Nga Lek Pervizi
Memorie.al / Një ditë aty në burg kishin sjellë në dhomën e Valentinit dy malësorë nga zona në kufi me Jugosllavinë. Njeni ishte i naltë rreth 1.90 dhe me trup të lidhun e muskoloz, me një fytyrë të rregullt që shprehte një natyrë të mirë e krenare. Ndërsa tjetri, pak ma i vogël me një fytyrë të ashpër, që tregonte egërsi të madhe. I pari quhej Gjergj Luli e tjetri Gjek Marashi. Të dy nga Kopliku, qendra kryesore e asaj krahine malore. Në dhomë ishte njeni që i njihte mirë, që quhej Pjetër, i cili i kishte pa nji ditë që i morën në pyetje në zyrën e burgut. Ai tregonte se ishin dy burra shumë trima dhe të besës, që rrallë gjëndëshin në botën e tanishme. Kishin luftue me trimni të madhe kundër çetnikëve serb në Kosovë kur ishin inkuadrue në ushtrinë shqiptare. Veçanërish Gjeka, që shkonte barkas deri te pozicionet e serbëve, ku çohej përnjeherësh në kambë e duke i korrë me automatikun e tij. Kurse Gjergji kishte nji natyrë krejt të ndryshme, i butë, por në luftim tregohej guximtar e trim.
Kur erdhën në fuqi komunistët, ato dolën në mal. Pas disa muajsh, një ditë, komandanti operativ i zonës, u çon fjalë se kishte marrë urdhën nga nalt, për me ua internue familjet dhe e ua djeg shtëpitë. U dha 48 orë kohë me mendue, se si me vendosë: ose me u dorëzue ose, me ndejtë të arratisun. Për rastin e dytë, masat ndaj familjeve të tyre do t’ishin të rrepta.
Prandaj të vendosnin. Ata, për të mos lejue internimin e familjeve dhe djegien e shtëpive, vendosën të dorëzohen me kusht që t’i pushkatonin, por mos t’i prekte kush me dorë as me gisht. Komandanti partizan, e kishte pranue menjëherë kushtin se, askush nuk do t’i cikte me dorë. Kështu u kishin tregue ata shokëve të burgut duke shtue:
– Ne jemi në pritje që të na pushkatojnë. Vdek se me vdekë, do të vdesim me ndërgjegje të qetë të shpëtimit të familjeve e, të shtëpive. A do të ketë vallë njerëz të tillë akoma në botë, me aq forcë morale dhe me karakter aq të kalitur?
Një ditë erdhën dy policë duke i njoftue se i kërkonte në zyrë drejtori për disa pyetje. Pas pak hypi lart nji grup partizanësh që, u zunë dorë për dore dhe filluan të hedhin valle e të këndojnë, në paradhomën e shtrueme me dërrasa. Me ato këpucë me thumba hekuri, merre me mend se ç’zhurmë bënin mbi dyshemenë e drunjtë. Ata vallëzonin në rreth si njerëz t’egër të xhunglave afrikane, duke bërtit sipas ritmit të një kënge tashmë të njohur:
-“Te ura mor te ura, te ura në Drashovicë…! Gjëmon to, gjëmon to, gjëmon topi i Italisë…”! Aq shurdhuese sa të burgosurit nuk merreshin vesh me njëri tjetrin. Ashtu vepronin gjithmonë kur ishte puna me torturue e me rrah të dënuemit.
Pas nji ore u hap dera dhe dy forma njerëzore u hodhën midis dhomës, si t’ishin dy thasë me zhele, aq keq i kishin katandisë ato dy të shkretët, sa mos me i njoh as shokët e tyre. Duke mos mundur me qëndrue në këmbë, shkuan te vendet e tyre këmbadoras. Ja pse ato hordhi barbare kishin krijua gjithë atë zhurmë, që askush mos t’i dëgjonte britmat e tyre. I kishin rrahun me shkopinj, deri sa i kishin shtri për tokë, si të vdekun. Vetëm pas disa ditëve, ata filluan të lëvizin pakëz. Në një çast Valentinit, i ishte afrue Gjeka, duke i thanë nëse e dëgjonte nji këngë që vinte nga jashtë. Dhe ne fakt dëgjohej një këngë e largët.
– Ajo asht nji shenj me të cilën një kushëri i imi, më lajmëron se nesër në mëngjes, do të na pushkatojnë.
Kur ra nata, i luti shokӫt që të loznin një domino katërshe. Valentini, thirri profesor Angjelin Saraçin dhe Gjon Harushën që, të bashkoheshin në atë lojë. Luajtën deri natën vonë, deri kur Gjeka u tha shokëve ta falnin, se donte me fjetë. Ma vonë i kishte folë Valentinit:
– Shikoje Gjergjin se si asht katandisë në gjumë. Gjergji ashtu siç ishte i shtrimë, dukej krejt i skuqur e i mbuluam me djersë. Kushedi ç’ëndrra të tmerrshme e mundonin. Valentini deshi të pushonte, por nuk mundi me mbyll sy atë natë, sepse pati dhimbje të madhe në një vesh. Disa herë, gjatë natës, e kishte pa Gjekën që çohej dhe merrte leje, me shkue në banjo, që gjendej e mbështetur mbi murin e rrethimit. Por më kot.
Edhe po të kishte pasë flatrat, nuk mund të kishte bë asgjë, sepse mbi tarracën sipër, ishin rojet me automatikë ndër duar. Erdhën e i morën pa zbardhë agimi. Kur njena nga rojet lexoi emrat, të gjithë u çuan në këmbë, për t’u përfalun me ta për herën e fundit. U përqafuan me lot ndër sy. Gjergji e hoqi trikon e leshit e punueme bukur, që mbante dhe ia dha Valentinit, duke e falenderue që ia kishte uhajtun.
Fanela ishte e tij, por si njeri i mirë që ishte, ia dha në nji mënyrë qe rojet të mos e kuptonin që po ia linte si kujtim e amanet, sepse përndryshe Valentini, mund të kishte pësue një keqtrajtim. Kishin vendosë t’i pushkatonin në një vend afër Shkodrës, pikërisht në Koplik, ku Llesh Marashi, kishte luftue kundër forcave partizane të Mehmet Shehut. Mbasi nuk ishte ma larg se 7-8 kilometra, i kishin çuar në këmbë, sepse një ditë më përpara, i kishin njoftue gjithë partizanët e banorët përreth, që të vinin për t’i pa se ç’“kafshë“ ishin.
Ato ishin rreshtue nga dy anët e rrugës, të gjithë të rinj e të reja partizane, me uniformat lecka lecka, që bërtisnin e shanin si të çmendur, kundër atyre heronjve të vërtetë, që nga ana e tyre, nuk rrinin gojë mbyllur, por u përgjigjeshin me një fjalor të pasun sharjesh, drejtue veçanërisht regjimit bolshevik e atyre vajzave të marrosura. Kur i kishin çue në vendin e ekzekutimit, ku ishte mbledhë gjithë ai popull që, i njihte ato të dy, i kishin mbështete pas një muri ashtu të prangosur. Gjeka ishte lakue në gjuajtjet e para, kurse Gjergji, e kishte mbajt në krahët e tij të fuqishëm, deri sa të dy ishin rrëxue së bashku, me trupat shoshë me plumba.
Në kohën e pushtimit italian, dilte një revistë, në të cilën më shumë se njëherë paraqitej fotografia e Gjergjit, si prototip shembullor i racës shqiptare, jo vetëm për trupin e tij atletik, por edhe për bukurinë e fytyrës, me trajta të rregullta e të përsosura. Por sistemi komunist, ishte kundër çdo gjëje të bukur e fisnike, qoftë të përmasave të njeriut apo të përmasave historike, kulturore e të traditave ma të mira shqiptare. Po tregohej krejtësisht si, një sistem antishqiptar e antinjerëzor.
Nuk kaluan dy jave dhe në qelinë e Valentinit, para se me dalë dita, erdh e morën tre të tjerë kandidatë për pushkatim. Ndër ta një fshatar i quajtur Hasan Bërdica. Sa ndigjoi emrin e tij, u çua në këmbë dhe u vesh shpejt e shpejt. Pastaj u kthye nga shokët:
-Me thanë të drejtën, nuk e prisja një fund të tillë. Nuk e ndjej veten fajtor për asgjë, sepse nuk i kam bë keq kurrkujt. Por më sa po kuptoj, në librin tim, asht Zoti që e ka vu fjalën fund. Të më falni nëse ju kam mërzitë. Mirupafshim në botën tjetër!
Kjo ishte përshëndetja e zakonshme e të gjithë të dënuarve me vdekje. Në oborr, e pritshin gjashtë të tjerë të caktuam me u vra. I përcollën me roje të forta, deri të vendi ku do të bashkoheshin me gjashtë të tjerë, të sjellue nga burgu i vjetër. I hipën në një kamion ashtu siç ishin të lidhur, dy nga dy me pranga. Hasani që kishte mbetë vetëm dhe i fundit për me hyp në makinë, me një lëvizje të shpejtë majtas, ishte shkëput dhe ia kishte dhanë vrapit.
Partizanët, të armatosur deri në dhëmbë, kishin mbetë të befasuem, por menjëherë kishin fillua me gjuajt mbi të, breshëri plumbash. Por ai me shkathtësi, duke u fut nëpër rrugicat, u kishte shpëtue. Ishte një mrekulli, sepse nuk e kishte goditë asnjë plumb, nga ato qindrat që u shprazën mbi të. Pas kësaj skene, makina u nis dhe të 12 viktimat e tjera i‘u banë fli idhullit komunist, sipas ritit makabër që kryhej gati për çdo ditë, mbi zallin e Kirit. Ndër këto të pushkatuem kishin ndodhë dhe dy priftë katolikë.
Përsa i përket Hasanit, u muar vesh nga malësorë të tjerë të sjellur në burg, se pas gjashtë muaj qëndrimi në mal, Forcat e Ndjekjes, e kishin pasë rrethua në një arë misri, ku kishte krisë pushka dhe i shkreti Hasan, pas një luftimi të rreptë, kishte mbet i vramë.
E bukura dhe pӫrbindёshi…
Nji ditë që e shoqja erdhi me e takue Valentinin, si shkruante biografinë e gjithë jetës së tij, deri ditën e arrestimit, që do t’i drejtohej Mehmet Shehut dhe nji kopje t’i dorëzohej drejtorit të burgut. Valentini, iu vu punës dhe arriti të përpilojë autobiografinë e tij. Pse duhej të bëhej kjo punë e pse aq me urgjencë?!
Një agjent i Sigurimit, i kishte tregue një shoku të tij, që ishte mik i familjes Valentinit, se organet e posaçme të Sigurimit, kishin qëllimin të kurdisnin një proces të sajuam kundër tij, për ta dënuar rëndë, e ndoshta eliminua. Nga shumë akuzat e ngritura, njëra ishte krejt qesharake: Ai paskej qenӫ dërgue në Shqipni nga ana e disa eksponentëve politikë në mërgim, të partisë së Legalitetit.
Sipas akuzës, Abaz Kupi dhe Mehdi Frashëri e paskan thirr në Romë, për me i propozue një mision special, atë të shkuemjes në Shqipni, për me i bashkue forcat nacionaliste në luftën kundër komunizmit. Ai paskej pranue dhe sapo kishte ardhë në Shnqipni, paskej shkue në Kelmend, Dukagjin dhe Mirditë, ku paskej marrë pjesë ne luftime të përgjakshme kundër forcave partizane, etj. Me nji të tillë akuzë, edhe po të kishte pasë njëqind koka, do të ia kishin shkurtue të gjitha.
Sigurisht se Valentini nuk kishte si mos me u mërzitë e frikësue ndaj atyre metodave kriminale të komunistëve. Gjendja e tij ishte si ajo e Damokleut, me shpatën e varun mbi kokë në nji fije peri. Sӫ shoqes italiane, qӫ quehj Gori, nuk i kishte shfaq kurrë të tilla mendime tragjike. Ndërsa shokët e burgut, i jepnin zemër. Nuk besonin se ato kurdisje do të arrinin qëllimin e tyre, sepse ishin tepër qesharake dhe biles, sado të egër t’ishin, komunistët i ruheshin ndaj disa veprimeve që, mund t’i diskreditonin para botës.
Një tjetër punë që doli në këto rrethana, ishte prania e së shoqes italiane në Shqipni. Ajo prani, e komplikonte gjendjen e tij. Për atë arsye atë nuk do ta lironin, me pretekste të kota, por edhe në qoftë se mendonin me e internue, prapë se prapë nuk e honepsnin praninë e Gorit në Shqipni. Pra ai mbahej peng i vetë gruas së vet. Aq ma tepër se, ajo binte në sy kudo. Jo vetëm se ishte e bukur, por edhe nga veshja, nga sjelljet e te gjitha shfaqjet e nji kulture dhe edukate të naltë, që nuk mund të pranoheshin, nga klasa injorante komuniste dominuese e vendit.
Nga të gjitha këto rrethana, e këshillueme nga disa miq, ajo vendosi të shkojë drejt e të Mehmet Shehu, që kishte ardhë në Shkodër. Kur ishte paraqitë te dezhurni, oficeri i rojës që dinte pak italisht, i kishte thanë që të priste dhe kishte shkue me njoftue Mehmetin, se nji grua italiane, kërkonte të takohej me të. Mehmeti kishte pranue, dhe Gori u gjet në zyrën e tij, ku ai rrinte pas nji skrivanie të madhe, i ngjeshur nӫ njӫ kulltuk.
Kur Gori hyni në zyrën e numrit dy të regjimit, ai nuk lëvizi fare nga kolltuku ku ishte fundosë. Ai e njihte mirë italishten sepse, kishe studiua në shkollën ushtarake të Napolit. Mbasi i hodhi një vështrim asaj femre të bukur që, i rrinte përpara e kishte ftue me njerëzi që të ulej dhe e kishte pyet se çfarë e kishte shty me ardhë të ai.
-Si është puna zonjë, ç’problem keni?
– Me falni për shqetësimin. Siç e shihni, unë jam italiane, e martuar me një shqiptar. Nuk ka dy muaj që kemi ardhur në Shkodër prej Italie. Unë e ndoqa burrin tim, me të cilin isha lidhur për të mirë e, të keq. Ai vetë nuk ka jetue në Shqipni sepse, të gjitha shkollat deri kur doli oficer, i ka kryer në Itali dhe atje u caktua edhe me shërbim. Duke qenë se ai iku prej një kampi gjerman dhe rrezikohej, ne vendosëm të vijmë në Shqipni, për të gjetë shpëtim e të jetue normalisht. Sa gjetëm një dhomë për të banue provizorisht, ja që ndodhi fatkeqësia e madhe e, më arrestojnë burrin, krejtësisht të pafajshëm. Tani ai gjendet në burg. Kjo është një padrejtësi e madhe, dhe unë kam ardh të ju lutem, për të ma lirue bashkëshortin e pafajshëm.
Mehmet Shehu, i kishte dëgjue me vëmendje fjalët e asaj zonje aq të bukur dhe elegante. Ai e mori me mend se, diçka e padrejtë i ishte bë asaj, por, në kushtet e gjendjes së shtetrrethimit, mund të ndodhnin edhe padrejtësira.
– Ashtu…?! Me falni Zonjë, si quhet burri juaj? Pyetja ishte e drejtë.
– Valentin. Ishte përgjigj Gori, me një fije zani.
– Valentin? Po kush Valentin? kishte shtue Mehmeti me kureshtje. Sikur e kishte ndigjue këtë emër.
– Valentin Pervizi, kishte shqiptue Gori, me ankth të madh.
– Valentin Pervizi? Mos vallë është i biri i gjeneral Prenk Pervizit? Mehmet Shehu, u ngrys në fytyrë dhe u mbështet pas kolltukut, për të pritë përgjigjen, plot kureshtje.
– Si urdhëroni zotni gjeneral, djali i madh i tij, me të cilin jam martua.
– Zonjӫ e nderuar, në vend që të na falënderoni që nuk e kemi pushkatuar, vini e na kërkoni lirimin e tij, – kishte folë Mehmeti me një shprehje fodulle.
– Si keni paturpësinë të më përgjigjeni kështu? Nuk e prisja prej jush një të tillë shprehje! Unë kërkoj drejtësi për burrin tim, krejt të pafajshëm dhe ju më kërkoni të ju falenderoj që nuk e keni vra! Kjo s’durohet! Ndërsa fliste ashtu, asaj i rridhnin lotët nga dëshpërimi.
– Mos vallë kujtoni se do të na përmalloni me ato lotët e juaj?! Përgjigja ra tepër cinike.
Gori, nuk kishte mujt me durue dhe i kishte folur krejt mllef:
– Në një farë mënyre, e kisha marrë me mend një pritje të tillë, e denjë për një njeri si ju i pashpirt. Sa kishte thanë ato fjalë, ishte çuar kishte dalë, duke e përplasë derën, ndërsa Mehmet Shehu, qeshte me të madhe nga pas.
Kjo ngjarje u muar vesh dhe bëri përshtypje tek njerëzit për atë sjellje brutale të Mehmet Shehut, ndaj asaj gruaje fatkeqe. Por nga ana tjetër, përgjigja e Mehmetit, shprehte një të vërtetë, sepse Valentinin, mund ta kishin vra partizanët, pa pyet kërkënd, as komandantin e tyre, e jo ma vetë Mehmetin. Dikush ia shpjegoi Gorit, por ajo nuk donte me i’a dëgjue emrin ma atij krimineli.
Pasi mori vesh si kishte shkue takimi, Valentinit i’u mbush mendja se Gori, duhej të riatdhesohej sa ma parë, për një kohë. Ndoshta vinte ndonjë përmirësim i gjendjes. Përndryshe, nuk do ta kishin lirue kurrë nga burgu. Asaj nuk i tha asgjë, sepse e dinte se do t’i shkaktonte një dhimbje të madhe. Mendoi me prit një rast të volitshëm.
Edhe ajo kishte qenë e këshillueme nga disa miq të familjes, se largimi i saj i përkohshëm, ishte në të mirën e të dy palëve. Edhe ajo nuk kishte guxim, me i’a thanë tӫ shoqit. Koha kalonte dhe nuk jepte shenja të mira. Egërsia e komunistëve në vend që të binte, sa vinte e shtohej. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016