Nga Ani Jaupaj
Memorie.al / Në katin e fundit të një pallati parafabrikat, piktori Lekë Tasi, nuk e ka ndriçimin e duhur, aty ku ka zgjedhur të jetë këndi i tij i pikturës, në tavolinën e përshtatur, por të rregullt si të askujt. Ngado ta ktheje, ndriçimi do të ish njësoj, asnjëherë i mjaftë! Megjithatë ai nuk ankohet, ka përherë një buzëqeshje që edhe kur tregon jetën e dikurshme, vitet e internimit në fshatin Grabjan të Lushnjës, ke përshtypjen se nuk ke të bësh me vuajtje të rënda; kjo është aftësia e një zotërie! Lekë Tasi, lindur në Athinë më 1929, i biri i Koço Tasit, parlamentar, qeveritar i burgosur gjatë periudhës së diktaturës, ndërsa vetë Leka, një violonçelist shumë i talentuar, i cili pati rastin të punojë fillimisht në Radio, Filarmoni dhe më vonë në Teatrin e Operës, në vitin 1975, përfundoi bashkë me familjen, i internuar në fshatin Grabjan të Lushnjës.
Kanë kaluar vite prej atëherë. Të gjitha kujtimet e atyre kohëve, sidomos rrëfimet e së motrës, e cila u burgos tri vite, i ka hedhur në librin “Grabjani rrëzë kodrave”. Kanë qenë kaq të rëndësishme dëshmitë e rralla të Teftës, por edhe mënyra se si Leka i ka rrëfyer, duke i qëndruar çdo detaji, sado i dhimbshëm të ketë qenë. Për të, kjo është pjesa më e rëndësishme e librit.
Prej disa vitesh, Tefta Tasi nuk jeton më. Edhe pas viteve kur familja u kthye në Tiranë, ajo jetoi me mamanë, i’u përkushtua asaj dhe qetësisë së munguar në gjithë ato vite. Nuk e kishte përherë të thjeshtë t’i ndante kujtimet, sidomos kur i kujtonin shirat, llucën e baltën ku duhet të punonte…! Nga familja e tij, si më i vogli, vetëm Lekë Tasi i shpëtoi burgut, bashkë me të ëmën. Të detajuara, sjell sot për lexuesit, kujtimet e së motrës…! Një nga dëshmitë më të rëndësishme të asaj periudhe, viteve 1979–‘82, në një nga kampet më të vështira të kohës.
Zoti Tasi, përgjatë gjithë librit “Grabjani rrëzë kodrave”, ju nxirrni në pah një natyrë kontroverse të Teftës. Megjithëse, fati juaj dihej në një farë mënyrë, a ka pasur episode që tregojnë kundërvënie ndaj sistemit?
Na kujtohej gjithnjë e qeshnim në familje kur, një ditë, që kishte dalë në Tiranën e Re, Tefta hyri pa dashje në një rrugë të “Bllokut” të udhëheqësve. Rojat natyrisht e ndalën, i drejtuan pushkët duke e shtangur në vend. Megjithatë, pas kësaj nuk ndodhi asgjë e ngjashme me ato që do t’i ndodhnin më vonë…!
Çfarë i ndodhi më vonë?
Ne na kishin internuar familjarisht në Grabjan të Lushnjës, ndërsa ca kohë më vonë, Teftën e burgosën. Kur e ndanë nga ne, ditën e arrestimit, e çuan në zyrën e Këshillit Popullor. Aty, hetuesi, Skënder Korriku, i tha: “Në emër të popullit, je e arrestuar!”, dhe i vunë hekurat. E çuan në zyrën e hetuesit dhe pas pak minutash hyn kryetari i Degës, i cili e quajti armike.
Meqenëse ajo e kundërshtoi, ai doli, porositi ta keqtrajtonin dhe u largua. Urdhrat për të tashmë ishin dhënë. U izolua në birucë, ishte e izoluar me dërrasa, pa dyshek. Kishte tri batanije të konsumuara, të tejdukshme dhe tërë pluhur. Njërën e palosi në katërsh për t’u shtrirë, me dy të tjerat u mbulua!
A kishit mundësi për ta takuar?
Ylli shkonte më shpesh se ne të tjerët, por në fillim, as ai nuk lejohej. Madje, më kujtohet një episod në verë, kur ai shkonte për t’i çuar ushqime, pasi kishte rënë shumë shi dhe i ngeci biçikleta nëpër baltë. Rregullat për të, ishin të rrepta. Polici i kishte komunikuar se koka vihet nga dritarja dhe gjatë ditës, nuk i lejohej fare të shtrihej, as të ulej. Izolimi në birucë, në Kosovë të Dumresë, mbajti tre muaj dhe tri ditë. Rregullat aty ishin më të rënda se në çdo rreth tjetër. Nga zgjimi në orën gjashtë të mëngjesit e, deri në 10 të mbrëmjes, i burgosuri duhet të rrinte në këmbë.
Tefta, për të matur kohën, bëri një kalendar në mur, duke gërvishtur suvanë. Kjo çështje u bë e madhe më vonë, por Tefta nuk kishte frikë asnjëherë nga asgjë, as nuk ndiente ankth. Tefta i quajti 25 ditët e para të birucës si, periudhën më të qetë në jetën e saj. Në katër vjet internim, punët e rrëmujshme, ngushticat, radhët në dyqane, i ishin bërë peshë dhe u gjet befas, në vetminë e plotë të qelisë.
A ju ka treguar për keqtrajtime fizike?
Jo, pavarësisht jetës që ishte në të gjitha kuptimet e vështirë, keqtrajtime të tilla nuk ka treguar, me gjithë kryeneçësinë e saj! Ndër rojet në korridoret e birucave, ishte edhe Gëzimi dhe Shyqo, që përfaqësonin tipat më ekstremë. I pari hapte sportelin, vëzhgonte disa sekonda dhe raportonte për ato që shikonte. Një ditë, ngaqë i dhembte koka dhe në pamundësi për t’u ulur, Tefta kishte mbështetur ballin në mur. Me tringëllimën e shulit të sportelit, ajo nuk e ndryshoi pozicionin siç priste ai. Asaj i takonte gjithashtu të lante tasat e te arrestuarve çdo mëngjes…!
Ç’ka ndodhur me të gjatë periudhës së hetuesisë?
Pyetjet filluan 10 ditë pas arrestimit. Hetimin e bënte Zamir Stefani. Si hyrje për prezantim, se ç’mendonte për arrestimin, Tefta kishte thënë: “Mendova se më erdhi radha, e kishit zënë me radhë…! Fajet që s’i kam, ju do i gjeni vetë, për të më dënuar dhe vendimi do të vijë nga ministria”. Akuza për të ishte “agjitacion dhe propagandë”, megjithëse krejt e kotë. Të nesërmen, kishte filluar hetimi i mirëfilltë.
Procedura ishte me mjete primitive. Hetuesi i bënte pyetje dhe pastaj shkruante përgjigjen me dorë. Në fund të seancës, proces-verbali, do të nënshkruhej nga hetuesi dhe Tefta e bënte këtë pa lexuar. Së pari, sepse s’mendonte se hetuesi kishte nevojë të shtonte të tjera, veç ato që po thoshte, së dyti, sepse e pengonte kaligrafia e palexueshme e tij. Mirëpo, kur u lexua proces-verbali i plotë në gjyq, i dolën disa gjëra që s’i kishte thënë në hetuesi. I mohoi dhe atëherë gjykatësja i tha: “Ti i ke firmosur…”!
Cilat ishin akuzat që iu bënë?
Akuzat qenë krejt qesharake. E bënin fajtore se kishte sharë mollët e dyqanit, që gjoja s’qenë as për derra e, shpifje të tilla. Tefta i kundërshtoi: “Përse të shaja mallin, kur mërzia na vinte nga njerëzit?” Në përgjithësi, të gjitha akuzat ishin qesharake, aq sa Tefta u tall edhe me hetuesin, duke i thënë: “Si nuk gjetët diçka serioze, po mollë e gorrica”?!
Sipas akuzës së dytë, ajo paskësh refuzuar të bënte një hartim, për djalin e Zyhdiut, të internuarit nga Mokra, ngaqë tema ishte: “Vizita e shokut Enver në Gjirokastër” dhe i kishte thënë nxënësit “ik, se nga ai i kemi tërë këto të këqija.”
Akuza tjetër: “I ke thënë Donikës se je e pakënaqur dhe se s’ke parë një ditë të bardhë, që kur kanë ardhur komunistët”.
Akuza e katërt, kishte të bënte me fjalën që i kishte thënë përgjegjësit: “e kam për nder internimin”!
Shumë shpejt u bë edhe gjyqi, pas të cilit u dënua për 8 vite e nga këto 8 vite bëri vetëm tre.
Jeta atje ishte mjaft e vështirë. Ushqeheshin me një supë të hollë, pa yndyrë, ndërsa duhet të çonim nga shtëpia vetëm ushqime të ëmbla, asgjë të kripur. Ajo gjithashtu u sëmur dhe në këtë rast i mbajtën qëndrim armiqësor. Pastaj, dënimi në birucë, në kamp, ishte një masë poshtëruese që, jepej vetëm në raste të thyerjes së rëndë të disiplinës.
Ndryshe nga ordineret, që ishin të reja dhe zevzeke, gratë e politikës, si të moshuara, përgjithësisht nuk e bënin veten për një ulje të tillë. Nuk grindeshin, nuk kundërshtonin, punonin rregullisht. Megjithatë, Teftën e futën atje dy herë, në të dyja rastet të sëmurë. Shkaku ishte për mos dalje në punë, një gjë që shumë të tjerave nuk u vihej re. Veç kësaj, e demaskonin për mosrealizimin e normës, megjithëse e shihnin që punonte pa pushim. Njësoj si këto, kishte edhe plot ngacmime të tjera të porositura.
Çfarë ju ka treguar, si ishte jetesa e saj në kamp?
Pas muajve të izolimit, Teftën e çuan në Kampin e Riedukimit të Grave. Pamja e parë që pa atje ishte e trishtueshme, gra të veshura e të paveshura, një mjerim i tejskajshëm. E dobësuar nga trupi dhe e ligështuar shpirtërisht prej izolimit, kjo pamje për Teftën, ishte mjerimi më i madh, aq sa qante sa herë e tregonte. Kampi përbëhej prej dy bujtinash trekatëshe, që i bashkonte mensa njëkatëshe.
Në të parën banonin të dënuarat politike, shtatëdhjetë gjithsej, në tjetrën ordineret, 500. Gjysma prej tyre punonin në fushë. Fjetorja e politikaneve, ishte në katin e dytë. Ajo konsistonte në dy salla me nga 30 shtretër secila dhe një më të vogël me 10 shtretër për sovjetiket. Teftën e çuan shoqet te një krevat i një gruaje që, ishte shtruar në infermieri.
Ordineret qarkullonin lirisht dhe në hapësirën e politikës, por më vonë, mbas një letre ankimimi në ministri, u gjet një mur ndarës mes oborrit, por edhe në këtë rast grindeshin e shaheshin. Në kamp, kishte një Këshill të Riedukimit të përbërë nga 20–30 gra me prejardhje “të mirë” politike, gati të gjitha ordinere, përveç katër të politikës.
Këshilli, kishte një kryetare të re në moshë. Kur bëhej rreshtimi i repartit, kjo rrinte pranë komandantit ose oficerit të rojës, mbante çelësa dhe jepte urdhra. Kishte qenë shitëse, vinte nga një familje komuniste. Anëtaret e këshillit bënin jetë të rehatshme, dilnin jashtë kampit, nuk kishin uniformë, hanin në kazan veç, kuzhina gatuante për to gjërat më të mira, bënin banjë përditë…
Ky këshill ishte organi që lidhte efektivin e burgut me komandën. Me t’u kthyer nga puna, brigadierja dhe normistja, futeshin te dhoma e Këshillit, ku raportonin jo vetëm volumin e punës së bërë, por edhe ngjarjet e ditës. Përveç këtyre organeve, komanda përbëhej edhe nga një rrjet i gjerë spiunesh, punëtore e jo punëtore. Informacionet i mblidhte një njeri për një grup prej 3–4 grash dhe i përcillte lart.
Në kampin ku jetonin, flinin në krevate, kishin ujë, mund të lanin në oborr, të gatuanin, pra quhej burg me “perspektivë”. Por trajtimi dhe kërkesa për punë, ishin shtrënguar shumë. Punonin të gjitha proceset e bujqësisë, kanale, qilizmë, prashitje, vjelje të ndryshme, rrugën bënin në këmbë, dimrit në llucë, beharit në pluhur, në një largësi që shkonte edhe 5 kilometra, me ngjitje e zbritje kodrash, me opinga në këmbë.
Punonin edhe në shi, i kthenin mbrapsht vetëm nëse shiu vazhdonte për orë të tëra. Për Teftën, gjëja më rraskapitëse e burgut ishte rruga në dimër. S’kishte çizme, balta u ngjiste, rrëshqisnin, rrëzoheshin, zhyteshin në llucë, e me gjithë këto, duhet të ruheshin në çdo çast edhe nga gardianet.
Tefta, ju ka treguar për jetën e kampit në detaje. Si ishte një ditë e zakonshme në Kampin e Riedukimit të Grave?
Dimër e behar zgjimi bëhej në orën 5:00 të mëngjesit. Të dielave në 6:00. Vishnin rrobat e punës, rregullonin shtratin, merrnin ushqimin e përgatitur në darkë, me sheqer e gjizë, i fusnin në trastë dhe bënin rreshtimin të katër brigadat, bëhej numërimi dhe niseshin në orën 6:00.
Ishte fat i madh të kishe një shoqe ndër ato që rrinin në kamp, sepse kur vije nga puna, gjeje një kovë ujë të ngrohur nga dielli. Në dhomat e gjumit, krevatet nga ana e dritareve, ishin të rreshtuar si kunjat e krehrit, kurse në murin kundruall, ishin gjatazi në rresht të pandërprerë. Ata ishin të hekurt dhe të dyfishtë, poshtë e lart. Tefta u caktua në krevatin lart.
Ushqimi në kamp, për ata që vinin nga biruca, dukej i mirë, por bëhej i mërzitshëm. Të gjitha gjellët ishin në formë supe, pa yndyrë. Një muaj në vit, kishte vetëm makarona, mëngjes e drekë. Darka ishte gjithmonë çaj. Ato që punonin, në parim duhet të hanin mish dy herë në javë, por kjo nuk ndodhte asnjëherë.
Mishi zihej, por nuk shpërndahej; ordineret e kuzhinës, pjesët më të mira ia kalonin shoqeve të partisë, që i përkisnin seksionit të vjedhjes dhe të vrasjes. Funksiononin dy kazanë, njëri për punëtoret, e tjetri për të papunat.
Kazani i të dytave, ishte fare ujë, prandaj ato gra që s’kishin ndihmë nga familja, degradoheshin automatikisht. S’kamja në kamp, arriti ekstremet. Tefta kishte nevojë për ushqim dhe në pamundësi të gatuante, hante sheqer, se i jepte fuqi. Për të marrë veten, ne i dhamë vitaminë B-12, ajo i bëri më mirë.
Pas tre viteve që përfundoi burgun, ç’ndodhi me të?
Së pari, kishte nevojë të rrinte të pushonte, qëndronte vetëm shtrirë. Nuk e ndryshoi asnjëherë natyrën e saj, vazhdoi po njësoj. Tefta nuk u martua asnjëherë, më pas thuajse të gjithë kohën ia kushtoi nënës. Qëndronin bashkë…! Kohë më vonë, shkroi disa përralla për fëmijë, por nuk pati zhurmë për to.
Ishte fat i madh që arriti të më tregonte kujtimet e saj dhe që arrita t’i marr të sakta, si dëshmi e kohës dhe torturave të panjerëzishme, që nuk janë përcjellë shumë shpesh nga gratë e burgosura edhe për shkak të gjendjes së keqe në të cilën kanë dalë nga burgu! Memorie.al