Prof. Dr. Luan Malltezi
Vështrim mbi librin “Rrok Gera, një burrë shteti, ashtu siç duhet”, monografi nga Arben Pustina
Memorie.al / Ne shqiptarët jemi edukuar që të vegjël me dashuri për vendin tonë të bukur; të gjithë mbajmë mend vjershat e Naimit dhe rilindasve të tjerë të shquar kushtuar “mëmëdheut” dhe gjuhës së bukur shqipe. Duket se kjo dashuri na bën të ndjehemi mirë kur lexojmë jetën e njerëzve tanë që kanë punuar me përkushtim për Shqipërinë. Një nga këto ka qënë Rrok Gera, Ministër i Financave dhe Ministër i Ekonomisë Kombëtare në vitet 30-40 të shtetit shqiptar. Për këtë personalitet të botës shqiptare bën fjalë studiuesi i talentuar Arben Pustina me punimin e tij monografik “Rrok Gera. Një burrë shteti, ashtu siç duhet”, Tiranë 2022. Autori meriton të përgëzohet për punën e tij të lodhshme kërkimore në fondet e shumta të Arkivit Qendror të Shtetit për, t’i dhënë lexuesit shqiptar faktet dhe dokumentet përkatëse të këtij personaliteti të shquar të financave shqiptare. Autori sjell dëshmi nga burime të shumta të kohës që vënë në pah aftësinë dhe ndershmërinë e Rrok Gerës, si nëpunës dhe ministër shteti. Autori është serioz, ai paraqet fakte dhe dokumente të veprimtarisë së Gerës si ministër. Autori sjell artikuj të Gerës si ministër, projektligjet që paraqet për miratim në parlament, foto të pushtimit fashist të Shqipërisë, artikuj gazetash për ngjarjet e luftës në Shqipëri. Punimi të tërheq dhe ka vlerë për opinionin publik që është lodhur me korrupsionin sot në nivele të larta shtetërore.
Autori është shkodran dhe kjo e shtyn të vë në dukje “me kranari” shumë ngjarje të historisë së qytetit tij: “Zhvillimi i arsimit në Shkodër- shkruan ai- ka nisur rreth katërqind vjet më parë. At Donat Kurti flet për shkolla shqipe që ekzistonin në Pllanë, Blinisht dhe Shkodër që në vitin 1638. Në Obot të Shkodrës kishte një shtypshkronjë që rreth vitit 1500, pra pak vite pasi ajo ishte shpikur nga Guttenbergu…Shkodra, me elitën intelektuale të saj botonte revista të një niveli të lartë kulturor; në Shkodër u krijuan ariet aq të holla të dashurisë hyjnore të brezave të shkuar”.
Gerajt përmenden në Shkodër nga fundi i shek. XVIII; sipas autorit ata, ishin me origjinë nga malësia, zonë kjo “me vlera dhe virtyte të jashtëzakonshme në formimin e kombit”. Në këtë qytet me histori të lashtë, lindi më 15 gusht 1901, Rrok Gera, “djali i Zefit dhe i Luçijes” bijë kjo e Cuk Kolë Vashës, nga familja e Pashko Vasës. Gerajt ishin të kapur ekonomikisht, kishin një fabrikë cigaresh dhe toka në zonën e Shkodrës. Zef Gera, kishte një punishte në lagjen “Serreq” për punimin e veshjeve kombëtare. Zef Gera kishte katër djem; këta punonin në zyra të rëndësishme të shtetit shqiptar; djali i madh, Tef Gera, ishte deputet në vitin 1925, djali tjetër, Lac Gera, ishte kontrollor i Thesarit, në Ministrinë e Financave; dekoruar në kohën e Monarkisë me, titullin: “Komandat i Urdhrit të Skënderbeut“ Rrok Gera kreu studimet në Austri; fillimisht Akademinë Tregtare në Linz dhe më pas vazhdoi studimet e larta për Ekonomi në Vjenë me bursë të dhënë në vitin 1924, nga ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi. Rroku njohu në Austri studentë shqiptarë, si: Frederik Shiroka, Skënder Luarasi, Aleks Buda etj.
Të rinjtë shqiptarë në Austri, vizitonin me krenari armët e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që ruheshin në Muzeun e Armëve në Vjenë. Autori jep për lexuesin një foto të Gerës me shpatën e Skënderbeut në duar…! Rroku u shqua si student në Vjenë, si anëtar i Shoqatës “Albania”; ai botoi dy artikuj me karakter ekonomik, në revistën “Djalëria”: “Merkantilizmi dhe bilançi i tregtisë dhe i pagesave” dhe “Paraja letër”. Më 12 korrik 1928, Gera mbrojti diplomën në Vjenë; sipas kujtimeve të studentit Filip Llupi, anëtarët e komisionit dhe gjithë auditori, duartrokitën atë disa minuta pas mbrojtjes së tij. Më 19 gusht 1928, Gera u kthye në Tiranë me gradë “Doktor në Shkencat Ekonomike”.
Në janar 1929, Gera botoi në “Gazetën e Re” disa artikuj me karakter ekonomik si: Buxheti i Ri, Ndërrimet në Tarifën Doganore, Zhvillimi i Bujqësisë Kombëtare, Randsia e Kreditit për Reformën Agrare; Zhvillimi i Bujqësisë Kombëtare, Organizimi i Kreditit. Artikujt, i dhanë Gerës emër si financier, në shoqërinë e kohës. Më 18 qershor të atij viti, Gera emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave; ai vendosi rregull në ministri dhe luftoi fenomenet korruptive të firmave tregtare të kohës. Në vitin 1932, Gera zgjidhet nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve, me qendër në Gjenevë, “Anëtar Korrespondent i Komitetit të tij Fiskal”.
Më 28.02.1934, Gera emërohet Zëvendës komisar i Shtetit Shqiptar pranë Bankës Kombëtare Shqiptare; më 21 tetor 1935 emërohet ministër i Financave në kabinetin e kryeministrit Mehdi Frashëri.Kabineti Frashëri u prit mirë nga shtypi, ministrat e kabinetit kishin kryer studimet në Austri. “Përshtypja në opinionin e Tiranës për qeverinë, shkruan gazeta “Vatra” më 22 tetor 1935, është jashtëzakonisht e mirë”; “Formimi i kabinetit Frashëri-shkruan “Illyria” më 26 tetor 1935, prodhoi në kryeqytet një kënaqësi të madhe…”
Opinion të mirë për qeverinë pati edhe oficeri britanik Oakley Hill. Qeverinë e vlerësoi edhe historiani R. Robinson, në librin “Albanian Road to Freedom”. “Kryeministër Mehdi Frashëri, shkruan ai, është një idealist i hershëm, ndërsa ministrat janë njerëz të rinj. Ata përfaqësojnë një brez që nuk ka trashëguar idetë e turqve…! Nga vëzhgues kompetentë që kanë jetuar në Shqipëri, është pohuar se kabineti Frashëri, ishte më i miri që Shqipëria kishte patur ndonjëherë…! Idealizmi i Frashërit dhe skuadra e tij me njerëz të rinj, kompetentë dhe të ndershëm, solli në udhëheqjen e Shqipërisë një frymë ajri të freskët, si dhe çoi në një përmirësim të ndjeshëm në praktikën e qeverisjes së përditshme”.
Me emërimin në detyrë, Gera i bëri të ditur vartësve se nuk do të kishte tolerancë për “shkelje dhe abuzime në detyrë”. Në korrik të vitit 1936, ai bënte të ditur në gazetën “Arbënia” se, kërkonte nga punonjësit “zotësi”, për të kryer detyrën; ky ishte edhe kusht “për të qëndruar në punë”. Gera u shqua si Ministër i Financave. Brenda një periudhe të shkurtër ai paraqiti për miratim në parlament mbi 13 projektligje, si: Projekt-Ligjë mbi zëvendësimin e të dhetës me tatim të zbritun në të holla; Projekt-Ligjë për blerjen e 12.000 kuintal misër për t’u shpërnda popullsive të vobekta të disa viseve; Projekt-Ligjë për influencimin e çmimit të grurit e të mistrit”…!
Ministri Gera u shqua për ndershmëri në detyrë. Autori jep shembuj të shumtë në punimin e tij. Peshën e Rrok Gerës si minister, e ndjenë menjëherë drejtuesit e Bankës Kombëtare Shqiptare. “Eccellenca Gera”, shkruanin ata, “ështe një person me mentalitet krejt tjetër nga personalitetet e tjerë shqiptarë”. Peshën e Gerës si ministër e ndjeu edhe vetë kryeministri Mehdi Frashëri. Ministri Gera e kundërshtoi atë me shkrim për qëndrimin për modifikimin e taksës së të dhjetës. Gera i bënte të ditur me shkresën e datës 22.7.1936 se ishte “kundër nismës për suprimimin e ligjit mbi konvertimin e së dhjetës me një tatim në të holla”; ky ligj, shkruan ministri Gera, “ishte bërë me qëllim që të lehtësonte barrën e bujkut, të shmangte veset e dhjetarit, të shtonte prodhimin, të eliminonte dëmet morale e materiale që kishte sjellë sistemi i së dhjetës”.
Gera bënte të ditur se: “ai vetë kishte punuar pesë vjet për hartimin e miratimit të ligjit kur kishte qenë Sekretar i Përgjithshëm dhe se tani nuk ia lejonte ndërgjegjja të pranonte diçka kundër së cilës kishte luftuar aq fort dikur”. Rrok Gera forcoi ministrinë me specialistë të nevojshëm.
Më 28.10.1936, ai kërkoi nga parlamenti punësimin e tre ekspertëve të nevojshëm. Përballë “shqetësimit” të deputetëve se me këto emërime po shtoheshin shpenzimet e shtetit, ministri Gera deklaroi në Parlament: “U them zotnis s’uej, se para se të nxjerr një akt të tillë, e peshoj mirë se më dhembet shum të baj shpenzime shteti, por këtë isha i detyruem t’a nxjerr, se më duket se shërbimi asht shumë më i math …se shpenzimi që do t’i bajë Shteti”.
Me gjithë sukseset, kabineti Frashëri ra nga pushteti pas 10 muajsh. Me largimin nga detyra, Rrok Gera i’u drejtua me këto fjalë vartësve të tij: “Me rastin që largohem nga Dikasteri i Financave, e shoh për detyrë me ju falenderue për bashkëpunimin korrekt e mirëdashjen që më keni tregue, si koleg e minister, gjatë qënies s’eme në Ministrinë e Financave. Ju lypi ndjesë për ndonjë sjellje t’ashpër që mund të kemi pasë në lidhje me plotësimin e detyrës por kurr personale”. Më 20 mars 1937, Rrok Gera u emërua në krye të Këshillit Kontrollues (sot Kontrolli i Lartë i Shtetit); në krye të këtij komisioni ai vendosi ligjin në sistemin e pensioneve. Më 31 maj 1938, Gera emërohet Ministër i Ekonomisë Kombëtare në Qeverinë e Koço Kotës. Më 10 qershor 1938, ambasadori amerikan në Tiranë, shpreh vlerësimin e lartë për këtë qeveri në letrën që i dërgon Sekretarit të Shtetit Cordell Grant. Lidhur me ministrin Gera, ambasadori shkruan: “Gera ka qënë Ministër Financash në kabinetin Mehdi Frashëri në 1935-1936…! Ai është 37 vjeç, ka marrë një arsimim të shkëlqyer në financë dhe ekonomi në Universitetin e Vjenës. Për Gerën ka një opinion të përgjithshëm se nuk ka asnjë lloj lidhjeje me Italinë…”!
Autori jep për Gerën, vlerësimin për të botuar në gazetën “JAVA” më 6 qershor 1938: “Z. Gera është një nga të rinjtë intelektualë që çmohet në vendin tonë. Studjonjës i thellë, me besim të pakufizuar në vet-vete. Detyrat e nalta që i kanë ngarkuar gjer më sot i ka kryer me ndërgjegje të plotë dhe u ka shërbyer verbërisht interesave të vendit”. Me ardhjen në detyrë më 3 qershor 1938, Gera i’u drejtua vartësve të tij me këto fjalë. “Naltmadhnia e Tij Mbreti, dënoi me na ngarkue drejtimin e Dikasterit t’Ekonomisë Kombëtare. Presim prej jush që të vazhdoni me nder e ndërgjegje në detyrë e, të kontribuoni me punën e zotësinë tuaj për me plotësue çka Mbreti e Atdheu presin prej nesh…”! Gera gjeti një situatë problematike në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, shumë kompani konçesionare nuk repektonin detyrimet ndaj shtetit shqiptar. Autori vë në dukje qëndrimin e prerë të ministrit Gera, ndaj kompanisë italiane PESCALBA; kjo shoqëri eksportonte në Itali sasi të mëdha peshku, të kapura në ujërat shqiptare por, nuk hidhte në tregun shqiptar sasinë e përcaktuar në kontratë.
Ministri Gera mbajti qëndrim të prerë edhe ndaj shoqërisë italiane E.I.A.A; për shkak të kësaj shoqërie qëndronte pa u shitur në magazinat e saj në Napoli dhe Trieste, një sasi e madhe lëkurësh të tregtarëve shqiptarë. Ministri Gera vuri në lëvizje edhe Legatën Shqiptare në Romë, për të bërë “përçapjet e duhuna pranë autoriteteve italiane për, lëshimin e lejeve…të leshit, lëkurave, qitrove, vezëve dhe gjësë së gjallë, përndryshe dëmi i ekonomisë së vendit tonë, do të jetë shumë i madh”. Gera botoi revistën “Bisedime me bujkun”; ai nxori qarkore për zyrat bujqësore për të dhënë instruksione bujqve për punimin e tokës së ullirit, për plehërimin dhe luftimin e sëmundjeve etj.
Gera punësoi në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare edhe specialistë të njohur italianë që dhanë kontribut në zhvillimin e bujqësinë shqiptare. Revista “Hylli i Dritës”, lëvdonte në tetor të vitit 1938, Ministrinë e Ekonomise Kombëtare për, masat e marra për ruajtjen e bagëtive nga sëmundja e këlbazëz. Gera përmirësoi funksionimin e Këshillit të Lartë Veteriner, ky Këshill mblidhej 6 herë në vit për të diskutuar çështjet me rëndësi për blegtorinë, siç ishte lufta kundër sëmundjes së zgjebes, kryqëzimin e racave etj. Në nëntor 1938, Gera organizoi në Fier një ekspozitë kuajsh. Gera u mor edhe me përcaktimin e zonave për rritjen e dhive; dhitë dëmtonin pyjet. Gera urdhëroi Zyrat Veneritare të studionin zonat ku mund të bëhej rritja e dhive pa dëmtuar pyjet. Kjo masë merrej “që të mos çduket dhija, ç’është lopa e të vobegtit në vendin tonë”.
Një punë të jashtëzakonshme, Ministria e Ekonomisë zhvilloi për menaxhimin e epidemisë së ‘Aftës epizootike’ që preku Shqipërinë në dimrin 1938-1939. Shërbimi veterinar në Shqipëri filloi në këtë rast dezifektimin dhe karantinimin e zonave malore dhe mbylljen e kufirit në zonën verilindore. Nën kujdesin e Gerës, Ministria e Ekonomisë Kombëtare nxori botimin prej 138 faqesh, me titull: “Dhjetëvjetori i Shërbimit Veterinar e Zooteknik 1928-1938”. “Me këtë botim, – shkruante revista “Hylli i Dritës” – Ministria ka kryer detyrën e vet e sot flet me ballin haptë” para popullit. “Dega e Veterinarisë e Zooteknikës – vijonte revista – leu dhe u organizua brenda këtyre dhetë vjetëve”.
Më 5 nëntor, ministri Gera paraqiti në Parlament kërkesën për shtim fondesh në shumën prej 207.000 frangash ari, në buxhetin financiar 1937-1938 të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare. Ky fond ishte i nevojshëm për mbajtjen e fermave, fidanishteve dhe stacioneve eksperimentale për zhvillimin e kulturave të veçanta bujqësore, për mbajtjen e fushave të orizit, të pemëve frutorë dhe ullishtave komunale, për shartime, krasitje dhe luftim sëmundjesh të ullishteve dhe hardhive, për blerje veglash, për rritjen e bletave dhe fonde përkatëse për shpronësime tokash për ngritjen e sillosve të drithit në Korçë, Elbasan, Vlorë e Fier, për shpronësimin e 110 hektarëve tokë për zgjerimin e sipërfaqes bujqësore në Xhafzotaj me qëllim sigurimin e ushqimit për kafshët e Institutit Kombëtar të Zooteknikës dhe blerjen e 3.000 kuintal grurë për nevojat e bujqëve për fara të seleksionuara nga Instituti.
Në gjysmën e dytë të vitit 1938, Ministria e Ekonomisë Kombëtare, mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Barit dhe të Selanikut; Ministria filloi edhe përgatitjen për të marrë pjesë në panairin e Nju York-ut, parashikuar për t’u hapur në pranverën e vitit 1939. Më 12 tetor 1938, Ministri Gera mori pjesë në përurimin e rrugës Bogë-Theth, 27 km. e gjatë. Në fjalën e rastit ai theksoi se ndërtimi i kësaj rruge, hapte perspektiva për zhvillimin e turizmit në zonën e Valbonës. Më 31 tetor 1938, Gera mori pjesë në përurimin e selisë së re të Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Në fjalën e rastit, autori vlerësoi “mbulimin e depozitave bankare me monedha ari”. Në fund të vitit 1938, Gera paraqiti në parlament project-ligjin mbi lëshimin e çertifikatave të origjinës me anën e të cilit synohej të frenoheshin spekulimet që vinin nga mallrat e huaja. Në mars të vitit 1939, ministri Gera, paraqiti për miratim në Parlament project-ligjin për krijimin e Drejtorisë së Punës pranë kësaj Ministrie: “për mbrojtjen e të drejtave të puntorëve”. Më 12 mars 1939, Rrok Gera shkoi në Vatikan si përfaqësues i shtetit shqiptar, në ceremoninë e kurorëzimit të Papës Pio XII.
Me interes në punimin në fjalë është pushtimi italian më 7 prill 1939. Më 6 prill, Zogu i deklaroi ministrit amerikan në Tiranë, Hugh Grant se, ai “refuzonte prerazi çdo propozim të italianëve që do të cënonte integritetin dhe pavarësinë e Shqipërisë. Për shkak të frikës së bombarimit nga trupat italianë, personalitetet më larta të shtetit shqiptar, shkruan autori, qëndronin në shtëpinë e kryeministrit Koçi Kota për të diskutuar lidhur me situatën…”! Gera ishte deklaruar për luftë në këto diskutime, “t’u vëmë pushkën”, kishte thënë ai. Këtë qëndrim të Gerës, përmend në kujtimet e saj, baronesha hungareze, Suzanne de Strasser: “Gjatë pasditës, – shkruan ajo, – Mbreti priti (Rrok Gerën- red), një nga ministrat e qeverisë, i cili kishte kërkuar të bisedonte me të. “Ku janë të tjerët-pyeti Zogu Rrok Gerën. Ku? Kush mund ta thotë? Ku e kërkon koha dhe vala…”! “Mirë- tha Mbreti. Po situata kërkon përgjigje”.“Tek armët dhe te kuajt, Madhëria Juaj. Le të ndeshemi me italianët, ashtu siç thatë ju natën e kaluar”.
“Unë isha i marrë natën e kaluar, ngriti zërin Mbreti. Çfarë përfitimi do të kishte nga kjo?…Si mund t’ua dalim ne këtyre avionëve të rinj ? …Ishte një bisedë e gjatë…Deri në fund, ministri Rrok Gera këmbënguli për një qëndrim të prerë dhe për luftë, si dhe për një apel tjetër ndaj Anglisë…”. Zogu vendosi të dërgonte një përfaqësues të qeverisë për të biseduar me komandantin e trupave italiane të pushtimit në Durrës, gjeneral Guzzonin. Zogu caktoi Gerën të zhvillonte këto bisedime.
Autori Arben Pustina, jep kredencialet e rastit që iu dërguan gjenaral Guzzonit më 7 prill, nga ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë:
Në kredencialet shënohej :
Nr. Protokolli 247, dok. Nr 3.
Tiranë, 7 prill 1939.
Shkëlqesi.
Me urdhër të Madhërisë së Tij, kam nderin të njoftoj shkëlqesinë tuaj që, Shkëlqesia e tij Rrok Gera, Ministër i Ekonomisë Kombëtare të Shqipërisë dhe zoti leitnant kolonel Sami Koka, janë ngarkuar të diskutojnë me Shkëlqesinë Tuaj, bazat e një marrëveshjeje ushtarake që, ka të bëjë me bashkëpunimin e trupave italiane me trupat shqiptare në Shqipëri.
Lutemi Shkëlqesi, pranoni sigurimet e konsideratës sime të lartë”. Gera zhvilloi takim me Guzzonin në Durrës në orën 10.05 të datës 7 prill, bisedimet do të vazhdonin edhe në orën 4 pasdite. Këto bisedime nuk u zhvilluan sepse 5 minuta para orës 4 ura e Shijakut u hodh në erë…pas kësaj ngjarje trupat italianë nisën marshimin drejt Tiranës ku hynë më 8 prill ora 9.30…!
Autori jep mendimin e Gerës, lidhur me pushtimin fashist:
“7 prill 1939, – shkruan ai, – nuk përfaqëson thjesht datën e një pushtimi të huaj”, 7 prilli 1939, “ndryshoi rrjedhjen historike të Shqipërisë, duke ndërprerë një rrugë zhvillimi të ndërmarrë mbi baza reformash të guximshme që synonin përparimin e vendit në të gjitha fushat”. Më 8 prill Gera u largua me qeverinë në Greqi; ai kishte atëhere vetëm 200 napolon letër. Më 12 prill 1939, u kthye në Shqipëri. Autoritetet fashiste e internuan në Romë. Pas kërkesave të përsëritura, autoritetet italiane e lejuan të kthehej në Shkodër. Gjatë pushtimit fashist, Gera u mor me aktivitet tregtar në Shkodër. Hubert Newirth, Drejtor i Agjensisë Austriake të Zhvillimit për Shqipërinë, e radhit Rrok Gerën në librin e tij “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri” me Faik Konicën, Mehdi dhe Mithat Frashërin. Autori trajton si kapitull më vete “Përpjekjet për kombëtarizimin e Bankës Kombëtare”. Gera u mor shume me këtë problem. Më 10 maj 1944 Këshilli i Ministrave i dha mandat Gerës, si: “Ministër fuqiplotë i klasit të parë për të vendosur në bisedimet me italianët për kalimin e shumicës së aksioneve në favor të shtetit shqiptar”.
Qeveria shqiptare u mor me Bankën Kombëtare edhe gjatë verës së vitit 1944; Këshilli i Ministrave, mendonte të përgatiste një project-ligj për ngritjen e “Këshillit të ri Administrativ” të Bankës, në krye të të cilit të ishte Rrok Gera. Më 17 korrik 1944, Gera erdhi në qeveri në postin e Ministrit të Financave të kabinetit, Fiqiri Dine. Gera u akuzua për këtë në Gjyqin Special, mbajtur në Tiranë në vitin 1945: Në lidhje me emërimin ministër, Gera deklaroi në gjyq se, “ka qënë në Shkodër, kur më 13.7.1944, ka marrë një telegram (nga Mehdi Frashëri -red) të paraqitej në Tiranë. Mehdi Frashëri, i ka thënë se e ka emëruar ministër dhe nuk ishte mirë të mos e pranonte detyrën për çështje kompromentimi”. Autori sjell për lexuesin edhe një letër të Gerës, më 9 gusht 1944, drejtuar Mehdi Frashërit, që ishte “Regjent i Këshillit të Lartë”: “Më datën 15 korrik 1944, -shkruan Gera, – Shkëlqesia juaj patët mirësinë me më lajmue se Aji i Nalti Këshill, kishte vendosë me më besue Dikasterin e Financave në Qeverinë e Sh.T. Fiqiri Dine. N’atë rasë paraqita disa shkaqe personale që, më vejshin në pamundësi me pranue një barrë të tillë, por Shkëlqesija e Juej, nguli kambë t’ue mbajtë parasysh interesin e naltë të Kombit e, kështu nuk pata mundësi t’insistoj më gjatë në shkaqet personale”.
Gera shpjegon arsyet përse ngurronte të merrte këtë detyrë: “Tue kenë se ishëm largue nga detyrat shtetërore që nga data 7 prill 1939, e tue mos pasë njoftimet e thella mbi gjëndjen e krijueme në Shtetin t’onë, gjatë kohës së okupacionit italian e, ma vonë nën Qeverinë dorëheqëse, gjëndje që një Ministër’i Financave duhet ta dijn për me mujtë me parapa a mundet a jo me i dalë në krye nji detyre të tillë. Ju luta Shk.s’Uej që të m’u jepte një afat për një studim të çifrave e të rrethanave ma t’imta, që kështu të mujshe me u përgjegj me nji “po” ose nji “jo”. Shk. e Juej patët mirësinë me i nxjerrë Dekretet e Qeverisë Dine me datën 17 korrik 1944 (pra kur un nuk kishe formue asnji mendim mbi situatën e mundësitë financiare të vendit) dhe këtë fakt e mësova kur më datën 19 korrik u ftova me u paraqitë pranë Asajë së Naltës Regjencë. Nuk mujta me parashtrue protesta në një rasë aq solemn dhe mendova se ndoshta me vullnet të mirë e me punë të randë, mund t’i dilet në krye me ba dishka”.
Më 3 gusht, Rrok Gera i përcolli kryeministrit Dine, project- buxhetin për periudhën 1 korrik 1944 – 31 mars 1945. Sipas projektbuxhetit, gjendja ekonomike e vendit ishte shumë e rëndë. Në project-buxhet, të ardhurat shkonin në 106.000.000 fr. shqiptare ndërsa, shpenzimet për administratën civile, 176.000.000. Ministri Gera, shënonte në projekt-buxhet se, qeveria kishte edhe një shumë tjetër që, duhej t’i paguhej Bankës Kombëtare nga qeveria e mëparshme, sipas Gerës, defiçiti për buxhetin 1944-1945, arrinte në fr. shq. 96.000.000.
Gera vinte në dukje “mentalitetin që kishte në atë kohë administrata civile dhe ushtarake për shpenzime të mëdha dhe për struktura të fryra”; “administrata civile e ushtarake”, – shkruan ai, – nuk tregonte asnjë vullnet të mirë për kursime: “çdo nëpunës e çdo oficer, don me ruejt me çdo kusht pozitën e tij…çdo kryetar administrate, mbron gjëndjen e krijueme rreth tij…manija e çdo administratori është, me dyfishue, trefishue e shumëfishue administratën e tij…”!
Më 9 gusht 1944, Gera i drejtoi një letër të tillë edhe Kryetarit të Këshillit të Lartë, Mehdi Frashëri, ku i shkruan: “Në këto tri javë, aktiviteti im i asht kushtu studimit të situatës financiare, kam ardhë në një përfundim tepër t’idhët: Shteti Shqiptar ka një aparat administrativ e ushtarak qi, asht në dispropocion flagrant me mundësitë e vendit… nga ky studim, kam formue bindjen se Shteti Shqiptar, vuen barrën e randë të nji Administrate kolosale…”! Autori vë në dukje edhe presionin e autoriteteve gjermane për, financimin e trupave gjermane nga shteti shqiptar, si dhe kërkesat e tyre për emëtime të banknotave të reja, nga Banka Kombëtare e Shqipërisë etj. Autori shkruan se, qeveria nuk ra nën presionin e autoriteteve gjermane, “Këta, – shkruan ai, – u detyruan të sillnin 500.000 napolonë ari në Shqipri, të cilat i’u shitën personave privatë”.
Më 28 gusht, Rrok Gera kërkoi nga Këshilli i Ministrave të shqyrtonte “Projektligjin për kombëtarizimin e Bankës Kombëtare”. Propozimi hasi në kundërshtimin e shumicës së antarëve të qeverisë: “Ditarët e Drejtorisë Qendrore të BKSH, shkruan autori, pasqyrojnë prapaskenat për rrëzimin e projektligjit për kombëtarizimin e kësaj Banke; ky “rrëzim“, shkruan ai pati protogonistë emra të njohur të historisë shqiptare”. Në takimin e datës 4 shtator 1944, ministri Gera u bënte të ditur drejtuesve të BKSH-së, se, në përpjekjet e tij për kombëtarizimin e Bankës së Shqipërisë ishte munduar të kryente detyrën ndaj vendit; “si burrë shteti, – shkruan ai, kishte patur detyrë të shqetësohej…për interesat e Shqipërisë…”.
Më 28 gusht 1944, kryeministri Fiqiri Dine dha dorëheqjen. Pas këtij akti Gera u kthye në Shkodër. Ai ishte atëherë 43 vjeç.
Në 28/29 nëntor, Shqipëria u çlirua. Në janar 1945, Rrok Gera u arrestua dhe u gjykua si “armik i popullit”, në “Gjyqin Special” zhvilluar në “Kinema Kosova” në Tiranë, në shkurt-prill 1945: ai u dënoi me 10 vjet burg, punë të detyruar, konfiskim të pasurisë së luajtshme e të patundur, humbjen e të drejtave civile dhe politike. Për shkak të amnistisë, Gera u lirua pas pesë vitesh nga burgu, në nëntor 1949. Ai u arrestu përsëri më 21 janar 1951 dhe u dënua me 20 vjet burg, heqie lirie, humbjen e të drejtave elektorale, konfiskimin e pasurisë të luajtshme e të paluajtshme. Kundër këtj vendimi, Rrok Gera paraqiti një ankim më 21.10.1952.
Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, la në fuqi vendimin që dënonte atë me 20 vjet burg. Gera vazhdoi vuajtjen e dënimit në Burgun e Burrelit. Më 6 tetor 1956, Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Europës, paraqiti një rezolutë nëpërmjet së cilës kërkonte lirimin e të burgosurve politikë në vendet e Europës Lindore. Në këtë rezolutë ishte edhe emri i Rrok Gerës. Gera u lirua nga burgu më 19 maj 1958, me vendim nr.4 të Plenumit të Gjykatës së Lartë që, e shpalli atë të pafajshëm për akuzat që kishin çuar në dënimin e tij. Pas daljes nga burgu, Gera u mor me administrimin e një bahçe, pronë e familjës. “Me libra të trashë agrikulture në dorë, – shkruan autori, – ai bëri mrekulli në atë copë tokë, për të mbajtur veten, një motër dhe njërin nga vëllezërit, ndonëse dy vajzat e tij e ndihmonin financërisht me sa mundnin”. Rrok Gera ndrroi jetë më 28 janar 1969. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016