Nga Hysen Selmani
Rrëfimet e ish-adjutantit të Mbretit Zog, kolonel Hysen Selmani
Memorie.al / Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Këto kujtime, me miratimin e vetë Madhërive të tyre, – Leka i I-rë, Mbreti i Shqiptarëve dhe të Mbretëreshës Geraldinë të Shqiptarëve, po i paraqiten popullit në një trajtë të re botuese, në të cilën, sipas këshillave të miqve dhe të ekspertëve të materialeve, kolonel Hysen Selmani, i zhveshur nga çdo emocion dhe duke u treguar i paanshëm, i paraqet faktet me të rëndësishme të kohërave që kanë të bëjnë me, ngjarje relative, duke shmangur çdo kritikë të personave që morën pjesë në këto ngjarje dhe që luajtën një rol të rëndësishëm, gjatë periudhës së rilindjes së Kombit Shqiptar.
Përpilimi iu këtyre shënimeve, natyrisht përfshin edhe periudhën para-zogiste, duke filluar që para Lidhjes së Prizrenit, – nga ringjallja e shpirtit të popullit shqiptar, gjatë shekullit të XIX-të, deri në vdekjen e tij, në vitin 1961.
Periudha që po paraqesim publikut, është një ndër më të komplikuara dhe një ndër më të pa stabilizuarat e historisë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin. Shqipëria, ashtu si dhe shtetet e tjera ballkanike, pas një robërie të gjatë, nën perandorinë osmane, ringjallet dhe fillon të punojë për liri dhe autonominë e saj. Ajo kërkon të gjejë atë sistem politik e shtetëror, që historia, gjaku i derdhur dhe vuajtjet, t’i garantoheshin siç u garantoheshin dhe shteteve të tjera evropiane. Për të realizuar këto qëllime të larta dhe për të arritur aspiratat e mbarë popullit, herë pas here burrat shqiptarë, që nga Lidhja e Prizrenit, në atë të Vlorës, të Durrësit dhe të Lushnjes, me armë e pendë, kërkuan të sigurojnë një atdhe të përbashkët, të të gjithë bijve të Shqipërisë.
Realizimi i një vepre të tillë, të shkruar me gjak, e të lagur me lot, hasin në pengesa të mëdha, sepse në fillim gjeti kundër: diplomacinë evropiane të Berlinit dhe pastaj në vazhdimësinë hasi, edhe këmbëngulje – intriga, komplote, kryengritje dhe ndërhyrje të shteteve fqinje, të cilat nuk donin një Shqipëri të lirë, të pavarur, por copëtimin e saj, për qëllimet e tyre të errëta, si zonë me influencë, në dëm të një populli. Por ky popull, me armë dhe me vlerat e pavdekshme të trashëguara kombëtare, të trimërisë, arriti t’i përulë e t’i hedhë poshtë, edhe vendimet e Kongresit të Berlinit, e t’ju japë një grusht lakmive serbe e greke.
E gjithë kjo vepër titanike gjaku e fitore, kundër pushtimeve të fqinjëve, kundër perandorive osmane e kundra Evropës, – në koalicionin diplomatik kundër të drejtave të popullit shqiptar, përbën historinë tragjike të Shqipërisë, për të cilën, nuk interesohej Evropa e Berlinit. Shqiptarët, – pa mbrojtje e në mes të kërcënimeve, – hartuan me duart e tyre Lidhjen e Prizrenit, që është dhe mbetet, kryevepra më e bukur dhe e vetmja që ka Evropa, gjatë shekullit të XX-të. Kur një popull, shikon se po i hiqet toka e tij, po i digjen shtëpitë, po i vritet farefisi, rrëmben armët dhe krijoi një shtet tagri e gjaku, nëpër ato toka të shenjta ku jetuan etërit e tij, prej mijëra vitesh.
Ky libër, paraqet këto histori dhe vazhdimin e saj gjatë shekullit të XX-të. Lexuesi këtu gjen orvatje, sakrificat e luftërat për liri, si dhe intrigat e interesat e popujve fqinjë, që me çdo kusht, e me çdo mjet, kërkuan të ndalojnë evolucionin historik të një populli që dëshiron veçse të jetojë i lirë, në tokën e tij të shenjtë, trashëguar prej mijëra vjetësh nga të parët e tij. Këtu ndodhet përmbledhja e kësaj historie, që nga Lidhja e Prizrenit, deri në shpalljen e Monarkisë.
Zogu i parë, Mbreti i Shqiptarëve, i lindur në zemër të Shqipërisë, që kur ishte i ri, ëndërroi, bashkimin e tokës shqiptare, dhe krijimin e një atdheu të përbashkët të shqiptarëve, për shqiptarët, ku ata të ishin të lirë dhe zotër të tokës së tyre. Vepra e Zogut të I-rë, si çdo vepër e një njeriu të madh, e të një burri shteti, paraqitet në faza të ndryshme: kalon nga fitoret, në tërheqje, përballon rreziqet pa frikë, u fal fajet kundërshtarëve, i thërret të gjithë të bashkëpunojnë dhe më pas, di të përdorë ligjin, duke na bindur, se interesi i atdheut, për Atë, ishte mbi gjithçka. Zogu i I-rë, siç dihet, manovronte në një tokë të ndezur, si nga jashtë, edhe brenda saj. Ky kërkoi, të bindte, fillimisht shqiptarët, duke u propozuar ligjin e normat legjislative, përpara se të ndërmerrte çdo hap.
Në këtë mënyrë, shpjegohet mbështetja që i dha Kongresit të Durrësit, po ashtu del në shesh, thirrja e mbledhjes së Lushnjes. Nuk duhet harruar, se edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, kërkonte të mblidhte një kongres në Elbasan, ku u mundua t’i mbushte mendjen qeverisë austro-hungareze, dhe përfaqësuesve të saj ushtarakë në Shqipëri, që ta lejonin realizimin e tij, i cili sigurisht, do t’i ndryshonte faqen, historisë së Shqipërisë, menjëherë pas konfliktit, e deri në Konferencën e Paqes në Paris, sepse mbarimi i Luftës, do të gjente një shtet shqiptar, të stabilizuar e të fortë, në tre të katërtat e atdheut, si dhe do të përfshinte, menjëherë edhe zonat e okupuara, nga aleatët në Jugun e Shqipërisë.
Mbreti Zogu i I-rë, vazhdonte po në këtë ide, bashkimin me interesin e të gjithëve, për unitetin e shtetit shqiptar, me ligjet dhe me administratë të frymëzuar, nga bota perëndimore. Kjo shpjegon dhe luftën e tij kundër servilizmit të qeverisë së Durrësit, kundër Esat Toptanit dhe klikave të tij, gjithashtu, dhe ndaj organizatës së Luftës së Shkodrës dhe të Vlorës, dhe kundër Jugosllavëve dhe italianëve, që donin të pushtonin, ose t’i mbanin nën sovranitetin e tyre, këto dy shtete, Shqipërinë.
Ajo që duhet theksuar, e që del në dukje nga këto shënime, është sjellja e Mbretit Zog, gjatë periudhës parlamentare, ku kemi dy parti politike, liri fjale e shtypi, edhe pse vetë Zogu, kishte shumicën në Parlament. Pavarësisht se, edhe ai, ishte në gjendje të shtypte kundërshtarët e tij, që po përgatisnin kryengritjen. Ai tërhiqet dhe e le Shqipërinë, jo për ndonjë arsye tjetër, por për të mos i dhënë shkak ndonjë gjakderdhje në mes të shqiptarëve, sepse këtë gjë, prisnin me krahë hapur, armiqtë e Shqipërisë. Mbreti Zog, nuk ua dha këtë kënaqësi, që ata përgatisnin në kurriz të Shqipërisë.
Faktet më pas, tregojnë se, kthimi i tij në Shqipëri dhe shpallja e Republikës, shtypja e çdo kryengritje, dhe zhdukja e çdo intrige, të jashtme dhe të brendshme dhe vendimi që morën përfaqësuesit e popullit e qeveria shqiptare, përfunduan me shpalljen e Zogut të I-rë, Mbret të Shqiptarëve, më 1 shtator 1928. Këto ishin pasojat e logjikshme të një jete të derdhur në shërbim të atdheut dhe të një situate, që nuk mund të kishte një përfundim, më të mirë dhe më logjik se ky rezultat.
Zogu i I-rë, Mbret i Shqiptarëve edhe gjatë pesë vjetëve që jetojë në Kanë dhe në Paris, priti e përcolli të gjithë shqiptarët emigrantë, që i vinin gjithmonë, por edhe të huaj që ishin miq të Shqipërisë. Ishte i lodhur, por kishte një mëndje të kthjellët, për faktet dhe personazhet. Deri në çastet e fundit, ai u interesua për çështjen e Shqipërisë dhe shqiptarët.
Mbreti Zog, nëpërmjet ndihmësit të tij, kolonel Hysen Selmanit, i lë shqiptarëve dhe të huajve, shënimet e tij. Këto shënime, ne po i paraqesim me kënaqësi popullit, të sigurt, se do i japim një kontribut për plotësimin e historisë, jo vetëm asaj shqiptare, por dhe të historisë ballkanike, evropiane, nga Kongresi i Berlinit, e deri në 1961-in, të jetuar e të shkruar, nga populli shqiptar.
Siç e përmenda më lart, këtu do të gjeni faktet më të rëndësishme, rrethanat e situatën politike, jo vetëm shqiptare, por edhe atë evropiane, nga fillimi e deri në 1961-in, sepse çështja shqiptare, u gjend përsëri, mbi tryezën e diplomacisë. Këtu spikasin, ndërhyrjet e Mbretit, Zogu i I-rë, pranë aleatëve e qeverive përkatëse, në favor të pavarësisë e të kontributit të popullit shqiptar, për fitoren e fundit, si dhe për atë që i përket emigracionit shqiptar, në botën Perëndimore.
Vepra e Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve, fillon nga fëmijëria e tij dhe mbaron në “shtratin e vdekjes”, që ndodhi në Paris, më 9 prill 1961.
Këto vepra janë të bazuara në shënimet që ka lënë Mbreti Zogu i I-rë, siç u shpjegua dhe më sipër.
Hysen Selmani
GJITHMONË SJELLJET ITALIANE KUNDËR INDEPENDENCËS SOVRANE TË SHQIPËRISË
Siç dihet, përfundimi i Luftës Ballkanike, solli me vete shpalljen e independencës nga ana e shqiptarëve në Mbledhjen e Vlorës. Ky vetëqeverim, me Konferencën e viteve 1912-1913 të Londrës, ishte njohur dhe u garantua solemnisht prej të gjashtë Fuqive të Mëdha, që e përbënin Konferencën.
Ky vetëqeverim nuk vazhdoi shumë kohë nga shkaku i intrigave dhe shtytjeve të Italisë që kështu në fillimin e luftës së përgjithshme kishte për qëllim të okuponte bazën navale të Vlorës dhe Sazanin, që kështu të dominonte Adriatikun. Shqipëria pas shumë përpjekjeve, që prej viteve 1915 e deri më 1920 nën thundrën e ushtrisë italiane më në fund mundi ta shkëpusë këtë robëri, me përfundimin e Luftës së Vlorës, që rezultoi me zbrazjen e me lënien kryekëput të tokës shqiptare nga Fuqia italiane dhe si përfundim i vullnetit të popullit shqiptar i treguar i aftë për të ruajtur independencën dhe sovranitetin e tij.
Konferenca e Ambasadorëve e mbledhur më 1921 në Paris, rivendosi dhe pohoi qenien e shtetit independent dhe Sovran të Shqipërisë, dhe si pasojë e kësaj, Lidhja e Kombeve pranoi solemnisht shtetin independent shqiptar të bëjë pjesë në mes të anëtarëve të saj.
Një politikë e vendosur prej Italisë, sepse në marsin e 1922 mund të bënte një lëvizje të vogël në Shqipëri, e cila pa vonesë u shtyp dhe u zhduk nga qeveria nacionaliste shqiptare. Politika, që ishte vendosur prej Italisë, për zhdukjen e independencës shqiptare dhe për ta vënë në robërim popullin shqiptar, doli edhe dy herë në shesh në vitin 1921 dhe në 1926, por që të dyja këto kryengritje të pregatitura dhe të drejtuara nga Italia u shtypën dhe u zhdukën pa më të voglën rezistencë nga vullneti i popullit.
Politika e ndjekur prej Italisë, në mënyrë që t’i rrëfente në botën e qytetëruar, mbi stabilizimin e shtetit të rregullueshëm, por me mendime të errëta të saj, nuk gjeti tjetër mënyrë sa që në muajin e fundit të 1927 vjen dhe i ofron qeverisë shqiptare një aleancë mbrojtëse me kushte krejtësisht të njëjta. Qeveria shqiptare, paqedashëse dhe e vendosur, se arritje e prosperitetit të popullit shqiptar do të jetë e mundur vetëm me një paqe të durueshme, dhe nga ana tjetër duke kujtuar se me këtë aleancë do të mundte t’i shërbente edhe paqes në Ballkan, e veçanërisht duke besuar se Italia do të hiqte dorë nga politika e mëparshme, duke shkaktuar gjithmonë ngjarje për prishjen e qetësisë së vendit. Kështu qeveria shqiptare e nënshkroi traktatin në fjalë, i cili u regjistrua edhe në Lidhjen e Kombeve.
Qeveria shqiptare ka bërë ç’ishte e mundur për të respektuar dhe për të zbatuar obligimet e rrjedhura prej këtij traktati, mirëpo politika e trashëgueshme nga konsulta e Palazzo Chigi-t, nuk ka heshtur në një mënyrë ose tjetër.
Me një shkak ose një tjetër, të kërkojë me politikën e tyre të trashëguar prej Makiavelit që t’ia arrinte qëllimit të tij dhe kështu edhe në vitet që qenë nënshkruar traktatet e Aleancës, nuk mbetën herë pas here pa turbulluar qiellin e qetë të Shqipërisë me lëvizje ose komplote qofshin edhe lokale, si ai i Fierit 1935 dhe ai i Delvinës 1937, të cilat pa u realizuar, u zhvilluan dhe u shtypën nga ana e qeverisë.
Provokuesit e lëvizjes së Fierit munden të iknin nga grushti i drejtësisë kombëtare e vetëm duke gjetur mjetin e arratisë nga anijet italiane, të cilat qëndronin në portin Seman në bregdetin shqiptar. Kështu, fajtorët u përcollën prej këtej në Itali.
Qeveria shqiptare, si përfaqësuese e një shteti të vogël, i përshkonte këto ngjarje vetëm me një marrje mase për vendin e vet, pa bujë sepse fuqia e saj nuk i arrinte për të bërë veprime ose demarshe të tjera, si i përkiste.
Politika fashiste, në Parlamentin e saj dhe në diskurset e prononcuara prej tyre, nga një anë brohoritej për miqësinë shqiptare, nga ana tjetër, përgatitnin sulmin e fundit dhe deçiziv për zhdukjen e lirisë e independencës dhe integritetit të Shqipërisë.
Siç e kemi përshkruar më lart, një komplot i gjerë dhe me ndihmën financiare tepër të madhe që nga fundi i verës 1938 ishte i hartuar dhe po përgatitej me të gjitha mjetet e këtij komploti nga ana e të quajturit Cmm. Giovanni Giro, ishte i dërguar me pretekst që të bëjë studime për një organizim eventual të djelmërisë në Shqipëri. Ky komplot kishte për qëllim kryesor të zhdukte jetën e Mbretit Zog të Shqiptarëve dhe në rast se kjo nuk do të ishte e mundur që të realizohej me një kryengritje që të kërkohej okupimi i Shqipërisë nga ana e ushtrisë italiane.
Mirëpo ky komplot, kur përgatitej për të hyrë në veprime, iu lajmërua Qeverisë Mbretërore Shqiptare prej Argjipeshkvit të Shkodrës Magr.Thaçit dhe prej Kapitenit të Mirditës Gjon Marka Gjonit, të cilët pohuan me vullnetin e tyre se Giovanni Giro, së bashku me Ministrin e Italisë të akredituar në Shqipëri, Jakomoni, duke i paguar Kapedanit 6.000 napolona flori e na thanë se ky komplot kundër Mbretit Zog edhe Shqipërisë, preferonte që të bëhej në ditët e para të prillit, ku do të shikonte dritë foshnja prej Mbretëreshës dhe kur Mbreti do të ishte shumë i okupuar.
Përveç kësaj edhe siç kemi përmendur më lart se edhe Murat Kaloshi dhe Myftar Kaloshi, që erdhën në Pallat natën dhe i deklaruan Mbretit Zog, gjithë sa u kishte porositur Giro, në shtëpinë e Jak Koçit se edhe 5.000 napolonat, që iu kishte dhënë.
Kur u zbulua ky komplot, vetëm e vetëm me kallëzimin e shqiptarëve që ishin thirrur për përgatitjen e saj, Qeveria Mbretërore Shqiptare protestoi energjikisht me fakte e dokumenta pranë qeverisë italiane, sa përfaqësuesi Italian Jakomoni, pas këtij zbulimi la Tiranën për në Romë dhe u nis menjëherë.
Këto ishin sjelljet e Italisë fashiste, aleate-mike me garanci e premtime, që siç e përshkruam pa turp i vërsulet një populli të vogël për mos ta lënë që të çelë sytë në lirinë e independencën e në përparimet e saj të vrullshme. Kjo për t’ia arritur shkallës së qytetërimit me shtetet e tjera, pra kjo është Italia fashiste.
Gjeneral Zef Sereqi i kthyer nga matanë detit, bisedoi gjatë e gjerë mbi sa ekzistonte në Itali, por jo ato që ishin të vërteta mundet që nuk i dinte, po kur u takua për të dytën herë me ta [përpara se do të nisej për Romë. E pashë shumë më të mërzitur rreth situatës. Vetëm një gjë e di se: një parullë në mes të Mbretit dhe Zefit, ka qenë që në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje dhe se Italia nis trupat kundër Shqipërisë, Zefi do të paraqiste dorëheqjen, kjo jepte për të kuptuar se Italia ka urdhëruar të zbarkojë në Shqipëri.
Vetëm se kur u ndava me të, na atë moment, kur u nis për Romë, e pashë se nuk kishte asnjë shpresë ndreqjeje e më përsëriti po ato fjalë duke thënë se: “kam për të bërë ç’është e mundur për të evituar këtë rrezik. Por sidoqoftë, dorëheqja ime ka kuptimin se me Italinë është prerë çdo shpresë dhe ka urdhëruar të zbarkojë në Shqipëri”, – e kështu u ndamë me Zefin dhe ai u nis për Romë.
Situata u duk menjëherë se po bëhej kritike e të gjitha shenjat ishin të afërta për masa ushtarake që do të merrte Duçja kundër Shqipërisë mike e aleate./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016