Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëzetedy
MITE-MISTICIZËM, VIKTIMOMANI, RACIZËM DHE SERBONOSTALGJI
SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE
(KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)
Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)
A duhet t’i marrim parasysh thirrjet paqedashëse të qeverisë? Në qoftë se ka ndonjë gjë të kompromentuar në Ballkan, para së gjithash këto janë deklaratat zyrtare të qeverive ballkanike. Dashuria e tyre ndaj së vërtetës është diskredituar mjaft.
Janë sakrifikuar me qindra e mijëra ushtarë tanë, të cilët kanë lënë kockat nëpër malet e pakalueshme të Shqipërisë…Çmendurinë e drejtuesve të vet populli serb e pagoi me gjakun dhe jetën e bijve të tij më të mirë. (2)
—
Nuk duhet të gënjehemi. Masat e jashtëzakonshme dhe organizimi dragonian i krahinave të reja, e vështirësojnë zhvillimin e qetë dhe të kulturuar. Ato forcojnë njëkohësisht pozitat e grupeve dhe klikave, të cilat i kanë sjellë popullit serb shumë të këqija dhe fatkeqësira. Ato minojnë themelin e asaj ku qëndron forca më e madhe e një populli: themelin e demokracisë dhe të kulturës. Ato na kthejnë prapa dhe na ngarkojnë me privime të reja edhe më të mëdha.
1 – Dimitrije Tucoviç. Sabrana dela. (Vepra të zgjedhura). Libri 7. Fq. 72–75.
2 – Po aty. Fq. 136-137.
Qeverinë e ndihmojnë dhe e shtyjnë në aventura përfaqësues të pandërgjegjshëm të shtypit borgjez, që pas çdo beteje të ushtrisë sonë blinin nga një duzinë aksionesh dhe të cilëve dhënia fund e luftës ua ndërpriste këtë profesion patriotik.(1)
—
Nuk duhet harruar se kufirin me shqiptarët nuk duhet ta ruajnë regjimentet tona, por një politikë më e mirë dhe më e kulturuar ndaj shqiptarëve, ushtari ynë i thjeshtë ndjek shtypin dhe ai ndikon fuqishëm mbi të, ai është i pafuqishëm që të çlirohet nga ky ndikim kur, siç është vënë re, veçanërisht në këto luftëra, shtypi e mashtron me dinakëri me qëllim që ta përgatisë për diçka që u duhet pronarëve në atë moment. Që të kryhet ky mobilizim i fundit, shtypi ka predikuar me të madhe hakmarrjen kundër shqiptarëve, duke i bërë ata fajtorë. Në disa raste ushtarët janë sjellë ndaj popullsisë së ngratë arnaute sipas opinionit që kanë krijuar tek ata shkrimet e gazetave të Beogradit. (2)
—
Ai brez arnaut që mbulonte kufirin e vjetër serb nga Mitrovica në Vranjë është shfarosur krejt. Në Kosovë sundon heshtje varri. Vetëm aty-këtu kërcet ndonjë pushkë hakmarrëse e cila, siç më ka pohuar në një rast një nga funksionarët më të shquar në këto zona, është shkaktuar nga qëndrimi “jo taktik” i organeve tona të pushtetit. (3)
—
Edhe rrethinat e Gjakovës janë pothuajse krejt arnaute…Rreth e rrotull Gjakovës ka shumë pak ngulime serbe : në gjithë këtë zonë Serbia ka gjetur vendin e serbëve, monumente mesjetare serbe, mure të ftohta, që nuk ruajnë vise kufitare, që kanë vlerë për arkeologun dhe artistin, si p.sh. Deçani. Këto mund të trazojnë shpirtin e romantikëve nacionalistë, por nuk flasin për asgjë që do të përligjte vendosjen e regjimit të ri në këto krahina. Dhe pikërisht arsyeja kryesore e të gjitha fatkeqësive prej të cilave vuajmë sot e do të vuajmë edhe në të ardhmen, qëndron në faktin se kemi hyrë në tokë të huaj.
Kështu Gjakova, kjo qendër e arnautllëkut më të fortë, fole e kaçakëve, me jetën e vet ekonomike jep një pamje krejt tjetër për shqiptarët nga ajo që japin me qëllim apo nga padituria gazetat e Beogradit. Që këtu duhet të vemë re se kemi të bëjmë me një popull, ndaj të cilit shovinistët serbë po kryejnë padrejtësi, duke i mohuar atyre aftësinë për punë të kulturuar dhe, njëkohësisht, për një jetë të qetë.
1 – Dimitrije Tuceviç. Sabrana dela. (Vepra të zgjedhura). Libri 7. Fq. 143.
2 – Po aty. Fq. 145.
3 – Po aty. Fq. 163.
—
Politika pushtuese e qeverisë serbe ndaj popullit shqiptar ka krijuar, marrëdhënie të tilla, saqë është zor të presësh paqe dhe gjendje normale në një të ardhme të afërt. (3)
—
Në qoftë se shqetësimi i sundimtarëve austriakë për të drejtat e të gjitha kombësive të Ballkanit për vetëvendosje kombëtare është një tallje e tmerrshme me parimin e kombësive, pretendimet e Serbisë për të pushtuar Shqipërinë janë një shkelje e rëndë e flagrante e këtij parimi. Duke shpallur këtë politikë, borgjezia serbe hoqi tani për herë të parë nga fytyra e popullit serb, vellon e një kombi të shtypur, që lufton për çlirimin e vet. Edhe tek borgjezia jonë u fshinë kujtimet për idealet e dikurshme djaloshare të lirisë, barazisë e vëllazërisë dhe, bashkë me to, u zhduk edhe aftësia për të vlerësuar aspiratat e popujve të tjerë për liri. (1)
1 – Dimitrije Tuceviç. Sabrana dela. (Vepra të zgjedhura). Libri 7. Fq. 203-205.
2 – Po aty. Fq. 206-207.
3 – Dimitrije Tucoviç. Sabrana dela. (Vepra të zgjedhura). Libri 8. Fq. 17.
4- Po aty. Fq.19.
—
Qëndrimi pushtues i Sërbisë ndaj popullit shqiptar…ka treguar veçanërisht se si nxitet urrejtja midis popujve me anë të politikës. Në lojën e rrezikshme për të justifikuar një politikë të mbrapshtë, shtypi borgjez ka krijuar për shqiptarët një kështjellë të tërë mendimesh të gabuara dhe tendencioze. (2)
—
Me një politikë, që nuk merrte parasysh njerëz, fise, popull dhe aspiratën e natyrshme që edhe Shqipëria të ketë pavarësinë e vet, Serbia humbi çdo kontakt me përfaqësuesit e popullit shqiptar, duke e bërë atë që të ndiejë një urrejtje të thellë kundrejt gjithçkaje serbe. Në qoftë se populli shqiptar deri më sot nuk ka përbërë një tërësi nacionale, të cilën mund ta përgatiste një mendim kombëtar, ky mendim sot, për fat të keq, ekziston në revoltën e përgjithshme kombëtare të popullit shqiptar kundër akteve barbare të fqinjëve të tyre, Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi, në revoltën që është një hap i madh drejt zgjimit nacional të shqiptarëve.
Si armik hyri Serbia në Shqipëri, si armik edhe doli. Armiqësia e pakufishme e popullit shqiptar kundrejt Serbisë është rezultati i parë pozitiv i politikës shqiptare ndaj qeverisë serbe. Është e nevojshme që të paktën tani të shihet e vërteta në sy dhe, duke u ngritur kundër paragjykimeve, të pranohet se lufta që bën sot raca shqiptare është e natyrshme, luftë e pashmangshme historike për një jetë politike të ndryshme nga ajo që ka pasur nën turqit dhe nga ajo që i imponojnë fqinjët e tij të egër, Serbia, Greqia dhe Mali i Zi. Populli i lirë serb duhet të vlerësojë dhe të respektojë këtë luftë, sa për hir të lirisë së shqiptarëve, po aq edhe për vete, dhe t’i heqë çdo qeverie të gjitha mjetet për një politikë ekspansioniste.
1 – Dimitrije Tucoviç. Sabrana dela. (Vepra të zgjedhura). Libri 8. Fq.77.
2 – Po aty. Fq. 106-107.
Si përfaqësuese e proletariatit, që nuk ka qenë kurrë shërbëtor i politikës aneksioniste të klasave sunduese, demokracia sociale e ka për detyrë të ndjekë hap pas hapi politikën shfarosëse të sunduesve kundër shqiptarëve, ta fshikullojë atë si barbarizëm, që kryhet nën pretekstin e rremë të “kulturës më të lartë”, si politikë klasore e borgjezisë, që në mënyrën më të dëmshme flet në emër të interesave klasore të proletariatit, si politikë aneksioniste, antipopullore, që vë në rrezik paqen dhe lirinë e vendit dhe rëndon shumë pozitën e masave popullore. (1)
—
Kundër kësaj politike demokracia sociale thekson moton e saj: Bashkësia politike dhe ekonomike e të gjithë popujve në Ballkan, pa përjashtuar as shqiptarët, në bazë të demokracisë dhe barazisë së plotë. (2
Ekspedita kundër Shqipërisë është krim ndaj parimit të kombësive. Këtij parimi qeveria radikale i bënte dy interpretime: kur Austria vret serbët në Hungari dhe Bosnjë, ky është krim ndaj kuptimit modern të parimit të kombësive, ndërsa kur Serbia përpiqet të gëlltisë Shqipërinë, këtu nuk ka asgjë të pamoralshme! (3)
—
Në Drenicë, në folenë e shqiptarëve kosovarë, shpërtheu kryengritja. Me fshatin e fundit të djegur dhe me familjen e fundit të vrarë në Drenicë, do të hiqet nga rendi i ditës për publikun tonë edhe çështja shqiptare. Mikroborgjezi do t’ia fusë sërish gjumit i qetë. Ndërsa njeriu i punës nuk mund të jetë moskokëçarës ndaj këtyre kryengritjeve, ai do të kërkojë rrugëzgjidhjen e tyre njëherë e mirë.
Ato nuk mund të shuhen me shkatërrimin e të mbjellave, me djegien e fshatrave, me shfarosjen e popullsisë. Këto kryengritje do të përfundojnë kur t’i jepet fund kësaj politike, që po ndiqet sot kundër shqiptarëve. Burimi i këtyre kryengritjeve nuk janë shqiptarët, por sundimtarët tanë. (1)
1 – Dimitrije Tucoviç. Sabrana dela.(Vepra të zgjedhura). Libri 8. Fq. 108-110.
2 – Po aty. Fq. 110.
3 – Po aty. Fq. 167.
—
Serbia borgjeze militariste ka bërë një gabim historik fatal. Ajo mendoi se do të dilte në Detin Adriatik në qoftë se do të shtypte shqiptarët, në vend që t’i bënte ata për vete. Ne kryem një tentativë për vrasje me paramendim ndaj një kombi të tërë. Në këtë vepër kriminale na kapën dhe na ndaluan. Tani duhet të vuajmë dënimin. Ai është i tmerrshëm: mosbesim, bile dhe urrejtje e një populli, të cilin e kemi këtu prapa krahëve, dhe për më tepër një pjesë e të cilit është në territorin tonë, gjë që duhet ta kemi parasysh në çdo kombinim politik.(2)
—
Regjimi në krahinat e reja dhe veçanërisht marrëdhëniet me kombet e tjera, pra edhe me shqiptarët, duhet të vihen mbi një bazë demokratike, kulturore dhe njerëzore të tolerancës, jetës dhe punës së përbashkët. Kjo është zgjidhja kundër kryengritjeve dhe jo shtypjet e përgjakshme kobzeza, që kryhen andej poshtë nga Kosova. (3)
—
Karakteristikë e të gjitha shteteve ballkanike është se kanë pretendime të mëdha: të gjitha ato duan më tepër nga sa kanë mundësi. Të gjitha ato bëjnë plane të mëdha – por pa bazë materiale. Pohimi i Volterit se popujve të tjerë u pëlqen gjithnjë të flasin për të kaluarën e tyre, përligjet në mënyrën më të shkëlqyer në shtetthet ballkanike, të cilat mbi themelet e së kaluarës deshën të rregullonin të ardhmen e tyre. Nuk ka shtetth ballkanik që të mos ketë qenë zot i Gadishullit Ballkanik. Disa mbajnë mend perandorinë e Dushanit, të tjerë të Simeonit apo Sajmolit, disa mendojnë për shtetin e madh serb, të tjerë për Bullgarinë bizantine, etj.
1 – Dimitrije Tucoviç. Sabrana dela. (Vepra të zgjedhura). Libri 8. Fq. 169-171.
2 – Po aty. Fq.71.
3 – Po aty. Fq.171-172.
Kufijtë në Ballkan kanë ndryshuar gjithnjë dhe kanë mbetur vetëm kujtime! Kujtimi për atë të kaluar të “shkëlqyer”, i shoqëruar me dëshirën e zjarrtë të klasave sunduese për zgjerim të territoreve, i ka bërë vendet ballkanike të armatosen deri në dhëmbë. Po, ne jemi të pajisur shumë mirë me armë vdekjeprurëse. Kemi blerë mjaft, dhe shumë madje. Kemi blerë ku kemi mundur, kemi blerë me para në dorë kur kishim, dhe pastaj me borxhe! (1)
—
Dhe kështu përfundoi Lufta e Parë Ballkanike. Në këtë moment historik, shtetet e Ballkanit patën rastin të tregonin jo vetëm nëse janë apo jo në gjendje të ruajnë fitoret e tyre, dhe a janë në gjendje të harrojnë të kaluarën e tyre të “shkëlqyer”, por të mendojnë edhe për kërkesat e të sotmes. Shtetet e vogla ballkanike nuk mundën të harrojnë simeonët, dushanët etj. dhe nuk mundën të qëndronin në territorin real. Njëlloj ishte edhe me lirinë kombëtare. Ballkani është populluar nga një numër i madh kombesh dhe vetëm një republikë e lirë federative, do të ishte garancia e vetme për një liri të plotë kombëtare. Por, siç po shohim, klasat sunduese treguan se janë të paafta për të realizuar një vepër të tillë. Në vend të bashkësisë së përgjithshme të popujve të pavarur të Ballkanit, kemi përsëri shtetthe armike me kombësi nën zgjedhë. (2)
—
“Me politikën pushtuese të qeverisë serbe ndaj arbanasve, në kufirin perëndimor të Serbisë janë krijuar marrëdhënie të tilla, sa në të ardhmen e afërt vështirë se mund të pritet paqe dhe gjendje e qëndrueshme […] shtypi ynë, në një garë katastrofale për të ndihmuar një politikë të drejtuar dhe ekzekutuar në mënyrë të neveritshme, me muaj dhe vite ka përhapur mendime tendencioze për arbanasit, po e zëmë se elementi serb është detyruar të tërhiqet vetëm prej presionit shqiptar. A thua se ka ngjarë vetëm një herë në histori që dyndja e disa fiseve të organizuara më mire, ta përzejë një popull prej vatrës së tij? A thua fiset sllave nuk i përzunë banorët autoktonë të këtyre vendeve”? (2)
1 – Dimitrije Tucoviç. Sabrana dela. (Vepra të zgjedhura). Libri 8. Fq. 182-183.
2 – Po aty. Fq. 188-189.
“Ky është edhe sot mjeti i vetëm me të cilin shtypi shovinist krijon te populli serb urrejtjen ndaj arnautëve “të egër”, duke fshehur si nepërka këmbët e egërsirës atë që populli serb ka bërë ndaj tyre. […] Ballkanicus dhe dr. Vlladan [Gjorgjeviç) kanë shkruar nga një libër të plotë me dëshirë të qartë për ta ndrydhur këtë popull të mjerë arbanas dhe për të dëshmuar paaftësinë e tij për një jetë të kulturuar dhe kombëtare. […] me qëllim që të dëshmojnë se ai popull, si racë, nuk ka sens për jetë të kulturuar dhe të pavarur; ata e paraqesin të gjithë atë që ekziston në primitivizmin e atij populli jo si shprehje të shkallës së historisë në të cilën gjendet ai dhe nëpër të cilat kanë kaluar edhe popujt e tjerë, por si shprehje të paaftësisë së tij racore për zhvillim kulturor në përgjithësi.
Zelli i Ballkanicusit për nënvlerësimin e popullit arbanas si racë shkon deri aty sa rolin historik të Skënderbeut ia atribuon origjinës nga serbja Vojsava”. (1)
****
Dragan Popoviç – Universiteti i Beogradit, Fakulteti Filozofik, Departamenti i Historisë:
Njerëzit nuk u zgjuan një mëngjes si pjesëtarë të një populli të rrezikuar papritur nga vëllezërit dhe fqinjët. Ky ishte një proces i përgatitur prej vitesh nga elitat (kryesisht shkencore dhe kulturore), por në fund të fundit të mundësuar nga shteti (dhe partia). Njerëzit e gjetën veten duke marrë një mesazh të vetëm nga të gjitha anët. Sipas këtij mesazhi, një shtet i bazuar në barazi ishte i gabuar dhe se zgjidhja e vetme e pranueshme, por dhe e vetmja zgjidhje e mundshme është një shtet unitar, në të cilin serbët janë populli sundues. Kroatët u bënë një popull gjenocidal, i cili, që nga fundi i shekullit të 18-të punon kryesisht për shkatërrimin e serbëve dhe të ortodoksisë.
Boshnjakët janë bërë të poshtër, përbindësha, që kanë shitur besimin e tyre për një darkë, ndaj logjikisht nuk u duhet zënë besë. Sllovenët u treguan tradhtarë, ndonëse i pritëm me bukë e kripë. Malazezët dhe maqedonasit janë popuj fiktivë, të krijuar vetëm për të dobësuar “Korpusin Kombëtar Serb”. Përsëri nuk kishte shumë për të thënë për shqiptarët, ata shiheshin si armiq me pretendime në zemër të shtetit serb. Është e vështirë të përshkruash forcën me të cilën këto teori u derdhën në publik dhe u paraqitën jo si më të saktat, por si të vetmet absolutisht.
1 – Dimitrije Tucoviç [1914] 1980:17-44. Olivera Milasoviç – Koha Ditore 28. 06. 2017.
2 – Dimitrije Tucoviç: Srbija i Arbanija (Serbia dhe Shqipëria), Rilindja, Prishtinë, 1968. Fq. 9-10.
Popujt e Ballkanit u zhvilluan sipas rrethanave historike, duke u mbrojtur e sulmuar, duke iu përshtatur kohës dhe ngjarjeve, duke u bërë aktorë të historisë si subjekte, por edhe si objekte. Perandoritë i lëviznin, ose i detyruan të lëviznin, por lëviznin edhe vetë, duke i shpëtuar vdekjes, dënimit, mjerimit, urisë, fatkeqësisë. Shpesh ata u shërbenin nevojave të zotërinjve të fuqishëm qoftë si ushtarë, qoftë si prodhues mallrash, dhe as duhet menduar se këta zotër kishin gjithmonë emra të huaj.
Fetë luftuan rreth “shpirtit” të tyre, të udhëhequr nga interesat e tyre shumë laike dhe të lidhura pazgjidhshmërisht me mjeshtrit laikë të lartpërmendur. Njerëzit janë përzier, duke ndërthurur përvoja e tradita, por edhe duke ruajtur veçoritë, duke përcjellë kujtesën kolektive të brezave të mëparshëm përmes formave të ndryshme të traditës gojore. Natyrisht, janë krijuar histori dhe mite, që mund t’i shërbejnë momentit aktual politik, dhe disa prej tyre do të jenë ndër “mitet themeluese” të komuniteteve të reja kulturore dhe politike – kombeve. Nacionalizmi serb maskohet shpejt dhe lehtë si “Jugosllavi integrale”.
Ndër synimet megalomane të nacionalistëve serbë, ideja e formimit të Jugosllavisë si një Serbi e zgjeruar ishte praktikisht kulmi. Kjo do të thoshte se kombi serb do të pushtonte një territor shumë më të madh nga sa kishin ëndërruar ndonjëherë nacionalistët (të gjitha territoret e banuara nga sllavët e jugut, dhe në bazë të të ashtuquajturit “ligji historik”, edhe ato të banuara nga popuj të tjerë si shqiptarët, rumunët, gjermanët, italianët, turqit apo hungarezët) Ne do të kemi vazhdimisht kobure dhe fatkeqësira në qoftë se Serbia nuk vendos të ndryshojë politikën e saj. (1).
****
Dragisha Lapçeviç – politikan, gazetar dhe historian:
Mendoj se politika e qeverisë serbe me ekspeditën e parë kundër shqiptarëve ka qenë e gabuar, e dëmshme dhe fatkeqe, si për lirinë e popullit shqiptar edhe për paqen dhe qetësinë e popullit serb. Duhet ta dimë mirë dhe të pajtohemi me një gjë: në perëndim të Gadishullit Ballkanik është një popull që kërkon të jetojë i lirë. Qeveria nuk duhej ta robëronte Shqipërinë dhe të nënshtronte popullin shqiptar.
Shqiptarët për disa shekuj kanë jetuar me popullin serb në njëfarë bashkësie. Në proklamatën e luftës kjo marrëdhënie përmendet dhe theksohet veçanërisht. Kemi në historinë tonë të kohëve të fundit shembuj se si shqiptarët kanë dashur gjithnjë të jetojnë në mirëkuptim me Serbinë, se si të dy popujt kanë dashur të fitonin së bashku lirinë nga turqit. Në vitin 1806, në Bedenat e Beogradit dëgjoheshin thirrje sulmi edhe në gjuhën shqipe, ajo shkoi atje me pushkë e me top, kështu që u krye jo vetëm ajo që është kundër nderit të një vendi, i cili dikur ka pasur tradita të revolucionit dhe të çlirimit, por u krijuan kushte për armiqësi të vazhdueshme midis Shqipërisë dhe Serbisë.
Në historinë e Shumadisë, në revolucionin e saj, ne gjejmë njerëz me origjinë shqiptare, që kanë qenë revolucionarë gjenialë, ndërsa Serbia në vitin 1878 i dëboi dhe i ndoqi shqiptarët nga 4 komunat që mori në atë kohë. Dhe së fundi, më 1912, kryetarët e fiseve shqiptare vijnë, bëjnë mbledhje me qeverinë serbe, edhe me Pashiçin, dhe janë të gatshëm të lejojnë depërtimin e ushtrisë serbe, me kusht që Serbia t’u bëjë të mundur të çlirohen nga Turqia dhe të fitojnë autonominë e tyre. Shpresat dhe kërkesat e shqiptarëve u tradhtuan.
Serbia, e cila dikur kishte luftuar kaq shumë për çlirimin e saj, në vend që të bëjë gjithçka nga ana e saj që edhe shqiptarët të fitojnë liritë e tyre, dërgoi ushtrinë e saj që të shkatërrojë nëpër Shqipëri, të dalë në Detin Adriatik, me dëshirën që të gjunjëzojë popullin shqiptar e ta robërojë atë, ajo shkoi atje me pushkë e me top, kështu që u krye jo vetëm ajo që është kundër nderit të një vendi, i cili dikur ka pasur tradita të revolucionit dhe të çlirimit, por u krijuan kushte për armiqësi të vazhdueshme midis Shqipërisë dhe Serbisë. Memorie.al
1 – Dragan Popoviç. Ubijanje jugoslovenske ideje – lična perspektiva. (Të vrasësh idenë jugosllave – një perspektivë personale).) Historiografija-ba. 18.09.2021.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016