
Gjithë sa po tregojmë, merr edhe kuptimin e një Odiseje të dhimbshme, ku në vend të tallazeve e stuhive të detit që përballoi Uliksi, Valentinit i ra me kalue nëpër tallazet e stuhitë e ndjenjave të acarueme, të shpresave të shumë, dhe të sakrificave e vuajtjeve shpirtërore, fizike e materiale. Ndarja prej gruas se tij, prej së cilës i mbetej me kujtue vetëm kohën e rinisë së lumtur, i shkaktonte një revoltim të brendshme, për padrejtësitë që i bëheshin, pa qenë fajtor për asgjë.
Aq ma tepër, për Gorin e tij të dashur, që ishte krejt jashtë kësaj gjendje, dhe binte vërtet si një viktimë e sakrifikueme, në altarin e idiotësisë njerëzore. Sepse për çfarë po ndodhte në Shqipni, mund të kuptohej vetëm si një idiotësi, marrëzi e çmenduni. Përfundimi asht, se lufta botnore kishte marrë fund, e gjithë sa ndodhte në Shqipni i përkiste një kohë paqeje, ndërsa diktatura komuniste, po sillej si në kohë lufte. Kjo luftë e brendshme, justifikohej me përkufizimin «lufta e klasave», që supozonte një gjendjen lufte, që do të vazhdonte gjatë një gjysmë shekulli.
Lirim i papritun
E treguam ngjarjen e arratisjes së prindit, për të plotësue ato rrethana që Valentini nuk mund të dinte, se si ishin zhvillue. Ai i mori vesh të gjitha prej meje, kur papritmas u lirue e erdhi në Tiranë. Si ndodhi?! Më dhjetor 1947, komandanti i kampit të Beratit, toger Xhaferr Pogaçe, i njofton lirimin. Ishin mbushë tre vjetët e dënimit të gjykatës së Shkodrës. Ai fillimisht desh të qëndronte në Berat, pranë gjyshes e mamës, ku mund të gjente ndonjë punë e, t‘u vinte në ndihmë. Por disa miq e këshilluan që të largohej, sepse aty do të shikohej e trajtohej, gjithmonë si një i intenuem.
Kështu në shkurt 1948, Valentini vjen në Tiranë ku bashkohet me mua. Një gëzim i madh për mua, që tani kisha një mbështetje dhe zhdukej mërzia e vetmisë, që më kishte mbështjellë. Me këtë rast, ai i morr vesh gjithë përpjekjet e Gorit, për të nxjerrë dokumentet e riatdhesimit të saj. Në këtë mes, ajo kishte pasë mbështetjen, sidomos të Gencit, që e shoqëroj në çdo zyrë e instancë.
Por rol kryesor kishte luajt “Circolo Garibaldi”, që ia lehtësuan nxjerrjen e dokumenteve, ku mungonte vetëm firma e Ministrit të Brendshëm. Siç shpjeguam, paraqitej vështirësia e aprovimit nga Koçi Xoxe. Pengesa kryesore. Ja që doli një njeri i mirë, Zoja Vrisidha Pepo, që e zgjidhi atë punë. Mos te lashtë Zoti pa njerëz të mirë !
Lirimi i Valentinit dhe ardhja e tij në Tiranë, i gëzoj të gjithë sa na njihnin. Ai pati rast të falënderoje Zojën Vrisidha e zotin Llambi, për përkrahjen që i kishin dhanë Gorit. Gjithashtu familjet Bonati e Toptani, ku Gori kishte qëndrue gjatë kohës së rregullimit të dokumenteve, që zgjati afro një muaj. Ndërkaq, ai u takue me disa ish-shokë akademistë, që nuk kishin pësue gja dhe ishin punësua si llogaritarë, pranë ndonjë ndërmarrje.
Kjo i jepte shpresë mos edhe ai siguronte ndonjë punë. Pastaj mori vesh si ndodhi arratisja e prindit tonë, dhe u njoh e miqësua me ata që e strehuan, Ndue Lleshin, të cilin e kishin lirue me një falje, që u bë me 28 nëndor 1947, në 35 vjetorin e Pavarësisë. Edhe të zotët e shtëpisë ku banonim, zoti Qazim Zyma dhe e shoqja, zonja Nurie, u gëzua.
Qazimi ish-major në gardën e Mbretit Zog dhe si ai, ashtu e shoqja, e njihnin mirë prindin tonë dhe e treguan atë miqësi tue mos na marrë qera, për dhomën që na kishin lirue. Z. Qazim e mori përsipër ta njohë Valentinin, me çështje llogarie, ku rëndësi në atë kohë ishte zotërimi i asaj që në kontabilitet quhej “doppia partita”. Por kjo nuk i hyni në punë, sepse sa merrnin vesh i kujt ishte, i mbyllej dera.
Në gjithë sa thamë, ma e rëndësishmja ishte se Valentinit, i jepej mundësia të komunikonte me gruan e tij, me letra. Ajo ishte gëzue shumë për lirimin e tij, dhe shprehej për mundësinë e ardhjes së saj, për t’u bashkue përsëri me Valentinin. Por duhej ecur me kujdes në këtë drejtim dhe Valentini e mbante Gorin me fjalë të mira, për një zgjidhje të tillë. Sepse në Shqipni, vazhdonte vala e terrorit dhe po dalloheshin shenja të një lëkundje të marrëdhënieve me Jugosllavinë. Tito e Stalini kishin fillue, mos me qenë dakord në disa pika.
Kjo dallohej në ardhjen e kontaktet e emisarëve të ndryshëm të dy palëve me udhëheqësit shqiptarë. Ku disa prej tyne, shkonin e vinin nga Belgradi dhe Moska. Flitej se në atë verë, Marëshalli Tito do të vizitonte Shqipninë. Se kjo vizitë do të kulmonte me shpalljen e përfshirjes së Shqipnisë në Federatën Jugosllave, si Republikë e shtatë. Për këtë punë, kishte ardh në Tiranë i dërguemi i posaçëm Titos, Stamboliç. Diçka vlonte e mbulueme me sekret të madh. Por në popull, qarkullonin të tilla fjalë.
Në këto rrethana të reja, që u krijuan për Valentinin, Gori i shkruan se në Itali, ia kishin ndërpre përfitimin nga rroga e Valentinit, e i kërkonin një prokurë prej tij.
Kështu ne u interesuam dhe Valentin e hartoi një prokurë të tillë, te një noter. Por ajo prokurë, duhej aprovue e vulosë në Ministrinë e Jashtme dhe në ambasadën e Jugosllavisë, që përfaqësonte Shqipninë. Kjo detyrë me ra mua, sepse Valentini kishte gjetë një punë si mekanik, në një ofiçinë automjetesh. A do ti, se si në Ministrin e Jashtme, ashtu në ambasadën jugosllave, nuk hasa në asnjë pengesë, dhe kështu dokumenti i shkoi Gorit, e cila u gëzue shumë.
Pavarësisht nga këto rrethana, për Valentinin qëndronte gjithmonë problemi i kësaj ndarje, të imponueme nga rrethanat e mbrapshta e, ku një zgjidhje nuk dallohej në horizont. Të dy palët vuanin nga kjo gjendje e pa shpresë të dukshme, veçse e supozueme, se mos realizohej nga rrethana të papritura të përmirësimit të situatës në Shqipni. Kjo me thanë të drejtën, ishte një si ëndërr, sepse realiteti tregonte të kundërtën. E gjithë mundësia një ndryshim drejt normalizimit të situatës në Shqipni, nën regjimin e diktaturës komuniste, qëndronte sipas shprehjes italiane «in alto mare», në det të hapur.
Shpresa tё thyeme
Me ardhjen e Valentinit, unë mora kurajo me provue për vazhdimin e shkollës. Asnjë shkollë nuk më qaste. Një vit ma përpara, se si kisha depërtua ne gjimnazin e natës. Kjo në saj të Prof. Abdurrahim Buzës, piktori i shquar, i cili e kishte njoh mirë babën dhe kishte admirim për të. Ai bani si bani e, më regjistroi. Unë e vazhdoja punën në librari. At vit, unë e përfitova dhe u pajisa me një dokument shkollor shqiptar. Por rrezikohesha, të më merrnin ushtar.
Duhej një shkollë e rregullt dite. Ndërkohë Valentini, interesohej me gjet ndonjë punë të përshtatshme, mos e ndihmonin edhe disa shokë me pozita, si Abdyl Këllezi, i cili ishte forcue shumë në parti e qeveri. Ky u tregua tepër i dobët, ndaj Valentinit. Kur shoku i tij Minella Naçe, i foli për të, ai ishte përgjigj fodullçe: ”Ç’të bësh?! Valentini është një viktimë e kohës”! Me kët frazë cinike, ky që ishte shok i ngushtë, Abdyli, i lau duart si Pilati, për Valentinin e pafajshëm.
Minella kishte mbet i skandalizuem. “Si ore Abdyl, shokun tënd ma të ngushtë, e quan një viktimë të kohës?! Mos t’i pâfsha ma sytë! Edhe Valentini ishte i shqetësuem për mua. Se kush e drejtoi për te një shkollë të mesme të re ekonomike që hapej, ku dhe arrita të regjistrohem, sepse nuk po mbushej numri i nxënësve. Pas dy muajsh, më përjashtuan me ceremoni, bashkë me djalin e Qazim Mulletit, Reshitin. Nuk na rrahën. Edhe nga Liceu Artistik, më kishin përjashtua vitin përpara, nga konkursi. Po ashtu nga një kurs gjeometrash, ku me kishte përzënë, vetë ministri Industrisë, Abedin Shehu (që ma vonë, gjoja vrau veten).
Në atë kohë, jo vetëm unë, por të gjithë studentët nga familje reaksionare e të deklasueme, i kishin përjashtue, bile tue i rrah. Kështu kishte ndodh edhe me Liceun Artistik, prej ku i kishin përzënë gjithë nxënësit nga familje reaksionare, me ceremoni rrahje, me shqelma e grushta, nga vetë shokët e tyne, të Organizatës së Rinisë. Papritur, ndodhën ngjarjet e prishjes me Jugosllavinë. Ku ia ngarkuan asaj, të gjithë ato masa të këqija, që ishin zbatue deri atëherë.
Nxënësit e përjashtuem, u rikthyen në bankat ku kishin qenë. Me kët rast, mora zemër dhe vendosa të paraqitem përsëri në Liceun Artistik. Konkurs. Fitova. Megjithëse i banë disa orvatje të tërthorta, për me më largue e, mos më lejue të vazhdoja. Valentini u gëzue. Në të gjithë ato të këqija, po fillonte me lind një shpresë normalizimi, ndonëse i dhimbshëm. Letrat nga Italia, ishin ma të rregullta. Kishim shpresë se Gori, mos na ndihmonte me pako e pare. Prej babës që nuk dinim asgjë, me anë të Gorit, merrnim vesh se ishte mirë. Ai vazhdonte të qëndronte në Greqi.
Në këto kushte, shoku i burgut i Valentinit, Zef Mazrreku, ose Zef Agimi, që kishte miqësi me piktorin, Fadil Pllumbi, i cili ishte caktue si përgjegjës së Ekspozitës së pesë vjetorit të çlirimit, që do të hapej më 29 Nëntor 1949, me bani me punue si piktor në atë Ekspozitë. Aty punonim piktorë e njohun, Sadik Kaceli, Bukurosh Sejdini, Safo Marko etj., Fadil Pëllumbi, ishte dhe shok i ngushtë i Gencit dhe me njihte edhe mua, kështu që e bani atë gjest të mirë.
Fitova ca pare dhe na u ngroh zemra, se mund të ia dilnim n’anë, me ndihmue dhe gjyshen, mamën e Gencin. Kur na erdhi lajmi i zi i vdekjes së gjyshes në Tepelenë! S’ishte punë që bëhej, thesi i shqerrun, s’mbahët me arna. Ndërkaq, re të zeza të tjera, po grumbulloheshin mbi ne. Unë shifsha ëndrra të këqija, me lumenj të turbullt, ura të shembura, kërcënime kafshësh t’egra, etj. Si mos me u besue ëndrrave, kur këto në njëfarë mënyre, dilnin?! Ç’lidhje kishin me fatin tonë?! Ngjarjet që ndodhën, do të me jepnin pakëz të drejtë.
Ishte marsi 1950. Andej nga mbrëmja e një dite të zakonshme, duket në librari një fytyrë e pame diku, po që nuk po e njihja. Ishte Ded Gjomarku, i porsa liruem nga burgu, pas pesë vjet. Vinte nga kampi i Lekajt. Ku të shkonte? Gjithë familja, ishte e internuar në Tepelenë. Genci e kishte drejtue te ne, kushërinj, ose daja të tij. Alarm! Sigurimi na ruante, nga të katër anët. Pritshin, që mos ndërmerrnim ndonjë hap të gabuem. Doli se Dedën, e kishin lirue qëllimisht. U kurdis loja. Arrestojnë mua dhe Valentinin, duke na shtrëngue me kallëzue, se ku mund të kishte shkue Deda, i cili, gjoja, ishte zhduk e nuk e gjenin.
Mua me kishin arrestue, kur isha me Dedën, dhe me ndanë prej tij. Kështu që ne të bindeshim se ai kishte arrit të arratisej në mal! Na përplasën ndër biruca të ndryshme e, përfundimisht na mbyllën ne kalanë mesjetare të Porto-Palermos, bashkë me shume të tjerë. Burg e kalue burgut! Për Dedën asnjë lajm. U hap fjala se Ded Gjomarku, kishte dalë ne mal, për të organizue të arratisurit. U kishte ik organeve të Sigurimit, ndërsa dy bijët e Prenk Pervizit, i kishin arrestue e zhduk diku. Plan i kurdisur bukur mirë! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016