Nga Gjet Kadeli
Pjesa e shtatë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ridënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shëmbjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallandyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.
Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Mbrehija”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm
Marrë: P.Op. Thanas Toto
Dhënë: B.p. “Mbrehija”
Raporti i datës 12/1/1970
Burimi njofton se, me datën 1/1/1970, në shtëpinë e atij ka qenë për vizitë Gjet Kadeli, pasi u përshëndetën, Gjeta i tha atij se, dhe këtë vit e festuam me këtë qeveri, por vitin që vjen, nuk do ta festojmë me këtë qeveri, kështu që situata do të ndryshojë dhe do të kemi qeveri tjetër, bota e tërë do të bëhet e njëlloj.
Shqipëria dhe Kina, nuk mund të mbajnë dot këtë regjim, sepse nuk kanë fuqi për ta mbajtur dhe këta, duhet të shkojnë nga shkon shumica, këtu tha Gjeta, nuk ka faj populli por, ka faj udhëheqja që ata ngulin këmbë si mushka dhe të bëhet ashtu siç thonë ata, e kështu e morën më qafë popullin, por fundi po vjen, sado që të mbahen.
Më gjatë biseda me Gjetën nuk vazhdoi se këtu erdhën dhe persona të tjerë. Ai thotë se; Gjeta mban shoqëri të mirë me Gjon Hotin i cili, në vitin 1958, ka dalë nga burgu politik. Gjeta për Gjonin, flet me admirimin më të madh dhe e quan shok që, nuk të lenë në baltë kurë.
“Mbrehija”
Detyrë:
- Takohu me Gjetën dhe në biseda me të, thojini se, kjo puna jonë more Gjet, nuk gjeti karar, neve po gënjejmë veten tone, me sot me nesër por, asgjë nuk po del në dritë, mua s’po më mbushet mendja kurrë, unë besoj kur të ma thotë ndonjë të sigurt që, e dëgjon nga burime të sigurta, këtë Gjet, unë nuk ta them se nuk dua ashtu siç don ti, se neve të dy, një biografi kemi, bile unë nga ky pushtet, kam pasur humbje dhe e kam larë me koka njerëzish.
- Ti e din shumë mirë, vetëm dua të them se, mos bisedo me tjetër njeri, kështu siç bisedon me mua se, unë të shoh shpesh herë me Gjon Hotin i cili, ka qenë në burg, ti e njeh më mirë por, unë kam frikë se, nuk e di se çfarë njeriu është dhe pastaj, ta fut sa krahu brenda, këtë nuk ta them të tërhiqesh. Kjo me qëllim se, çfarë do të thotë Gjeta.
Sqarimi i të dhënës
Gjon Hoti, është nga katundi Mamurras dhe ka qenë në burg për tendencë arratisje, me Gjonin, Gjeta ka krijuar shoqëri të mirë dhe këtë, e ka lidhur sepse, Gjoni kur ka qenë në burg, ka qenë me axhën e Gjetës, të quajturin Zef Kadeli, i dënuar me 25 vjet. Këtë Gjeta, e quan shok besnik.
Vlerësimi i të dhënës
E dhëna është e rëndësishme dhe ka vlerë operativë, lidhja e Gjetës me Gjonin, të lënë të dyshosh se, mos këta kanë ndonjë veprimtari së bashku, me qenë se Gjeta ka tendencën e arratisjes, këtë gjë, mund ta kryejnë së bashku. Gjoni, si mbas të dhënave, dhe me familjen e tij ka hyrë në grindje dhe nuk shkon fare në shtëpi.
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Mbrehija”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm
Marrë: P.Op. Thanas Toto
Dhënë: B.p. “Mbrehija”
Raporti i datës 18/6/1970
Burimi njofton se, me datën 11/6/1970, është takuar me Gjet Kadelin, takimin e kanë bërë në shtëpinë e Gjetës, në biseda Gjeta tha s; po vuaj shumë, por në këtë kohë, Radio ishte hapur dhe po fliste për ndërtimet në vendin tonë, po kështu dhe për përmirësimet, ku Gjeta tha se; të gjitha këto janë gënjeshtra, kështu e mashtrojnë dhe gënjejnë popullin, por populli nuk do ti hajë dhe shumë këto gjera, do të vijë një ditë që, do të lahen hesapet.
Më pas Gjeta, e lidhi bisedën për punën në kooperativë, ku tha se; është punë mizerje, unë kam vendosur të mos shkoj më në kooperativë dhe nuk do të shkoj më, mua më mirë të më internojnë se sa të punoj në kooperativë se, me 40 lekë të vjetra në ditë, nuk mbahet familja, mua thotë Gjeta, kanë vendosur të më marrin dhe kopshtin personal dhe jam dakord që ta marrin por, vetëm të më lënë se jam bërë derr, më gjatë nuk vazhdoj biseda në mes tyre.
“Mbrehija”
Detyra:
- Takohu me Gjetën dhe nëpërmes bisedave që do të bëni me të, thuaji; ti Gjet, më duket se ke dalë hapur, prandaj shtroju punës dhe mos fol kështu, këtë ta them se, të dua dhe të mos i lësh kalamajtë rrugëve, pasi tani kushtet sapo vinë po përmirësohen, ti nganjëherë mendon keq shumë se, dhe në Jugosllavi të vesh, prapë këtu të kthejnë, këtë unë e kam dëgjuar nga këta emigrantët, që ndodhen këtu në Mamurras, por nuk e di se cilët.
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Mbrehija”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm
Marrë: P.Op. Thanas Toto
Dhënë: B.p. “Mbrehija”
Raport i datës 7/7/1970
Burimi njofton se, me datën 30/6/1970, është takuar me Gjet Kadelin, takimin e kanë bërë në Pazar deri në shtëpinë e Gjetës, në bisedë, Gjeta tha se; jam t’u vuajt shumë dhe jam shumë keq nga ana ekonomike, e si do të vejë puna, nuk e di, do të kërkoj të largohem e të shkoj në Mirditë, por edhe atje kam frikë se nuk më pranojnë e, më fusin në punë në kooperativë bujqësore, që unë prej kësaj dua të largohem, vuajtjet sapo vijnë, po shtohen se, dhe kërkesat ekonomike, por i them, kjo tha Gjeta, nuk është vetëm tek unë por, edhe tek të tjerët, po të kishim tokën dhe bagëtinë, siç i kemi patur më pare, do të jetonim mirë, por çe do se, dolën disa të mençur në Tiranë dhe na fikën derën e na muarrën në qafë me gënjeshtra, dhe ne u besojmë qorrazi, unë kam vendos të vdes dhe nuk u nënshtrohem këtyre, po të ndryshojë sistemi, unë do të bëhem kryetar qeverie dhe jo këta.
Tani këta, me zgjedhjet e reja që do të bëjnë tani, do të vëmë të gjithë njerëzit e tyre dhe një pjesë që kanë frikë, do të bëjnë si të thonë ata të Tiranës. Kur të bëhen zgjedhjet, unë do të them se, do të zgjedhim ata që duam neve dhe jo ata që doni juve dhe nuk dinë se çfarë është jeta në fshat. Por, kam frikë mos thonë gjë, dhe atëhere më marrin në sy të keq dhe më fikin derën, ai i thotë; Gjet, neve kështu nuk mund të bëjmë, do t’i lënë shteg vetes dhe për më vonë, mirë e ke, tha Gjeta por, dhe kështu nuk mund të rihet, se jam mërzit dhe jam t’uj vuajt sa nuk bëhet më, këta më thonë që, puno në kooperativë por, unë nuk punoj dot, sepse nuk jam marrë me këto punë, unë dua punë të mira dhe në zyrë, më gjatë nuk vazhdoi biseda midis tyre.
“Mbrehija”
Detyra:
Takohu me Gjet Kadelin dhe në biseda me të, mësoni se pse ky nuk don të punojë në kooperativë bujqësore dhe pse është larguar, ku është qëllimi i tij, mos vallë ky ka ndonjë qëllim dhe çfarë konkretisht, shikoni lëvizjet e tij dhe kur largohet, se mos na arratiset jashtë shtetit, me qenë se një gjë të tillë, e ka shfaqur para disa kohësh.
Masat Operative
E dhëna e B.p., të shtypet në një kopje dhe të vendoset në dosjen e Gjet Kadelit me 2/A.
Për punën që ky bën pa leje, të shikohet dhe t’i rehatohet financës dhe të gjobitet, mbasi për këtë, është paralajmëruar disa herë.
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Dokumenti sekret me planin e masave agjenturiale-operative, për ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit, i hartuar nga Punëtori Operativ, Thanas Toto dhe i miratuar nga zv / kryetari i Degës së Brendshme të Krujës, Ramiz Lalzi
APROVOHET SEKRET
ZV/KRYETARI DEGËS PUNËVE TË BRENDSHME Krujë 14/8/1970
Ramiz Lalzi
PLANI – MASAVE
(Agjenturalo – Operative në vazhdim të përpunimit në kategorinë 2/A, Gjet Kadelit)
Nga vazhdimi i përpunimit që i kemi bërë gjatë kësaj kohe objekti “Zullapi”, i cili ndiqet si lidhje e legatës jugosllave dhe për tendencë arratisje, në drejtim të tij, kemi marrë një seri të dhënash që, ky propagandon kundër pushtetit popullor dhe përsëri manifeston tendencën e arratisjes jashtë shtetit, ka mbajtur lidhje dhe kontakte me element të dyshimtë, të cilët ndiqen dhe përpunohen nga organet tona, si: Nik Dedën, Ibrahim Çupin etj.
Gjatë kësaj kohe, ky është afruar me organet tona, gjoja për të bashkëpunuar, por qëllimi i tij në këtë mes, është vetëm për të parë në se ky ndiqesh ose jo nga organet tona dhe për të zbuluar se për cilët interesohen këto organe, gjatë detyrave që mund ti jepeshin, para agjenturës e sidomos para B.p. “Çezma e Trojës” dhe “Mbrehia”, është shprehur se; unë punoj me Sigurimin dhe mbaj lidhje me një shok në Ministri, ka thënë se; më kanë thirr në Degë dhe më kanë propozuar për të bashkëpunuar por, unë ju kam thënë se; nuk mundem, po të doni më jepni rrogë që të punoj.
Ka folur se jashtë shtetit, jetohet më mirë, këtu ka vuajtje të madhe, rinia duhet të bredhë sa andej këndej, kurse këtu, nuk të lejojnë, unë po ja gjeta mundësinë, do të ikë, por kam frikë se po të shkoj nga Jugosllavia, më kthejnë.
Duke u nisur sa më sipër, në drejtim të këtij përpunimi, na dalin këto detyra:
- Meqenëse Gjeta mban gjithmonë të ngritur tendencën e arratisjes dhe kohët e fundit ky lëvizjet i ka shumë të shpeshta sa në Berta tek motra dhe në Mirditë, për këtë do të drejtohen B.P. “Mbrehia” me këto detyra:
- Meqenëse ky mban lidhje me Nik Dedën, i riatdhesuar nga Jugosllavia, tash në 2/A dhe Ibrahim Çupin, lidhje e legatës jugosllave dhe ka kërkuar të kthehet në Jugosllavi, të shikojmë mos vallë e shtynë këta!
- Bp. “Mbrehia”, në biseda me Gjetën, të hyjë konkretisht për Nikën dhe Ibrahimin. Me qëllim që të shikojmë se, çfarë do të flas për ta konkretisht. Gjithashtu “Mbrehia”, të takohet dhe me Nikën, për të biseduar rreth Gjetës.
- Të mësojë nga bisedat me Gjetën se, pse ky është larguar nga kooperativa bujqësore, shkakun.
- Shkuarja e tij në Berat shpesh, po kështu dhe në Mirditë.
- Nëse ky për arratisje, ka siguruar ndonjë material si pushkë ose thikë.
- Çfarë e shtyn këtë që, të afrohej me organet tona, qëllimi tij dhe tash pse është larguar.
- Në drejtim të tij, me një vijë sjellje të përcaktuar të drejtohet dhe B.p. “Shtiza”, pasi kanë një afrimitet me njëri tjetrin, me qenë se B.p. kohët e fundit, i ka ardhur daja i vetë nga Prizreni, të shikojmë nëse Gjeta, do të interesohet për të dhe në qoftë se po, a ka ndonjë porosi për të.
- Meqenëse B.p. Shtiza”, ka lidhej të mira me objektin Nik Deda, në biseda që do të zhvillojnë ,të bisedojnë për Gjet Kadelin, se si e karakterizon Nika këtë.
- Po qe se këta do të hyjnë në biseda të thella për Gjetën, të shikohen variantet për të bërë ndonjë kombinacion. E kryen Thanas Toto, deri më 30/10/1970.
- B.p. “Bubullima” ,i cili është liruar kohët e fundit nga ushtria, të aktivizohet në drejtim të Gjetës, me detyrë që të konkretizojë lëvizjet e tij, të cilat janë mjaft të dyshimta. E kryen Thanas Toto deri më 30/9/1970.
- B.p. “Beqari”, i cili ka dhënë në drejtim të Gjetës, të drejtohet përsëri për, të mësuar se çfarë përpjekjesh bën Gjeta sot, për t’u ndërlidhur me babën e tij jashtë shtetit, për t’i dërguar dollar, në qoftë se ka gjetur rrugë në këtë drejtim, kush e ka ndihmuar, ose do ta ndihmojë. Çfarë flet sot konkretisht Gjeta për Adem Mujon për t’u ndërlidhur me babën.
- Veç këtyre ky B.p., në takim me Gjetën, të konkretizojë dhe lidhjet e tij me Vitore Kelmendin e cila, ka babën e pushkatuar dhe burrin emigrant, i cili në takim me të, i ka kërkuar biografinë e tij.
- Ky B.p., në takim me Gjetën, të sqarojë lidhjet e tij me Gjon Hotin i cili, para dy vjetësh është liruar nga burgu, mbasi këta të dy, bëjnë lëvizje të dyshimta, mos vallë këta kanë ndonjë plan së bashku dhe çfarë?
- Meqenëse Gjeta, ka një lidhje të ngushtë në Milot e cila quhet Marie dhe e zinte në përpunim, me anë të këtij B.p., të sqarojmë se çfarë e lidh këtë me Marien, qëllimi i tyre. E kryen, Thanas Toto, deri më 30/11/1970.
- Me anë të B.p. “Çezma e Trojës”, të sqarojmë se, përse i mban disa fishekë të pushkës ‘Simonova’ dhe pistoletës sovjetike. Për këto, të sqarojë se ku i ka gjetur dhe për çfar i don këto.
- Të mësojë lidhur me korrespondencën që zhvillon me babën dhe vëllanë, që ka jashtë dhe si i dërgon këto, e letrat që vinë prej andej.
Sipas të dhënave të “Çezmës”, Gjeta në një rast ka folur kundra pushtetit, në prezencë të disa personave, si: Mëhill Ndrekës, Dod Paçukut, Zef Gjergj Prelës, këta të studiohen një për një, me qëllim që të mundim të marrim ndonjë material, me forcë ligjore. E kryen Thanas Toto, deri më datën 30/9/1970.
- Të korrespondohet me Mirditën dhe të bëhet një plan i përbashkët, për lidhjet e tij që ka atje me qëllim, që në drejtim të lidhjeve të tij, të drejtohet agjentura ekzistuese dhe të shikojmë nëse këta, zhvillojnë veprimtari, gjithashtu sa herë të shkojë në Mirditë, të merret në kontroll, për të parë lëvizjet dhe të drejtohet agjentura, në qoftë se do të ketë. E kryen Thanas Toto, deri me 30/9/1970.
Me zbatimin e këtyre detyrave, do të dilet në analizë para udhëheqjes së Degës, me datën 30/9/1970. /Memorie.al
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016