Nga Lek Pervezi
Nё lojёn e Fatit
Memorie.al / Valentini, me gjithё gruan italiane, Maria Gorizia, që thirrej Gori, në fundin e vitit 1944, sapo kishin mbrritё nga Italia nё Shkodёr, nё tetor, ku kishin zanë njё dhomё me qera. Kishin mbet aty, sepse familja e tyre kishte dalё nё mal, e fshehun nё Skuraj, pasi komunistёt u kishin djeg shtёpinё e Laçit t’Kurbinit e, grabit pasunitё. Edhe i ati i Valentinit, gjenerali Prenk Pervizi, ishte largue nga Tirana dhe ishte bashkue me misionin anglez nё mal. Çifti, kishte mbërritё nё Shkodёr nё kohёn ma tё keqe, dhe po ia ndienin pasojat.
Nuk kishte kalue një muaj nga i ashtuquajturi çlirim i vendit. Shkodra ishte nё shtetrrethim tё shpallur nga Mehmet Shehu. Bëhej kontrolli shpi pёr shpi. Kur fëmijët e banesёs ku banonte çifti, e panë duke ardhë skuadrën e kontrollit, erdhën dhe i lajmeruan Valentinin e Gorin, të cilët hipën në dhomёn ku banonin. Duke qene se në ato ditë me borë, u ishin qullë rrobat, kishin vendosë një litar te fiksuem nga një faqe në tjetrën të mureve të dhomës, ku kishin shtri teshat e njomura, ndër to edhe pardesyja e Gorit.
Valentini kishte një revolver “Browning”. Nuk dinte se ku ta fshihte. Po të ia gjenin, e merrte dreqi, aq ma tepër kur të merrnin vesh se kush ishte. Partizanët kishin filluar kontrollin poshtë, por ngjiteshin në katin sipёrm. Ai, e dinte mirë se kush ishte Valentini. Zemërligësia kishte fillue me bë punën e saj. E kështu ato filluan të hipin shkallët. Valentini ishte në kulm të tensionit, si me ia bë?! Po i rridhnin djersë të ftohta, sepse nuk po dinte si me i gjet zgjidhje asaj pune.
Hapat po afroheshin. Trokitje në derë dhe ja doreza po ulej. Në atë çast, Gorit i’u dha me i’a marrë revolverin nga dora dhe me e shti në xhepin e pardesysë si lagun. Partizanët hynë dhe filluan kontrollin. Nuk banë pyetje. Megjithëse çifti kishin pak tesha, kontrolli u bë i imtë.
Një vajzë partizane, u ngarkue me kontrollue krevatin e valixhet. Duke levizun, preku pardesynë dhe e pa se ishte i lagun e kaloi tutje. Si mori fund kontrolli, ata dolën dhe filluan të zbresin shkallët. Këshilltari, seç u tha dhe u kthyen. Mbi derë ishte shkrue “Valentin Pervizi”. Si duket këshilltari zemërlig, u kishte tregue se i kujt bir ishte Valentini. Një nga partizanët, i kërkoj dokumentin e letër-njoftimit dhe zbriti poshtë me gjithë të tjerët.
Pas pak, një çun u ngjit nalt e i tha që, ato partizanët e kërkonin poshtë. Valentini ishte i vetëdijshëm se komunistët nuk do ta linin aq gjatë të lirë, dhe si duket, kishte ardhë çasti. I gjeti partizanët t’ue pi kafe, pasi kishin gëlltit nga nji gotë raki. I njëjti partizan e pyeti se; ç’e kishte Prenk Pervizin, pastaj i tha se duhet të shkonte me ta, deri te Komanda, për disa sqarime, prej ku me siguri do të kthehej përsëri në shtëpi.
Duke e përmbajt emocionin, shkoi te Gori që po qante, duke u mundue me e qetësue. Si do i vente halli Gorit, asaj gruaje të huaj, e mbetur vetëm pa njeri pranë?! Të gjithë pjesëtarët e familjes ishin nën persekutimin e regjimit komunist, të dëbuem e te përdjekur, me shtëpi të djegura e pasuri të grabitura, nga hordhitë komuniste partizane. Ajo nuk njihte askënd, as njihte gjuhën, as kishte me se me jetue. Si do t’ia dilte?
Me këto mendime, Valentini u përqafue me Gorin dhe u nis pas partizanëve. Kur arritën të dera e oborrit, ai partizani i parë i shprehu keqardhjen dhe i vuni prangat. Të gjithë kojshitë që po rrinin jashtë bashkë me Gorin, ja nisën me qa. Ishin çaste tronditëse edhe për ata, sepse rasti i tij, ishte i veçantë.
Ma në fund arritën te komanda. Kryetari i Degës së Brendshme, e priste në zyrën e tij, pas një skrivanie. Sapo e pa, i hodhi një vështrim të vëngërt e djallëzor dhe i foli me ironi:
– Malli për atdheun tënd, të ka shty me ardhë këndej apo jo? –
– Sigurisht! U përgjigj Valentini. Dhe ai përsëri:
– Por si duket, atdheu yt nuk të ka pritur mirë? Ti duhet të ishe bashkue me partizanët e Italisë, për me dhanë edhe ti kontributin e duhur, për kauzën e përbashkët. Si thua? – Nuk kisha ndërmend të lajë lëkurën time, në një tokë të huaj, vazhdoi Valentini. – Ajo nuk asht nji arsye e pranueshme, përfundoi kryetari dhe u dha urdhër partizaneve me e çue në burgun e “Gestapos”. Ky burg ishte një banesë që gjermanët e kishin kthye në burg, duke e pajisur me biruca të ngushta prej betoni.
– Pa shiko, pa shiko, i tha drejtori i burgut, sa mori vesh se kush ishte dhe vazhdoi:
– E kam njohun babën tand, kur kryeja shërbimin ushtarak në garnizonin e Korçës, ku yt atё, ishte komandant. Ai ishte një njeri që gëzonte stimën e të gjithëve, përveç tonës, sepse nuk e pranoi ofertën që i bani udhëheqja jonë, për me i dhanë komandën e përgjithshme të forcave të armatosura partizane.
Ky drejtor ishte një fytyrë e keqe, e kur bisedoje me të, nuk e shikonte kurrë në sy, atë me të cilin fliste. Të tillë tipa, ishin krejtësisht të pabesë.
Ai ia hoqi prangat Valentinit dhe e përcolli deri te dera e njërës prej dhomave të mëdha. Kur u hap dera, e përfshiu nji mjegull tymi cigaresh dhe nji duhmë e qelbur ,me t’ardhë me vjellë. Valentinit iu desh të hynte aty.
Pjesa ma e madhe e atyre që ishin mbyllë në atë dhomë, ishin shkodranë. Kur ai hyni, e dera u mbyll me zhurmën e shulave të hekurta, pothuaj se të gjithë sa ishin, u kthyen me e shikue me vëmendje e kureshtje, sepse për ata, ai ishte një fytyrë e re. Mbeti ashtu në këmbë për do kohë, mbasi nuk po dallonte një vend të lirë, për me u rreshtue edhe ai me të tjerët. Një prej tyre i bani me shenj që, të afrohej e të ulej pranë tij, ndërsa të tjerët, shtrëngoheshin me lirue pak vend.
Valentini ishte tepër i dëshpëruem, por mundohej me fshehë ndjenjat, për mos me tregue gjendjen e rëndë shpirtërore të tij.
Ai që e ftoi afër tij, ishte një kapiten e xhandarmërisë e, quhej Pjetër Gurakuqi. I cili kur e mori vesh se kush ishte, u tregue i përzemërt, duke i dhanë kurajo. Mbas pak kohë, në pamundësi për t’u shtri, u mbështetën pas njeni tjetrit, ndërsa të tjerët, kishin fillue me gërhitë.
Natyrisht, se iu desh t’i përgjigjej pyetjeve të shumta që i bënin të burgosurit, dhe kështu ata e morën vesh se kush ishte, sepse familja tij, ishte e njohur e veçanërisht im atë, që s’kishte shkodran që, nuk e njihte. Iu desh të shpjegonte arsyet që e shtynë me braktisë Italinë e, me ardhë në Shqipni, me gjithë pengesat e rreziqet që kishte përballue, në atë udhëtim. Pjetri, e kishte pickue pakëz, për me i dhanë me kuptue që të pushonte mirë fjalët sepse, mund të interpretoheshin për së mbrapshti, mbasi kishte plot spiunë të futun kastile nga komunistët, të gatshëm për me raportue.
E vetmja e mirë ishte se dyshemeja ishte shtrue me dërrasa, sepse ishte një shtëpi private, e konfiskueme. Askush nuk ishte i pajisur me mbulesa, për të kalue natën, sepse kur i arrestonin, nuk i lejonin me marrë asgjë me veti, dhe ishin të prangosur.
Të nesërmen Pjetri, si përgjegjës i asaj dhome, ua mbushi mendjen rojeve që, të lironin një dhomë tjetër, se aty ishin ngushtue si sardele e, nuk shtriheshin dot. Ngjit me atë dhomë, ishte një tjetër me materiale të ndryshme. Rojet bashkë me partizanët dhe disa të burgosur, e liruan dhe kështu gjysma e të burgosurve, kaloi atje. Pjetri, e mbajti Valentini pranë.
Ditën tjetër, para se të binte nata, disa familje kishin arritë me marrë nji leje të posaçme, për me u sjellë veshje e mbulesa në burg. Edhe Valentinit i sollën nja dy batanije që e shoqja, ua kishte dhanë një kojshije me ia çue, që e kishte vëllanë në atë burg. Ishte dita e katërt e shtet-rrethimit që, vazhdonte t’ishte në fuqi. Ditën e pestë, shtet-rrethimi u hoq, kështu të dielën e parë, u lejue takimi dhe të burgosnit patën mundësi të takohen me njerëzit e tyre, pas sgarave të hekurta.
Edhe Gori, pati mundësi të shihej me Valentinin, të cilit i dha me kuptue se dikush, kishte ardhë i dërguar nga baba, midis shtet-rrethimit, dhe i kishte sjellë do pare dhe përshëndetjet e babës, të mamës, gjyshes dhe të vëllezërve, që qëndronin të fshehur në mal. Ai njeriu quhej Bibë. Valentini sa kishte ndigjue emrin e Bibës, e kishte kuptue se ishte fjala për Bib Brozin, një besnik i familjes, i dërguar nga i ati, me mend se do t’i gjente në Shkodër e ndoshta, t’i merrte me vete, për t’u bashkue me pjesëtarët e tjerë.
Si kishte qenë e mundur një punë e tillë?! Biba paskej arritё tё futej nё Shkodёr, pa u diktue. Kishte marrё vesh ku banonte Valentini, qё s’dinte gjë pёr arrestimin e tij. E kishte prit Gori, qё i kishte tregue pёr gjithçka. Biba i kishte sjellё njё sasi paresh. Tё nesёrmen ishte largue, duke ia heq Gorit tё shqetsuem, revolverin.
Rrjedhja e ngjarjeve shkoi e tillё, sa qё Valentini me gruan e tij, Gorin, u ndanё atё ditё tё dhjetorit 1944, thuaj pёrjetёsisht, sepse mbetёn 47 vjet pa u bashkue me njeni tjetrin. Prandaj e dhamё rastin e arrёstimit, krejtёsisht absurd, vetёm se Valentini ishte bir i Prenk Pervizit. Mirё qё Gori mundi tё riatdhesohet me italianёt qё kishin mbetur nё Shqipni. Ku ndryshe do tё kishte vuajt të zezën e ullirit. Kjo masё dёnimi e Valentinit, u zgjat me burgje e internime tё tjerё, 47 vjet.
Kur mё 1991-in, Valentini arriti tё kalojё nё Itali, u bashkua me gruan qё, mezi e njohёn njeni tjetrin, tashmë pleq tё vyshkur e tё rrudhosur. Njё rikthim te Odiseja, ku Ulilksi u bashkue me Penelopёn pas 20 vjetësh. Po kjo Odiseja e re, u zgjat 47 vjet, kalue e stёrkalue Uliksit e Penelopёs, e si midis shekullit njëzet, ku udhёtimi me avion nga Tirana nё Bolonja, ishte vetёm njё orё. Pёr atё njё orё, u desh tё kalonte njё gjysmё shekulli!
Tragjedi nё tragjedi
Në dhomën e burgut, pasi ajo u lirue nga gjysma e njerëzve, të burgosurit u sistemuan ma mirë me ato pak gjana që kishin, duke zanë secili, një vend prej tre pëllëmbësh. Në këtë mënyrë, mund të shtriheshin me pushue e me fjetë. Pjetër Gurakuqi, ishte caktue si përgjegjës i dhomës. Ndërkaq Valentini, zuri miqësi me një mësues shkodranë, që i vlejti shumë, sepse në atë ambient, e ndiente veten krejt të huaj. Ai quhej Gjon Harusha. Atë e kishin arrestue kot, si të gjithë të tjerët. As nuk i shkonte nëpër mend se pse! Kishte punue si mësues, prej ma shumë se dhjet vjet e, çmohej si njeri i mirë.
Të burgosurit, kishin kalue dy javë në pritje të njohjes së arsyes së arrestimit të tyre. Pritje e kotë sepse, do të kalonin muaj e muaj, e deri vite, pa i marrë kush në pyetje. Makina e diktaturës, e kishte fillue punën e saj mizore. Herë-pas-here, i merrnin disa të burgosur nga birucat që gjendeshin në katin poshtë dhe i çonin në zallin e Kirit, ku i pushkatonin pa proces e pa asnjë pyetje.
Arsyen e dinin vetëm xhelatët e Sigurimit. Këto pushkatime, hynin në programin e spastrimit, para se të fillonin me punue “Gjyqet speciale të popullit“, që do të bënin kërdinë ligjore. Një oficer i Sigurimit, i kishte thanë në mirëbesim një të burgosuni që njihte, se ato spastrime, quheshin të nevojshme, për të eliminue të gjithë ata që dyshoheshin si të rrezikshëm ose, që kishin dhanë prova si ishin të tillë, për të cilët nuk ishte nevoja të mbahej ndonjë proces. Logjikë staliniste!
Një të diel, pas takimit të dhimbshëm të të burgosurve me familjarët e tyre, Pjetri i ishte afrue Valentinit, duke ndenjtë për do kohë pranë tij, i heshtur e krejt i tronditur. Kishte marrë vesh një lajm të keq, për të cilin ma vonë i foli. Një mik nga Berati, u kishte thanë te vetëve se, në Berat Sigurimi, kishte thirr njerëz të ndryshëm, për të marrë informata të çdo lloj mbi Pjetrin.
– Ja, – i kishte thanë Pjetri, – nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të më çojnë në Berat për të më gjykue.
Ai kishte qenë në Berat si komandant i Xhandarmërisë, në kohën e gjermanëve, me gradën kapiten. Gjatë detyrës ishte mundue me i ardhë në ndihmë popullit dhe kishte fitue simpatinë e besimin e qytetarëve, duke shpetue me dhjetëra jetë të rinjsh dhe duke evitua shkatërrimin e qytetit, prej gjermanëve. Por sa pare bën.
– E di, – kishte shtue, – se beratasit do të dalin në mbrojtje time. Por çdo gjë që bahet në favor tim, me rrezikon ma tepër. Në sistemin komunist, popullariteti për mirë, asht një «minus» i madh. Prandaj, pikërisht sepse kam një opinion shumë të mirë në Berat, që tani e ndjej veten të pushkatuam. Nuk kaluan dhjetë ditë dhe Pjetrin e morën dhe e çuan në Berat, ku, siç ai e parashikoi, e pushkatuan, pavarësisht se shumë beratas, dolën dëshmitarë në favor të tij. Gijotina e diktaturës, tashmë priste koka njerëzish pa kursim e mëshirë.
Në burgun e Valentinit, nisi te zbatohej ligji i revolucionit francez. Pa dalë mirë dita, dëgjoheshin hapat e rojeve dhe njerëzit i zinte ankthi. Hapej dera, dhe lexoheshin emrat e fatkeqëve që i priste vdekja. Të thirrunit, çoheshin për të shkue si beret te kasapi. Sa tmerr kur shoku që kishe pranë, dëgjonte emrin e çohej e vishej shpejt e shpejt, dhe ulej e përqafonte shokun pranë, duke i thanë në vesh:
– Mos na harroni. Mirupafshim në botën tjetër!
Valentinit i kishte ndodhë sa herë që, t’ia merrnin shokun pranë. Tashmë burgu ishte kthye në një dhomë pritje, për shumëkënd. Emrat që thirreshin, kalonin nga dhoma në dhomë. Kështu i rastisi Valentinit, të dëgjonte persona që ai kishte njohur aty në burg. Sepse, ishte hap fjala e ardhjes tij prej Italie, në atë kohë të frikshme, dhe të burgosurit, miq e njohës së t’atit, vinin e dhe e takonin. Kryesisht ushtarakë, por edhe klerikët katolikë, si Gjon Fausti, Daniel Dajani, Gjon Shllaku, Ndre Zadeja, e të tjerë, që u pushkatuan. Burgu ishte një paradhomë e vdekjes.
Çdo mëngjes, përsëritej e njëjta skenë, në të gjithë dhomat e qelitë e burgut. Askush nuk e ndjente veten të sigurt, për ditën tjetër. Bile bënin shaka e talleshin se, kujt do t’i vinte radha. Veçanërisht në dhomë e tij, Prof. Guljelm Deda që e thirrnin Lemi, i cili kishte dellin e humorit. Ishte një humor që vinte nga thellësia e shpirtit, për të largue ankthin që kishte pushtue të burgosurit. Të mjerët që ishin caktue të flijoheshin, i merrnin si kafshët, duke i shty para me shqelma dhe me kondakët e pushkëve, pastaj u vinin hekurat.
Ajo që e rëndonte ma tepër atmosferën e terrorit, ishte se asnjeri prej fatkeqëve, nuk e dinte pse pushkatohej. Ndodhte që vinte dikush dhe i pyeste aty jashtë në korridor, por jo që t’i shkonte mendja kujt se, me ato dy tri pyetje kote, ishte vendosë fati i tyre, për t’i zhdukur nga kjo botë. Ky ishte fillimi i terrorit të kuq, që në Shqipni do të zbatohej në mënyrën ma t’egër e makabër, duke bë kërdinë mbi shqiptarët e pafajshëm.
Në dhomën e tij i ra me u njohë dhe kalue me mjaft shkodranë, ndër të cilët Guljelm Deda dhe axhën e tij kolonel Lin Dedën. Vëllaznit e Prek Jakovës, Dedën dhe Çeskun. Italianin At Jak Gardinin, Dom Nikoll Mazrrekun, mësuesin kosovar, Zef Agimin, Prof. Angjelin Saraçin. Disa oficerë, kolonelë, si Gjysh Shëldia, Luigj Mikeli, dhe plot ushtarakë të tjerë, me grada ma t’ulta. Ma vonë, edhe kolonelët, Qazim Komanin e Fuad Dibrën. Ata, kolegë e miq të t’atit, e takuan menjëherë Valentinin me dashamirësi.
I treguan se si ishin kthye nga Kosova, në shtëpitë e tyre në Tiranë, mbas mbarimit të Luftës. Ku s’kishte kalue shumë dhe i kishin arrestue. Po i nisnin për në Prishtinë, sipas kërkesë se Jugosllavëve, ku i priste patjetër pushkatimi. Poshtërsia e komunistëve shqiptarë, s’kishte fund. Jo vetëm këto dy kolonelë të shquem, por edhe oficerë të tjerë që, kishin shërbye në Kosovë, ua kishin dorëzua Jugosllavëve.
Si beret te kasapi. Kështu Valentini, duke qenë se mbahej aty kot, si peng pa u gjykue, gjatë dy vjetëve, priti e përcolli nga ai burg me qindra bashkatdhetarë që pushkatoheshin, sipas një plani djallëzor të huajtun nga revolucioni francez.
Ku në krye të këtij terrori, ishte një “Ropersbier shqiptar” i pa skrupull e sadist, si Enver Hoxha, me katilët e tjerë me të cilët hartonte listat e vdekjes. Valentini, në gjithë atë pështjellim tragjik, shpëtoi mirë, që nuk iu shënue emri në ato lista. Si duket, ishte akoma i panjohur nga banda e kriminelëve. Sepse kishte ndodhӫ qӫ kӫto bisha t’egra, kishin pushkatue njerӫz pa pyet eprorӫt e tyre, me pretekste tӫ kota.
Valentini i jetonte të gjithë ato emocione dhe tronditje e si gjithë shokët e tjerë, edhe ai rrinte në pritje të asaj që nuk mund të përfytyrohej, por që mund të ndodhte. Të gjithë ato bashkëvuajtës, shokë të dashtun e miq, që një fuqi e kobshme vinte me i marrë, duke i nda përgjithmonë prej të tjerëve, ishin ma tepër se vëllazën. Dëshpërimi ishte i madh, për zhdukjen e tyre, në atë mënyrë barbare të pushkatimit, pa ditë sikur një arsye bajate e banale… !
Ishte hap fjala se do të krijoheshin gjyqet speciale. Së pakut të burgosurit, do të kishin “privilegjin” të pushkatoheshin “zyrtarisht”, me dokumenta. Guljelm Deda, kishte gjet shkak për humor.
-Tashti po, gjyqi special! Nder і madh! Me pushkatim special! Ku ta marrish? Shën Pjetri ta hap derën e Parrizit, menjëherë për Shpirtrat specialë! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016