Nga Ilda Lumani
Memorie.al/ Liri Belishova, ish-drejtuese e Rinisë Komuniste Antifashiste gjatë periudhës së Luftës, e anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSH-së për Propagandën deri në vitin 1960-të, në këtë intervistë të dhënë pak kohë para se të ndahej nga jeta, ka rrëfyer për herë të parë disa nga anët e panjohura për periudhën para dhe pas Luftës, duke filluar nga njohjet e saj me Ramize Gjebrenë, shoqen e saj të ngushtë që kur ishin bashkë në Institutin Femëror “Nana Mbretneshë” në Tiranë, fejesën e Ramizesë me Nako Spiron dhe pushkatimin tragjik të saj, nga komanda e Brigadës së V-të Sulmuese me në krye Shefqet Peçin e Hysni Kapon, rolin e Enver Hoxhës dhe Miladin Popoviç në eliminimin e Ramizesë, raportet e Nako Spiros me Enverin para dhe pas Luftës, kur e si filluan kontradiktat dhe konflikti në mes tyre, goditja dhe dënimi i Liri Belishovës pas vizitës së saj në krye të një delegacioni zyrtar në Bashkimin Sovjetik dhe Republikën Popullore të Kinës me Haxhi Lleshin e Gogo Nushin, akuzat e Enverit ndaj saj si “agjente e sovjetikëve”, dënimi me burg i bashkëshortit të dytë, Maqo Çomo, e internimi i saj për 30 vite me radhë deri në shembjen e regjimit komunist, raportet e saj me Nexhmije Hoxhën dhe pakënaqësia e Belishovës për librin e shkruar nga Nexhmija, ku ajo dhe Luan Omari flasin edhe për raportet e Ramize Gjebresë me Misto Mamen, komentet e Belishovës për librin e Vasfi Barutit, të cilën e konsideron si një libër, fund e krye denigrues që nuk ka asgjë të vërtetë në faqet e tij, e deri te jeta e saj personale; humbjet e njerëzve të dashur, që u dënuan nga regjimi komunist për shkak të saj, takimi me Nefo Myftiun në Tiranë dhe çfarë i tha ajo për Enverin e Nexhmijen, e deri tek ndjesa e saj publike, për përgjegjësinë e saj personale deri në periudhën që ishte në funksione të larta, e për të gjitha të zezat që iu solli regjimi komunist, gjithë shqiptarëve, etj.
Znj. Belishova, kur ndodhi pushkatimi i Ramize Gjebresë, Nako Spiro, në atë kohë ka qenë në Tiranë, si e përjetoi ai këtë ngjarje tragjike? Si e kujtoni ju?
Pas përmbysjes së diktaturës, kur unë u ktheva në Tiranë pas 30 vjetëve dënimi, e ndjeva detyrë ndaj kujtimit të shoqes sime, si edhe një lloj amaneti të Nako Spiros që, të kujdesesha për të nderuar kujtimin e Ramizesë. Mora iniciativën dhe në bashkëpunim me familjarët e saj (zotërinjtë Apollon, Ali, Shpëtim Gjebrea, etj.), organizuam në mars 1994, përkujtimin e 50-vjetorit të vrasjes së Ramizesë, në sallën e Akademisë së Shkencave.
Gjithashtu, disa vjet më vonë i propozova gjeneral-leitnant Rrahman Parllakut, kryetar i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare, dhe kjo organizatë në bashkëpunim me familjarët e Ramizesë, organizoi në maj 2005, një mbledhje përkujtimore në Shtëpinë e Ushtarakëve, një nderim i bukur dhe plotësisht i merituar për Ramizenë.
Presidenti Berisha, në nëntor 1994, e ka dekoruar Ramizenë me “Urdhrin e Lartë të Flamurit”, dhe në 5 maj të vitit të kaluar, për të nderuar kujtimin e saj ka vizituar familjen. Familja Gjebrea, një familje fisnike me tradita të shquara patriotike (Baki Gjebrea i famshëm ishte xhaxhai i Ramizesë), e kuptoi drejt çështjen e Ramizesë, e dënoi vrasjen e saj, të gjithë krenoheshin dhe krenohen me bijën e tyre kreshnike.
Kujtimi i Ramizesë dhe Nako Spiros, më ka lidhur shumë me familjarët e saj. Jam e nderuar për marrëdhëniet miqësore me ta. Ramizenë e kam pasur shoqe që në Institutin “Nana Mbretneshë”, dhe ishim bashkë në konvikt, por u afruam veçanërisht gjatë Luftës – ajo vinte shpesh në shtëpinë time për drekë e për të fjetur, u bë si e shtëpisë.
Në fund dua të them se Nako Spiron, ky krim e tronditi shumë dhe bashkë me çështje të tjera të rëndësishme të Luftës dhe pasluftës, e bënë të reflektonte mbi Enver Hoxhën dhe Miladinin, mbi Partinë Komuniste, mbi komunizmin si doktrinë dhe si sistem i realizuar në formën e diktaturës komuniste.
Zonja Belishova, a e keni lexuar librin e Vasfi Barutit mbi Ramizenë? Mendimi juaj, sidomos për ato që shkruan për Nako Spiron?
Po, ditëve të fundit. Nuk kam lexuar as pjesët e këtij libri që u botuan në disa gazeta, duke menduar se do të lexoj vetë librin, dhe që janë ngjarje që unë i di. Autori shkruan me mirëdashje për Ramizenë dhe dënon vrasjen e saj. Por, fatkeqësisht në këtë libër, ka të meta serioze, pasaktësi, interpretime të gabuara dhe të çuditshme etj. Edhe kujtimet që u referohet nuk është e qartë se a janë kujtime të shkruara nga vetë personat, a i kanë folur dhe dikush tjetër i ka shkruar, dhe a janë këto të firmosura.
Por, unë po i përgjigjem vetëm pyetjes suaj lidhur me çfarë është shkruar për Nako Spiron. Jam habitur shumë dhe jam revoltuar, janë kaq të pabaza e kaq dashakeqe, sa me të vërtetë nuk ja vlen të merresh me të. Në 400 e ca faqe të librit, nuk ka një gjë të saktë për Nako Spiron, një fjalë të mirë, po çdo gjë është shtrembëruar, ose me qëllim nuk është përmendur fare për ta denigruar dhe për ta nxirë figurën e tij.
Arrin deri atje sa Nako Spiron, e vë në një grup me Enver e Nexhmije Hoxhën, Meladinin e Dushanin, “Xhakon” e të tjerë, që i akuzon për vrasjen e Ramizesë! Kështu në “Jetë Paralele”, ku çdo gjë për Nakon është shtrembëruar. Kështu në “Morrat dhe kolera e shpirtit”, ku ndër të tjera thotë: “korrespondenca” (e Nakos me Enverin e të tjerë) nxjerr në shesh horrllëqe të politikës e moralit të fëlliqur, kutërbon ligësi, hakmarrje, lot të krokodilta. Kështu edhe në pjesë të tjera.
Gjykoni vetë: Si mund ta quash këtë njeri? Ai ka pasur mundësi t’i shohë gjërat qartë e drejtë. Unë dhe të tjerë kemi folur e kemi shkruar, letrat e Nakos janë në Arkiv. S’ka njeri që të mos jetë prekur dhe tronditur nga dhimbja e thellë dhe qëndrimi fisnik i Nakos atëherë, ose kur i lexon letrat sot, sidomos atë që i shkruan Enver Hoxhës, porsa mori mandatin. Kurse Vasfi Baruti, thotë se; Nako mbajti këtë qëndrim se nuk e donte Ramizenë!!! Po ç’qëndrim duhet të mbante Nakua që Vasfi Baruti ta quante të drejtë?!
E akuzon Nakon se duke pasur dosjen në dispozicion, nuk i shkruan Enverit se, kush janë fajtorët e vërtetë për vrasjen e Ramizesë, por ngarkon me përgjegjësi vetëm shtabin e Brigadës V-të. E para, Nakua s’kishte asnjë dosje. Enveri i dërgoi vetëm letrën e “Xhakos” dhe asnjë tjetër, se mos binte në duar të armikut (shiko letrën e Enverit dhe të Meladinit që citova më lart (F. 14, D.76).
Kjo letër e “Xhakos” i drejtohej Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste Shqiptare, ku ai bën autokritikë, kurse letrën e “Xhakos” të 19.2.’44, ku flitej për “gjynahet” e Ramizesë, Nexhmija nuk ja tregoi Nakos dhe e mori me vete kur u nis për në Panarit (shiko letrat e dt. 4.4.’44, F.14, D.72). Se çmendonte Nakua në atë kohë tragjike, nuk fliste haptas as me ne shokët e tij e jo më t’i shkruante Qendrorit të Partisë.
“Fatkeqësisht”, në atë kohë nuk kishte lindur Vasfi Baruti, që të shkruante këtë libër dhe Nakua t’ia dërgonte Enver Hoxhës. E akuzon Nakon se e “degdisi” Ramizenë në Vlorë, e përsërit disa herë si një “gjynah” të rëndësishëm të tij. Në Vlorë, Ramizeja ka mbërritur më 1 korrik ’43 dhe është dërguar me ngritje, Sekretare Politike e Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste të Vlorës, për të ndihmuar, sepse Vlora ka pasur gjithmonë shumë rëndësi, aq më tepër pas “fraksionit” dhe problemeve që dolën.
Kush propozoi e vendosi që ajo të shkonte në Vlorë, as Vasfiu dhe as unë nuk e dimë, dokumente s’ka. Por, nga Tirana vazhdimisht janë dërguar kuadro për të ndihmuar rrethet e ndryshme dhe repartet partizane, madje edhe në Kosovë e Maqedoni. Këto kuadro nuk i dërgonte Nakua, por vendoseshin nga organet përkatëse të Partisë. Ama kur Ramizeja erdhi në Tiranë e sëmurë, në tetor ’43, Nakua bëri çmos për ta mbajtur në Tiranë.
- I shkroi Enver Hoxhës që; Ramizeja është me malarie dhe duhet të paktën 2-3 javë të rrijë këtu, por e mira është ta mbajmë, sepse na duhet për punën me rininë dhe njëkohësisht të ndihmojë Nexhmijen. për punën me gruan.
- I propozoi Enverit të zgjerohej Komiteti Qendror i Rinisë Komuniste Shqiptare me Drit Çaushin, Niko Oparin dhe Ramizenë. Por, të dyja propozimet nuk u aprovuan nga Qendra e Partisë.
- Nakua me të drejtë nuk qe dakord që Ramizeja të shkonte në Berat, sepse në radhë të parë atje, e njihnin të gjithë dhe rrezikonte të arrestohej menjëherë. Por, ai me këtë rast përsëri propozoi që Ramizeja më mirë të vinte në Tiranë, ‘se kemi shumë nevojë për punën me rininë’ (F.14, D.76).
Nuk ka asgjë për Nakon që të mos jetë shtrembëruar dhe keqinterpretuar. Edhe leksionin mbi moralin që përmenda më sipër, nuk e trajton ashtu si e dëgjuam të gjithë, por me absurditetin më të habitshëm: Nakua foli për imoralitetin që të dënonte Ramizenë! Është e kotë të zgjatem me të tjera, nuk ja vlen.
Po pse ky njeri, e ka parë kaq zi Nako Spiron? Ai është një figurë shumë e njohur dhe e dashur nga të gjithë. Shumë dëshmitarë të atyre kohërave kanë vdekur, por edhe shumë jetojnë. Pse nuk është mbështetur në kujtimet e gjeneralëve Rrahman Parllaku dhe Halim Ramohito?!
Pse nuk i përmend fare ato që kam thënë dhe kam shkruar unë për Nakon, ato që thashë më sipër, që i dinë bashkëkohësit, familjarët e Nakos e të Ramizesë?! Nuk thotë një fjalë ç’ka bërë Nakua dhe unë për Ramizenë pas çlirimit, dhe ndonjë gjë që e përmend ua atribuon të tjerëve, deri Nevzat Hazmedarit…!
Për çdo njeri, aq më tepër për të vdekurin, shkruhet me përgjegjësi, me respekt. Sidomos për një figurë si Nako Spiro, një nga udhëheqësit më të shquar që nxori Lufta Antifashiste, njeriu që gjithë jetën e shkriu për çlirimin dhe përparimin e Shqipërisë, patrioti i madh që flijoi jetën në përpjekjet për të mbrojtur pavarësinë e atdheut dhe interesat e vendit nga shovinistët jugosllavë.
Gjithë populli e nderon, edhe shteti demokratik e nderoi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Dihet kush e urren dhe lufton Nako Spiron, edhe pas 63 vjetëve që tretet në dhe. Po Vasfi Baruti, ç’pati…?!
Zonja Belishova, Nexhmije Hoxha ka deklaruar se; Nako Spiru, i ka thënë se, ishte në dilemë për të zgjedhur mes Ramizesë dhe Lirisë (Belishova), të cilat i vlerësonte të dyja për nga inteligjenca, vendosmëria, etj. Kurse Vasfi Baruti, gjatë librit, shpesh herë thotë se; në zemrën e Nako Spiros ishte futur “Shpirtua” (pseudonimi juaj). Ai, madje e vë në dyshim a ka qenë apo jo Ramizeja e fejuara e Nako Spiros. Cili është komenti juaj?
Besoj se Nexhmije Hoxha nuk është e saktë – kanë kaluar shumë vite. Ndofta, Nakua gjatë Luftës, ka biseduar me të për t’i shprehur Ramizesë dashurinë dhe për t’u fejuar, kurse pas çlirimit, ka biseduar për mua. Mua, deklarata e saj më ka çuditur, sepse në atë periudhë dhe sa ishte Ramizeja gjallë, nuk kam ndjerë asnjë lloj afeksioni të Nakos ndaj meje.
Në shkurt të ’43, kur më futën në Komitetin Qendror të Rinisë Komuniste të Tiranës, Ramizeja ishte 20 vjeç, kurse unë 16 vjeç dhe katër muaj. Unë, shoqja ime e ngushtë, Fatbardha Toto, etj., për shkak të moshës së vogël, e për shkak të Luftës, as që mendonim për dashuri dhe fejesa. Dhe, e vërteta është se asnjë njeri nuk na ka ngacmuar.
Për sa i përket atyre që ka shkruar Vasfi Baruti, janë krejtësisht pa baza dhe me qëllimin e keq se, gjoja Nako nuk e ka dashur Ramizenë. Po pyetja më e thjeshtë është: përse atëherë u fejua dhe u martua me të në 1943?! Me mua Nakua është martuar pas çlirimit, në janar 1946.
Nëpër gjithë librin, shpesh thuhet se Nakua në zemër kishte “Shpirton”, donte “Shpirton”, kujdesej për “Shpirton”, etj. Ku bazohet?
Cilat qenkan “faktologjia” dhe “dokumentet”?
- Citon një letër që Nakua i shkruan Nexhmijes për delegacionin që do shkonte në Kongresin e Rinisë Jugosllave, dhe i thotë se; s’do ta nis “Shpirton”, mbasi rruga është e gjatë e nuk e përballon dot. Unë atëherë isha shumë e dobët, kisha shpesh kriza në syrin e plagosur dhe s’është aspak e vërtetë që Nakua donte të rrinte me mua në Tiranë, mbasi ato ditë do nisej për në Kongresin e Përmetit.
- Citon letrën (që e shkruan Nexhmija dhe e siglon Nakua) për delegatët e Tiranës, që do venë në Kongresin e I-rë të Rinisë Antifashiste. Ata këshillojnë që “Shpirtua” të niset me automobil në rrugën e Korçës, nëse kjo është e sigurt (F.56, D. 49, Viti 1944). Këto janë “dokumentet e dashurisë”?
Po me Misto Mamen, a ka qenë e fejuar Ramizeja?
Nuk kam ditur që Ramizeja ka qenë e fejuar me Misto Mamen dhe nuk kam dëgjuar asgjë gjatë Luftës dhe pas saj. Këtë autori e nxjerr, sepse Nexhmije Hoxha dhe Luan Omari, kanë shkruar që Ramizeja ka qarë shumë kur u vra Mistua. Por, ne shumë kemi qarë për Miston dhe për shokët e tjerë, aq më tepër për ata që organizimi dhe lufta na kishin lidhur më shumë.
Këtu dua të theksoj se një nga gjërat më të bukura të Luftës sonë Antifashiste, ka qenë miqësia dhe dashuria vëllazërore midis të rinjve ilegalë dhe partizanë, lidhja jonë e jashtëzakonshme, e pastër dhe fisnike si luftëtarë për çlirimin e atdheut dhe për ëndrrat e jetës së re.
Sot, ndofta është zor të përfytyrohet kjo. E ndienim veten si bijë të një nëne, ishim gati të jepnim jetën për të mbrojtur shokun. Për këtë miqësi vëllazërore të pastër kanë shkruar disa, por mua më kanë bërë më shumë përshtypje, kujtimet e Profesor Stefanaq Pollos.
Diçka për filmin “Furtuna” dhe regjisorin Çuhrai. Ç’kujtoni ju?
Më 1959-ën, me rastin e 15-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga okupatorët fashistë, u mendua që të bëhej një film për Luftën Nacionalçlirimtare. Për këtë ju kërkua ndihmë Bashkimit Sovjetik dhe ata dërguan regjisorin e shquar, Çuhrai dhe shkrimtarin Arkadi Pervençev. Ata patën shumë takime, i takoi edhe Enver Hoxha. Orientimi ishte të bëhej një film epope, madhështor.
Disa autorë shqiptarë paraqitën skenarët e tyre; unë mbaj mend vetëm Dhimitër Shuteriqin dhe Petro Markon. Por, më në fund u vendos që skenarin ta shkruanin dy sovjetikët dhe Llazar Siliqi e Fatmir Gjata. Çuhrai nuk iku, siç thonë, ai ishte regjisori i filmit “Furtuna”. Nuk mbaj mend që Çuhhrai të ketë dashur që filmi të ishte për Ramizenë. Por, mbaj mend që skenari i Petro Markos ishte për të.
Filmi “Furtuna” nuk u pëlqye shumë nga udhëheqësit shqiptarë, ndryshe nga ç’ndodhi me filmin “Skënderbeu”, që u prit me entuziazëm. Kurse në Moskë, mesa kam dëgjuar, e kritikuan shumë, edhe për llastiqet.
Tani le të hidhemi në disa pyetje të një tjetër fushe. Zonja Belishova, si do ta përshkruanit jetën tuaj? Si do ta përkufizonit atë?
Një jetë tragjike, jeta tragjike e një gruaje shqiptare.
Kam humbur pesë njerëzit e mi më të shtrenjtë; Nako Spiron dhe burrin e dytë, Maqo Çomon, dy vëllezër, Fatmir e Bardhyl Belishovën, dhe mbi gjithçka Dritën, vajzën time. Një dhembje e paduruar, që mund ta kuptojë vetëm ai që i ka rënë një fatkeqësi e tillë. Të gjithë viktima të diktaturës komuniste, për të cilën unë luftova dhe punova me përkushtim të jashtëzakonshëm.
Babai, gjyshja, nëna dhe dy vjehrrat e mia, vdiqën me hidhërim të thellë. Ishin 30 vjet, që ma shkatërruan jetën. Kur ika nga Tirana, isha vetëm 34 vjeç, në lulëzim të plotë, kur u ktheva, një plakë e dërrmuar. Dhe, më e tmerrshmja ishte se vuajtën në burgje e internime, ose nga përndjekje të tjera fëmijët e mi, të pestë vëllezërit me familjet e tyre dhe të afërmit e burrit, deri kushërinjtë dhe miqtë.
Ka të tjerë që kanë vuajtur më shumë, por do flas më poshtë. Si durova? Kryesorja, se kisha të drejtë. Po jeta ime u nxi. Nuk janë të vrarë vetëm pesë mijë e ca vetë. Të vrarë jemi dhe ne që na i morën shpirtin çika-çika. Po sa i rëndë dhe i vështirë ka qenë për mua procesi i zhgënjimit…! Komunizmi ishte gjithë kuptimi i jetës sime, një iluzion, një ëndërr e jashtëzakonshme. Indoktrinimi i skajshëm na kishte kthyer në fanatikë.
Nuk kishim mundësi të lexonim letërsi që kritikonte komunistët, por as radion nuk e dëgjonim, duke e quajtur herezi, tradhti, si një besimtar letërsinë e djallit. Por realiteti i hidhur, sado që unë përpiqesha ato gjëra që konstatoja t’i justifikoja në mënyra të ndryshme, m’i hapi sytë. Likuidimin tragjik i Nako Spiros, më tronditi shumë, por edhe këtë e pashë më shumë si faj të jugosllavëve e Koçi Xoxes.
Isha shumë e re. Por, ndofta në subkoshiencë vepronte edhe instinkti i vetëmbrojtjes. Veç pas vdekjes së Stalinit, sidomos pas Kongresit të XX-të (megjithëse edhe ai zbuloi vetëm majën e ajsbergut), nuk mund të vazhdohej me iluzione, me justifikime. Rëndësia historike e referatit mbi Stalinin ishte se tani këto i thoshte vetë partia e tij, s’ishin më “shpifjet e armiqve imperialistë”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm