Nga Bashkim Shehu
Pjesa e parë
Memorie.al publikon një letër të hapur të shkruar prej Bashkim Shehut, të birit të ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, të cilën ai ia dërgonte publikisht, Nexhmije Hoxhës, të vesë së diktatorit komunist Enver Hoxha, më datën 2 prill të vitit 2004, ku nëpërmjet gazetës “Korrieri”, ai ka reaguar ndaj librit “Miqësi e tradhtuar”, që Nexhmija, sapo kishte botuar në atë kohë dhe pjesë të atij libri, u publikuan për 15 ditë, nga gazeta “Shekulli”.
Vetëm dy ditë pas letrës në fjalë të Bashkim Shehut drejtuar publikisht Nexhmije Hoxhës, më datën 4 prill 2004, ka reaguar për herë të parë nga SHBA-së ku jetonte prej shumë kohësh edhe znj. Silva Turdiu, ish-volejbollistja e njohur e ekipit “Dinamo” të Tiranës dhe gjithashtu e përfaqësueses shqiptare, (ish-e fejuara e djalit të dytë të kryeministrit Mehmet Shehu, Skënderit), e cila me fakte dhe argumente, i përgjigjet akuzave që kishte shkruar në librin e saj, Nexhmije Hoxha.
Më datën 5 prill të vitit 2004, z. Bashkim Shehu, i është përgjigjur interesit të shtypit, duke dhënë një intervistë për të përditshmen “Koha Jonë”, ku shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi i njohur, ka reaguar përsëri kundër librit me akuza të së vesë së ish – diktatorit komunist Enver Hoxha, Nexhmijes,
Letra e hapur publike e Bashkim Shehut, drejtuar Nexhmije Hoxhës
Merr: Nexhmije Hoxha
Pularia e Laprakës
Tirana, ALBANIA
Zonjë,
Meqë nuk kam rrugë tjetër për të sqaruar disa çështje me ju, po ju dërgoj këtë letër, nëpërmjet gazetës “Korrieri”. Si ndonja 2 vjet të shkuara, ju jam lutur, po nëpërmjet “Korrieri”-t, që të vërtetoni se: me cilat shërbime agjenturore ka qenë i lidhur im atë, Mehmet Shehu, që të mund të kërkoja pastaj, prej shteteve përkatëse, pension si familje dëshmori.
Prandaj dhe e prita me interes botimin e kujtimeve tuaja në faqet e gazetës më të madhe të Shqipërisë, mirëpo mbeta i zhgënjyer, duke parë se ishin një perifrazim i zgjeruar apo, konceptim talmudik i një kapitulli të një libri të burrit tuaj, botuar këtu e njëzetë e ca vjet më parë.
Sidoqoftë, mësova disa gjëra të reja. Mësova, fjala vjen, se; bashkë me qëndrimin karshi ish-kryeministrit, paska ndryshuar edhe qëndrimi juaj, ndaj ish-dados sime, asaj plakës së huaj që më ka rritur, së cilës ju i dedikoni një vend të veçante në kujtimet tuaja, si personazh me një të kaluar misterioze.
Dadoja ime, duhet të ketë qenë vërtet njeri i rëndësishëm, përderisa ju erdhët për të ngushëlluar me rastin e vdekjes së saj, po ashtu sikurse erdhi krejt Byroja Politike, me përjashtim të Enver Hoxhës, i cili u mjaftua të ngushëllonte përmes telefonit. Mos ndoshta, qysh atëhere kishte dyshime Enver Hoxha, edhe pse nuk qe hapur kasaforta e Hysniut?
Po për dadon time, nuk pati ndonjë dokument në kasafortën e Hysniut? Ju pyes thjesht për kureshtje, sepse dokumentet që ju thoni se i keni gjetur atje në lidhje me babanë tim, (ose BAB 008-ën), nga një për çdo agjenturë të huaj, e shumta mund të vlenin si shembull, sesi nuk duhet shkruar një roman policesk.
Por, nëse të tilla dokumente do të kishin qenë të vlefshme që, unë t’u vërtetoja shteteve të huaja se, im atë u paska shërbyer dhe kësisoj të merrja pensionin e lartpërmendur, e tërë kjo histori me kasafortën e Hysniut, mund të vlente edhe për ndonjë manual bixhozi, për t’u mësuar bixhozçinjve, si të nxjerrin nga mënga apo, nga diku tjetër, çdo letër të nevojshme në momentin e duhur.
Edhe më interesante se ajo që mora vesh lidhur me qëndrimin tuaj ndaj dados sime, është se nuk paskam qenë fare, asnjë çikë, viktimë e regjimit që drejtonte burri juaj, por, siç dëshmoni ju, kam qenë viktimë e Ismail Kadaresë. E di që Kadareja shkruan libra, por nuk di që të ketë hartuar kodin tuaj penal, sipas të cilit, njeriu futej në burg për një fjalë goje.
Do të ishte mirë që, siç më sqaruat mua, të sqaronit edhe ata dhjetëra mijëra të tjerë që, midis 1944-s dhe 1991-shit, personalisht ose nëpërmjet familjareve të tyre, kanë vuajtur burgime, internime, tortura, pushkatime, varje, si dhe vrasjet e atyre që tentonin të arratiseshin dhe që u janë masakruar kufomat, dhe ekspozimin e kufomave të masakruara. Ju lutem t’i sqaroni njerëzit, në mënyrë që, nëse nuk ka pasur gisht fare pushteti juaj, ta dinë kujt duhet t’i rëndojnë këto krime, se paku në ndërgjegje.
Po interesant, është edhe titulli i këtyre kujtimeve, “Një miqësi e tradhtuar”. Ky titull, më solli nder mënd, faktin se; pesëshja e parë e grave komuniste në Shqipëri, me sa shkruan burri juaj, përbëhej, përveç jush, nga Fiqret Sanxhaktari, ose Shehu (fundi i së cilës dihet dhe nuk dihet, se vdiq në burg në rrethana ende të errëta), Drita Kosturi (e fejuara e Qemal Stafës, e cila e kaloi tërë jetën si e përndjekur nga diktatura), Meriban Najdeni (gruaja e bashkëvuajtësit tim, disidentit, Xhavit Qesja, i cili bëri mbi 30 vjet burg, ndërsa Meribani, ndonëse nuk u burgos, nuk është aspak në anën tuaj, po në anën e shoqeve të tjera të këtij grupi) dhe Liri Gega (e pushkatuar me foshnjë në bark).
Si shpjegohet që, ju tradhtuan të gjitha? Nuk po i numëroj tërë ata shokë tuajt që, u shpallën tradhtarë të një regjimi për të cilin kishin dhënë kontributin e tyre, sa e sa anëtarë të Byrosë Politike e të Komitetit Qendror, përfshi edhe disa që, ndonëse në burg, prisnin e shpresonin dita-ditës të shpalleshin “të pafajshëm”, prej Enver Hoxhës, viktimës së një numri ca si tepër shqetësues miqësirash të tradhtuara.
Po, me e rëndësishmja që mësova nga botimi i kujtimeve tuaja në rubrikën “Nekropol”, të gazetës më të madhe të vendit, konsiston në diçka tjetër. Nuk është aspak e çuditshme, përkundrazi, me duket krejt e natyrshme që, ta kaloni pleqërinë, duke shkruar kujtime mbi jetën tuaj dhe njeriun e jetës suaj (ndonëse me duket e çuditshme që të shkruani një libër të tërë kujtimesh, tani në pleqëri, mbi të afërmit e mi, që nga BAB 008-a e, deri tek dadoja ime). Dhe është krejt normale që, ta gjeni ndonjë botues.
Por, që libri juaj të promovohet si asnjë libër tjetër, me një hapësire prej sa e sa faqesh dhe për 2 jave të tera, në gazetën më të madhe, kjo përbën diçka qe nuk ka ndodhur në asnjë vend post-diktatorial! Po me sa duket, në njëfarë kuptimi, Shqipëria nuk është vend post-diktatorial.
Me sa duket, në njëfarë kuptimi, keni të drejtë kur fjalën DEMOKRACI, e vini në thonjëza, sikurse në paraqitjen ose hyrjen e botimit të kujtimeve tuaja në rubrikën Nekropol (zaten, me atë fjalë në thonjëza, mbyllet kjo hyrje, paraprira nga shënime redaktoriale ma se ta favorshme në aspektin e komercialitetit).
Pra, ky botim është shumë domethënës, jo dhe aq për faktin që bën të njohura kujtimet tuaja, sesa për një pozicionim së prapthi, ndaj historisë nga ana e disave që kanë fuqi ndikimi mbi opinionin publik (nuk është i vetmi rast, dhe nuk është e vetmja gazetë, por kjo e tanishmja, u’a kalon së largim të gjithave).
Njerëzit që do t’i kujtonin me një ndjenje tmerri e neverie bëmat e një pushteti, nuk mund të rendnin si manarë mbas protagonistëve të tij, për t’u kërkuar që ata të tregojnë gjerë e gjatë, sa të mirë kanë qenë, dhe se kanë qenë viktima të viktimave të veta. Dhe, sigurisht, çfarë tjetër mund të pritej nga ju që t’u tregonit? Ndërsa unë, ju falenderoj që me dhatë rastin, të shoh diçka të paparë në një vend që ka vuajtur nga diktatura.
Edhe një gjë tjetër. Ju thoni se i keni ndjekur me emocion ato që i quani “vetë fajësime të familjes Shehu”. Desha t’ju pyes, kur keni qenë më e emocionuar dhe kur ka pasur më shumë emocione e shqetësime në zemër burri juaj BAB 007-a, ose thjesht 00? Pra, a jeni ndjerë më të emocionuar në çastet që i shpiknit “vetë fajësimet” tona, apo në çastet që urdhëronit hetuesinë për të përdorur çdo mjet që ne të pranonim shpikjet tuaja?
Ndërkaq, sikurse duhet ta dini, të tilla “vetëfajësimi”, unë i kam hedhur poshtë qysh në kohën e regjimit tuaj, për çka, ndër të tjera, m’u shtua dënimi edhe me 8 vjet burg. Dhe po ashtu, mund ta dini se, prokurori që kërkoi ketë masë dënimi për mua, ndoshta me urdhrin tuaj, ka qenë po ai i gjyqit tuaj mbas disa vjetësh kur, ju dënuan për vjedhje kafeje. Por ndoshta, nuk e dini se, prokurorin e trajtova me të njëjtën përbuzje, siç trajtohet një qen rrugësh.
Dhe besoj se, është ndjerë i poshtëruar. Dhe mund t’ju ketë mallkuar vetëm vete, që e urdhëruat të merrej me mua, gjë që, mbas disa vjetësh, mund të ketë ndikuar në ashpërsinë e dënimit që ju dhanë për vjedhje kafeje. Nëse është kështu, më vjen keq pse, qenkam bërë shkaktar për t’jua rënduar dënimin dhe ju kërkoj falje, për ato vite që mund t’i keni pasur nga unë.
Vërtet, mundet që, s’e keni urdhëruar ju prokurorin të më dënonte mua, prandaj dhe në këtë rast, bie hamendja që sjellja ime ndaj tij, të ketë ndikuar në ashpërsinë e tij lidhur me dënimin tuaj. Megjithatë, për çdo eventualitet, po ju kërkoj falje për ato vite burgu që, mund t’i keni pasur për shkakun tim, që, të mos ju kem asnjë borxh nga asnjë pikëpamje.
Bashkim Shehu
Ferri i kapitalizmit perëndimor, 2 prill 2004
Post scriptum: Për pak sa s’harrova. Meqenëse ju thoni që, dokumentet e pagjetura në kasafortën e Hysniut, duhet të jenë futur nga Mehmet Shehu në ndonjë valixhe gri që nuk dihet ku ndodhet dhe meqenëse unë, i kam nja dy valixhe gri, nxitova t’i kontrolloj këto të fundit. Valixhet gri i kam blerë ndonja njëzet vjet mbas ngjarjes, por kjo është një arsye më tepër pse mund të gjendeshin brenda tyre dokumente agjenturore (p.sh., të koduara si rroba të brendshme), siç u gjeten mbas 20 vjetësh në kasafortën e Hysniut. Por, kërkimet mia nuk dhanë rezultat në asnjërën nga valixhet gri. Sidoqoftë, kur të blej ndonjë valixhe gri në të ardhmen, prapë do të kontrolloj dhe gjithmonë, pasi të kem pritur 20 vjet të tjera. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm