Nga Uvil Zajmi
-Nga Best te Muller, Rumenige, Rosi, Baxhio dhe Ronaldo, “Topa të Artë”, protagonistë në sfidat kundër kuqezinjve. Të tjerë të famshëm, nga Pushkash te Ibrahimoviç, por jo “Topa të Artë”!
Memorie.al/ Cilët janë “Topat e Artë” që kanë “ndëshkuar” kombëtaren shqiptare? Nga i pari George Best, tek i fundit Leo Messi, një listë me më të famshmit e revistës franceze, ndër të cilët protagonist edhe Gerd Mueller e Rumenige, Mateus e Shevcenko, Figo e Stoickov. Historia e fituesve të “France Football”, që kanë ardhur në Tiranë, por edhe të tjerë futbollistë të shquar, protagonistë të sfidave të mëdha historike, nga Pushkash, Boniek, Netzer, Prohaska, Shifo e Bierhof, shënues, por që nuk janë fitues të trofeut prestigjioz. Një liste që i shtohet edhe Kristiano Ronaldo, shumë herë fitues i trofeut, por edhe ky pa mundur të realizojë ndaj kuqezinjve. Pa harruar edhe Roberto Baxhion, Paolo Rosin, penallti e të cilit e priti Perlat Musta.
Xhorx Best “Topi i Artë”- 1968 (Irlanda Veriut, Manchester U.)
Është i pari “Topi i Artë” që i ka shënuar Shqipërisë, madje në të parën përballje historike me Irlandën e Veriut. Luhet me 7 maj 1965, për eliminatoret e Kampionatit Botëror, “Angli 1966” dhe kombëtarja shqiptare ka debutimin e saj në këtë fazë. Në grup bashkë me Shqipërinë, është edhe Zvicra. Takimi në Belfastin e largët, ka dy momente historike: Kur shifrat janë 2-0 për vendasit, vjen minuta e 51-të dhe Robert Jashari ka shënuar golin e parë e të vetëm për kombëtaren, që regjistrohet si i pari realizuar në udhëtim i kombëtares tonë. Dhe golin e 4-të për vendasit, e ka shënuar Xhorxh Best, në minutën e 85 me 11-të metërsh.
Best ishte i pari futbollist që imitoi “Beatles”, (me flokët e gjata e stilin e tyre), i njohur edhe për jetën e tij private, raportet me gratë e alkoolin. Ndonëse vinte nga Irlanda Veriut, luajti për shumë vite në Angli me “Manchester U.”! 1.72 i gjatë, Best mbetet një personazh i madh, i papërsëritshëm i botës futbollistike për, talentin, klasin e lartë. Ai luajti edhe në sfidën e kthimit në stadiumin “Qemal Stafa”, pa mundur të shënojë e të shmangë eliminimin e bujshëm të irlandezo-veriorëve, pas barazimit 1-1, gol i Zhegës dhe në Angli udhëtoi Zvicra.
Gerd Myller “Topi i Artë” – 1970 (R.F. Gjermane-Bayern Mynyhut.)
Gerhard Myler, i njohur me emrin komun Gerd, në 63 takime që ka luajtur me skuadrën Gjermano-Perëndimore, ka shënuar 68 gola, pesë prej tyre I ka realizuar ndaj kombëtares shqiptare. Sfida fillestare i takon 8 prillit të vitit 1967, në Dortmund për eliminatoret e kampionatit Europian, e para përballje historike në listën e gjatë të ndeshjeve midis dy kombëtareve. Republika Federale Gjermane – Shqipëri 6-0. Myler është autori i katër golave, në min 5,23,73 dhe 85-ën me 11 metërsh, kur në portë është Mikel Janku. Por, në dhjetorin e famshëm të atij viti. për eliminatoret e kampionatit Europian, ai nuk do të jetë në barazimin eliminues të Gjermanisë, 0-0 në Tiranë.
Nuk do të mungojë në takimin e paharruar të 17 shkurtit 1971, Shqipëri – Republika Federale Gjermane, 0-1(eliminatoret e kampionatit Europian) duke qenë edhe autori i golit të vetëm shënuar në minutën e 38-të, kur me dinakëri iu shmang për një çast, mbrojtësit Buajr Cani, dhe nga afër devijoi topin në rrjetën e Koço Dinellës, nga porta veriore e fushës.
Futbollist i “Bayern Mynihut”, i gjatë 1.74, ndonëse nuk ka shënuar gola të bukur dhe për këtë e kanë cilësuar “Der Mann der Kleine Tor”, njeriu i golave të vegjël, ai ka realizuar golat më të rëndësishëm të futbollit gjerman. Shënuesi më i mirë me 9 gola në botërorin “Meksikë 70”, ndërkohë ka deklaruar se në këtë eveniment ka shënuar edhe golin më të bukur të karrierës, të tretin ndaj Anglisë, në çerekfinale e madhe fituar 3-2. Në atë sezon, shënon 38 gola në kampionat, duke fituar “Këpucën” dhe Topin e Artë”.
Karl Heinz Rumenige “Topi i Artë”– 1980, 1981 (R.F. Gjermane-Bayern Mynihut)
Një tjetër futbollist gjerman, i kombëtares dhe i “Bayern” të Mynihut, madje dy herë fitues i “Topit të Artë”, Karl Heinz Rumenige, i ka shënuar 5 gola Shqipërisë, katër në Gjermani dhe një në Tiranë. Në Dortmund, më 18. 11.1981 “R.F. Gjermane-Shqipëri” 8-0 për eliminatoret e kampionatit botëror. Një koincidencë e rrallë: Dhjetë vite më vonë në të njëjtin qytet dhe në të njëjtën minutë 5 si Gerd Myler, Rumenige shënon të parin, duke vijuar me dy të tjerë në minutat 19-të e 43.
Pas një viti në Tiranë, tashmë për EKE, Shqipëri-RFGJ 1-2 (Voller 54’, Rumenige 66’ me 11 metër dhe Muhedin Targaj në min 81’ me 11 metër); Golin e pestë ndaj Shqipërisë, ai do ta shënojë në kthim, në Saarbrucken, (për eliminatoret e kampionatit Europian, R.F. Gjermane – Shqipëri 2-1. Surprizë e takimit është goli i Genc Tomorrit që shtangu gjermanët, por shumë shpejt, vetëm pas dy minutave, do të vinte barazimi që ka firmën e Rumeniges.
Jean Pier Papen “Topi i Artë” – 1991 (Francë- Olimpik Marsejë, Milan, Bayern Mynih, Bordo)
Në këtë vendosje simbole, nuk do të mungonte edhe një futbollist francez, fitues i “Topit të Artë”, që i ka realizuar Shqipërisë në një takim të vetëm të luajtur prej tij kundër kuqezinjve në të parën sfidë historike të zhvilluar në “Park des Princes” në Paris. Jemi në një grup me Francën, Spanjën, Islandën , Çekosllovakinë për eliminatoret e kampionatit Europian. Në Tiranë, me 17 nëntor 1990, fiton Franca 1-0, me gol të Boli, në pjesën e parë.
Papen, nuk është pjesë e formacionit të Mishel Platinisë që shkel për herë të parë Shqipërinë si trajner, por janë, Blank e Deshamps. Në atë të kthimit pas tre muajve, Francë-Shqipëri 5-0, Papen ka realizuar golin e tretë me penallti në minutën 35-të, kur në krah ka edhe Kantona. I gjatë 1.76 m. sulmues i “Olimpik” Marsejës, Papen ka kulmin e tij në këtë periudhë, kur në vitin 1991, kur fiton edhe “Topin e Artë”.
Një karrierë e nisur me belgët e Bruzhit, pastaj me klubin Marsejez (134 gola), transferohet tek “Milan” me të cilin fiton edhe UEFA Champions League (1993-1994), pastaj tek “Bayern Mynih” dhe “Bordo”. 20 vite karrierë, ndër të cilat dhjetë vite me kombëtaren. Në 54 ndeshje realizoi 30 gola, një ndër të cilët është edhe ai ndaj Shqipërisë.
Lothar Mateus “Topi i Artë” 1990 (R.F. Gjermane –Inter)
Pas 11-të golave të Mylerit, Rumeniges, sërish një “Top i Artë”, gjerman do të “ndëshkojë” ekipin tonë. Në Kaiserslautern, për eliminatoret e kampionatit Europian, 19 dhjetor 1994,Gjermani – Shqipëri 2-1. Mathues, kapiten e skuadrës ish-kampione e botës në “Italia ‘90”, ka realizuar golin e parë, në minutën e 8-të nga pika e bardhë e penalltisë, pasi një 11-të metërshi të dyshimtë dhënë nga arbitri danez. Kristensen. duke e konsideruar të gabuar ndërhyrjen e Strakoshës, ndaj sulmuesit Kirsten.
Si zakonisht Mateus, nuk ka gabuar nga disku i 11-të metrave dhe 1-0. Rezultati do të dyfishohet me Klinsman, por goli më spektakolar i takimit, do të jetë ai i kavajasit Altin Rraklli, në minutën e 57-të, një gol me vlerat e një “Topi të Artë”, ndonëse në fushë ishte Mateuas, mbajtës i trofeut fituar katër vite më parë.
Hristo Stoickov “Topi i Artë” – 1994 (Bullgari-Barcelona)
Një tjetër “Top i Artë”, këtë herë nga Bullgaria, por edhe futbollist i “Barcelonës”, i ka shënuar gol ekipit kombëtar shqiptar. Madje në “Qemal Stafa”, në një ndeshje tejet emocionuese dhe e rivaliuar, madje edhe përfundimi 1-1 e konfirmon këtë fakt. Skuadra bullgare vinte pas një triumfi tejet entuziast, me vendin e tretë në botërorin amerikan të 1994-ës. Kishte në përbërje përveç, Stoickov edhe Penev, Balakov e Leshkov, protagonistë të Botërorit “USA 94”. Kuriozitet i madh për të parë nga afër bullgarin e “Barcelonës”, që do të shpallej në fund të vitit fitues i “Topit të Artë”.
Minuta e 8-të, shumë shpejt Bullgaria ka shënuar dhe goli ka për protagonist Stoiçkov. Ai ka goditur saktë fuqishëm dhe 1-0 nga porta jugore e stadiumit. U mendua se Bullgaria do ta administronte takimin me lojë e rezultat. Por, jo! Ngjarjet vijuan ndryshe: realizoi Rraklli një gol spektakolar (nga porta veriore e fushës) për kombëtaren e Bajkos, vetëm 8 minuta më vonë dhe barazim deri në fund-lojë. Stoiçkov luajti edhe në takimin e dytë (3-0), por golat u shënuan nga Leshkov e Kostadinov.
Majkëll Ouen “ Topi i Artë”- 2001 (Angli-Liverpul)
Majkëll Ouen, është një tjetër “Top i Artë” nga Mbretëria e Bashkuar që i ka shënuar, madje dy gola, skuadrës tone kombëtare. Në sfidën e parë, për eliminatoret e kampionatit Botëror, në mbrëmjen e 28 marsit 1994, në “Qemal Stafa”, pas një manovrimi në mesfushë dhe pas një vertikalizimi, Majkëll Ouen, i është shmangur mbulimit të vendasve, i vetëm nga një distancë ballore 10-12 metra, ka gjuajtur tokazi, nga porta jugore dhe 1-0. Me numër 10 në fanellë, për “Topin e Artë”, është hera e parë e goli i parë realizuar ndaj kombëtares shqiptare dhe në Tiranë.
Skuadra angleze ishte një ndër formacionet më të famshme të kohërave, e drejtuar nga trajner suedez Erikson, në të cilën luanin Seaman, G. Neviil, A. Kol, Mekmanaman, e mbi të gjithë dyshja e bujshme-Bekam Ouen. Takimi u mbyll 3-1 për udhëtuesit. Në 90-të minutat e dyta, në shtator të atij viti, në Angli, humbasim 2-0 dhe goli i parë ka sërish autor Majkëll Ouen. Ai ka devijuar në rrjetë, një pasim të gjatë dhe nga një pozicion pak diagonal, i pambuluar, duke shfrytëzuar një rreshtim gabim të mbrojtjes, ka shënuar. Në fund të atij viti, ai do të marrë edhe trofeun e madh të “Franc Football”
Luis Figo “Topi i Artë” -2000 (Portugali-Barcelona, Real Madrid)
Portugezi i famshëm i “Barcelonës”,”Realit”, “Interit” i ka realizuar dy gola Shqipërisë: Të parin me 9 shtator 1996, për eliminatoret e kampionatit Botëror, në “Qemal Stafa”, Shqipëri-Portugali 0-3, në të parën përballje historike me “Portugalinë” e Eusebios. Ai ka shënuar në minutën e 12-të të takimit, pas një aksion të gjatë të Portugalisë veshur me të bardha.
Figo ka manovruar në një zonë të lirë në mesfushë, i pambuluar, nga një distancë 20-të metra në pozicion ballor ka goditur befasishëm dhe rrjetë poshtë në të majtën e Strakoshës, nga porta e jugore e stadiumit, duke e gjetur të pa përgatitur numrin 1 shqiptar. Më pas, Helder dhe Rui Kosta kanë trefishuar shifrat. Në takimin e kthimit në Oporto, me 7 qershor 1997, Figo ka shënuar golin e dytë në minutën e 74’, në një sfidë që është mbyllur 2-0 me një gol të “Topit të Artë” të ardhshëm, Luis Figos: goditje parabël e fortë që befason portierin Blendi Nallbani, nga një distancë e afërt 10-12 metra.
Andrey Shevcenko “Topi i Artë” – 2004 (Ukraina- Milan, Çelsi)
Viti 2001. Jemi në grupin e dytë për eliminatoret e Kampionatit Botëror. Është sezoni i shkëlqyer e kombëtares që drejtohet nga gjermani Hans Petër Brigel, duke mundur 2-1 Greqinë, Kampione e Europës. “Stadium Meteor”, Dnipropetrovsk, Shevçenko, i sapo transferuar te “Milani”, ka shënuar në fund të pjesës së parë. I pa markuar, pas një harkimi të ardhur nga e majta e sulmit, ai i është “vjedhur” mbrojtjes dhe i pa shqetësuar, i vetëm në distancë 5-6 metra me kokë ka realizuar golin e parë.
Por, gjithçka do të ndryshojë në pjesën e dytë, kur Erion Bogdani, me një dygolësh spektakolar, do të ndryshojë shifrat në 1-2, duke e tronditur fatin e “Home Time” (Në atë sezon Fatih Tokan i Turqisë rendit i pari me me 7 gola, ndërsa Bogdani me 4). Për Shevçenkon, ish-lojtarin e “Dinamo”-s së Kievit, “Milan” dhe “Çelsi”-n, fitues i Champion League me “Milanin”, 5 herë futbollisti vitit dhe shënuesi më i mirë për i të gjithë kohërave për Ukrainën.
Simboli “All Time” i derbit milanez me 14 gola, një ndër “Topat e Artë” më të bujshëm, goli i realizuar ndaj shqiptarëve, është një ndër 48-të golat e shënuar në 111 takime që ka zhvilluar me Ukrainën. Vetëm ai gol historik: I pari në sfidën e parë me Ukrainën, ka mjaftuar për të arkivuar në arkivin tonë, pasi ai luajti edhe në dy sfida të tjera kundër shqiptarëve, në Tiranë me Ukrainën dhe “Milanin”, por vetëm atë gol të minutës së 45 ka mundur ta regjistrojë në këtë vendosje simbolike.
Leo Mesi “Topi i Artë”- 2009, 2010, 2011 (Argjentinë-Barcelona, PSG)
I fundit, por ndër më të famshmit që kanë fituar “Topin e Artë”, madje 7 herë dhe që i bashkëngjitet listës së dhjetë futbollistëve të “France Football” që i kanë shënuar kombëtares shqiptare, është Leo Mesi, kampioni i madh argjentinas i “Barcelonës” (dje) “Paris Sent Germain” (sot).
Fati e ka sjellë që të organizohet një takim miqësor, midis Argjentinës dhe Shqipërisë, për të regjistruar udhëtimin e parë për në Amerikën e Largët, të përfaqësueses në të parën përballje historike me kombëtaren e Maradonës, dy herë kampione e Botës, mbi të gjitha të Leo Messit.
Takimi është luajtur në stadiumin “Monumental, datë 12 mars 2013 dhe ka përfunduar 4-0 për vendasit. Messi është autor i golit të dytë, shënuar në pjesën e parë në minutën 43-të, tipike të stilit të tij. Një kombinim “mur” dhe nga një distancë 10 -11 metra, ka goditur me të majtën në krahun e majtë të portjerit nga Kosova, Arjan Beqaj.
Nga Rosi, Baxhio dhe CR7 “Topa të Artë”, po jo shënues me kuqezinj
Pa harruar një tjetër fakt historik: Edhe Kristiano Ronaldo, pluri-fitues “Top i Artë”, ka luajtur në “Gramozi” Ersekës- Real, Shqipëri – Portugali më 2015, si dhe Paolo Rosi, Roberto Baxhio edhe këta “Topa të Artë”, protagonistë në miqësoret luksi, Shqipëri – Breshia dhe Shqipëri – Itali, Over 45, por pa mundur të shënojnë. Madje 11-të metërshin në pjesën e parë të goditur nga Paolo Rosi, e ka pritur portier Perlat Musta.
Të tjerë të famshëm, por jo “Topa të Artë”: Nga Pushkash te Ibrahimoviç
Të tjerë futbollistë të famshëm që kanë luajtur dhe kanë shënuar ndaj kuqezinjve, por që nuk janë “Topa të Artë”, janë disa: I pari është Pushkash. Pastaj Kocis, Gadoha, Lubanski, Netzer, Grabovski, Sparvarser, Dumitrake, Pezzey, Shakner, Krankel, Shuster, Litbarski, Brajnter, Voler, Shifo, Smolarek, Boniek, Saravakos, Polster, Hagi, Mitchell, Kamataru, Robson, Lineker, Gaskonj, Boli, Butragenjo, Hierro, Salinas, Klinsman, Gigs, Riu Kosta, Rebrov, Bierhoff, Zahovic, Klose, Ballak e Ibrahimoviç. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016