Nga Brikena Metaj
Dëshmitë e rralla me kujtimet e ish – të burgosurit politik: “Burgu i Elbasanit, këtu të dënuarit, i luten rojës t’i qëllojë…”!
Memorie.al / Ngjarjet rrëqethëse, Neim Pashaj me origjinë nga fshati Dorëz i Tepelenës, i ka përjetuar nga afër dhe i ka hedhur në ditar aty për aty. I ka pasur shokë prej vitesh mjaft nga të martirizuarit dhe i ka qëlluar të ndahet i fundit me ta si në rastin e Reshat Agos nga Berati dhe Mit’hat Alushit nga Vlora që u vetëflijuan një ditë maji në kampin burg ku vuanin dënimin prej vitesh. Lamtumira te gjunjët e rojës ka qenë tronditëse për të. “Në Laç dhe Elbasan – thotë Pashai – çdo javë kishim dhjetëra tragjedi të tilla”. Ishte koha kur të dënuarve politikë, u ishte besuar ndërtimi i Uzinës së Superfosfatit dhe Fabrikës së Çimentos. Veç punës skllavëruese ata përballeshin edhe me represionin e dhunshëm në kamp. Në ditarin e Pashajt, tmerret e kamp-burgjeve të viteve ’60-të zënë faqe të tëra. Histori tronditëse ngjarje të pabesueshme dhunime brutale të të drejtave njerëzore pasqyrohen aty me thjeshtësi dhe realizëm, si dëshmi autentike të regjimit represiv që lamë pas…!
Pjesë nga ditari i ish-të burgosurit politik, Neim Pashaj
E SHTUNË
13 GUSHT 1966
Nga burgu i Tiranës na kanë sjellë në kampin e Laçit. Prej ditësh vazhdoj të jem i sëmurë në infermierinë e burgut. Këtu kam gjetur dhe tre të sëmurë të tjerë. U njoha me ta menjëherë.
Njëri është Halim Xhelua nga Dukati i Vlorës ish-gjeneral i Sigurimit të Shtetit në periudhën 1945-1965. Është dënuar para një viti. Tjetri është Ahmet Kolgjini, i biri i Tahir Kolgjinit ish-prefektit të Kurveleshit në kohën e Mbretërisë.
Më herët ka qenë i internuar. Pas vitit 1960 e kanë dënuar. I burgosuri i tretë, është Iljas Metko nga Korça, njeri i thjeshtë me bindje nacionaliste. Ka tentuar të arratiset, është dënuar me 15 vjet.
Qysh të nesërmen e mbërritjes në infermieri, më vizitoi komandanti i kampit, Azbi Lamçe, një mesoburrë pak i shëndoshë. Mu afrua te krevati dhe pasi u interesua për shëndetin, më pyeti pse isha dënuar.
-Për një bisedë për arratisje, i thashë aty për aty.
-Me kë bisedove, me kë do ikje more shejtan përroi – shtoi ai.
-Nuk bisedova me njeri, po iku daja e më dënuan mua.
-Paske vajtur bedel për dajon. Mirë mire, mos u mërzit- dhe bëri të ikte. Sakaq hodhi sytë nga ish-gjenerali që dikur kishte qenë kapo i Policisë Sekrete dhe shqiptoi:
-Hë mo Halim, dënohet ky 12 vjet. Po ky është fëmijë. Edhe këta nuk dinë se ç’bëjnë!
Ish-gjenerali u zu ngushtë dhe nuk tentoi t’i përgjigjej.
Komandanti u kthye sërish nga unë pastaj dikujt i dha detyrë të lajmëronte rrobaqepësin e kuzhinierin. I pari të më merrte masën për të më prerë një palë rroba se: “ky është kaq i shkurtër e, këto që kemi nuk i bëjnë”, kurse kuzhinier Doda, duhej të kujdesej për ushqimin.
Kur doli jashtë gjenerali, më sqaroi se në periudhën e Koçi Xoxes, ai kishte qenë dënuar por, kishte fituar pafajësinë më vonë. Sidoqoftë me aq sa komunikova me të, m’u duk një burrë babaxhan. Të paktën atë ditë…!
E ENJTE
1 SHTATOR 1966
Mbas vizitës së fundit, doktori konkludoi se sëmundja kishte kaluar dhe isha i aftë për punë. Tashmë jo vetëm ndjehesha mirë me shëndet por, isha edhe më i qetë ngaqë punoja bashkë me shokët.
Kontakti me ta bëhej shkak për të mësuar edhe shumë histori interesante. Të parët që njoha, janë dy djem nga Vlora, Mustafa Iliazi e Namik Zeneli.
I kanë dënuar se kanë dashur t’i bëjnë atentat Hrushovit kur erdhi për vizitë në Pashaliman, në maj të ’59-ës. Nuk e di sa e vërtetë është kjo akuzë por, ata janë shumë të komunikueshëm e të dashur me të dënuarit e tjerë.
Tani që marrëdhëniet me Moskën janë prishur e, për më tepër Hrushovi është shpallur armik i komunizmit, Mustafai dhe Namiku i kanë bërë një letër Qeverisë, për të ri parë dënimin e tyre.
Ishte ky një ogur i mirë por, fati nuk paska qenë me ta.
Përgjigjja që erdhi nga Tirana, fshiu përfundimisht çdo shpresë. Tentativa e vrasjes së Hrushovit, vërtet ishte politike – shpreheshin zyrtarët e Tiranës – por ju nuk e kishit bërë planin, për të asgjësuar një armik të Partisë së Punës por, një mik të madh tonin e te Socializmit në tërësi.
Me kaq e mblodhën mendjen Mustafai e Namiku dhe shtynin ditët që u kishin mbetur. Shpesh me ta rrinte një djalë i ri, nga Medari i Gjirokastrës. Quhej Sazan Hadëri dhe thoshin se ishte nipi i Shefqet Peçit.
Sazani, kish trup të shkurtër por të mbledhur. Ai ishte shumë i përgatitur për mundje e, gjithfarë kapjesh policore pasi, kishte kryer shkollën e Policisë në degën e Sigurimit të Personaliteteve. Kishte punuar ca kohë në profesionin e tij.
Kjo i kishte dhënë mundësinë të dilte jashtë shtetit, ku kishte parë një realitet ndryshe nga ç’flitej këtu. Për sa kishte pare, kishte folur. Si nip i të madhit, e kishin thirrur e kishin porositur të mos llapte, po ai në të tijën.
Pastaj e kishin arrestuar me një grup armiqësor dhe e kishin dënuar me 25 vjet heqje lirie. “Nuk ka pranga për mua”, shprehej Sazani dhe thoshte se do shpërthente burgun e do ikte, do të thurte plane, si të kapërcente telat me gjemba…!
E MARTË
5 SHTATOR 1966
Ishte momenti kur po kthehemi nga puna në kampin-burg. Në krye të shkallëve të kapanonit, me emrin e shkruar në hyrje: ‘Fjetore’ dikush doli e po lexonte telegramet e letrat e ardhura me postë. Një qetësi e madhe vendoset sakaq. Aty nga mesi, dëgjohet emri Neim Pashaj.
-Këtu, këtu, u përgjigja dhe shkova e mora në dorë letrën e adresuar nga Ylli, vëllai pas meje. U largova pak më tej e, hapa shpejt e shpejt dhe fillova të lexoj me një frymë.
Ai më sqaron se; janë mirë me shëndet të gjithë e më bëjnë të fala. E lexova e rilexova disa herë. Jonuzi më i moshuari i kampit, që më kishte vënë re, m’u afrua dhe më pyeti se kush ma kish dërguar letrën.
-Nga shtëpia vëllai – iu përgjigja.
-Si janë ç’të thotë
-Mirë shumë mirë.
-Shyqyr që janë shëndoshë e mirë – dhe më zgjati duart për të bërë xhirot e zakonshme. Ndërkaq, filluam të bisedonim për njerëzit që kishim jashtë telave.
Jonuzi, njihte babanë dhe më foli gjatë për të. Në darkë u ndjeva i lehtësuar, po shumë i malluar për të afërmit e mi, veçanërisht për babën dhe tre vëllezërit.
Mendoja se tani e tutje, do të merrja letrat e ç’malljes, por kur mësova se çdo muaj lejoheshin vetëm dy të tilla, u mërzita shumë. Ato postoheshin në datë fikse 15 dhe 30 dhe shpërndaheshin midis nesh, sa herë që na mbërrinin në kamp…!
E MARTË
6 DHJETOR 1966
Ajo që pashë sot me sy, ka qenë e tmerrshme. Tre shokët e mi, Sazan Haderi nga Gjirokastra, Murat Marta, nga Bërzeshta e Librazhdit dhe Naum Kondakçiu, nga Lushnja, thyen portat e burgut.
Po po aventura e tyre arriti deri këtu. Gjithçka ndodhi kur në kamp u fut makina tip “ZIS”, që bënte furnizimin e kuzhinës.
Ata, e rrëmbyen dhe me të shqyen portën e burgut. Kur dolën në rrugë, gati u përplasën me një autobus pasagjerësh. Për të shmangur këtë, “ZIS”-i ndaloi. Ndaloi edhe autobusi.
Një çast të dyja automjetet mbetën turi për turi. Rojet e rrethimit të kampit, filluan të shtien me automatik.
Tre të dënuarit, u hodhën nga makina dhe ja mbathën vrapit në drejtim të pyllit, pas Parkut Automobilistik të Laçit. Ndërkaq një oficer, doli nga autobusi nxori pistoletën dhe shtiu plot shtatë herë andej nga iku treshja, që braktisi burgun.
Ne kishim dalë të gjithë dhe ndiqnim nga afër ngjarjen. Zemra na e donte që të shpëtonin. Krismat vazhduan pa reshtur, disa orë.
Në kamp ishte dhënë alarmi. Ne na rreshtuan në qendër të tij. Oficeri i rojës, filloi apelin emër për emër. Mungonin ata të tre, Murat Marta, Naum Kondakçiu dhe Sazan Hadëri.
“Gjallë a vdekur, do t’i keni këtu brenda 24 orëve”, shfryu oficeri i rojës dhe doli jashtë. Pastaj dikush urdhëroi dhe na mbyllën brenda kapanonit. Te dera e tij, dy policë rrinin në këmbë, me automatik në dorë.
Kush kishte nevojë për shërbime, shoqërohej nga njeri prej tyre në banjë. Tjetri qëndronte tendosur te porta. Kampi u vu në gatishmëri numër një. Orë të tëra i kaluam në këtë gjendje.
Në mesnatë, në kapanon u bë zhurmë. U zgjova e po shikoja se ç’po ndodhte. Dy oficerë dhe një shpurë policësh, tërhiqnin zvarrë Sazanin dhe Muratin.
Duart ua kishin lidhur me tel me gjemba. Nga gishtërinjtë u rridhte gjak. Ishin lagur deri në palcë. I kishin rrahur e torturuar aq fort, sa ishin shpërfytyruar krejt e me zor dalloheshin. Sa i pashë, mendja më shkoi te Naumi. Ishallah – mendova – ka shpëtuar pa u rënë në dorë xhahilëve.
Aty nga ora pesë e mëngjesit u bë zgjimi. Na urdhëruan të dilnim të gjithë jashtë. Te rripi i çimentos ku na vinin kazanët e gjellës, kishin hedhur trupin e Naumit. Nxitova për ta parë.
M’u rrëqeth mishi e, po dridhesha i tëri. Fytyra i kish marrë ngjyrë të zverdhur. Rrobat i qenë bërë të kuqe flakë. Plumbat e shumtë që kishte marrë, ia kishin nxjerrë zorrët jashtë. U afrova.
Një moment, i’a mblodha e i’a futa në bark. Me një leckë që gjeta aty pranë, i mbulova fytyrën. Nuk durova më dhe u ngrita. Këmbët i ndjeja si të mpira. Ika e u shtriva në krevat. Nuk zgjati shumë e, më thirrën te oficeri i rojës.
Një civil që ishte aty, më kërkonte llogari kërcënueshëm pse e kisha mbuluar të vrarin dhe çlidhje kisha me të. Aty për aty i shpjegova diçka pa u menduar gjatë.
– Po ti, mos ke ndonjë mendje si ai – më pyeti dhe pasi më futi një shkelm nga barku, urdhëroi policin për të më shpurë te shokët…!
E MËRKUR
4 JANAR 1967
Ka disa ditë që nuk punojmë. Bëjmë vetëm xhiro e luajmë brenda kampit-burg të Laçit. Po qetësia e rehatia një moment u prish. Rreth orës tetë e gjysmë të darkës, kur prisnim të jepej pushim i detyruar, në altoparlantin e brendshëm u dëgjua zëri i oficerit të rojës: “Vini re, vini re”. Me zemër të ngrirë prisnim çdo thoshte.
Sakaq ai filloi të komunikojë. Të gjithë ata që do të dëgjojnë emrin, të bëjnë gati plaçkat dhe të përgatiten për t’u transferuar. Filloi me emrat e parë. Aty nga mesi, dëgjova emrin tim.
U trondita. Të gjithë rrinin si të shtangur. Kur lista shkoi tek i 300-ti, oficeri i rojës, sqaroi se të nesërmen do të rrugëtonim për në kampin-burg të Elbasanit. Atë natë askush nuk vuri gjumë në sy…!
E MËRKUR
31 MARS 1967
Sot doli nga burgu shoku e miku im, Iliaz Metko. E përcolla deri te porta e jashtme. Ai ishte tip i zgjuar, ndonëse shkollë nuk kishte shumë. Më tepër kishte përvojë jete.
Iliazi ishte nga Dersniku i Korçës. Rridhte nga një familje nacionaliste. Nipi i tij, Sade Voskopi, kishte qenë komandant i çetës së ‘Ballit Kombëtar’, të krahinës.
I vjehrri në Porodinë, po i tillë, një nacionalist i hershëm. Shkak për arrestimin e Iliazit, ishte bërë një pistoletë “Berret”, të cilën e ruante që nga koha e Luftës.
Një ditë dimri, kishte shkuar në mal me një fshatar tjetër, për të bërë dru zjarri. Një çast kafshët që kishin me vete, ishin rrezikuar nga ujku.
Iliazi, kishte nxjerrë “Berret”-ën dhe kishte shkrepur në drejtim të tij. Krismat, tmerruan egërsirën dhe shpëtuan kafshët. Shpëtuan ato, po i gjori Laze, krejt pa dashje, u fut në rrathët e rrezikut. Kolegu vigjilent, nuk harroi të raportoje për armën ilegale. Mjaftoi kaq dhe Iliaz Metkon e arrestuan. Nuk vonoi dhe dënimi. Akt-akuza: Tentative për t’u arratisur dhe armëmbajtje pa leje. Në burg përfitoi nga falja e vitit 1959 dhe amnistia e 1962-it.
Një pjesë tjetër, i’u fal për punë dhe sjellë të mirë. Pas tetë vitesh, u lirua. Tetë vite i bëri larg gruas dhe katër vajzave: Ismetes, Ferzies, Ganimetes dhe Mukadezit të vogël. Duke dalë nga porta e kampit, më premtoi se do më shkruante vazhdimisht dhe do të shkonte edhe në shtëpinë time në Dorezë…!
E PREMTE
15 MAJ 1967
Në kohën kur prisja të festoja përvjetorin e parë të arrestimit, në kamp ndodhën dy ngjarje tronditëse. Dy nga shokët tanë, ndërruan jetë në kushte të tmerrshme. Njëri ishte, plaku i urtë e bujar nga Berati, Reshat Ago. Tjetri, djaloshi me fytyrë engjëllore, nga Dukati i Vlorës, Mit’hat Alushi. Çfarë ndodhi me ta?
Plaku 70-vjeçar, Reshat Ago, kishte një pasion të veçantë për pëllumbat. Një pjesë të madhe të kohës së lire, e kalonte me ta. Për vetë moshën e madhe, merrej me punë të lehta.
Megjithatë, shpesh shprehej i mallëngjyer e, hera-herës përlotej. Një ditë papritur, vendosi të ndahet nga kjo botë, duke shkuar drejt ushtarit që ruante pjesën e jashtme të kampit-burg.
I shkoi përballë rojës së parë. Pastaj dy të tjerëve. Midis këtyre të fundit, ishte një arë e madhe. Mori një shkallë druri dhe filloi të ngjitej në të, e u hodh që aty.
Kaloi zonën e ndaluar. Roja e paralajmëroi prerë, “Ndal, ndal se do të qëlloj”. Po plaku kishte mbledhur mendjen dhe nuk donte t’ia dinte.
Zërat kobndjellës nuk i hynin në vesh. Ushtari shtiu në ajër. Me sa dukej në kraharorin e tij, pulsonte zemër njeriu dhe nuk donte të bëhej varrmihës i një njeriu, qoftë ai edhe “armik i popullit”, siç i mësonte komisari në orën politike. Reshat Ago, qëndroi një çast, vështroi me kujdes rreth e rrotull si për të matur distancën nga liria.
Kishte vendosur për ta prekur me çdo çmim, sikundër bën fëmija kur çohet në këmbë për herë të pare, dhe humbet ekuilibrin e rrëzohet.
Zgjati hapat. Roja filloi me breshëri. Tashmë fjalët e tij, “Ndal, Ndal”, shuheshin në zhurmën e krismave. Plaku Reshat, mori frymë thellë. Toka e premtuar ishte vetëm dy hapa larg. Bëri të lëvizë por, zjarri i automatikut e frenoi në vend.
I dha trupit para. Së paku të jepte shpirt jashtë telave. Ra në gjunjë, u ngrit përsëri e, ktheu kokën për të parë për herë të fundit, ferrin ku kishte kaluar shumë vite.
U lëkund u rrotullua dhe ra si një lis, për të mos u ngritur më kurrë. Ra e mbeti plaku zemërbardhë, ashtu gjysma këtej e, gjysma andej.
Pak ditë më vonë, po aty ndërroi jetë djaloshi nga Vlora, Mit’hat Alushi. Në të tilla kushte edhe ai. Ishte mëngjes. Po bisedoja në sheshin e apelit, me një të moshuar nga Lazarati, kur na u afrua ai.
Na dha dorën dhe i’a nisi një kënge: “Trimi që është trim / Asnjëherë nuk do t’ia dijë / Rri i qetë dhe nuk lëviz / Dhe çdo gjë e tret në gji…”!
Pas pak u largua për nga çezmat. Nuk kaluan as dy minuta kur, dëgjuam një: “Ndal”, të fuqishme nga rojet e kapanoneve. Pastaj një zë paralajmërues; “Ndal, se do të qëlloj”. Sakaq dy automatikët e rojeve, kryqëzuan zjarrin.
Mit’hati e kish kaluar rrethimin e parë dhe, kish mbërritur tek i dyti. Ushtari në vendroje, i foli në emër: “Mit’hat, ndalu se do të të vrasim”.
Por djaloshi 22-vjeçar, e kish vendosur një herë e mirë. As thirrja dashamirëse në emër e, atij ushtari me të cilin me sa dukej njihej, nuk dha efekt. Mit’hati kaloi dhe rrethimin e dytë.
Ecte në arën e mbjellë me patate dhe hera herës, vështronte pas. Në kodrën përballë, ishte truproja me armatimin e rëndë. Ishte një pikë dominuese, për kampin dhe fabrikën.
Ushtari që u ndodh aty, qëlloi i pashpirt. Kur Mit’hati u largua 30 metra nga rrethimi i jashtëm i kampit, ai hapi zjarr me mitraloz, në drejtim të tij. Dhjetëra e dhjetëra plumba, përshkruan trupin e djaloshit dhe gjaku mbuloi dhenë.
Mit’hati ra në mes të arës me gjelbërim. Nuk ishte mësuar të jetonte në kafaz dhe bëri ç’është e mundur ta shqyente atë. Kështu mbeti në Baltëz, në moshën më të njomë, në moshën e ëndrrave, Mit’hati i Dukatit…”! Memorie.al