Nga Filip Guraziu
Pjesa e trembëdhjetë
Memorie.al / Në të gjithë botën, dita e 1 Majit, përkujton sakrificat e punëtorëve, në përpjekjet e pareshtura kundër shfrytëzimit të pronarëve, me qëllim fitimin e të drejtave të tyre, ekonomike e njerëzore. Gjatë protestës masive të punëtorëve në Çikago, në datën 1 maj 1866 (në kujtim të fitores së orarit të punës, prej 8 orësh), pati përplasje me policinë, ku u vranë dy punëtorë, si dhe shumë të tjerë u plagosën. Për këtë arsye, pati qenë marrë vendim, që dita e 1 Majit, të përkujtohet në nderim e respekt të atyre, që dhanë gjakun për fitoren e të drejtave të punëtorëve. Pra, dita e 1Majit, nuk asht festë, por ditë përkujtimore dhe unë personalisht e respektoj, pikërisht, për këtë motiv.
Si e kujtoj ditën e 1 Majit?
Dita e 1 Majit, përkujtohet ose “festohet” në të gjithë botën, por nuk e di, ashtu si pa dashje më vijnë në mend, organizimet që diktatura komuniste bënte në Shqipni.
Me urdhën të Partisë, “i madh e i vogël”, ishin të detyruem me parakalue para udhëheqjes, që rrinte në tribunë, me kapela republika mbi krye, të cilët duheshin përshëndetë me entuziazëm të pa pamë e me britma histerike (udhëheqjen), si falenderim, për jetën e “ndritun”, që i kishin sigurue popullit!
Sa ma e madhe, histeria e britmave dhe e duartrokitjeve, aq ma i madh ishte suksesi i ditës së 1 Majit, dhe aq ma të gëzuem ishin shokët e udhëheqjes!
A ka ma gjë të turpshme, a ka ma poshtnim që i bëhej popullit shqiptar?!
Nji popull, që ishte transformue vetëm “në qenie të gjalla”, prej shtypjes e mungesës së lirisë, pa të drejt mendimi, i vorfën në ekstrem (fshatari në kooperative paguhej me 30 lek të vjetra, në ditë, e nuk kishte të drejt me mbajt për jetesë as edhe 1 pulë. Mungonte mishi, qumështi, djathi, buka, vajguri…; mungojshin deri patatet, se për agrume, molla etj., as që bëhej fjalë…).
Mendoni, nji popull, që jetonte në terror fizik e psikik; pushkatime, burgosje, internime pa gjyqe edhe për motive krejtësisht idiote, si p.sh., pëlqimi i muzikës huaj, veshja me modë perëndimore, korrespondencë me nji person prej Europës, biseda se buka nuk asht me cilësi…etj.!
Mendoni, që nji popull komplet i uritur, me personalitet të shkallmuem, pa të drejtë fjalë dhe mendimi, në varfni ekstreme, i kthyem në skllavri prej luftës imorale të klasave, duhej me brohoritë me sa zë që kishte e me përshëndet e falënderue gjakpirësit e tij, vrasësit e tij kriminel, që e kishin çue në atë gjendje! S’ka ma për faqe te zeze, s’ka ma poshtrim, s’ka ma përdhunim!
Kështu e kujtoj, unë, “festën” e 1 Majit, në kohën e diktaturës komuniste.
Festimi i Pashkës në kohën e diktaturës
“Festa e ‘Pashkës’, për kristiant asht festa e ‘Ringjalljes’ së Jezusit, pra festa ma e rëndësishme dhe e gëzueshme për besimtarët. Jezu Krishti i kryqzuem ndërroi jetë të ‘prenden e zezë’, dhe mbas tri ditëve, pra të dielën u ringjall”.
Data e celebrimit, të këtij evenimenti, lidhet me kalendarin e bazuem në sistemin e muajit “lunar” e ndërron prej vjetit në vjetë, por gjithmonë bjen në ditën e diel.
Emrin i kësaj feste rrjedh prej emrit të festës hebraike ‘Pesach’, e citueme te Testamenti i vjetër prej Moisiut, kur përshkruan lirimin e hebrenjve prej sundimit të egjiptianëve dhe ka kuptimin e ‘kalimit përtej’, prej skllavërisë në liri.
“Në besimin Kristian, asht marrë ky moment, për me spjegue ‘kalimin përtej’ të Jezu Krishtit, prej vdekjes njerëzore, në ringjalljen shpirtërore qiellore, të përjetshme, që shoqërohet me simboliken e ‘purifikimit’ të mëkateve njerëzore, drejt nji jete të dytë, të vërtetë, me “pastërti shpirtërore”.
Qysh në kohët e lashta pagane, veza asht konsiderue prej popujve të ndryshëm, si simbol i jetës, si simbol i rilindjes së jetës. Në periudhën kristiane të Romës, për festën e ‘Pashkës’, vetë filluan me u lye (si shenj gëzimi e bukurie), e faleshin si dhuratë ndër miq e të afërm, për me i urue atyre shpresë, për nji jetë ma të mirë dhe lumturi. Kjo traditë popullore shoqëroi festën e ‘Pashkës’, deri në ditët tona.
Në periudhën e diktaturës komuniste ishte rreptësisht e ndalueme lyerja e vezëve, si dhe dënohej, si propagandë armiqësore ndaj parimeve ateiste komuniste. Por, ky terror, nuk mbërriti me ndalue familjet e kristiane për ngjyrosjen vezët në festën e ‘Pashkës’, natyrisht kjo mbetej brenda nji rrethi të ngushtë familjar e miqësor. Në atë periudhë, kishat ishin të mbyllura dhe feja ishte e ndalueme. Festa zhvillohej brenda mureve të shtëpisë.
Si mbas festës së ‘ringjalljes’, bëheshin urime në mes njani tjetrit, për ringjalljen e shpresës, për nji jetë të lirë, në Shqipërinë e sundueme prej diktaturës komuniste. Si çdo rast gëzimi, edhe festimi i ‘Pashkës’, përmblidhej në gatimin e ushqimeve të zgjedhura. Tradita kërkonte gatimin e mishit të qengjit, të pjekun të shoqnuem me venë, por në atë kohe varfnie pak kush mund t’a realizonte këtë lloj ushqimi.
Para se me fillua dreka, nën drejtimin e ma të moshuemit, pjesëtarët e familjes, bëjshin lutje ‘Krishtit të ringjallun’, për nji jetë sa ma të mirë e përfundojshin tue bë kryq. Gëzimi ndahej me të afërm e me miq dhe si mbas mundësive (në klandestinitet), bëheshin vizita ndërmjet njani tjetrit.
Ishte traditë, nji lojë (të cilën e aplikojshin zakonisht fëmijët), e quejtun “pikja e vezëve”, ku ndesheshin dy vezë, fituesi ishte ai, që kishte vezë ma të fortë. Lëvozhgat e vezëve të ngjyrosura hidheshin fshehtas në vendin e plehrave, ose groposeshin brenda oborrit të shtëpive, kuptohet prej frikës “të urdhrit” të partisë.
Diktatura komuniste bënte çmos, që të prishte çdo iniciativë, për me festue Pashkët, e sajonte aktivitete masive pikërisht në ditën e diel të ‘Pashkës’.
Në prill të vitit 1979, ditën e ‘Pashkës’, drejtuesit komunistë të Shkodrës, vendosën me organizue aksionin masiv të popullsisë në fshat, për grumbullimin e shegëve të egra në malin, pranë fushës së Torovicës! Aksion i pandigjuem, qesharak e absurd! Kuptohej se kjo bëhej vetëm për me pengu, me çdo kusht, festimin e ‘Pashkës’.
Pikërisht, atë ditë, në orën 7.20 minuta, ndodhi tërmeti shkatërrimtar (1979), ku vdiqën rreth 48 persona, nën gërmadhat e shtëpijave të rrënueme. Ky numër do të kishte qenë shumë herë ma i madh, në qoftë se populli nuk do të kishte shkue në aksion, por do të kishte qëndrue në shtëpi.
Për besimtarët katolike, kjo ishte nji shenj i qartë, i ndihmës së Zotit, që i mbushi mendjen komunistëve, të pafe, për me organizue aksionin, pikërisht ditën e Pashkës.
Gjatë vizitës, njëmujore, në SHBA-ës
Serioziteti, me të cilin Departamenti i Punëve të Jashtme i Shtetit Amerikan, pregatiti projektin e njohjes dhe të azhornimit të kryetarëve të bashkive, të qyteteve shqiptare, me jetën dhe demokracinë amerikane, u kuptue nji vjetë para, se të zhvillohej projekti.
Organizata e USAID, me qendër në Tiranë, me anën e nji pyetësori, pati marrë informacion prej të tanë pjesëmarrësve, të parashikuem në projekt, se në cilat fusha e sektorë, të jetës shoqërore, kulturore, ligjore e administrative të demokracisë amerikane ishin të interesuar për njohje e azhornim, dhe mbi këtë bazë, ata programuan, deri në hollësitë ma të vogla, vizitën mujore të delegacionit të kryetarëve të bashkive shqiptare, në SHBA-ës, që u zhvillu gjatë muajit shkurt, 1993.
Si kryetar i Bashkisë Shkodër, n’atë kohë, pata fatin me qenë edhe unë pjesë e atij projekti të realizuam me sukses të plotë, ku të gjithë përfituam përvoja e koncepte të reja, që na ndihmuan së tepërmi në punën tonë. Sot, gjej rastin t’i ri falënderoj, me gjithë zemër organizatorët e financuesit e projektit, edhe pse kanë kalue shumë vjetë.
Gjatë javës së parë të qëndrimit në Washington DC, Radio VOA (‘Zëri i Amerikës’)na ftoi në studion e sajë, për me na intervistue. Shkuam me shumë dëshirë, sepse për, ne, shqiptarët, Radio VOA kishte qenë gjithmonë burimi i lajmeve shpresëdhënëse jashtë censurës komuniste. Na pritën me mirësjellje. Ishim tetë kryetarë bashkie, prej veriut isha vetëm unë, dhe nuk e di se pse, më ishte mbushë mendja, se do të më intervistojshin në fillim, por nuk ndodhi kështu.
U thirrën me radhë kryetarët e Beratit, Durrësit, Fierit, Vlonës, Korçës, Gjinokastrës e Elbasanit e, kur në fund erdhi radha ime, na komunikuan se, duhej me u largue me shpejtësi prej zyrës së VOA, sepse na pritshin për takim në Departamentin e Jashtëm të Shtetit.
Mos intervistimin tim, e konsiderova nënvleftësim të qëllimshëm, jo në sensin vetjak, sepse aty, unë, nuk përfaqësojsha veten time, por për qytetin e Shkodrës, qytetin e kulturës shqiptare, qytetin e martirizuem prej diktaturës komuniste, e nismëtarin e lëvizjeve të para demokratike!
U fola me ton, sepse e kisha humbë qetësinë: Shumë keq që nuk mundësuat intervistën e kryetarit të Shkodrës, njëlloj si gjithë të tjerët, në nji kohë që qyteti i Shkodrës…!
Duket se, ata, më dhanë të drejt, sepse në çast me ftuan për nji intervistë të shpejtë, prej dy minutash! Propozim që nuk e pranova, tue argumentue se asht ma mirë mos me e dhanë intervistën se sa me e zhvillue si me kalua radhën! Atëherë, ata, vendosën me më mbajt ma gjatë në studio për intervistë dhe morën përsipër me më shoqnue ma vonë, deri te Departamenti i Shtetit, për ku të tjerët, po niseshin në atë çast.
Hyna te kabina e intervistës dhe kam tregue, si mbas mendimit tim, situatën reale politike që po kalonte Shqipëria, si edhe kujtova krimet e pafundme të diktaturës, tue akuzua edhe ish- Presidentin Ramiz Alia, si përgjegjës për të 56 rastet e vrasjeve gjatë kalimit të paligjshëm të kufirit, në vitin 1990, në kundërshtim me ligjin e kohës.
Po atë natë, i telefonova familjes, për me ndjekë të nesërmen programin e VOA, ku do të ishte edhe intervista ime, por as të nesërmen e as në ndonjë ditë tjetër e as kurrë, Radio VOA nuk e transmetoi intervistën time?! No coment!
Në javën e parafundit vizituam qytetin Austin, në Texas, ku patëm kontakte edhe me familjet e emigrantëve shqiptarë në SHBA të paraluftës së dytë botërore.
Më kujtohet, se patëm qenë ftue prej nji familje, me origjinë gjirokastrite, që dikush thonte se ishin kushërinj të Enverit, për me e kalue së bashku të shtunën mbrëma, në shtëpinë e tyre. E pritëm me kënaqësi ftesën, dhe i falënderuem.
Të shtunën paradite, mora nji telefonatë prej familjes sime, në Shkodër, që me shumë emocion më dha lajmin e gëzueshëm, por në të njëjtën kohë edhe të trishtueshëm për zbulimin e “gropës së krimit”, ku ishin pushkatue edhe varrosë 22 intelektualë të pafajshëm, prej diktaturës komuniste, ndër të cilët edhe baba im, Pjerin Guraziu.
Kjo telefonatë më shkëputi plotësisht prej realitetit, që po përjetojsha në Texas, dhe më zhyti thellë në kujtimin e tragjedisë së familjes sime, në të cilën humba babën, kur isha në moshë 7- vjeçare.
Menjëherë lajmin ia komunikova shokëve të grupit, të cilët më uruan, por edhe më ngushëlluan. I falënderova me gjithë zemër, për mirëkuptimin që po tregojshin, për dhimbjen time.
Në mënyrë të veçantë, kujtoj me shumë respekt e me mall, shokun e grupit, ish kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, të ndjerin Emin Haxhiademi, i cili atë ditë më qëndroi tanë kohën afër. Ishte shumë i emocionuem, dhe në nji bisedë më tregoi, me shumë dhimbje se i ati, dramaturgu i famshëm shqiptar, Et’hem Haxhiademi, që kishte ndrrue jetë si i burgosun politik, në burgun e Burrelit, kishte mbet pa varr, sepse komunistët ia kishin zhdukë gjurmët e varrit të tij…!
Edhe pse Emini dhe familja e tij, kishte pas bë përpjekje të vazhdueshme për zbulimin e vendit të varrimit të babës së tij, deri atë moment nuk kishin pas asnjë rezultat. Mendova se e keqja, kurrë nuk mbaronte…!
Në mas ditën e së shtunës i komunikova shokëve, që unë nuk isha në gjendje shpirtërore për me qenë pjesë e mbrëmjes, ku ishim të ftuem. Pata mirëkuptimin e tyre dhe për solidaritet me mua, ato vendosën me e anulua vizitën te ajo familje, gjë që nuk ishte serioze dhe unë nuk e dëshirojsha. Ju falenderoj, – iu përgjigja, – por, jo nuk bën, ju duhet të shkoni sepse i keni dhanë fjalën!
Kisha dëshirë marramendëse me qëndrue në vetmi, vetëm me mendimet e mia, me kujtimet e mia, me fatkeqësitë e mia. Emini, që e kishte dëgjue bisedën me shokët e tjerë, më tha: – Sonte nuk të la vetëm, unë, atje nuk shkoj, do të rri me ty!
Më kupto Emin, – iu përgjigja, – jam e do të jem, shumë mirënjohës, për qëndrimin tënd. Të falenderoj pa masë,- vazhdova, – por, të lutem, më beso: Sonte kam nevojë me qenë vetëm me kujtimet e babës tim, pra due me qenë unë e baba; i cili, që sot, mbas zbulimit të varrit më duket ndryshe, ma afër, ma i qetë dhe ma i lumtur!
Emini më mirëkuptoi, më përqafoi i emocionuem, dhe u lagure…!
Atë natë, në Texas nuk mbylla sy, ishte nata e babës tim, e njeriut familjar, atdhetar e të ndershëm, të cilin diktatura komuniste e masakroi, pikërisht pse, ishte ashtu. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016